All posts by V.F.

Themelet e BE-së po thërrmohen

Asnjë vend i BE-së nuk mund t’i mbrojë më interesat e tij i vetëm në botë, por vetëm në bashkëpunim me anëtarët e tjerë, mendon Christoph Hasselbach.Në Athinë fituesi i majtë të zgjedhjeve mendon se mund të bëjë shantazh ndaj pjesës tjetër të Evropës me kërkesat e tij financiare. Në Budapest, një kryeministër i djathtë nacionalist shpreh admirimin e tij për presidentin rus Putin. Dhe një kryeministër konservator britanik po e zgjeron sa më tepër Kanalin e La Manshës. Tre vetë – Aleksis Tsipras, Viktor Orban dhe David Cameron – janë përfaqësues të anulimit të pjesëve më të rëndësishme të një konsensusi evropian. Se ku do të çojë ky zhvillim, nuk është ende e qartë. Por e qartë është se ai është dramatik.
Ndihmë kundër reformave
Sipas radhës: në politikën ekonomike ka qenë deri tani konsensus se BE-ja e ndihmon një vend me shumë borxhe në qoftë se ky konsolidon buxhetin dhe e bën përmes reformave ekonominë e tij konkurruese. Vendet që i kanë pranuar këto kushte, kanë paguar një çmim të lartë në formën e papunësisë dhe shkurtimeve në fushën sociale. Megjithatë, ata i kanë bërë këto – vullnetarisht madje. Askush nuk i ka detyruar. Ata i kanë bërë duke e ditur se kjo është e vetmja mënyrë për të dalë nga mizerja dhe për të rifituar pavarësinë. Dhe donatorë qënë të gatshëm për ndihmë vetëm nëse plotësoheshin kërkesat për sakrifica.
Kjo politikë është shoqëruar me shumë ankesa, demonstrata, greva dhe debate të forta. Por në thelb konsensusi ekonomik mbeti, ndryshe uniteti i BE-së do të thyhej gjatë krizës së euros. Kur Alexis Tsipras mendon se mund të ketë gjithçka, pra mbështetjen e evropianëve të tjerë pa sakrifica nga Greqia, ai largohet nga baza e përbashkët. Eurozona mund ta përballojë tani ekonomikisht një largim të Greqisë. Por politikisht kjo do të ishte një katastrofë. Kjo do të thotë se evropianët do të lejojnë kalbjen e tyre. Por që tani imitues të ndryshëm në vende të tjera besojnë gjithashtu se mund t’i bëjë për vete votuesit e tyre me shpresa jorealiste për një shkurtim të rrugës së vështirë. Në rast se ndonjë qeveri ia arrin kësaj, solidariteti menjëherë do të merrte fund.
Gëzim në Kremlin
Edhe konsensusi për qëndrimin ndaj Rusisë është në rrezik akut. Sipas tij edhe nëse sanksionet nuk mund ta prapësojnë presidenti Putin nga politika e tij imperialiste dhe madje mund të dëmtojnë ekonomikisht vendet e BE-së, sanksionet janë të rëndësishme si një shenjë se Evropa nuk e pranon një zhvendosje të dhunshme të kufijve. Interesante është se si i majti Tsipras në Greqi dhe i djathti nacionalist Orban në Hungari, mendojnë se BE duhet të tregojë më shumë mirëkuptim ndaj Moskës.
Të paktën Orbani, por jo vetëm ai, shpreh madje edhe simpati të hapur për Putinin dhe stilin e tij politik, pra se si sillet Putini me opozitën, me 35t, me homoseksualët apo refugjatët. Dhe kjo nga ana e vet e stimulon Putinin, i cili përpiqet në mënyrë aktive për përçarjen e BE-së. Sepse një BE e përçarë ka pak mundësi për ta kundërshtuar Putinin.
Nëse çahen të gjitha digat
Së fundi, veçantitë e britanikëve. Ata e vënë në përgjithësi në pikëpyetje gatishmërinë Evropian për kompromis. Sado të justifikuara të jenë disa pretendime nga Londra për një ndarje të re të pushteteve në BE ose një politikë ekonomike më liberale – David Cameron dhe partia e tij i shtrojnë ato shpesh në mënyrë aq të ashpër dhe ultimative sa që të tjerët vetëm se mund mund t’i refuzojnë, nëse duan të ruajnë respektin për veten e tyre.
Fronte janë ngurtësuar plotësisht. Ndërkohë, nuk duket e pamundur që Britania do të dalë nga BE-ja pas një referendumi. Kjo në vetvete do të ishte një katastrofë. Sepse pas kësaj pritet që dhe në pjesën tjetër të BE-së të çahen të gjitha pengesat dhe digat. Vende të tjera mund të ndjekin menjëherë shembullin britanik apo të vendosin si kusht për anëtarësimin rritjen e kërkesave për përjashtime deri sa në fund vështirë se do të gjehet dot më një bazë e përbashkët.
Konsensusi nuk është vlerë në vetvete
Konsensusi nuk është vlerë në vetvete. Ka konsens të detyruar, të rehatshëm ose pa interes dhe për këtë arsye vetëm konsensus sa për sy e faqe. Por nëse evropianët luftojnë për të, e gjejnë më në fund dhe pastaj e përdorin atë për një qëllim të përbashkët, ajo është shumë e vlefshme. Asnjë vend i BE-së nuk mund t’i mbrojë më interesat e tij i vetëm në botë, por vetëm në bashkëpunim me anëtarët e tjerë. Kjo vlen si për vendet e mëdha si Gjermania dhe Britania e Madhe dhe për vendet e vogla si Greqia dhe Hungaria. Por për këtë është e nevojshme një bazë e përbashkët. Kushdo që e vë në pikëpyetje atë duhet të thotë, se cila mund të ishte alternativa. (dw)

