All posts by V.F.

VMRO dhe LSDM takohen në Bruksel për tejkalimin e krizës politike në vend

Takimi i parë mes përfaqësuesve të VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së me lehtësuesit evropianë pritet të mbahet javën e ardhshme në Bruksel.

Pas përfundimit të konferencës dy ditore mbi dialogun politik të organizuar nga Parlamenti Evropian, ndonëse palët nuk lëvizën nga qëndrimet e tyre të ngurta, megjithatë kanë rënë dakord që javën e ardhshme të ulen në tryezë të përbashkët me deputetët evropian. Parlamentarët evropianë të cilët do të përpiqen të lehtësojnë dialogun politik mes VMRO-së dhe LSDM-së janë Ivo Vajgëll, Edvard Kukan dhe Riçard Houit. Në prag të fillimi zyrtar të bisedimeve, në konferencën që u zhvillua dje dhe sot në Bruksel, euro-parlamentarët dërguan një sërë porosish për aktorët politik në vend. Ata tërhoqën vërejtjen se partitë maqedonase duhet të shfaqin vullnet të mirë dhe gjejnë mënyrën për të dalë nga kriza dhe të mos presin që zgjidhja të imponohet nga jashtë. Vajgëll theksoi se parregullsitë dhe keqpërdorimet të cilat i nxori në pah opozita duhet të zgjidhen përmes Komisionit hetimor në Parlament.

Deputetët evropian njëzëri shprehën shqetësimet për ndikimet politike ndaj gjyqësorit dhe mediave. Nënkryetarja e LSDM-së Radmilla Sheqerinska, në këtë kuadër shprehu mosbesimin për arritjen e një marrëveshjeje me VMRO-në duke kujtuar se pushteti marrëveshjen e 1 marsit që u arrit me ndërmjetësim të BE-së e shpalli letër tualeti. Nga ana tjetër deputeti i VMRO-së Antonio Milloshoski ishte i prerë se për partinë e tij nuk është e pranueshme si zgjidhje as qeveria teknike apo qeveria kalimtare. Semra Jakupi

“Western Balkans’ 6” sot në Prishtinë

Prishtina

Kosova është nikoqire e konferencës ministrore të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, “Western Balkans’ 6”

Në konferencë do të diskutohen projektet konkrete ekonomike të karakterit rajonal, me theks të veçantë në investimet në infrastrukturë.

Kjo konferencë vjen pas konferencës së Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit.

Në mesin e pjesëmarrësve në konferencë do të jenë ministrat e jashtëm dhe ata të infrastrukturës të vendeve të rajonit si dhe Komisionari i Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë Evropiane dhe Negocim të Zgjerimit, Johanes Han.

Për këtë konferencë interesimi është shumë i madh duke pasur parasysh edhe paralajmërimin për përcjellje nga shumë media të Ballkanit dhe Evropës.

Konferenca “Western Balkans’ 6” do t’i zhvillojë punimet sot në hotelin “Swiss Diamond”, në Prishtinë. (rtk)

Si u dogj 16 vite më parë ambasada amerikane në Shkup

Ambasada

Me fillimin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë dhe Serbi kundër caqeve të forcave ushtarake serbe, në Maqedoni po zhvilloheshin protesta masive kundër këtyre sulmeve dhe në përkrahje të Beogradit. Këto protesta eskaluan më 25 marsin e 1999, kur turmat e organizuara të demonstruesve proserb dhe huliganëve ndërhynë dhe dogjën ambasadën amerikane. Ishte një ngjarje tmerruese që pushtoi gjithë mediat e vendit.

Një evokim të këtyre ngjarjeve ka bërë edhe ish-ambasadori amerikan në Maqedoni,  Christopher Hill në librin e tij autobiografik një pjesë i’a ka kushtuar misionit të tij si ambasador në Shkup dhe sidomos ngjarjes së djegies së ambasadës amerikane në 25 marsin e 1999.

Ja se si e përshkruan ngjarjen tmerruese, ambasadori Hill në librin “Jeta në linjat e betejës të diplomacisë amerikane”.

