Remzi Hoxha, i zhdukur nga SHIK

Ne kerkim te nje VARRI

 

Pas 8 vjetesh, Prokuroria pranon se SHIK ka rrembyer, torturuar e zhdukur tregtarin shqiptaro- maqedon Remzi Hoxha. I arrestuar ne fund te 1995, bashku me nje minoritar grek dhe nje "gazetar austriak". Incident, apo skenar i Gazidedes per nje komplot te "UDB, ASFALI-se" dhe PS, kunder Berishes, para zgjedhjeve te 26 majit 1996?! Enigmat e nje krimi shteteror, gjurmet e te cilit, te cojne ne bregdetin e Lezhes

Nga Alfred Peza

Shqiperia eshte e pasur me histori varresh pa emer. Nje prej te cileve, ka 8 vjet qe po mundon familjen Hoxha, ne Shkup te Maqedonise. Qe atehere, kur me 21 tetor te vitit 1995, disa persona ne 3 makina e rrembyen 42 vjecarin, ndersa ishte duke punuar ne ambjentet e punishtes se tij te duralumineve, ne periferi te Tiranes. E qe nga ajo kohe, askush nuk ka pranuar se ka dijeni per ngjarjen. Askush nga ata qe jane marre me kete ceshtje, nuk eshte penduar. Madje as ish shefi i SHIK i Tiranes se asaj periudhe dhe 2 vartes te tij, te arrestuar rreth 3 jave me pare, me 21 maj, nen akuzen zyrtare te "rrembimit, mbajtjes peng dhe torturimit te Hoxhes, ne bashkepunim".

Gruaja, 5 femijet dhe 5 vellezerit e Remziut, pas kaq e kaq vitesh kane nisur te mesohen me fatin e tyre te zi. Prokuroria eshte shprehur tashme zyrtarisht "per pasojat e renda" ndaj tij. Ndaj vendin e ankthit te pafund, ka nisur ta zere, fundi me ankth. Nje fund qe duket se do t'i ngushelloje ata, te pakten duke gjetur trupin e pajete te familjarit te tyre. Gjurmet e te cilit, sipas hetimeve te SHISH, policise dhe prokurorise, te cojne ne nje varr ndane nje vendi pa emer, diku ne bregdetin e Lezhes. Atje ku mendohet se bashke me trupin e pajete te ish kryetarit te Sindikatave te Pavarura te Zejtareve te Kosoves, prej 8 vjetesh, fshihet njeri prej krimeve me te renda shteterore te postkomunizmit shqiptar.

Rrembimi ne Tirane

Remzi Hoxha kishte nisur te ndihej i qete ne mesin e tetorit 1995. Pasi kishte shitur te gjithe pasurine e tij ne Kosove e Maqedoni, me nje shume prej 450 mije markash gjermane, kishte nisur jeten e re ne Tirane. Per t'i shpetuar njehere e pergjithmone ndjekjes nga regjimi i Milloshevicit, ne pritje te diteve te qeta. Duke punuar dhe shkolluar femijet ne Shqiperi dhe nderkohe, duke ndihmuar financiarisht berthamen e nje levizje per clirimin e Kosoves, qe me pas do te pagezohej me inicialet UCK. Ndaj, pasi kishte themeluar punishten e duralumineve "Albatros" ne rrugen e Frigoriferit, afer stacionit te trenit ne Tirane, kishte sistemuar familjen ne nje apartament ne zonen e Pazarit te Ri. Sadija, gruaja e tij, kujdesej per 3 djemte dhe 2 vajzat, njeri prej te cileve, Ardiani u regjistrua ne Kolegjin Turk. Cdo mengjes, Remziu dergonte fillimisht djalin ne shkolle dhe pas punes, rikthehej per ta marre serish.

Keshtu dalengadale po kalonte java e pare e jetes se re per familjen Hoxha. Ne Tirane sapo kishte shperthyer biznesi i kioskave, shtepive te para luksoze dhe pallateve private. Te cilat po perdornin materiale dhe teknika te reja ndertimi. Ku nder me te kerkuarat, po beheshin vetrat e duraluminit per dyer e dritare. I zhytur ne pune, dalengadale kishte trokitur ora 13.30 e se shtunes se 21 tetorit. Pas pak minutash, Remziut i duhej te shkonte per te marre djalin ne shkolle e per te pushuar per fundjaven e pare pas shume kohesh, sebashku me familjen.

Ndoshta keto ka qene duke menduar 42 vjecari, kur ne ate moment, ne punishten e tij i'a kane behur nje karvan me 3 makina. Nga nje "Volkswagen" Golf tipi i ri ngjyre ulliri kane zbritur disa persona te cilet i kane kerkuar qe te shkoje me ta, per nje sqarim ne polici.

