Seanca e shtyrjeve për ndryshimet kushtetuese, akuza për ofrim të miliona eurove për një votë

makedonijaKuvendi i Maqedonisë nuk ka arritur ende të nisë seancën për ndryshimet kushtetuese pasi shumica parlamentare nuk është e sigurt nëse ka shumicën e dy të tretave, apo 80 nga 120 deputetë sa ka Kuvendi.

Seanca është shtyrë tre herë nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ndërsa partitë kanë shkëmbyer akuza për presione, shantazhe dhe ofrim të parave për votat e deputetëve.

Sekretari i Përgjithshëm i VMRO-DPMNE, Igor Janushev ka deklaruar para mediave se “një deputeti të VMRO-së i është ofruar 1 milion euro, një tjetri 2 milionë euro dhe një të treti madje 2.5 milionë për të mbështetur ndryshimet kushtetuese”.

Janushev ka thënë se disa deputetë janë kërcënuar me ngritje të padive nëse nuk mbështesin nismën e Qeverisë.

Zëdhënësi i Qeverisë, por edhe deputetë të LSDM-së kanë hedhur poshtë akuzat dhe për presion e kërcënime të deputetëve kanë akuzuar VMRO DPMNE-në.

Partia opozitare ndërkohë i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, që sa më parë të mbajë seancën dhe të vendosë për votimin në pikën për ndryshimet kushtetuese, që të shihet qartë siç ka thënë deputeti Antonio Milloshoski nëse i ka ose jo numrat pushteti për ndryshimet kushtetuese.

Jo zyrtarisht bëhet e ditur se për miratimin e propozimin të Qeverisë janë siguruar 79 vota dhe se mungon vetëm se një për të kaluar faza e parë e ndryshimeve kushtetuese të nevojshme për procesin e zbatimit të marrëveshjes për emrin.

Vazhdimi i radhës është caktuar për në orën 21.

(rel)

Top Channel Exclusive: Greqia financon portale në Shqipëri

Top Channel mëson se Greqia financon me fonde sekrete portale, media dhe gazetarë në Shqipëri dhe vende të tjera të rajonit.

Ky lajm po diskutohet nga burime që tregojnë detajet e largimit të ministrit të jashtëm Niko Kotzias nga qeveria.

Pas dorëheqjes flitet edhe për një një skandal financiar, pasi sherri mes tij dhe ministrit të mbrojtjes Panos Kamenos ka ndodhur për shkak të parave që financohen në Shqipëri për mediat, gazetarë, zyrtarë të minoritetit apo dhe ndërtime në jug.

Një shumë prej 1 milionë euro është dhënë në muajin tetor për disa portale edhe në Shqipëri, siç mëson Top Channel.

45 milionë euro është shuma të cilën Kamenos ia faturon Kotziasit si e shpenzuar në mënyrë abuzive nga ai që konsiderohet buxhet sekret i ministrisë së Jashtme greke.

Kotzias ka deklaruar se paratë e buxhetit sekret të ministrisë, kryesisht financonin Kishën orthodokse, por edhe aktivitete të ndryshme në rajon, por pa dhënë detaje.

Burime pranë ministrisë së Jashtme në Athinë bëjnë me dije se një pjese e madhe e buxhetit sekret të kësaj ministrie jepet në formë grantesh dhe ndihmash në media dhe organiza të ndryshme në rajon, për të paguar gazetarë, portale, por edhe media të caktuara në Shqipëri dhe Maqedoni.

Gjithashtu mësohet se miliona euro janë dhënë për biznese në Shqipëri, kryesisht ndërtimin e hoteleve në jug të vendit, apo per finacimin e ndërmarrjeve, pronë e të afërmve të politikanëve të ndryshëm të minoritetit grek që jeton në Shqipëri.

Para në subvencione janë dhënë për zyrtarë të ndryshëm të minoritetit, në formë kompensimi rroge, në mënyrë që të mos largohen nga Shqipëria, për të emigruar në Greqi.

Burime të sigurta thonë se janë financuar edhe programe të ndryshme për studime Master të zyrtarëve shqiptarë në Greqi, por edhe për pritje, përcjellje dhe udhëtime turistike të disa prej gazetarëve shqiptarë.

Në listë nuk mungojnë as fondacione mediatike dhe kulturore në Tiranë dhe Gjirokastër.

Janë qindra mijera euro që jepen në aktivitete në Shqipëri, ndërsa ajo çka thuhet jo zyrtarisht nëpër korridoret e ministrisë së Jashtme greke, është fakti që për të bërë marrëveshje mes dy vendeve, duhet të paguash mirë portalet shqiptare.

