Kurti: Vetëvendosje nuk lejon shkelje të ligjit

Kemi qenë praktikisht i vetmi subjekt opozitar dhe, në të njëjtën kohë, në këta muaj të qeverisjes në Prishtinë, kemi dëshmuar që zotimet tona i përmbushim dhe nuk lejojmë asnjëherë kurrfarë shkeljeje të ligjit, se lëre më korrupsion enorm, çfarë e kemi gjetur ne Komunën e Prishtinës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti, pse duhet dhënë votën juve?

ALBIN KURTI
Lëvizja Vetëvendosje është më shumë se parti politike. Lëvizja Vetëvendosje është një subjekt, i cili ka edhe ideale, edhe moral në politikë. Mirëpo, në të njëjtën kohë, është një subjekt, i cili konceptin e tij të drejtë e parimor e ka shndërruar në alternativë qeverisëse, e cila e bën Kosovën shtet republikan, me zhvillim ekonomik të bazuar në prodhim, me drejtësi shtetërore që e lufton në mënyrë të pakompromis korrupsionin dhe me barazi shoqërore përmes politikave sociale.

Këto gjera, asnjë subjekt tjetër nuk i thotë e aq më pak t’i bëjë. Ndërkaq, kandidatët e Vetëvendosjes janë mundësia, kushti dhe garancia që alternativa jonë qeverisëse do të realizohet kur të jemi ne në qeverisje, në tërësinë e saj, por edhe në të gjitha elementet përbërëse të saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni qenë shumë kritikë ndaj pushtetit të deritashëm. Si do t’i bindni qytetarët që ju mund të veproni ndryshe nga ajo që keni kritikuar?

ALBIN KURTI
Ne kemi qenë opozitë parimore, e sinqertë dhe serioze në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kemi qenë praktikisht i vetmi subjekt opozitar dhe, në të njëjtën kohë, në këta muaj të qeverisjes në Prishtinë, kemi dëshmuar që zotimet tona i përmbushim dhe nuk lejojmë asnjëherë kurrfarë shkeljeje të ligjit, se lëre më korrupsion enorm, çfarë e kemi gjetur ne Komunën e Prishtinës.

Pra me opozitën tonë parlamentare dhe me pushtetin tonë komunal në kryeqytet, ne e kemi dëshmuar para qytetarëve të Republikës se jemi një subjekt krejtësisht ndryshe dhe, rrjedhimisht, do ta sjellim ndryshimin, të cilin e dëshirojnë të gjithë qytetarët anekënd Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është qëndrimi juaj për dialogun me Serbinë, si do të veproni nëse fitoni?

ALBIN KURTI
Ne besojmë që Serbisë i duhen vënë kushtet para çfarëdo dialogu me të dhe këto kushte kanë të bëjnë me heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë, ku shkruan që Kosova është pjesë integrale e Serbisë, me kërkimfaljen për krimet nga e kaluara dhe me pagesën e dëmeve të luftës për të gjitha shkatërrimet, vrasjet, të cilat na i kanë shkaktuar.

Por, në të njëjtën kohë, edhe një marrëdhënie e reciprocitetit, ku çkado që Serbia kërkon për serbët në Kosovë, do të duhej që të aplikohej së pari për shqiptarët në Serbi, posaçërisht në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, po pse jo edhe për hungarezët në Vojvodinë, për boshnjakët në Sanxhak e për vllehët në Timok atje.

Në të njëjtën kohë, ne do ta zëvendësonim dialogun me Serbinë me dialog me serbët e Kosovës, me ç’rast integrimi i tyre në shoqërinë kosovare do të bëhej përmes zhvillimit ekonomik, barazisë shoqërore, punësimit, e jo thjesht përmes këtyre privilegjeve institucionale për politikanët individualë serbë, të cilët kësisoj vetëm sa po shkëputen nga pakica serbe si popullsi dhe, në fakt, nuk po e integrojnë atë në institucionet tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Një çështje tjetër e përfolur kohët e fundit është edhe lejimi apo jo i bartjes së shamisë, asaj që cilësohet si uniformë fetare, në institucionet shkollore. Jeni për apo kundër lejimit të bartjes?

ALBIN KURTI
Lëvizja Vetëvendosje e ka pasur qëndrimin e saj të qartë që prej gushtit të vitit 2011. Edhe këtu jemi subjekti i vetëm, i cili e ka diskutuar në forumet tona të brendshme këtë gjë dhe ka ardhur me një qëndrim të qartë; e ky është që ne nuk jemi për ndalimin e shamisë për personat mbi 16 vjeç, ashtu siç nuk jemi për ndalimin edhe të simboleve të feve të tjera në institucionet publike, gjithnjë mbi moshën 16-vjeçare.

Këtë e bëjmë nga pikëpamja e shtetit sekular dhe nga aspekti i të drejtave të njeriut, ashtu siç është e përcaktuar në Kartën Universale për të Drejtat e Njeriut. Pra, pikëpamja e shtetit sekular dhe e të drejtave të njeriut na bën neve që ta kemi një qëndrim të tillë, pra të mos jemi për ndalimin e shamisë në institucione publike mbi moshën 16-vjeçare.

RADIO EVROPA E LIRË
Me kë do të pranonit të hynit në koalicion të mundshëm?

ALBIN KURTI
Së pari, Lëvizja Vetëvendosje është duke u lidhur fuqishëm me qytetarin e Republikës pa dallim moshe, gjinie, profesioni, vendbanimi, prejardhjeje, feje e kështu me radhë dhe jemi duke synuar një ndryshim të madh demokratik, i cili e ka në qendër qytetarin e Republikës, me të drejta politike e kulturore, por edhe socio-ekonomike.

Kur Lëvizja Vetëvendosje të dalë subjekti i parë pas këtyre zgjedhjeve, ne do të fillojmë bisedimet me partitë e tjera dhe do të shohim se me cilën prej tyre mund të gjejmë më së shumti përputhje programore dhe besim të ndërsjellë.

