All posts by V.F.

RAPORTI I MUSTAFËS NUK KËNAQ OPOZITËN

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, është përballur sot me deputetët e opozitës në Kuvendin e Kosovës, derisa ka raportuar për marrëveshjen për drejtësi e arritur me 10 shkurt në Bruksel.Ndonëse kryeministri arsyetoi të mirat e kësaj marrëveshje, ai nuk ka arritur të bind opozitën.

Mustafa tha se kjo marrëveshje për të cilën është zhvilluar një dialog i gjatë ruan sistemin unik të drejtësisë në vend, duke numëruar një nga një parimet themelore të dialogut dhe arritjes së marrëveshjes për drejtësi.

“Të gjitha zgjidhjet janë arritur në suaza të kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe asnjë zgjidhje e pranueshme nuk kërkon ndryshimin e ligjeve por vetëm zbatimin e këtyre ligjeve në territorin e Kosovës. Parimet themelore të dialogut për drejtësi kane qenë. Sistemi unik i gjyqësorit , përkatësisht një gjykatë themelore për tërë rajonin e Mitrovicës siç është e paraparë me ligj, respektivisht një prokurori themelore. Gjyqtarët dhe prokurorët punojnë së bashku dhe jo të ndarë mbi baza etnike. Aspekti fizik i gjykatave të rregullohet në mënyrë praktike substancionale, që rastet penale të trajtohen në objektin e gjykatës në veri, ndërsa që rastet civile në objektet e gjykatës themelore në jug”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij në kjo marrëveshje është nënshkruar që kryeprokurori të jetë shqiptarë, ndërsa kryetari i gjykatës të jetë serb, ndërsa numri i stafit tjetër administrativ të jetë i përafërt me numrin e banorëve që përfaqësojnë etnitë e caktuara, dhe se me këtë marrëveshje është kërkuar që të shuhen strukturat tjera paralele në veri të vendit.

Ai ka thënë se me arritjen e kësaj marrëveshje fiton drejtësia në vend.

“Me marrëveshjen e arritur nuk ka palë fituese e humbëse. Ka fituar drejtësia. Prandaj konsideroj se kanë fituar të gjitha palët. Kanë fituar të gjithë qytetarët, ka fituar integriteti dhe sovraniteti i vendit tonë”, ka thënë Mustafa.

Gjatë raportimit të tij në Kuvend, Mustafa ka thënë po ashtu se në fazat e mëvonshme pritet që të diskutohet për çështjen e të pagjeturve, për kompensimin e dëmeve të luftës, për kthimin e dokumenteve të marra në Serbi, etj.

Marrëveshjen për drejtësi të arritur në Bruksel e kanë mbështetur PDK dhe LDK. Mirëpo Enver Hoxhaj nga PDK ka thënë se për shkak të përvojave të kaluar me Beogradin dyshon për atë se këto marrëveshje do të zbatohen nga Beogradi.

Në anën tjetër më e fuqishme në kundërshtim ka qenë Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se me të bëhet ndarje e sistemit të drejtësisë.

Visar Ymeri nga Vetëvendosje ka thënë se vet kryeministri Mustafa nuk po i beson fjalëve të tij për atë se çfarë është arritur në Bruksel, e lëre më që kjo të besohet edhe nga deputetët e kuvendit të Kosovës.

Ai edhe njëherë theksoi faktin se deputetët nuk e dinë se çfarë përmban teksti i marrëveshjes, përderisa ka pyetur Isa Mustafën se: Në këtë marrëveshje a thuhet Isa Mustafa Kryeministri i Kosovës, apo është marrëveshje e arritur personalisht?.

“Flamuri i Kosovës nuk është aty, ai bien kjo tash që Isa Mustafa nuk e pranon flamurin e Kosovës. Nashta. Po dorën në zemër aty Brukseli nuk po e qetë flamurin e Kosovës sepse Brukseli nuk e konsideron Kosovën si shtet, edhe rrjedhimisht Isa Mustafa aty nuk po shkon as si kryeministër i Kosovës po as si kryeministër i Republikës së Kosovës”, ka thënë Ymeri.

