All posts by V.F.

Trafiku ndërkombëtar i drogës, edhe dy ushtarakë në pranga

Në skandalin e trafikut ndërkombëtar të drogës janë të përfshirë edhe dy ushtarakë të tjerë shqiptarë, bashkëpunëtorë të pilotit Sokol Feka, që humbi jetën javën e shkuar në Spanjë teksa transportonte drogën me helikopter nga Maroku. Ata janë një major dhe një kapiten që mbahen të ndaluar nga Policia Ushtarake. Emrat e tyre deri më tani nuk bëhen të ditura nga Shtabi i Përgjithshem i Forcave të Armatosura. Por gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha mundi të mësojë identitetin e dy të arrestuarve që jo zyrtarisht thuhet se janë Hamit Koxha dhe Vladimir Ademi.

Dy ushtarakët mbahen në ambientet e Policisë Ushtarake prej disa orësh. Mësohet se ata i përkasin regjimentit të Helikopterëve të Farkës. Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se dy ushtarakët janë ndaluar për shkelje të rënda dhe përfshirje në trafikun e drogës me të ndjerin Sokol Feka.

Ajo që dihet deri më tani është se ndalimi i tyre është bërë nga Policia Ushtarake dhe ndaj tyre nuk ka asnjë urdhër prokurori apo një vendim gjykate, por Top Channel mëson se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka mbërritur një kallëzim penal prej Ministrisë së Mbrojtjes ditën e enjte dhe në rrugë jozyrtare mësohet se bëhet fjalë për trafik lëndësh narkotike.

Shkëputur nga hetimet për trafikun ndërkombëtar të drogës janë liruar këtë të enjte nga detyra dy punonjës të Policisë Ushtarake. Ata janë Destan Shehu dhe Hajdar Nako, që të dy të akuzuar për shkelje të rënda dhe largim pa leje nga detyra. Shkeljet e tyre janë gjetur pas verifikimeve që kanë nisur pas ngjarjes së ndodhur në Spanjë. / Top Channel

Rruga drejt “azilit” në Bashkimin Evropian

Rrugëtimi i qytetarëve të Kosovës për të migruar në mënyrë jo të rregullt në vendet e Bashkimit Evropian po vazhdon.Në Ashothalom dhe Morahalom, qytete që gjenden përreth brezit kufitar ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, janë ndaluar disa qytetarë nga Kosova që kanë kaluar paligjshëm kufirin.

Laslo Torockai, prefekt i qytetit Ashothalom, aty ku fillimisht zbarkojnë emigrantët e paligjshëm, thotë se nëse nuk ka ndonjë ndryshim në këtë trend, ekziston vetëm një mundësi.

“Mundësia e vetme është ngritja e një rrethoje përreth kufirit. Kjo nuk do të ishte një rrethojë e rëndomtë, por sikur ajo që ekziston përgjatë kufirit meksikan. Do të duhet të vendoset sërish shërbimi kufitar që do të patrullonte përgjatë kësaj rrethoje”, thotë Torockai, për Radion Evropa e Lirë.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë, Shërbimi për Ballkanin, i cili gjendet në anën hungareze të kufirit, njofton se ata që kërkojnë azil, evidentohen dhe marrin një afat prej 24 orësh që të lajmërohen në disa qendra strehimi në Hungari, ku do të duhej të qëndronin deri në marrjen e ndonjë vendimi për kërkesën e tyre për azil.

Ata gjithashtu pajisen me një dokument për transport falas hekurudhor gjatë kësaj periudhe. Por, disa prej tyre, këtë dokument një-ditësh e shfrytëzojnë që prej Hungarisë të kalojnë në vendet e destinacionit të fundit, para së gjithash në Austri dhe Gjermani.

​Ndërkaq, ata që nuk kërkojnë azil, dërgohen në qendra të një lloji më të mbyllur, që duken si qendra paraburgimi, ku presin deri në riatdhesimin e tyre.

Një qendër e tillë gjendet në Kishkunhallash, e që është e rrethuar me tela gjemborë dhe policia nuk lejon hyrjen e gazetarëve brenda.

Kjo qendër bashkëpunon me organizatën joqeveritare hungareze “Menedek”, që do të thotë “Strehim”.

Zhuzhana Perak nga kjo organizatë, merret me ndihmën për emigrantët dhe sipas saj, aktualisht në këtë qendër janë rreth 100 persona.

“Qendra e mbulon ushqimin tre herë në ditë, kurse fëmijëve pesë herë në ditë, kujdesin mjekësor dhe akomodimin. E gjitha kjo bëhet në këtë institucion të mbyllur, që do të thotë se ata nuk kanë mundësi ta braktisin objektin”.