Strauss-Kahn para gjyqit

Personi që dikur shihej rival i mundshëm ndaj ish Presidentit francez Nicolas Sarkozy del sot në gjyq, nën akuzat për “qëndrime tepër të ulëta”.Dominique Strauss-Kahn, ishte Drejtor Ekzekutivi i FMN_së, por karriera e tij mori fund katër vjet më parë, kur një punonjëse shërbimi në një hotel të Nju Jorkut e akuzoi atë për sulm seksual në dhomën e hotelit ku ai qëndronte.

Strauss-Kahn u detyrua të jepte dorëheqjen nga FMN-ja, pas akuzave të punonjëses së hotelit, edhe pse prokurorët e Nju Jorkut hoqën dorë nga ndjekja penale ndaj tij në Shtetet e Bashkuara.

Gjyqi ndaj tij filloi sot në Lille në veri të Francës, nën akuzat për organizimin e mbrëmjeve të shfrenuara seksuale.

Në Francë, ligji nuk ndalon të paguash para për seks, por është kundër përdorimit të prositucionit si biznes.

Strauss-Kahn pranon se i pëlqejnë orgjitë, por ai thotë se nuk e dinte që gratë në mbrëmje të tilla ku ai kishte marrë pjesë në Lille, Bruksel, Paris dhe Uashington ishin prostituta dhe se ai nuk ka qenë organizatori i tyre.

Strauss-Kahn mund të dënohet me deri 10 vjet burg dhe me një gjobë deri në 1.7 milionë dollarë. (voa)

Kosova kushti i parë për Serbinë

Serbia duhet të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian për temat sfiduese si Kosova. Por Serbia duhet të përqendrohet në realizimin e kushteve dhe jo në afate.Komisioneri i BE-së për Politikë Fqinjësore dhe Negociatat për Zgjerimin, Johannes Hahn pohon se cilësia e negociatave për anëtarësim në BE është më i rëndësishëm se shpejtësia. Me rëndësi është që të zgjidhen problemet, mendon ai. “Me sfidat duhet të përballemi menjëherë dhe jo t’i shtyjmë ato. Kjo vlen edhe për negociatat për anëtarësim në BE”, pohon Rahn, në një intervistë me revistën CorD.
Ndër kapitujt e parë që do të hapen në negociata me Serbinë janë ai 23 dhe 24. Hahn shpreson se këta kapituj do të hapen nga mesi i këtij viti. Por para tyre duhet të hapet kapitulli 35, i cili ka të bëjë me raportet me Kosovën. Sipas Hahn, autoritetet e Serbisë “e kanë shumë të qartë se cila është përbërja e këtij kapitulli.”
“Kapitulli nënkupton normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhjen e shumë çështjeve konstestuese, si anëtarësimi në Fondin Evropian për Zhvillim, Bankën Evropiane për Investime etj. Kapitulli 35 do të përcjellë se në ç’masë Serbia është duke plotësuar kushtet që ka marrë mbi vete në procesin e dialogut.”
Vendimi merret së shpejti
Johannes Hahn pohon se vlerësimet e para të ecurisë së procesit që është bërë vitin e kaluar, kanë qenë pozitive. Së shpejti pritet një vlerësim tjetër dhe mbi bazën e tij do të vendoset për hapjen e negociatave me Serbinë. “Për hapjen e negociatave është e domosdoshme që të realizohen të gjitha obligimet e marra me marrëveshjen e Brukselit. Një përparim është bërë, por ka mbetur ende për t’u bërë.” Sa i përket dialogut Prishtinë-Beograd, Hahn tha se nga palët pret një përkushtim të plotë. Palët duhet të ndihmojnë dhe jo të bllokojnë njëra-tjetrën. Serbia, Kosova dhe BE kanë rënë dakord që përparimi në procesin e negociatave varet nga normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. “Normalizimi i plotë duhet të arrihet gradualisht. Në fund Kosova dhe Serbia duhet t’i realizojnë në tërësi të drejtat dhe obligimet e tyre”, thotë ai.
Hahn nënvizoi se nuk ekziston ndonjë afat kohor për anëtarësimin e Serbisë në BE. “Kohëzgjatja e negociatave do të varet në radhë të parë nga Serbia dhe realizimi i reformave të domosdoshme. Cilësia është më i rëndësishëm se shpejtësia. Kjo vlenë edhe për Serbinë”, pohon ai.
Sa i përket raporteve me Rusinë, diplomati austriak tha se “Serbia si vend që pretendon anëtarësimin në BE, duhet të koordinojë gradualisht politikën e saj me atë të BE.” BE-ja ka marrë një qëndrim parimor për aktivitetet e Rusisë në Ukrainë, por është e hapur për dialog me Moskën. Sa i përket ndihmave në kohën e negociatave, Hahn bëri të ditur se në vitet e ardhshme Serbisë do t’i ndahen 200 milionë euro për reforma. (dw)

