All posts by V.F.

SHBA e cilëson historike, kurse BE-ja “e befasuar” me marrëveshjen

Logo LufthansaBashkimi Evropian nuk ka qenë i përfshirë fare në arritjen e marrëveshjes në parim për hapjen e linjes direkte ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit, merr vesh Radio Evropa e Lirë nga burime të besueshme brenda institucioneve të BE-së.

Burime të shumta kanë konfirmuar për REL-in se zyrtarët e BE-së kanë marrë vesh përmes mediave se të hënën në Berlin është nënshkruar marrëveshja dhe se ata ishin zënë në “befasi” me këtë informacion.

BE-ja nuk ka reaguar fare të hënën rreth nënshkrimit të marrëveshjes parimore siç ishte praktika e deritashme e Brukselit saherë që kishte njonjë lajm pozitiv që ndërlidhet me marrëdhëniet Prishtinë – Beograd.

Reagimi nga Brukseli erdhi të martën, në konferencën për gazetarë pas pyetjeve të gazetarëve në lidhje me këtë çështje. Aty, zëdhënës i Shefit të diplomacisë evropiane, Peter Stano foli për anën komerciale të kësaj marrëveshjeje.

Zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Joseph Borell, nuk e ka përshëndetur në veçanti marrëveshjen, por ka thënë se ajo paraqet “sinjal pozitiv”.

“BE mbështet të gjitha lidhjet në rajon që forcojnë komunikimin mes njerëzve midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo është një mënyrë për të avancuar normalizimin e marrëdhënies midis Beogradi dhe Prishtina”, tha Stano, sipas të cilit, hapja e një linje ajrore nuk do të ndikojë ose ndryshojë qëndrimin e BE-së për statusin e Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka quajtur fitore marrëveshjen për vendosjen e fluturimeve të drejtpërdrejta mes Kosovës dhe Serbisë.

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka shkruar në profilin në Twitter, se “Presidenti Trump dhe ekipi i tij kanë punuar shumë për të arritur këtë marrëveshje, që është vetëm fillimi i një të ardhme të ndritur për miqtë tanë, Kosovën dhe Serbinë”.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë lëvizje në drejtim të rritjes së rolit të tyre në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duke emëruar ambasadorin e SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar special të presidentit Donald Trump, për negociatat paqësore mes Kosovës dhe Serbisë.

Procesi i bisedimeve i filluar që nga viti 2011 ishte ndërprerë pasi Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar vendosi taksë prej 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina.

JETËSIMI I LINJËS AJRORE PRISHTINË – BEOGRAD

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për hapjen e linjës së fluturimeve direkte Prishtinë – Beograd dhe anasjelltas, Kosova dhe Serbia presin që së shpejti kjo marrëveshje të jetësohet edhe në praktikë.

Marrëveshja për linjën ajrore Prishtinë – Beograd, është nënshkruar më 20 janar në Berlin. Delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi, me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë, kanë nënshkruar marrëveshje me kompaninë gjermane, “Lufthansa”, e cila do të operojë në këtë linjë.

Linja ajrore Prishtinë – Beograd synon të normalizojë hapësirën ajrore dhe trafikun ajror në Kosovë. Vendosja e kësaj linje, sipas një komunikate për media të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, mund të bëhet pas aranzhimeve mes autoriteteve të aviacionit dhe NATO-s në kuadër të mekanizmit për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit Perëndimor.

Drejtori i Agjencisë se Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredini, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, shpreson se shumë shpejtë do të funksionalizohet kjo linjë, ndonëse rikujton se për jetësimin e saj, kanë mbetur edhe disa procedura teknike.

Ai thotë se Aeroporti i Beogradit mund të shfrytëzohet edhe si destinacion për pasagjerë për të udhëtuar në shtete të ndryshme të Evropës dhe botës.

“Pasagjerët kanë të drejtën edhe mundësinë që të zgjedhin destinime të ndryshme përmes aeroporteve të ndryshme. Sigurisht që edhe kjo duhet të jetë një ndër opsionet dhe mundësitë që nëpërmes Aeroportit të Beogradit të fluturohet edhe në destinacione sipas nevojës dhe kërkesës së pasagjerëve. Apo edhe anasjelltas përmes linjave tjera të Beogradit për të ardhur në Kosovë për të zhvilluar aktivitete të ndryshme familjare, biznesore dhe çfarëdo që janë ato”, thotë Nuredini.

Fluturimet ajrore në mes Kosovës dhe Serbisë u ndërprenë në vitin 1999. Atë kohë, Serbia humbi kontrollin mbi Kosovën pas bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 që si synim kishin mbrojtjen e popullatës civile dhe dëbimin e forcave serbe, duke i dhënë kështu fund luftës në Kosovë.

Në lidhje me marrëveshjen e arritur, me të cilën synohet të rihapen fluturimet direkte, Nuredini thotë se fluturimet Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas do të realizohen në rrugët e vjetra ajrore, përkatësisht ato që janë shfrytëzuar para vitit 1999.

Kompania ajrore “Lufthansa” do të operojë në këtë linjë. Rrjedhimisht ky korridor do të shkurtojë edhe kohën e fluturimit. Distanca rrugore nga Prishtina në Beograd është 350 kilometra, rreth katër orë me makinë.

Hashtag: Për apo kundër linjës ajrore Prishtinë-Beograd?

