Studimi/ 65 % e shqiptarëve nuk kanë para për pushime

plazhiSezoni veror ka hyrë në kulmin e tij, por për shumë shqiptarë pushimet janë një luks, që atë nuk mund t’ia lejojnë vetes

Sipas një studimi të financuar nga Komisionin Europian, 65 për qind e familjeve shqiptare nuk kanë të ardhura as për të përballuar një javë pushime larg shtëpisë.

Kjo është shifra më e lartë në rajon, me diferencë të madhe nga vendet e tjera fqinje, ku pjesa e familjeve qe nuk përballojnë dot pushime varion nga 38 deri në 47 për qind.

Pushimet në Shqipëri janë një privilegj i pakicës, ndërsa pjesa më e madhe e familjeve duhet të luftojnë për të përmbushur nevojat e mbijetesës

Top Channel

Puigdemont: Separatizëm që nga exili

PuigdemontIsh-kryeministri katalan Puigdemont vazhdon të luftojë edhe pasi ekstradimi në Spanjë është bërë i mundshëm juridikisht. Në një konferencë me video ai përdor motive historikisht të diskutueshme kur flet.Duke duatrokitur në këmbë, duartrokitje për dikë që buzëqesh nga larg në videon që shfaqet në sallë në Barcelonë. Carles Puigdemont ndodhet në Gjermani dhe është lidhur me video në sallën e Ateneu Barcelonès, ku janë mbledhur protagonistët kryesorë të lëvizjes katalane për pavarësi për të bërë të njohur platformën e re të tyre për zgjedhjet, që pritet të mbahen në vjeshtë.

“Crida Nacional per la República” (“Thirrje kombëtare për Republikën”) quhen ata tani dhe kanë bashkuar të gjithë ata që duan të vazhdojnë të çojnë përpara pavarësinë e Katalonjës, pavarëssht nga goditjet që kanë marrë muajt e fundit. Lëvizja e re është një “referencë që na detyron ne t’i qëndrojmë besnik mandatit të 2,3 milionë njerëzve që japin votën”, thuhet në një deklaratë të formuluar më parë.

Kjo fjali ka të bëjë me referendumin e pavarësisë të 1 tetorit 2017 ku katalanët votuan për pavarësinë e tyre. Në votime morrën pjesë rreth 42 përqind e katalanëve me të drejtë vote, prej të cilëve 90 përqind votuan për pavarësinë.

Poshtërimi më i madh i drejtësisë spanjolle në 40 vjet

Pasi deklaroi pavarësinë në fund të tetorit, qeveria katalane e kryesuar nga Puigdemont, u shkarkua nga qeveria qendrore spanjolle. Njëkohësisht drejtësia spanjolle ngriti padi kundër anëtarëve të qeverisë. Një nga pikat e akuzës flet për “rebelim”. Puigdemont u arratis në Belgjikë. Në fund të marsit 2018 ai u arrestua në tokën gjermane. Gjykata e Landit në landin Schleswig morri tani vendimin që ekstradimi i tij në Spanjë është i ligjshëm, megjithatë vetëm për akuzat për shpërdorim të parave publike, jo për akuzën më të rëndë për “rebelim”.

Në këtë mënyrë urdhërarresti evropian ka tani efekt në favor të Puigdemontit. Sepse, tani nëse ekstradohet sipas ligjeve evropiane, mbas vendimit të marrë në Gjykatën e Landit në Schleswig Holstein, ai nuk mund të akuzohet më në Spanjë për “rebelim”, sepse edhe Gjykata e Lartë spanjolle duhet të vendosë për pranimin e urdhërarrestit evropian kundër Carles Puigdemontit.

Gazeta konservatore, që ndihet e detyruar në çështjet e shtetit kombëtar spanjoll, gazeta “El Mundo” flet mbas gjykimit të Gjykatës së Landit në Gjermani për “një nga poshtërimet më të mëdha që drejtësia spanjolle ka marrë në 40 vitet e fundit”. Një “gjykatë rajonale” e ka shkarkuar të akuzuarin nga akuza për rebelim. “Gjykatësit me sa duket duan të shohin një gjakderdhje për të pranuar se rezistenca është shkelje penale”, shkruan më tej “El Mundo”. Procesin gazeta e quan turp: “E shkreta demokraci gjermane. E shkreta Evropë”.

