Mbush 70 vjet Organizata Botërore e Shëndetësisë

OBSHSelia qendrore e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Gjenevë të Zvicrës

Sot mbushen 70 vjet nga krijimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. 7 prilli është edhe Dita Botërore e Shëndetit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, shqyrton arritjet gjatë këtyre shtatë dekadave, si dhe se çfarë duhet bërë për të ardhmen.

Gjatë 70 viteve të fundit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka drejtuar përpjekjet për ta çliruar botën nga sëmundje vdekjeprurëse, si p.sh. lija. Ka krijuar partneritete për të eliminuar sëmundje të tjera, si poliomeliti.

“Pothuajse ia kemi dalë mbanë. 99.9% e poliomelitit është eliminuar në mbarë botën”, pati deklaruar Peter Crowley, ekspert i poliomelitit.

Kjo thuhej në vitin 2014 dhe që atëherë punonjësit kanë vazhduar përpjekjet kundër poliomelitit, megjithë konfliktet dhe vështirësitë. Vitin e kaluar, vetëm 17 fëmijë u prekën nga ky virus, por poliomeliti do të quhet i eliminuar kur të mos ketë më asnjë rast.

Shumë njerëz nuk kanë qasje tek vaksinat që shpëtojnë jetë, jo vetëm për poliomelitin, por edhe për fruthin dhe viruse të tjera. Për këtë arsye, OBSH-ja ka dalë me moton “shëndet për të gjithë”, për këtë Ditë Botërore të Shëndetit.

“Në pjesën më të madhe të botës tani flitet për një sistem mbulimi universal të kujdesit shëndetësor. Është vërtet një ndër sfidat globale që kemi”, thotë James Fitzgerald, i Organizatës Panamerikane të Shëndetit.

Zoti Fitzgerald mbikqyr zhvillimin e një sistemi universal shëndetësor për pjesën e Amerikave, në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

“Pengesat për qasjen tek kujdesi shëndetësor janë pak a shumë njësoj gjithandej. Ka pengesa gjeografike dhe mungesë të pranisë së institucioneve të shëndetit. Ka pengesa institucionale të sistemit shëndetësor, si radhë të gjata pritjeje, mungesë doktorësh dhe infermierësh. Ka pengesa financiare në sisteme që nuk kanë fonde të mjaftueshme dhe ku njerëzit duhet të paguajnë nga xhepi. Ka edhe çështje diskriminimi social brenda sistemeve të kujdesit shëndetësor”, thotë zoti Fitzgerald.

Është detyrë e vështirë t’i ofrosh gjysmës së popullsisë së botës kujdesin bazë shëndetësor që nuk e kanë ende, që të mund të përballojnë nevojat e shëndetit pa u detyruar të zhysin në varfëri familjet për të paguar faturat mjekësore. OBSH thotë se nëse njerëzit kanë qasje në kujdesin shëndetësor, ata bëjnë jetë më produktive, ndërkohë që mund të parandalohen epidemitë dhe të ofrohet kështu më shumë begati për vendet ku ata jetojnë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>