“Organizojmë edhe aktivitete të lira, për të zvogëluar traumat psikike që mund t’i përjetojnë duke qenë se janë në një institucion të mbyllur. Gjithashtu, i përgatisim për kthimin e tyre në vendin e origjinës, në bashkëpunim me organizatat tjera ndërkombëtare, policinë, autoritetet. Përpiqemi t’i informojmë gjithashtu se cilat janë pasojat e migrimit të paligjshëm, si dhe çka i pret në Perëndim, sepse shpesh kanë një pasqyrë të gabueshme për mundësitë që kanë”, tha zonja Perak.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë debatuar serish lidhur me migrimin e paligjshëm të qytetarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ata kanë deklaruar se kushtet e vështira ekonomike janë një nga arsyet kryesore të këtyre ikjeve nga vendi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa, tha se në Kosovë duhet të krijohet një ambient i sigurtë duke zbatuar ligjet.

Ai tha se zhvillimet e fundit politike pas zgjedhjeve të fundit, kanë krijuar një ambient mosbesimi në institucionet e Kosovës nga qytetarët.

“Së bashku mund dhe duhet të punojmë shumë për të kthyer shpresën e qytetarëve të vendit tonë dhe të jemi komunikues ndaj qytetarëve tonë si pozita ashtu edhe opozita”, tha Mustafa.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, tha se qytetarët që po ikin nga Kosova nuk duhet fajësuar dhe se të drejtën për mirëqenie më të mirë nuk mund t’ua mohojë askush.

“Ata kanë humbur çdo shpresë, të cilët duke sharë e mallkuar, i bashkohen eksodit të varfërisë, për të ndërtuar larg atdheut të tyre atë që u ka mbetur nga jeta dhe t’u japin një mundësi për jetë më të mirë fëmijëve që i mbajnë në krah në këtë rrugëtim të dhimbshëm e të mundimshëm”, tha Dërguti.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, duke i kërkuar qeverisë së Kosovës të parandalojë migrimin e paligjshëm.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se në BE, sistemi i azilit ekziston për ata njerëz që largohen nga persekutimi ose dëmtimi i rëndë në vendin e tyre dhe, për pasojë, kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.

“Në rastin e Kosovës, nuk ka pothuajse asnjë shans që kërkesat për azil të pranohen. Çdo vendim për të ofruar azil ose jo, është individual, por duhet theksuar se shumica e kërkesave për azil nga Kosova refuzohen dhe njerëzit riatdhesohen”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Zyrës së BE-së në Prishtinë, dërguar më 3 shkurt Radios Evropa e Lirë.