Qytetarët në Kosovë japin mendime të ndryshme lidhur më sigurinë dhe mundësinë e fluturimeve nga Prishtina në drejtim të Beogradit. Safet Beqiri, shprehet se në rast nevoje për udhëtim në Beograd ose ndonjë shtet tjetër, kjo linjë do t’i shkurtonte kohën e fluturimit.

“Linja ajrore në mes Prishtinës dhe Beogradit është e mirë. Unë nëse kam nevojë të shkoj në Beograd normal se e shfrytëzoj linjën ajrore. Më shumë e preferoj linjën ajrore sesa udhëtimin me veturë”, thotë ai.

Edhe Dejan Paviqeviq nga pjesa veriore e Kosovës, thotë se me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, më lehtë mund të udhëtohet për në Beograd

“Më pëlqen vendimi sepse tash mundem më shpejtë të vijë nga Beogradi për në Mitrovicë. Është më lehtë të shkohet edhe në Prishtinë (Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës) me taksi apo autobus. Shkurtohet numri i orëve të udhëtimit. Mua nuk me intereson ana politike, por vetëm gjërat më praktike”, thotë Paviqeviq.

Por, ka edhe qytetarë, si Zepa Elshani, që nuk e preferojnë këtë linjë për të udhëtuar.

“Jo nuk më pëlqen kjo linjë dhe nuk do ta përdori asnjëherë Aeroportin e Beogradit”, thekson ajo.

Kurse Fehmi Kurshumlija, nga komuniteti boshnjak që jeton në komunën e Mitrovicës Veriore, e konsideron marrëveshje të qëlluar.

“Nuk është ide e keqe, pse jo, le të lirohen njërëzit dhe të udhëtojnë të lirë”, thotë ai.

SUBJEKTET EKONOMIKE E MIRËPRESIN HAPJEN E LINJES AJRORE

Krahas udhëheqësve të lartë politik, marrëveshjen e kanë mirëpritur edhe subjektet ekonomike.

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, thanë se e mirëpresin iniciativën e fundit për rinisjen e fluturimeve komerciale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një komunikatë të përbashkët, thuhet se këto Oda konsiderojnë këtë si hap përpara në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe lirisë së lëvizjes së njerëzve dhe mallrave ndërmjet shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Bashkëpunimi ekonomik rajonal vetëm sa do të përmirësonte perceptimin për rajonin në sytë e investitorëve të huaj, prandaj, rinisja e fluturimeve do të ofronte përfitime vitale ekonomike, si dhe do të kontribuonte në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe rajonit në tërësi” .

Tash për tash, të gjitha fluturimet në Prishtinë kryhen vetëm përmes një korridori ajror që lidh Republikën e Kosovës me Maqedoninë e Veriut.

Korridoret e reja do ta shkurtonin kohën e fluturimit për rreth 15-20 minuta, do ta ulnin koston e operimit për kompanitë ajrore, që rrjedhimisht do të duhej të reflektohej në bileta më të lira për udhëtarët tanë.

Kosova ende nuk ka në menaxhim hapësirën e lartë ajrore të Kosovës. Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen teknike ushtarake të vitit 1999, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i misionit të KFOR-it, përkatësisht NATO-s, është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës.

Hapësira e ulët ajrore e Kosovës nën nivelin e fluturimit 205 deri në 6205 metra, menaxhohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës, ndërsa hapësira e lartë ajrore mbi nivelin e fluturimit 205 deri në 6205 metra, është rihapur për fluturimet civile më 3 prill të vitit 2014 dhe është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut në këtë lartësi.

Teknologji e re për transplantimin e mëlçisë

transplatimiNjë teknikë të re kirurgjikale që e bën më të lehtë transplantimin e organeve. Dhuruesit kanë më pak dhimbje, më pak komplikacione dhe shërim më të shpejtë sesa me një procedurë tradicionale.

Më shumë se 14,000 mijë njerëz në Shtetet e Bashkuara janë duke pritur për një transplantim të mëlçisë që do t’u shpëtonte jetën.

Disa janë në fazën e fundit të sëmundjes së mëlçisë. Abraham Aviv nuk është më një prej tyre.

“Më duket sikur jam përsëri ai që isha, njeri normal”.

Mëlçia është një nga pak organe që një njeri i gjallë mund të dhurojë për dikë tjetër që e ka të nevojshme.

“Një në çdo pesë pacientë nuk arrijnë të marrin një organ të ri, pra 25 përqind e njerëzve në atë listë vdesin”, thotë Nikko Velazquez, dhurues organi.

Nikko Velazquez, i dashuri i vajzës së Abraham Avivit, i trembej këtyre gjasave. Ai vendosi të testohej kur mësoi se anëtarët e familjes nuk kishin parametrat e duhur mjekësorë për të qënë dhurues.

“Thashë me vete, koha po kalon. Mjaft më, duhet ta bëjmë këtë punë… më thanë se isha personi i duhur për të dhuruar mëlçinë dhe ishte e pabesueshme”, thotë Nikko Velazquez.

“Nuk mund ta besoja që babai im do të kishte një mëlçi të re dhe do të ishte përsëri i shëndetshëm”, thotë Shiri, e bija.

Doktor Choon Huck Kwon thotë se një procedurë e re kirurgjikale në Klinikën Cleveland e bën transplantimin më të sigurt dhe më të lehtë për dhuruesit si Nikko.