“Në ditën e sulmit dhe djegies së ambasadës më 25 mars 1999, nuk kishte pasur paraprakisht asnjë shenjë se po përgaditeshin protesta, përveç se një grupi të vogël të studentëve që këndonin këngën Give Peace a Chance para ambasadës dhe se ata nuk më njohën mua si ambasador derisa po parakaloja përskaj tyre në shëtitjen time të mëngjesit. Ndërkohë Shkupi ishte i mbushur nga makinat jeep të portokallta të misionit të OSBE, të cilat ishin kthyer nga Kosova dhe se ishin koncentruar rreth hotelit Aleksandar Palace në Shkup, edhe ate në afërsi të ambasadës.

Deri në orët e pasdites grupi i vogël i studentëve janë tërhequr, ndërsa ata u zëvendësuan nga një grup më i madh që nuk ishte i interesuar për të kënduar, por për të gjuajtur vezë nga rrethojat e ambasadës. Bashkë me vezët fluturonin edhe gurë. Problemi kryesor ishte se Qeveria e Maqedonisë nuk kishte siguruar prani të shtuar policore. Autobusë me demonstrues po ndalonin dhe zbarkonin përskaj hotelit “Aleksandar Palace”, dhe kur shikonin praninë e shtuar policore, ata ktheheshin prapa dhe shkonin drejt bulevardit Ilinden në drejtim të Ambasadës.

Rreth orës 17.15, dritaret filluan të thyheshin nga fuqia e gurëve, ndërsa për mungesën e pranisë së policisë, zyrtari i sigurisë Charls Stouncifer, që ishte përgjegjës për të thirrë prani të shtuar policore, rekomandoi që të përgaditen hapësirat e sigurisë në bodrumin e ambasadës, për shkak se ishte vetëm çështje kohe hyrja e demonstruesve në ambasadë.

Urdhërova të gjithë të punësuarit që të shkojnë në bodrum, duke siguruar dhe kontrolluar edhe personalisht të gjitha dhomat, për të mos harruar dik. Ka pasur rreth 42 veta, më shumë staf vendor. Deri në këtë kohë, porta hyrëse ishte rrëzuar dhe se turmat ishin në oborrin e ambasadës. Skena ishte tmerruese, demonstruesit po digjnin makinat tona. Shikoja një demonstrues, jo shumë i ri, me një maskë në kokë, se si me gurë po godiste xhamin e makinës, derisa e theu, dhe më pas ndezi një koktej molotovi dhe e hodhi në pjesën e prapme të makinës. Unë pasi pashë këtë skenë i fundit bashkë me përkthyesin Bix Aliu hyra në bunker.

Ky bunker ishte i përbërë nga disa hapësira të mbrojtura me një derë çeliku, dhe se prej aty kishim lidhje direkte me Departamentin Amerikan të Shtetit, nga ku ata po e ndiqnin situatën dhe dramën e krijuar. Ne ishim të lidhur edhe me një të punësuar të sigurisë, i cili përmes një lidhje telefonike mobile na informonte se çfarë po ndodhte jashtë, pasi që ai zyrtar ishte përzier me grupin e demonstruesve.

Ne përmes një lidhje të tretë po kërkonim intervenimin e policisë së Maqedonisë, ndërsa në lidhjen e katërt ishin bisedimet me gjeneralin Vesli Klark, i cili me kërkesë të sekretares amerikane Medlin Olbrajt kishte përgaditur një njësi prej 75 marinsave amerikan nga baza Petrovec e Shkupit, për të ndërhyrë në rastin e nevojshëm.
Hill më tej përshkruan se si të punësuarit Philip Reeker dhe Tina Kaidanov po tentonin që të mbajnë moralin e kolegëve, të cilët ishin të shqetësuar dhe me nerva. Në bodrum, përveç të punësuarve ishte edhe Klara, njëra nga vajzat e mija, por edhe gazetarja Biljana Sekulovska, gazetare e televizionit A1 me një kameraman, të cilët kishin mbërritur në ambasadë disa orë më parë për një intervistë.
Problemi kryesor dhe shqetësues në bunker ishte mungesa e ajrit dhe se çfarë mund të ndodhte nëse do të digjej tërë objekti që ishte mbi ta. Në rast të djegies së hapësirës mbi ta dhe do të ngeleshin pa ajër, ata do të mund të shfrytëzonin një tunel që i çonte drejt parkingut, pikërisht në vendin ku po digjeshin makinat e tyre ng demonstruesit.