Roland Jahn: „Bëhet fjalë për besimin tek institucionet e shtetit“

Ndizet debati për hapjen e dosjeve në Shqipëri. Në shkurt një projektligj i qeverisë pritet të diskutohet në parlament. Mbi problematikën e dosjeve shprehet drejtuesi i autoritetit të dosjeve në Gjermani, Roland Jahn.DW: Në Shqipëri diskutohet tani hapja e dosjeve, pas 25 vjetësh, më në fund- një projektligj i mazhorancës qeverisëse parasheh parimisht hapjen e tyre, me këtë ligj duhet të rregullohet edhe lustracioni. Por sipas raportimeve në 35ve, sërish ky ligj u ndryshua. Me këtë ndryshim përjashtohen nga lustracioni disa persona që sot mbajnë poste të rëndësishme, gjë që ka shkaktuar reagime. Sie mendoni ju?
Roland Jahn: Hapja e dosjeve të Stasit, pra e policisë sekrete të Stasi-t ishte diҫka e vendosur që në fillim të tetorit të viti 1990, kur u bashkuan të dy Gjermanitë. Pra ka qenë kërkesa kryesore e revolucionit paqësor të vitit 1989, që u zbatua. Bërja transparente e përfshirjes në aparatin represiv të RDGJ-së ka qenë shumë e rëndësishme për startimin në demokracinë e përbashkët. Bëhej dhe bëhet fjalë për besimin në institucionet e shtetit, dhe ky besim mund të krijohet vetëm përmes transparencës së të shkuarës të personave në funksione. Ky nuk është një proces i lehtë, por në Gjermani ne ia kemi dalë ta bëjmë këtë në mënyrë të zgjeruar. Ka ndodhur që hapja e dosjeve të sillte me vete pasoja të mëdha, ka pasur politikanë apo funksionarë të shtetit që i kanë humbur postet e tyre. Por shpesh edhe nuk ka ndodhur gjë. Por diskutimi për mënyrën se si jemi sjellë në atë kohë ka qenë shumë i rëndësishëm për opinionin publik dhe besimin tek institucionet.
DW: Nga ana e qeverisë thuhet se Shqipëria ka marrë si model ligjin gjerman. A keni ndonjë informacion për këtë. Cilin mbron, ose a ruan persona të caktuar nga verifikimi ligji gjerman?
Roland Jahn: Për përpjekjet e Shqipërisë ne jemi informuar pak në mënyrë zyrtare. Por nëse ka nevojë ne jemi me dëshirë të gatshëm për ndihmë. Ligji gjerman i dosjeve, në thelb të tij, rregullon aksesin tek dosjet, ky nuk është një ligj ndëshkues. Ai mundëson po ashtu edhe verifikimin e figurës së personave në shërbimin publik në shumë nivele. Ndërkohë, tani 24 vjet më pas rrethi i personave që verifikohen është i vogël. Por ligji nuk i bën ndonjë mbrojtje të posaҫme dikujt nga ky verifikim. Edhe njëherë: Bëhet fjalë për besimin tek institucionet e shtetit dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes një procedimi transparent me të shkuarën.
DW: Ka zëra në Shqipëri që thonë se dosjet janë të shkatërruara, as nuk ia vlen të hapen më. A nuk është shokues ky lloj kapaku që i vihet së shkuarës po të kujtojmë që Shqipëria konsiderohet diktatura e fundit staliniste e Europës?
Roland Jahn: Mënyrën se si vepron me të shkuarën e vet ҫdo vend e vendos më vete. Këtu nuk ka një lloj recete që mund të ofrohet nga jashtë. Por disa përvoja bazë sigurisht janë të vlefshme kudo. E shkuara nuk shkon asnjëherë, sidomos atëherë, kur ka përpjekje për ta injoruar atë. I takon shoqërisë të tregojë respekt ndaj atyre që vuajtën aq shumë në kohën e diktaturës, atyre, jetët e të cilëve u devijuan nga shinat normale të jetës, ata që ndoshta u futën në burg, apo përjetuan edhe më keq se kaq. Për përballimin me të shkuarën në Gjermani ka një opinion të mirëpranuar që një shoqëri mëson nga gabimet e së shkuarës për të sotmen, dhe se nuk duhet lënë të humbasë një shans i tillë.
DW: Hapja e dosjeve është një temë mjaft e komplikuar, e me këtë lidhen frikëra të ndryshme. Denigrimi i mundshëm i personave që nën presionin e organeve të sigurisë psh. bashkëpunuan me to, apo denigrime të tjera publike. Por hapja e dosjve nuk do të thotë denigrim, por zbardhje fatesh. Si e ndan ligji gjerman këtë momen dhe si e mbron individin?
Roland Jahn: Ligji gjerman i dosjeve balancon dëshirën për transparencë ndaj organeve të shtetit me mbrojtjen e sferës private të personave të prekur. Ata që janë të prekur kanë të drejtë të shohin dosjet që janë mbajtur për ta. Studiuesit dhe gazetarët kanë të drejtë të shikojnë dokumente të ndryshme, por qe se puna e tyre është një kontribut për përballimin me kohën e diktaturës në RDGJ. Në kopjet e dokumenteve që nxirren nga arkivi nxihen emrat e personave të prekur apo të tretëve, por lihen të panxirë emrat e personave veprues të Stasit. Ndërkohë organe apo autoritete të caktuara që duan të verifikojnë figurën e nëpunësve të tyre marrin prej nesh vërtetime, nëse janë të dokumentuar në dosje nëpunësit në fjalë. Vetëm nëse është i dokumentuar një bashkëpunim në dosje, atëherë organit përkatës i jepet informacioni. Se si vepron ai me këtë informacion kjo është një kompetencë e vetë organit punëdhënës. Sigurisht është një përvojë mësimi për të gjithë shoqërinë, mënyra e mbledhjes në mënyrë të përgjegjshme të informacionit nga dosjet.
DW: Një frikë tjetër që ekziston në Shqipëri është edhe hapja selektive e dosjeve për të hequr qafe kundërshtarët politikë. Si mund të ҫaktivizohej një mundësi e tillë që në krye të herës?
Roland Jahn: Në Gjermani Autoriteti i Tajtimit të Dosjeve të Stasit (BStU) është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të parlamentit, për të penguar një përdorim të mundshëm politik të dosjeve. Jo qeveria, por i gjithë parlamenti e ka miratuar ligjin e dosjeve dhe ka zgjedhur drejtuesin e këtij institucioni. Drejtuesi është i lirë në ushtrimin e detyrës së tij, për sa kohë që ai respekton rregullat që lidhen me ligjin e dosjeve. Për këtë arsye edhe zgjedhja e personit ka pasur rëndësi. Secili nga të tre drejtuesit e autoritetit deri më tani ka një biografi lindore, pra vjen nga ish-RDGJ, që nënkupton edhe qëndrimin kritik ndaj diktaturës së atëhershme. Drejtuesi aktual ka qenë vetë një i burgosur politik i Stasit. Ky konstrukt ka mundësuar një përdorim të drejtë të dosjeve për të zbardhur të shkuarën dhe për të penguar manipulimin e dosjeve për lojërat politike të pushtetit. (dw)