Me këtë metodë, kirurgët janë në gjendje të kryejnë operacionin duke përdorur mjete shumë më të vogla dhe një aparat fotografik.

“E kryejmë gjithë procedurën përmes prerjeve shumë të vogla. Për të nxjerrë organin, bëjmë një prerje ndoshta 12 cenritetra ose më pak mbi zonën e legenit”, thotë mjeku.

Dhuruesit kanë më pak dhimbje, më pak komplikacione dhe shërim më të shpejtë sesa me një procedurë tradicionale.

Dhe mëlçia e një dhuruesi dhe marrësi menjëherë fillon të shërohet pas operacionit. Pjesa e mëlçisë së dhuruar – në këtë rast 33% – rigjenerohet përsëri në madhësi të plotë, në më pak se 8 javë.

“Dy javë më vonë, më duket sikur nuk kam kryer fare operacion,. Është e habitshme”, thotë Nikko.

Qëllimi i doktor Kwon është të zgjerojë programin e Klinikës Cleveland dhe të rrisë disponueshmërinë e kësaj teknologjie. Ndërsa qendrat e mëdha mjekësore në Azi e kryejnë rregullisht këtë procedurë, Klinika Cleveland është vetëm qendra e dytë mjekësore në Sh.B.A që e ofron atë. Dhe Dr. Kwon është një nga një pjesë e vogël e kirurgëve në botë që mund të përdorin këtë teknikë. Ai dhe Nikko shpresojnë se kjo procedurë do të inkurajojë njerëz të tjerë të bëhen dhurues të mëlçisë.

 

voa

Numri në rritje i vdekjeve nga ndotja në botë

NdotjaNdotja vret tre herë më shumë njerëz sesa SIDA, tuberkulozi dhe malarja së bashku, sipas vlerësimeve më të fundit. Ajo është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve. Por çështja e ndotjes është lënë pas dore në pjesën më të madhe të botës, megjithë numrin e madh të viktimave që shkakton. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Baragona sjell hollësitë.

Ajri dhe uji i ndotur, helmimi nga plumbi, dhe vendet e ndotura të punës llogaritet se kanë shkaktuar vdekjen e 8.3 milion njerëzve në vitin 2017.

Ky është një numër shumë më i madh se sa ai i vdekjeve të shkaktuara nga duhani, alkooli, dhe droga. Numri i vdekjeve nga ndotja është më i lartë madje edhe se ato të shkaktuara nga dieta, sëmundjet infektive dhe luftërat.

Por kjo çështje merr më pak vëmendje se të gjithë shkaktarët e tjerë të vdekjeve në pjesën më të madhe të botës.

Këto të dhëna janë pjesë e një raporti të ri të Aleancës Globale për Shëndetin dhe Ndotjen, në publikimin e të cilit janë përfshirë studiues, ministri të shëndetësisë, OJQ, dhe Kombet e Bashkuara. Rachael Kupka është drejtore ekzekutive e kësaj organizate.

“Raporti thekson se kriza globale e shëndetit, në të vërtetë, është ende e nënvlerësuar, nuk trajtohet mirë, dhe nuk merr fonde të mjaftueshme.”

Raporti thotë se ndotja nga burimet tradicionale si sobat dhe sistemet e dobëta të ujrave të zeza po bie, ndërsa ndotja moderne nga fabrikat, automjetet dhe kimikatet toksike është në rritje.

Zonja Kupka thotë se investimet ndërkombëtare janë përqendruar në trajtimin e ndotjes tradicionale.

“Ka patur shumë investime në përmirësimin e furnizimit me ujë dhe kanalizimet. Kështu që numri i vdekjet nga këto burime po bie, ndërsa

ndotja nga elementët modernë nuk ka marrë të njëjtën sasi fondesh dhe vëmendje.”

India dhe Kina kishin numrin më të lartë të vdekjeve të lidhura me ndotjen, të pasuara nga Nigeria, Indonezia dhe Pakistani. Shtetet e Bashkuara radhiten në vendin e shtatë.

“Ka vende nga pothuajse çdo rajon i botës që janë në listën e vendeve me numrin më të lartë të vdekjeve nga ndotja. Të gjitha rajonet janë të ndikuara nga kjo. Nuk ka rëndësi se ku je”.

Ndotja e ajrit ishte vrasësi kryesor, duke përbërë 40 për qind të numrit global të vdekjeve.

Zonja Kupka thotë se lajmi i mirë është se tashmë ekzistojnë masa që mund të ndihmojnë në zvogëlimin e ndikimit të ndotjes.

“Ne shohim një grup problemesh që nuk janë vetëm për një vend. Ka gjëra me kosto efektive që vendet, komunitetet, qytetet mund të bëjnë për të pakësuar sëmundjet e shkaktuara nga ndotja.”

Autoritetet mund të miratojnë dhe të zbatojnë rregulla për kontrollin e çlirimit të gazeve të dëmshme nga automjetet dhe oxhaqet, përdorimin e pajisjeve personale mbrojtëse për punëtorët dhe masa të tjera që tashmë janë në fuqi në shumë vende.

Evropa Greqi: Dhunë e re e ekstremistëve të djathtë

Thomas JacobiGazetari i DW-s, Thomas Jacobi pas sulmit

Sulmi i fundit ndaj gazetarit të Deutsche Welles, Thomas Jacobi në Athinë e bën të qartë: Në Greqi ekstremistët e djathtë vazhdojnë të mbeten mbeten një rrezik latent.

