All posts by V.F.

Bruksel, Mogherini: 2019-ta, viti ku do shënohen suksese nga Shqipëria

bushatiNë Bruksel është mbajtur një konferencë e përbashkët për mediat nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, eurokomisioneri për zgjerimin Johannes Hahn dhe përfaqësuesja për Politikë të Jashtme në BE, Federica Mogherini.

E para që mori fjalën ishte Mogherini, e cila tha se viti 2019 do të jetë një vit ku do të shënohen suksese nga Shqipëria.

“Shqipëria vazhdon të luajë një rol konstruktiv në rajon. Kemi qenë të vendosur për t’i dhënë prioritet operacioneve në fushën e sigurisë. Marrëveshja mes vendeve të Ballkanit perëndimor dhe Europës është strategjia me të cilën po ecin vendet. Ne do të vazhdojmë të punojmë me Shqipërinë për të plotësuar të gjitha kushtet. Ne mbetemi të vendosur që 2019 të jetë vit i suksesshëm për Shqipërinë ashtu siç dëshirojnë qytetarët shqiptarë”, tha ajo.

Ndërkohë ministri Bushati theksoi se në kuadër të procesit të integrimit, qeveria “Rama” është e hapur dhe e gatshme për dialog me forcat e tjera politike.

“Gjatë diskutimeve në takimin e 10-të Stabilizim-Asoocimit, dhamë mesazhin për të mbajtur hapur derën për bashkëpunim me forcat politike. Jemi pro reformave. Në qershorin e 2019-ës bashkë me KE dhe vendet e BE të punojmë të gjithë së bashku, që këtë histori ta kthejmë në histori suksesi”, tha Bushati.

Ministri i Jashtëm vlerësoi edhe goditjen e bandave të krimit të organizuar, lëvizje për të cilën Shqipëria u përgëzua edhe nga Mogherini dhe Hahn.

“Operacionet për goditjen e bandave janë inkurajuese dhe më vjen mirë që përfaqësuesja e lartë e BE e përmendi këtë fakt. Instancat ligjzbatuese janë në një front. Do të vijojmë më teje dhe me zbatimin e ligjit për respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Çështje e dytë të cilët ndajmë një pikëpamje të plotë me BE ka të bëjë me rolin e Shqipërisë në rajon. Faktin që Shqipëria e linjëson qëndrimin e saj me BE nuk është proces mekanik, është një proces që buron nga zgjedhjet strategjike”, theksoi Bushati.

Top Channel

Hungaria konfirmon shqyrtimin e kërkesës për azil, Shkupi kërkon ekstradimin e Gruevskit

Gruevski HungariHungaria konfirmoi këtë të mërkurë marrjen e kërkesës për azil nga ish-kryeministri i arratisur maqedonas, Nikola Gruevski, një ditë pasi ai njoftoi përmes rrjetit social Facebook se kishte vendosur të largohej për shkak të dënimit me burgim për abuzim me pushtetin.

Budapesti zyrtar njoftoi se do të marrë në konsideratë aplikimin e Gruevskit, i cili ka dominuar skenën politike në Maqedoni për afro një dekadë deri në vitin 2016, në një lëvizje që padyshim do ta irritojë Shkupin, që nga ana e tij ka lëshuar një urdhërarresti ndërkombëtar për ndalimin e ish-kryeministrit, pasi ai nuk u paraqit përpara autoriteteve të drejtësisë për të vuajtur dënimin me dy vite heqje lirie.

Zyra e kryeministrit Viktor Orban konfirmoi se Gruevski “kishte dorëzuar kërkesën për azil” dhe se kishte deklaruar se synon “të dorëzojë edhe një kërkesë për statusin e refugjatit në Hungari”.

“Duke qenë se ai ka qenë kryeministër i vendit të tij për 10 vite, për shkaqe sigurie, autoritetet hungareze kanë lejuar zotin Gruevski të dorëzojë kërkesën për azil dhe të dëgjohet në selinë e Zyrës së Emigracionit dhe Azilkërkimit në Budapest”, shtohet më tej.

Budapesti zyrtar refuzoi të zbulonte detaje mbi vendndodhjen e Gruevskit, apo sesi ky shtetas maqedonas, të cilit i është hequr pasaporta, hyri në Hungari.