Ai i ka rikujtuar Mustafës marrëveshjen e arritur me 10 shtator mes LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Vetëvendosjes, duke e kritikuar Isa Mustafën se e ka harruar atë marrëveshje dhe pikat e saj, pasi sipas Ymerit dialogu me Serbinë tash po i duket mirë i përgatitur.

Ndërsa kjo marrëveshje e tanishme me palën serbe për gjyqësorin dhe drejtësinë në vend, sipas Ymerit është shkelje e drejtpërdrejtë në shtetësinë e Kosovës, si dhe në kushtetutën e saj.

“Me këtë po shkelet jo vetëm kushtetua por edhe ide e funksionimit të një Republike e në këtë rast të Republikës së Kosovës. Prandaj ju ftoj që këtë marrëveshje ta çkyni ose ta hani siç ka qenë rasti me marrëveshjen e 10 shtatorit dhe ta ktheni, ose parimet e marrëveshjes së dhjetë shtatorit. T’i qëndroni besnik nënshkrimit tuaj që keni vendos me dhjetë shtator zotëri Mustafa”, ka thënë Ymeri.

Edhe Fatmir Limaj nga Nisma, ka ngritur shqetësimet e tij për këtë marrëveshje, duke folur për atë se cilat do të jenë kompetencat që do të kenë gjykatat dhe gjykatësit në veriun e vendit.

“Ajo çka neve na shqetëson janë kompetencat territoriale. Gjykata shikohet mbi bazën e kompetencave territoriale, pjesa veriore e Kosovës po frikohemi që në të ardhmen ta shihni jo kryetari i gjykatës së apelit por askush atje më asgjë nuk mund të bëj përveç atyre që janë atje. Do ta zbatojnë ligjin e Kosovës, po besoj që po . Do të bëj betimin te presidenti. Mu këto nuk më bëjnë përshtypje”, ka thënë Limaj.

Ai mes tjerash ka thënë se me këtë marrëveshje vetëm sa po fillon të behet ndarja brenda shtetit të Kosovës.

“Si zbatohet ai ligj, kush ndiqet, si ndiqet, çka bahet. Prandaj ky është problem për të cilin besoj që do të na shfaqet. Me gjithë këtë përpjekje, bile disa i kam pa në mënyrë ekzaltuese të arsyetimit të kësaj marrëveshje mos u ngutuni, mos u boni euforik sepse po bëni diçka që koha ka me tregu që është gabim. Kjo është rrumbullakim i ndarjes , asaj që ka me na ardh mas katër a pesë muajve nëse shkohet me këtë logjik”, ka thënë Limaj.

Mungesa e flamurit të Kosovës në takimet që u zhvilluan në Bruksel, kundrejt atij të Serbisë dhe Bashkimit Evropian ishte një pikë tjetër e cila nxiti debat në kuvendin e dhe u cilësua si mungesë e madhe dhe si një arsye më shumë për të kontestuar atë që Kosova në këtë dialog nuk po përfaqësohet si shtet. (rtk)

Zbulohen detaje të raportit të Ulrike Lunacek për ikjet masive

Megjithë progresin e arritur nga autoritetet e Kosovës, Prishtina duhet patjetër të luftojë më ashpër rrjetin e trafikantëve që po mundësojnë largimin ilegal të kosovarëve drejt vendeve të BE-së, thuhet ndër të tjera në raportin e rregullt të deputetes evropiane, Ulrike Lunacek, e cila është raportuese për Kosovën në parlamentin evropian.I njëjti raport thotë se autoritetet në Prishtinë duhet gjithashtu të sqarojnë në mënyrë të qartë për opinionin në Kosovë që pothuajse nuk ka fare mundësi për të fituar statusin e azilit në vendet e BE-së.

Këto pjesë të raportit janë zbuluar nga ‘European Western Balkans’, thotë se draft raporti i Lunacekut që do të votohet në parlamentin evropian, ‘nënvizon me shqetësim të lartë papunësinë e lartë, veçanërisht tek të rinjtë’, transmeton Gazeta Blic.

Raporti gjithashtu nënvizon rënien e madhe të investimeve të huaja direkte në çerekun e tretë të vitit të kaluar, ndërsa iu bën thirrje autoriteteve në Kosovë që të përmirësojnë ambientin e të bërit biznes, me theks të veçantë për bizneset e vogla dhe ato të mesme.

