Kategoritë: Analiza

APEL DREJTUAR KRYEMINISTRIT BERISHA DHE SHEFIT TË E U L E X – IT

nga Fisnik Zeqiraj

Organizatorët e Akademisë Përkutimore:
DEGA E LDK-së PËR GJERMANI
dhe
NËNDEGA E LDK-së PËR BADEN WÜRTEMBERG
Ludwigsburg – Stuttgart, tetor 2012
APEL DREJTUAR:

1.- QEVERISË TË REPUBLIKËS TË SHQIPËRISË
Kryeministrit Sali Berisha
T i r a n ë

2.- E U L E X – it
Shefit Xavier Bout de Marnhac
P r i s h t i n ë

Kanë kaluar 14 vjet nga ekzekutimi makabër, në mes të Tiranës, të ministrit të mbrojtjes të Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi. Dhe, megjithatë, deri me sot, askush nuk është marrë në përgjegjësi!

Vrasjet e burrave dhe të djemëve të Kosovës në territorin e Shqipërisë londineze si dhe vrasjet seriale brenda Kosovës, kanë qenë gjysmë publike dhe si të tilla janë një e fshehtë publike. E themi këtë, sepse në realizimin e një atentatimi kanë marrë pjesë një duzinë njerëzish, madje edhe me vetura, me qëllim të karambolimit, në rast të ndjekjes momentale nga policia!!

Në Shqipëri, përgjatë viteve 1997, 1998 dhe 1999, janë ekzekutuar:

1) Gazetari Ali Ukaj
2) Ministri Ahmet Krasniqi
3) Veprimtari i Logjistikës Ilir Konushevci
4) Dr. Hazir Malaj, bashkëveprimtar i Konushevcit, shtetas i Shqipërisë, nga Tropoja
5) Djemtë e Sylë Mehmetit – Nikçi, nga Rugova, ish i burgosur politik, Ibrahimi dhe Rexhepi
6) Qazim Jakupi me kontraktuesin e hapjes të pikës ushtrimore – ushtarake, në Papaj të Tropojës, Muharrem
Tafa, mik i heroit Sali Çekaj
7) Është zhdukur pa gjurmë në Tiranë oficeri dhe veprimtari i LDK-së Sadri Ramqaj nga Istogu
8-Është vrarë në pritë, në aksin rrugor Kukës – Tiranë, Rushit Elezi nga Kukësi, kontraktuesi i ushtrimorës ushtarake të Kalimashit si dhe furnizuesi me armë i Forcave të Armatosura të Kosovës.

Përveç të cituarëve me emër, janë zhdukur pa gjurmë edhe oficerë, ushtarë dhe veprimtarë të tjerë – brenda territorit të Shqipërisë.
Ekzekutimet në Shqipëri u paraprinë qindra vrasjeve politike, (llogaritën nga 1500 deri 1700 sosh), përgjatë dhe pasluftës në Kosovë, kryesisht ushtarakë luftëbërës si dhe veprimtarë të tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Izolimet në burgjet rurale të SHIK-ut, rrahjet, maltretimet, terrorizimi deri në linçime pa gjyq fare, të atyre që konsideroheshin kundërshtarë politikë në të ardhmen, janë numerike. Qëllimi i kësaj ploje fashizoide ishte i qartë: marrja e pushtetit me dhunë nga e majta ekstreme, e ashtuquajtura Lëvizje Popullore e Kosovës e djeshme, përkatësisht – Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – të sotme.
Çuditërisht, UNMIK-u ka bërë arrestime të harëpashershme, por nuk ka bërë as zbulime të krimeve politike dhe as ndëshkime e dënime të kriminelëve. Do të mbahet mend për të keq dhe për turp ndonjë dënim simbolik të bërë nga “gjykata” e UNMIK-ut. _Për shembull: Për 4 (katër) ekzekutimet e oficerëve të Kosharës, dënimi ishte deri në pesë (5) vjet burg, madje të liruar pa e vuajtur dënimin përkatës. Një tallje e turpshme me viktimat, familjet e tyre, popullin dhe drejtësinë e Kosovës! Ndërkohë që në vendet prej të cilave vinin këta “biçim gjyqtarësh”, për një vrasje, krimineli dënohej dhe dënohet me burgim të përjetshëm, sepse kështu e parashikojnë edhe ligjet e shteteve ligjore dhe demokratike, për vrasjet e qëllimshme dhe të ngeshme.