Shqetësimi më i madh ishte rreth orës 18, kur demonstruesit kishin shkulur një shtyllë dhe se e përdornin ate për të hapur derën e përparme hyrëse e njohur si ‘mesjetarja’. Por 15 minuta më pas zyrtari nga jashtë ka informuar se policia ka ndërhyrë dhe se po i ndiqte demonstruesit nga oborri i ambasadës.
Unë informova gjeneralin Klark për këtë. Ai më tregoi se edhe njësiti i tij për intervenim të shpejtë, ishte afër ambasadës, dhe se kanë informacione se policia kishte hyrë. Unë i thash se jemi të gatshëm për të dal nga bunkeri.
Gjenerali Benc Kredok, përgjegjës për forcat amerikane për ndërhyrje në Kosovë, ndërmori kontrollin e sigurisë dhe urdhëroi vendosjen e telave me gjemba në hyrje dhe muret e ambasadës, derisa marinsat ishin përreth ambasadës.

Pas kësaj pyeta njërin nga marinsat se cilat janë urdhërat e tyre dhe se ai më ktheu se në rast  se disa demonstrues do të ndërhyjnë, ne do ti arrestojmë dhe do tia dorëzojmë autoriteteve vendore, por në rast se ndodhë ndonjë grup më i madh, atëherë do të pasojnë të shtëna paralajmëruese në ajër, por nëse edhe kjo nuk respektohet atëherë më ktheu se “nuk do të donim që ata të bënin atë”.
Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi që ambasada të mbetet e hapur, ashtu si ambasadat e tjera, që përballeshin me demonstrata për shkak të sulmeve ndaj Jugosllavisë. Detyra jonë ishte që të shlyhen grafitet rreth mureve të ambasadës, të ngritej flamuri i ri amerikan dhe të përcillet porosia se SHBA mbetet e pranishme në Maqedoni. (INA)

PE: Klima politike në Ballkan është përkeqësuar

PE

Parlamenti Europian vëren përkeqësim të klimës politike në vendet e Ballkanit, çka shoqërohet nga ndërhyrjet në punët e gjyqësorit dhe të medias, duke cenuar lirinë e shprehjes. Eurodeputetët u treguan më të drejtpërdrejtë në ditën e dytë të seminarit të organizuar nga Parlamenti Europian, posaçërisht për dialogun politik dhe funksionimin e demokracisë në vendet e zgjerimit, ku morën fjalën dhe përfaqësuesit e delegacionit shqiptar.

Eduard Kukan, ndjekës-raportues për Shqipërinë, tha se “kultura politike për vendet kandidate dhe ato potenciale për në BE, nuk është bojkoti i punës parlamentare”. “Kultura politike nuk është antagonizmi i kundërshtarit. Kultura politike nuk është akuza e pabazë. Kultura politike nuk është përgjimi i gjithëpërhapur ndaj qytetarëve. Kultura politike nuk është ndërhyrja ndaj institucioneve të pavarura. Kultura politike nuk është kultivimi i mjedisit autocensurues për gazetarët dhe shoqërinë civile”, theksoi ai.

Ralf Gjoni, këshilltar i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, shtroi një pyetje për panelin, dhe në veçanti për zotin Brok: Çfarë ndodh kur krijohen të gjitha hapësirat për opozitën që të marrë pjesë e të jetë konstruktive, dhe nëse motivi i vetëm absolut për bojkot, e këtu nuk i referohem vetëm Shqipërisë, bëhet për qëllime të ngushta politike? Sipas Gjonit, “mesazhet nga Brukseli janë shumë të rëndësishme dhe ajo që dua të them me këtë është se ato duhet të jenë koherente, dhe jo të përqafojnë detyrimisht agjendat e ndryshme politike të këtyre vendeve”.