Në këtë dokument gjithashtu i bëhet thirrje Komisionit Evropian që të ofrojë asistencë për ndërmarrësit e rinj përmes fondeve të Para Anëtarësimit (IPA), duke përfshirë edhe lidhjet me ndërmarrës të vendeve të Bashkimit Evropian.

Në fund, Lunacek vlerëson: “raporti im gjithashtu do e bëj të qartë se BE duhet të bëj më shumë që t’i jap Kosovës një perspektivë reale të anëtarësimit, si për shembull përmes udhërrëfyesit tejet të vonuar për liberalizim të vizave. Dialogu për vizat ka filluar në nëntor të vitit 2011, një sinjal i rëndësishëm për normalizim dhe stabilizim. Mirëpo, të bëhem e sinqertë dhe reale: qeveria e mëparshme ka arritur të bëj shumë në aspektin teknik, mirëpo ministrat e brendshëm të BE-së duhet të japin aprovimin e tyre për liberalizim të vizave. Rritja e numrit të qytetarëve të Kosovës që po largohen nga Kosova, përfshirë edhe romët, ashkalinjtë dhe shqiptarët, po dërgon sinjal shumë të keq: Sa më shumë kërkues të azilit ka nga Kosova në vendet e BE-së, aq më e vështirë bëhet procesi i liberalizimit të vizave, edhe nëse Kosova të ketë të gjitha kushtet teknike nga Prishtina. Mirëpo, unë ju garantojë se së bashku me shumicën e pjesëtarëve të Parlamentit Evropian do të vazhdojmë të bëjmë presion për liberalizim të vizave dhe dhënien fund të izolimit të papranueshëm të qytetarëve të Kosovës”. (telegrafi)

BAJRAMI: NGA KOSOVA JANË LARGUAR 5130 NXËNËS

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka thënë se deri më tani, nga Kosova,nga fenomeni i largimit nga Kosova, janë edhe nxënësit e cikleve parauniversitare në Kosovë.“Procesi i largimit ka përfshirë edhe sektorin e edukimit dhe ne kemi shifra ekzakte të cilat janë të proceduara para një jave – përkatësisht rreth 5130 nxënës të cikleve parauniversitare. Jemi duke tentuar që të flasim me prindër që këta nxënës të kursehen”, ka theksuar ministri Bajrami. (rtk)

Përshpejtimi i gazsjellësit TAP, ministrat e Energjetikes së vendeve ku kalon mblidhen në Azerbajxhan

Ministrat e Energjisë të vendeve ku kalon korridori jugor i gazit u mblodhën në baku të Azerbajxhanit për të bashkërenduar punën për të shpejtuar realizimin e projektit. Në takimin e nivelit të lartë ishte i pranishëm zëvendëspresidenti i Komisionit Europian Frans Timermans dhe presidenti i Azerbajxhanit Ibrahim Alijev. Korridor jugor është një nga projektet më komplekse të gazit të zhvilluara ndonjëherë në botë, i cili synon të sjellë gazin e Kaspikut në tregjet europiane. Me një gjatësi prej 3500 kilometër dhe vlerë rreth 45 miliardë dollarë, ai përfshin fushën e Shah Deniz 2 dhe tre gazsjellës, atë të kaukazit jugor, gazsjellësin transanatolian dhe atë transadriatik që kalon përmes Shqipërisë.

Ministri shqiptar i Energjisë Damian Gjiknuri deklaroi se Qeveria e Shqipërisë e ka mbështetur fuqimisht realizimin e gazsjellësit TAP. Ai i ka njohur të pranishmit me masat që Shqipëria ka ndërmarrë për përshpejtimin e projektit, si ajo e vënies në dispozicion të tokave shtetërore ku kalon tubacioni, çka bën të mundur nisjen e punimeve në terren për ndërtimin e rrugëve të aksesit.

Zoti Gjinkuri ka kërkuar përfshirjen e kompanive vendase në projekt duke deklaruar se Qeveria e sheh gazsjellësin transadriatik si një mundësi për diversifikimin e burimeve dhe sigurinë energjetike në vend.