Madje, janë disa portale që operojnë në Shqipëri, me domain “.al”, por që finacohen prej Athinës zyrtare.

Top Channel mësoi se ekziston një listë e detajuar e kodeve dhe llogarive, por edhe emrat e pritësve të këtyre parave, e cila shoqëron kërkesën prej nëntë faqesh të dorëheqjes, që ministri i Jashtëm i dorëzoi kryeministrit grek, Tsipras.

Top Channel

Turqia kërkon mbylljen e aktiviteteve të FETO-s në Shqipëri

CavusogluNë Shqipëri, ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu përsëriti sot kërkesën drejtuar autoriteteve shqiptare për bllokimin e aktivitetit të strukturave të organizatës FETO, të Fetullah Gulen, i akuzuar nga Ankaraja dhe si përgjegjës për tentativën e grushtit të shtetit 2 vjet më parë.

Sipas shefit të diplomacisë turke, “në Shqipëri ka një strukturë fetoiste tepër serioze të shtrirë në të gjitha fushat. Si dhe në vendet e tjera, tha ai, ata kanë përdorur sistemin arsimor dhe kanë depërtuar në sistemin shtetëror. Turqia –shtoi më tej ministri – pret që të mbyllen institucionet që zhvillojnë veprimtari antiturke në Shqipëri”.

Zoti Cavusoglu tha se “organizata FETO është një organizatë terroriste, e cila sipas tij përbën kërcënim dhe për Shqipërinë. Turqia nuk strehon asnjë terrorist që vjen nga Shqipëria. Këtë presim dhe nga miqtë tanë shqiptarë”, deklaroi ministri turk.

Para tij, për këtë çështje ishte shprehur ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati i cili ndërsa kujtoi se Shqipëria ishte ndër vendet e para që u solidarizua me çka ndodhi në Turqi në rrethanat e grushtit të Shtetit, nënvizoi se “nga ana tjetër Shqipëpria është anëtar i Natos, kandidat për në Bashkimin Europian, se ka aderuar në disa dokumenta të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit, dhe se çdo politikë ndiqet në rrugë diplomatike”, u shpreh ministri shqiptar.

Pak muaj më parë, kryeministri Edi Rama ishte shprehur se “elementët që dyshohen për lidhje me organizatën Feto, po mbahen nën mbikqyrje”. (voa)

TAP, nisin punimet për tubacionet nën det

TAPGazjellësi TransAdriatik Pipeline (TAP) nisi sot punimet për realizimin e pjesës ndoshta më të vështirë të projektit, atë të instalimit të tubave të cilët do të kalojnë nën detin Adriatik për të lidhur kështu segmentin shqiptar të gazsjellësit me atë italian. Në një ceremoni të zhvilluar në Fier, Drejtori Menaxhues i TAP-it, Luca Schieppati tha se “ky është një tjetër hap i rëndësishëm përpara në ndërtimin e TAP, përfundimin e punimeve dhe vënien në punë në vitin 2020. TAP është një nga projektet më strategjike dhe më të qëndrueshme që po ndërtohet në Evropë dhe do të ofrojë një burim të ri energjie për përdoruesit familjarë dhe bizneset e rajonit duke rritur alternativat për furnizim me energji. Tashmë, mbi 80% e projektit është përfunduar dhe ne jemi krenarë që punimet po kryhen në përputhje me standardet më të larta dhe praktikat më të mira të industrisë.”

Seksioni detar i projektit është 105 kilometra i gjatë. Realizimi i punimeve i është besuar kompanisë së njohur italiane “Saipem”. Afërsisht 10 anije do të merren me ndërtimin e seksionit detar: dy anije do përdoren për shtrimin e tubacionit dhe anije të veçanta për drenazhimin, furnizim me tuba, punimet e vogla ndërtimi, rimorkimin dhe analiza. Për shtrirjen e tubave në ujëra të thella, deri në 810 metra, do të përdoret një anije shtrimi gjysmë e zhytur në ujë, ndërsa për shtrirje në ujëra të cekëta do të përdoret një anije shtrimi për ujëra të cekëta. Janë 9 mijë tuba, me një peshë të përgjithshme prej 100 mijë ton, saldimi i të cilave do të bëhet fillimisht në anije, përpara se të shtrihen në fund të detit. Një kabull me fibra optike do të instalohet përgjatë tubacionit për të mundësuar komunikimin me dy drejtime, nga tubacioni në qendrën e mbikëqyrjes dhe kontrollit, gjatë fazës operacionale. (voa)

Palmer: “Konflikti i ngrirë” Kosovë – Serbi, paraqet rrezik

PalmerZëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Matthew Palmer, u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të mos e humbin “mundësinë historike” për të arritur një marrëveshje nga e cila “të dyja palët do të dilnin fituese”.