* Ekipi në Hungari: Ognjen Zoriq, Norbert Shinkoviq, Shërbimi për Ballkanin

Humbet besimi tek institucionet – Largime masive nga Kosova

Sociologu Artan Muhaxhiri flet në një intervistë për Deutsche Welle, për shkaqet se përse mijëra qytetarë të Kosovës po largohen nga vendi drejt vendeve perëndimore.DW: Zoti Muhaxheri, si e shpejgoni faktin e ikjes masive të qytetarëve të Kosovës që po migrojnë jilegalisht drejt vendeve të BE-së? Kemi dëgjuar arsye të ndryshme, por më e përfolura është largimi për një jetë më të mirë, si e shpjegoni këtë në aspektin social?
Muhaxhiri: Baza e gjithë kësaj ikjeje janë kushtet e mjerueshme sociale por edhe humbja e besimit në shtetin e Kosovës, sepse edhe para shpalljes së pavarësisë edhe pas shpalljes së pavarësisë ka pasur mungesë të adresimit të çështjeve elementare dhe problemeve fundamentale me të cilat është ballafaquar populli i Kosovës, prandaj e kemi të humbur besimin e qytetarëve në shtetin e Kosovën dhe ky reagim impulsiv i qytetarëve është si reagim i mugesës së shpresës dhe një alternative për një jetë më të mirë në shtetin e Kosovës. Pra është një akumulim i të gjithë atyre pakënaqësive. Qytetarët nuk kanë shpresë që partitë politike, kuvendi, qeveria do të merren me problemet e tyre të jetës së përditshme, prandaj po shfrytëzohet rasti i parë që njerëzit të largohen nga Kosova dhe të kërkojnë një jetë më të mirë diku tjetër.
DW: Qytetarët e Kosovës, jo shumë larg vetëm 15 vjet më parë me qindra mijëra ishin refugjatë, një pjesë e madhe e tyre edhe në vendet e BE-së dhe ku pothuaj shumica nga ta me të përfunduar lufta në mënyrë vullnetare u kthyen në Kosovë, ndërsa, tash 15 vjet pas luftës, po ndodh kjo ikje masive, ka një shpjegim kjo dukuri?
Muhaxhiri: Është e saktë kjo që e përmendi ju, sepse ka qenë një befasi e madhe edhe për shtetet e perëndimore që në atë kohë kosovarët kanë insistuar që të kthehen në shtepitë e tyre në vitin 1999, gjë që nuk ka ndodhur shembull me emigrantët e Bosnjes dhe Hercegovinës. Kthimi masiv i qytetarëve të Kosovës në vitin 1999 ka qenë një shembull i atdhedashurisë, i respetktit për vendin, sepse, ka ekzistuar një shpresë e madhe se me largimin e forcave serbe, në Kosovë do të ketë një zhvillim ekonomik, do të ketë investime nga jashtë, sepse Kosova është një vend i vogël dhe me shumë pak investime këtu do të kishte një gjendje ekonomike shumë të mirë. Por, për fat të keq kjo nuk ka ndodhur dhe për pasojë tash ka ardhur koha e pakënaqësive të mëdha, sepse, nuk ka as indikacione që mund të ketë investime të huaja dhe krijim të kushteve për investime, për një zhvillim të qendrueshëm ekonomik që është për mirëqenie sociale. Por këtu ka ndodhur u kundërta dhe mashtrimet e politikanëve duke bërë në fushata zgjedhore premtime të mëdha si p.sh. hapjen e vendeve të reja të punës, por asnjëherë në aspektin konkret nuk e kanë bërë. Prandaj ekziston një mosbesim i thellë i qytetarëve të Kosovës ndaj politikanëve dhe ndaj premtimeve të tyre. Pra me një fjalë ekziston një zhgënjim i madh i qytetarëve pse tash kemi këto ikje masive nga vendi. Kjo edhe është arsyeja që asnjë politikan i rëndësishëm nuk e ka marrë guximin që t’i vizitojë qytetarët që po ikin pikërisht nga qendra e Prishtinës, nga stacioni i autobusëve, që t’u kërkojë atyre në mënyrë direkte të mos largohen nga Kosova.
DW: Zoti Muhaxheri, ambasadat e shteteve të BE-së vazhdimisht janë shumë aktive për çdo proces që ndodh në Kosovë. Në rastin e migrimit të paligjshëm që aktualisht, kur destinacion janë pikërisht vendet e BE-së, nuk duket të ketë një angazhim nga ambasadat që të ndalet kjo ikje. Sa mendoni që ambasadat e huaja janë të angazhuara që të ndalet kjo ikje e njerëzve nga Kosova?
Muhaxhiri: Këtu ekziston një paradoks, sepse ambasadat e vendeve perëndimore vazhdimisht thonë se kosovarëve nuk do t’u pranohet azili, qytetarët nuk duhet të largohen, ndërsa, në anën tjetër, pikërisht shtetet prej nga vijnë këta ambasadorë nuk bëjnë asgjë konkrete që ta ndalin këtë emigrim. Migrimi ilegal ka filluar në atë moment kur është bërë publike që ekziston një mundësi e madhe për të kaluar në vendet e BE-së nga Kosova përmes Hungarisë. Migrimi mund të ndalet vetëm atëherë, kur të bëhet bllokada nga vendet e BE-së ku po hyjnë kosovarët ilegalisht. Pra, asnjë apel retorik nuk mund t’i ndalë kosovarët që të largohen nga vendi i tyre, por kjo mund të ndalet vetëm nëse bllokohet hyrja e qytetarëve kosovarë në kufijtë e vendeve të BE-së.
DW: Zoti Muhaxheri, ka me dhjetra raste të personave që kanë ikur dhe po ikin nga Kosova me një gjendje jo të keqe sociale, por megjithatë, kanë vendosur të largohen nga Kosova, si shpjegohet kjo?
Muhaxhiri: Në Kosovë ekziston një pasiguri dhe vështirësi e madhe për gjetjen e një vendi pune, sikundër ekziston një pasiguri e madhe për ruajtjen e vendit të punës, sepse nuk ka një funksionim të mirë të gjykatave, të sistemit të drejtësisë, nuk zbatohet ligji i punës dhe mbikqyrja e bizneseve dhe këto të fundit p.sh. mund të bëjnë çfarë të duan dhe në këtë kontekst edhe të punësuarit në kompani të ndryshme nuk janë të sigurt për vendin e tyre të punës, nuk janë të sigurt që të drejtat e tyre respektohen, prandaj edhe kalkulojnë që ikja e tyre është më me benefit sesa qëndrimi i tyre në Kosovë. Rroga mesatare në Kosovë është shumë e vogël, vetëm sa për të mbijetuar, prandaj tek këta persona gjithmonë ekziston arsyeja për të kërkuar një jetë më të mirë. Ne kemi pasur rastin kur edhe mjekët e Kosovës kanë migruar në Gjermani, mjek të cilët kanë qenë të punësuar në Kosovë. (dw)

Sejko zgjidhet guvernator i ri i Bankës

Shqipëri, drejtuesi i ardhshëm i institucionit më të rëndësishëm të vendit, Gent Sejko, mori një mbështetje të gjerë politike sot në mbrëmje në parlament me 105 vota pro, 3 kundër dhe 4 abstenimeNë Tiranë parlamenti votoi sot në mbrëmje në favor të kandidaturës së Genti Sejkos për postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Zoti Sejko mori një mbështetje të gjerë, duke grumbulluar votat e të dy krahëve të politikës. Në përfundim të një votimi të fshehtë ai mori 105 vota pro, 3 vota kundër dhe katër abstenime.