Në deklaratën e konkluzioneve të përbashkëta, Ministrat theksuan edhe njëherë mbështetjen e plotë për ndërtimin e Korridorit Jugor të gazit si një objektiv i rëndësishëm për sigurinë energjetike të europës. Ata nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit strategjik për zgjerimin e aktivitetit dhe zbatimin sa më të shpejtë të projektit, duke rënë dakord gjithashtu të angazhohen për të përfshirë në projekt edhe institucionet financiare europiane. / Top Channel

Çaktivizohet bombë me saçme dhe gozhdë pranë gjimnazit “Petro Nini”

Një bombë me sasi eksplozivi me fuqi dy herë më të madhe se ato që shpërthyen gjatë kësaj jave në Tirane u çaktivizua në mengjesin e së enjtes në kryeqytet, rreth ores 4:51 minuta. Bomba u gjet ne një biçikletë të vendosur në pallatin numër 27, në rrugën “Sami Frashëri” në kryeqytet, perballe shkolles se mesme “Petro Nini Luarasi”.

Policia e cilesoi këtë rast një akt terrorist që u parandalua. Lënda plasëse u gjet në një qese të mbështjellë me natriban dhe jashtë me një fije teli për të realizuar shpërthimin. Policia e ka marre njoftimin nga nje person i paidentifikuar ende, i cili lajmeroi sallen operative dhe me pas forcat policore rrethuan zonen.

Eksplozivi u çaktivizua ne kohe nga njesia antieksplioziv dhe pa shkaktuar shperthim. Hetimin edhe kete radhe e ka marre Prokuroria e Krimeve te Renda. Bomba u gjet kete radhe ne nje biçiklete dhe fillimisht u dyshua te jete e bombevenesit te se martes. Ajo ishte me shume se 1 kilogram tritol dhe ishte e perzier me pjese metalike, gozhde, saçme gjuetie, mjete te cilat nese shperthente kjo bombe do te shkaktonte deme te medha ne njerez per shkak te shperndarjes se pjeseve metalike. Akuza qe u ngrit eshte ajo e “Vepra per qëllime terroriste”.

Policia po kerkon ne biçiklete ndonje gjurme te autorit. Gjithsesi ajo mendon se nuk eshte e njëjta biçiklete me ate qe duket bombevenesi mëngjesin e së martës duke shpërthyer bombat në Tiranë. / Top Channel

Rama: Bombat, akte terroriste. Reagimet e opozitës, të ulëta. “Jo më në baltën e akuzave, provojini në Gjykatë”

Kryeministri Edi Rama, duke e quajtur akt terrorist vendosjen e bombave në Tiranë, i konsideroi reagimet e opozitës pas ngjarjes si mjaft të ulëta dhe në anën e krimit. Duke folur në Kuvend, në seancën plenare të ditës së enjte, Kryeministri u shpreh se krimi po përdoret si lëndë e parë fjalimesh nga politika.

“Menjëherë pas akteve të dhunshme, opozita sulmoi ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe familjen e tij, që ishin objekt i këtyre sulmeve. Opozita, jo vetëm që nuk e dënoi terrorin, por drejtori gishtin nga familja e ministrit, duke e bërë krimin partner të sajin”, tha Rama.

Sipas shefit të Qeverisë, kjo nuk është hera e parë që opozita reagon në këtë mënyrë, pasi gishti i akuzës është ngritur edhe kur u shkul ‘Republika e Lazaratit”, edhe kur u anuluan 53 mijë fatura abuzive të energjisë elektrike apo në aksione të tjera të zhvilluara muajt e fundit.

“Opozita të provojë në Gjykatë, akuzat ndaj meje”

Kryeministri Edi Rama njoftoi po ashtu se do të kërkohet kriminalizimi i shpifjes për shkak të detyrës.

Për këtë, sipas tij, janë bërë shkak akuzat e vazhdueshme që janë ngritur ndaj tij prej opozitës, ndërsa i kërkoi deputetëve të PD-së që të provojnë në Gjykatë akuzat e bëra deri më sot.