Turqi: Vitet e arta kanë marrë fund

Problemet politike dhe strukturore në Turqi pengesë për qëllimet ambicioze të Erdoganit që Turqia të jetë në vitin 2023 në mesin e dhjetë vendeve kryesore ekonomike të botës.Dekadën e kaluar ekonomia turke ishte në zhvillim të plotë. Nën udhëheqjen e presidentit Rexhep Tajip Erdogan Turqia u shndërrua në një fuqi rajonale. Në vitet 2004 dhe 2005 ekonomia turke kishte një rritje prej 9,4 dhe 8,5 për qind dhe qe një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë në botë.
Nxitja vinte kryesisht nga industria e ndërtimit. Në mesin e projekteve të mëdha ishte aeroporti më i madh në botë, ura e tretë mbi Bosfor, një rrjet i gjerë metrosh dhe një kanal i dytë në Bosfor. Ekonomia turke shkëlqente nga krenaria dhe vendi po ndiqte qëllimin ambicioz të Erdoganit që Turqia të bënte pjesë në vitin 2023 në mesin e dhjetë vendeve kryesore ekonomike të botës.
Por vitet e suksesit kanë marrë fund. Bumi i ndërtimeve duket se qe i mjaftueshëm për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë turke. Borxhet e vendit janë në rritje dhe investitorët e huaj po i tërheqin paratë e tyre. Për vitin 2014 qeveria turke kishte parashikuar një normë rritjeje prej rreth katër për qind. Por në gjysmën e parë të vitit ajo ishte vetëm 3,3 për qind. Dhe parashikimet për vitin 2015 nuk janë të mira.
Perspektiva pesimiste
Sejfetin Gursel, Drejtor i Fakultetit Ekonomik të Universitetit Bahçesehir të Stambollit tha në bisedë me DW-në se është pesimit dhe se kjo ka disa arsye. “Së pari, ka trazira në Lindjen e Mesme dhe së dyti Turqia kufizohet me vende ku ka luftë dhe prandaj situata për mendimin tim nuk do të përmirësojnë këtë vit.
Për shkak të këtyre rrethanave për Turqinë do të jetë e vështirë që të shtojë eksportet, por që të stimulojë ekonominë, Turqia duhet të eksportojë domosdoshmërisht më shumë, mendon Gursel. “

