Gratë në Raka: „Ne jemi të vdekura që ende marrim frymë“

Gratë në qytetin sirian, Raka vuajnë masivisht nga shtypja prej organizatës terroriste „Shteti Islamik“. Deutsche Welle kishte mundësi ekskluzive për të biseduar me disa gra mbi përjetimet e tyre nga jeta e përditshme.

RakaPamje nga Raka

Pulsi i jetës është shuar qëkur i ashtuquajturi „Shtet Islamik“ ka marrë nën kontroll qytetin verilindor të Sirisë, Raka. Gëzimi e gjallëria janë zëvendësuar me terrin. Veshja e burrave dhe femrave, muret, ndërtesat, banderolat – çdo gjë ka marrë ngjyrën e zezë. Pasi IS-i vendosi versionin e tij të sheriatit, të gjithë kanë një pamje.

Një 25-vjeçare që dëshiron të paraqitet me emrin Hala bisedoi me Deutsche Wellen për shkatërrimin e jetës në qytetin e saj dhe si i përballon ajo rregulloret e IS-it. “Gjithë jetën kam jetuar në Raka, isha studente. Shpirti im është i lidhur me këtë qytet”, thotë Hala, që nuk ka qenë mjaft liberale, por megjithatë ka pasur mjaftueshëm liri. “Nuk vishja hixhab, por kjo nuk ishte problem.” Por shumë gjëra kanë ndryshuar, që kur IS-i pushtoi Rakanë duke e shpallur kryeqytetin e territorit të pushtuar në Siri e Irak.

Gjithnjë e më shumë kufizime

Fillimisht gratë u urdhëruan të mbulonin të gjithë fytyrën-bashkë me dorashka të zeza dhe veshje të zezë të gjerë. Por nuk zgjati shumë dhe pati zhvillime të tjera: Femrave iu ndalua të vishnin ngjyrë tjetër veç të zezës. Edhe parfumi dhe e folura me zë të lartë në treg u ndaluan. Rregullat e reja përcaktuan edhe formën që duhej të kishnin këpucët, madje edhe mënyrën e të ecurit. Xhihadistët i mbyllën shkollat dhe universitetet. Gratë nuk duhej të dilnin në qytet pa një të afërm të gjinisë mashkullore. Në fund femrave iu ndalua të studionin jashtë qytetit.

“Ata themeluan Brigadën Khansa, që u ngarkua me detyrën e kontrollimit të femrave që thyejnë rregullat –në rrugë, në tregje, madje edhe në shtëpitë e tyre”, rrëfen Hala. Brigada u krijua kryesisht për të kontrolluar femrat e huaja që kanë ardhur në Siri të luftojnë për IS-in. “Por edhe për luftëtarë të IS-it që nuk kishin punë më të mirë, se të përziheshin në punët e femrave.” Hala është paralajmëruar disa herë, sepse nuk ka qenë e veshur si duhet. Pas kësaj ajo nuk donte më të dilte nga shtëpia. “Kam parë disa gra që janë qëlluar me shkopinj në treg, disa u arrestuan, sepse nuk ishin veshur në mënyrë islamike.” Hala thotë se shtëpia i duket si burg ose si varr tani.

Norma e tradita të ndryshuara

„Shteti Islamik“ nuk i ka kursyer as gratë. Ai është përpjekur të ndryshojë rregullat e traditat në qytet, në atë formë që i përgjigjen interpretimit të sheriatit sipas tyre. “Kam ëndërruar që të martohesha me dikë që doja, si një vajzë normale, por gjërat kanë ndryshuar”, thotë Hala. Kush do të martohet, duhet të vëzhgohet më parë nga nëna ose motra e kandidatit. “Unë vetë nuk duhet ta shoh bashkëshortin më parë vetëm, ose të flas me të, por vetëm pas martese“, shpjegon Hala jetën e trishtë në Raka.

Si vajzë e vetme mundësitë ishin shumë të pakta, prandaj Hala vendosi të martohej-edhe pse kjo nënkuptonte ndjekjen e rrugës tradicionale. Ajo thotë se kjo ishte mënyra e vetme për të ndryshuar jetën. Dhe Hala nuk është e vetme. Shumë vajza të reja janë të detyruara të martohen për të filluar një jetë të re, për t’i ikur jetës-horror me një luftëtar të IS-it.

E rrahur dhe e arrestuar

Rim G. nuk banon larg nga Hala. Qëkur ka ardhur në pushtet IS-i, familja e saj është rrënuar financiarisht. Pas një sulmi ajror, të gjithë u larguan nga shtëpia. Një nga vëllezërit humbi jetën. 21 vjeçarja jeton tani me prindërit dhe motrat. Studimet e gjuhës angleze duhej t‘i ndërpriste. „Shteti Islamik“ e mbylli universitetin dhe prindërit nuk kishin para ta dërgonin diku tjetër. Në vend të universitetit, IS ka hapur forume për vajzat myslimane ku shpjegohet ideologjia e islamistëve. Në këto forume rekrutohen edhe anëtare për brigadat famëkeqe Khansa si dhe praktikante për shkollat e mjekësisë e infermierisë të IS-it. Aty femrave u mësohet se si të kujdesen për plagët e xhihadistëve.

“Nuk ka rrugëdalje nga kjo gjendje. Si fëmija më i madh isha e detyruar të kërkoj punë. Punoja më pareënë një dyqan rrobash për femra në qendër të Rakas, derisa një patrullë e policisë së sheriatit e kontrolloi dyqanin tonë dhe më arrestoi mua dhe pronarin duke na akuzuar për marrëdhënie të ndaluara seksuale. Na rrahën“, rrëfen 21 vjeçarja. Arsyeja ishte thjesht se femrat nuk duhet të punojnë bashkë me një burrë, me të cilin nuk janë të martuar apo janë në lidhje farefisnie. Në burg Rim G. është rrahur aq shumë, sa javë të tëra nuk mund të flinte shtrirë mbi kurriz.

“Buzëqesh në pasqyrë që të mos harroj”

Pas kësaj përvoje të hidhur, Rim u përpoq të arratisej nga Raka. Por në pikat e kontrollit të IS-it nuk lejohet të largohet askush nga qyteti pa leje të posaçme. Rim u përpoq të largohej nga veriu, në rrugë rurale, ku janë edhe territoret e kontrolluara nga kurdët, YPG. Por pa sukses, sepse askush nuk doli garant për të. Tani ajo punon me nënën e motrën në shtëpi si rrobaqepëse. Rim thotë se ka kohë që nuk ndjen më asgjë. Madje edhe e qeshura është një gjë e rrallë. “Shpesh qëndroj para pasqyrës dhe buzëqesh ose qesh që të mos e harroj. Po, qesh me fatkeqësinë time. Ne jemi të vdekura që ende marrim frymë.”

Për arsye sigurie duan të mbeten anonim si autori i këtij teksti ashtu edhe personat e intervistuar. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>