Gert Bogdani, deputet i Partisë Demokratike, iu përgjigj këshilltarit Gjoni: “Dëgjova kolegun tim nga LSI-ja që fliste për grupe miqësore dhe organe të tjera të domosdoshme që kryesohen nga opozita, çfarë është si t’u shesësh akull eskimezëve. Në demokraci flasim për komisione hetimore si i vetmi mjet i opozitës për të kontrolluar qeverinë meqë flasim për lirinë e shprehjes. Ai foli dhe për një perceptim të klimës negative në vend, si e nxitur nga opozita. Ndërkohë që skandali i fundit në Shqipëri, siç jeni në dijeni, nuk vjen nga opozita, por vetë mazhoranca, ku deputeti akuzon drejtuesin e Kuvendit dhe Kryeministrin e tij. Pra, është diçka mes tyre”.

Elmar Brok, kreu i Komitetit të Jashtëm i PE-së, theksoi: “Jam shumë i interesuar të di se si do të shkojnë gjërat për këtë hetim në Shqipëri mbi akuzat apo çështjen ligjore, e në Shqipëri është edhe ky shembulli që qeveria fajëson opozitën për çfarë nuk arrin. Demokracitë në zhvillim nuk duhet të kenë nevojë për Brukselin. Nuk do të ndihesha rehat po të ndërhyja mes qeverisë dhe opozitës dhe nuk ka pse të ketë vend për ndërmjetësim nga ana jonë”.

Ndërsa Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në PE, nënvizoi: “Jam i sigurt se kolegët e PPE-së nuk po veprojnë mirë, si në Parlamentin Europian, ashtu dhe në Bundestag, por nuk më takon mua t’u tregoj se çfarë duhet të bëjnë ata. Qeveria dhe opozita duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi për të zgjidhur problemet me krimin apo median, nëse duan vërtet, por kjo më së pari duhet të ndodhë në Parlament. Në të kundërt, është njësoj si të paguash një shitëse që nuk paraqitet fare në dyqan”.

Megjithëse pjesa dërrmuese e draft-rezolutës së PE-së mbi Shqipërinë flet për dialog politik dhe kompromis mes palëve, në këtë takim nuk u paraqit asnjë deputet nga shumica qeverisëse. Kuvendi u përfaqësua vetëm me deputetin demokrat Bogdani, si dhe 3 këshilltarët e grupeve kryesore politike.

Përgatiti: Arta Tozaj / Top Channel

Rama: Fruti i parë i Konferencës së Berlinit

Kryeministri Edi Rama njoftoi në Facebook se shumë shpejt do të nisë projektimi i “Autostradës së Kaltër” që do të lidhë bregdetin e Kroacisë, Malit të Zi dhe vendit tonë.

“Fruti i parë i Konferencës së Berlinit: Fillojmë projektimin e Autostradës së Kaltër që do lidhë bregdetin e Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë”, shkroi Rama.

/ Top Channel

 

Hahn premton 180 milionë euro për Ballkanin

Komisionari Hahn, në konferencë shprehi gatishmërinë e BE-së për të investuar në infrastrukturën rrugore e hekurudhore, që do të afrojë vendet e popujt e rajonit dhe këta bashkë me Bashkimin Europian.

Komisionari Evropian për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Zgjerimit Johannes Hahn, në konferencën e ministrave të Jashtëm që është duke u mbajtur në Prishtinë ka kërkuar nga përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit që të punojnë në projekte konkrete, veçanërisht në energjetik dhe transport hekurudhor.