Më kot ta kërkosh qendrën e partisë neonaziste greke, “Agimi i Artë” në bulevardin Mesogeion, të ngarkuar me trafik në veri të Athinës. Vila e dikurshme pompoze sot është bosh, në godinat përreth njëri-pas tjetrit hapen dyqane me çmime të leverdisshme, ekstremistët e djathtë ka kohë që janë larguar. Arsyeja: Që nga dështimi në zgjedhjet e kaluara në korrik, “Agimi i Artë” nuk është më i përfaqësuar në Parlamentin e Athinës, burimet financiare kanë shteruar, paratë nuk mjaftojnë as për të paguar qiranë e zyrave.

Në kohë krize neonazistët u ngjitën në forcën e tretë politike në Greqi, por ndërkohë duket se partisë po i vjen fundi, jo vetëm sepse disa krerë të saj duhet të përgjigjen para drejtësisë për “krijimin e një organizate kriminale”. Procesi filloi në vitin 2014, pasi një anëtar i kësaj partie qëlloi me thikë muzikantin Pavos Fyssas në Pire. Prokurorja e Athinës në fund të vitit 2019 është shprehur, se nuk ka prova të mjaftueshme për akuzën e “organizatës kriminale”, por kjo nuk do të thotë, se autorët do të mbesin pa ndëshkuar. Sipas qëndrimit të prokurorisë bëhet fjalë për akte të veçuara penale. Në një kohë që ka zëra kritikë ndaj këtij qëndrimi, kreu i partisë, Nikos Mikaloliakos gëzohet për gjoja rehabilitimin. Menjëherë në kalendarin e vitit 2020 të “Agimit të Artë” është vendosur mbishkrimi; “Ne po kthehemi, dhe toka do të dridhet.” Të dielën (19.01) vërtet që esktremistët e djathtë u kthyen, duke demonstruar kundër politikës së refugjatëve të qeverisë hreke. Pikërisht këtë ditë sulmohet edhe gazetari gjerman, Thomas Jcobim që punon për media franceze dhe Deutsche Wellen. Një “comeback” i djathtistëve?

Agresorët ende kërkohen

Duket se nuk ka dyshime, që ishin ekstremistë të djathtë ata që e sulmuan gazetarin, Thomas Jacobi. Por nëse ata kanë qenë edhe anëtarë të “Agimit të Artë”, kjo nuk është e qartë, për shkak se policia nuk ishte në gjendje të ndërhynte menjëherë dhe të kapte autorët. Thomas Jacobi i tha Deutsche Welles, se një grup djemsh e kanë sulmuar duke i thënë, se e kanë njohur, që ishte ai, që ka xhiruar një dokumentar për “Agimin e Artë”. Bëhet fjalë për filmin “Agimi i Artë –  një çështje personale”, film që është nderuar edhe me çmim. Së bashku kolegen franceze, Angelique Kourounis, Jacobi e ka xhiruar filmin për t’i bërë publike strukturat kriminale të partisë. Aktualisht ata punojnë për ta vazhduar këtë dokumentar.

“Agimi i Artë” ndryshon taktikën

A po marshojnë në Greqi ata që jetojnë përjetësisht me të shkuarën? Politologja, Vasiliki Georgiadou që hulumton mbi ekstremizmin e djathtë thotë për DW, se “nuk ka të dhëna që flasin për një forcim të Agimit të Artë.” Por kjo parti është ende forca dominuese brenda lëvizjeve ekstremiste të djathta. Ka një spektër të gjerë të pozicioneve ekstremiste të djathta, që nuk përfaqësohen nga “Agimi i Artë”. Zakonisht këta aktorë janë në konkurrencë me njëri-tjetrin, pro kjo nuk përjashton vendosjen e kontakteve, shpjegon Georgiadou. Së bashku me studiuesit kostas Roumanias dhe Lambrini Rorri ajo ka dokumentuar aktivitetet e grupimeve ekstremiste të djathta në Greqi. Konkluzioni: “Pika kulmore e dhunës ekstremiste të djathtë u arrit në vitin zgjedhor 2012, kur “Agimi i Artë” për herë të parë arriti të hyjë në parlament. Menjëherë pas fillimit të procesit gjyqësor në vitin 2014, ra dukshëm numri i akteve të dhunës ekstremiste të djathtë, por në vitet e mëvonshme shënojmë një rritje  tjetër të këtyre akteve të dhunës dhe në mënyrë të vazhdueshme deri në vitin 2018.”

Shqetësuese është rritja e dhunës esktremiste të djathtë në disa ishuj të Egjeut, ku mbërrijnë refugjatë dhe migrantë. Për identitetin e saktë të autorëve të këtyre akteve vetëm mund të spekulohet. Vitet e kaluara, “Agimi i Artë” ka bërë thirrje të hapur për dhunë. Kjo ka ndryshuar tani “Në disa raste mediat lokale raportojnë për simpatizantë të “Agimit të Artë” që veprojnë kundër refugjatëve”, thotë Georgiadou. Por vetë partia hesht për këto sulme. Sipas ekspertes, “ose në spektrin e djathtë janë aktive grupime të reja ekstremistësh, ose anëtarët e “Agimit të Artë” duan ta fshehin identitetin e tyre.”

dw

Shkon në 200 numri i të infektuarve në Kinë me virusin e ri

Virusi KineAutoritetet shëndetësore në Kinë konfirmojnë se edhe 136 raste të reja të infektimit me virusin e ri të organeve të frymëmarrjes, janë identifikuar në qytetin Wuhan. Kjo e çon në 200 numrin total të pacientëve. Me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes, shumë shtete filluan ekzakiminim e udhëtarëve në aeroporte. Virusi që ka simptomat e një gripi, është i ngjashëm me virusin SARS i cili ishte përhapur në vitin 2003 në Kinë, duke shkaktuar vdekjen e 800 personave.