“Nëse dikush është fitues dhe tjetri humbës, atëherë askush nuk fiton”, tha zoti Palmer në Beograd gjatë punimeve të Forumit të Sigurisë, me temën “Fuqizimi i vendeve të Ballkanit”, citojnë mediet në Beograd.

Zoti Palmer tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke përcaktuar ndonjë rezultat të caktuar të bisedimeve.

“Ne po inkurajojmë palët të gjejnë rrugën përpara si dhe një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme të cilën do ta pranonin dyja palët”, tha ai.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të dëgjojnë dhe ndihmojnë, por nuk mund të flasë për ndonjë hollësi lidhur me një ndryshim të mundshëm të kufirit, pasi nuk është paraqitur asnjë plan i tillë. Për Shtetet e Bashkuara, tha ai, është i kuptueshëm shqetësimi për mundësinë që ndryshimi i kufijve të nxisë krizë në vendet tjera të rajonit, mirëpo, konflikti i pazgjidhur dhe i ngrirë “po ashtu rrezikon qëndrueshmërinë e rajonit”.

Zoti Palmer, i cili u takua edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se vendi i tij e mbështetë themelimin e ushtrisë së Kosovës. “Ky është një kalim që kërkon kohë dhe ne po punojmë me kujdes me partnerët tanë në Prishtinë që ta mbështesim atë dhe të sigurohemi se kjo do të ndodhë në një atë mënyrë që të ndihmojë rajonit dhe qëndrueshmërisë së tij”, citohet të ketë thënë ai.

Beogradi reagoi me zemërim pasi që një ditë më parë parlamenti i Kosovës miratoi në parim tri projektligje që i hapin rrugë ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë dhe shndërrimit të saj në ushtri.

Presidenti serb, tha të premten se shpreson që Shtetet e Bashkuara do të kuptojnë qëndrimin e Serbisë se “formimi i ushtrisë së Kosovës mund të rrezikojë paqen e qëndrueshmërinë dhe mund të çojë në pasoja tragjike”.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që është kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Evropian. (voa)

Lotaria ‘Megamillions’ arrin 970 milion dollarë

loto megamilionNjerëzit në Shtetet e Bashkuara po blejnë bileta lotarie për një shans tejet të vogël për t’u bërë multi-milionerë. Sonte hidhet shorti i madh për lotarinë ‘Mega Millions’.

Shumë njerëz që shpresojnë të bëhen milionerë po blejnë bileta lotarie për të provuar fatin në shorteun që hidhet të premten në darkë për shumën 970 milion dollarë, shumë e cila mund të tejkalojë miliardëshin deri në momentin e shitjes së të gjitha biletave. Pandora Jones po provon fatin e saj.

“Po fitova, do t’i them mirupafshin gjithçkaje këtu.”

Ndërsa Eliot Barnharst, ka mendime të tjera.

“Ndoshta një pjesë të fitimeve do ta përdorja për të udhëtuar jashtë vendit.”

Ndërkohë, një tjetër lotari që quhet ‘Powerball’ ka arritur shumën 430 milion dollarë, shorteu i së cilës do të hidhet të shtunën. Shanset për të fituar çmimin kryesor në sejcilën prej llotarive është 1 në 302 milion. Çmimi i biletave varion nga 2 deri 3 dollarë për t’u bërë milioner brenda ditës. (voa)

OSBE e shqetësuar për portalet shqiptare

OSCE DesirPërfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, shprehu të enjten shqetësimin pas lajmërimit për një sistem të ri regjistrimi për 44 faqe interneti në Shqipëri dhe mbylljen e mundshme të tyre.

“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, deklaroi Désir.

Përfaqësuesi u bëri thirrje autoriteteve shqiptare t’i rishikojnë këto masa, të shqyrtojnë të gjitha alternativat e mundshme për trajtimin e çështjes së shpifjes dhe të fillojnë një debat gjithëpërfshirës me aktorët relevantë të shoqërisë civile dhe medias.

“Është tejet e rëndësishme që të sigurohet më shumë informacion rreth objektivave të saktë të masave të shpallura, si edhe për kriteret mbi bazën e të cilave janë përzgjedhur këto 44 faqe interneti“, shtoi Désir.