Zoti Sejko, u propozua nga presidenti Bujar Nishani 4 dhjetorin e shkuar. Dekreti i presidentit shkaktoi jo pak polemika në radhët e shumicës, përfaqësuesë të së cilës kundërshtuan procedurën e ndjekur nga kreu i shtetit. Për të shmangur një përplasje mbi emrin e guvernatorit të ri të Bankës Qendrore, e mbetur pa drejtues që prej shtatorit të shkuar, shumica mbështeti një zgjidhje kompromisi. Në fund të muajit dhjetor, Këshilli Mbikqyrës e propozoi zotin Sejko si anëtar të tij, duke përmbushur kështu dhe një kusht të ligjit për përzgjedhjen e guvernatorit.

Zoti Sejko pason ish guvernatorin Ardian Fullani, i arrestuar më 5 shtator dhe aktualisht i hetuar në gjendje të lirë, për skandalin e vjedhjes së afro 7 milion dollarë nga një punonjës i Bankës. Në seancën dëgjmore në komisionin e Ekonomisë, zoti Sejko deklaroi se “transparenca dhe forcimi i kontrollit të brendshëm” do të jenë ndër përparësitë e tij kryesore, duke shtuar se lidhur me vjedhjen e ndodhur vitin e kaluar do të kërkonte vlerësimin e dokumentave dhe pasqyrave financiare, për të parë nëse është e saktë vlera e zhdukur nga thesari, e po ashtu edhe nëse nxjerrja e përgjegjësive është bërë si duhet.

Zoti Sejko, 45 vjec, ka një eksperiencë 20 vjecare në sektorin bankar dhe financiar. Vitet e fundit ai ka mbuluar detyrën e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të filialit në Shqipëri të bankës franceze “Société Générale”. (voa)

NATO: Trupë “Porsche” për t’u mbrojtur ndaj kërcënimeve

Aleanca krijon VJTF – një forcë e re e reagimit të shpejtë të NATO-s për të qenë e përgatitur ndaj kërcënimeve të mundshme nga Rusia. Detajet i paraqesin ministrat e mbrojtjes të aleancës në takimin në Bruksel.Në Aleancën ushtarake të Atlantikut të Veriut gjithçka shprehet me shkurtime e iniciale: pjesë të trupave, operacionet, funksionet – çdo gjë shprehet pak a shumë përmes renditjes së gërmave që ndonjeherë është e vështirë t’i kuptosh. Akronimi i fundit i NATO-s është “VJTF”, çka do të thotë “Very High Readiness Joint Task Force”. Por edhe pse kjo forcë ndërkohë ekziston vetëm në letër, për të qysh tani ka një emërtim të gjuhës së folur, ajo quhet edhe “maja e shtizës”.

Një gjeneral e ka quajtur njëherë këtë forcë edhe si “Porsche” ndër njësitë e NATO-s. Këto lojëra fjalësh kanë të bëjnë me një vendim të vitit të kaluar të 28 krerëve të vendeve të NATO-s: Në rast tensioni deri në 5000 ushtarë duhet të vendosen sa më shpejt të jetë e mundur në kufijtë e jashtëm të aleancës. Me këtë koncept NATO reagon ndaj politikës së jashtme agresive të Rusisë. Qëllimi është sigurimi preventiv i “Frontstaate” në lindje të Europës: Sapo trupat ruse të marshojnë në kufijtë e tyre, do të angazhohet trupa “VJTF”.

Gatishmëria në provë

Gradualisht njësia po mer konturet. Gjermania, Holanda dhe Norvegjia kanë shprehur ndërkohë gatishmërinë – për të formuar përkohësisht “majën e shtizës”. Ushtarakët presin tani që ministritë e mbrojtjes të “përcaktojnë detyrat lidhur me madhësinë dhe konceptin e VJTF”. Këhstu shprehet nënkoloneli Jürgen Mertins, zëdhënës i korpusit gjermano-holandez në Münster. Trupa e tij përbën kuartierin qendror të njësive të ushtrisë së “VJTF”.

Në fund të janarit nisën stërvitjet e simuluara. Oficerët e stabit të NATO-s dhe planifikuesit kryen të ashtuquajturën “Table-Top-Exercise”. Një simulim me harta dhe tabela në laptop. Në fund të prillit do të vazhdojnë të tilla stërvitje dhe atëherë do të ushtrohet edhe me një alarm të simuluar. Më këtë synohet të provohet, se sa shpejt është e gatshme trupa të reagojë pas alarmit dhe sa kohë i duhet asaj që të mbledhë materialet? Në dokumentat e NATO-s (ende) nuk ka një përcaktim përfundimtar – brenda 48 apo 72 orëve, apo vetëm pas pesë ditëve? Gjithsesi qëllimi është sa më shpejt që kjo të jetë e mundur.

Politika e jashtme e Putinit si një sinjal për t’u zgjuar

VJTF nuk është e para forcë e reagimit të shpejtë të NATO-s. Megjithatë, trupat pararadhëse deri tani kanë çaluar, sepse disa anëtarë të NATO-s nuk kanë qenë të gatshëm të venë mjaftueshëm trupa në dispozicion. Kjo ka ndryshuar rrënjësisht. Kriza e Ukrainës po tingëllon si një sinjal alarmi në NATO.