“Nëse akuzat vërtetohen atëherë unë jap dorëheqjen. Nuk ka vend në Evropë ku deputeti të bëjë akuza kriminale dhe prokurori mos e thërrasë. Shqipëria nuk mund të qëndrojë më në baltën e akuzave, që i kanë përdorur më herët vetëm komunistët dhe nazistës. Asgjë nuk do të na pengojë që të vazhdojmë luftën kundër krimit”, theksoi Kryeministri.
/ Top Channel

Kodheli: Feka i dënuar më parë për thyerje të disiplinës. Strazimiri: Ju e quajtët më i besuari

Kuvendi ka nisur seancën e sotme plenare me një interpelancë që Partia Demokratike kishte kërkuar me ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli lidhur me ngjarjen e rëndë të shënuar disa ditë më parë ku një major i Forcave të Armatosura humbi jetën duke pilotuar një helikopter me drogë në Spanjë. Ministrja Kodheli në fjalën e saj bëri me dije se majori Sokol Feka ka pasur precedentë të mëparshëm penalë për largim pa leje nga Shqipëria në vitet 2005-2007, gjë që sipas saj është pranuar nga vetë majori i cili në atë kohë ka kërkuar gjykim të shkurtuar.

Sipas Kodhelit, me gjithë këta precedentë të majorit, strukturat drejtuese të atëhershme të FA nuk i kanë marrë parasysh ato dhe kanë bërë gradimin e majorit dhe propozimin e tij për trajnime të ndryshme.

“Feka rezulton i dënuar 2 herë: më 18 nëntor 2005 dhe në vitin 2007 për largim pa leje nga vendi. Në të dy rastet ai e ka pranuar fajin dhe ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Në të dyja herët është dënuar në bazë të kodit penal. Atij në të dy rastet i është bërë ndërprerje e pagës për të gjitha mosparaqitjet në punë. E megjithëse ky individ ishte dënuar nga gjykata, ai propozohej për trajnime”, tha Kodheli.

Pas fjalës së saj ka reaguar deputeti demokrat Gent Strazimiri, i cili i ka cilësuar tërësisht të pavërteta fjalët e ministres. Sipas tij, të gjitha fjalët e saj bien ndesh me atë që vetë Ministria e Mbrojtjes tha se majori Feka ishte një nga më të përgatiturit dhe të besuarit e Forcave të Armatosura. Strazimiri paralajmëroi ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar lidhur me informacione mjaft sensitive dhe informacione sekrete, të cilat Strazimiri pretendoi se i disponoi dhe kanë të bëjnë me abuzime të shumta nga strukturat drejtuese e FA.
/ Top Channel

Koment: skepticizëm pas Minsk II

Skepticizmi mbetet edhe pas deklarimit për marrëveshje për një armëpushim në lindje të Ukrainës në samitin Minsk II, mendon Ingo Mannteufel.Një gjë që mbetet ende e paqartë edhe pse ndërkohë në Minsk pas një maratone të gjatë bisedimesh që vazhduan gjatë gjithë natës u mbyll samiti për Ukrainën mes kancelares gjermane Merkel dhe presidentëeve të Rusisë, Francës e Ukrainës, Putin, Hollande dhe Poroshenko. I pari u shpreh pas bisedimeve në një konferencë shtypi presidenti rus Putin, i cili deklaroi se palët e konfliktit kanë rënë dakord për një armëpushim në lindje të Ukrainës më 15 shkurt. Këtë e konfirmuan më vonë edhe kancelarja gjermane dhe presidenti francez.
Minsk II asgjë më shumë se Minsk I?
Fundi i luftimeve dhe i vrasjeve në lindje të Ukrainës padyshim do të ishte një rezultat i gëzueshëm, por në sfondin e të dhënave të kursyera që jepen mbi marëveshjen aktuale të ngjallet më shumë skepticizëm. Me sa duket në marrëveshjen e re – Minsk II – nuk është rënë dakord për asgjë më shumë se sa në marrëveshjen e parë në Minsk në shtator 2014. Edhe në këtë marrëveshje ishte vendosur për armëpushimin dhe tërheqjen e armatimeve të rënda, por armëpushimi nuk u respektua asnjëherë. Ndërkohë luftëtarët e mbështetur nga Rusia përmes ofensivës ushtarake kanë arritur të fitojnë territor në të gjitha frontet. Në qendër të luftimeve aktualisht ndodhet nyja e rëndësishme logjistike hekurudhore në Debalzevo, që me sa duket separatistët e kanë rrethuar, por të cilën trupat qeveritare ukrainase është e kuptueshme që nuk do ta dorëzojnë pa luftë.
Edhe pse duhet pasur kujdes nisur nga fakti që deri tani dihen shumë pak detaje të marrëveshjes, ka vend për të qenë mjaft skeptikë nëse do të respektohet vërtetë armëpushimi, për të cilin është rënë dakord duke nisur nga 15 shkurti. Tek e fundit çdo marrëveshje për armëpushim ka sukses vetëm nëse zona e çmilitarizuar midis palëve të konfliktit mbikqyret prej forcave të pavarura. Në rast të kundërt ka shumë gjasa, që luftimet të vazhdojnë.
Pas Minsk II për në Bruksel
Pritet që presidenti i Francës Hollande dhe kancelarja gjermane Merkel përshtypjet e tyre nga bisedimet e zhvilluara gjatë natës me Putinin dhe Poroshenkon t’ua komunikojnë në samitin e Brukselit krerëve të vendeve të BE-së. Nëse konfirmohet skepticizimi, që as Minsk II nuk nënkupton fundin e gjakderdhjes, atëherë s’mund të përjashtohet, që pavarësisht bisedimeve të gjata diplomatike sërish do të dskutohet për sanskione të mëtejshme apo edhe për furnizime me armë në Ukrainë. (dw)