Më tej, ai kërkoi sqarime për bazën ligjore të kërkesës për publikimin e NIPT-it nga ana e këtyre faqeve interneti, si edhe për bazën ligjore për mbylljen e faqeve të internetit.

Në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama, për këtë çështje, Përfaqësuesi ofroi edhe asistencën e tij ligjore. Désir solli në vëmendje rekomandimet e Zyrës së tij për mbrojtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në rregullimin e përmbajtjes online në Evropën Juglindore, duke theksuar se çdo rregullim i përmbajtjes online duhet të mbajë parasysh detyrimet ndërkombëtare, përfshirë angazhimet në kuadrin e OSBE-së.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Shqipëri publikoi më 15 tetor,  një listë me 44 faqe interneti mediatike, që duhet të regjistrohet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe të pajisen me NIPT brenda 72 orësh, të cilin duhet ta publikojnë pastaj online. Mosrespektimi i këtij urdhri rezulton në mbyllje të faqeve të internetit. Kjo nismë, e mbështetur nga qeveria, raportohet se është bërë për t’u dhënë zgjidhje shpifjeve online. (tch)

Pompeo informon Presidentin për çështjen e gazetarit të zhdukur saudit

PompeoSekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo informoi sot Presidentin Donald Trump rreth bisedimeve të tij me zyrtarët sauditë dhe turq dhe hetimet e tyre për zhdukjen e një gazetari saudit me banim në SHBA, që zyrtarët turq thonë se u vra nga agjentët e Arabisë Saudite në konsullatën e Riadit në Stamboll.

Takimi i zotit Pompeo me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë vjen pas një kërkimi të ri që hetuesit turq kryen në konsullatë, i dyti këtë javë. Por diplomati i lartë amerikan tha gjatë largimit nga Riadi se udhëheqësit sauditë nuk dëshironin të diskutonin asnjë fakt rreth çështjes, ndërkohë që ishin duke kryer një hetim për t’ia komunikuar publikut. Arabia Saudite ka mohuar se ka dijeni për zhdukjen e Khashoggit.

Zoti Pompeo qëndroi një ditë në Riad për të diskutuar mbi zhdukjen e gazetarit me Mbretin Salman dhe djalin e tij, princin e kurorës Mohammed bin Salman, udhëheqësi de facto i vendit.

Ai shkoi pastaj Pompeo në Ankara, për t’u takuar me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan dhe Ministrin e Jashtëm Mevlut Çavusoglu. Media pro-qeveritare turke ka publikuar pohimet e hetuesve se agjentët sauditë i kanë prerë gishtat gazetarit, i kanë prerë kokën dhe i kanë coptuar trupin, pak pas arritjes së tij në konsullatën saudite më 2 tetor për të marrë disa dokumente martese.

Gazeta pro-qeveritare Sabah identifikoi zyrtarin e sigurimit saudit Maher Abdulaziz Mutreb si kreu i një “ekipi vrasësish” prej 15 anëtarësh që shkoi në Stamboll për të kryer ekzekutimin e Khashoggit. Gazetari jetonte në mërgim të vetimponuar në Shtetet e Bashkuara duke shkruar komente për gazetën Washington Post ku kritikonte princin e kurorës dhe përfshirjen saudite në luftën në Jemen.

Gazeta turke tha se Mutreb, është fotografuar shpesh pranë princit të kurorës gjatë udhëtimeve të tij jashtë vendit.

Ndërkohë, gazeta Washington Post boton sot atë që besohet të jetë shkrimi i fundit i Khashoggit, në të cilën ai kritikon mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe.

“Bota arabe po përballet me versionin e saj të një Perdeje të Hekurt, të imponuar jo nga aktorë të jashtëm, por përmes forcave të brendshme që konkurrojnë për pushtet,” shkruan ai. (voa)

Kosovë, miratohen në parim projektligjet për ndryshimin e FSK

fsk1Parlamenti i Kosovës miratoi të enjten në parim tri projektligjet që i hapin rrugë ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë. Këto projektligje që mundësojnë rritjen e përgjegjësive për këtë forcë, u përkrahën nga të gjitha partitë politike në parlament, përveç Listës Serbe.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, tha se ky është një moment që duhet t’i bashkojë të gjithë sepse nuk ka shtetësi të plotë pa një ushtri të mirëfilltë.