Konfirmimi vjen një ditë pasi Gruevski tha se ishte larguar për në kryeqytetin hungarez. “Jam në Budapest tashmë, ku kam kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze”, shkroi 48-vjeçari në faqen e tij në Facebook. Shkupi i ka bërë thirrje Budapestit të mos ia plotësojë atij kërkesën.

Të mërkurën, kryeministri maqedonas Zoran Zaev i bëri thirrje Hungarisë “të respektojë praktikat ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar”, e të mos ofrojë “mburojë refugjati për kriminelët”.

Në të kaluarën, Gruevski, një kundërshtar i thekur që Maqedonia t’i bashkohej Bashkimit Europian dhe NATO-s, kishte lënë të kuptohej se ishte “mik” me kryeministrin hungarez Viktor Orban. Që të dy ata kanë akuzuar miliarderin liberal amerikan, George Soros, për nxitje të emigracionit të paligjshëm, pretendime që vet Soros i ka hedhur poshtë.

Aplikimi i Gruevskit do të testojë vullnetin e Budapestit për të aplikuar rregulla të ashpra për azilantët, si dhe masa të ashpra antiemigracion, si për shembull gardhet me tela me gjemba në kufi, apo kampet e paraburgimit për azilkërkuesit, gjë që kanë shkaktuar kritika të ashpra nga kundërshtarët e Orbanit brenda dhe jashtë vendit, përfshi edhe nga Brukseli.

Por, Budapesti këmbëngul se dëshiron të ruajë marrëdhëniet e mira me Shkupin.

“Ne nuk duam të ndërhyjmë në asnjë mënyrë në çështjet e brendshme të shteteve sovrane, ndaj ne konsiderojmë vlerësimin e kërkesës për azil nga ish-kryeministri maqedonas si një çështje thjesht ligjore”, shkruante qeveria në një deklaratë.

Top Channel

Kosova diskutohet sot në Këshillin e Sigurimit

KSKëshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të merret sot, të mërkurën, me Kosovën. Pritet modifikim i misionit të UN në Kosovë.

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të merret sot, të mërkurën, me Kosovën. Ndërkohë është publikuar raporti i Sekretarit të Përgjithshëm Guterres, për zhvillimet në Kosovë, në bazë të të cilit zhvillohen diskutimet. Raporti, që është një lloj iventari, është përkthyer përveç anglishtes, frëngjishtes, spanjishtes, rusishtes dhe arabishtes, edhe në kinezçe. Në kinezçe duhet kësaj radhë edhe më shumë, sepse Kina mban presidencën e radhës së Këshillit të Sigurimit (KS) këtë nëntor. Kina është po ashtu anëtari i KS, që e futi sërish Kosovën në linjën që vendet e tjera të KS e shohin si të pakuptimtë, linjë që u ndërpre në muajin gusht. Kështu raporti ka të bëjë me zhvillimet në Kosovë nga mesi i prillit në mes të korrikut.

Raporti me nëntë pika, fillon me hyrjen dhe prioritetet e UNMIK-ut, që janë të njëjta që prej vitit 2008, kur u bënë disa ndryshime të rezolutës 1244. Me siguri kjo pjesë kopjohet çdo tre muaj. Pika e dytë, flet për zhvillimet politike dhe sigurinë, ku situata vlerësohet stabile. Këtu rreshtohen kronologjikisht zhvillimet si arrestimi i Marko Duriqit, apo fokusimit të partive shqiptare në pushtet dhe në opozitë tek dialogu Prishinë Beograd, organizuar nga BE. “Disa incidene tregojnë për potencialin që ekziston për rihapje tensionesh”, shkruhet në raport. Këtu përmenden dy dëmtime të Kishës serbe në Ferizaj dhe masat, që janë marrë për mbrojtjen e saj.

