Kategoritë: Ballkan

Die Welt:”Garë e re armatimi në Ballkan”

gazeta gjermane“Në Evropën Juglindore blihen armë si kurrë më parë. Tensionet midis etnive të armiqësuara po rriten”, shkruan Die Welt. “Në të gjitha Rusia ndërhyn me çdo mjet, duke e shtuar potencialin e konfliktit para dyerve të BE.”

Garë e re e armatimit në Ballkan. Nën këtë titull, e përditshmja gjermane “Die Welt” boton sot një shkrim të korrespondentit të saj në Budapest, Boris Kalnoky.

Për shkak të sanksioneve të vendosura kundër Rusisë pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, Rumania nuk lejoi të kalojnë nëpër territorin e saj “një dhuratë e popullit rus për popullin serb”: “dhjetë tanke me rrota të përdorur, por të modernizuar të tipit BRDM-2, pjesë e një dhurate të pazakontë për Serbinë: 30 tanke luftarakë të modernizuar të tipit T-72 dhe 30 automjete të blinduara. Rusët i dërguan pastaj tanket në Serbi me avionë, “duke kaluar mbi hapësirën ajrore të Hungarisë, kryeministri i së cilës…përpiqet gjithmonë për marrëdhënie të mira me Presidentin rus…”

Me mbështetjen te Rusia, “Serbia mbështetet në këtë mënyrë te një vend, që tregoi në Ukrainë vullnetin për ta zgjeruar zonën e vet të ndikimit me dhunë armësh”, shkruan autori. Serbia zhvilloi nën diktatorin Slobodan Milosheviç luftëra kundër Kroacisë dhe Kosovës, si dhe mbështeti serbët e atjeshëm në luftën e Bosnjës. “Në këtë sfond tingëllon veçanërisht kërcënuese, që qeveria serbe ka bërë të ditur se në rast nevoje do ta sulmojë Kosovën, nëse ky vend krijon ushtrinë e tij”.

Më tej artikullshkruesi tërheq vëmendjen që shtetet e Evropës Qendrore e Lindore kanë programe armatimi afatgjata, “nga 2014 ose 2017 deri në 2026 ose 2030″. Polonia investon më shumë për armatimin, me shpenzime armatimi që në vitin “2018 kapën madje shumën dymbëdhjetë miliardë dollarë”. “Rumania i dyfishoi në vitin 2017 shpenzimet ushtarake nga dy në katër miliardë dollarë”.

Në rajon, “në një kohë kur NATO…mbështetet para së gjithash te Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, Rusia është përqendruar te Serbia dhe te…Republika Srpska”. “SHBA kanë në Kosovë një nga bazat e tyre më të mëdha ushtarake, Camp Bondsteel. Rusia do të ndërtojë një bazë ushtarake në pjesën serbe të Bosnjës.”

Veç tankeve, Rusia i dhuroi në shkurt Serbisë “edhe gjashtë avionë luftarakë MIG-29, Bjellorusia dhuroi tetë avionë të tjerë.” Kur të ketë marrë fund modernizimi i avionëve “Serbia ka…në këtë mënyrë aviacionin luftarak më të fuqishëm të rajonit”.

Në artikull shkruhet më tej se për blerje armatimesh, në rajon, kryeson Serbia, e cila shpenzoi në vitin “2017…731 milionë dollarë”. Në vend të dytë, pasoi “Shqipëria me 168 milionë dollarë”. Kosova parashikon të shpenzojë vitin e ardhshëm 98 milionë dollarë për ushtrinë, që ka planifikuar.

Së fundi, artikullshkruesi ndalet në dimensionin politik, që shoqëron armatimin. “Shqipëria dhe Kosova kanë vendosur një bashkim doganor dhe po ecin në konvergim ekonomik”. Veç kësaj, “vazhdon të ekzistojë mendimi i Presidentit serb Vuçiç dhe i Presidentit kosovar Hashim Thaçi, për ta zgjidhur konfliktin e Kosovës me anë të shkëmbimit të territoreve…Kjo mund të çonte në një efekt domino – si p.sh. në një ndarje të Bosnjës dhe bashkimin me shtetet mëmë të pjesëve serbe dhe kroate. Ose madje edhe me një ndarje të Maqedonisë, ku jetojnë shumë shqiptarë.”

aud (Die Welt)

Gjykata vendos: Holanda 10 për qind fajtore për masakrën e Srebrenicës

SrebrenicaForcat holandeze në Potoçari të Srebrenicës, 12 korrik 1995
 Një gjykatë e lartë holandeze ka mbështetur një vendim se Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për 350 vdekje në masakrën e Srebrenicës në Bosnje e Hercegovinë, në korrik të vitit 1995.

Gjykata tha se shteti kishte përgjegjësinë 10 për qind, pasi kjo ishte shkalla e mundësisë, që ushtarët holandezë, mund të kishin parandaluar vrasjet.

“Nëse forcat holandeze u dhanë mundësi këtyre burrave të qëndrojnë aty, ka pasur vetëm 10 për qind mundësi që ata të mos bien në duart e forcave serbe, dhe për këtë arsye shteti holandez duhet të jetë përgjegjës vetëm për atë pjesë të dëmit”, vendosi Gjykata.

Një gjykatë e apelit kishte caktuar përgjegjësinë më herët në 30 për qind, por vendimi i Gjykatës Supreme ka ulur në mënyrë drastike këtë shifër.

Forcat serbe të Bosnjës vranë rreth 8.000 burra myslimanë në qytetin e Srebrenicës më 1995.

Holandezët po ruanin një zonë të sigurisë të OKB-së, kur ndodhi ngjarja.

Është e rrallë për një shtet që të mbahet përgjegjës për dështimet në punën paqeruajtëse të OKB-së.