Tre persona humbën jetën në Kinë nga një virus i ri i rrugëve të frymëmarrjes.

Komisioni Shëndetësor Komunal në qytetin Wuhan ku edhe besohet se ka zanafillën ky koronavirusi, deklaroi se numri i të prekurve është rritur në 200 pacientë, duke përfshirë dy raste tp reja në Pekin dhe një në Shenzhen në jug të Kinës.

Njoftohet se shumica e rasteve janë të lehta.

Doktorët e qytetit të shtatë për nga numri i banorëve, përmes rrezatimeve po mundohen të identifikojnë rastet e dyshuara për pneumoni.

Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për kujdes, por thonë se nuk ka arsye për panik.

“Për momentin, pacientët e shtrirë në klinikë kanë simptoma të lehta. Kemi kontrolluar 763 persona dhe prej tyre 681 janë liruar. Me aplikimin e masave të ndryshme parandaluese situata me epideminë mund të kontrollohet”, tha doktori Li Gang, Drejtor në Qendrën e Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve në qytetin Wuhan.

Organizata Botërore e shëndetësisë njoftoi në rrjetin social Twitter se ka prova të kufizuara të bartjes së virusit nga një person tek një tjetër, por nuk sugjeron që të ndalohet udhëtimi në Kinë.

Ekspertë shëndetësor në Kinë dijnë pak për virusin e ri, sidomos për mënyren e bartjes. Dyshojnë se përhapja e virusit u bë nga një dyqan i ushqimeve të detit në Wuhan, në të cilin shitej mish i kafshëve tjera si shpendë, lakuriq, brejtës dhe lloje tjera. Por disa pacientë thonë se nuk ishin klientë.

Qendra amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e sëmundjeve filloi ekzakiminimin e udhëtarëve nga Wuhan në tri aeroporte, atë në San Francisko, Los Anxhelos dhe Nju Jork.

Aeroportet në Japoni, Tajlandë, Kore e Jugut dhe Singapor po veprojnë njëjtë.

Autoritetet e shëndetit në Kinë dhe ShBA janë të shqetësuar sepse pritet që 1.4 miliard kinez të udhëtojnë drejt Kinës për Vitin e Ri Hënor që fillon më 25 janar.

Koronavirusi është pjesë e një familjeje të gjerë virusesh që mund të shkaktojë sëmundje si një e ftohur e deri në sindromë akute në rrugët e ftymëmarrjes.

Gripi SARS, që filloi poashtu në Kinë, shkaktoi vdekjen e 800 personave, para 17 viteve.

Nga 198 pacientët e konfirmuar tashmë, 28 janë shëruar ose liruar, ndërsa 170 mbeten në spital. 126 prej tyre janë me simtoma të lehta, 35 janë në gjendje të rëndë ndërsa 9 janë në situate kritike.

Varhelyi në Shkup: Presim nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE

VarhelyiKomisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, deklaroi të mërkurën në Shkup se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Pas takimit me kryeministrin maqedonas, Oliver Spasovski, Varhelyi tha se pret që vendet anëtare të BE-së të marrin një vendim para samitit BE-Ballkani Perëndimor, që pritet të mbahet në Zagreb në muajin maj.

“Kam një lajm të mirë për integrimin e Ballkanit Perëndimor: procesi do të vazhdojë. Për ta bërë këtë, ne duhet t’i shpejtojmë proceset dhe t’i bëjmë ato më të sigurta. Për Komisionin e ri (Evropian), zgjerimi nuk është një tabu, ai është një përparësi. Punën time do t’ia përkushtoj arritjes së zgjerimit”.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme për negociata, nuk ka asnjë ndryshim në atë qëndrim. Ne duhet t’i fillojmë negociatat e pranimit me këto dy vende”, tha Varhelyi, duke dhënë vlerësime pozitive për punën e bërë në kursin e reformave, por edhe duke theksuar nevojën për miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike në Maqedoninë e Veriut.

Ai po ashtu tha se zbatimi i Marrëveshjes së Prespës me Greqinë – për ndryshimin e emrit – dhe Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë mbetet thelbësor, pavarësisht se kush do të udhëheqë qeverinë e ardhshme në Maqedoninë e Veriut.

“Dua ta lavdëroj Maqedoninë e Veriut për atë që ka bërë deri më tani. Shteti ka qenë shumë këmbëngulës në negociata, falë të gjitha qeverive. Ekziston një konsensus kombëtar dhe shpresoj se do të vazhdojë dhe të ndihmojë në sfidat që do të vijnë me negociatat e pranimit. Reformat duhet të zbatohen. Prioritet duhet t’i jepet Ligjit për Prokurorinë Publike dhe shpresojmë që ai të miratohet nga parlamenti aktual. Shpresoj që të kemi një partner të besueshëm në qeveri”.