Gjendja në Kosovë stabile, me potenciale tensionimi

Pika e tretë merret me Mitrovicën veriore. Këtu përmendet moshapja e urës për automjetet për shkaqe sigurie nga kryetari i Bashkisë së Mitrovicës, dhe moszgjidhja e vrasjes së Oliver Ivanoviçit. Pika tjetër, ajo e katërta i dedikohet dialogut Prishtinë Beograd. Mbas tre muajsh, përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme të BE ka asistuar në një takim më 24 qershor, Thaçi Vuçiq. “Divergjencat e palëve për zbatimin e marrëveshjes së 2013, për çështjen e komunave serbe, kanë penguar progresin në bisedim,” thuhet në raport. Pika tjetër i dedikohet kthimeve, ripajtimit, trashëgimisë kulturore dhe marrëdhënies së komuniteteve. 77 vetë janë kthyer vullnetarisht në këtë periudhë, duke e çuar në 27 884 numrin e të kthyerve. Të zhvendosur gjithsej janë 89 480 vetë, prej të cilëve 72 mijë në Serbi, 16357 brenda për brenda Kosovës, 729 në Mal të Zi dhe 294 në Maqedoni. Raporti thotë se Komisariati i Lartë për refugjatët, agjenci e OKB, ka vazhduar mbështetjen e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve.

Në pikën e gjashtë të raportit, kemi të bëjmë me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Gjatë periudhës në fjalë ka pasur dy raste korrupsioni dhe dy krimi lufte, ajo e Enver Hasanit, president i Gjykatës Kushtetuese, dhe e Ilir Tolajt, ish sekretar në ministrinë e shëndetësisë. Në krimet e luftës, ajo e Darko Dasiqit, për krimet e bëra në Krushë të Madhe, dhe rasti kundër dhjetë anëtarve të Grupit të Drenicës. Po ashtu Gjykata në Prishtinë u morr me rastin “medicus” të trafikimit të organeve.

1647 vetë vazhdojnë të mbeten të pagjetur, thuhet në raport. Në maj një varrezë masive u gjet në Gjakovë, me pesë trupa të varrosur në të. Në këtë periudhë Fondacioni Jahjaga, mbështetur nga UNMIK, OKB-gratë dhe UNDP, filloi implementimin e një projekti për të luftuar paragjykimet për dhunën me bazë seksuale gjatë luftës. 200 viktima nga Kosova dhe Shqipëria u mblodhën në një takim për të marrë mbështetje. UNMIK do të vazhdojë të mbështesë viktimat me ndihmë sociale, psikologjike dhe ekonomike. Gruaja dhe paqja e siguria, quhet pija e shtatë e raportit, që raporton për një konferencë grash në veri të Kosovës dhe një samit grash të Europës Juglindore. Pika tjetër merret me partneritetin dhe bashkëpunimin dhe raportohet se UNMIK në bashkëpunim me ekipin e Kosovës në OKB, ka vazhduar punën në zbatimin e ligjit, krijimin e besimit midis komuniteteve, të drejtat e njeriut, forcimin e rinisë dhe grave.

Guterres mbështet dialogun Prishtinë Beograd drejtuar nga BE

Pika e fundit i dedikohet vëzhgimeve. Këto janë interesante të mësojmë çfarë ka vëzhguar Sekretarin e Përgjithshëm. Ai përshëndet dialogun Prishtinë- Beograd, të organizuar nga Bashkimi Europian. Takimi i 24 qershorit nuk solli rezultate, një rast ky për të parë se diferencat midis palëve janë të mëdha. Guterres, i kërkon Prishtinës dhe Beogradit të vazhdojnë angazhimin e tyre dhe zbatimin e marrëveshjeve, në kuadër të dialogut të organizuar nga Bashkimi Europian.

Ndërkohë që këto janë përpjekjet institucionale për tu marrë me Kosovën, grupe të ndryshme interesash në Nju Jork, merren me lobimin e ideve të tyre. Në një aktivitet të organizuar nga Dritan Haxhia, emër të Vatrës, Federatës mbarëshqiptare, shqiptarë u mblodhën të diskutonin çështjen e Kosovës me Prof. David Phillips, i cili është prerë kundër ndarjes së Kosovës. Kurse në një aktivitet tjetër, organizuar ditën e enjte, NCAFP, një shoqatë që sipas të dhënave të veta, i dedikohet zgjidhjes së konflikteve që kërcënojnë interesat e SHBA, kishte thirrur Cameron Munter, drejtorin e Institutit East West, dhe dy ambasadorët, atë të Austrisë në Kombet e Bashkuara, Jan Kickert, dhe të Finlandës, Kai Sauer. Cameron Munter dhe Jan Kickert, mbrojtën idenë e këmbimit të territoreve. Atyre, iu bashkangjit duke treguar se nuk është i sigurt, edhe Kai Sauer. Kur flisnin të gjithë kishin përballë, ambasadoren e Shqipërisë në OKB, Besjana Kadare, e cila foli nga vendi që kishte zënë në publik, vetëm për përshpejtimin e procesit të pranimit të Shqipërisë në BE.