Në vitin 2002, një raport për rolin e Holandës në Srebrenicë bëri që e gjithë qeveria holandeze të japë dorëheqjen.

rel

Mohimi dhe glorifikimi i krimeve të luftës pengojnë pajtimin

ProsecutorKëshilli i Sigurimit informohet një herë në gjashtë muaj nga Mekanizmi i mbetur nga Gjykatat Ndërkombëtare, IMRCT. Kësaj herë vend të rëndësishëm zuri dënimi i mohimit dhe glorifikimit të krimeve në ish Jugosllavi.

Këshilli i Sigurimit kërkoi të mërkurën (17.07) përmbylljen e proceseve të dënimit të krimeve të luftës të kryera në Ruandë dhe ish-Jugosllavi, në një debat të hapur zhvilluar në ditën që përkoi me Ditën e Drejtësisë Ndërkombëtare. Gjykata Ndërkombëtare për ish- Jugosllavinë është mbyllur në dhjetor 2017 dhe ajo për Ruandën në dhjetor 2015, por me punën e mbetur përgjysmë është duke u marrë IRMCT, Mekanizmi Ndërkombëtar i mbetur nga Gjykatat Ndërkombëtare.

Ky mekanizëm është krijuar me një vendim të Këshillit të Sigurimit në vitin 2010, për të bërë me personel më të kufizuar dhe kohë më të shkurtër vazhdimin e gjykimeve. Fillimisht mandati i IRMCT ishte katër vjeçar, por ai u zgjerua dhe aktualisht është shtyrë deri në fund të 2020. IRMCT ka zyra në Hagë dhe në Arusha, Tanzani. Sipas rregullit, presidenti i IRMCT dhe Prokurori informojnë Këshillin e Sigurimit një herë në gjashtë muaj me një raport progresi. Në përgjithjësi debati nuk tregoi ndonjë ndryshim të tendencave politike kundrejt Gjykatës Ndërkombëtare. Rusia vazhdon të mbajë qëndrim kritik ndaj IRMCT, ashtu siç ka mbajtur qëndrim kritik ndaj Gjykatës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Debati u hap nga presidenti i IRMCT, gjykatësi Carmel Agius i cili tha: “Drejtësia ndërkombëtare është problem i të gjithëve, sepse ajo i shërben paqes dhe paqja duhet ruajtur përditë”.  Agius e ka marrë këtë detyrë në janar të këtij viti.

Prokurori i IRMCT, Serge Brammertz, përmendi lënien në fuqi të dënimit për Radovan Karaxhiqin nga marsi i këtij viti dhe kthimin në denim të përjetshëm, si një shembull shumë të mirë që tregon se kur komuniteti ndërkombëtar është i vendosur drejtësia vihet në vend. Rasti i Ratko Mlladiqit mbetet për tu mbyllur në fund të 2020. Progres është shënuar në rigjykimet e Jovica Stanishiqit dhe Franko Simatoviqit.

Dihet vendi i të dyshuarve

Brammertz tha se zyra e tij ka informacione për vendndodhjen e disa prej personave të kërkuar nga Gjykata për krime të kryera në Ruandë dhe i kërkoi vendeve anëtare të bashkëpunojnë. Prokurori foli edhe për faktorët që pengojnë punën e zyrës, si përshembull mungesën e bashkëpunimit nga disa vende. Sa i përket përndjekjes penale në nivel kombëtar, duhet bërë më shumë për të vendosur drejtësi për viktimat. Autoritetet në Ruandë janë duke kërkuar 500 persona që i janë larguar drejtësisë. Për ish Jugosllavinë ka mijëra raste ku pritet të zhvillohen proceset. Homologët e IRMCT në vendet e ndryshme kanë nevojë për më shumë mbështetje, asistencë dhe këshilla për të vënë në jetë strategjitë kombëtare kundër krimeve të luftës, tha ai, duke vënë theksin në ndihmën që mund të japë bashkëpunimi rajonal.

IRMCT i ka kushtuar më pak vëmendje funksioneve të tjera, përfshirë mbrojtjen e viktimave dhe të dëshmitarëve, monitorimin e rasteve bazuar në juridiksionin kombëtar, dhe ruajtjen e arkivit të IRMCT, si për Ruandën dhe për Jugosllavinë, tha Prokurori Brammertz.

Mohimi i krimeve dhe glorifikimi i krimeve të luftës, vazhdojnë të mbeten problem, tha Brammertz. Në ish-Jugosllavi situata është përkeqësuar, një ministër e ka quajtur genocidin e Srebrenicës të pa vërtetë dhe një deputet parlamenti uron Mlladiqin për krimet e bëra, duke i quajtur ato aksione ushtarake madhështore. “Konseguenca është e qartë: mohimi dhe glorifikimi janë duke e destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe duke penguar pajtimin,” tha ai, duke i bërë thirrje udhëheqësve politike dhe komunitetit ndërkombëtarë që të flasin për këtë çështje.

Rusia dhe Serbia kundërshtojnë

Përfaqësuesi i Federatës Ruse, e përshkroi mekanizmin si „në gjendje të përhershme mosrespektimi” të Rezolutës 1966, duke iu kthyer ngjarjeve të 20 viteve më parë, kur NATO kreu ndërhyrje ushtarake kundër ish-Jugosllavisë, duke vënë në shënjestër shtëpi, ura dhe shkolla. Në vend që të hetoheshin këto krime, u krijua miti se vetëm Beogradi ishte përgjegjës për luftën në Ballkan, duke ndëshkuar serbët dhe mbuluar të tjerët, tha ai. Kjo rrugë u vazhdua edhe nga Mekanizmi IRMCT, duke shoqëruar dënimet me fushata agresive të mediave, tha përfaqësuesi rus, duke iu referuar rasteve të Karaxhiqit dhe Mlladiqit. Ai tregoi shqetësim për gjendjen shëndetësore të Mlladiqit. Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se Rusia nuk do të paguajë në fondin për IRMCT dhe kërkoi para se të largohej që në Prokurori Brammertz të shtojë kur flet për Kosovën, edhe referencën sipas Rezolutës 1244.