Gjermania luan një rol të rëndësishëm në krijimin dhe stërvitjen e VJTF. Përveç kuartierit qendror në Münster, batalioni i këmbësorisë 371 nga Marienberg në Saksoni përbën bërthamën e saj. Por pavarësisht këtij fakti, në Gjermani është ka rezerva sa i përket aftësisë vepruese në rast shprehjeje të solidaritetit brenda aleancës – mbi këtë çështje në Bruksel flitet me dyer të mbyllura, por publiciksta e shpreh hapur. Vendimi i qeverisë gjermane për të mos e mbështetur operacionin e NATO-s kundër diktatorit libian Gadafi në 2011 e rëndon sot reputacionin e Gjermanisë brenda aleancës. Përveç kësaj, çdo mision i Bundeswehr-it (ushtria gjermane) duhet të miratohet nga parlamenti gjerman.

Pasiguria e planifikuesve ushtarakë rusë

Krijimi i një barazpeshe të re politike mes detyrimeve ndaj aleancës dhe të drejtave të parlamentit është detyra e një komisioni të Bundestagut (parlamenti gjerman), i cili kryesohet nga Volker Rühe. Ky i fundit ish-ministër i Mbrojtjes beson se trupa e planifikuar VJTF mund të angazhohet edhe mbi bazën e legjilsacionit aktual: “Parlamenti vendos nëse është e nevojshme përmes një procedure të përshpejtuar – një gjë e tillë është e rrgulluar”. Por Karl-Heinz nga Akademia Federale për Politikat e Sigurisë (BAKS)mendon, se mund të ketë një problem, kur “ne kemi një Rapid Reaction Force për një Slow Reaction Politik”. Megjithatë është vendimtar fakti, se as planifikuesit ushtarakë në Rusi nuk janë në gjendje ta vlerësojnë një situatë e tillë konfuze të politikës ushtarake.

E pikërisht pasiguria e agresorëve të mundshëm është objektivi kryesor i VJTF. Vendimet relativisht jo preçize të NATO-s për këtë çështje kanë kësisoj edhe avantazhet e veta. Eksperti i BAKS Kamp tërheq vëmendjen, se SHBA po vendosin disa qindra ushtarë shtesë në Europën Lindore mbi bazën e marrëveshjeve bilaterale. Edhe Britania e Madhe ka deklaruar, se do të krijojë kapacitet e veta të ndërhyrjes së shpejtë.

Magazina dhe depo armësh në zonat e angazhimit

Në verë VJTF do të kryejë një stërvitje të kufizuar në kushte reale, në mënyrë “që trupat vërtetë të dalin në terren operativ”, thotë nënkoloneli Mertins. Qysh tani ndihet shqetësimi i planifikuesve në shtabin e NATO-s në Mons (Belgjikë)- e kryesisht problematik është transporti: aleatëve u mungojnë avionët dhe hekurudhat nuk kanë më si dikur gjatë Luftës së Ftohtë platforma të ulëta mobile për transportin e armatimeve të rënda.

Kur VJTF të mbërrijë në vendin e angazhimit atje duhet të gjejë depot për municion, mallra ushqimore e veshmbathje, armatime të rënda e rreth 40 oficerë, kryesisht specialistë për furnizimet dhe komunikimin. Në gjashtë vende do të ngrihen baza të tilla – në tri republikat baltike si dhe në Poloni, Rumani dhe Bullgari. Ende nuk ka një bilanc për kostot e VJTF. E vetmja gjë që është përcaktuar është ndarja e kostove: pikat e furnizimit dhe depot në terrenin e operimit duhet të zenë rreth dhjetë për qind dhe duhet të paguhen nga fondi i përbashkët; pjesa tjetër paguhet nga kombet, që ofrojnë trupa për VJTF. Kjo realizohet në përputhje me parimin e NATO-s: “Kush gjuan, paguan”. Por edhe ai që ka frikë se i duhet të gjuajë paguan. (dw)

Historiani Dülffer: “Ndarja e Evropës nuk është kapërcyer ende”

70 vjet më parë Roosevelt, Churchill dhe Stalin ndanë Evropën në Jaltë. Sot Putin vijon me politikën e pushtetit të Stalinit, thotë historiani nga Këlni, Jost Dülffer. Sipas tij kjo është një situatë shumë e rrezikshme.Më 4 shkurt të vitit 1945 u takuan tre liderët e fuqive aleate në luftën kundër Gjermanisë naziste: Franklin D. Roosevelt (SHBA), Winston Churchill (Britania e Madhe) dhe Joseph Stalin (BRSS). Ata u mblodhën në Jaltë të Bashkimit të atëhershëm Sovjetik në gadishullin e Krimesë. Takimi i “Tre të mëdhejve” kishte të bënte me ndarjen e Gjermanisë pas kapitullimit dhe me krijimin e një rendi të ri të pasluftës në Evropë. Fuqitë e mëdha të atëhershme ranë dakord me njëra-tjetrën që në fillim lidhur me kërkesat për dorëzimin pa kushte, për denazifickmin dhe demilitarizimin e Gjermanisë. Por disa çështje të tjera dukeshin të pazgjidhshme, aq të mëdha ishin dallimet.
Për gadishullin e Krimesë, ku ndodhet Jalta, ka edhe sot trazira në rendin evropian të paqes. Në një intervistë për Deutsche Welle-n (DW) historiani gjerman Jost Dülffer flet për rëndësinë e konferencës së Jaltës, ku në 1945 u diskutua për paqen dhe ku Evropa faktikisht u nda.

