All posts by V.F.

Maqedonia përfshihet nga vala e protestave

protesta shkupProtesta antiqeveritare hyjnë në ditën e katërt dhe ato krahas Shkupit po organizohen edhe në shumë qytete të tjera. Në këto protesta kërkohet dorëheqja e Qeverisë dhe ngritet zëri kundër brutalitetit policor.

Protestat u intensifikuan pas publikimit të materialeve të përgjimeve nga ana e opozitës për vrasjen e një të riu maqedonas nga ana e një pjesëtari të policisë në vitin 2011 si dhe publikimi i dëshmive për vdekjen e gazetarit të FOKUS, Nikola Mladenov, që humbi jetën dy vite më parë.“Nikolla largohu”, “Nuk ka drejtësi, “Nuk ka paqe”, Vrasës”, ”Kriminel” janë brohoritjet më të dëgjuara në protesta.

“Do të protestojmë deri sa të jap dohrëheqje i tërë kabineti i kryeministrit, Nikolla Gruevski”, thotë një protestuese e cila nuk u lejua të afrohet para godinës së Qeverisë së Maqedonisë. Aktivistja për të drejtat e njeriut Mirjana Naçevska, thotë se forcat policore duhet të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe duhet të jenë në funksion të sigurisë së tyre dhe jo në funksion të mbrojtjes së pushtetarëve.

“Jemi mbledhur të protestojmë kundër këtij pushteti i cili i përqesh njerëzit, i gënjen pa mëshirshëm nuk i vjedh vetëm parat e qytetarëve, por edhe të ardhmen e tyre duke ua shkatërruar të ardhmen gjeneratave më të reja”,është shprehur Mirjana Najçevska.

Brukseli i shqetësuar për situatën në Maqedoni

Komisioneri evropian për zgjerim dhe politika fqinjësore, Johanes Hahn sërish ka alarmuar për rrezikun e situatës në Maqedoni. “Situata është shumë serioze dhe e rrezikshme. Anëtarët e Parlamentit Evropian po tentojnë të bisedojnë për një zgjidhje midis pjesëmarrësve kyç në konfliktin politik. Patjetër duhet të ketë hetime, në njërën anë për përgjegjësi penale, dhe nga ana tjetër për skandalin politik. Por është e nevojshme që opozita të kthehet në Parlament sa më parë, dhe të formohet një komiteti ekzekutiv që do të punojë për përgjegjësi politike për rastin”, thotë komisioneri evropian Hahn.

Përkeqësimi i situatës në Maqedoni duhet të parandalohet pas protestave masive. Alarmi i tillë është lëshuar nga Liberalët Evropian në Parlamentin Evropian. Kryetari i kësaj partie, Gi Verhoshtad, ka theksuar se situata në Maqedoni është shqetësuese. Ai ka theksuar se është i pashmangshëm një hetim i pavarur pas skandalit të përgjimeve.

Kriza politike po kalon në krizë sigurie

Njohësit e çëshjeve politike dhe të sigurisë në Maqedoni vlersojnë se kriza politike ka kaluar në krizë të sigurisë me tendencë të përkeqësimit me pasoja të paparashikueshme për vendin. “Protestat e ditëve të fundit dhe ato që paralajmërohen në të ardhmen, janë dëshmi se vendin e pret një krizë serioze në planin e sigurisë nëse nuk ndërmerren masa urgjente për kapërcimin e mosmarrëveshjeve”,thotë Bllagoja Markovski, ekspert i çështjeve të sigurisë.

Bllagoja Markovski, thotë se zgjidhja e krizës mund të shihet në dorëheqjen e qeverisë dhe formimin e një qeverie kalimatare, e cila do të përgadiste terrenin për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Qeveria aktuale edhe pas ditës së katërt të protestave i ka hedhur poshtë kërkesat për dorheqje duke i vlerësuar protestat si skenar për destabilizimin e vendit. (dw)

Britani, Konservatorët fitojnë zgjedhjet

CameronPartia konservatore Britanike e drejtuar nga kryeministri David Cameron fitoi në zgjedhjet e përgjithëshme të vendit që u mbajtën të enjten. Partia Kombëtare Skoceze ka qënë surpriza e zgjedhjeve duke fituar më shumë se 50 vende. Pas zgjedhjeve kryetari i Partisë Laburiste Ed Miliband pranoi humbjen dhe dha dorëheqjen.  Ndërsa në daljen e parë në publik pas fitores, zoti Cameron pranoi se do të mbante zotimet për zhvillimin e një referendumi nëse Britania, ekonomia e pestë më e madhe e botës, do të qendrojë në Bashkimin Evropian apo jo.

Partia konservatore e Kryeministrit David Cameron fitoi bindshëm në zgjedhje, ndonëse në mënyrë të paparashikuar, përkundër gjithë anketave që flisnin për një garë tepër të ngushtë.