Pra, ne duam që të dalim subjekti i parë; ndryshimet në Kosovë ndodhin pikërisht atëherë kur Vetëvendosja do të jetë subjekti i parë. Për ta krijuar koalicionin qeverisës, do të fillojmë bisedimet mbi baza parimore, programore e konceptuale me partitë e tjera.

RADIO EVROPA E LIRE
A keni vija të kuqe, thënë kushtimit, të cilat nuk do të mund t’i kalonit në këtë drejtim?

ALBIN KURTI
Ne, çdo vijë të kuqe tonën e lidhim me nevojën e madhe të qytetarëve të Republikës për ndryshim dhe besojmë se për ta kurorëzuar këtë ndryshim, së pari, Vetëvendosje duhet të jetë subjekti i parë.

Së dyti, alternativa qeverisëse e Vetëvendosjes me shtetin zhvillimor, shtetin social dhe shtetin e së drejtës, duhet të paraqesin binarët e programit qeveritar katërvjeçar të ardhshëm. Dhe, së treti, besojmë se është e shëndetshme për demokracinë në Kosovë që subjekti, partia në pushtet, e cila ka qenë gjatë këtyre viteve që prej shpalljes së pavarësisë, të dalë në opozitë. (rel)

Bashkëpunimi për hapësirën në rrezik?

I zemëruar për sanksionet amerikane kundër zyrtarëve rusë të përfshirë në aneksimin e Krimesë dhe trazirat në Ukrainën Lindore, Zëvendës Kryeministri rus Dmitry Rogozin tha se Moska mund të kundërveprojë duke rishikuar bashkpunimin mes dy vendeve për hapësirën. Nëse ky kërcënim bëhet realitet, kjo mund të ndikojë mbi eksplorimet në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës në të ardhmen.Rusia nuk ka vendosur zyrtarisht për të vazhduar bashkëpunimin në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës deri në vitin 2024, sipas propozimit amerikan. Moska thotë se mund të tërhiqet nga viti 2020. Por bashkëpunimi më i madh dhe më i rëndësishëm mes dy vendeve për hapësirën duket se nuk do të preket.

Astronauti Rick Mastracchio, ((mas-TRAH-kee-oh)) i cili sapo është kthyer nga hapësira pas 6 muajsht në orbitë, thotë se atmosfera në stacionin hapësinor është shumë e mirë:

“Marrëdhëniet ndërpersonale të punës me kolegët rusë si në stacionin hapësinor edhe këtu në tokë janë të mira. Nuk kemi patur asnjë problem gjatë punës me ta.”

Ndërkohë që mardhëniet personale dhe profesionale mund të jenë të pacënuara, thotë Scott Pace i Institutit të Politikave Hapësinore në Universitetin George Washington, mjedisi politik dhe arsyet strategjike për vazhdimin e bashkëpunimit, ndodhen nën një trysni të madhe.

“Shtrohet pyetja, a është kjo një situatë e përkohëshme apo një gjendje e përhershme e marrëdhënieve, gjë që do të vinte në pikëpyetje bashkëpunimin në një gamë të gjerë çështjesh me Rusinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik.”

Zoti Pace thotë se NASA ka prashikuar nisjen e kapsulës Orion në vitin 2017, për dërgimin e astronautëve në stacionin hapsinor e më tej, pa përfshirjen ruse.

Me rënien e mbështetjes publike dhe tkurrjen e buxhetit për dërgimin e ekipeve njerëzore në misione hapësinore, zyrtarët e kanë kuptuar nevojën e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Gjatë një diskutimi në Gjermani për të ardhmen e eksplorimeve hapësinore, administratori i NASA-s Charles Bolden tha se agjencia e tij e kupton këtë.

“Dua të theksoj se në këtë prezantim nuk ka gjë që po e bëjmë vetëm.”

Për shembull, sistemet energjitike dhe motorike për kapsulën Orion po ndërtohen nga evropianët, kryesisht në Gjermani.

Por zyrtarët rusë të hapsirës nuk morën pjesë në këtë diskutim. Scott Pace thotë se Moska kërkon të kthehet tek eksplorimi i Hënës por nuk ka para për ta realizuar atë.

“Rusisë i duhet të vendosë se çfarë kërkon të bëjë në hapësirë pas vitit 2020.”

Ai thotë se vazhdimi i partneritetit Ruso-Amerikan do të ishte i mirë për bashkëpunimin ndërkombëtar në hapësirë, por kjo duket se do të varet nga forcat politike përtej programit hapësinor.

Ndërkohë, një ekip i ri amerikano-rus në bordin e kapsulës së prodhimit rus, Soyuz, po shkon në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. (voa)

LAMTUMIRË AMERIKË

nga Zeqir Lushaj
Zeqir Lushaj:
-Edhe nje liber po ta shkruaj per ju e di se me mbeten shume gjera pa thene. E di se kerkund ne bote nuk jetoj me lehte e me mire se ketu ku jam tash 17 vjet, pra në Cliffside Park te NJ, dhe mes juash vellezer e motra por duke u kthye ne At’Dhe, jo vetem se realizoj nje enderr por mbaj edhe nje premtim. Une dhe Sabrieja nuk vendosem te kthehemi, por kemi qene te vendosur dhe kemi punuar per nje dite të tillë …

LAMTUMIRË AMERIKË
-Amanet, vëllazen t’mergimit,
Ta këndojmë bashk kangën e kthimit…-