Ministrja serbe e Drejtësisë, e ftuar në debatin e hapur, tha se disa vlerësime të raportit të fundit të prokurorit janë të pabaza, duke përfshirë edhe vlerësimin se “bashkëpunimi rajonal në fushën e drejtësisë për çështjet e krimeve të luftës është i pakënaqshëm”. Përkundrazi, tha ajo, krahasuar me periudhën e mëparshme, bashkëpunimi është më i zgjeruar. Mekanizmi perceptohet si një mjet për ushtrimin e presionit politik. As Prokurori, as Mekanizmi nuk kanë një mandat të tillë. Serbia ka bashkëpunuar duke ofruar akses në dëshmitë, dokumenta, arkivat dhe dëshmitarët. Bashkëpunimi me Bosnjën ka qenë në nivel të lartë tha ajo, duke premtuar që edhe me Kroacinë të përmirësohet.

Ministrja përmendi paragrafin 83 të raportit, në të cilin thuhet se “ekziston shqetësim i madh që aktualisht asnjë zyrtar i nivelit të mesëm nuk është dënuar… për pastrimin etnik të 800 mijë civilëve nga Kosova në mars dhe prill 1999″. Këto pretendime janë të gabuara, tha ministrja. “Këto histori janë krijuar nga mullinjtë e propagandës për të justifikuar bombardimin 78 ditësh të vendit tim 20 vjet më parë,” tha ministrja, duke shtuar se brutalizimi u bë pa asnjë arsye dhe pa asnjë vendim të marrë nga Këshilli i Sigurimit.

“Kurrkush nuk është gjykuar ose dënuar për një vepër të tillë, ndërkohë që zyrtarë të lartë serbë janë dënuar nga Tribunali për shkeljet e kryera në territorin e Kosovës dhe Metohisë, në mbrojtje të vendit të tyre”, tha ajo. Lidhur me nismën e vendit të saj, që kërkon që të dënuarit ta kryejnë dënimin në Serbi, ministrja tha se riintegrimi i të dënuarve pas lirimit, do jetë më i vështirë nëse ata qëndrojnë jashtë atdheut. Ajo i rikërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të rishikojë praktikat ekzistuese për këtë çështje.

Karaxhiqi ka bërë krime edhe në vende të tjera

Përfaqësuesja e Kroacisë shprehu keqardhjen që Dhoma e Apelit nuk përfshiu edhe përgjegjësitë e Karaxhiqit për krimet e kryera në vende të tjera përveç Bosnjë-Hercegovinës. Ajo tha se në procesin e apelit, përfshirja e tij në veprimtarinë kriminale në Bosnjë- Hercegovinë, duhet të ishte pare e lidhur me udhëheqjen politike dhe ushtarake të Jugosllavisë nën regjimin e Millosheviqit. Përfaqësuesja e Kroacisë inkurajon Mekanizmin të japë maksimumin në rastin e apelimit të Mlladiqit dhe në proceset e gjykimit kundër Stanishiqit dhe Simatoviqit.

Lidhur me moskryerjen e proceseve gjyqësore të Petar Jojiqit dhe Vjerica Radetas, ajo tha se Serbia duhet të bashkëpunojë me IRMCT dhe të zbatojë plotësisht vendimet e saj. Duke theksuar se bashkëpunimi i plotë me Mekanizmin është një nga kriteret për vendet e Ballkanit Perëndimor që të pranohen në Bashkimin Europian. Ajo tha se Kroacia nuk është aspak e kënaqur me mungesën e progresit nga ana e komisionit bilateral krijuar me Serbinë për çështjet e krimeve të luftës. Beogradi nuk tregon gatishmëri të hapë arkivat për të ndihmuar në kërkimin e personave që nuk janë gjetur që nga koha e luftës, tha ajo.

Përfaqësuesi i Bosnjë-Hercegovinës theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm midis prokurorit dhe autoriteteve të Bosnjë -Hercegovinës, Kroacisë dhe Serbisë. “Më shumë drejtësi do të thotë më shumë besim dhe më shumë stabilitet në Bosnjë-Hercegovinë dhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor,” tha ai.

Gjermania iu bashkua vendeve që kërkojnë të gjenden tetë ruandezët e dënuar për krime lufte dhe i bëri thirrje vendeve ku mendohet të jenë fshehur ata, që t’i arrestojnë dhe t’ia dorëzojnë drejtësisë. SHBA ofroi 5 milionë dollarë për dhënien e informacioneve që çojnë në arrestimin e tyre. Të dyja vendet vlerësuan Afrikën e Jugut, e cila më në fund ka pranuar të bashkëpunojë me IRMCT.

Rreziqet nga toleranca

Përfaqësuesi i Gjermanisë paralajmëroi për rreziqet e rritjes së tolerancës ndaj këndvështrimeve nacionaliste, sidomos në Bosnjë- Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi. Gjermania ka pranuar të marrë katër të dënuar nga burgu i OKB në Hagë dhe inkurajon edhe vendet e tjera anëtare që të pranojnë transferimin e të dënuarve në sistemet e tyre penale.

Përfaqësuesja e SHBA shprehu mbështetje për përpjekjet e presidentit të IRMCT që të merret me dhunën seksuale. Duke vlerësuar zhvillimin e procesit kundër Karaxhiçit, ajo tha se genocidi i Srebrenicës ka qenë vrasja më e madhe masive e kryer në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, dhe shprehu shqetësim që të dënuarit vazhdojnë të glorifikohen. Kush mohon të vërtetën mohon njerëzillëkun ndaj vendeve fqinjë, tha ajo. Barra për t’i kërkuar llogari njerëzve që janë përgjegjës për këtë nuk duhet tu bjerë viktimave, por shtetit.

dw

Pas Shqipërisë misioni i Frontex-it do të zgjerohet në Ballkan

frontexQeveria gjermane vlerëson pozitivisht misionin e ri të Frontex-it në kufirin shqiptaro-grek.