“Dua që partia ime dhe qeveria që do të doja ta kryesoja të rimarrë “mantelin” që nuk duhet ta kishin humbur, mbulesën e një kombi, një Mbretërie të Bashkuar, ja kështu do të udhëheq nëse kam shansin të formoj një qeveri gjatë ditëve që vijnë.”  

Partia Kombëtare Skoceze mesa duket do të ketë më shumë influencë në qeverinë e re pasi mundi bindshëm Partinë Laburiste, duke e bërë Skocinë thuajse shtet një partiak. Nicola Sturgeon është Ministri i Parë i Skocisë dhe udhëheqës i Partisë Kombëtare Skoceze.

“Është historike, pllakat tektonike të politikës skoceze kanë lëvizur sonte. Ky është një rast historik.”  

Edhe mbështetësit si Phil Green ishin të emocionuar nga fitorja historike.

“Kam pritur 45 vjet për këtë ditë historike. Për 45 vjet ose kemi humbur ose nuk kemi dalë mirë dhe kjo tani është e pabesueshme. Do të ndryshojmë fytyrën e Skocisë dhe Britanisë.” 

Analistët thonë se qeveria konservatore duhet të gjejë një gjuhë të përbashkët me Skocinë dhe kërkesat për pavarësi më të madhe. Ndërkohë udhëheqësi i Partisë Laburiste Ed Miliband, dha dorëheqjen. Duke folur mbrëmë për median ai u shpreh se ishte një kohë e vështirë për partinë e tij.

“Jemi zhgënjyer dhe është një natë e vështirë për Partinë Laburiste. Nuk kemi arritur ato që kemi dashur në Angli, Uales dhe në Skoci kemi parë se si shtimi i nacionalizmit çoi në humbjen e partisë tonë.” 

Analistët presin që kryeministri Cameron të mbajë premtimin për zhvillimin e një referendumi nëse Britania, ekonomia e pestë më e madhe e botës, do të qendrojë në Bashkimin Evropian apo jo.

Disa analistë britanikë kanë spekuluar se fitorja e konservatorëve mund të bëjë që referendumi të realizohet brenda dy viteve të ardhëshme.  (voa)

Organet artificiale së shpejti realitet?

veshka artificialeVeshka apo mëlçi artificiale? Ekspertët vlerësojnë se duhen rreth 20 vjet për ta bërë këtë vizion realitet. Studiuesit kanë bërë deri tani eksperimente me qelizat burimore njerëzore për zemra dhe mushkëri.

Veshkat janë organi që transplantohet më tepër – por ato mungojnë. Por dhe organet e tjera janë të pakta. Prandaj në mbarë botën po bëhen studime se si organe të tilla mund të prodhohen artificialisht. Për shembull në Harvard Medical School, ku austriaku Harald Ott po tërheq tashmë prej rreth shtatë vitesh vëmendjen shkencore. Në laboratorin e tij ai krijoi fillimisht në një bioreaktor zemra minjsh dhe dy vjet më vonë arriti të prodhonte edhe një mëlçi artificiale. Këto organe ai i ka transplantuar tek minjtë. Para dy vjetësh Harald Ott arriti një tjetër sukses tjetër, krijimin e një veshke artificiale.

Testime të vazhdueshme

Edhe në rastin e veshkave si kafshë eksperimentale shërbyen përsëri minjtë. Struktura qelizore e përdorur nga veshka përfshinte edhe ureterët. Kjo qelizë u vendos pastaj në bioreaktor dhe u mboll me qeliza të freskëta. Pas vetëm dy javësh në bioreaktor u krijua një veshkë funksionale, e cila iu transplantua më pas një kafsheë Struktura aktuale e organit u lidh me rrjetin e qarkullimit të gjakut dhe veshka filloi të punojë.

Veshka artificiale që krijoi Harald Ott paraqiti funksione normale të veshkave dhe madje qe e aftë të nxirrte edhe urinë. Por organi artificial nuk qe në gjendje të punonte plotësisht. Në laborator veshka artificiale arriti një rendiment funksional prej rreth 20 për qind, kurse pas transplantimit funksionimi luhatej mes pesë dhe dhjetë për qind.

Organe me porosi

Edhe pse veshka artificiale nuk punon me aftësi të plotë, ajo konsiderohet nga shumë shkencëtarë, si një hap i parë në drejtimin e duhur, sidomos sepse veshka artificiale nuk duhet të punojnë 100 për qind në mënyrë që t’i vijë në ndihmë një pacienti që është në dializë.