“Unë kam shprehur gatishmërinë time për të bashkëpunuar me këdo që udhëheq qeverinë. Është gjithashtu e rëndësishme për të zbatuar Marrëveshjen e Prespës, pa marrë parasysh se kush do të drejtojë qeverinë”, tha Varhelyi.

Maqedonia e Veriut mban zgjedhjet parlamentare në muajin prill.

Nga ana tjetër, kryeministri Oliver Spasovski tha se Varhelyi e ka njoftuar se Komisioni Evropian, deri në fund të muajit, do të dalë me një metodologji të re për negociatat e pranimit.

Në tetor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian nuk e ka miratuar nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me gjithë rekomandimin e Komisionit Evropian se ato i kanë përmbushur kushtet.

Vendimi është bllokuar nga Franca, e cila ka kërkuar reforma të mëtejshme nga dy vendet, por edhe reformim të procesit të zgjerimit.

rel

Në Kosovë shënohet përvjetori i masakrës së Reçakut

Recaku 1Shtetet e QUINT-it përkujtuan masakrën e Reçakut dhe kërkuan drejtësi. Presidenti serb Vuçiq ditë më parë masakrën e Reçakut e cilësoi trillim.

Kosova përkujton sot masakrën e Reçakut, ku 21 vjet më parë forcat serbe vranë 45 banorë të fshatit. Me 15 janar të vitit 1999, forcat serbe në fshatin Reçak ndanë meshkujt nga familjet e tyre dhe më pas ata u gjetën të ekzekutuar në një mal në afërsi të fshatit. Nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ambasadori amerikan William Walker, vrasja e 45 civilëve të Reçakut u cilësua krim kundër njerëzimit. Masakra e Reçakut shënoi edhe kthesën e luftës së Kosovës, sepse bota demokratike, pas përpjekjeve të dështuara diplomatike për një marrëveshje me Serbinë, me 24 marsfilloi fushatën 78 ditëshe të bombardimeve të NATO-s.

Kjo fushatë e detyroi Serbinë të tërheqë trupat nga Kosova, ku me 10 qershor 1999 filloi vendosja e trupave të NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK). 21 vjet pas masakrës së Reçakut, serish u ashpërsua retorika politike Kosovë-Serbi, pas një deklarate të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili këtë masakër e cilësoi si një ngjarje “të fabrikuar nga një mashtrues, siç është William Walker, për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s”. Një gjykatë në Prishtinë e shpalli fajtor ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq, duke e dënuar me dy vjet burg, për një deklaratë që e kishte bërë në vitin 2018, kur masakrën e Reçakut e quajti “trillim”.

“Vuçiqi si Millosheviqi”

WalkerWilliam Walker po qëndron në Kosovë në përvjetorin e masakrës së Reçakut. I pyetur për deklaratat e Presidentit të Serbisë Vuçiq, ai tha: “Kur njerëzit më pyesin për reagimin tim lidhur me deklaratat e presidentit Vuçiq që më thërret gënjeshtar, duke thënë se Reçaku nuk ka ndodhur, reagimi im është që po dëgjoj edhe njëherë fjalët e Sllobodan Millosheviqit”. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, i gjykuan ashpër deklaratat e Presidentit Vuçiq, lidhur me masakrën e Reçakut duke thënë se “e ardhmja nuk mund të ndërtohet duke mohuar krimet e luftës”.

Në 21 vjetorin e masakrës së Reçakut, shtetet më të industrializuara QUINT, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, me një deklaratë të përbashkët përkujtuan viktimat.

Kërkesat e QUINTIT

“Ne e nderojmë kujtimin e atyre që humbën jetët në Reçak dhe masakrat e tjera në Kosovë dy dekada më parë, duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe mirëqenies për brezat e ardhshëm”, thuhet në deklaratën e QUINT. Këto vende kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që viktimat dhe familjet e tyre të kenë qasje të plotë në drejtësi.

“Qeveria e Kosovës dhe qeveria e Serbisë duhet të sigurojnë që viktimat dhe familjet e tyre kanë qasje të plotë në drejtësi dhe në informatat për fatin e më të dashurve të tyre. Qytetarët e të gjitha etnive dhe besimeve duhet të ndjehen si në shtëpinë e tyre, të jenë të lirë për të jetuar, punuar dhe besuar në paqe me fqinjët e tyre. Siç edhe thotë Deklarata e Pavarësisë së këtij vendi, Kosova është një vend “i përkushtuar për të përballuar trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës së fundit në një frymë pajtimi dhe faljeje. Të përkushtuar për mbrojtjen, promovimin dhe nderimin e larmisë së popullit tonë.” Qëllimi ynë i përbashkët është të mbështesim vazhdimisht Kosovën në këtë rrugë”, përmbyllë deklaratën QUINT.

Që nga viti 2011 Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për përmirësimin e marrëdhënieve dhe kanë nënshkruar një sërë marrëveshjes. Temë e bisedave ishte edhe gjetja e trupave të mbi 1600 personave të vrarë gjatë luftës që akoma cilësohen të zhdukur. Shumica e këtyre trupave të zhdukur janë shqipëtar të Kosovës.

dw

Hap drejt zhbllokimit të politikës në Shqipëri

KuvendiNë marrëveshjen e gjerë politike për reformën zgjedhore në Shqipëri, palët politike angazhohen për kryerjen e saj deri në 15 mars të këtij viti. Marrëveshja u përshëndet edhe nga faktori ndërkombëtar.