Pothuajse të gjitha arrestimet e bëra nga UNMIK-u kanë qenë faktike, lëndore, të bazuara, ndërsa lirimet kanë qenë politike, të qëllimshme dhe në dëm të Kosovës. Kupola e krimeve në Kosovë, që tashmë është në pushtet, ka mbrojtur me fanatizëm krimin dhe kriminelët, sepse krimi kishte një qendër, kishte një shtab dhe ky shtab, që sot gëzon dhe shpërdoron pushtetin, nuk mund të luftojë kundër vetvetes!!!

Pse e bëri këtë UNMIK-u dhe pse i heshti krimet EULEX-i, kjo është një çështje që kërkon sot me ngulmë populli i Kosovës, LDK-ja, por duhet ta kërkojë edhe Qeveria e Republikës të Shqipërisë. Përjashtohet nga kjo nismë, sa fisnike, aq edhe ligjore, Qeveria aktuale e Kosovës, sepse ka fakte të bollshme, të pakontrstueshme se projektues dhe ekzekutues të krimeve politike seriale kanë qenë dhe janë pikërisht kasta e pushtetarëve të sotëm, me organizatën e tyre ilegale e kriminale SHIK-un. E hidhur, por krejt e vërtetë, në ulëset e Parlamentit të Kosovës janë 21 deputetë të SHIK-ut, duke e bërë parlamentin më kriminal të Evropës dhe më gjerë!!
Sot, nga kjo tribunë e Akademisë Përkujtimore, kushtuar kolonel Ahmet Krasniqit, Hero i Kosovës, me bindjen se përfaqësojmë edhe mendimin e anëtarësisë të LDK-së dhe më gjerë të njerëzve atdhedashës të Mërgatës shqiptare, apelojmë zëshëm tek Qeveria e Republikës të Shqipërisë, kryeministri Berisha si dhe tek EULEX-i dhe shefi i tij Xavier Bout de Marnhac, të angazhohen, seriozisht dhe maksimalisht, për zbulimin dhe vënien para drejtësisë të kriminelëve vrastarë dhe shefave shtabistë të tyre, gjatë dhe pas luftës, në Shqipëri dhe në Kosovë.
Heshtja e krimeve të djeshme, është stimulim për krimet e sotme dhe të nesërme. Me krime nëpër këmbë, nuk mund të këtë ecje përpara të Kosovës. Liria pa drejtësi dhe demokraci, është utopi, përrallë dhe këtë e kanë provuar dhimbshëm shqiptarët e Shqipërisë për gjysmë shekulli rradhazi.
Mbetemi me shpresë dhe besim se, më në fund, drejtësia do të veprojë dhe triumfojë mbi krimin dhe kriminelët, që kanë ngulfatur Kosovën tonë, shtetin fort të brishtë ballkanik.

Me shumë respekt:
Organizatorët e Akademisë Përkutimore:
DEGA E LDK-së PËR GJERMANI
dhe
NËNDEGA E LDK-së PËR BADEN WÜRTEMBERG
Ludwigsburg – Stuttgart, tetor 2012

Pashaj: Front opozitar për të rrëzuar regjimin antikombëtar të Berishës

Një front opozitar me bazë të gjerë do t’i jepte fund regjimit berishian dhe shitjes së pasurive publike. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kuq e Zi, Myslym Pashaj, në një prononcim për gazetën “Sot”, e ka cilësuar qeverinë e kryeministrit Sali Berisha si antikombëtare dhe se bashkimi i forcave opozitare në prag të fushatës elektorale do t’i jepte fund këtij regjimi. “Një front opozitar i organizuar mirë me qëllime të përcaktuara do t’i bënte ballë situatës ekonomike, pasurive kombëtare, sigurimit të kombit etj.

Ne këtë regjim e konsiderojmë autokratik dhe antikombëtar. Janë krijuar disa parti të reja që e kanë të domosdoshme krijimin e identitetit të tyre. Kanë një koncept të ri të luftës dhe përpjekjeve të tyre për të krijuar identitetin e tyre. Aleanca Kuq e Zi ka si qëllim të krijojë një pol të ri në sferën politike, ku në qendër të saj është çështja kombëtare. Shitja e pasurive publike, si shitja e Albpetrol është një problem antikombëtar. Pa u krijuar identiteti i partive të reja, është shpejtë për të folur për koalicionet”, u shpreh Pashaj.