BE-në ai e konsideron si një treg i rëndësishëm për eksportet turke. Por dhe në këtë pikë ai është pesimist. “Unë nuk besoj se ekonomia evropiane do të zhvillohet në mënyrë të konsiderueshme këtë vit.” Po ashtu sipas Gursel “Shumë besojnë se në Turqi po vendoset një regjim autoritar dhe të gjithë këta faktorë nuk u japin investitorëve të huaj ndjenjën e besimit.”
Krahasime të papërshtatshme
Sipërmarrja amerikane e investimeve Goldman Sachs e konsideron Turqinë si një nga ekonomitë në zhvillim “më të mira” në botë, së bashku me Indinë dhe Tajvanin dhe mendon se në kët vend duhet investuar. Po ashtu sipas Goldman Sachs edhe çmimi në rënie i naftës është një mundësi për Turqinë që të ndreqë deficitin e saj.
Sejfetin Gursel mendon se Turqia ka probleme strukturore dhe se rënia e çmimit të naftës mund të përmirësojë vetëm pak deficitin momental të bilancit. Turqia sipas tij ka nevojë për investime të drejtpërdrejta.

Mustafa Sonmez, ekonomist dhe gazetar ekonomik, thotë se Turqia nuk mund të krahasohet me vende të tilla si India dhe Tajvani. “Situata e Turqisë është e ndryshme. Deficit i bilancit të saj është shumë më i lartë se ai i Indisë dhe Tajvanit”, thotë Sonmez në bisedë me DW. “Ekonomia turke ka dhe pika të tjera të dobëta, përfshirë dhe rreziqet politike dhe gjeopolitike.”
Fundi i viteve të arta
Ekonomia turke është e orientuar brenda vendit, kryesisht në sektorin e ndërtimit, thotë Sonmez. Prandaj deficiti i saj është ende rreth pesë dhe gjashtë për qind të prodhimit të brendshëm bruto. “Edhe inflacioni është një rrezik. Ashtu si dhe papunësia,” thotë ekonomisti. Një e treta e afro 12 milion turqve nën 24 vjeç janë të papunë. “Për investimet e huaja këto janë të gjithë faktorë që duhen marrë në konsideratë.” Dhe këto janë të gjithë tregues se vitet e arta të ekonomisë turke kanë marrë fund, mendon Sonmez. “Për këtë vit, unë parashikoj një rritje prej rreth tre për qind ose më pak.” – thotë ai. (dw)

Reagimi i Rusisë, Nikovski: Kundërpërgjigje ndaj perëndimit. Fërçkovski: Dëshmi për mbështetjen e Gruevskit

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare vlerësojnë se reagimi i Moskës Zyrtare rreth rastit ‘Puç’, buron nga kërcënimi për një skenar ukrainas në Maqedoni. Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Lubomir Fërçovski vlerëson se Moska edhe një herë dëshmoi afërsinë me pushtetin aktual, dhe përmes një deklarate konfuze e pranon pretendimin e qeverisë për grusht-shtet nga opozita. “Jo vetëm që janë me qëndrim ‘pro’ qeverisë por ata për shkak të interesave të tyre dhe përvojës së tyre, tani as nuk e vënë në pikëpyetje se ka ndodhur grusht shteti por tani angazhohen se si të ndalojnë grusht shtete në të ardhmen, çfarë konfuzioni, çfarë dezorientimi se çfarë ndodh në të vërtetë..mendoj se ata do të turpërohen nga kjo deklaratë pas publikimit të informatave, të cilat flasin për korrupsion dhe shpërdorime të pushtetit”, tha Lubomir Fërçkovski, professor.

Por sipas ish ambasadorit të Maqedonisë në Moskë Risto Nikoski, Rusia me të drejtë shpreh shqetësim për një skenar ukrainas në Maqedoni.

“Mendoj se arsyeja e reagimit lidhet me situatën e cila ndodhi në Ukrainë një vit më parë. Të gjithë e dimë se atje u realizua një ‘puç’ klasik, ku me forcë dhe me mbështetje të hapur nga jashtë u ndërrua qeveria legjitime ukrainase dhe e pamë se çfarë ndodhi por edhe mund të paragjykojmë se çfarë mund të ndodh tjetër në Ukrainë. Mendoj se kjo është arsyeja e palës ruse që të tërheq vërejtjen se grusht shtetet nuk çojnë askund përkundrazi mund të sjellin luftëra, konflikte, kriza të reja të cilat nuk i duhen Evropës”, u shpreh Risto Nikovski, ish ambasador i Maqedonisë në Moskë.