Ky mision ka nisur para dy muajsh. Operacioni i Agjencisë europiane të Mbrojtjes së Kufirit kontribuon duke “mbështetur autoritetet shqiptare në punën e tyre për mbrojtjen e kufirit dhe për masat e kthimit si dhe aplikimin e standardeve të BE-së në këtë drejtim”, thuhet në një përgjigje të qeverisë gjermane ndaj kërkesës së parashtruar nga grupi palramentar i partisë “E Majta”, njofton agjencia e lajmeve dpa. Aktualisht në kufirin shqiptaro-grek janë venosur 66 trupa kufitare nga 12 vende anëtare të BE-së, ndër ta njëmbëdhjetë punonjës të policisë gjermane.
Forcat e Frontex-it ndihmojnë rojet shqiptarë për të kontrolluar “vijën e gjelbër të kufirit” dhe të parandalojnë kriminalitetin ndërkufitar.  Ata janë pozicionuar në pesë pikëkalime kufitare. Ky është misioni i parë në një shtet jo anëtar të BE-së, ku pjesëtarët e Frontex-it marrin edhe kompetenca sovraniteti.

Sfondi i misionit të Frontex-it ka të bëjë me rritjen e numrit të refugjatëve dhe migrantëve më 2018, që kalojnë nga Greqia në Shqipëri. Që andej ata përpiqen të vazhdojnë rrugën kryesisht përmes Malit të Zi, ose Kosovës për në Itali, Austri e Gjermani. Në gjysmën e parë të këtij viti, sipas të dhënave të IOM në Shqipëri janë regjistruar 1210 migrantë të rinj. Vitin e kaluar kanë hyrë 3399 vetë në këtë vend. Krahasuar me vitin 2017 me 752 migrantë në Shqipëri numri i tyre është rritur ndjeshëm.

Misioni i Frontex-it do të zgjerohet edhe në vende të tjera të Ballkanit. Ndërkohë, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme gjermane janë “në fazën finale të negociimit” marrëveshje përkatëse me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bonsje-Hercegovinën.

voa

Ulen tarifat e romingut midis vendeve të Ballkanit Perëndimor

romingKa filluar zbatimi i Marrëveshjes së romingut për vendet e Ballkanit Perëndimor, që mundëson thirrje telefonike më të lira midis operatorëve të këtyre vendeve.

Lajmin e ka bërë të ditur, ministri i Zhvillimit Ekonomik, në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka.

Ai tha se në bazë të Marrëveshjes, çmimet do të jenë 90 për qind më të lira në tërë Ballkanin Perëndimor.

Nga sot, tarifat janë zbritur por brenda 2 viteve, do të eliminohen tërësisht (korrik 2021)”, ka shkruar Lluka në Facebook.

Marrëveshja, nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ishte nënshkruar në Beograd më 4 prill.

Tarifa e romingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e një shteti përdorin në një shtet tjetër. Këto tarifa, zakonisht janë dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikimin brenda një shteti.

rel

Replika mes Malit të Zi dhe Serbisë për shkak të Kishës Ortodokse Serbe

PodgoricaAmbasadori i Serbisë në Podgoricë, Zoran Bingulac, u ftua të enjten në një takim urgjent në ministrinë e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, për shkak të asaj që është cilësuar si gjuhë ofenduese e zyrtarëve serbë lidhur me projektligjin për liritë fetare në vendin e vogël buzë Adriatikut.

Projektligji parasheh hartimin e një regjistri të të gjitha objekteve fetare dhe zonave që dikur ishin pronë e Mbretërisë së Pavarur të Malit të Zi, para se të bëhej pjesë e Mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, (që më vonë u shndërrua në Jugosllavi) që dominohej nga serbët në vitin 1918. Mbreti i atëhershëm Aleksandër Karaxhorxheviç, më 1919 e zhbëri kishën malazeze dhe krejt pasuria e saj i kaloi Kishës Ortodokse Serbe.

Sipas projektligjit, bashkësitë fetare duhet të ofrojnë dëshmi mbi të drejtat pronësore.

Kisha Ortodokse Serbe akuzon qeverinë e Malit të Zi se po planifikon konfiskimin e pronave të saj. Megjithëse qeveria e mohon një gjë të tillë, reagimet ndaj projektligjit ishin të ashpra nga shefi i Kishës serbe por edhe zyrtarët e Serbisë.

Ambasadori serb u thirr pas komenteve të ministrit serb të Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik, Nenad Popoviç, i cili tha se miratimi i një projektligjit të tillë, është një akt armiqësor ndaj popullit serb dhe shtetit të Serbisë.

“Mali i Zi është një shtet i vjetër serb, i krijuar nga (dinastia) Nemanjiqët dhe Shën Sava. Presidenti Milo Gjukanoviç dhe regjimi i tij kriminal po ia marrin Serbisë atë që është më e ndritshme – historinë, emrin dhe mbiemrin e saj”- tha ministri serb Popoviç.

Sekretari shtetëror i Malit të Zi, Zoran Jankoviç, shfaqi shpresën se Beogradi zyrtar do të distancohet nga deklaratat e tilla.

“Kualifikimet e rënda në llogari të presidentit Milo Gjukanoviç janë të papranueshme dhe nuk janë në përputhje me marrëdhëniet e mira fqinjësore si dhe nuk kontribuojnë në bashkëpunimin e përgjithshëm të të dy vendeve”- tha Jankoviç.

Marrëdhëniet e Kishës Ortodokse Serbe me qeverinë pro-perëndimore të Malit të Zi, vazhdimisht ishin të përkeqësuara. Derisa Kisha e akuzon qeverinë se synon shkëputjen e vendit nga trashëgimia serbe, qeveria vlerëson se Kisha serbe është armiqësore ndaj pavarësisë së Malit të Zi.