20 MAJI… PER JU JETIMë…

Nga Fritz RADOVANI: Nanë Tereza thonte:
■Fëmijët janë dhurata ma e bukur e Zotit.
Çdo fëmij ka të drejtë të vijë në këtë Botë pamvarsisht dëshirës sonë.
■Në shtëpinë tonë jetonte një fëmijë shumë i thatë, që nuk hante asgja.
Ishte i dëshpruem sëpse ato ditë i kishte vdekë Nana. Kërkova një murgeshë që i përgjante Nanës së tij dhe e porosita murgeshën që të mos bante tjetër vetëm të luente me voglushin. Mbas pak kohe ky fëmij u qetësue dhe filloi jetën normale.
■Jam e bindun se tortura ma e madhe kundër njeriut asht ndjenja e braktisjes.
■Mendo: Se, Krijuesi i Gjithësisë ka krijue kohë për ne, për krijesat e tij të vogëla.
Ka vetem nje Zot dhe Ai asht Zot tek të gjithë. Asht e rendësishme të kuptohet se gjithësejcili shihet si i barabartë perpara Zotit.
Gjithmonë kam thanë se ne duhet të ndihmojmë një Hindu të bahet Hindu ma i mirë, një Mysliman të bahet Mysliman ma i mirë, një Katolik, të bahet katolik ma i mirë.
***
■Shqiptarët sot duhet të krenohen per Figuren Botnore të Nanë Terezës, e cila në qendren e Shpirtit Saj, kishte të ruejtun dashunin dhe sakrificen per jetimët e gjithë Botës…
■Per një fakt jam shumë i sigurtë se, Jetimët, as nuk mendojnë, as nuk andrrojnë, as nuk e dishrojnë dhe, as nuk punojnë kurrë, dhe asnjëherë, gjithë jeten e vet që nga veprat e tyne Bota që i rrethon me pasë të pakten edhe një jetim ma shumë se ka!
■Nga zemra Ua uroj atyne fatzezëve që kanë këte emen, që e ardhmja të mos iu randojnë sado pak ndergjegjen e tyne me pamundsinë me i sherbye familjes e shoqnisë, me evitue në çdo kohë mundsinë me shtue edhe një jetim ma shumë në çdo vend ku i ka shpernda jeta.
■Me shumë dashuni, u uroj Jetimëve Diten e Tyne… 20 Maji 2014 !

Melbourne, 20 Maji 2014.

Rrezik epidemish pas përmbytjeve në Ballkan

Pas përmbytjeve katastrofale në Ballkan, rritet rreziku i epidemive, dhe ai minave që shpërndara nga masat e ujit. Numri i viktimave është rritur në 47 vetë. Ndërkohë në rajon ka mbërritur ndihma ndërkombëtare.Gjendja në zonat e përmbytura në Ballkan mbetet e rrezikshme, ndërkohë që numri i viktimave në rajonet e prekura, si Serbia, Bosnja, Kroacia është rritur në 47 vetë. Autoritetet kanë paralajmëruar për rrezikun e epidemive në zonat e përmbytura. Me rritjen e temperaturave do të ketë rreziqe të tjera po qe se nuk pastrohen menjëherë zonat, u shprehën autoritetet.
Ndërkohë që në Serbi pritet një valë e re përmbytjeje, në rajonet e tjera masat e ujit janë tërhequr. Në Bosnje janë prekur më shumë se një e treta e popullsisë nga vërshimet, ndërkohë që një milionë vetë nuk përdorin dot ujin e pijshëm, bëri të ditur ministri i Jashtëm i vendit, Zlatko Lagumdzija. “Dëmet janë të jashtëzakonshme” tha Lagumdzija. Ndryshimi i vetëm me luftën në vitet 90-të është se nuk ka ka shumë viktima. Ndërkohë 100.000 vëtë janë evakuuar.
Rreziku i minave
Një rrezik tjetër në Bosnje-Hercegovinë është edhe ai i minave. Sipas një eksperteje ky vend e ka injoruar për një kohë të gjatë këtë rrezik. Alma al Osta nga organizata “Handicap International” në intervistë me agjencinë e lajmeve, dpa u shpreh se që në përmbytjet e vitit 2010 minat “shëtitëse” me masat e ujit përbënin një rrezik akut. Por ky fenomen nuk u pa si një rrezik, dhe askush nuk kishte menduar se do të ndodhte një katastrofë e tillë. Prioritetet u vendosën ndryshe. Ky problem u harrua, dhe tani ja ku u rikthye.”

Ndihma ndërkombëtare për rajonet e përmbytura
Ndërsa në Serbi, ku 600.000 vetë janë prekur nga përmbytjet, dhe 250.000 të tjerë janë evakuuar, gjendja mbetet e nderë për shkak të rritjes së nivelit të lumit Sava. Në natën duke u gdhirë e marta është pritur një valë e re përmbytjeje. Në Beograd vullnetarët dhe forca të ushtrisë u përpoqën në një garë me kohën të shpërndanin thasë rëre përgjatë Savës, që bashkohet në këtë pikë me Danubin. 300.000 thasë rëre u shpërndanë në vendet e rrezikuara. Për kryetarin e bashkisë së Beogradit, Sinisa Mali “gjendja është nën kontroll”. Shqetësim për autoritetet serbe përbën centrali i energjisë Nikola Tesla në afërsi të qytetit të përmbytur, Obrenovaç. Ky central furnizon gjysmën e Serbisë me energji elektrike.
Ndërkohë ka mbërritur edhe ndihma ndërkombëtare, ndër to skuadra nga Rusia, SHBA dhe BE. Më shumë se 400 specialistë nga BE janë në terren, bëri të ditur komisionnerja e BE-së në Bruksel, Kristalina Georgieva. Ministria amerikane e Mbrojtjesë bëri të ditur dërgimin e 26 tonëve ndihma,ndër to thasë rërë, naftë, dhe aparate për pastrimin e ujit. Pëmbytjet në Ballkan konsiderohen si përmbytjet e shekullit. (dw)

MASAKRA ME KNAQË SHPIRTIN E TYNE…

Nga Fritz RADOVANI:

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë… Vështirë me u besue këto, e vështirë me u besue çka po u shkon mendja “disave”!
Me datën 6 nandor 1946, në pragun e arrestimit të Françeskanëve të Shkodrës, arrestohet edhe Imzot Jul Bonatti, në Vlonë, pra, pak muej mbas kthimit të Tij nga Italia.
Hapët dosja nr. 3616… “…Në vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, dhe aty na foli Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë me aeroplan për në Shqipni, anglezët.”
Imz. Bonatti deklaron në hetuesinë e Vlonës dhe asht fat i madh se, në disa fletë që ruhen në shpjegimet biografike janë detaje që me siguri nuk do të ishin dijtë kurrë, p.sh.: “Në Stamboll, kam shërbye në Kishën e Sant Ospit. Atje më donin dhe më respektonin shumë.” Tregon me shka asht marrë edhe në vitet e fundit në Itali.
Një opinjon që vazhdoi mbi 47 vjet në hetuesitë e sigurimit shqiptar:
“… përsonat që vajnë tek ky (Bonatti) janë Katolikë, dhe sigurisht qëllimi i vajtjës së tyre ka karakter politik.” (dt. 10 qershor 1946).
Prokurori Beqir Isufi shënon po aty: “Prifti spijun i djallzuar…”
Namik Cakrani shënon: “… Është i pa korrigjuar, t’i epët dënim i rëndë.”
Trupi Gjykues i përbamë prej Kryetar Myftar Grabocka, antarë Taqo Jaho dhe Thoma Laro, prokuror kapiten Kristo Mushi, përveç deklaratave të sipërme, akuzon Imzot Prof. Jul Bonattin: “… agjent i Vatikanit, spijun i dërguar për qëllime armiqësore, ka bashkëpunuar me armiqë të popullit si: Prefektin e Vlorës Lele Koçin, Rrok Nallbanin (kuestor), dhe armikun e regjur Vishdan Risilia. Ka punuar në favor të Vatikanit i porositur nga Imzot Vinçenc Prennushi…”
Me datën 27 tetor 1947, jepet vëndimi: “7 vjet burg, me heqje lirie.”
Edhe pse Imzot Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për një vit rresht në hetuesi, vëndimi u shqyrtue në Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame nga: Kryetar, Niko Çeta, antarë Veladin Zejneli dhe Nexhat Hysejni, prokuror Nevzat Hasnedari dhe vëndosi: “Dënohet me 5 vjet heqje lirie…”.
A thue këtu mori fund gjyqi i Imzot Bonattit?
Sigurimi komunist ishte ma i djallzuem se na shkon mendja né.
Ai shpesh ndryshonte metodën, por kurrë rrugën e zgjedhun të krimit nga e cila nuk mund të shkëputej asnjë çast atëherë,.. dhe sot.
***
Pak kohë mbasi u dënue Imzot Bonatti dërgohet në spitalin psikiatrik të Durrësit, gjoja për mjekim. Kur ishte aty shkoi me u takue mbesa i Tij me té. Njëditë Ai i kishte tregue: “Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye…”.
Vazhdoi për disa muej ajo rrugë e mnershme për Profesorin e shkretë… Zotnues i disa gjuhve të hueja, i lauruem në letërsi, i palodhun në punë shkencore, përkthyesi i njohun i “Lahutës së Malcisë”, meshtar i devoçëm dhe i përvujtë ma shumë se duhej, sillet në Shqipni…. dhe çohet në manikomjo…
Fantazia e kriminelit asht e pafund….
Imzot Prof. JUL BONATTI, njëditë thanë se ndrroi jetë!
“Ndrroi jetë…”, një fjalë goje!
U gjet në një dhomë copa copa, i shkyem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”!!
Kush ishin këta të sëmurë? A me të vërtetë mendoni se ishin të sëmurët e “pavetëdijshëm” që e mbytën Bonattin? -Jo, jo! E, prap po përsëris, jo! -Ishin të sëmurët e “vetëdijshëm” që patologjikisht ushqehëshin me mish e gjak njeriu, dhe mundësisht Atdhetarë, ishin po, kriminelët e pashoq që nuk ngopeshin me një dru mbas koke para se t’i pushkatonin viktimat, ishin Hasnedarët e Themelët, ishin Kapisyzët e Dul Rrjollët, ishin e… ishin Aranit Çelat me Kadri Hazbitë, Shehët e Hoxhët që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi, i mëshefun mbas fustanit Nexhmije Hoxhës, kobres së zezë të fundit të Shekullit XX, me mbytë e me vra me vulën e “popullit”, tue pi gjakun e tij.
***
A thue pasojë e sllavokomunizmit ishte kjo, apo dishka ma shumë..?!
Imz. Jul Bonatti deklaron: “Qëllimi i jonë si fetare asht të bashkojmë popujt, dhe t’i vllaznojmë në çdo anë të botës!” Kjo thanje e Profesorit më ka terhjekë vemendjen që atëherë kur e kam lexue. Kam shkrue dhe mendoj mos me u ndalue këtu!
Imz. Prof. Jul Bonatti ishte Klerik Katolik Shkodranë, teolog, filozof, studjues dhe perkthyes i njohun i letersisë dhe gjuhës shqipe, një humanist i persosun, poliglot dhe mbi të gjitha një Klerik me pikpamje europjane, në vizionin e të cilit qendronte një nga perpjekjet e vazhdueshme të Atdhetarëve tanë: Unifikimi i Kishave Shqiptare!
Përgatitja e Tij n’ Austri, Itali, dhe sherbimi në Stamboll mbi 16 vjet, në Durrës, Vlonë, Siçili, dhe njohja atje e Kishave Unite Shqiptare prej Tij, duhet të bahet piknisje per një studim të plotë të perpjekjeve të dy palëve; katolikë dhe ortodoksë per unifikim.
E ky unifikim nenkupton Unitetin e Trojeve të Shtetit Shqiptar!
Një veper e tillë Atdhetare, ishte fillue me kohë nga Imz. Kristofor Kissi.