Remzi Hoxha ka lene punen dhe pa as me te voglin hezitim, i ka ndjekur pas. Vetem pasi makina me targe TR 2449 C e shoqeruar nga nje "Jeep" dhe "BMW", jane larguar me shpejtesi, punonjesit e tij kane kuptuar se ata ishin te gjithe civile, me makina civile dhe nuk kishin paraqitur asnje mandat zyrtar. Ose te pakten, ata nuk pane qe "bosi" i tyre t'ua verifikonte. Ndaj, menjehere jane shqetesuar. Pas 15 minutash, ata kane vene alarmin duke lajmeruar Komisariatin numer 3 te Policise, qe ka nen juridiksion ate zone. "Po. Dakort. Menjehere jemi vene ne ndjekje te makines me targen qe na dhate", ka qene pergjigja nga ana "blu" e telefonit.

Minutat kalonin, nderkohe qe ishte vene ne dijeni edhe gruaja dhe femijet e Remziut. Pas 1 ore e 15 minutash, tre makinat e "rrembimit", jane rikthyer serish ne vendngjarje. Nje moment i arte qe punetoret te mos benin serish gabimin e pare. Njeri prej 3 "rrembyesve" ka treguar mandatin e nje punonjesi te autorizuar. Ndaj ata kane kerkuar menjehere sqarime. Por, "ata na kercenuan ne menyren me te prere dhe ekstreme te mundshme",- thuhet ne nje leter te asaj kohe te punetoreve te "Albatros". Te cilet nuk mund ta merrnin me mend, se pluhuri i "karvanit" te makinave te rrembimit qe u ngrit menjehere pas kesaj, do te mbulonte ne menyre enigmatike per shume e shume vjet, fatin e punedhenesit te tyre.

Rrembimi ne Sarande

Vetem 4 dite para se te ndodhte kjo skene ne kryeqytet, rreth 200 kilometra me ne jug te vendit, ne Ksamil te Sarandes, kishte ndodhur nje tentative per "rrembim" enigmatik. Me 17 tetor, kur Ziso Kristopulli, Kryetar i PS se qytezes ndodhej ne qender te saj, nga nje makine me targa TR 2752 Z, nje person pasi eshte paraqitur si punonjes i Kontrollit te Shtetit, i ka kerkuar qe te shkoje me te deri ne Gjirokaster per t'u sqaruar prane organeve fiskale, rreth veprimtarise se tij private, si pronar i nje pularie. "Dakort,- ka qene pergjigja e atyperatyshme e Zisos,- por a mund ta shtyjme per neser ju lutem, sepse kam nenen shume semure". Ndoshta te gjendur te papergatitur, apo njerez sinetimentale, njerezit e makines, e kane lene ate te lire.

Nje liri qe ka zgjatur deri te nesermen me 18 tetor, kur ish shefi i krimeve te Sarandes, Sazan Cani i ka kerkuar te shkoje me te ne Komisariatin e Policise. Pa mberritur ende ne qytet, ne Kampin e Punetoreve, ai ia ka dorezuar ate njerezve "te Kontrollit te Shtetit". Te cilet nuk e kane ndaluar jo vetem ne Gjirokaster, por askund tjeter deri ne oren 19.30 kur kane mberritur ne Tirane. Derisa ne nje lagje te saj, "ne makine eshte paraqitur si "shef" Avni Koldashi".

Kristopulli e kishte kuptuar tashme se ndodhej ne duart e "SHIK"-ut, pasi "e njihja Koldashin qe kishte mbaruar shkollen bujqesore me nje mikun tim nga Finiqi". Makina mori rrugen drejt Kamzes ne drejtim te Shkodres kur nje thes i vendosur ne koke, i ka nderprere shikimin", derisa ka perfunduar ne nje godine afer bregdetit te Lezhes. E cila iu kujtua qe ishte nje ndertese e ish udheheqjes komuniste, pasi ne nje cast qe arriti te shihte jashte dritares, dalloi nje shatervan qe e kishte pare dikur.

Ne kerkim te se pamundures

Gruaja e Zisos, Evanthi Kristopulli dha alarmin duke i deklaruar gazetes "Koha Jone", 3 dite me pas me 21 tetor, se e moren "per te dhene sqarime rreth miqesise se tij me nje gazetar austriak". Nderkohe qe edhe gruaja e Remzi Hoxhes, bashke me familjaret e saj, nisen kerkimet. Me 23 tetor, kur kaloi afati ligjor i asaj kohe per shoqerimin prej 48 oresh ne polici te nje personi, Sadije Hoxha i dergon telegrame Presidentit Berisha, ministrit te Punes dhe Ministrit te Brendshem Agron Musaraj.