DW: Në Jaltë “Tre të mëdhenjtë” arritën të bien në një farë mase dakord me njëri-tjetrin, paqja në Evropë u sigurua fillimisht. Por disa muaj më vonë bota u përball me një luftë të re, të ashtuquajturën “Lufta e Ftohtë”. Çfarë ndodhi?
Jost Dülffer: Koalicioni anti-Hitler i përbërë nga rusët, amerikanët dhe britanikët as gjatë luftës nuk kishte funksionuar pa tensione. Por në Jaltë aleatët ranë dakord për atë, që për të gjitha palët mund të ishte një pikënisje për një politikë të përbashkët të pasluftës. Por ajo nuk u aplikua konkretisht në diplomaci, për shkak se u thelluan tensionet. Pati diferenca për çështje të caktuara. E para ishte çështja polake. Bashkimi Sovjetik e injoroi qeverinë polake në mërgim në Londër dhe vendosi një qeveri satelite të vetën. Pyetja ishte a duhej të njihej kjo qeveri, veteë sepse BRSS kishte çliruar Poloninë?
Pastaj ishte çështje e reparacioneve. SHBA hezitoi që në Jaltë, që të mbështesë plotësisht kërkesat sovjetike për reparacione nga Gjermania, sepse ishte e sigurtë, se vinte në një vend të shkatërruar, i cili fillimisht ka nevojë për ndihmë. Përveç kësaj amerikanët nuk ishin të gatshëm që të ndanin sekretin e bombës atomike dhe të shfrytëzimit të energjisë bërthamore për qëllime civile. Kjo krijoi tensione. Të përbashkëtat u shterruan deri në vitin 1946/1947.
Le të spekulllojmë: çfarë mund të bëhej ndryshe, sikur të dihej, se çfarë do të ndodhte pak vite pas konferencës?
Bashkimi Sovjetik e çliroi Evropën Lindore nga pushtimi gjerman dhe donte të ushtronte interesat e tij të pushtetit atje. Për shkak se kjo nuk iu pranua, pasoi konfrontimi dhe Lufta e Ftohtë. Të dyja palët kanë faj, sepse fuqitë perëndimore kishin pak mirëkuptim për Bashkimin Sovjetik, edhe për vuajtjet e Bashkimit Sovjetik. Në luftën e ftohtë Bashkimi Sovjetik, amerikanët dhe britanikët kanë qenë të përfshirë njëlloj.
A ishte e qartë që në Jaltë, se ndarja e botës nuk mund të shmangej?
Jalta ka qenë një ndër shumë konferenca, ku është diskutuar për rendin e pasluftës dhe ku kërkohej të arrihej marrëveshje për këtë çështje. Një vit e gjysmë më vonë ka pasur vetëm konferenca ministrash të jashtëm, në të cilat u bë e dukshme ndarja e Evropës. Në Jaltë kjo nuk ka qenë aq e manifestuar. Kishte ende shanse. Por ka pasur një konfrontim ideologjish – komunizmit dhe kapitalizmit. Secila palë zgjeronte sferën e saj të ndikimit në mënyrën e vet, Bashkimi Sovjetik më shumë në mënyrë ushtarake, fuqitë perëndimore më shumë në sensin ekonomik.
Disa historianë e shohin Jaltën si vendin, ku Perëndimi ka tradhëtuar Poloninë dhe vende të tjera të Evropës Lindore. E shihni edhe ju kështu?
Gjërat erdhën si erdhën, pjesërisht për shkak të një veprimi të njëanshëm të BRSS, pjesërisht edhe si kompromise. Fuqitë perëndimore nuk mund të fillonin luftë me Bashkimin Sovjetik në momentin, kur Gjermania e Hitlerit nuk ishte mundur akoma.
Nëse do të bëni një skicë në vija të trasha, çfarë i ka sjellë Jalta botës? Çfarë mund të cilësohet sot 70 vjet më pas si pozitive dhe si negative?
Dy muaj pas Jaltës u themelua OKB-ja. Për Kombet e Bashkuara në fakt u fol pak në Jaltë, por u ra dakord, që të pesë fuqitë e mëdha të kenë të drejtën e vetos. Kjo ishte e nevojshme në sistemin e atëhershëm shtetëror, por ky rregull pengon deri sot OKB-në për të qenë më efektive. Pozitivja ishte se po ecej në rrugën e paqes, ndërsa ishte akoma luftë.
Situata e sotme në Euvopë ka prej disa vitesh ngjashmëri me kohën e atëhershme. Në politikën e tij dhe në mënyrën se si prezantohet Putini vazhdon politikën e pushtetit të Stalinit. Dhe kjo është një situatë shumë e rrezikshme. Ne kemi besuar se pas përfundimit të konfliktit Lindje-Perëndim 1989/90 ishte kapërcyer kjo ndarje në sfera të ndryshme të pushtetit në Evropë. Ne shohim sot se Rusia e sotme, shumë më e vogël se Bashkimi i i atëhershëm Sovjetik, ndjek të njëjtën rrugë dhe kjo është shumë serioze. Ne mendonim se e kishim kapërcyer, por jo.
Intervistën e zhvilloi Daria Bryantseva.
Jost Dülffer është profesor për historinë e re në Universitetin e Këlnit. Ai është autor i librit “Jalta, 4 shkurt 1945. Lufta e dytë Botërore dhe krijimi i botës bipolare”. (dw)