Kjo etapë e re fillon me kohë, madje vite perpara At Shtjefen Gjeçovi kur ishte në Vlonë, flet per perpjekje të dy kishave per Bashkim, dhe kam parasyshë edhe vlersimet.
Nga studjuesi z. Nelson Qiriaku, kam mujtë me u sigurue per fillimet e Kishës Ortodokse Autoçefale Shqiptare KOASH, e cila me disa nga drejtuesit e saj të nderuem filloi marrveshjet per unifikim dhe bashkpunim me Kishen Katolike Shqiptare, që në vitin 1920. Menjëherë mbas shpalljes së Pavarsisë në 1912 shihen dokumentat. Perpjekjet e Hirsisë së Visarion Xhuvanit, Kristofor Kissit, Irene Banushit, etj., dhe lidhjet e Tyne me Famullitarët e Vlonës, Durrësit dhe së fundi të Tiranës, dhe janë një prej episodeve ma të lavdishme të mardhanjeve mes Kishave tona Shqiptare.
Porsa Kisha Ortodokse Autoçefale Shqiptare filloi shkëputjen e saj nga kishat sllave e greke në vitin 1920, Kryepeshkopët e saj të nderuem u zgjodhën Shqiptarë që në Kongresin e Beratit (1922), vendosën KOASH, dhe perdorimin e gjuhës Shqipe.
Patriarku i Konstantinopojës emnoi në Shqipni Hierotheos A. Jahon (Peshkop i Miletupolisit) si zevendsin e tij të plotfuqishem, i cili, i shoqnuem nga Imz. Kristofor Kissi, Peshkop i Sinadonit, mërriti në Korçë në vjeshten e vitit 1923, dhe shuguruen Fan Nolin, me 21 Nandor 1923, në katedralen e Shen Gjergjit.
Hierotheosi emeroi Imz. Kristofor Kissin, Peshkop të dioqezës së Beratit, e cila permblidhte edhe Vlonen; Fan Noli në 1924 u largue nga Shqipnia. Në nandor 1927 vizitoi Rusinë stalinjane, pra Bashkimin Sovjetik, si delegat i Ballkanit në Kongresin ‘Miqtë e Bashkimit Sovjetik’ me rastin e dhjetëvjetorit të Revolucionit të Tetorit…
Po, nuk mungoi me i ba urimet edhe Enver Hoxhës në Janar 1946, per “varësinë e Republikës Demokratike Shqiptare nga Jugosllavia komuniste e Titos”…
Ishte koha kur Peshkopët e KOASH Visarion Xhuvani, Kristofor Kissi, Irene Banushi(u burgos në 1947), Kozma Qirio, At Dhimiter Leka (u pushkatue në nandor 1944), At Gjergj Suli(u pushkatue me 14 Janar 1947), At Llazar Popi (vdes në burgun e Tiranës, me 11 Dhjetor 1972), vetem pse vazhduen me punue per unifikimin e Kishave Shqiptare, njëherit me persekucionin e Tyne të vazhdueshem kryesisht mbas 1944.
Me këte “Bashkim Kishash”, nuk ishte i knaqun as Ahmet Zogu, as Musolini, dhe në gjurmët e tyne eci edhe Enver Hoxha, derisa shkatrroi këte Bashkim dhe Fenë!
Kryepeshkopi metropolit Kristofor Kissi drejtoi KOASH derisa dha doreheqjen me 1949. Ai jetoi në pension pak kohë në manastirin e Ardenicës e me vonë në manastirin e Shën Prokopit afer Tiranës. Thohej se vdiq nga hemoragjia cerebrale (po, ma shumë mendohet se aty u helmuem nga Sigurimi komunist) me 16 qershor 1958.
Patrikana e Konstantinopojës e njohu Kishen e Shqipnisë si autoqefale vetem nga autoriteti i Imz. Kristofor Kissit. Ai ishte personi ma i respektuem per të gjitha palët e interesueme, per patrikanën e Konstantinopojës, per Popullin Shqiptar, per Klerin Ortodoks dhe lidhjet e KOASH me Kishen Katolike Shqiptare. Ndersa, Martiri At Josif Papamihali… asht mbulue me baltë i gjallë në kampin e shfarosjes, në këneten e Maliqit të Korçës, me 26 Tetor 1948 vetem, per lidhjet fetare me Klerin Katolik Shqiptar.
Kjo ishte Kisha e vertetë Ortodokse KOASH, per të cilen ruej respekt edhe sot!
Ishte pikrisht koha kur në Shkoder Hafiz Derguti torturohej në 1947, dhe po i tregonte një bashkvuejtësi: “Më kërkojnë dëshmi për priftën, kërkojnë me na përça e nesër me thanë, se u pushkatuen priftnit me dëshmitë e rreme të hoxhallarëve. I kam thanë, bani shka të dueni se këtë punë nuk e baj kurrë pasha Allahun!”
Cili kje qendrimi Europjan i Hafiz Ibrahim Dalliut në gjyqin e Tij në 1946 ?
Kush mundet me mohue veprat e Hafiz Ali Tarit, ndaj Klerit Katolik në Burrel ?
Ndersa, vrasjet e masakrat e sllavokomunistëve ndaj Bektashijve vazhdonin me korrë koka njerzish, vetem per qendresen e Tyne në perkrahje të katolikëve Shqiptarë.
Ashtusi mbyten At Papamihalin, ashtu shkyene dhe Imz. Jul Bonattin…
Historia pa të vertata e saja, nga Populli Shqiptar quhet “rrenë”!
***
Komunistët shovenistë sllavobolshevikë, ashtusi paraardhësit e tyne anadollakë, gjithnjë, kudo ku kanë sundue kanë perdorë metoden “Perçaj e sundo!”, jo “pa rezultat”.
Në Sheshin Skenderbe, Papa Gjon Pali II, me 25 Prill 1993 tha: “Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Europjan dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ ju harrojë…
Por me një kusht, që të mbetët përgjithmonë në kujtesën tonë, ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikthye tek të njejtat gabime të përlotuna dhe asht shtegu ma i mirë për një proces pajtimi të vërtetë.”
Pajtimi i vertetë arrihet vetem me hapjen e dosjeve…Dënimi i diktatorëve që kanë ushtrue Gjenocid kunder Klerit Katolik dhe Atdhetarëve Shqiptar asht detyrë!
Shqiptarët duhet gjithnjë ti bajnë vetes një pyetje:
Deri kur do të vazhdojë me u mashtrue Populli Shqiptar?!
Melbourne, 2014.