Para pak ditësh, presidenti malazez, Milo Gjukanoviç, akuzoi Kishën Ortodokse Serbe (KOS) se po përpiqet ta ruajë infrastrukturën e Serbisë së madhe në Mal të Zi, ndërsa ka theksuar se do ta ripërtërijë Kishën Ortodokse të Malit të Zi.

Për shumë politikanë dhe analistë malazez, definimi përfundimtar dhe rrumbullakimi i shtetësisë dhe qenies kombëtare, është kisha autoqefale malazeze dhe se pavarësia e saj, thonë ata, do t’u jepte fund veprimtarive shkatërruese të Kishës Ortodokse Serbe.

Qeveria e Malit të Zi ua ka ndaluar qëndrimin në këtë vend 30 priftërinjve të Kishës Ortodokse Serbe.

Palmer: Rusia po bllokon Ballkanin Perëndimor

PalmerDiplomati amerikan, Matthew Palmer pohon se Rusia është duke bllokuar shumë procese në Ballkanin Perëndimor. Gjatë qëndrimit në Sarajevë ai foli edhe për çështjen e Kosovës.

Zëvendësi i ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën, Matthew Palmer ka deklaruar se SHBA angazhohet për një raport shumë të ngushtë partneriteti mes NATO-s dhe Bosnjë-Hercegovinës. Gjatë qëndrimit në Sarajevë ai tha se SHBA-ja e mbështetë B-H në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike.

„Programi kombëtar vjetor (të cilin do të duhej të hartonte B-H) do të mundësonte forcimin e raporteve të B-H me NATO-n. Por këtë punë duhet ta bëjnë autoritetet e B-H e jo SHBA“, tha Palmer, duke shtuar, se vendi i tij e mbështet vendosjen e raporteve më të ngushta të mundshme mes NATO-s dhe B-H“.

Palmer tha, se këtu bëhet fjalë për një çështje teknike dhe jo vendimin e anëtarësimit në NATO. “Kjo mundëson bashkëpunimin e NATO-s dhe B-H për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe sigurisë. Shpresoj se liderët e Bosnjes do të jenë në gjendje të arrijnë marrëveshje dhe të hartojnë programin e tyre të parë vjetor kombëtar“, tha diplomati amerikan. Liderët e Bosnjes duhet të arrijnë marrëveshje edhe për krijimin dhe forcimin e autoriteteve federale. „Në të gjitha këto procese SHBA do të jetë partner dhe mik i popujve të B-H”, tha Palmer.

Qëllimet e ndryshme të Moskës dhe Uashingtonit në Ballkan

Diplomati amerikan tha se SHBA dhe Rusia kanë qëllime të ndryshme në Ballkanin Perëndimor dhe në Bosnje-Hercegovinë. „Themeli i politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor është mbështetja e integrimeve euroatlantike. Kjo do të thotë anëtarësim në BE dhe në NATO për të gjitha vendet e Ballkanit, që duan të anëtarësohen. Rusët kanë qëllime të tjera në Ballkan. Ata duan të shohin rajonin e ndarë me një nivel të lartë të tensioneve. Rusët në vitin 2016 kanë sponsorizuar përpjekjet për puç në Mal të Zi. Kanë punuar kundër Marrëveshjes së Prespës dhe kanë bllokuar rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Nuk ka dëshmi për të besuar se Rusia do të donte diçka tjetër në B-H”, tha Palmer.

Diplomati amerikan theksoi se vazhdojnë të mbeten në fuqi sanksionet kundër krerëve të serbëve në këtë vend Milorad Dodik dhe Nikola Shpiriq, sepse SHBA nuk ka parë kurrfarë ndryshimi në politikën e tyre. „Dodiku dhe Shpiriqi janë nën sanksione, e ato janë rezultat  i vendimeve dhe qëndrimeve të tyre publike. Nëse duan heqjen e sanksioneve, ata e dinë se çfarë duhet të bëjnë”, tha Palmer duke shtuar se “SHBA mbetet një partner i fuqishëm në zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, ndërsa B-H është një partner i fuqishëm në luftën kundër terrorizmit”.

Ahatoviq: „Dodiku dhe të tjerët janë satelitë rusë në Ballkan“

Gjatë vizitës së Matthew Palmer në Banjalukë është mbajtur kongresi i partisë serbe SNSD, në të cilin Milorad Dodik është rizgjedhur kryetar i partisë. Dodik tha se Matthew Palmer është i mirëseardhur edhe në Banjalukë.

„Shpresoj se e ka kuptuar se ky është një qytet normal, me njerëz dhe institucione normale dhe se këtu nuk ka faktorë që përpiqen të dëmtojnë proceset“, tha Dodik. „E kuptoj pse boshnjakët dhe kroatët duan të futen në NATO, sepse në këtë aleancë janë edhe Kroacia dhe Turqia. Por edhe ata duhet të kuptojnë pse ne nuk duam të futemi në NATO”. Dodiku dhe Shpiriqi nuk do të hiqen nga lista e sanksioneve amerikane, përderisa vazhdojnë të punojnë kundër interesave amerikane, thotë analisti Nexhad Ahatoviq.

„Interesat amerikane në këtë rast janë të ngjashme me ato të B-H, e ato janë proceset euroatlantike. Ndaj Palmer ka fajësuar drejtpërdrejt Rusinë për frenimin e proceseve në Ballkan. Destabilizimi i B-H dhe rajonit përmes Dodikut dhe satelitëve tjerë rusë, i përgjigjet edhe interesave të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin i cili në këtë mënyrë do të kundërshtojë interesat amerikane në këtë rajon, e nuk e do shtrirjen e NATO-s në këtë rajon. Konfliktet në Ballkan mund të destabilizojnë edhe BE-në dhe do të lehtësonin futjen e Rusisë në këtë rajon. Shikuar nga zhvillimet e deritanishme, Serbia është protagonisti kryesor i zbatimit të këtyre ideve”, thotë Ahatoviq për Deutsche Wellen.