Nikovski madje vlerëson se shqetësimi rus edhe për marrëdhëniet ndëretnike lidhet me përpjekjet sipas tij të SHBA-së për të destabilizuar vendin.

“Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni veçanërisht pas vitit 2001, luftës që ndodhi për shkak të shkatërrimit të shtetit dhe e cila ishte direkt e menaxhuar nga SHBA-të, krijon tek ata një frikë se ato shfrytëzohen për destabilizimin e brendshëm të Maqedonisë, se ata janë faktori me të cilën luan një fuqi kryesore ndërkombëtare, gjë që vërtetohet me shembullin e fundit me presidentin konsensual që përbën cenim të rendit kushtetues të Maqedonisë”, tha Risto Nikovski, ish ambasador i Maqedonisë në Moskë.

Por Fërçkovski thekson se shqetësimi për cenim të marrëdhënieve ndëretnike nuk qëndron pasi Kushtetuta ofron zgjidhje për të dal nga kriza politike.

“Nuk e kam të qartë nëse mendojnë se kjo qeveri për shkak të kompremtetimit do të tërhiqet apo jap dorëheqje dhe si rrjedhojë do të përkeqësohen marrëdhëniet ndëretnike..jo, përkundrazi ekzistojnë mundësi që ofron kushtetuta për zgjidhjen e situatës, përmes qeverisë së ekspertëve, zgjedhje të reja..ka mënyra për të dal nga kriza..kjo është problem vetëm për pushtetarët të cilët me forcë qëndrojnë në pushtet dhe përpiqen të fsheh keqpërdorimet e tyre”, deklaroi Lubomir Fërçkovski, professor.

Ministria e Jashtme ruse një ditë më parë në reagimin për zhvillimet në vend, nënvizonte nevojën për hetim thelbësor të përpjekjes për grusht shtet, duke tërhequr vërejtjen edhe për rrezikun e ashpërsimit të tensioneve ndëretnike në vend si pasojë e krizës politike.
Semra Jakupi

BE kërkon hetim të pavarur dhe transparent për rastin “Puç”

Bashkimi Evropian shprehet i shqetësuar me gjendjen politike në Maqedoni.Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç kërkon që hetimet në rastin “Puç” të kryhen në mënyrë transparente dhe të pavarur.

“ Jemi të shqetësuar për situatën politike në Maqedoni, me mënyrë se si këto ngjarje u zhvilluan gjatë vikendit dhe mungesën e mbulimit të balasuar 35tik të tyre, të cilat i rritën shqetësimet tona. Jam e sigurt që ju e dini se shqetësimet tona rreth rritjes së politizimit dhe perceptimit të drejtësisë selektive janë reflektuar edhe në raportin e rregullt të Komisionit Evropian, të publikuar vitin e kaluar. Sipas mendimit tonë, më e rëndësishme është hetimi të kryhet në mënyrë të pavarur dhe transparente, duke marrë parasysh të gjithë procesin dhe parimin e prezumimit të pafajësisë, tha Koçijançiç.

Ky është reagimi dytë me radhë I Bashkimit Evropian lidhur me rastin Puç, ndërsa sot po për këtë çështje, shefi i delegacionit të BE-së në vend, Aivo Orav, në selinë e LSDM-së u takua me liderin e saj, Zoran Zaev.

Orav pas takimit deklaroi se lideri i LSDM-së personalisht e ka informuar për tërë rastin, ndërsa delegacioni i BE-së me shumë kujdes po i ndjek ngjarjet.

“ Erdha këtu të takohem me liderin e opozitës, Zoran Zaev dhe me kolegët e tij. Ai me informoi për gjithçka çka ka ndodhur gjatë kohës së vikendit. Ky është një rast potencial në të cilën është përfshirë edhe kryeministri edhe lideri i opozitës së këtij vendi dhe duke pasur parasysh profilin e lartë të këtij rasti potencial, duke pasur parasysh faktin se ky vend është vend anëtar për në BE, ne kemi përqëndruar vëmendje të lartë të këtij rasti dhe do ta ndjekim shumë seriozisht”, theksoi ndërmjet tjerash Orav.

Reagime kanë ardhur edhe nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Shkup.

“Mbretëria e Bashkuar i pranoi me shqetësim informacionet për ngritjen e akuzave kundër Zorani Zaevit, liderit të opozitë dhe kundër tre personave të tjerë. Këto akuza janë shumë serioze, edhe Mbretëria e Bashkuar së afërmi e ndjek zhvillimin e ngjarjeve. Me rëndësi thelbësore është, si edhe në cdo rast gjyqësor, të gjitha institucionet vendore ti respektojnë parimet e sundimit të së drejtës, përfshirë prezumimin e pafajësisë dhe ti përmbushin standardet më të larta në këtë procë.

Kjo theksohet në kumtesën e ambasadës britanike në Shkup lidhur me rastin Puç.