Jordania sulme ajrore ndaj Shtetit Islamik

Avionët luftarakë të Jordanisë kryen sot sulme ajrore ndaj objektivave të Shtetit Islamik, një ditë pasi mbreti jordanez u zotua për sulme të vazhdueshme ndaj grupit militant, pas vrasjes së shëmtuar të një piloti jordanez, avioni i të cilit u rrëzua në Siri.Nuk u dhanë informacione lidhur me objektivat e sulmeve ajrore të Jordanisë. Qeveria jordaneze i konfirmoi sulmet ajrore sot, ndërsa mbreti

Abdullah vizitoi familjen e pilotit të vrarë Muath al-Kaseasbeh në shtëpinë e tyre në jug të Jordanisë.

Mbreti i tha familjes se Jordania do të vazhdojë të luftojë për të mbrojtur fenë, vendin dhe popullin jordanez.

Grupi Shteti Islamik ka kërkuar shkëmbimin e të burgosurve, por Jordania nuk pranoi, pa patur prova që piloti ishte ende i gjallë

Mbreti Abdullah tha se Jordania nuk ka për ta pushuar luftën kundër militantëve në vendet ku ata kanë kontrollin. (voa)

Koment: thjesht vetëm e neveritshme

Videoja e re e tmerrshme e terroristëve islamistë nga Siria të shtang. Sërish bëhet e qartë: Shteti Islamik (IS) sfidon të gjithë botën, mendon kryeredaktori i DW-së Alexander Kudascheff.Togeri jordanez i aviacionit Muas al-Kasasba ka vdekur. Ai u dogj i gjallë prej të ashtuquajturit “Shteti Islamik”. I mbyllur në një kafaz ai përjetoi një therorizim të paimagjinueshëm. 20 minuta zgjati lufta e tij me vdekjen, pasi ai siç dukej ishte torturuar shumë rëndë më parë. Në shkallëzimin e papërfytyrueshëm të mizorive gjithnjë e më të tmerrshme kjo autodafé, djegia në publik, është veçse e neveritshme, e përshtirë, që të ngjall krupën. Në të veprohet me instiktet më të ulëta dhe ajo intensifikon terrorin e mizorisë.
Çfarë vjen paskëtaj?
Fillimisht IS rrëmbeu për skllavëri, dëboi, torturoi, përdhunoi, vrau, shfarosi fshatra të tërë, jezidë, të krishterë, asgjësoi njerëzit e besimit tjetër, për të vazhduar me prerjet e kokave publikisht – dhe tani djegia në publik. Çfarë do t’u pjellë më mendja të vetëshpallurve luftëtarët islamikë të Zotit, çfarë do të bëjnë më ata në marrëzinë totalitariste të makthit të tyre për pushtet? A ka më shkallëzim të mëtejshëm të mizorisë, a ka më shkallëzim të mëtejshëm të inskenimeve përmes videove ikonografia e tyre e terrorit dhe e gjoja “kthimit në rrënjët e Islamit të vërtetë, të pastër e origjinal”?