Beqiri
Përcaktimi i qartë i koalicionit opozitar me bazë të gjerë do të ishte vendimtar për të rrëzuar nga pushteti Sali Berishën. Në këto kushte, avokati Idajet Beqiri, në një prononcim për gazetën, i ka bërë thirrje liderit të opozitës, Edi Rama, që të bashkojë të gjitha forcat opozitare përfshirë edhe partinë Fryma e Re Demokratike të Bamir Topit. “Kudo në botë koalicionet janë ideologjike që krijohen për probleme madhore. Dikush kërkon uljen e taksave, dikush ka prioritet punësimin. Në këtë bazë duhet të ndërtohen koalicionet. Partia Socialiste dhe Edi Rama duhet të punojnë me përgjegjshmëri për të bashkuar të gjitha forcat opozitare kundër këtij despoti dhe injoranti. Rama nuk duhet të shprehet që Topi e ka vendin tek Berisha. Ai duhet të dijë t’i bashkojë të gjitha forcat politike dhe t’i afrojë në koalicionin opozitar. Nëse Zogu ishte një anadollak, ky është një kaluar anadollakut. PS duhet të dijë të japë pushtet, t’u japë edhe të tjerëve aq sa u takon. Berisha di të ndërtojë koalicionin e së keqes, ndërsa ne do të krijojmë koalicionin e së mirës”, u shpreh Beqiri.

Opozita
Lideri i opozitës ka mbajtur një qëndrim të dyzuar për afrimin e FRD dhe AK në koalicion me forcat e majta opozitare. Një herë ai është shprehur se është i hapur për koalicionet, ndërsa nga ana tjetër i ka cilësuar ato parti të spektrit të majtë. Por edhe këto dy forca të reja politike, kanë deklaruar se nuk do të bëjnë koalicion me asnjë forcë politike. Një opozitë e përçarë dhe jo e organizuar mirë, aq më tepër me një KQZ të politizuar do t’i hapte qeverisë Berisha për të fituar një mandat të tretë. “Unë mbetëm i mendimit që ato janë parti të djathta, apelojnë drejt një elektorati të djathtë dhe nga ana tjetër dua ta bëj të qartë se koalicioni ynë ka gravitet programin tonë. Kemi forca të djathta të zëshme që janë pjesë e koalicionit dhe që përfaqësohen nga të përndjekur politik si Spartak Ngjela apo Kurt Kola. Por nga ana tjetër koha do të tregojë se si do të zhvillohen dinamikat në tërësi”, është shprehur Rama.

Akuza

Qeverisë aktuale çdo ditë e më shumë i janë shtuar akuzat dhe thirrjet për t’u larguar nga pushteti. Kundërshtimet për këtë qeveri vijnë si nga eksponentë të majtë, por edhe nga të djathtë, të cilët tashmë janë shkëputur përfundimisht nga aleancat me Berishën. Kreu i partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, e ka akuzuar kryeministrin si leckë që ka larë korridoret e Partisë së Punës. Pra, Berisha është një derivat i Enver Hoxhës dhe vazhdon të ndjekë regjimin komunist.

Brokaj: Koalicioni PD-LSI, i pamundur

Anëtari i këshillit të të urtëve të PS, Sabit Brokaj, e sheh të pamundur aleancën e PS me LSI. Si një prej ish-drejtuesve të lartë të PS, dhe më pas edhe të LSI, Brokaj shprehet se e majta do të vijë në pushtet në 2013, edhe pa këtë aleancë, por aksioni politik i opozitës sipas tij duhet të jetë më i ashpër. “Po të kemi parasysh përvojat e opozitave në Shqipëri është më e kualifikuar veprimi politik. Nuk mund të themi sa efikas, pasi ne shqiptarët gjykojmë që veprimi politik i kundërshtarit matet me humbjet dhe gurët që hidhen se sa me mendimin dhe qëndrimet, me përmbajtje të fortë, por pa demonstrime të karakterit të dhunës. Duhet të ketë në sirtaret e saj problem që duhet t’i nxjerrë në evidencë dhe për të përfituar politikisht”, tha Brokaj. Duke iu referuar dy momenteve të rëndësishme të sezonit të ri politik, integrimi dhe zgjedhjet parlamentare të 2013, Brokaj shprehet se PS është në rrugën e duhur. Qëndrimi i opozitës për projektligjin për Gjykatën e lartë është gjithashtu një moment specifik për të.