Komisionari Hahn, në konferencë shprehi gatishmërinë e BE-së për të investuar në infrastrukturën rrugore e hekurudhore, që do të afrojë vendet e popujt e rajonit dhe këta bashkë me Bashkimin Europian. Ai përmendi projekte konkrete dhe investime deri në 180 milion euro.

Këto para do të jepen atëherë kur vendet e Ballkanit do të ofrojnë projektet e tyre.

Hahn ka inkurajuar që të gjitha vendet e Ballkanit të pajtohen ndërmjet vete dhe të punojnë në implementimin dhe realizimin e tyre.

“Duhet ta shohim edhe përkushtimin e juaj. Duke krijuar mekanizma kredibilë të financimit. Ta keni hapësirën fiskale për financimin e këtyre projekteve që të zbatohen me kohë dhe të angazhohemi me ju që të implementojmë këto projekte. Agjenda e këtyre aktiviteteve është ngushtë e lidhur me programet qeverisëse ekonomike”, tha Hahn.

Hahn ka kujtuar edhe përvojën serbe për planet apo projektet sektoriale dhe nga kjo praktikë Hahn ka thënë se do të mësohen mirë por edhe nga praktikat dhe përvojat e tjera rreth Evropës dhe rajonit do të mësojnë shumë gjëra.

Pajtimi dhe dakordimi në këtë qasje dhe metodologji do të dërgojë një sinjal të qartë për ju, qytetarët e juaj, bizneset e juaja dhe për investitorët e mundshëm potencial nëse jeni të vendosur për të rritur ekonominë në Ballkanin Perëndimor duke punuar bashkërisht në një interes të përbashkët strategji kredibile sektoriale dhe projektet e rilindjes të vetme janë të rëndësishme për ne dhe gjithashtu edhe për investitorët e tjerë”, ka thënë Hahn. (rtk)

Naser Aliji, shqiptari i parë i lindur në Maqedoni në Kombëtare

Naser Kombetare

Quhet Naser Aliji. Ka lindur në Shkup, më 27 dhjetor 1993, me shtetësi shqiptare dhe maqedonase, ka vendosur të luaje për kombateren, duke e respektuar vetveten dhe kombin e tij, ai bëhet lojtari i parë nga shqiptarët të lindur në Maqedoni që vesh fanellën e Kombëtares kuqezi.

Mbrojtësi i majtë është i gjatë 1.77 m dhe luan aktualisht te Vaduzi në Zvicër, i huazuar në janar të këtij viti nga Bazeli. Ai është rritur te klubi i Bazelit dhe, me shumë gjasa, në fund të sezonit do të rikthehet te kjo skuadër.
Sakaq, Aliji ka luajtur edhe me përfaqësueset e moshave të Zvicrës U-15, U-16, U-18, U-20 dhe U-21, por vitin e shkuar pas bisedës me De Biazin dhe kërkesës së FSHFsë ai pranoi që të merrte pasaportën shqiptare dhe të vihej në dispozicion të kombëtares sonë.

Kosovë: 16 vjet nga fushata që i dha fund spastrimit etnik

Aeroplani

Autoritetet e Kosovës kanë falendëruar të gjitha vendet anëtare të NATO-s për intervenimin 16 vjet më parë mbi caqet serbe, duke e cilësuar si “veprimet më humanitare në historinë e Aleancës Veri Atlantike dhe si një përcaktim i fuqishëm i botës demokratike kundër politikave agresive dhe në mbrojtje të popullsisë civile”.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një komunikate për medie ka theksuar se “Në shënimin e 16-vjetorit të sulmeve ajrore të NATO-s, kur shënohet fillimi i kthimit të shpresës për qytetarët e Kosovës për një jetë të re, shprehim mirënjohje të përhershme për SHBA-të, vendet anëtare të BE-së dhe të NATO-s, që me përkushtim u angazhuan në mbrojtjen e vlerave të qytetërimit dhe mundësuan që Kosova sot të jetë vend i qytetarëve të lirë dhe të barabartë”.