“Shqiptarët i ka çmendur mendjemadhësia”/ 15 “Kunja” që Tregojnë Shqiptarin e Vërtetë nga M.F

Mithat Frasheri“Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha betejat, pasi të mbarojnë betejën e fundit mes tyre”.

Kjo është thënia simbol e Mit’hat Frashërit, alias Lumo Skëndo, e thënë në vitet ’30 kur shkëlqeu një plejadë dhe traditë letrare, por dhe elitare në Shqipëri.

Mithat Frashëri u lind më 25 mars 1880 në Janinë; vdiq më 3 tetor 1949 në Nju-Jork, SHBA.

Ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit.

Ai e njohu shumë pak babain e tij dhe u rrit nën kujdesin e Samiut dhe Naimit.

Ai është konsideruar si njëri nga intelektualët më të shquar të brezit të vet. Gjatë pesë dekadave të sundimit komunist, ai mbeti i hetuar dhe u quajt “reaksionar”, “tradhtar” etj.

E vetmja tradhti që kishte bërë ishte ajo ndaj ideologjisë komuniste dhe ideologëve të saj…

Pa u zgjatur shumë te veprimtaria letrare dhe patriotike e Mid’hat Frashërit, e cila studiohet që në shkollë dhe interneti “gëlon” me to, supershendeti.com ka përzgjedhur disa nga thëniet e tij më të spikaura për shqiptarët, që duket se do të mbeten gjithnjë aktuale; sado shekuj kalojnë.

Ja çfarë thotë Mid’hat Frashëri për shqiptarët:

1- Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

2- Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

3- Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit

4- Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.

5- Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.

6- Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës t’i themi të bardhë dhe të zezës – të zezë.

7- Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.

8- Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.

9- Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?

10 – Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.

11- Vetëm një proverb të mirë di: ”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë! Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: ”Trimi i mirë me shokë…pak!”

12 – Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.

13 – Mos u hidhëro po të shkoj tjetri para, edhe pse nuk ndenje dot në krye. Zilia na ka lënë të panderuar.

14 – Shpesh herë zemërimi ynë vjen jo se kemi të drejtë, po se kemi faj dhe na vjen ligsht që na e shohin të tjerët.

15 – Dhembja më e madhe është pikëllimi i brendshëm, jo ai qe rrëfehet.

Regjistrimi i popullatës në Maqedoni në prill 2020, pa deklarim të përkatësisë kombëtare dhe fetare