Arrihet marrëveshje për armëpushim në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin tha se armëpushimi do të hyjë në fuqi të shtunën në mesnatëUdhëheqësit e Ukrainës, Rusisë, Gjermanisë dhe Francës përfunduan të enjten bisedimet maratonike në Bjellorusi me një marrëveshje për armëpushimi që ka për qëllim t’u jap fund luftimeve që çuan në vrasjen e mijëra vetave në Ukrainën lindore.

Armëpushimi, që do të hyjë në fuqi më 15 shkurt u shpall pas bisedimeve rraskapitëse 16 orëshe në kryeqytetin bjellorus, Minsk.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se palët “arritën të merren vesh për çështjet kryesore”, përfshirë edhe tërheqjen e armatimeve të rënda nga zona e konfliktit.

Marrëveshja thuhet se është pranuar edhe nga kryengritësit pro rus.

Por, të gjitha palët nënvizuan në paraqitje të ndara për gazetarë se mbeten mospajtime. “Ne nuk kemi iluzione”, tha kancelarja gjermane Angela Merkel, duke shtuar se mbetet “shumë, shumë punë për t’u bërë”.

Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko, mohoi të jetë arritur ndonjë marrëveshje për autonominë e rajonit rusisht folëse në lindje të Ukrainës.

“Çështja kryesore e arritur është që midis të shtunës dhe të dielës duhet te shpallët armëpushimi i përgjithshëm pa asnjë kusht”, tha presidenti Poroshenko.

Takimi u zhvillua nën hijen e luftimeve intensive në Ukrainën lindore që nga dëshmitarët janë përshkruar si më të fuqishmet dhe më vdekjeprurëset në këtë konflikt.

Dëshmitarët nga qyteti lindor i Donetskut thanë të mërkurën se të paktën dy veta u vranë nga bombardimi i një stacioni autobusësh. Zyrtarët ukrainas thanë se sulmet e kryengritësve në afërsi të Debaltseve, vranë të paktën 19 ushtarë dhe plagosën 78 të tjerë.

Para takimit të së mërkurës, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, tha se qeveria e tij dhe Bashkimi Evropian do të flasin me një zë. Ai tha po ashtu se nuk do të mëdyshet që të shpallë ligjin e luftës në gjithë vendin, nëse ndodhë përshkallëzimi i konfliktit.

Komandanti i forcave amerikane në Evropë tha se forcat ushtarake ruse janë të përfshira drejtpërdrejtë në luftimet në rajonin e Debaltseve.

Gjenerali Ben Hodges, tha të mërkurën në Poloni se “ndërhyrja e drejtpërdrejtë ushtarake ruse” në Debaltseve është “shumë i qartë”.