Kurse gazeta tjetër “El Pais” është më e përmbajtur. Gjykatësit kanë marrë vendim në përputhje me ligjet, shkruan ajo. Kjo është një tregues i stabilitetit të shtetit gjerman të së drejtës.

Mit i historisë së vuajtjeve

Aktualisht në Spanjë një libër i francezit Sandrine Morel ka zgjuar diskutimet. Korrespondentja në Spanjë e gazetës franceze “Le Monde” ka botuar një libër për lëvizjen katalane të pavarësisë duke u përqendruar në muajt e fundit, me titull (“En el huracán. Una mirada privilegiada al laberinto del procés”, që përkthehet “Në qendër të hurrikanit. Një vështrim mbi labirinthin e ngjarjeve”). Aty ajo përshkruan ndër të tjera historinë që ajo mendon se është shumë e diskutueshme, të aktivistëve katalan të pavarësisë, të cilët interpretohen me njëanësi nga historia spanjollo- katalane.

Kjo histori është kryesisht, sipas saj, histori e vuajtjeve të katalanëve nën sundimin spanjoll. Morel citon historianin katalanas Francesco Xavier Hernández, profesor në Fakultetin e Shkencave sociale në Universitetin e Barcelonës. Ai, thotë Morel, e quajti në bisedë me të historinë katalanase nën sundimin spanjoll të ngjashëm me “genocidin kundër armenëve”.

Puigdemont: “Represion i pajustifikueshëm

Motivin e historisë së vuajtjeve e përmendi në një formë më të butë, edhe Puigdemont gjatë fjalimit përshëndetës drejtuar shoqërisë në Ateneu Barcelonès. “Ne duhet të vazhdojmë luftën, kundër represionit të pajustifikueshëm dhe deri në ngritjen e Republikës katalanase”, i bëri ai thirrje nga Gjermania, të mbledhurve në takim.

Histori kombëtare si histori vuajtjeje, është një motiv i vazhdueshëm i separatistëve katalanas. Karakterin imponues të këtij miti e përmend edhe gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” në komentin lidhur me ekstradimin e mundshëm. Gazeta e kritikon atë si të patolerueshëm. “Kushtetuta spanjolle nuk e njeh të drejtën e ndarjes. Prandaj Gjykata Kushtetuese e pati ndaluar referendumin. Kjo është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ajo i jep të drejtën një pakice për t’u ndarë, nëse ajo është nën shtypje brutale. Në Spanjën e sotme nuk mund të bëhet fjalë për shtypje të tilla.”

Jashtë vëmendjes

Megjithëse për shkak të ligjeve evropiane Puigdemont, nuk mund të akuzohet më për rebelim pas ekstradimit në Spanjë, klima midis separatistëve dhe qeverisë kombëtare mbetet e vështirë. Kryeministri i ri spanjoll, Pedro Sánches, megjithëse ka pak javë që ndodhet në post ka zhvilluar bisedime me Quim Torran, presidentin e ri të qeverisë katalanase.

Për përmbajtjen e bisedimeve nuk u dhanë të dhëna. Por vetëm fakti që u ulën të flasin shihet si sukses. Qeveria gjermane e sheh këtë me lehtësim. Për shkak të arrestimit të bërë në Gjermani, Gjermania u kthye pa dashur në aktor politik në konfliktin spanjollo- katalanas. Çtensionimi i situatës i jep mundësi Gjermanisë të tërhiqet nga vëmendja kryesore. (dw)

Shtypi gjerman: Negociata të ngecura dhe një film i njëanshëm

shtypi gjermanPas takimit të pasuksesshëm të mërkurën mes presidentit të Kosovës, Thaçi dhe atij serb, Vuçiq, shtypi gjermanofon i kushton vëmendje ngecjes së negociatave mes dy vendeve por edhe një filmi mbi serbët e shqiptarët.

Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” vëren se edhe takimi i fundit me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel mes presidentit Thaçi dhe atij serb Vuçiq (18.07) nuk ka sjellë asnjë progres të ri në dialog. “Frontet duken të ngrira.” NZZ citon presidentin Thaçi, i cili bëri fjalë “për një nga takimet më të rënda të gjashtë viteve të fundit”. Bisedimet  e së mërkurës nuk zgjatën shumë. Pas takimit edhe presidenti serb u shpreh vetëm se “duhet të vazhdohet të negociohet”.

NZZ vëren se të paktën “të dyja palët kanë rënë në ujdi që të mos nxisin konflikte të reja”. Por duket se Vuçiq ka qenë i pakënaqur. NZZ citon presidentin serb të ketë thënë “kështu nuk funksionon”, lidhur me kërkesën e Prishtinës për njohjen e Kosovës. “Të nevojshme janë kompromise”. Por se për çfarë kompromisi bëhet fjalë, këtë nuk e përmend as NZZ dhe as presidenti Thaçi e Vuçiq nuk e përmendën të mërkurën.

Një film i njëanshëm

Ndërsa gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i kushton vëmendje një filmi që transmentohet nga televizioni ARTE të enjten në mbrëmje, (19.07) një bashkëpunim gjermano-serb me titullin “Enklava” duke e cilësuar atë si një melodramë të Kosovës dhe në mënyrë të padurueshme të njëanshëm.

“Heroi i filmit është 10 vjeçari serb, Nenad…qe jeton me familjen e tij në një… enklavë, që do të thotë që ai përditë duhet të shkojë në shkollë me një automjet të blinduar të KFOR-it, në një shkollë, ku ai është i vetmi nxënës i të vetmes mësuese. …Këtij fëmije i jepet roli të jetë një naiv i guximshëm. Nenad kërkon të luajë me fëmijët e i jepet kësaj dëshire, duke luajtur kukafshehthi me tre djem shqiptarë. Për një moment në film të duket i mundur mirëkuptimi brenda gjeneratës së re, por situata ndryshon, kur pa shkak Bashkimi, lideri i grupit, nuk ia fal Nenadit që serbët i kanë vrarë babanë e tij. ‘Unë nuk kam vrarë askënd’, i përgjigjet Nenadi.”

FAZ i kushton vëmendje prezantimit të ndryshëm të të dyja palëve në konflikt në film duke theksuar se prezantimi i shqiptarit në film është i ngarkuar nga klishetë. “Jo vetëm që përballë Nenad,  figurës simpatike të filmit qëndron një Bashkim i pashkolluar,(asnjë nga djemtë shqiptarë nuk shkon me sa duket në shkollë), por vështrimi i përgjithshëm ndaj Kosovës është i ndarë çuditshëm mëdysh: Këtu shtypja heroike e serbëve krenarë,…andej shqiptarët myslimanë të paraqitur në çdo rast si të prapambetur,… të cilët mezi presin një rast të gënjeshtërt për t’u bërë të dhunshëm.”

la/nzz/dw

Maqedoni: Takim i partive politike për referendumin

partite maqedonePyetja e referendumit të ardhshëm mund të jetë: A jeni për anëtarësim në BE dhe në NATO me pranimin e marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev pas takimit me liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Maqedonisë është shprehur lidhur me referendumin e ardhshëm. Ai ka thënë, se pyetja e referendumit mund të jetë: A jeni për anëtarësim në BE dhe në NATO me pranimin e marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?

Vullneti i qytetarëve vendimtar

“Qytetarët duhet të konsultohen për një çështje kaq të rëndësishme. Vendimin duhet ta sjellë Kuvendi, por vullneti i qytetarëve do të jetë vendimtar dhe këtë duhet ta respektojnë të gjitha forcat politike në Kuvend”, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev pas takimit katër orësh të liderëve të partive politike.