Studiuesit kanë bërë deri tani eksperimente me qelizat burimore njerëzore për zemra dhe mushkëri. E njëjta gjë tani pritet të bëhet tani me veshkat. Meqë me sa duket trupi nuk e refuzon implantimin e qelizave, pacientët nuk do të kenë nevojë të marrin gjithë jetën ilaçe që jepen në rastin e një transplantimi normal. Por këto të ashtuquajtur imunosupresivë e ulin edhe sistemin imunitar dhe i bëjë marrësit e organeve në këtë mënyrë të ndjeshëm ndaj infeksioneve.

Dikur pra ndoshta prej disa qelizave të një pacienti mund të krijohet një organ i ri. Ky do të ishte më shumë se një lajm i mirë për të gjithë ata që kanë nevojë për një transplant. Megjithatë kjo është ende një ëndërr për të ardhmen. Ekspertët vlerësojnë se do të duhen rreth 20 vjet për ta bërë këtë vizion realitet. Deri atëherë, organet e donatorëve janë urgjentisht të nevojshme. Aktualisht vetëm në Gjermani presin për transplantim veshke rreth 8.000 vetë, dhe shumë të tjetë për mushkëri apo mëlçi. (dw)

Francë, kopje e një shpelle parahistorike

vizatim shpelleNjë kopje e një shpelle që përmban vizatimet më të vjetra figurative të bëra nga banorët parahistorikë të Evropës u hap më 25 prill në Francë, jo shumë larg shpellës origjinale. Kopja është ndërtuar, sepse vizatimet në shpellën origjinale janë shumë delikate për t’u ekspozuar për publikun.

Më 18 dhjetor, 1994, një grup studiuesish francezë që po eksploronte shpellat në jug të Francës, hyri në një zonë të panjohur më parë. Jean Marie Chauvet ishte drejtues i grupit.

“Unë isha i pari, Eliette dhe Christian ishin pas meje. Eliette pa dy shenja në gur dhe tha: “Ata kanë ardhur këtu” dhe kështu filloi  gjithçka.. Vizatimet dhe çdo gjë e lidhur me artin në shpella”.

Muret e shpellës ishin të mbuluara me vizatime kafshësh, disa prej tyre të zhdukura prej kohe në Evropë. Ato kishin një cilësi dhe elegancë të shquar. Mamuthë, pantera, arinj, luanë dhe hiena duke konkuruar me kuaj, rinocerontë dhe lopë. Disa nga vizatimet madje përshkruanin lëvizjet e kafshëve.

Specialisti i artit të shpellave, Jean Clottes ishte caktuar të vlerësonte rëndësinë e tyre.

“Unë u habita me numrin e pikturave dhe cilësinë e tyre, sidomos me panelin e kuajve”.

Shumica e pikturave janë bërë me qymyr druri, por në disa raste artistët parahistorikë kanë përdorur një lloj dheu të kuq.

Vizatimet 30 mijë vjeçare konsiderohen si më të vjetrat të bëra nga njeriu në shpella. Në vitin 2014, Shpella Chauvet, e cila mori emrin e eksploruesit të parë që hyri në të, është shpallur objekt i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO.

Meqë vizatimet origjinale dhe mjedisi i tyre janë shumë delikate, shpella tani është mbyllur dhe ka qasje të kufizuar vetëm për qëllime shkencore.

Më 25 prill, pasi shpenzuan 59 milionë dollarë për mirëmbajtjen e saj, autoritetet franceze hapën një kopje të saktë të shpellës, të quajtur Pont d’Arc Cavern.

Presidenti i saj, Pascal Terrasse, thotë se skulptorët, piktorët dhe ekspertë të tjerë krijuan një mjedis në të cilin të gjithë do të jenë në gjendje të përjetojnë ndjenjën e veçantë të shikimit të vizatimeve të bëra nga njerëzit e parë në Evropë.

“Ky vend do të jetë i hapur për turistët, të gjithë do të jenë në gjendje të vizitojnë shpellën Pont d’Arc, dhe ju nuk do të mendoni se kjo është një kopje, sepse ky vend është magjik dhe është ndërtuar mirë”.

Autoritetet thonë se presin të kenë deri në 400 mijë vizitorë në vit. (voa)

Vdekja e Mlladenovit, bomba e 30-të

MladenovLideri i LSDM-së Zoran Zaev ka zbardhur sot biseda telefonike që ngrisin shumë pikëpyetje rreth vdekjes së gazetarit Nikolla Mlladenov. Zaev theksoi se nga bisedat telefonike rrjedhin 10 arsye të forta për hetim të ri për zbardhjen e vdekjes së Mlladenovit.