Në komunikatën e presidentes Jahjaga, gjithashtu thuhet se “Solidariteti ndërkombëtar, i dëshmuar përmes veprimit të NATO-s përpara 16 vjetësh, tregon humanizmin e botës së përparuar dhe përkushtimin e saj për respektimin e vlerave të demokracisë, duke u bërë një shpresë për paqe dhe siguri, për një jetë të qetë e të sigurt, për përparim dhe zhvillim për të gjithë popujt dhe shtetet”.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë mbledhjes të së martës të qeverisë, në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, ka shprehur falendërimet e thella për vendet anëtare të NATO-s.

“Them se 24 marsi shënon fillimin e fundit të luftës së Kosovës dhe fillimin e lirisë së vendit tonë. Gjatëmbëdhjetë vjet pas, Kosovën ne e përjetojmë si vend të lirë, vend sovran dhe vend të pavarur, dhe vend i cili synon të integrohet në Bashkimin Evropian”.

“Dëshiroj që veçmas t’i falëndëroj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë të vendit tonë, për një kontribut shumë të madh për mbrojtjen e civilëve dhe në mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe për përkrahjen dhe ndihmën që i dhanë lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë”, ka thënë Mustafa.

Dhe përderisa për shqiptarët e Kosovës, fillimi i intervenimit të NATO-s mbi caqet serbe më 24 mars të vitit 1999, ka kuptimin e fillimit të përfundimit të luftës në Kosovës dhe çlirimin e saj nga Serbia, për serbët një gjë e tillë paraqet agresion.

Në veri të Kosovës, përvjetori i 16 i intervenimit të NATO-s mbi caqet serbe, është shënuar përmes një shërbese përkujtimore për viktimat dhe me një parakalim protestues.

Kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, pas vendosjes së luleve në monumetin e quajtur “E vërteta”, në urën kryesore mbi lumin Ibër, e ka quajtur të turpshëm faktin se intevenimi ushtarak i NATO-s ishte quajtur “Engjëlli i mëshirës”…

“Dëshiroj që nga ky vend t’i porosis gjeneralët e NATO-s dhe të gjithë atyre që kanë marrë vendime, se bombat e juaja nuk kanë qenë engjuj të mëshirës dhe se këto viktima të pafajshme – engjujt tanë, nuk janë dëme anësore. Bombat e juaja kanë mbjellur vdekjen dhe të gjitha këto viktimat tona- engjëjt tanë, kanë emrat dhe mbiemrat e tyre dhe kanë pësuar nga dora e juaj e pamëshirshme“, ka theksuar Rakiq.

Por njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, vlerësojnë se intervenimi i NATO-s në Kosovë, ka rezultuar me sjelljen e rezultateve pozitive për gjithë rajonin.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se intervenimi i NATO-s ndaj forcave serbe të sigurisë dhe çlirimi i Kosovës në vitin 1999, përkatësisht krijimi i shtetit të Kosovës, e ka dëshmuar një fakt, se “rajoni i Ballkanit asnjëherë në histori nuk ka qenë më paqësor se tash, si zonë pa konflikte”.

“Deri sa për shqiptarët intervenimi i NATO-s ka qenë shpëtim, pas një shekulli vuajtjesh në robëri, për serbët është përjetuar si një agresion. Mirëpo, duket qartë se shoqëria serbe, pjesa më demokratike e saj, megjithatë, po e kupton se intervenimi i NATO-s në Kosovë i ka ndihmuar shoqërisë serbe që të çlirohet nga fashizmi. Kjo për shkak se me Milosheviqin, shoqëria serbe, praktikisht, po shkonte drejt një fashizmi koncensual”, theksoi Matoshi.

Ndryshe, 16 vjet më parë, NATO pati nusur fushatën ajrore mbi caqet e forcave të armatosura serbe, gjë që rezultoi me tërheqjen e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova dhe me vendosjen e administratës së Kombeve të Bashkuara në vend.

Pas bombardimeve që zgjatën 78 ditë, u krijuan kushtet për kthimin e shpejtë të rreth 1 milion shqiptarëve të Kosovës, të cilët autoritetet serbe i kishin dëbuar me dhunë në Maqedoni dhe Shqipëri, si dhe në vendet tjera të botës.