Ai tha se referendumi në të cilin qytetarët e Maqedonisë do të deklarohen nevojitet të jetë konsultativ. Referendumi konsiderohet përfundimtar nëse të paktën 50 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në Listën e Votuesve dalin në referendum. “Do të thotë pa dallim të karakterit të referendumit vendimi konsiderohet si i suksesshëm në këtë rast. Dhe hapet debat nëse do të jetë konsultativ ose obligues. Konsultativ është kur ne duam t’i konsultojmë bashkëqytetarët tanë dhe pastaj t’i sjellim vendimet, siç është rasti me vendimet për ndryshim të Kushtetutës. Nëse ne vendosim t’i sjellim vendimet për ndryshim të Kushtetutës tani në Parlament edhe i sjellim ato tre vendime dhe pastaj shkojmë atë ta kontrollojmë në referendum, atëherë ai është i plotësuar”, sqaron Zaev.

VMRO-DPMNE braktis takimin e liderëve

Takimi i liderëve është bojkotuar nga partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE. Lideri i saj Hristijan Mickovski, ka kërkuar që për këto çështje të diskutojnë vetëm katër partitë më të mëdha politike në vend, dy maqedonase dhe dy shqiptare dhe jo të marrin pjesë edhe parti të tjera minore. VMRO gjithashtu kërkon që para referendumit të miratohet Ligji për financimin e partive politike dhe formimin e Qeverisë teknike para zgjedhjeve qofshin ato të rregullta apo të parakohshme.

“Ne ishim pjesë e takimit të liderëve. Me të vërtetë nuk e kam të qartë konceptin se pse janë ftuar të gjithë liderët e partive politike dhe për shkak revolte e lëshova takimin. I kam thënë Zaevit para të hënës të ftojë takim liderësh nga katër partitë më të mëdha në vend”, ka deklaruar Micksoski.

VMRO-DPMNE përmes një komunikate për media vlerëson se sjellja e Zoran Zaevit është jo shtetërore, jo maqedonase dhe e turpshme. “LSDM po i keqpërdor aspiratat euroatlantike të Maqedonisë për politikat e saja kapitulluese, duke kërkuar mënyra se si t’i izolojë gjithë ata që mendojnë të kundërtën. Zaev dhe shumica qeveritare me vetëdije e shkelin Kushtetutën, ligjet dhe procedurat me qëllim të realizohet marrëveshja kapitulluese për ndryshimin e emrit”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Takim i ri i liderëve

Kryeministri Zaev vlerëson se bojkoti i opozitës është i palogjikshëm, por tha se pranon kërkesën e Mickovskit për një takim më të ngushtë të partive andaj edhe takimin e ri e ka caktuar për ditën e enjte në mesditë. “Nga këtu, kam thirrur një takim tjetër të enjten në ora 12:00 me format më të vogël në të cilin Mickovski do të ketë mundësinë të shprehet, nëse vallë është për një Maqedoni në NATO dhe BE dhe nëse mbështet që qytetarët të shprehen lirshëm për të ardhmen e Maqedonisë”, ka thënë Zaev.

VMRO synon bllokimin e referendumit

Përveç që nuk pritet përafrim i qëndrimeve, takimi i liderëve mund të sjellë komplikime shtesë në politikën e vendit. Kështu vlerëson analisti, Petar Arsovki duke shtuar se opozita do të vazhdojë përpjekjet për bllokimin e referendumit dhe eurointegrimet e vendit. “Më demokratike do të ishte nëse Qeveria dhe opozita do të mund të dakordoheshin për zgjedhje teknike të KSHZ-së. VMRO nuk bën asnjë marrëveshje politike, përderisa nuk e marr komplet pakon”, thotë Petar Arsovski. (dw)

Takimi i liderëve për përgatitje të referendumit në Maqedoni

Në Klubin e Deputetëve të Maqedonisë momentalisht fillon takimi i liderëve për përgatitje për referendum, takimi i liderëve vjen pas thirrjes të Kryeministrit Zoran Zaev.