Panariti: Të forcojmë marrëdhëniet me ndërkombëtarët

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, ka theksuar forcimin e marrëdhënieve me OSBE, KiE dhe OKB. Ai nënvizoi se forcimi i marrëdhënieve do të ndikojë në konsolidimin e çështjeve politike. “Si President i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës shpreh bindjen se sfida jonë sot mbetet konsolidimi i koalicioneve të aktorëve që mendojnë në të njëjtën mënyrë, si dhe krijimi i lidhjeve më të ngushta me partnerët tanë ndërkombëtarë, duke pasur parasysh numrin e çështjeve politike, ekonomike dhe humanitare para të cilave ndodhemi. Ja përse pjesë e prioriteteve të kryesisë shqiptare është dhe forcimi i dialogut ndërinstitucional me partnerët tanë ndërkombëtarë si OSBE, OKB, BE-së etj”, u shpreh Panariti. Ministri theksoi rëndësinë e realizimit të një Komiteti Sigurie Euro-Atlantike, bazuar në vlerat universale të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Volante dhe Kuadrini përshëndesin aleancën PDK-PD

Zyra e shtypit të Partisë Demokristiane ka njoftuar se rikthimin e Nard Ndokës në koalicion me Partinë Demokratike e ka përshëndetur kreu i grupit parlamentar të PPE, Luka Volante dhe kreu i UDC së Lombardisë, Xhanmarko Kuadrini. Në mesazhin e tij drejtuar kryetarit te PDK Nard Ndoka, Volante shprehet i lumtur për emërimin e kryetarit Ndoka si zëvendësministër i Brendshëm. Ai shkruan se, inteligjenca bujare dhe largpamësia politike e këtij emërimi të bërë nga kryeministri Berisha, demonstron vullnetin e institucioneve shqiptare për të forcuar pavarësinë e tyre dhe për të shfrytëzuar çdo energji pozitive për të mirën e vendit. Ndërsa Xhanmarko Kuadrini, shprehe bindjen se PD dhe PDK mund të ndërtojnë një aleancë konstruktive në funksion të zgjedhjeve të rëndësishme me të cilat përballet vendi vitin e ardhshëm. Eneida Jaçaj

Sot

Cili është atdheu im?

Shkruan: Vaxhid Sejdiu
Në klasë heshtje. Filloi ora e gjuhës shqipe. Mësim i ri. “Trojet shqiptare në Ballkan”. Mësuesi filloi të shpjegoj mësimin. Ai mundohej jo vetëm nëpërmjet tekstit por edhe hartave të na e bej të qartë se ku shtriheshin trojet shqiptare në Ballkan. Por një POR e madhe shpërthente në zemrat tona, pse gjithë ata kufij në mes trojeve shqiptare? – Pse ajo kasaphanë në mes kufijve tanë?

– Më dukej se lufta e Kosovës dhe masakrat e vitit 1998-99 apo 2000 dhe 2001, ishin në çdo pëllëmbë të tokës shqiptare. Dua ta pyes mësuesin por nuk di nga t’ia filloj sepse kam shumë pyetje, kam shumë shqetësime dhe shumë paqartësi. A thua ç’mendojnë shoqet dhe shokët e mi të klasës? – A thua mendojnë edhe ata si unë.
– Nuk është me rëndësi, unë nuk mund të duroj pa e pyetur mësuesin tim, dhe ngrita dorën!
– Mësues unë diçka nuk e kam të qartë!
– Urdhëro Valbonë, pyet mësuesit, më thuaj se çka nuk e ke të qartë?
– Unë nuk i kam të qartë, pse të gjithë këta kufij i ndajnë tokat shqiptare? – dhe përveç kësaj më thuaj mësues, cili është atdheu im? – Unë kam lindur në Preshevë, dhe dua ta dijë se cili është atdheu im?
Mësuesi fshau thellë dhe dukej se nga thellësia e shpirtit të tij po nxjerr diçka të rëndë. Nuk ishim mësuar ta shohim në atë gjendje, sepse ai si zakonisht përgjigjet i kishte në maje të gjuhës.
Por edhe kësaj radhe na befasoi, nga një pozitë e mrrolur, buzëqeshi dhe tha.
-Atdheu yt, Valbonë është Shqipëria.
Por, unë mësues ia priti Iliri. Jam i lindur në Shkup, nënën e kam nga Gjilani, kurse babanë nga malësia e Shkupit. Cili është atdheu im?
– Edhe për ty nuk ka përgjigje tjetër, atdheu yt është Shqipëria.
– Hë thashë me mendjen time shpërtheu lumi i pyetjeve që i kisha unë në mendjen time të trazuar. A thua të gjithë po menduakan si unë!
Nga fundi i klasës e shqetësuar dhe me një zë që dridhej pyet Vlora, po unë mësues jam e lindur në Ulqin, cili është atdheu im?
– Shqipëria!
Në anën tjetër, aty afër dritares së fundit të klasës me një zë të fortë pyet Betimi – po mësues unë jam i lindur në Kumanovë, kam banuar me prindërit disa vite në Prishtinë dhe tani jetoj në Zvicër – cili është atdheu im?
Kësaj radhe mësuesi e vuri edhe më shumë buzën në gazë dhe me gjithë zemër tha: Shqipëria!
Por në anën tjetër më dukej se mësuesi ka hyrë në një fushëbetejë me nxënësit, ata pyesim dhe ai përgjigjet, ai i shikon dhimbshëm, pas pyetjes më duket se shqetësohet, merr frymë dhe e shqipton me një tingëllimë të pastër fjalën SHQIPËRIA!
Por pyetjet vazhdojnë: Abetarja nga Struga, Kastrioti nga Elbasani, Gëzimi nga Prishtina, Merita nga Bujanoci, Arta nga Gucia, Genti nga Gjakova, Shqiponja nga Kaçaniku, Erjoni nga Durrësi …. pothuajse nuk mbeti nxënës pa pyet, secili në mënyrën e vetë e fillonte, por të gjithë e përfundonin me pyetjen – Cili është atdheu im?
Mësuesi u ndal në një skaj të bankës mori thellë frymë dhe tha:
-Të dashur nxënës atdheu i juaj është Shqipëria dhe në të njëjtën kohë jehoi zëri i nxënësve si në kor – SHQIPËRIA!