Një ditë për familjen shqiptare

Nga Entela Binjaku

Shoqëria shqiptare prej dy dekadash ka hyrë në një hulli ndryshimesh të shoqëruara edhe me një kalvar të pasosur vështirësish. Vështirësi të reja, vështirësi të vjetra…Në tërësinë e këtyre ndryshimeve u përfshi edhe familja, Në këto dy dekada familja shqiptare është zvogëluar, i ngian më shumë familjes së tipit bërthamë; gjatë kësaj periudhe janë rritur familjet njëprindërore, shoqëria ka treguar një lloj tolerance ndaj bashkëjetesës, ka më shumë çifte që jetojnë një kohë të gjatë pa lindur fëmijë etj.

Nisur nga vlerat universale të familjes Organizata e Kombeve të Bashkuara ka caktuar për të një ditë të posaçme: 15 Majin. Që nga viti 1993 kjo datë njihet si “Dita Ndërkombëtare e Familjes”, një ditë ndërgjegjësimi për rëndësinë, problemet e saj por dhe për angazhimin politik të shteteve anëtare ndaj cështjeve që lidhen me këtë institucion të rëndësishëm.

Vitet e fundit kjo datë ka hyrë edhe në fjalorin e shoqërisë shqiptare, duke treguar nga njëra solidarizimin me shumë shoqëri në botë (kryesisht falë angazhimit në organizmat ndërkombëtarë), si dhe duke shprehur nga ana tjetër bindjen se familja duhet të jetë në qendër të vëmendjes së shoqërisë. Kjo datë maji mund të shërbejë edhe për të shprehur nderimin ndaj familjeve shqiptare që përballojnë vështirësi të panumërta për të mbetur njësi e fortë dhe e bashkuar.

Familja përkufizohet si ai “grup individësh i lidhur nga gjaku ose nga martesa, që jetojnë bashkë,, që bashkëpunojnë ekonomikisht dhe ndajnë përgjegjësitë për të rritur fëmijët e përbashkët”. Wshtë ai institucion shoqëror që ndërthur një tërësi rolesh ku marrëdhëniet mes anëtarëve janë më intime, më intensive dhe më të ngrohta.

Pavarësisht ndryshimeve sfidat për familjen nuk kanë munguar, as “në atë kohë”, as “në këtë kohë”.

E kërcënuar nga faktorët tradicionalë, si vdekja, sëmundjet, familja shqiptare sot është edhe nën presionin e faktorëvë të panjohur që shoqëruan ndryshimet.

Shpesh herë ajo është gjendur njëherazi nën ndikimin e këtyre faktorwve tradicionalë e “bashkëkohorë”, duke qenë e vetme, e pambështetur dhe e papërkrahur nga shteti dhe shoqëria

Duke qenë se 15 Maji synon ndërgjegjësimin po sjell në vëmendje historinë e një familjeje në kryeqyet e cila sfidën e saj të madhe e ka me autizmin, crregullim për të cilin vitet e fundit po dëgjojmë më shpesh.

Për çrregullimet e spektrit autik në Shqipëri ka nisur të flitet relativisht vonë edhe pse njerëz që vuajnë nga crregullimet kësaj natyre kanë jetuar përherë mes nesh.

Zakonisht për ta thuhej “se ishin të vonuar”. Herë nga padija, herë nga mosnjohja, herë nga stereotipizimi, herë nga turpi, për këtë lloj çrregullimi tek ne nuk është folur shumë. Edhe pse fillesat e trajtimit te institucionalizuar për fëmijët më aftësi të kufizuara kanë nisur në vitet ’60, sërish ato parashikonin rastet të kufizuara trajtimesh por që nuk flisnin për autizmin. Ose ndoshta flitej fare pak.

Kur pjestari i një familjeje vuan nga ky çrregullim ndryshon jeta e të gjithë familjes. Atë e prêt një sfidë e madhe dhe e mundimshme që varion që nga mospranimi i deklaruar deri tek pranimi i heshtur. Jeta e një individi që vuan këtë çrregullim, mundon dhe çrregullon edhe jetën e prindërve që kujdesen për të, i jep një orientim të ri raportit martesor, i cili vendoset përballë një vështirësie të madhe. Zakonisht një nga pjestarët nuk punon; në shumicën e rasteve është nëna.

Familja e Dritanit është një e tillë. Ajo jeton në një nga lagjet e vjetra të kryeqytetit. Dritani sot është 30 vjeç, jeton me dy prindër të moshuar dhe aktualisht përfiton një pension prej 9000 lekësh në muaj.

Vite më parë kjo shumë ka qenë edhe më vogël se kaq, pra gjithmonë e pamjaftueshme për shpenzimet dhe nevojat për veshje, për ushqim, për kujdes shëndetësor apo për shpenzime të tjera.

Me Dritanin e gjithë jeta e kësaj familjeje ka ndryshuar. Ai është shumë i lidhur më nënën pa të cilën nuk mund të bëjë asnjë hap.

Bashkëshorti është kujdesur për dy fëmijët e tjerë, ndërsa nëna e Dritanit i është përkushtuar tërësisht atij. Dy vajzat e saj më të mëdha se Dritani edhe sot ankohen se nuk e kanë jetuar kujdesin e saj ashtu siç do të dëshironin.

Nevoja e madhe dhe varfëria e nxori në rrugë si shitëse ambulante, punë të cilën ajo e ka bërë për vite të tëra. Sot është në prag të 60-ave dhe mundësitë fizike që të kujdeset për të birin sa vijnë e pakësohen. Tani në rrugë del e shet bashkëshorti.

Si personi që kujdeset për djalin ajo nuk merr asnjë ndihmë sepse sipas specialistëve të komisionit të shëndetit “ai është në gjendje të ecë vetë”. Familja ka shpresuar se mund të përftonte ndonjë ndihmë nga pushteti vendor, por as këtë nuk e përfiton sepse “Dritani nuk ka punuar asnjë ditë”.