Në takim marrin pjesë Kryetarët e partive politike me më shumë se dy deputetë bashkë me një përfaqësues nga partia, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në takim marrin pjesë Zoran Zaevi si Kryetari i LSDM-së me Radmila Sheqerinskën, Hristijan Mickoski me Tanja Karakamisheva nga OBRM-PDUKM-ја, Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani nga BDI-ja, Ziadin Sela dhe Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, Menduh Thaçi dhe Imer Aliu nga PDSH-ja, Afrim Gashi në njërën anë dhe Bilall Kasami dhe Fadil Zendeli në anën tjetër të Besës , Goran Milevski dhe Dufe Kokoski nga PLD-ja, Liljana Popovska dhe Maja Moraçanin nga Rilindja Demokratike e Maqedonisë, Lupço Dimovski dhe Vladanka Aviroviq nga partia socialiste, si dhe Tito Petkovski dhe Goran Misovski nga Partia social-demokrate e re.

Kjo është hera e parë e takimit të liderëve, në të cilin janë ftuar kryetarët e partive që kanë më shumë se një deputet në Kuvend./Telegrafi/

Zaev: Turp për Mickoskin, nesër edhe një takim liderësh

zoran-zaevPas takimit të liderëve që u thirr nga Kryeministri Zoran Zaev për të biseduar për përgatitjet e Maqedonisë për referendum, Zoran Zaev deklaroi:

“Ju prezantova përfaqësuesve të partive mënyrën e referendumit dhe mënyrën e pyetjes për këtë proces. ‘A jeni për integrim në familjen evropiane të Maqedonisë sipas marrëveshjes me Greqinë?’ do të jetë përafërsisht pyetja e referendumit. Nesër nga ora 12:00 Mickoski ka edhe një mundësi të reshtohet për përgjegjësi dhe integrim të vendit” tha Zaev. /Telegrafi/

BE fillon zyrtarisht vlerësimin analitik të Shqipërisë

Hahn RamaKomisioneri i BE, për Politikat e Zgjerimit dhe të Fqinjësisë, Johnnes Hahn shpalli në Tiranë të martën ( 17.07) fillimin zyrtar të procesit të vlerësimit analitik të Shqipërisë për negociatat me BE-në vitin e ardhshëm.

Ligji dhe shteti i së drejtës: Këtu do të qëndrojë së pari lupa e Komisionit Europian në procesin analitik për të parë konkretisht progresin e Shqipërisë në afrimin e saj me BE-në dhe nëse është gati të hapë negociatat e pranimit në mes të vitit të ardhshëm. Komisioneri i Zgjeirmit Johannes Hahn, tha se në krye të procesit do të qëndrojë identifikimi i legjislacionit të Shqipërisë krahasuar me atë të BE, si hap i domosdoshëm për të paraprirë hapjen e negociatave. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryemnistrin shqiptar Edi Rama, Komisioneri Hahn theksoi: “Procesi që kemi nisur sot është lajm i mirë për Shqipërinë. Ajo çfarë po bëjmë tashmë është të shohim situatën e përgjithshme të shtetit të së drejtës në Shqipëri, që të mund ta krahasojmë më pas me legjislacionin e BE. Do të na duhet të bëjmë një vlerësim se ku qëndron vendi, çfarë duhet bërë ende, cilat janë standarde për nisjen e negociatave: Procesi i vettingut p.sh është një element thelbësor, me rëndësi, në kuadër të tërë fushës së shtetit të së drejtës, por është vetëm një pjesë e mozaikut”.

Hahn: Filloni punën sa më parë, mos humbni as një ditë

Që mozaiku të jetë i tillë që të tregojë se Shqipëria ka bërë aq progres sa të meritojë hapjen e negociatave në qershor 2019, ai duhet “plotësuar” me rezultate të qëndrueshme dhe domethënëse.  Shqipëria duhet të plotësojë kushtet e vendeve skeptike për progresin e saj si Franca dhe Holanda që kërkojnë më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioneri Hahn bëri të qartë në Tiranë se procesi i vlerësimit analitik: “duhet bërë  me çdo vend që kërkon të hapë negociatat e pranimit me BE dhe do të bëhet në të ardhmen me vendet e tjera kandidate. Nuk është një qasje e  posaçme”. Ai bëri të qartë rëndësinë e rezultateve të procesit analitik kur tha se: “Sa më e mirë të jetë cilësia e procesit të vlerësimit analitik nga të gjitha institucionet e përfshira, sa më shumë të paraprihet, aq më mirë do të jetë për nisjen e negociatave për secilin kapitull më vehte. Rezultatet e këtij procesi do të përcaktojnë mandatin e negociatave. Është mjaft ambicioze e sfiduese që kjo të bëhet brenda një viti. Mos humbi asnjë ditë. Nisni punën sa më shpejt të jetë e mundur, jepni rezultate në mënyrë që të tejkaloni çdo dyshim të mbetur se Shqipëria e meriton”, tha komisioneri Hahn në Tiranë.