“Kur ne kërkojmë mandat të ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës për ta bërë ushtri të mirëfilltë ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa që kanë fqinjët tanë. Dëgjojmë zëra nga fqinji verior kundër ushtrisë së Kosovës, është e qartë se vetëm ata që janë kundër NATO-s janë kundër mandatit të ri që duhet të ketë Forca e Sigurisë, vetëm ata që janë kundër interesave euroatlantike në Kosovë dhe rajon janë kundër që shteti i Kosovës të ketë ushtri, vetëm ata që promovojnë interesa të tjera në Ballkan, si ato të Federatës Ruse apo tjera ët ngjashme, janë kundër ushtrisë së Kosovës”, tha zoti Hoti.

Shndërrimin e Forcës së Sigurisë e mbështetën edhe Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Socialdemokrate, Nisma Socialdemokrate si dhe partitë e komuniteteve jo serbe.

Lista Serbe, përfaqësues të së cilës lanë sallën e parlamentit para se të votohej për projektligjet, i kundërshtuan ato duke thënë se bien ndesh me aktet juridike ndërkombëtare.

“Serbët, shqiptarët dhe të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, para së gjithash kanë nevojë për zhvillim ekonomik dhe paqe dhe jo militarizim të ndonjë formacioni ushtarak dhe larg qoftë ndonjë luftë. Projektligjet për te cilat po flasim janë në kundërshtim me të gjitha aktet juridike para së gjithash ato ndërkombëtare, të cilat ende janë në fuqi në këto territore. Këtu e kam fjalën për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244, Marrëveshjen e Kumanovës, por siç e dini edhe ju vet është në kundërshtim edhe me aktet e tjera ligjore por edhe me Kushtetutë”, tha deputeti Igor Simiq.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar miratimin e këtyre projektligjeve si një nga ditët më përcaktuese për vendin në konsolidim të shtetit dhe në rrugën drejt NATO-s.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për punën që po kryejmë sot, unë nuk dëshiroj të marr pjesë në diskutime e debat por ju siguroj se një Kosovë e sigurtë, dhe të gjithë kanë arsye të ndihen të sigurtë, edhe komunitetet, të gjitha komunitetet, kjo është një punë që po bëhet për të gjithë qytetarët e vendit”, tha kryeministri Haradinaj.

Pas miratimit në parim të projektligjeve për Forcën e Sigurisë, pritet që të vazhdojë shqyrtimi i dytë për miratimin e tyre përfundimtar, para se të mund të nënshkruhen nga presidenti dhe të publikohen në gazetën zyrtare.

Autoritetet në Prishtinë po avancojnë kësisoj legjislacionin për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë me synimin që ajo të shndërrohet në ushtri të Kosovës. Ata thonë se tashmë Kosova ka mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara si në aspektin strukturor po ashtu edhe në atë stërvitor për këto ndryshime.

Në pranverën e vitit të kaluar, nisma e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë nëpërmes një ligji kishte nxitur reagimin e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara që kërkonin krijimin e ushtrisë së Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese.

Partitë politike kanë kërkuar që këto ndryshime të bëhen përmes ligjeve pasi janë shuar shpresat se transformimi i Forcës së Sigurisë mund të arrihet me ndryshime kushtetuese të kërkuara nga ndërkombëtarët por që kundërshtohen nga Beogradi dhe nga deputetët serbë.

Në selinë e NATO-s mbahen bisedime për Maqedoninë

nato mkNë selinë e NATO-s në Bruksel, të enjten filluan bisedimet në mes delegacionit të Maqedonisë dhe zyrtarëve të Aleancës, për anëtarësimin e këtij vendi ballkanik. Bisedimet përfshijnë aspektet politike, ushtarake e juridike, ndërsa pritet të caktohet një afat kohor për përfundimin e procesit, që sipas pritjeve në Shkup, kjo do të ndodhë në muajin dhjetor.

Delegacionin e Maqedonisë e drejton Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska. Delegacioni u prit nga Nën-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Alehandro Alvaro Gonzales.

Autoritetet e Shkipit thonë se Maqedonia ka realizuar reforma të dukshme kundrejt arritjes së standardeve të vendeve anëtare të Aleancës Veriatlantike. Megjithatë, vendi i vogël ballkanik duhet edhe më tej ta modernizojë ushtrinë dhe të shtojë buxhetin për të.

Për anëtarësimin në Aleancë, duhet që ligjvënësit në Shkup t’i miratojnë ndryshimet kushtetuese që burojnë nga Marrëveshja e Prespës, lidhur me emrin e Republikës së Maqedonisë.

Sipas pritjeve, Maqedonia mund të bëhet anëtare fuqiplotë e Aleancës së NATO-s në pranverën e vitit 2020. (voa)