Mbretëria e Bashkuar, gjithashtu shpreh shqetësimin për përkeqësimin e dialogut në vend dhe u bën thirrje partive politike të bëjnë gjithcka që munden që të përmirësohet gjendja. (INA)

Gjendje e jashtëzakonshme dhe vërshime në Maqedoni

Pjesa lindore e Maqedonisë është përfshirë nga vërshimet masive, si pasojë e daljes së lumejve nga shtrati i tyre. Autoritetet qeveritare përmes një shtabi të emergjencës kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë pjesë të vendit. Për shkak të reshjeve masive të shiut dhe rrjedhat e shtuara të lumejve, uji që ka rrjedhë masivisht nga penda Kalimanc ka shkaktuar përmbytjen e disa vendbanimeve në komunën Çeshinovë – Obleshevë, Koçanë, Shtip, Vinicë, Veles, Berovë, etj.

Përmbytje masive ka edhe në rajonin e Pellagonisë, duke përfshirë zonën e Manastirit, për shkak të daljes nga shtrati të Lumit të Zi.

Autoritetet qeveritare prej mbrëmë janë në terren dhe se po ndjekin situatën në zonat e përmbytura. Gjithashtu në terren siç bëhet e ditur janë edhe zyrtarë të opozitës, që po mundohen të ndihmojnë banorët e zonave të përmbytura.

Dalja nga shtrati e lumejve Babuna, Topolka dhe Izvorçica, kanë përmbytura zona të tëra në pjesën lindore të vendit. Dëmet janë të mëdha në terren dhe se ujrat e rrëmbyesëm kanë paralizuar dhe bllokuar shumë vendbanime dhe banorë nëpër shtëpitë e tyre. Nën ujë janë edhe shumë hapësira bujqësore, vreshta dhe objekte në afërsi të lumejve.

Shqetësues është edhe niveli i lumit Vardar, dhe se mund të shkaktojë vërshime masive. Në rrezik janë edhe zonat e Demir Kapisë, Gradkos dhe Gjevgjelisë, për shkak se po rritet niveli i lumejve dhe ekziston rreziku i vërshimit të tyre. (INA)

Deklaratë për Media e Visar Ymerit, e hënë, 2 shkurt 2015

Të mërkurën në ora 12 do të takohemi në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për të marshuar deri te sheshi “Skënderbeu”. Aty pastaj do të vazhdojmë me protestën që ngulmon që të shkarkohet Aleksandër Jabllanoviqi dhe që Trepça të shndërrohet në ndërmarrje publike me status të veçantë, e cila do t’ia bartte Kuvendit të Republikës së Kosovës vendimmarrjen për Trepçën, do ta shpëtonte atë nga falimentimi, dhe do ta shtronte rrugën për investimet në të dhe rimëkëmbjen e saj e të ekonomisë së Kosovës.

Protesta është shprehje. Shprehja bëhet komunikim vetëm kur pala tjetër dëgjon. Dhe ka kuptim vetëm kur paraprakisht merremi vesh për premisën bazë. Përmes protestës qytetarët flasin. E qeveria duhet të dëgjojë. Është e pafalshme se si qeveria e Republikës së Kosovës nuk e dëgjon shprehjen e kërkesave të qytetarëve. Është e pafalshme se si ajo ka mirëkuptim për fashizmin e Jabllanoviqit e hegjemoninë e Vuçiqit, e në anën tjetër polici, kërbaç,plumba gome e gaz lotsjellës për qytetarët.

Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik e as sovranitet republikan e integritet territorial pa vendosmëri të krerëve institucionalë. Nuk mund të ketë Republikë të Kosovës po qe se për të vendosë Vuçiqi e Daçiqi, Qeveria e Serbisë. Kjo politikë reaksionare e hegjemoniste e Serbisë, e cila shqiptarët i vlerëson dhe trajton si egërsira, e resurset e Kosovës i do për t’i eksploatuar, do ta rrënojë Republikën e Kosovës. E Republika nuk do të ndërtohet kurrë duke e kërkuar pëlqimin e atyre, si dhe duke i mveshur me pushtet ata, që dojnë ta rrënojnë atë. Nuk mund të ketë Republikë të Kosovës, e rrjedhimisht as Kryeministër të Republikës, po qe se njëkohësisht ky Kryeministër nuk është posti fundamental ekzekutiv në vend. Mungesa e vullnetit për shkarkimin e Jabllanoviqit, duke u fshehur prapa ligjeve, mungesa e gatishmërisë për ta shndërruar Trepçën në ndërmarrje publike, duke u fshehur prapa pretendime të paqena për borxhe, e gërmojnë tokën nën ulësen e postit të kryeministrit. Dhe kështu e gërmojnë tokën nën këmbët e Republikës së Kosovës.

Populli i Republikës nuk do ta pranojë këtë.

VETËVENDOSJE!