Historitë e jetës në kërkimin sociologjik kanë një vlerë shumë të rëndësishme, sepse duke mbledhur edhe biografitë e personave çfarëdo mëson shumë për shoqërinë ku jetojnë.

Përmes biografive të personave me aftësi të kufizuara arrihet të ndërtohet jo vetëm bota sociale e tyre por edhe e familjeve të tyre. Historia e familjes së Dritanit është vetëm njëra nga historitë e shumta të familjeve shqiptare që jetojnë vështirësitë që krijon çrregullimi kronik i një pjestari. Vetëm në lagjen ku jeton kjo familje janë disa histori të ngjashme. Të gjitha pa asnjë ndihmë nga shteti e shoqëria. Të vetme ato përballojnë nevojat e veçanta, pranojnë vështirësitë që i presin, jetojnë me dëshirën e vazhdueshme se fëmija i tyre do të mund të përfshihet në komunitetin ku jeton, por shqetësohen shumë për atë që do të vijë më vonë.

Shoqëria jonë duhet të kuptojë se problemet e një familjeje janë probleme për të gjithë shoqërinë. Për këtë arsye qeverisja vendore, qeverisja qëndrore, shoqëria civile duhet të marrë më shumë angazhim e përgjegjësi për përmirësimin e ndihmës ndaj këtyre familjeve, për ofrimin e shërbimeve të nevojshme, për alokimin e disa fondeve që do t’ju mundësuar krijimin e disa mjediseve të përshtatshme për këta individë. Kur janë të vegjël ata janë më të integruar në institucionet e edukimit, por kur rriten thuajse izolohen plotësisht nga jeta sociale, duke izoluar në vazhdim jetën e pjestarit që kujdeset për ta. Me këtë angazhim së paku familjet do të lehtësoheshin e do të nisnin të punonin. Transformimi i jetës së personave me çrregullim autik është ende një strategji e largët për shoqërinë tonë, por lehtësimi i jetës së familjeve të tyre duhet të jetë një objektiv i vazhueshëm dhe i pandërprerë.

Të gjithë kanë të drejtën të jetojnë një jetë normale, edhe pse jeta familjare është tronditur mjaft. Demokratizimi i shoqërisë shqiptare vjen edhe nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit të shoqërisë për domosdoshmërinë e ndihmës ndaj familjeve në nevojë. Kjo nuk mund të bëhet në një ditë, por as të mos kujtohet vetëm në një ditë, qoftë kjo edhe 15 maji, Dita Ndërkombëtare e Familjes.

Liria Kombëtare: Shpërngulja e familjes Zeqiri edhe një tragjedi shqiptare

Shpërngulja e familjes Zeqiri nga fshati Radishan i Shkupit na përkujton skenat e gjalla të shpërnguljeve masive të shqiptarëve në shekullin e fundit, masakrat dhe tmerret që përjetuan mijëra e mijëra familje shqiptare që nga Kumanova deri në Manastir.
Ne anëtarët e Shoqatës Atdhetare „Liria Kombëtare” në Zvicër reagojmë ashpër kundër dhunës dhe terrorit shtetëror që ushtrohet mbi familjet shqiptare në IRJM. Dhuna dhe terrori shtetëror mbi familjet shqiptare në komunat e Prilepit, Krushevës, Manastirit, Velesit, Shkupit dhe sot mbi familjen Zeqiri të Radishanit në Shkup na përkujton shpërnguljet e shqiptarëve me dhunë dhe terrorin shtetëror në fund të shekullit XX. në Kosovë.
Kjo skenë tragjike(ashtu siç u pa nga skena e filmuar nëpërmjet videokamerave) dëshmon edhe njëherë se shqiptarët janë në një rrezik të papërshkruar kurse klasa politike shqiptare në mjerim.
Për këtë arsye dëshirojmë të tërheqim vërejtjen për dy gjëra:
- E para se si vepron shteti dhe institucionet e IRJM, jo vetëm që i diskriminojnë shqiptarët në të gjitha sferat e jetës, por edhe kur sulmohen nga huliganët nuk mundohet të gjej, as arsyetime të thjeshta, e lëre më mjete institucionale që t’i mbroj ata. E themi troç se ky është realiteti politik dhe institucional mbi shqiptarët më se gjashtë dekada. Nuk ka institucione në IRJM të cilat kujdesen për lirinë e shqiptarëve, por ka institucione dhe parti politike të cilat me dy këmbët shkelin mbi të drejtat e shqiptarëve.
- E dyta, parashtrohet pyetja se ç’bëjnë partitë politike shqiptare në IRJM, se ç’bëjnë Organizatat Joqeveritare të cilat me vite veprojnë si masha të partive politike? – Shkurt Asgjë.
E themi me plot gojën turpi nuk ka brirë.
Largimi i familjes Zeqiri është turpi më i madh që iu bëhet shqiptarëve në IRJM, ku dhjetëra deputetë shqiptarë dhe një “vagon” partish politike dhe një “kamion” OJQ- nuk janë në gjendje të mbrojnë një familje shqiptare në të drejtën e vet, në pronën e vet, në tokën e vet, në shtëpinë e vet. Para syve të më se 700.000 shqiptarëve në IRJM largohet me vaj një familje 20-anëtarëshe dhe askush nuk shtrinë dorën për ta mbrojtur. Prandaj me këtë rast ju bëjmë apel të gjithëve, që të vihen në mbrojtje të familjes Zeqiri nga Radishani i Shkupit sepse qëndrimi i tyre në pragun e shtëpisë nuk është fat individual por fat kolektiv. Në rend të parë kjo thirrje iu drejtohet studentëve të cilët gjithmonë kanë qenë bartës të proceseve dhe lëvizjeve kombëtare. Prandaj edhe studentët e dy universiteteve: atij të USHT-së dhe UEJ-lit, profesorëve,nxënësve, punëtorëve sepse liria nuk mbrohet me një familje. Të veprojnë në shërbim të lirisë.
Po ashtu në vazhdim parashtrohet edhe një pyetje pas largimit të familjes Zeqiri nga fshati Radishan i Shkupit se kush ka fytyrë të flasë pas këtij turpi. Cili deputetë shqiptarë do të dal në foltore të parlamentit antishqiptar, në të cilin zbatohen të gjitha projektet antishqiptare dhe të flas për të drejta dhe barazi. Cila parti politike do të hyjë në negociata për formimin e qeverisë, e cila qeveri (që nga paraqitja e parë) e dimë qartë se nuk ekziston për shqiptarët. Turpi nuk ka brirë. Në historinë e shqiptarëve do të shkruhet me shkronja të mëdha se në muajin Maj, familjeve të shumta që u shpërngulen nga vendbanimet e Prilepit, Velesit, Manastirt, Ohrit, Krushevës, i bashkëngjitet edhe familja Zeqiri nga Radishani i Shkupit në pamundësi për t’iu bërë ballë huliganëve të organizuar të shtetit dhe të pushtetit, kurse klasa politike nuk e bëri asnjë reagim të vetëm. Dhe fare në fund, parashtrohet një pyetje morale, A ka politikanë që preket nga kjo tragjedi shqiptare?
Zürich, Shoqata Atdhetare “Liria Kombëtare” – Zvicër