Palmer për Kosovën.

Diplomati amerikan për Evropën Matthew Palmer tha se përpjekjet për zgjidhjen e statusit të Kosovës nuk mund të ndërlidhen me Bosnje-Hercegovinën. „Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë do të përmirësonte gjendjen e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e kjo do të hapte edhe rrugën e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE, që do të ishte shumë mirë edhe për B-H“, tha Palmer.

dw

Pikat e nxehta të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor

harta e trafikut te drogaveHarta e trafikut të drogave (marrë nga raporti i Global Initiative Against Transnational Crime)

Një raport i ri arrin në përfundimin se trafiqet ilegale që rrjedhin përmes porteve, qyteteve dhe pikave kufitare të Ballkanit Perëndimor mundësohen nga një ekonomi politike e krimit, e cila është e rrënjosur në vendet e rajonit.

Raporti i publikuar nga Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore, pasqyron pikat e nxehta të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.

Raporti thotë se në rajon marrëdhëniet e ndërthurura mes politikës, biznesit dhe elitave kriminale e kanë shndërruar aktivitetin në një sipërmarrje të përbashkët mes strukturave shtetërore dhe grupeve kriminale. Një tjetër tipar i përbashkët i rajonit të Ballkanit Perëndimor është se shumë pak raste të krimit të organizuar dërgohen në gjykata dhe edhe kur kjo ndodh, në shumë pak raste jepen dënime.

E ashtuquajtura vijë ballkanike përshkon disa vende të Ballkanit dhe mundëson trafikun e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Shqipëria dhe Kosova radhiten ndër pikat e tranzitit të heroinës, ndërsa përsa i përket kokainës, Shqipëria së bashku me Malin e Zi janë shndërruar në pika të rëndësishme hyrëse drejt Evropës të kësaj droge të ardhur nga vende të Amerikës Latine.

Shqipëria

Ballkani vazhdon të radhitet si furnizuesi kryesor i kanabisit për Bashkimin Evropian dhe Shqipëria përmended si vendi kryesor i prodhimit, megjithë një rënie të konsiderueshme të kultivimit që nga gjysma e vitit 2017, si dhe një rritje domethënëse të konfiskimit. Rajoni vazhdon të shërbejë si një territor i përshtatshëm për kontrabandën e armëve, kontrabandën e cigareve, trafikun e qenieve njerëzve dhe tashmë vihet re edhe rritja e pranisë së drogave sintetike.

Ndër pikat kufitare dhe portet hyrëse nëpërmjet të cilave zhvillohen aktivitete të shumëllojshme kriminale radhiten Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Saranda, ndërkohë që zonat përreth Kurbinit dhe Lezhës përshkruhen si zona të nxehta të krimit të organizuar. Aktiviteti kryesor i grupeve të përqëndruara në kryeqytetin Tiranë është në funksion të aktiviteteve në vende të tjera, si në Hollandë, Belgjikë, Spanjë, Zvicër, Gjermani, Itali, Kosovë dhe Mbretëri e Bashkuar, ndërkohë që lidhjet kriminale shtrihen në Turqi dhe Amerikën Latine. Zona të tjera të nxehta janë Elbasani dhe Fieri.

Kosova

Raporti e përshkruan Kosovën si pjesë e “trekëndëshit të krizës”, zona ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë Jugore, të cilat për shkak të zhvillimit të ulët ekonomik, paqëndrueshmërisë, kufijve porozë dhe qeverisjes së dobët, janë të ekspozuara ndaj krimit të organizuar. Veriu i Kosovës përmendet në veçanti si një zonë gri dhe e përshkuar nga aktivitete të paligjshme.

Nga përfundimet e raportit

Raporti arrin në përfundimin se ka shenja që popujt e Ballkanit janë të tejngopur me ndikimin e krimit të organizuar në komunitetet dhe vendet e tyre. Protestat më të fundit në disa prej vendeve të rajonit dëshmojnë për irritimin në rritje me elitat dhe korrupsionin e tyre.

Megjithatë, raporti thotë se ekonomia politike e kriminalitetit është tashmë e rrënjosur thellë. Rrjetet kriminale janë zhvilluar prej dekadash dhe ekzistojnë faktorë të jashtëm të interesuar në mbajtjen dhe shfrytëzimin e status quo-së për mundësi përfitimesh të paligjshme. Raporti thotë se do të jetë e vështirë të ndryshohet sistemi, nëse nuk krijohen institucione më efikase dhe një sistem kontrolli dhe balancimi të pushtetit për të përmirësuar llogaridhënien, transparencën dhe integritetin.

Observatori është pjesë e Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar. Ai financohet nga Fondi për Konfliktet, Stabilitetin dhe Sigurinë i Mbretërisë së Bashkuar dhe lidh aktorët e shoqërisë civile në Ballkan.

(Teksti i plotë i raportit: https://globalinitiative.net/wp-content/uploads/2019/05/Hotspots-Report-English-16May1245-Web.pdf )

voa

Ekspertët amerikanë me qasje të re për Ballkanin: Situata atje si “eshtrat e thyer, të vendosur me ngut dhe shëruar gabimisht”

trump merkelEuropa dhe Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të rregullojnë Ballkanin Perëndimor dhe nuk ka funksionuar. Nevojitet një qasje e re.

Ky mund të jetë konkluzioni i nxjerrë nga një shkrim i tre autorëve, njëri prej të cilëve është edhe ish-përfaqësuesi i presidentit të SHBA-së në negociatat për statusin e Kosovës, diplomati amerikan dhe ambasadori, Frank Wisner.

Përveç tij, autor i shkrimit është edhe Cameron Munter, drejtor ekzekutiv dhe president i Institutit EastWest në Nju Jork. Një diplomat amerikan me karrierë për tre dekada, ai shërbeu edhe si ambasador i SHBA-së në Serbi (2007-2009).