IS i vë të gjithë përballë sfidës. Fillimisht vendet, në të cilat ai po shfren, pra Sirinë dhe Irakun. Pas tyre fqinjët, nga Jordania deri në Turqi e Iran. Të gjithë rajonin, qoftë Arabia Saudite, apo Egjipti. E së fundi botën, nga SHBA-ja deri tek BE-ja e po ashtu edhe Rusinë e kërcënuar prej terrorizmit. Nuk është më çështja për disa sulme nga ajri të kryera me sukses. As nuk bëhet fjalë vetëm për mbështetje të peshmergave kurdë me furnizime me armë. As nuk është fjala për azilin për qindra mijëra, për miliona refugjatë. Madje as nuk qendron çështja, sado e hidhur të tingëllojë kjo, tek fati politik i diktatorit sirian Bashar al-Asad.
IS jo vetëm që duhet të luftohet, por duhet të asgjësohet
Tani çështja është, të asgjësohet IS. Të shkatërrohet ai ushtarakisht, ashtu si dikur para 800 vjetësh u asgjësuan asasinët. Fillimisht duhet një fushatë ushtarake, që të përballet me sfidën për të mposhtur IS – kjo duhet bërë edhe pse vdekja e al Baghdadit dhe xhihadistëve të tij mund të bëjë që të ngrihen pasues të rinj. Shuarja shoqërore e politike e magjepsjes së xhihadiszmit të dhunshëm do të jetë hapi i dytë.
Një hap i vështirë ky, siç mund të shihet në shpërbërjen e shteteve në Lindjen e Mesme – në Jemen, në Libi e po ashtu edhe në periferitë e Perëndimit të lehta për t’u ndezur ideologjikisht, ose në Kaukaz. Por këtë detyrë vendet arabe duhet ta përballojnë vetë. Janë ato që vendosin, nëse duan një Lindje të Mesme multikulturaliste dhe multifetare, apo duan të zhyten në vorbullën e islamizmit fanatik.
Reagimi i Jordanisë për t’i ekzekutuar xhihadisten al-Riscavi dhe anëtarin e Al-Kaidas Karbuli, vërtetë mund të gjejë miratim si një akt hakmarrjeje, madje ai u përgjigjet edhe konform interesave të shoqërisë beduinase të fiseve në mbretërinë hashemite. Por ky reagim ishte sipas logjikës të Dhjatës së Vjetër dhe jo sipas normave të shtetit ligjor. Kësisoj vetëm përkohësisht ai mund të ndikojë në forcimin së brendshmi, por me gjasë ai mund të çojë në një përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës. (dw)

LSDM, të premten vendimi për bombat

Kryesia e LSDM-së do të vendos të premten në seancë të Këshillit Qendror për ditën e fillimit të publikimit të “bombave” të shumëpritura. Këtë e bëri të ditur sot zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov, duke thënë se pa vendim të Këshillit Qendror nuk do të fillojë publikimi i dokumenteve.Ndërkohë lideri i LSDM-së Zoran Zaev i cili ditëve të fundit ka intensifikuar takimet me ndërkombëtarët, ka pritur sot ndihmës sekretarin shtetëror në Byronë për demokraci dhe të drejtë të njeriut të SHBA-ve, Tomas Melia dhe ushtruesin e detyrës ambasador të SHBA-ve në Shkup, Bart Putnej. Para amerikanëve, ai ka përsëritur qëndrimin se materialet komprometuese për Qeverinë i ka marrë nga qytetarë të Maqedonisë që punojnë në shërbimet e vendit.

“Argumentet dhe faktet që i posedojmë janë marrë nga shërbimet në Maqedoni, nga patriotë të afërt me pushtetin aktual, të cilët e duan vendin e tyre. Na janë dhënë neve sepse nuk besojnë në sistemin gjyqësor, i cili është nën kontroll të pushtetit, ka thënë Zaev”, informon LSDM-ja.
Zyrtarëve amerikanë, Zaev u ka thënë gjithashtu se publikimi i dokumenteve që dëshmojnë veprimet kriminele të Qeverisë, nuk mund të kualifikohet si grusht shtet.

“Edhe me Kushtetutë edhe me ligj, është obligim për secilin që posedon dëshmi të tilla ti publikojë. Ne kemi obligim para qytetarëve të publikojmë gjithçka që kemi. Edhe do ta bëjmë”, ka thënë Zaev.
Kërkesa për Qeveri teknike, sipas liderit të LSDM-së, është thënë publikisht dhe nuk mund të bëhet fjalë për shantazh por për kërkesë legjitime të opozitës. Benjamin Arifi

NZZ: Goditje e re e qeverisë maqedonase ndaj kundërshtarëve të saj

Gazeta gjermane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) përmes një shkrimi special ka përshkruar situatën e fundit në Maqedoni lidhur me shtimin e tensioneve midis pozitës dhe opozitës maqedonase. Duke i numëruar ngjarjet që u shënuan gjatë vikendit në Maqedoni për rastin “Puç”, autori Andreas Ernst në tekstin e publikuar thekson se menjëherë ka pasur reagime nga përfaqësuesit e lartë të BE-së për siguri dhe politikë të jashtme.

Në reagim është vlerësuar se akuzat janë të rënda dhe se është i nevojshëm një hetim transparent dhe i pavarur.

“Përfaqësuesit e lartë për politikë të jashtme janë të shqetësuar për shkak të përkeqësimit të dialogut politik në vend. Ky dialog një kohë të lartë është në zero. Pothuajse një vit opozita e bojkoton parlamentin. Ajo e akuzon qeverinë për mashtrim. Qeveria nacionale konzervative është fituese e zgjedhjeve që nga viti 2006. Këto zgjedhje ishin të lira por jo edhe të drejta. Me një kontroll të rreptë ndaj mediumeve dhe nëpërmjet ndikimit ndaj gjyqësorit, kryeministri Gruevski ka krijuar një sistem i cili i përmbahet qeverisë edhe përkundër gjendjes katastrofale ekonomike. Por, edhe qeveria ka një pjesë të fajit. Në vend që të mobilizohet dhe të kujdeset për popullin që vuan, ajo e bojkoton kuvendin”, thuhet në tekstin e publikuar në gazetë. (INA)