Tre dite me pas, me 26 tetor lajmi publikohet per here te pare ne gazeten "KJ". E cila shkruante se pronari i nje firme duraluminesh ne Tirane, ishte zhdukur prej disa ditesh, ne rrethana misterioze. Rasti i "zhdukjes se tregtarit" u denoncua me 10 nentor, edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Por, ditet kalonin dhe familjaret kishin filluar te trokisnin ne te gjitha dyert e institucioneve kryesore te shtetit dhe qeverise shqiptare. Pas hetimeve private, gjurmet i kishin cuar ne dyert e SHIK-ut. Ndaj, me 13 dhjetor, gruaja e Remziut i dergon nje telegram, shefave te ketij institucioni. Ne te njejten dite, kur nga godina e kreut te shtetit, do t'i vinte pergjigja se "Presidenti Berisha u vu ne dijeni te letres suaj. E cila i'u dergua ministrise se Brendshme dhe SHIK-ut, nga ku do te kerkojme perfundimet".

Por, edhe pas kesaj, familja Hoxha nuk mori asnje sinjal. Madje as 10 dite me pas, kur i shkroi nje tejter leter Berishes, e as te nesermen kur Sadija shkoi vete ne Komisariatin numer 3 te policise se kryeqytetit. Por as me 8 janar 1996 kur u vu ne dijeni zv/ Prokurori i Pergjithshem, Fatos Dervishi. Por, vetem me 15 shkurt, 2 dite pasi nje leter e tille, i ra ne dore Kryetarit te Parlamentit, Pjeter Arbnori. I cili pergjigjej se "u interesova prane drejtorise se SHIK-ut dhe me thane se nuk kishin dijeni per nje rast te tille. Ata jane duke e hetuar ceshtjen dhe deri tani nuk eshte arritur ne asnje perfundim zyrtar". Nje pergjigje pak a shume te tille, "Mandela e Shqiperise" pranon tani se i ka kthyer ne ate kohe, edhe "Mandeles se Kosoves" Adem Demaci, qe kishte kerkuar shpjegime per shkak te njohjeve me familjen patriote me origjine nga Kacaniku. Kjo dhe nje leter e familjareve me 23 mars 1996 per kryeprokurorin Alush Dragoshi, jane edhe korespondencat e fundit 5 mujore te familjareve te biznesmenit. Te cilet "u lodhen" se trokituri ne dyert e shtetit, nderkohe qe ne zyrat e kancelraive te Tiranes, kishte kohe qe perflitej nen ze se Remzi Hoxha ishte zhdukur ne ambjentet e SHIK-ut famekeq te Gazidedes.

Gazetari enigmatik

Pak pas mesdites se 21 tetorit, 3 makinat, kane lene pas rrugen prane stacionit te trenit dhe e kane dorezuar "gjahun" ne ambjentet e SHIK te Tiranes. Ardian Hoxha, djali i Remziut, disponon sot dokumentin zyrtar qe targa e "Volgswagenit" te rrembimit, sebashku me 5 te tjera nga SHIK, ka sherbyer per nevojat operative te institucionit, i cili ka paguar edhe detyrimet tatimore". Nga hetimet e tanishme, urdheri per marrjen e 42 vjecarit u dha nga shefi i atehershem i SHIK te Tiranes Arben Zefgjini dhe njeri prej ekzekutoreve te saj ne terren, dyshohet te jete Avni Koldashi.

Pak ore me vone, sipas hetimeve, biznesmeni eshte transferuar ne godinen e sherbimit sekret ne Kune (Vain) te Lezhes, ku eshte torturuar, mes te tjereve edhe nga Budion Mece. I cili bashke me 2 koleget e tjere, u arrestua mbi 3 jave me pare, me 21 maj.

Vec Hoxhes dhe Kristopullit, si pjese e nje operacioni te perbashket, ato ore te fundtetorit te 8 viteve me pare, eshte arrestuar edhe Armando Loshaj. Nje person rreth te 30-tave me nje pasaporte qe mbante nje mbiemer austriak a zviceran. I cili eshte paraqitur si nje gazetar i derguar ne Shqiperi si fotoreporter.

Burimet qe jane marre me hetimin e kesaj dosje te komplikuar, thane se fillimisht Loshaj ka udhetuar drejt Sarandes, ku ishte prezantuar si turist nga Zvicra dhe per 12 dite kishte pushuar me pas ne Ksamil. Nje nje vend me rreth 1000 banore ishte e pamundur qe ai te mos takohej me liderin e PS lokale dhe "bosin" e fshatit. Vete Kristopulli, tashme 52 vjec e pranon se kishte pire kafe me te, duke kujtuar se ishin punonjes policie qe i'a kishin prezantuar si nje fotoreporter i luftes se 1992, ne Bosnje. Me pas, Loshaj ka udhetuar drejt kryeqytetit, ku besohet se ne nje kombinacion te pasqaruar ende rrethanash, eshte takuar edhe me Hoxhen.

