Kërcënimet kibernetike për administratën e ardhshme amerikane

kercenimet-kibernetikeNjë komision presidencial amerikan i bëri thirrje dje administratës së ardhshme amerikane të ndërmarrë hapa të menjëhershme për forcimin e sigurisë kibernetike në sektorin publik dhe atë privat.

Komisioni për Forcimin e Sigurisë Kombëtare Kibernetike, në përbërje të të cilit janë edhe 12 ekspertë të pavarur të teknologjisë dhe sigurisë kompjuterike, i paraqiti një raport Presidentit Barack Obama me një seri rekomandimesh që duhen zbatuar brenda një periudhe 2 – 5 vjeçare.

Rekomandimet përfshijnë edhe propozimin për krijimin e dy posteve të reja në administratën e re Trump, një ndihmës të presidentit për sigurinë kibernetike, si dhe një ambasador për sigurinë kibernetike që do të bashkëpunojë me vendet e tjera për sigurinë ndërkombëtare.

Komisioni gjithashtu i bën thirrje administratës së re Trump që të trajnojë 100 mijë punonjës të rinj të sigurisë kibernetike deri në vitin 2020, si dhe të shmangë fenomenin e vjedhjes së identitetit duke eleminuar sistemin tradicional të fjalëkalimeve deri në vitin 2021.

Komisioni i bën gjithashtu thirrje qeverisë të marrë më tepër përgjegjësi për sigurinë e internetit duke ndihmuar kështu përdoruesit individualë.

Nëpërmjet një deklarate, Presidenti Obama i bën thirrje zotit Trump dhe Kongresit që t’i shfrytëzojnë këto rekomandime si një udhëzues, megjithëse nuk është e qartë nëse zoti Trump do ta pranojë këtë sugjerim.

Zoti Trump ka bërë një sërë premtimesh për të rritur sigurinë në rrjet gjatë administratës së tij. Ai ka premtuar edhe krijimin e një “ekipi mibkqyrës kibernetik” të përbërë nga ekspertë dixhitalë ushtarakë, civilë dhe privatë që do të bashkëpunojnë me të gjitha agjensitë federale për të rritur sigurinë.

Sipas zotit Trump, ky ekip do të punojë fillimisht për të përmirësuar sistemet më sensitive të SHBA-së, dhe më tej do të vazhdojë punën me të gjitha sistemet e tjera. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>