“Në konferencën për shtyp ku morën Gordana Geshkovska, Marko Zvërlevski, Gordana Jankulloska dhe përfaqësues të tjerë të MPB-së, të mbajtur në fillim të korrikut të vitit 2013, përkrah arsyes për vdekjen, lëndim nga këputja e aortës, u thanë 6 çështje kyçe: se eliminohet goditja me një veturë tjetër, se nuk kanë mundur ta vërtetojnë ku ka qenë Mlladenovi para ngjarjes tragjike, se nuk është gjetur telefoni i Mlladenovit, se në vendngjarje nuk janë gjetur llogari fiskale, se trupi i Mlladenovit është gjetur 7 metra larg veturës dhe se arsyeja për aksidentin ka qenë shpejtësia jo korrekte e veturës në kushtet e rrugës. Nga dëshmitë dhe bisedat që do ti publikojmë sot do të bëhet e qartë se asnjë nga këto 6 gjëra nuk janë të sakta”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Nga bisedat e përgjuara dhe komunikimi me porosi mes funksionarëve qeveritarë, sipas Zaevit zbulohet se në aksidentin e veturës së Mlladenovit ka marrë pjesë edhe një tjetër veturë, gjurmët e së cilës kanë ngelur në veturën e Mlladenovit. Këtë, sipas Zaevit, e thotë edhe ministrja Jankullovska në një porosi dërguar kryeministrit Gruevski.

Porosi e Jankulloskës për Gruevskin-
“Sot në ora 14 vjen hetuesi në MPB, që tia shpjegojmë raportin e krim teknikës. Ka një çështje të pakëndshme, në veturë ka pak ngjyrë nga një veturë tjetër. Për bela, ky është rasti i parë për gjykatësin hetues dhe njerëzit tanë thonë se nuk gjindet më së miri”

Prania e ngjyrës nga një veturë tjetër vërtetohet edhe nga proces verbali i hetuesisë të cilin gjithashtu e publikoi Zaevi. Në të thuhet gjithashtu se janë gjetur edhe 3 llogari fiskale, të cilat nuk janë përmendur në versionin zyrtar të organeve kompetente. Proces verbali tregon gjithashtu se trupi i pajetë i Mlladenovit është gjetur 33 metra larg veturës, jo 7 metra siç njoftonin policia dhe prokuroria. Në teshat e të ndjerit nuk ka pasur gjurmë xhami, ndërsa në xhamin e veturës nuk është gjetur gjak, që gjithashtu bie ndesh me versionin zyrtar, sipas të cilit Mlladenovi kishte fluturuar nga vetura përmes xhamit të parë. Bisedat telefonike mes ministres së brendshme Gordana Jankullovska dhe zëdhënësit të MPB-së Ivo Kotevskit konfirmojnë gjithashtu praninë e ngjyrës nga një veturë tjetër, por edhe disa momente të tjera kundërthënëse. Një prej tyre është celulari i Mlladenovit, i cili sot e kësaj dite nuk është gjetur, edhe pse vendndodhja e tij është lokalizuar pikërisht përmes sinjalit të celularit. Kotevski dhe Jankullovska pranojnë edhe gjetjen e llogarive fiskale, që gjithashtu nuk janë përmendur në versionin zyrtar të policisë. Indikacion tjetër është fakti se ditën e vdekjes së Mlladenovit nuk kanë punuar kamerat e sigurisë në asnjë pikë pagesore në trajektoren e lëvizjes së gazetarit.

Në një tjetër bisedë, Jankulloska dhe Kotevski me humor të zi tallen për vdekjen e Mlladenovit dhe sugjerojnë tituj të gazetave me të cilat do të akuzonin gazetarë të tjerë për vdekjen e Mlladenovit.

Ministrja e Brendshme Gordana Jankulloska në një bisedë pas vdekjes së Mlladenovi, i zbulon shefit të kabinetit të kryeministrit Gruevski Martin Protugjer se takimi i fundit i Mlladenovit ka qenë me kryetarin e Komunës së Karposhit Stevçe Jakimovski. Megjithatë, Zaevi theksoi se edhe pse Jakimovski ka thënë se e ka takuar Mlladenovin, ai takim nuk ka ndodhur asnjëherë, por ka qenë arsyetim i gazetarit për dalje nga shtëpia herën e fundit.

“Stevçe Jakimovski i ka thënë gruas së Mlladenovit se e ka takuar i fundit, në ora 10:30, më datë 26, por ka gënjyer. Ka gënjyer për ta mbrojtur Mlladenovin, duke besuar se me shumë mundësi Stevçe ka qenë arsyetim për daljen e tij nga shtëpia. Ai nuk ka qenë personi që e ka takuar i fundit Mlladenovi. Kjo është e vërteta dhe të vërtetën duhet ta dinë të gjithë se Stevçe është solidarizuar si burrë ndaj një burri tjetër, ka thënë se po, ka qenë me mua, dhe ajo prej këtu e di se janë takuar. Në dalje nga shtëpia, Nikolla ka thënë se po shkon të takohet me Jakimovskin, por ai takim nuk ka ndodhur”, deklaroi Zaev.