shkupiRegjistrimi i popullsisë në Maqedoni do të zbatohet në prill të vitit 2020 dhe nuk parashihet që për të ketë grafa për përkatësinë etnike dhe fetare të qytetarëve, njoftoi në takimin e sotëm me gazetarët drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave Apostol Simovski.
Simovski tha se për realizimin e kësaj ndërmarrjeje është planifikuar që të angazhohen rreth 5.000 regjistrues në tetë gjuhë, me çka do të shfrytëzohet metodë e kombinuar: të dhënat në terren dhe të dhënat në regjistra.
Metoda e kombinuar, siç sqaroi ai, bazohet në të dhënat e fituara në terren përmes regjistrimit individual me të dhëna nga baza statistikore e para regjistrimit të të dhënave të marra nga regjistrat ekzistues që janë të lidhura me shfrytëzimin e  numrit të amzës të qytetarëve.
Për ndërtimin e bazës së ardhshme të regjistrimit do të shfrytëzohen të dhëna nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, MPB, Agjencia për Kadastër të Patundshmërive, Agjencia për Punësim, Fondi për Sigurim Shëndetësor, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Regjistri Qendror, DAP, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme.
Sipas Simovskit, regjistrimi do të kushtojë 8,5 milionë euro, prej të cilave 3,5 milionë euro do të jenë për Pilot regjistrimin që do të zbatohet në prill të vitit 2019 dhe për furnizimin e mjeteve, ndërsa pesë milionë euro për personat të cilët do të angazhohen për zbatimin e regjistrimit në vitin 2020.
Me propozim të Entit Shtetëror Statistikor në draft versionin e ligjit për regjistrim kërkohet që të mos ketë pyetje për përkatësinë etnike dhe fetare që regjistrimi të mbrohet nga politizimi, por të ketë pyetje për gjuhën, gjegjësisht  për gjuhën e cila flitet në familje dhe për gjuhën amë.
Draft ligji për regjistrimin më së voni të hënën do të vendoset në Regjistrin e vetëm kombëtar elektronik të rregullave të RM-së (RVKE) me qëllim që të merren vërejtjet nëse ka në tekstin e ligjit, deri në fund të vitit pritet që ligji të kalojë procedurën qeveritare, ndërsa në shkurt të vitit të ardhshëm të sillet edhe deri te Kuvendi.
Regjistrimi provë do të zbatohet në prill të vitit 2019 në 32 rajone regjistruese, ndërsa do të përfshihen katër rajone regjistrimi në tetë rajone. Siç tha Simovski, regjistrimi provë do të zbatohet në Gostivar, Zelenikovë, Kisella Vodë dhe në Sveti Nikole, ndërsa do të përfshijë 3.000 amvisëri.
Me regjistrimin e vitit 2020 do të regjistrohet popullsia e cila është në Maqedoni, si dhe të huajt të cilët qëndrojnë jashtë vendit më shumë se një vit, por do të bëhet edhe regjistrimi i mungesës së popullsisë e cila është jashtë shtetit më shumë se një vit.
Drejtori i ESHS-së theksoi se regjistruesit do të jenë persona nga popullsia lokale, të trajnuar mirë, të cilat do të duhet të kenë njohuri nga IT teknologjia, sepse  regjistrimi do të bëhet me laptop, e jo me pyetësor në letër.
Me regjistrimin në këtë mënyrë, siç theksoi Simovski, do të zvogëlohet koha  për grumbullimin e të dhënave, do të ulen shpenzimet për operacionin e regjistrimit si dhe koha e nevojshme për përpunimin e të dhënave. Në regjistrimet e kaluara të dhënat ishin përpunuar për një vit e gjysmë, ndërsa tani planifikohet që kjo të përfundojë për jo më shumë se tre muaj.
Eksperti ndërkombëtar për regjistrim Verner Haug në brifingun me gazetarët i prezantoi standardet ndërkombëtare zbatimin e regjistrimit të popullsisë. (g.e)

Sot mbushen 110 vjet nga Kongresi i Alfabetit

kongresi i ManastiritMë 14 Nëntor 1908 në Manastir filloi punimet Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit, me qëllim krijimin e një alfabeti të njësuar që do të ishte edhe fillimi i letërsisë mbarë shqiptare.

Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë, etj.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mit’hat Frashëri ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik “Liria” dhe “Dituria”. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së Vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në këtë Kongres merrnin pjesë shqiptarë të të gjitha komuniteteve fetare si, myslimanë, katolike, ortodoksë, protestantë, njerëz të ditur, të bashkuar për një qëllim të madh kombëtar.

Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, preku të gjithë pjesëmarrësit sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin. Kongresi vendosi me votë unanime për të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe të shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabet që përdoret në ditët tona.

Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë, në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe.

Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.

Një pjesëmarrës i shquar në Kongresin e Alfabetit ishte studiuesi, poeti dhe atdhetari nga Shkodra, Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë propozimet e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi në disa vende të huaja dhe fliste 13 gjuhë, mbi gjuhën shqipe ai nuk vinte gjë tjetër. (koha)

Rreth 82% e gazsjellësit TAP ka përfunduar

tap_pipeline_main TAPRreth 82% e gazsjelllësit Trans-Adriatik (TAP) ka përfunduar, tha konsorciumi që do të sjellë gaz nga Azerbajxhani në Europë në një njoftim për shtyp.