Gjithashtu, bashkautor është edhe Marko Prelec, një specialist për Evropën Jugore dhe Lindore dhe një ekspert për shtetet e ish-Jugosllavisë.

Siç thuhet në shkrimin e tyre, përcjell Telegrafi, siç e tregoi Samiti i fundit i Berlinit, udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë e kuptojnë se ata duhet të përqendrohen në zgjidhjet reale të problemeve të Ballkanit Perëndimor.

“Vizioni i ‘Europës së tërë, të lirë dhe në paqe’ ka një cep të papërfunduar që tani e quajmë Ballkanin Perëndimor, i njohur më parë si Jugosllavia, para se ai vend të shpërbëhej nga luftë, spastrimi etnik dhe gjenocidi”.

“Vendet atje – Bosnja, Kosova, Serbia, Maqedonia Veriore dhe Mali i Zi – janë të qetë tani, por është një qetësi mashtruese”.

“Rajoni është në telashe, të cilat lehtë mund të përhapen në pjesën tjetër të Evropës dhe ndikojnë në interesat dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara”, thuhet ndër tjerash në shkrimin e publikuar nga nationalinterest.org..

Problemet më të vështira, konsiderojnë autorët, janë marrëdhënia midis Serbisë dhe ish-krahinës, tani një republikë e pavarur, Kosovës; dhe konfliktet brenda Bosnje-Hercegovinës mbi identitetin dhe mbijetesën e atij shteti.

Këto probleme, thuhet tutje, “janë si eshtra të thyer që janë vendosur me ngut dhe shëruar gabimisht: ato ndikojnë në gjithçka dhe do të vazhdojnë të shkaktojnë telashe. Në krye të këtyre çështjeve, i gjithë rajoni vuan nga korrupsioni endemik, kapaciteti i ulët i shtetit dhe qeverisja nga patronazhi dhe klientelizmi dhe jo nga ligji”.

Gjithashtu, konsiderojnë Wisner, Munter dhe Prelec, ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor është rritur në vitet e fundit.

“Ndërsa aftësia e saj për të luajtur një rol vendimtar në rajon është i kufizuar, Rusia mund të jetë e padobishme dhe shkatërruese”.

Dhe çfarë duhet të bëhet?

Sipas autorëve, ndonëse Europa dhe Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të rregullojnë Ballkanin Perëndimor, kjo nuk ka funksionuar. Andaj, vlerësojnë ata, nevojitet një qasje e re, e cila pranon seriozitetin e problemit dhe pranon se do të duhet një kohë e gjatë dhe burime të rëndësishme për ta zgjidhur atë.

“Përpjekjet e kaluara kanë qenë të gabuara në dy mënyra: duke injoruar problemet reale dhe duke u përpjekur të zgjidhen shumë shpejt. Për shumë vite, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara i inkurajuan liderët lokalë që ta zhvendosnin vëmendjen nga problemet më të vështira, të cilat i bënë ato në konflikt të ashpër me njëri-tjetrin, në punën teknike dhe apolitike të integrimit me Bashkimin Evropian dhe NATO. Shpresa ishte se në këtë mënyrë ndryshe, konfliktet e padurueshme do të zbuteshin dhe do të bëheshin të tretshme. Tani është e qartë se kjo qasje nuk do të funksionojë”.

“Çdo përpjekje për të krijuar një ‘Big Bang’, qoftë në rifreskimin e kushtetutës së Bosnjës apo në tejkalimin e zbrazëtirave midis Beogradit dhe Prishtinës, ka dështuar. Çdo zgjidhje e pranueshme do të përfshijë kompromise të dhimbshme”.

“Këto probleme nuk mund të zgjidhen brenda natës. Ata kërkojnë vëmendje të vazhdueshme dhe të duruar gjatë shumë viteve, nga shumë njerëz, të udhëhequr nga aktorë lokalë me mbështetje nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara”.

“Kërkimi për zgjidhje duhet të vazhdojë, por në heshtje, mundësisht larg nga shkëlqimi i publicitetit dhe pa shpresa jorealiste për fitore të shpejta. Aktorët e jashtëm mund të ndihmojnë me ndjekjen e diplomacisë 2, jashtë syrit publik dhe jashtë faqeve të para (të mediave). Kuptohet, përparimi mund të marrë një kohë të gjatë…”, shkruhet tutje në shkrimin e tyre.

Ata gjithashtu kërkojnë që, ndërsa bëhet kërkimi i përgjigjeve për pyetjet e mëdha të Ballkanit dhe përparimi drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, Evropa duhet të ndihmojë rajonin të mbështesë veten së bashku dhe të rindërtojnë lidhjet ndërmjet tyre.

“Është një ironi e trishtuar që është më e vështirë sot të udhëtosh nga një pjesë e asaj që dikur ishte Jugosllavia, në një tjetër, sesa të shkosh nga Varshava në Paris. Lëvizja e lirë e njerëzve, ideve, parave, mallrave, shërbimeve brenda Ballkanit dhe midis rajonit dhe Evropës do të kërkojë shumë për të ndërtuar besimin dhe për të krijuar një kërkesë për qeverisje të mirë”.

Integrimi në arkitekturën politike, ekonomike dhe të sigurisë perëndimore, vlerësojnë autorët, është ende një qëllim i denjë, madje thelbësor, por është shumë vite larg.

Megjithatë, konsiderojnë ata, integrimi nuk do të zgjidhë në vetvete problemet politike të rajonit.

“NATO dhe BE mund të pranojnë vetëm shtetet e rregulluara mirë dhe në paqe në vete dhe me fqinjët e tyre. Dy konfliktet e mbetura ballkanike e ndalojnë pikërisht këtë: ato e bëjnë të pamundur formimin e shteteve të qëndrueshme dhe të rregullta. Askush nuk dëshiron një partner për të cilin sundimi i ligjit është një shaka dhe fqinjët e të cilëve janë armiq”.