Zaev tha gjithashtu se Nikolla Mlladenov ka qenë një ndër personat më të përgjuar nga pushteti. Mbi 10 mijë biseda të tij janë përgjuar dhe janë ruajtur. Ai tha se bisedat e tij të fundit kanë qenë me menaxhmentin e javores Fokus, por në to nuk ka asnjë indikacion që do të qartësonte rastin e Mlladenovit. Benjamin Arifi 

Themelimi i Gjykatës Speciale nga java e ardhshme në Kuvend

gjykataKuvendi i Kosovës pritet që nga java e ardhshme të procedojë tutje me amandamentet kushtetuese në lidhje me themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Me vetë faktin që kërkohen ndryshime kushtetuese, Kuvendit do t’i duhen dy të tretat e votave të 120 deputetëve dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë për miratimin e këtyre amandamenteve.

Gjykata Speciale u lansua si ide pas raportit të senatorit zviceran Dick Marty të prezantuar në Këshillin e Evropës mbi supozimet e tij për trafikim të organeve të disa civilëve serbë nga disa ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mbi bazën e këtyre pretendimeve, prokurori amerikan Clint Williamson kishte zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Në përmbyllje të hetimit të tij, një vëmendje të posaçme Williamson ia kishte kushtuar, asaj që ai e kishte quajtur klimë të frikësimit të dëshmitarëve, duke thënë se “ka pasur përpjekje për ta penguar gjithë procesin hetimor” që prej fillimit të punës së grupit hetues, përmes ndërhyrjes te dëshmitarët.

Arianit Koci, avokat nga Prishtina thotë se krijimi i task forcës hetuese speciale ka zgjatur tre vjet dhe sipas vet prokurorit të saj, Williamson, të gjeturat janë ‘top sekret’ (të fshehtësisë së lartë).

Kështu që në këtë fazë, ai nuk sheh shumë mundësi që ketë ndikimi mbi dëshmitarët.

“Nëse nuk dihet saktësisht se kush është i pandehur dhe kush janë dëshmitarët, atëherë si mund të ndikohet në ta? – Frikësimi apo ndikimi në dëshmitarët është një problem serioz dhe shqetësues për të gjithë. Dëshmitarëve të mbrojtur duhet patjetër t’ju krijohet klima e sigurisë në mënyrë që të sqarohen njëherë e përgjithmonë të gjitha pretendimet, të cilat dorën në zemër janë monstruoze”, ka deklaruar Koci.

Bazuar në përvojat e shteteve të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, avokati Arianit Koci thotë se fenomeni i mbrojtjes së dëshmitarëve është paraqitur në rastet e trajtuara në Serbia, Kroacia e madje edhe në Hagë.

Ndërkaq një element tjetër që ai potencon gjatë themelimit të kësaj Gjykate, është përbërja e saj. Koci beson se në përbërjen e kësaj Gjykatë do të duhej të kishte edhe gjyqtarë nga Kosova, në mënyrë që ajo të fitojë legjitimitetin e vet.

“Gjyqtarët kosovarë e njohin kontekstin shoqëror dhe i njohin rrethanat. Shumë kosovarë kanë krijuar bindjen se një pjesë e konsiderueshme e pretendimeve në raportin e Këshillit të Evropës janë sajuar prej shërbimeve sekrete në Serbi, prandaj pala kosovare duhet të jetë palë aktive në këtë gjykatë. Kjo çështje mund të zgjidhet në mënyrë shumë elegante – në këtë gjykatë gjyqtarët nga Kosova mund të jenë pakicë në çdo trup gjykues”, ka theksuar Koci.

Gjykata Kushtetuese tashmë u ka dhënë dritën jeshile miratimit të amandamenteve kushtetuese të propozuara nga qeveria me të cilat do të mundësohej themelimi i Gjykatës Speciale për krime lufte.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli beson se këto amandamente do të trajtohen nga Kuvendi javën tjetër. Sipas tij, në këtë proces është me rëndësi të ketë konsensus vendor e ndërkombëtar.

“Ajo çka është më kryesore është që të ruhet konsensusi nacional rreth kësaj çështje dhe në të njëjtën kohë të ruhet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare. Amandamentet janë në Komisionin për Legjislacion dhe në momentin që do të marrim dritën jeshile nga ata (Komisioni) ne do të veprojmë”, ka deklaruar Veseli.

Arritja e konsensusit të brendshëm politik për themelimin e Gjykatës Speciale nga analistët politik shihet si domosdoshmëri.

Në të kundërtën, ata tërheqin vërejtjen se këtë Gjykatë do ta themelonte Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me çka, besojnë se do të sfidoheshin rëndë shteti dhe shtetësia e Kosovës, pasi që Këshilli i Sigurimit do të vepronte vetëm mbi bazën e Rezolutës 1244.