“Punimet po shkojnë mirë dhe ne jemi në rrugën e duhur për të përmbyllur projektin e nisur aktivitetin në 2020-ën”, thuhet në njoftim.

Vlera e përgjithshme e TAP është 4.5 miliardë Euro. Gazsjellësi është pjesë e korridorit jugor të gazit, një nga projektet prioritare të energjisë për Bashkimin Europian.

TAP do të jetë 878 km i gjatë (550 km në Greqi, 215 km në Shqipëri, 105 km në detin Adriatik dhe 8 km në Itali.

Top Channel

Reagime të ashpra pas takimit Thaçi-Putin

putin thaciPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do ti njoftojë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës për takimin që zhvilloi në Paris me Presidentin e Rusisë Vlladimir Putin. Opozita reagon ashpër.

Në Prishtinë partitë politike opozitare nuk e kanë pritur mirë takimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi me presidentin e Rusisë Vlladimir Putin. Të dy presidentët Thaçi dhe Putin u takuan në ceremoninë qendrore në Paris, në shënimin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Për këtë takim, pas disa takimeve që presidenti i Kosovës zhvilloi me disa liderë shtetesh, e bëri publik vet Thaçi, duke publikuar edhe fotografi me Putinin në profilin e vet social. Presidenti i Kosovës shkroi se “takimi u përqendrua në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje detyruese gjithëpërfshirëse”.

“Thaçit nuk mund t’i besohet”

“Për këtë çështje, Putin ishte i qartë, nëse ju (Kosova dhe Serbia) arrini marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë”, shkroi presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Ky takim i presidentit të Kosovës me atë të Rusisë Vlladimir Putin, nuk u prit mirë në Prishtinë nga partitë politike opozitar. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha në një konferencë për media se “Presidentit të Kosovës nuk mund t’i zihet besë”.

“Kemi një president të cilit nuk mund t’i zëmë besë se as çka ka folur atje, as çka nuk ka folur në Paris, pasi ndryshe deklarohet këtu e ndryshe atje. Është mirë që presidenti Putin është deklaruar në mënyrë të tillë, në qoftë se është deklaruar. Por, unë jam i bindur se nuk mund të arrijmë marrëveshjen me Serbinë për normalizim marrëdhëniesh e as për njohje reciproke pa angazhim të fuqishëm të SHBA-së”, u shpreh Isa Mustafa. Kryetari i LDK-së, pas një takimi që zhvilloi me kryesinë e partisë së tij, tha se “dialogu me Serbinë është i papranueshëm përderisa, Serbia e pengon Kosovën në arritjen e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë”, prandaj sipas tij, Presidenti i Serbisë nuk mund të vë kushte.

“Nuk është (presidenti i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq ai që të vë kushte për dialogun dhe për atë që duhet të ndryshojë Kosova në qëndrimet e saj, por është Kosova, e cila duhet të kërkojë të mos vazhdojë dialogu përderisa Serbia nuk e ndërprenë fushatën e saj kundër njohjeve të Kosovës”, tha Isa Mustafa.

Kurti: Thaçi mund të kërkojë azil në Rusi

I ashpër në reagimin e tij lidhur me takimin e Thaçit me Putin, ishte lideri i lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, i cili thotë se “presidenti Thaçi nuk mund të bëjë marrëveshje për Kosovën”. “Pas shumë lëshimeve që i ka bërë Vuçiqit, Thaçi është fotografuar me Putinin. Ai mund të bëjë marrëveshje me të vetëm për kërkesën personale për azil politik në Rusi”, shkroi Albin Kurti.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas kthimit të tij nga Parisi tha se do t’i takojë një nga një udhëheqësit e institucioneve të Kosovës për ti njoftuar me takimet që ka zhvilluar në Paris dhe bisedat që ka pasur lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Presidenti Thaçi vazhdon të këmbëngulë për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Serbinë, ku do të mund të përfshihej edhe korrigjimi i territorit, përkatësisht bashkimi me Kosovën i Luginës së Preshevës. Kjo ide ka ndarë skenën politike kosovare ku partitë opozitare po kërkojnë miratimin e një rezolute në Kuvend që do t’ia “ndalonte”, siç thonë, presidentit të flasë për kufijtë e Kosovës.