Marrëveshja politike, që u  arrit të martën (14.01.2020)  pritet të zhbllokojë ngërҫin qeveri-opozitë në kryerjen e reformës zgjedhore dhe të krijojë premisa për daljen nga kriza politike dhe institucionale një vjeҫare, ku ka ngecuar Shqipëria. Për herë të parë në 10 vitet e fundit në këtë marrëveshje nuk përfshihen vetëm dy partite e mëdha, Partia Socialiste (PS) dhe Partia Demokratike (PD) që në rreth 3 dekada post-komuniste janë këmbyer në rotacionin e pushtetit. Marrëveshja politike e 14 janarit përfshin 4 palë: PS qeverisëse, opozitën jashtë parlamentit të përfaqësuar nga PD dhe LSI si edhe opozitën e re parlamentare.

Marrëveshja është konkretizuar në një dokument të firmosur nga përfaqësues të PS, PD dhe LSI ku palët  marrin përsipër të bashkëpunojnë, negociojnë dhe kryejnë reformën zgjedhore. Palët kanë rënë dakord që reforma të diskutohet dhe vendoset jashtë parlamentit, në tryezën politike të partive dhe produkti i saj konsensual të miratohet pa ndryshime nga Parlamenti. Marrëveshja thekson se reforma zgjedhore do të përfundojë jo  më vonë se 15 marsi i këtij viti.

Për kryetarin e PD dhe opozitës jashtë parlamentare, Basha, miratimi sa më parë me konsensus i reformës “është rruga për daljen nga kriza politike,  me kusht që reforma të zbatohet për herë të pare në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë” tha ai të marten.

Marrëveshja nuk u firmos nga deputetja demokrate dhe njëherazi bashkëkryetare e Komisionit Parlamentar për Reformën zgjedhore, Rudina Hajdari, që përfaqësoi opozitën e re demokrate në tryezën e partive, ngaqë, siç u shpreh ajo para mediave “duhet ta bisedoj paraprakisht me grupin tim parlamentar pasi marrëveshja ka disa mangësi”. Në një deklaratë ekskluzive për DW, deputetja Hajdari e vlerëson marrveshjen si “fillim të dialogut me të gjitha palët politike, brenda dhe jashtë parlamentit.” Marrëveshja garanton një proces sa më transparent, sa më gjithëpërfshirës dhe me konsensus të gjerë mes palëve” tha ajo për DW.

Konsensus – fjala kyç

Konsensusi i gjerë si tipar i domosdoshëm në kryerjen e reformës zgjedhore nuk vihet tani në dukje. Bundestagu gjerman në rezolutën e tij për Shqipërinë, në shtatorin e kaluar, e vendos atë në vendin e tretë ndër 9 pika, që Shqipëria duhet të plotësojë për të dalë nga kriza dhe merituar hapjen potenciale me BE të negociatëve të pranimit, në pranverën e sivjetme. Në marrëveshjen e sapo nënshkruar theksohet, se ”palët e përfshira angazhohen të adresojnë me konsensus të gjitha ҫështjet e administrimit të zgjedhjeve përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”. Nëse kjo ndodh vërtet dhe nga vullneti për konsensus i shprehur në letër kalohet në praktikë, atëhere  kjo do të shënojë fillimin e besimit të ndërsjelltë mes palëve të dëmtuar keqazi gjatë një viti konflikti të egër politik.

A përfshin marrëveshja ndryshimin e sistemit zgjedhor?

Ndryshimi i sistemit zgjedhor nga ai proporcional rajonal me lista të mbyllura kandidatësh për deputetë të caktuara nga kryetarët e partive në lista të hapura të propozuara nga qytetarët është kërkuar nga partitë e vogla dhe shoqëria civile si jetik për demokracinë. Dy forcat kryesore, PS dhe PD e kanë bërë të qartë që nuk synojnë ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor, të arritur nga marrëveshja Rama- Berisha në vitin 2008.

Deputetja demokrate Rudina Hajdari thotë për DW se „ ndryshimi i sistemit zgjedhor do të përfshihet patjetër në bisedimet e palëve”. „Opozita parlamentare vazhdon t’i qëndrojë propozimit për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke e parë si të vetmen mundësi për daljen nga kriza politike, si dhe për t’u dhënë mundësinë  qytetarëve të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre në Parlament. Ndryshimi i sistemit zgjedhor, hapja e listave, është thelbësor në reduktimin e e pushtetit absolut të kryetarëve të partive në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, pushtet ky që cënon demokracinë në cdo hallkë”, thekson ajo për DW.

Marrëveshje e përshëndetur nga faktori ndërkombëtar

SHBA në përshëndetjen e tyre përmes një deklarate zyrtare të ambasadës amerikane nëTiranë theksojnë që “reforma do të forcojë demokracinë shqiptare. Ne shpresojmë që palët të vijojnë të ecin përpara me këtë frymë aktuale bashkëpunimi, për t’u siguruar që zgjedhet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni”, thekson deklarata.