Analisti Artan Muhaxhiri mendon se alternativa e vetme para institucioneve të Kosovës, në këtë rast, është themelimi i kësaj Gjykate.

“Institucionet e Kosovës nuk kanë shumë alternativa dhe dihet se do të jenë të obliguara ta pranojnë edhe Gjykatën Speciale, mirëpo edhe projektet tjera që imponohen nga Bashkimi Evropian dhe faktori ndërkombëtar”, thotë Muhaxhiri.

Themelimi i Gjykatës Speciale po bëhet në vazhdën e thirrjeve të faktorit ndërkombëtar i cili kërkon që Kosova të zbatojë këtë obligim që ka marrë përsipër.

Marrëveshja ishte arritur përmes një letërkëmbimi ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ish-shefes së diplomacisë evropianeCatherine Ashton në prill të vitit 2014, ku përveç vazhdimit të mandatit të misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit – EULEX, ishte aprovuar edhe themelimi i Gjykatës Speciale.

Ky letërkëmbim ishte ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare më pas edhe nga përbërja e kaluar e Kuvendit të Kosovës.

Gjermanët dhe holandezët e kërkojnë Specialen

Përfaqësues të shteteve më të fuqishme evropiane po i kërkojnë deputetëve kosovarë që të votojnë pro themelimit të Gjykatës Speciale në Kuvend, në të kundërtën, siç thonë ata, kjo çështje do të kalojë në kompetencë të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Matthias Kiesler, i ngarkuar me Punë në Ambasadën gjermane në Prishtinë, ka deklaruar për “Zërin” se deputetët e Kosovës duhet ta kenë parasysh se në rast të një dështimi të votimit të Speciales e gjithë çështja do të kalojë në KS të OKB-së.

“A do të ishte një shqyrtim i sërishëm nga ana e OKB-së në interes të Kosovës?”, pyet Kiesler.

Kiesler i kujton ligjvënësve kosovarë se në prill të vitit 2014, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nëpërmjet shkëmbimit të letrave me Përfaqësuesen e atëhershme të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Lady Ashton, është marrë përsipër obligimi për të themeluar këtë Gjykatë. /Zëri/

Barometri i Ballkanit, Hahn: Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit me rëndësi madhore

HahnKëshilli i Bashkëpunimit Rajonal publikoi në Bruksel për herë të parë Barometrin e Ballkanit, një monitorim vjetor që rinis me një tjetër emërtim në kuadër të strategjisë 2020.

Në të përmblidhen  vlerësimet e  biznesit dhe opinionit publik mbi zhvillimin ekonomik të vendeve respektive, ku normat më të larta vërehen për Kosovën dhe Shqipërinë,  arsimin, drejtësinë, ku shqiptarët dallohen për besimin më të ulët ndaj sistemit, por dhe mbi zgjerimin me Bashkimin Europian, ku përgjithësisht ruhet entuziazmi, megjithëse në një përqindje disi më të ulët.

Raportet u paraqitën në një konferencë të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve europiane dhe qeverive të Ballkanit.

“Integrimi europian dhe bashkëpunimi rajonal janë dy procese të ndërthurura që nuk mund të shmangin njëri-tjetrin”, u shpreh ministri i Jashtëm, Bushati, në cilësinë e kryesuesit të procesit të bashkëpunimit rajonal të Europës Juglindore, ndërsa insistoi për rishikim të politikës së zgjerimit.

“Por, unë nuk mund të shmang së vërejturi një paradoks mes qëllimit tonë të përbashkët  për anëtarësim të plotë në BE dhe instrumenteve të bashkëpunimit rajonal  që na janë vënë në dispozicion për arritjen e këtij qëllimi. Ngjan sikur i kemi vënë vetes qëllime të forta nga njëra anë, ndërsa në anën tjetër përdorim instrumenta të butë. Kjo do të thotë se, si një rajon, ne duhet të bëjmë më shumë dhe të mësojmë më mirë nga  boshllëqet dhe mospërputhjet mes ambicieve dhe kapaciteteve tona. Nëse krahason GDP, të ardhurat kombëtare dhe eksportet vjetore, nga 2003 deri në 2011, është e dukshme se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mbetur më të varfër, jo vetëm krahasuar me shtetet anëtare të BE-së, por dhe me vendet e tjera ballkanike që i janë bashkuar prej atëherë BE-së. Kjo do të thotë se rajoni ynë nuk është i ndryshëm veç për aspektin e zhvillimit ekonomik, por se procesi i integrimit në BE ende reflekton realitete të së kaluarës”, tha Bushati.