Walenstadt, Zvicër, Gusht, 2012

As çarmatim, as arrestime

I quajnë grupe kriminale e ekstremiste dhe pranojnë se kanë armë. Por, autoritetet e sigurisë nuk kanë arrestuar ende ata, që po vendosin barrikada në rrugët, edhe pse vetë bllokimi i rrugëve quhet i paligjshëm si nga KFOR-i, ashtu dhe nga EULEX-i.Zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, konfirmon praninë e ‘rojeve të armatosura’ nëpër barrikada.

“Ne kemi njohuri se ka grupe te armatosura, persona të armatosur, nuk është risi një gjë e tillë për ne, këtë informacion e posedon edhe KFOR-i, prandaj çdo veprim që do ndërmerret duhet të planifikohet mirë, duke marrë parasysh se personat e grupeve të ndryshme ekstremiste, kriminele posedojnë armë me vete”, i tha Radios Evropa e Lirë, Besim Hoti.

Javë më parë, EULEX-i ndërmori një aksion për arrestimin e disa personave të dyshuar se qëndrojnë pas vrasjes së policit Enver Zymberaj dhe djegies së pikës kufitare në Jarinë. Pati vetëm konfiskim armësh dhe provash tjera materiale, por jo arrestime.

Ndryshe, vetë qytetarët serbë, që qëndrojnë në barrikada kanë pranuar ditë më parë se nuk janë vetëm banorët lokalë ata që po detyrohen të qëndrojnë në rrugë.

“Natën janë të obliguar të qëndrojnë mbrojtja civile dhe policia”, pat thënë Dejan Paviçeviq, duke mos sqaruar se për cilën polici bëhet fjalë.

Por, raporte të ndryshme vendore e ndërkombëtare flasin për prani aktive të pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Ndryshe, në vend se t’i heqin serbët vetëm sa po përforcojnë barrikadat në veri, të cilat i kanë vendosur për të kundërshtuar praninë e policëve dhe doganierëve kosovarë në pikat kufitarë 1 dhe 31, që gjenden në veri të vendit. Hoti thotë se një natë më parë në urën kryesore serbët kanë hedhur kamionë të tjerë më zhavorr.

“Gjatë orës së mbrëmjes diku rreth orës 20 barrikada në urën kryesore të lumit Ibër, është përforcuar me katër kamionë me zhavorr”, tha Hoti.

Forcimi i barrikadës në urën që ndan qytetin në dy pjesë, ka ardhur si reagim pas afisheve që KFOR-i ka hedhur dje nga ajri në pjesën veriore, në të cilat ka bërë të ditur se barrikadat janë të paligjshme dhe se ky mision ka për obligim të sigurojë lirinë e lëvizjes për të gjithë.

Pas këtij veprimi serbët e veriut po ashtu kanë shpërndarë afishe nëpër rrugët e veriut të Kosovës, në të cilat është shkruar se sipas “Rezolutës 1244 Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë” dhe se nuk “nuk ka dogana e as kufij të Kosovës”.

EULEX-i ndërkaq thotë se barrikadat duhet të hiqen sa më parë, por nuk bën të ditur ndonjë plan për largimin e tyre.

“Barrikadat duhet të largohen, sepse kjo është në interes të secilit, veçanërisht të komunitetit lokal”, tha zëdhënësi i EULEX-it, Nikolas Hatën. (rel)