Reforma në Drejtësi dhe vetting-u një model për t’u ndjekur

Vazhdimi i Reformës në Drejtësi dhe i Vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve mbetet një nga kushtet kryesore të hapjes së negociatave në qershor 2019. “Mirëpresim rezultatet e reformës në drejtësi dhe vettingut se ato mund të shërbejnë si model, shembull i mirë edhe për vende të tjera, madje edhe brenda BE-së. Kjo ka të bëjë edhe me arritjen e rezultateve të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet e gjithashtu kundër krimit të organizuar, përfshi edhe luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave”, theksoi komisioneri Hahn, të martën në Tiranë.

Ai theksoi që nuk ka kushte shtesë për Shqipërinë. Javën e kaluar Presidenti i Këshillit Europian  Donald Tusk, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, në Bruksel, përmendi si kushte për Shqipërinë edhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Greqinë dhe  mbylljen e rrugës së re të emigracionit illegal nga  Shqipëria drejt vendeve të BE-së.

Hahn bëri të qartë se synimi kryesor është që  deri në fund të vitit 2019 të hapen kapituj 23-24  të negociatave, kapituj që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit. (dw)

Kompromisi deri më tani i pamundur: Takimi Thaçi-Vuçiq

vucic mogherini thaci 2Edhe një takim tjetër pa rezultate konkrete mes presidentit kosovar Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Thaçi e vlerëson si një nga takimet më të vështira.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në deklaratën për mediat pas takimit me përfaqësuesen e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini dhe presidentin Serb Aleksandër Vuçiq, shprehu shqetësimet e tij pas takimit me presidentin Vuçiq. Disa herë ai theksoi se, „ishte një nga takimet më te shkurtra dhe më të vështira gjatë këtyre 6 viteve të bisedimeve”. Ai poashtu veçoi takimin e parë së bashku me delegacionin e Ministrave nga Kosova me zonjën Morgerini, ku ata kanë konfirmuar unitetin per vazhdimin e bisedimeve me Serbinë si edhe hapat konkret drejt procesit të liberalizimt të vizave e intergiemve në BE.

Vështirësi edhe në të ardhmen…

Hashim Thaçi shprehu shqetësimin e tij për vështirësitë gjatë dialogut të ardhshëm me homologun Vuçiq, sepse si ai vetë edhe në përgjithësi populli në Serbi ende mendon që Kosova është territor i Serbisë, tha Thaçi. Megjithatë Presidenti i Kosovës theksoi se, „unë ende shoh dritë në fund të tunelit”, duke shtuar se në Serbi mungon ende guximi për t’u liruar nga mendimet se Kosova është ende pjesë e Serbisë, dhe e sheh këtë si një nga arsyet pse bisedimet edhe në të ardhmen do të jenë shumë të vështira. Thaçi shikon edhe një herë mbështetjen e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara në vazhdimin e dialogut me Serbinë, si alternativa e vetme për stabilizimin e marrëdhënieve me shtetin serb.

Vuçiq pesimist

Ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq pas takimit në Bruksel e vuri theksin tek vështirësia për gjetjen e një kompromisi mes dy palëve duke tentuar të ruhet paqja dhe stabiliteti në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës. Sa i përket njohjes së Kosovës Vuçiq theksoi, se „kjo nuk do mundet të funksionojë për Serbinë”.