Presidenti Barack Obama, tha të hënën se do të presë përfundimet e takimit para se të marrë një vendim nëse do të furnizojë Kievin me armatime për t’i dhënë fund kryengritjes separatiste. (voa)

Si (do të) trajtohen azilkërkuesit nga Kosova dhe Shqipëria

Ministrat e Brendshëm të landeve gjermane do të diskutojnë të premten për azilkërkuesit nga Kosova dhe Shqipëria. Kërkohet ndryshimi i ligjit për vendet e sigurta, por kanë nisur që tani masat e para.Shtimi i shpejtë i azilkërkuesve nga Kosova dhe Shqipëria është kthyer në preokupim për politikën gjermane. Një numër i madh përfaqësuesish në qeverinë gjermane e sidomos në lande kanë kërkuar këtë javë marrjen e masave të shpejta. Diskutimet për përfshirjen e Kosovës dhe Shqipërisë në “vendet e sigurta” të origjinës vazhdojnë, por ndërkohë organet gjermane po marrin masa praktike kundër shpërdorimit të kërkesës për azil nga shtetas të këtyre vendeve.
Ministrat e brendshëm gjermanë për Kosovën e Shqipërinë
Në një konferencë telefonike të premten, Ministrat e Brendshëm të landeve gjermane do të diskutojnë për shtimin e numrit të migrantëve nga Kosova dhe Shqipëria. Propozimin për konferencën e bëri të martën Ministri i Brendshëm i Landit të Saksonisë së Poshtme, Pistorius. Agjencia gjermane e lajmeve, dpa citon me këtë rast edhe një zëdhënës të ministrisë së Brendshme të landit të Baden-Vyrttembergut. Ministria në Shtutgart drejtohet nga socialdemokratët. Baden-Vyrttembergu do të paraqesë me këtë rast një dokument, në të cilin do të diskutohet edhe çështja e zgjerimit të rrethit të “shteteve të sigurta”. Rregulli që do të propozohet pritet të përmbajë përshpejtimin e refuzimit në procedurën e azilimit, të pasuar nga kthimi pas në vendet nga kanë ardhur personat. Deri tani, statusin e vendeve të sigurta, në të drejtën e azilit e kanë Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia.
Edhe Ministria Federale e Brendshme theksoi të mërkurën (11.02.2015) nevojën për veprim të përshpejtuar në çështjen e azilkërkuesve nga Kosova. “Ne po e përshpejtojmë në mënyrë masive përpunimin e kërkesave për azil nga Kosova”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme. “Migrimi masiv” nga Kosova i ka çuar në kufijtë e tyre mundësitë për strehimin në Gjermani dhe mund të ketë veç kësaj “pasoja shkatërrimtare” për stabilitetin e Kosovës vetë.
Por Ministria Federale e Brendshme nuk planifikon të ndërmarrë vetë ndonjë inisiativë për zgjerimin e listës së “vendeve të sigurta” edhe me Kosovën dhe Shqipërinë. Një ndryshim i ligjit kërkon shumë kohë, tha zëdhënësi i Ministrisë Federale të Brendshme. Kërkesa e momentit është “marrja e masave të menjëhershme dhe gjetja e përgjigjeve të shpejta”.
Problemi qendron në dhënien e miratimit për ndryshimin e ligjit nga landet gjermane që qeverisen nga socialdemokratët. SPD e ka lënë të hapur nëse do ta mbështesë një zgjerim të listës me vende të reja të sigurta. Por ministri i Brendshëm i landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë (NRW), Ralf Jäger (SPD) tha se njerëzit që vijnë kanë nevojë shpejt për siguri “nëse mund të qendrojnë këtu apo jo”. Ai tha se njerëzit nga Kosova janë viktima të premtimeve të gënjeshtërta nga banda kriminele të trafikantëve të njerëzve.