Komandant Kushtrimit

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator. Noli

Shkruan: Vaxhid Sejdiu Kushtrimi i lirisë nuk është akti i fundit
Në krah e mbështetur pushka çlirimtare,
Rrufe e fortë bie në zemër të trungut
Hijet flasin për kohën vrastare.

Prita ndali hapin, pushka vrau lirinë
Katër yje kombi që shkruan historinë,
Në natën e zezë, ëndrra seç u tret,
Pabesia e madhe, burra t’kombit vret.

Pushkët ndalën orën, fjalët më nuk vlejnë
Katër djem të vrarë, ndërgjegjja s’i brenë.
Nga të katër anët zërat seç dëgjohen,
Një vrasje e madhe ndali, vrau kohën.

Dhe nëna shqiptare me shami në kokë
Do të pyes qiellin, tokën edhe malin
Nga dielli i vrarë një zë vjen si plumb
“Nëno-moj – larot t’a përmbysën djalin”.

Mbaje veten nënë, në këtë kohë të keqe,
“Që burrat me nam” na janë bërë teneqe
Atë që thonë në mbrëmje e përpinë në mëngjes,
Nëno moj- Shqipëri!
Kushtrimi i lirisë,
Kurrë nuk mund të vdes.

Jetën shqiptare që e bënë skëterrë,
Me shumë plagë në trup, dhe në robëri
Vuajtjet, Idealet unë t’i njoh Atdhe,
Dhe zjarrin që digjet për LIRI.

Në çarshinë e vjetër të kryeqytetit
Një vend ka mbetur – e madhe zbrazëtirë
Njeriu që qante hallet e atdheut
Që bashkonte zemrat, për qëllim të mirë.

Dhe kafja e mëngjesit keq është helmuar
Shokëve që kanë mbetur pa krah, pa zemër,
Kënga e kushtrimit vjen duke jehuar
Dhe vulos në kohë, një ideal, një emër.

Dhe ky përvjetor, vjen me re të zeza
Bajraktarët heshtin apo flasin mbrapsht,
Në këtë kohë të pakohë, u njollos dhe Besa
Plagët përthekuan shpirtin, depërtuan n’asht.

Mbi trojet shqiptare, ka rënë hije e keqe
Zëri i Kushtrimit ende gjallë jehon,
Fjalët e Shabanit, Qemalit dhe të Xhafer trimit
Nënë-moj, pushka çlirimtare gjithmonë do të rrojë!

• Me rastin e katërvjetorit të vrasjes së Harun Aliut – Komandant Kushtrimit, Shaban Zenunit, Xhafer Shalës dhe të Qemal Fejzullahut, në vend të një shkrimi publicistik shkrova këto vargje….

A do të hetojë Prokuroria “Kullën” e Jakup Krasniqit?

Duket se Prokuroria e Shtetit më në fund do të nis hetimin lidhur me prejardhjen e pasurisë së dyshimtë të personave publikPas akuzave publike të kreut të AKR-së, Behgjet Pacolli në drejtim të ish kreut të Kuvendit, Jakup Krasniqi lidhur me shtëpinë e tij prej 500 metrash katrorë, Prokuroria do të merret me këto deklarata dhe do të hetojë prejardhjen e pasurisë.
Edhe Shoqëria Civile ka kërkuar hetim lidhur me pasurimin e shpejt të disa ish krerëve të UÇK-së, në mënyrë që të dihet e vërteta e prejardhjës së pasurisë.
Prokuroja Laura Pula ka thënë të enjten se Prokuroria do t’i shqyrtojë deklaratat e fundit në 35 të ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe zëvendëskryeministrit në largim, Behgjet Pacolli, të cilët këto ditë akuzuan njëri-tjetrin për korrupsion dhe veprimtari të tjera të paligjshme.
Pula ka thënë se të gjithë ata që kanë fakte për kallëzim penal duhet t’i paraqesin ato në prokurori, porse nëse ka bazë për ndonjë vepër, sipas saj hetimet i fillon vet prokuroria.
“Deklarimet e kryeparlamentarit dhe zëvendëskryeministrit do t’i shqyrtojmë, mirëpo secili që ka argumente a pretendime të ushtrojë ndonjë kallëzim penal, mund ta bëjë këtë, jo në 35, por duke iu
adresuar prokurorisë”.
E kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli pati kërkuar nga Prokuroria që menjeherë të hetojë pretendimet e Krasniqit që Pacolli “e kishte blerë postin e presidentit”.
Në anën tjetër, Jakup Krasniqi është akuzuar për shtëpi në vlerë prej 1 milion eurosh të ndërtuar në mënyrë jo të ligjshme.
Pacolli, i cili kishte mohuar akuzat e Krasniqit, duke e ftuar atë të tregojë si e ka fituar pasurinë e paligjshme dhe me të kujat para e ka ndërtuar shtëpinë njëmilionëshe.