Ambasadori i delegacionit të BE në Shqipëro, Luigi Soreca e përshëndeti marrëveshjen politike „si një arritje të rëndësishme për rikthimin e stabilitetit politik në Shqipëri dhe të ardhmen europiane të qytetarëve shqiptarë”. Prania e OSBE-së në Tiranë e vlerëson marrëveshjen politike si „hapin e parë të rëndësishëm drejt një reforme të plotë dhe në kohën e duhur, që do të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në dobi të të gjithë qytetarëve shqiptarë”. Kurse kryeministri Rama e konsideron marrëveshjen si „ një rikthim të arsyeshëm në tryezën e dialogut për shkallën e parë të Reformës Zgjedhore, ku të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR-it do të integrohen në Ligjin Zgjedhor”.

dw

A do të nxisin protestat në Iran një kryengritje popullore?

protestat iranProtestat e iranianëve të irrituar prej rrëzimit aksidental nga ushtria të aeroplanit ukrainas, duket se sinjalizojnë një pakënaqësi më të thellë ndaj qeverisë. Demonstratat nisën pasi zyrtarët iraniane pranuan se e kishin goditur avionin duke vrarë të 176 personat në bord, shumica e tyre iranianë. Incidenti duket se ka larguar zemërimin e publikut nga SHBA-ja lidhur me vrasjen e gjeneralit të lartë iranian Qassem Soleimani, duke e orientuar atë më shumë drejt udhëheqësve të vendit e politikës së tyre shtypëse ndërsa ekonomia vuan nën sanksionet amerikane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Brian Padden zbërthen nëse protestat sinjalizojnë fillimin e një revolte popullore.

Ndërsa protestat nxorrën në rrugë qindra studentë që denoncojnë udhëheqësit islamikë të Iranit, analistët thonë se është shumë herët të thuhet nëse ky është fillimi i një kryengritjeje popullore.

Mendoj se demonstratat, sado të mëdha të jenë, në të vërtetë nuk janë aq të mëdha e nuk ka të ngjarë të përhapen shumë më tepër“, thotë Michael O’Hanlon, i Institutit Brookings.

Protestat të drejtuara kryesisht nga studentët filluan kur zyrtarë iranianë pranuan se kishin rrëzuar gabimisht aeroplanin ukrainas më 8 janar duke shkaktuar vdekjen e gjithë udhëtarëve në bord.

Këtë javë Irani njoftoi arrestimin e disa personave në lidhje me ngjarjen. Incidenti ndodhi gjatë së njëjtës natë që ushtria iraniane nisi një sulm me raketa kundër një baze ushtarake amerikane në Irak, si hakmarrje për vrasjen e gjeneralit të lartë iranian Qassem Soleimani.

Një video që është shpërndarë gjerësisht në mediat sociale tregon demonstrues tek shkulin foton e gjeneral Soleimanit e përpiqen t’i largohen sulmit me gaz lotsjellës të policisë. Autoritetet kanë arrestuar një numër të madh protestuesish.

Protestat shpërthyen pas një funerali masiv për nder të Qassem Soleimanit ku shumë prej të pranishmëve thërrisnin për hakmarrje kundër Amerikës.

Protestat e fundit antiqeveritare pasojnë ato të muajit nëntor, pasi autoritetet njoftuan një rritje prej 50 për qind të çmimit të benzinës. Në disa prej tyre, forcat e sigurisë qëlluan ndaj demonstruesve të paarmatosur.

Regjimi ka një histori të konsiderueshme të përgjigjes së fortë sa herë që kërcënohet. Duhet pritur të shihet nëse këto protesta në ndonjë lloj mënyre e kanë kapërcyer atë lloj kërcënimi“, thotë William Wechsler, i Këshillit Atlantik.

Sanksionet e vendosura nga Uashingtoni me qëllimin për ta detyruar Teheranin të ndalë programin e raketave balistike e t’i japë fund mbështetjes së milicisë në rajon e kanë dëmtuar rëndë ekonominë iraniane gjë që po nxit trazira. Por analistët thonë se sanksionet kanë ndikuar gjithashtu në rritjen e ndjenjës antiamerikane.

“Iranianët mendojnë se kanë ngecur mes një Amerike me sjellje tejet agresive dhe represionit të fortë të Republikës Islamike, e që në thelb asnjë prej këtyre qeverive nuk interesohet vërtet për ta”, thotë Ali Vaez, i Grupi Ndërkombëtar të Krizave.

Teherani nga ana e tij mbetet sfidues, duke njoftuar se nuk do t’i përmbahet më marrëveshjes bërthamore që kufizon normat e pasurimit të uraniumit, një veprim që mund të shkaktojë të tjera sanksione ndërkombëtare.

voa

LDK thotë se i ka paraqitur LVV-së ofertën për bashkëqeverisje

Albin Kurti MustafaLidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj hipotezave dhe supozimeve të publikuara rreth diskutimeve pas takimit LVV -LDK, takim ky që përfundoi pa marrëveshje.

Në reagimin e LDK-së thuhet se të gjitha hipotezat e supozimet janë të pavërteta.

LDK thotë se i ka paraqitur ofertën Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëqeverisje.

“Të gjitha supozimet dhe hipotezat që po qarkullojnë sonte nëpër medie rreth diskutimeve të sotme në mes të LDK dhe LVV janë të pavërteta. LDK, në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur marrëveshje, i ka paraqitur ofertën LVV-së për bashkëqeverisje”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me këto spekulime kishte reaguar edhe anëtari i Vetëvendosjes, Arbër Zaimi, i cili tha se në tavolinën e bisedimeve kishte opsione të reja, dhe se marrëveshja do të marrë pak më shumë kohë.

LVV-LDK dhe edhe pas më shumë se tre muaj të mbajtjes së zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit, nuk kanë arritur marrëveshje rreth formimit të koalicionit qeverisës. /Telegrafi/