Biletat e shumëkërkuara Prishtinë – Beograd

Një numër i qytetarëve të Kosovës kanë vendosur të marrin rrugën e migrimit të paligjshëm, me gjithë thirrjet nga institucionet qendrore dhe ato ndërkombëtare në vend për të shmangur një rrugë të këtillë.Të dielën në mbrëmje, Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, ishte mbushur me qytetarë që niseshin në drejtim të Serbisë, me shpresën për të depërtuar në disa vende të Bashkimit Evropian.

Zyrtarë të Stacionit të autobusëve në Prishtinë thanë për Radion Evropa e Lirë se numri i qytetarëve të cilët janë duke udhëtuar në drejtim të Serbisë, javët e fundit, është shtuar. Sipas tyre, deri me datën 6 shkurt, janë shitur të gjitha biletat për relacionin Prishtinë- Beograd.

Fitim Abdullahu nga Vushtrria, i cili një çantë mbante në shpinë, thotë se për shkak të kushteve të vështira ekonomike ka marrë vendim që të largohet nga Kosova dhe për synim ka të arrijë në shtetin gjerman. Por, fillimisht thotë se do të qëndrojë në Beograd e Suboticë për të kaluar pastaj nga Hungaria në Austri dhe në fund në Gjermani.

“Gjithçka po shkon në degradim, shkatërrim, për ketë arsye kam vendosur [të largohem]. Unë kam ndërprerë studimet master dhe kam vendosur me ik. Qe katër vjet jam i diplomuar, vazhdimishtkam konkurruar në institucione publike, kam pasur shumë stres. Konkurroj dhe në fund e kuptoj se aty ka qenë i pranuar dikush tjetër”, tha Abdullahu, i diplomuar në fushën e Elektro-Energjetikës.

Fatos Hasolli nga Fushë-Kosova bashkë me disa shokë të tjerë po qëndronin pranë peronit numër tre, aty ku po qëndronte autobusi drejt Serbisë. Hasolli, për dallim nga shokët tij që hezitonin të flisnin tha se për shkak të mungesës së vendeve të punës dhe mos zhvillimi të Kosovës, po niset drejt vendeve, ku siç tha,mund të ketë një jetë me të mirë.

“Arsyeja është se nuk kam mundur të punësohem. Nuk ka gjasa të punësohem,sepse gjithçka këtu po shkon me intervenime. Shpresë nuk ka dhe arsyeja e vetme është të nisesh diku ku mund të kesh punë e besim. Mendoj se në Gjermani është më mirë. Shkollën e kemi, përvojën e kemi, mendojmë të punojmë ku të mundemi. Nuk kemi persona që na presin atje, por besoj se do tia dalim”, tha Hasolli.

Ai kishte humbur shpresën e ndonjë ndryshimi pozitiv në Kosovë.

“Mendoj se brenda 10 vitesh nuk mund të ketë dicka të mirë për Kosovën. Nese ka diçka, ne do të ishim të parët që do të ishim kthyer dhe do të punonim”, tha Hasolli.

Kushtrimi, një tjetër djalë i ri nga komuna e Vushtrrisë, thotë se bashkë me dy shokë të tjerë po niset drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Në krah mbante një çantë me ushqim e ujë..

“Jemi nis për në Gjermani. Nga Hungaria në Austri dhe Gjermani.Kushtet e vështira në Kosovë, po shpresojmë për kushte financiare më të mira. Mund të punojmë çkado që kërkohet, edhe punë krahu”, tha Kushtrimi.

Edhe Labinoti është nga Vushtrria. Ai shpjegon se si kishte një vend pune në Kosovë, por ka marrë vendim të dalë jashtë vendit, për një punë më fitim prurëse.

“Shkollën e mesme e kam të kryer. Punë e kam pasur, e kam lënë. Kam punuar në mobilieri,por nuk kishte rroga të mira. Tash po shpresojmë në diçka më mirë, nëse dalim jashtë”, tha ai.

Flamur Gashi nga Prishtina është nisur mbrëmë nga stacioni i autobusëve në Prishtinë drejt Gjermanisë. Me vete kishte gjithsejt 400 euro…

“Kam vendosur të dal se nuk po ka kushte këtu. Nuk ka të ardhme këtu për të rinjtë, duhet me dalë dhe me gjetë punë atje. Po shpresojmë me dal në të zezën në Gjermani. Në Kosovë i lashë dy prindër, dy vëllezër dhe dy motra”, tha Gashi.

Përfaqësuesit e Ministrisë se Punëve të Brendshme thanë sot se ende nuk kanë ndonjë të dhënë për migrimet e qytetarëve të Kosovës këtë vit. Ata thanë se të dhëna nuk kanë as për muajin dhjetor të viti të kaluar. Deri në muajin nëntor të vitit 2014, nga Kosova kanë migruar 24, 100 kosovarë, sipas të dhënave të Ministrisë.

Përfaqësues të lartë të institucioneve të Kosovës dhe ata ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian, kanë bërë thirrje në disa raste që të ndalet migrimi i paligjshëm, duke tërhequr vërejtjen se asnjë vend i BE-së nuk ofron më statusin e azilit. (rel)