Ata përmendin edhe një zgjidhje të kohëve të fundit, atë të refuzimit të Greqisë për të pranuar emrin e Maqedonisë, të cilat e zgjidhën këtë çështje me një emër të ri kompromisi.

“Kjo ishte më e lehtë nga problemet e mëdha të Ballkanit. Megjithatë, iu deshën gati tridhjetë vjet, me një kosto të tmerrshme. Maqedonia veriore humbi rreth pesëmbëdhjetë vjet progres në drejtim të anëtarësimit në NATO dhe BE, pasi cilësia e qeverisjes së saj shkoi nga më të mirat në më të keqen në rajon”.

Maqedonia Veriore tani është në rrugë të vështirë, por me shpresë, shkruajnë Wisner, Munter dhe Prelec.

“Nuk ka kohë për të humbur për Bosnjën, Kosovën dhe Serbinë dhe pjesën tjetër të rajonit. Momenti është i pjekur për udhëheqjen e Evropës, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, për t’u rifokusuar në Ballkanin Perëndimor dhe për t’i dhënë rajonit dhe çështjeve të tij vëmendjen që meriton”.

“Dhe kështu, nuk mjafton që ne të mbështetemi në mekanizmat ekzistues për të adresuar këto sfida në Ballkanin Perëndimor. Udhëheqësit evropianë kanë të drejtë të angazhohen dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të gatshme t’i mbështesin këto përpjekje”, përfundohet në shkrimin e Wisner, Munter dhe Prelec.

blic

Roth: Ka rënë interesi strategjik për Ballkanin Perëndimor

RothBE vërtet aktualisht është shumë e mbingarkuar, por nuk duhet ta harrojë Ballkanin Perëndimor, thotë Michael Roth, Sekretari i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane në bisedë me Deutsche Wellen.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme Michael Roth ishte pjesë e delegacionit që shoqëroi presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier, në vizitën e tij nga 4-5 Prill në Bullgari.

Deutsche Welle: Zoti ministër Roth gjatë vizitës në Bullgari, presidenti gjerman përmendi disa herë angazhimin e Bullgarisë për Ballkanin Perëndimor. A mendoni ju se afrimi i Ballkanit Perëndimor me BE ka humbur dinamikën e vet si temë? Kemi nevojë për një impuls të ri?

Michael Roth: Kam përshtypjen, si edhe më parë, se interesi strategjik i BE dhe shumë vendeve anëtare për Ballkanin Perëndimor ka rënë. Kjo është problematike dhe më shqetëson, sepse ne si BE mund të jetojmë të sigurtë dhe në stabilitet, vetëm nëse mund të bëjmë më shumë për stabilitetin dhe pajtimin rajonal në Ballkanin Perëndimor. Prandaj gëzohem aq më shumë, kur shoh, se ka partnerë në BE, që e kanë kuptuar rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor.

Çarë mund të bëhet sot në këtë drejtim?

Michael Roth: Rëndësi ka që të rrisim prezencën e BE-së, që të bëhet e qartë, se ne nuk i harrojmë njerëzit në Ballkanin Perëndimor, edhe sepse procesi i transformimit, rruga në BE është kaq e mundimshme, me kaq vështirësi për njerëzit atje. Këtë ne po e përjetojmë tani tek të rinjtë, që duan të largohen nga vendi e që vijnë në Gjermani, sepse nuk shohin më perspektivë në vendin e tyre. Përveç kësaj duhet të bëjmë të qartë, se për çfarë bëhet fjalë kur flasim për BE. BE nuk është në radhë të parë një treg i brendshëm, një projekt ekonomik, por para së gjithash një bashkësi vlerash. Demokracia, shteti ligjor, respekti ndaj pakicave kanë rëndësi parësore për ne. E për këtë nuk duhet të ketë rabat politik.

Gjatë presidencës së BE, Bullgaria e ktheu në temë qendrore afrimin e Ballkanit me BE. Mendoni se edhe Rumania, presidentja e radhës po angazhohet po kaq shumë Ballkanin?

Michael Roth: Ballkani Perëndimor duhet gëzojë prioritet për të gjitha presidencat e radhës. Një angazhim të madh e dëshiroj nga të gjithë, jo vetëm nga Gjermania, presidenca jonë e radhës është vitin e ardhshëm. Natyrisht tani jemi bllokuar nga tema të tjera. Si për shembull Brexit, që kushton shumë energji dhe kohë. Kemi edhe negociatat për kuadrin financiar buxhetor. Prandaj ka aq më shumë rëndësi që në këtë moment të mos e lëmë të humbasë si temë Ballkani Perëndimor.

Ju përmendët të rinjtë në rajon. Gjatë vizitës në Bullgari, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier u mor intensivisht me këtë temë, me shkollimin profesional dhe sistemin dual arsimor, dy instrumenta që mund t’u hapin perspektiva të rinjve të qëndrojnë në vend.

Micheal Roth: Fillimisht duhet të mbajmë parasysh që të mos e harrojmë Bullgarinë, se ky vend në muajt e fundit është larguar disi nga vëmendja. Ne kemi disa mesazhe: Demokracia, luftimi i korrupsionit, shteti ligjor janë ato që ne si europianë na mbajnë së bashku. Gjermania është e gatshme të bëjë më shumë në drejtim të arsimit dual profesional. E nëse kushtet plotësohen, edhe firmat gjermane janë të gatshme të investojnë në Bullgari dhe Ballkan për të krijuar vende pune. Por kjo nuk është vetëm një çështje e infrastrukturës, por edhe e shtetit ligjor. Kjo është bërë e qartë edhe në bisedimet në Bullgari.

Bisedën e zhvilloi Alexander Andreev drejtuesi i ekipit bullgar të redaksisë së Ballkanit Perëndimor në Deutsche Welle