Mbi 12 mijë persona të vrarë, rreth 2 mijë të tjerë të zhdukur, ishte bilanci i luftës në Kosovë.

Misioni paqëruajtës i NATO-s, KFOR-i, ende qëndron në Kosovë dhe ndihmon në transformimin e mëtutjeshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës. (rel)

Vritet një polic në Prishtinë

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës, me inicialet SH.G. është vrarë sot në mëngjes në Prishtinë.

 

Lajmi është konfirmuar nga vetë policia e Kosovës.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, nuk ka dhënë ndonjë informacion nëse nëse deri më tash është arrestuar ndonjë person lidhur me vrasjen.

Zyrtarët e rendit thanë se rreth orës shtatë të mëngjesit të sotëm, në rrugën  “Isa Kastrati” në Prishtinë, ka pasur të shtëna armësh. Autoritetet e rendit thanë se kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur trupin e pajetë.

“Janë ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar vendin e ngjarjes dhe polica është duke punuar intensivisht për sqarimin e rrethanave dhe motivit të këtij rasti”, thanë zyrtarët e policisë.

Është bërë e ditur gjithashtu se personi i vrarë ka punuar në Departamentin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës. (a.konushevci)

Sa i sigurtë është fluturimi me avion?

Aeroplani_gjerman_i_rezuar

Avioni konsiderohet si mjeti më i sigurtë i qarkullimit. Me të drejtë. E parë nga pikëpamja statistikore, raporti i viktimave është 0,23 përqind për një milion fluturime. Dhjetë fakte për transportin ajror.

1. Viti 2014 ishte viti me më shumë aksidente në historinë e transportit ajror. Gjithsej 970 vetë vdiqën nga rrëzimi i avionëve.

2. Tri fatkeqësitë me më shumë viktima qenë të lidhura me një shoqëri të vetme fluturime: Malaysia Airlines.

3. Rreth 3,3 miliardë pasagjerë u transportuan në 2014 në të gjithë botën, bën të ditur Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA). Kjo i përgjigjet një rritjeje me 170 milionë bileta.

4. Shumica e viktimave të transportit civil ajror mbi Gjermani në 40 vitet e fundit u shënuan në vitin 2002. 118 vetë e humbën jetën.

5. Numri më i vogël i viktimave në rrëzimet e avionëve mbi Gjermani ishte në vitin 2004 me vetëm 23 viktima.

6. Katastrofa më e madhe evropiane ajrore ndodhi në 27 mars 1977 – në tokë. Në aeroportin e Tenerifas (Spanjë), një avion që po nisej i shoqërisë KLM u përplas ne një avion të shoqërisë Pan-Am që ishte në pistën e nisjes. 583 viktima.

7. Si një nga katastrofat më tragjike ajrore konsiderohet fluturimi MH17 i Malaysia Airlines. Në fluturimin prej Amsterdamit në Kuala Lumpur, avioni besohet se u godit nga një raketë mbi zonën e luftimeve në Ukrainën Lindore. 298 të vrarë, midis tyre shumë fëmijë.

8. Linjat më të mëdha ajrore janë përfshirë më rrallë në aksidente vdekjeprurëse. Një kuotë më të lartë aksidentesh kanë shoqëri të vogla ajrore me avionë më të vegjël. Veç kësaj, këto shoqëri shumicën e herëve e kanë origjinën në vende jashtë Evropës dhe Amerikës.

9. Tregu i transportit ajror rritet pa pushim. Për 20 vjet – ky është vlerësimi i IATA-s- çdo vit llogaritet që në avione të hipin rreth 7,3 miliardë vetë. Ky është dyfishi i pasagjerëve të vitit 2014.

10. “Nëqoftëse një njeri do të udhëtonte çdo ditë një herë me avion, ai duhet të priste 14.000 vjet, derisa të përfshihet në një aksident” (IATA).