Kërkesa e përsëritur e  ministrit shqiptar siguroi përgjigjen pozitive të Komisionerit Johannes Hahn, i cili deklaroi dhe datën e publikimit për raportet e radhës së progresit në vendet e zgjerimit, duke shpalosur detaje për pritshmëritë e secilit vend ballkanik.

“Paketa e radhës mbi Zgjerimin do të miratohet më 14 tetor. Ne do të ruajmë fokusin tonë mbi çështjet themelore dhe do të shfrytëzojmë këtë paketë për të rigjetur kalibrin e metodologjisë sonë.
Dhënia e statusit kandidat Qershorin e kaluar ishte një arritje e madhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Isha në Tiranë, në Mars, për tryezën e DNL që bashkëdrejtova me Kryeministrin Rama, dhe mirëprita progresin e bërë nga Shqipëria në reformën e administratës publike, si dhe për hapat fillestar të ndërmarrë në fushën e gjyqësorit dhe krimit të organizuar. Sundimi i ligjit mbetet me rëndësi madhore. Lufta ndaj korrupsionit e krimit të organizuar dhe reforma e gjyqësorit janë kyçe. Më shumê punë themelore kërkohet gjithashtu për administratën publike dhe qeverisjen ekonomike”, ka deklaruar Komisioneri Johannes Hahn.

Ndërsa për Shqipërinë, Komisioneri nuk përmendi një rekomandim të mundshëm për nisjen e negociatave të anëtarësimit, për Serbinë ai u shpreh se kapitujt e parë mund të hapen këtë vjeshtë me kushtin që Beogradi të forcojë sundimin e ligjit dhe të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialog me Kosovën.

Mali i Zi ruan pozicion udhëheqës në rajon për procesin e anëtarësimit në BE, ndërsa gjuha më e ashpër u përdor ndaj Maqedonisë, ku Hahn rrëfeu se për momentin Këshilli i BE-së nuk dëshiron më një përsëritje të rekomandimit pozitiv.

Komisioni kërkon trajtim urgjent të çështjeve që lidhen me të drejtat themelore, sundimin e ligjit dhe median, si dhe u bëri thirrje autoriteteve vendase dhe politikanëve të Shkupit për të zgjidhur krizën politike dhe për të ulur tensionet ndëretnike.

Përgatiti: Arta Tozaj / Top Channel

BSH rishikon në ulje rritjen ekonomike

Guvernatori SejkoPritshmeritë e Bankës së Shqipërisë për 2015 më të ulta se parashikimi fillestar për një rritje prej 3 përqind. Ngadalësim i aktivitetit ekonomik dhe në tremujorin e parë të vitit

Banka e Shqipërisë rishikon me ulje rritjen ekonomike të vendit gjatë 2015. Sot në përfundim të mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës, ku u miratua dhe Raporti Tremujor i Politikës Monetare, Guvernatori Gent Sejko shpjegoi se “goditjet e ofertës në tremujorin e parë sollën një inflacion më të lartë se pritjet tona. Këto goditje e bënë të nevojshëm një rishikim të lehtë në kahun e poshtëm të rritjes së pritur ekonomike për vitin 2015”.

Guvernatori Sejko nuk shpjegoi se sa pritet të ulet rrija ekonomike krahasuar me parashikimin fillestar prej 3 përqind. Ai saktësoi se megjithatë, efekti i këtyre goditjeve “pritet të jetë kalimtar dhe vlerësimet tona për ecurinë afatmesme të inflacionit dhe të aktivitetit ekonomik nuk kanë ndryshuar. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim gradual gjatë viteve në vazhdim. Ekonomia shqiptare parashikohet t’i afrohet nivelit potencial gjatë vitit 2016, çka do të krijojë premisat e duhura për kthimin e inflacionit në objektiv brenda horizontit kohor të veprimit të politikës monetare”.

Rishikimi në ulje i rritjes ekonomike për 2015 vjen pas një ecurie më të dobët se pritshmëritë, të aktivitetit ekonomik edhe në tremujorin e parë të këtij viti. “Në bazë të informacionit të disponuar, Banka e Shqipërisë vlerëson se ritmet pozitive të rritjes kanë vijuar edhe në tremujorin e parë të vitit 2015. Rritja ekonomike e kësaj periudhe vlerësohet të ketë pësuar një ngadalësim të përkohshëm, si pasojë e dëmeve nga përmbytjet në sektorin bujqësor e blegtoral, por edhe si pasojë e reduktimit të prodhimit të naftës, në përgjigje të konjukturës së dobët të tregut botëror”, shpjegoi guvernatori Sejko.