Reagon edhe Beogradi

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka komentuar me tone cinike takimin dhe fotografimin e Thaçit me Putinin. Vuçiq tha se presidenti i Kosovës “mund të vrapojë sa të dojë pas Putinit dhe të fotografohet me te”, por Rusia nuk do ta ndërrojë mendimin dhe nuk do ta njohë Kosovën si shtet. Ngjashëm është shprehur edhe ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin.  (dw)

Konfirmohet: Gruevski në Hungari; kërkon strehim politik

GruevskiAutoritetet hungareze kanë konfirmuar se ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ndodhet në Hungari, ku ka këruar strehim politik. Organe përkatëse hungareze e kanë njoftuar Ministrinë maqedonase të Punëve të Brendshsme për këtë.

Zoti Gruevski, i cili kërkohet nga autoritetet e rendit, është paraqitur më herët të martën përmes Fejsbukut, duke bërë të ditur se ndodhej në Hungari ku po kërkon strehim politik.

Në disa ditë të fundit mora kërcënime të shumta me jetë. Tash jam në Budapestë dhe kam kërkuar strehim politik nga autoritetet hungareze. Gjithmonë do të mbetem besnik ndaj kauzës për Maqedoninë. Asnjëherë nuk do të tërhiqem”, shkruhet në statusin e Fejsbukut të Nikolla Gruevskit. Ish-kryeministri maqedonas kishte raporte shumë të mira me kryeministrin hungarez Victor Orban deri sa ishte në krye të qeverisë në Shkup, por edhe më pas.

Ministria e jashtme në Shkup e ka thirrur ambasadorin hungarez në Maqedoni, i cili po ashtu ka konfirmuar ndodhjen e zotit Gruevski në Hungari.

Organet e rendit në Shkup thonë se ish-kryeministri nuk është larguar nga vendi përmes vend-kalimeve zyrtare kufitare. Atij i është konfiskuar pasaporta prej para më tepër se një viti, që kur filluan proceset gjyqësore kundër tij.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ndërkaq duke iu shmangur përgegësisë, ka fajësuar gjykatën penale “që nuk i caktoi Gruevskit masën e paraburgimit, duke ditur se ai mund të arratisej”. Organet maqedonase të rendit thonë se policia nuk mund të ndjek pa autorizim gjyqësor asnjë person.

Ndërsa, gjykata ka njoftuar se nuk ishte kërkuar masë paraburgimi për të akuzuarin Nikolla Gruevski.

Policia ka kontrolluar mbrëmë banesën e zotit Gruevski në Shkup dhe ka ndaluar shumë makina që dilnin nga një garazhë pranë selisë së VMRO-DPMNE-së për të kontrolluar nëse ai fshihej brenda tyre. Autoritetet e rendit prisnin të marrin urdhërin nga gjykatat për ta kontrolluar edhe selinë e partisë më të madhe opozitare të njohur si “Pallati i bardhë”.

Zoti Gruevski, i cili aktualisht është deputet në parlament, nuk është parë që nga e enjtja e kaluar në mbrëmje pasi truprojat e angazhuara nga Ministria e rendit e kishin shoqëruar deri para shtëpisë, pas një procesi gjyqësor që zhvillohej kundër tij. Ministria e Punëve të brendshme të hënën shpalli fletarrest për të dhe ai është në kërkim, megjithëse ende jo ndërkombëtar. Madje njoftimi është shpallur edhe në faqen zyrtare të ministrisë.

Nikolla Gruevski duhet ta vuajë dënimin prej dy vjetësh burg për shkaktë ushtrimit të ndikimit për blerjen përmes një tenderi të jashtligjshëm të një makine Mercedes të blinduar me një shumë prej rreth 600 mjë eurosh, para të buxhetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga ana tjetër, kundër tij zhvillohen edhe katër procese paralele gjyqësore nën akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion, veprime të jashtëligjshme dhe vepra penale. (voa)

Përndryshe tek popullata shqiptare nëpër forume të ndryshme mbizotëron një eufori e pakuptimtë në vend që të ndjehen të mllefosur dhe të revoltuar pasi që ka ikur ende nuk dihet me ose pa marrëveshje me pushtetarët e sotëm dhe me paratë e tona dhe si dëmtues i jashtëzakonshëm i ardhmërisë dhe perspektivës së fëmijëve tanë.