Presidenti serb tha se ai do të luftoj për të drejtat e serbëve ashtu si Hashim Thaçi për të drejtat e palës shqiptare në Kosovë, duke përmendur edhe një herë se bisedimet për të dy palët nuk do të jenë të lehta aspak. Në pyetjen se çfarë pret ai nga dialogu, Vuçiq tha që ky problem është shumë i gjatë gati 150 vite dhe se nuk mundë të përgjigjet në një pyetje kaq të vështirë duke ditur se sa i komplikuar është dialogu. „As ne nuk mund të jemi absolutisht të kënaqur, po as ata nuk munden të jenë absolutisht të kënaqur me kompromisin, dhe nëse e pranojmë këtë atëherë mundemi të gjejmë kompromis për të dy palët.”

Arbër Bajrami/Bruksel

Përfundon takimi në Bruksel ndërmjet Kosovës e Serbisë

vucic mogherini thaciPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i dhanë fund një raundi bisedimesh në një përpjekje të re për të siguruar një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja palëve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha pas bisedimeve se takimi ishte i shkurtër por i vështirë.

“Ka qenë takim i shkurtër dhe jo i lehtë, ka qenë më i rëndi që kemi zhvilluar në këto gjashtë vjetët e fundit, prandaj do të punojmë maksimalisht që të arrijmë marrëveshjen përfundimtare”,tha ai duke nënvizuar se ende shpreson në përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Ka qenë takim i rëndë me Vuçiqin, por duhet të punojmë që të arrijmë marrëveshjen që do të jetë fituese për Kosovën dhe Serbinë. Do të shikojmë në të ardhmen se si do të lëvizin gjërat”,tha ai duke nënvizuar se nuk pret që procesi të lehtësohet por vështirësi edhe më të mëdha dhe pengesa.

Ndërsa, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha se bisedimet e sotme në Bruksel ishin “shumë komplekse dhe se sipas tij palët kanë rënë dakord të vazhdojnë të kërkojnë një emërues të përbashkët të zgjidhjes së kompromisit dhe të ruajnë paqen dhe qëndrueshmërisë në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po shoqërohet në Bruksel nga kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i parlamentit, Kadri Veseli dhe udhëheqës të partive në pushtet të cilët janë takuar me zonjën Mogherini në një lëvizje që synon të konfirmojë mbështetjen bisedimeve.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian. Por, ende është e paqartë se çfarë mund të jetë ajo marrëveshje.

Prishtina thotë se ajo duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Beogradi që kundërshton pavarësinë e Kosovës, kërkon një “kompromis”, por pa e qartësuar se cili mund të jetë ai.

Një pjesë e politikanëve ne Serbi tashmë e kanë përsëritur se zgjidhje mund të ishte ndarja e Kosovës, përkatësisht që veriu i saj i banuar me shumicë serbe t’i takojë Serbisë, ide që është hedhur poshtë nga Prishtina. (voa)

Bilanc i gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi

stambolliDy vjet zgjati gjendja e jashtëzakonshme në Turqi. Pas përpjekjes për puç në korrik 2016, presidenti Erdogan ka goditur ashpër. Tani hiqet gjendja e jashtëzakonshme. A do bëhet gjithçka më mirë? Bilanci është ky:

Pse është vendosur gjendja e jashtëzakonshme në Turqi?

Mbas përpjekjeve për puç më 15 korrik 2016 qeveria turke deklaroi se përgjegjës  janë anëtarë të Lëvizjes Gülen, që ndodhen në radhët e ushtrisë. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e quajti organizatë terroriste Lëvizjen Gülen dhe vendosi gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj, në mënyrë që të luftonte në mënyrë aktive kundër saj. Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme qeveria mori të drejtën të reagonte pa dekrete. Kështu në institucionet shtetëtore u vendosën rregulla të reja.

Për shkak të shkarkimeve masive nga puna në shërbimet publike dhe arrestimet e shumta, opozita e quajti gjendjen e jashtëzakonshme si „puç civil dhe persekutim kundër kritikëve të qeverisë” dhe kërkoi heqjen e menjëhershme të gjendjes së jashtëzakonshme, por pa sukses. Gjendja e jashtëzakonshme u shty shtatë herë gjithsej.