Trajtim në praktikë i Kosovës e Shqipërisë si “vende të sigurta”
Në këtë situatë, organet gjermane kanë nisur t’i trajtojnë që tani praktikisht Kosovën dhe Shqipërinë sikur të bënin pjesë në listën e “shteteve të sigurta”.
Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët në Nyrnberg deklaroi të mërkurën (11.02.2015) se për kërkesat për azil të kosovarëve ndërkohë vendoset brenda dy javësh. Një zëdhënës bëri të ditur se lutjet e kosovarëve përpunohen njësoj shpejt si lutjet nga vendet e reja të sigurta, Serbia, Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina. Kuota e pranimit të lutjeve nga Kosova është vetëm 0,3 përqind, u bë e ditur. Pra pjesa dërrmuese e njerëzve duhet të llogarisin kthimin në atdhe.
Bavaria: jo para refugjatëve nga ish-Jugosllavia dhe Shqipëria
Kurse landi i Bavarisë që përballet me dyndjen më të madhe të refugjatëve ka planifikuar të shkojë një hap më tej. Bavaria nuk do t’u japë më para në dorë azilkërkuesve nga ish-Jugosllavia dhe nga Shqipëria. “Për këto vende ne në Bavari do të kalojmë shumë shpejt në parimin e shërbimeve në natyrë”, tha të mërkurën në Mynih Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joahim Herrmann (CSU). “Nuk duam të ofrojmë nxitje (për të ardhur)”, tha Herrmann. Sipas tij, rregulli i ri do të vlejë për Serbinë, Maqedoninë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën dhe Shqipërinë. Bavaria ngul këmbë që veç tri vendeve të para, në vendet e sigurta të përfshihen edhe Shqipëria dhe Kosova. Bavaria ka bërë të ditur se një kërkesë të tillë do ta shtrojë në Dhomën e Landeve, në Bundesrat.
Edhë zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Thomas Strobl tha se është e nevojshme që edhe Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova të shpallen shtete të sigurta të origjinës. Agjencisë së lajmeve Reuters ai i tha se “sistemi i azilimit do të bëhej kështu më i drejtë”. Për këtë duhet të japë mbështetje edhe Dhoma e Landeve.
Në situatën e krijuar, Ministrja për Evropën në Bavari, Beate Merk (CSU) do të qendrojë të enjten (12.02.2015) për bisedime politike në Prishtinë. Synimi i vizitës është frenimi i valës së largimeve nga Kosova.
Zëdhënësi i Ministrisë Federale të Brendshme në Berlin tha se Ministria po e vëzhgon me shqetësim dhe me kujdes zhvillimin aktual. Ai tërhoqi vëmendjen se gati 99 përqind e kërkesave për azil nga Kosova refuzohen në Gjermani. Azilkërkuesit nga Kosova duhet ta dinë, se për “shumicën e tyre, një qendrim i përhershëm në Gjermani nuk është i garantuar.”
Shtim i azilkërkuesve kosovarë në gjithë Gjermaninë
Kosova ka avancuar ndërkohë në vendin e dytë të origjinës së azilkërkuesve në Gjermani, pas Sirisë. Në janar, kërkesë për azil në Gjermani shtruan për herë të parë rreth 3030 njerëz nga Kosova. Ky është dyfishi i numrit të azilkërkuesve kosovarë në dhjetor. Në vitin 2014 u paraqitën gjithsej 6900 kërkesa të tilla.
Sipas një sondazhi të agjencisë gjermane të lajmeve dpa, numri i azilkërkuesve nga Kosova është rritur me vrull gati në të gjitha landet gjermane. Në Baden-Vyrrtemberg në shkurt, një në dy refugjatë erdhi nga Kosova. Në Bavari, në janar 3000 kosovarët përfaqësonin shumicën e azilkërkuesve. Gati shtatë herë më shumë refugjatë nga Kosova se një muaj më parë erdhë në janar në landin e Rheinland-Pfalz-it.
Vitin e kaluar, në Gjermani u paraqitën gjithsej 203.000 lutje për azil. Organizata Pro Asyl kërkoi që shqyrtimi individual i rasteve duhet të mbetet në qendër të procedurës së azilimit në Gjermani. Partia opozitare Të Gjelbrit paralajmëroi që azilkërkuesit kosovarë të mos kthehen në bllok. “Përballë varfërisë dhe vuajtjeve kjo do të ishte në kufirin e refuzimit të pranimit të realitetit”, tha shefja e të Gjelbërve, Simone Peters. (dw)