BE teston detektorë zbulues të gënjeshtrave në kufi

detektor genjeshtrashMe anë të inteligjencës artificiale dhe me një test për zbulimin e gënjështrave BE do të lehtësojë punën në kufi dhe të luftojë kriminalitetin. Kritikët dyshojnë dhe i quajnë rezultatet e testeve jo serioze.

Ai që do të dojë të hyjë në BE, në të ardhmen nuk do të takojë në kufi një njeri prej mishi e gjaku, por një nëpunës policie të krijuar nga kompjuteri – ky është plani. Avatari do të verifikojë nga njëra anë dokumentat e udhëtimit, si pasaportën e udhëtimit, vizën dhe dëshminë për mjetet e nevojshme financiare. Nga ana tjetër ai do të bëjë pyetje si nëpunës dogane, si për shembull për përmbajtjen e valixhes ose shkakun e udhëtimit. Përgjigjet do të regjistrohen nga një kamera dhe do të analizohen. Një program kompjuterik i ri do të jetë në gjendje që të dallojë në shprehjet e fytyrës të të intervistuarve, nëse ata thonë të vërtetën.

Nëse programi mendon se udhëtari thotë të vërtetën, kontrolli pasues nga një nëpunës i vërtetë kufiri është i shkurtër. Përndryshe verifikimi që pason është i gjerë. Vitin që vjen, programi kompjuterik do të testohet në kalime të veçanta kufiri në Hungari, Letoni dhe Greqi.

Nëpunësi i kufirit që përfaqësohet nga kompjuteri duke përfshirë një test automatik për gënjeshtra,  është pjesë e projektit kërkimor iBorderControl, në të cilin ndër të tjera bashkëpunojnë policia hungareze, mbrojtja letoneze e kufirit dhe Leibniz Universität Hannover. Synimi është që kontrollet në hyrje të BE të përshpejtohen dhe të bëhen më të sigurta. Çdo vit në BE hyjnë 700 milionë vetë, tendenca është në rritje. Migrantët dhe kriminelët që duan ta kalojnë ilegalisht kufirin synohet që të konstatohen më lehtë përmes sistemit.

“I diskutueshëm nga ana shkencore”.

Ekspertë të pavarur dyshojnë se ky projekt që kushton 4,5 milionë euro do të ketë sukses. Nuk ka dëshmi shkencore që në shprehjet e fytyrës dhe në mimikë mund të dallohen gënjeshtrat, thotë Bennet Kleinberg. Ai është profesor në Institutin e Shkencave Kriminalistike në University College London. Me teknikën e përdorur mund të konstatosh vetëm nëse njeriu është në stres apo jo, thotë ai.

Stresi shpesh është i pashmangshëm në rrugë, për shembull kur do të arrish një fluturim në vazhdim, ose kur ke fëmijë të vegjël me vete, thotë Kleinberg. Kjo sjell me vete rrezikun, që shumë njerëz t’i akuzosh si gënjeshtarë në kufi dhe t’ua nënshtrosh kontrolleve më të imëta, megjithëse i kanë dhënë përgjigje të sinqerta avatarit. Në një test me 30 testues, programi dalloi vetëm 76 përqind të gënjeshtrave.

Problemi kryesor është aspekti etik i komunikimit midis njeriut dhe robotit, thotë profesorja e shkencave juridike në Universitetin Leibniz Hannover, Tina Krügel. “Kur një person pyetet nga një avatar, ai ndodhet në një situatë të panjohur për të. Ka rëndësi që një nëpunës kufiri të mund të reagojë si duhet ndaj personit dhe të mbajë parasysh sfondin kulturor”, thotë ajo.

Pjesëmarrja në test është vullnetare. Në fund rezultatet do t’i përcillen Komisionit Evropian, që do të vendosë nëse detektori do të bëhet pjesë e procedurës së hyrjes në BE.