Sa vetë janë arrestuar?

Gjatë gjendjes së jashtëzakonshe u lëshuan gjithsej 32 dekrete. Sipas të dhënave zyrtare në pyetje u morrën 160 mijë vetë dhe më shumë se 70 mijë vetë u arrestuan, mes tyre edhe gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe politikanë të opozitës. Kundër 155 mijë vetëve u zhvilluan hetime për „anëtarësim në një organizatë terroriste”.

Me dekretet e gjendjes së jashtëzakonshme koha e mbajtjes në arrest u zgjat në 30 ditë. Kjo praktikë u përdor deri në fund të 2016. Vetëm pas një paralajmërimi nga Këshilli i Evropës, në fillim të vitit 2017, koha e mbajtjes në arrest u zvogëlua në 14 ditë.

Sa vetë u shkarkuan nga puna?

Gjatë dy vjetëve që zgjati gjendja e jashtëzakonshme u shkarkuan nga puna në shërbimin publik 121 131 vetë. Rreth 7 mijë vetë u shkarkuan nga universitetet, 5700 prej tyre nga forcat akademike. Po ashtu u mbyllën shkolla dhe qendra arsimore, për të cilat dyshohej se kishin lidhje me lëvizjen Gülen.

Të drejtat e zgjeruara nuk u përdorën vetëm kundër idhtarëve të Lëvizjes Gülen, por u përdorën edhe kundër forcave opozitare. Kështu për shembull në territoret kurde rreth 100 kryetarë bashkish u zëvendësuan nga administratorë të detyrueshëm dhe shumë politikanë kurdë u arrestuan. Organizata ndërkombëtare si OKB ose Këshilli i Evropës kanë kritikuar qeverinë turke për këtë dhe kanë folur për një „zhvillim alarmant”.

Si ka qenë puna me lirinë e shtypit?

Me dekretet e gjendjes së jashtëzakonshme u mbyllën 70 gazeta dhe 20 revista si dhe 34 stacione radioje, po ashtu si 30 shtëpi botimi dhe 33 stacione televizive. Hetimet kundër përfaqësuesve të mediave dhe arrestimet e gazetarëve për „propagandë në ndihmë të terrorizmit” ose “ofendimin e presidentit të shtetit” janë parë nga organizatat si në Turqi ashtu edhe jashtë saj.

Sipas të dhënave të sindikatës së gazetarëve në Turqi ndodhen 143 gazetarë në burg. Organizata “Reporterët pa kufi” ka tërhequr vëmendjen se me masat represive gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme, shtypi u bë gjithnjë e më shumë njësoj. Në vitin 2010 Turqia ndodhej në vendin 138 në vlerësimin ndërkombëtar të vendeve për lirinë e shtypit. Ndërkohë Turqia ka përfunduar në vendin e 157.

Çfarë ndodh pas heqjes së gjendjes së jashëzakonshme?

Gjendja e jashtëzakonshme hiqet, por presidenti Erdogan do vazhdojë të qeverisë me dekrete. Sepse në sistemin e ri presidencial ai ka të drejtën që të rregullojë me dekrete presidenciale disa fusha. Siç është bërë deri tani me dekretet e gjendjes së jashtëzakonshme, edhe dekretet presidenciale kanë të drejtën si një ligj dhe madje me efekt të menjëhershëm.

Përveç kësaj qeveria ka ashpërsuar ligjin kundër terrorizmit. Projektligji për ligjin e ri parashikon që guvernatorët të kenë të drejtë të kufizojnë hyrjen dhe daljen në qytete për 15 ditë dhe po ashtu të drejtën që të ndalojnë grumbullimet. Për grumbullimet dhe protestat ligji parashikon që “ato nuk duhet të vështirësojnë jetën e përditshme.” Edhe për të dyshuarit për terrorizëm ekzistojnë rregulla të reja. Pasaportat e personave kundër të cilëve zhvillohen hetime për terrorizëm mund të konfiskohen për tre vjet. Ligjet e reja kritikohen sepse faktikisht ato vendosin një lloj gjendje të jashtëzakonshme. (dw)