Përvjetori i 45-të i misionit Apollo 13

Apollo 13Ishte projektuar si udhëtimi i tretë me njerëz i NASA-s në Hënë, por misioni Apollo 13 i prillit 1970 u shndërrua në diçka më tepër.

Në përvjetorin e 45-të të asaj që njihet si “dështimi i suksesshëm” i NASA-s, korrespondenti Kane Farabaugh bisedoi me astronautët e NASA-s dhe drejtuesit e fluturimeve në qendrën Adler Planetarium në Çikago, rreth asaj se si ky mision i ndërprerë ndryshoi eksplorimin e hapësirës.

Kur astronautët e NASA-s, Jim Lovell, Fred Haise dhe Jack Swigert, bëheshin gati për misionin Apollo 13-të të prillit 1970, udhëtimet në hapësirë dhe madje zbarkimi në Hënë kishin filluar të shndërroheshin në diçka të zakonshme.

Por, menjëherë pas ngritjes, Apollo 13-ta tregoi se nuk ishte thjesht një mision rutinë.

Një rezervuar oksigjeni shpërtheu, duke e dëmtuar anijen, dhe duke e detyruar astronautin Jim Lovell të braktisë ëndrrën për t’u ulur në sipërfaqen e Hënës.

“Isha shumë i mërzitur që nuk zbarkuam dot dhe që duhej ndërprerë fluturimi.”

Pas shpërthimit vijuan tre ditë të mundimshme ndërkohë që inxhinierët e NASA-s përpiqeshin nga Toka të rikthenin Apollo 13-ën.

“Ishte një rast i vërtetë pune në skuadër, një rast klasik i një krize menaxhimi.”

Astronauti Michael Collins, piloti i misionit Apollo 11 të vitit 1969 që zbarkoi i pari në Hënë, thotë se Apollo 13 ishte një sinjal alarmi.

“Kjo i ndërgjegjësoi më shumë NASA-n dhe publikun amerikan ndaj rreziqeve të udhëtimit në Hënë.”

Udhëtimi drejt Hënës nuk u ndal me misionin Apollo 13. Pati edhe katër misione të tjera të suksesshme përpara se të mbyllej programi Apollo në vitin 1972. Gery Griffin ishte drejtues misionesh në NASA gjatë zbarkimit të fundit në Hënë.

“Gjendeshim në një hov zhvillimi. Thonim se për 20 vjet do të shkojmë në Mars! Pra pritej të ndodhte në vitin 1992. Dhe nuk ja dolëm. Habitem që nuk patëm vullnetin dhe lidershipin për t’ja arritur kësaj.”

Në qendrën Adler Planetarium në Çikago, janë të ekspozuara arritjet e misioneve Gemini dhe Apollo të NASA-s, si pjesë e një ekspozite të titulluar “Misioni Hënë”. Aty ndodhen dhe kujtime nga karriera e zotit Lovell si astronaut.

“Një pjesë e mirë e njerëzve që vijnë këtu, nuk kishin lindur ende kur ne kryenim misionet Apollo.”

Kjo është edhe arsyeja pse zoti Lovell dëshiron që NASA të rikthejë sërish astronautët në Hënë.

“Pasi t’ja kemi marrë dorën zbarkimit në Hënë dhe eksplorimit të saj, atëherë mendoj se duhet t’i drejtohemi Marsit. Por, kjo është ende shumë vite larg.”

Megjithëse zoti Lovell nuk mbërriti kurrë në Hënë, ai nuk ka keqardhje.

“Tani ndjehem vërtet i kënaqur që misioni 13-të përfundoi ashtu. Sikur të kishte qenë thjesht i treti zbarkim në Hënë, nuk do të përkujtohej në këtë mënyrë.”

Dhe nuk do të kishte patur ndoshta kurrë një film të bazuar në dramën që kaloi Lovell në hapësirë – filmi i Tom Hanks, xhiruar në vitin 1995, me titullin “Apollo 13”. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>