Skenari

Kristopulli, i vetmi prej 3 personazheve te arrestuar, qe ka rrefyer per ngjarjen, thote se eshte torturuar deri ne hematoma te renda ne te gjithe trupin, per ta detyruar te pranonte se "kisha shkuar ne Serbi me Remzi Hoxhen, nje person qe ia degjoja per here te pare emrin. Qe andej kishim marre makina me arme, "Kallashe", dinamit, granata etj per rrezimin e pushtetit ne Shqiperi". Nderkohe i kane kerkuar te pohoje se "ne Serbi kisha marre nje vule, me te cilen kisha vulosur te gjitha flete- votimet e Referendumit per Kushtetuten te nentorit 1994, ne rrethet Jugore te vendit".

Ishte fundi i vitit 1995, PD kishte nje vit qe kishte humbur bujshem ne referendum dhe vendi, brenda pak muajsh hynte ne zgjedhjet e pergjitheshme parlamentare te 26 majit 1996. Ne kete kohe, sapo ishte realizuar shkarkimi i cilesuar antikueshtetues i Kryetarit te Gjykates se Kasacionit Zef Brozi, pak para se ai te shqyrtonte ceshtjen e liderit te burgosur te PS, Nano. Ishin ditet kur sapo nisi zbatimi i ligjit antigenocid qe perjashtoi nga e drejta e kandidimit per deputet, pjesen kryesore te lidereve socialise ne opozite dhe rinisi valen e arrestimit te ish funksionareve te larte komuniste duke filluar nga Ramiz Alia e deri tek ish komandanti partizan 92 vjecar Shefqet Peci, qe vdiq pas disa ditesh ne burg.

Ne ate kohe, per Remzi Hoxhen qarkullonin zera se ishte arrestuar si agjent i UDB, si trafikant armesh, e deri si pjesemarres ne atentatin kunder Presidentit te Maqedonise, Kiro Gligorov.

"Por asnjera prej tyre nuk qendron",- thote nje burim qe ka drejtuar hetimin thuajse nga "hici" te kesaj ceshtje deri me 1998 kur u mbyll pa autore, pas zhdukjes qe i ishte bere dosjes gjate trazirave te marsit 1997". Sipas tij, e gjitha qe kishte ndodhur ishte nje loje e SHIK te Gazidedes, qe tentoi te realizonte nje skenar sipas te cilit, "Remzi Hoxha nje agjent i UDB,- tani ka dale sa ka qene nje nder financuesit e pare te UCK,- dhe Ziso Kristopulli, agjent i Asfalise greke, kishin ngritur biznese me parate e tyre. Me ane te te njohurit "te tyre te perbashket", gazetarit Armando Loshaj, qe ka shume mundesi te kete qene nje i infiltruar i SHIK,- me Kristopullin e prezantuan 2 punonjes police,- per te realizuar "komplotin" kunder qeverisjes se atehershme, nepermjet financimit te fushates elektorale te PS, me parate e "2 armiqve" te Shqiperise.

Nje skenar qe duket se nuk arriti te realizohej, sepse pas disa ditesh tortura, ne nje moment kur Hoxha duket se nuk po arrinte te "pranonte skenarin" ne perpjekje per ta trembur, dhuna ka shkuar pertej limitit qe eshte deshiruar. Ne kete menyre, tregtari i ka mbetur ne dore. Autoret e kesaj vepre, sipas ish shefit te SHISH Fatos Klosi u liruan nga detyra dhe pasi u pajisen me pasaporta e viza te rregullta, kane udhetuar dhe qe nga ajo kohe jetojne e punojne si emigrante ne Angli.

Kjo ka detyruar lirimin pas disa ditesh te Kristopullit dhe varrosjen ne nje vend ende pa emer, te Remzi Hoxhes. Gjurmet e se ciles, nga hetimet e fundit, te cojne ne ish keneten buze bregdetit te Lezhes, jo shume larg vendit te "torturave" e cila sot funksionon si kamp pushimesh, per punonjesit e sherbimit sekret shqiptar.

Nje vit me pare, pas nje vizite ne Kosove, Avokati i Popullit Emir Dobjani, mori nje kerkese nga sindikatat shqiptare, per njerin nga ish drejtuesit e saj. Kur pas kthimit ne Tirane, arriti te shkunde pluhurin qe kishte zene dosjen e erret. Pas disa muajsh pune ne konspiracion te plote, hetuesit arriten te dergojne ne fund te muajit te kaluar ne qeli, 3 ish oficere te SHIK dhe kane "farketuar prangat" per disa te tjere. Nderkohe qe nje grup special, eshte vene ne kerkim te varrit pa emer te Remzi Hoxhes. Familja e te cilit, pas 8 vjetesh ankthi dhe pritje, ndoshta do te kete nje dite, nje vend ku te kujtoje gjithmone, aventuren e hidhur ne vitin 1995, ne Shqiperi.