Banka e Shqipërisë vlerëson se “forcimi i kërkesës agregate do të jetë motori kryesor i rritjes ekonomike në afat të shkurtër e të mesëm. Megjithatë, në afat të gjatë, Banka e Shqipërisë thekson nevojën e thellimit të reformave strukturore, si instrumenti më i rëndësishëm për të prodhuar rritje të qëndrueshme ekonomike. Reformat strukturore duhet të synojnë rritjen e produktivitetit të ekonomisë shqiptare dhe zgjerimin e tregjeve për produktet tona. Ndër të tjera, kjo do të realizohet nëpërmjet ndërtimit të një infrastrukture moderne zhvillimi, krijimit të një klime të favorshme biznesi dhe investimit të vazhdueshëm për përmirësimin e burimeve njerëzore”, u shpreh guvernatori.

Këshilli Mbikqyrës vendosi ndërkohë se ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin e 2 për qind, minimum i saj historik. “Nivelet aktuale të stimulit monetar janë të përshtatshme për përmbushjen e objektivit të inflacionit në afat të mesëm”, shpjegohet në vendimin e Këshillit Mbikqyrës të Bankës.

Po sot Këshilli emëroi anëtarën e vet Natasha Ahmetaj, në postin e zëvendës guvernatorit të dytë, pozicion i cili kishte disa vite që kishte mbetur vakant. (voa)

Rusi, 70 vjetori i përfundimit të Luftës së II Botërore

lufta e 2 botroreRusia po përgatitet për të shënuar 70 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, të njohur gjatë Bashkimit Sovjetik si “Lufta e Madhe Patriotike”. Me këtë rast do të zhvillohet një paradë madhështore ushtarake më 9 maj dhe miliona veteranëve apo të afërmve të tyre do t’u jepen medalje. Por kritikët thonë se ky manifestim masiv patriotizmi dhe fuqie përpiqet të fshehë plagët e hapura gjatë dhe pas luftës që ende ndikojnë në politikën e sotme ruse, veçanërisht në krizën në Ukrainë. Korrespondenti Daniel Schearf njofton nga Moska:

Në rininë e hershme, veterani i Luftës së Dytë Botërore Ivan Sokolov ndihmoi për të shkatërruar bomba të pashpërthyera. Ai e thotë me krenari se Rusia ishte ajo që bëri të mundur fitoren mbi nazizmin.

          “Nëse nuk do të kishim arritur ne fitoren, Evropa do të kishte pasur sot një hartë tjetër”.

Kritikët e Kremlinit thonë se tani vetë Rusia po ndryshon kufijtë e Evropës duke aneksuar Krimenë dhe duke mbështetur separatistët në lindje të Ukrainës.

Moska i justifikon veprimet e saj duke i cilësuar udhëheqësit e rinj të Kievit si fashistë dhe nazistë anti-rusë. Këto janë terma me ngarkesë të madhe emocionale për shumë rusë si veterani Alexandre Podabed.

          “Nuk  i konsideroj të gjithë ukrainasit nazistë apo fashistë, por ka plot nga ata që hyjnë në këtë kategori”.

Për 70 vjetorin e Ditës së Fitores, Rusia do të zhvillojë manifestimin më të madh të forcës së saj ushtarake, me tanke të reja, artileri dhe 15 mijë trupa.

Udhëheqës perëndimorë nuk kanë pranuar të marrin pjesë, thotë historiani Andrei Zubov:

          “Sot qeveria ruse është agresore në Ukrainë që prej një viti. Ajo ka aneksuar Krimenë, po udhëheq luftën në lindje dhe ndërmerr veprime terroriste dhe destabilizuese në qytete të tjera. Udhëheqësit perëndimorë nuk e përtypin dot moralisht vajtjen në një vend agresor për të festuar me agresorin fitoren mbi një agresor tjetër 70 vjet më parë”.

Rusia e Presidentit Vladimir Putin i ringjalli paradat e stilit sovjetik në vitin 2008, në kuadër të përpjekjeve për të rizgjuar imazhin e një të kaluare të ndritur.

Deri në 28 milionë qytetarë sovjetikë u vranë gjatë luftës, por shumë prej viktimave nuk ishin nga armiku, thotë historiani Zubov:

          “Shifrat janë tepër të larta, të pajustifikueshme, pasi Stalini organizoi mbrojtje të keqe”.

Zoti Zubov, që më parë jepte leksione në Institutin e Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare u pushua vjet nga puna, pasi krahasoi aneksimin e Krimesë nga Rusia me aneksimin e Austrisë nga Gjermania naziste.

Ai thotë se udhëheqësit rusë e shohin veten si trashëgimtarë të fuqisë sovjetike:

          “Pas 1945, vrasjet, shtypjet, krimet e shumta kundër popullit rus vazhduan. Mendoj se duhet ta ndalim këtë manifestim për fitore, pasi fitorja mund të interpretohet në shumë mënyra dhe në Rusi u shoqërua me më shumë aspekte jopozitive se në vende të tjera, përfshirë edhe Gjermaninë”. (voa)