Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Misteri i sindromës që po prek fëmijët pasi kalojnë koronavirusin

voaNjë sëmundje misterioze që po prek disa fëmijë, një pjesë prej të cilëve me pasoja vdekjeprurëse dhe që mendohet të jetë e lidhur me COVID-19, po shqetëson mjekët, studiuesit dhe zyrtarët. Sindroma e Inflamacionit të Shumëfishtë tek Fëmijët, në rastet më të rënda shkakton dobësimin e funksioneve të zemrës. Dr. Robert Pass, Shefi i Kardiologjisë Pediatrike në Spitalin Mount Sinai të Nju Jorkut ku është identifikuar numri më i lartë i fëmijëve me këtë sëmundje, i thotë Zërit të Amerikës, megjithëse rastet e fëmijëve të rrezikuar janë të pakta, sëmundja është shqetësuese, sepse ende nuk dihet shumë për të. Në një bisedë me kolegen Keida Kostreci ai shpjegoi shenjat e sëmundjes që ka shkaktuar vdekjen e tre fëmjëve në Nju Jork dhe pritshmëritë për të ardhmen.

Amber Dean e kishte marrë veten nga një rast i lehtë koronavirusi dhe familja e saj, sapo kishte mbaruar periudhën e karantinës, kur djali i saj i madh, Bobby 9 vjeçar, u sëmur.

“Në fillim dukej si një virus në stomak. Dhe po e trajtonim si të tillë. Por pastaj, filloi të kishte pak temperaturë dhe të vjella dhe nuk i mbante stomaku asgjë”, thotë Amber.

Vetëm pasi gjendja e Bobby-t, u keqësua në mënyrë alarmante, mjekët e kuptuan se ai ishte një prej fëmijëve – një numër i vogël por në rritje – me një sindromë misterioze që mendohet se është e lidhur me koronavirusin.

Doktor Robert Pass, shef i kardiologjisë pediatrike në spitalin Mount Sinai, i thotë Zërit të Amerikës se kjo sëmundje misterioze që po quhet Sindromë e Inflamacionit të Shumëfishtë tek Fëmijët, është shqetësuese sepse vetëm deri para disa javësh mendohej se fëmijët ishin grupi tek të cilët COVID-19, nuk shkaktonte pasoja.

“Për arsye që nuk janë të qarta, një numër i vogël fëmijësh, pas një infeksioni që dukej shumë i butë, pothuajse pa simptoma fillimisht, katër javë më pas po shfaqin një inflamacion shumë agresiv”, thotë Dr. Pass.

“Ata kanë kruarje, temperaturë, vështirësi në frymëmarrje dhe tension shumë të ulët”, thotë ai.

Dr. Pass thotë se shumica e fëmijëve e kalojnë sëmundjen pa pasoja.

“Duket se nëse i ndihmojmë këta fëmijë me ilaçe për tensionin, me lëngje, ata në përgjithësi e marrin veten. Ka pacientë të rrallë që kanë vdekur nga kjo sindromë, por shumica janë mirë”, thotë dr.Pass.

Por rastet në rritje dhe të panjohurat janë shqetësuese.

“Nuk e dimë me saktësi se ç’përqindje e fëmijëve e kanë këtë sëmundje, sepse ne nuk i kemi testuar të gjithë. Prandaj nuk e dimë se ç’përqindje e fëmijëve kanë COVID. Dhe duke qenë se nuk e kemi këtë shifër, nuk e themi dot me saktësi se ç’përqindje e fëmijëve me COVID do të preken nga kjo sindromë”.

Edhe dr. Anthony Fauci, eksperti më i lartë i Shteteve të Bashkuara për sëmundjet infektive, tha së fundmi në një seancë të Senatit, se nuk dihet gjithçka për këtë sëmundje.

“Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos jemi arrogantë dhe të mendojmë se fëmijët janë krejtësisht imunë ndaj efekteve të dëmshme. Vërtet numri ifëmijëve me pasoja është shumë më i ulët se sa i të rriturve dhe të moshuarve, sidomos atyre me sëmundje ekzistuese, por unë jam shumë i përmbajtur, sepse nuk dimë gjithçka dhe dua të jem i rezervuar në parashikime të gjera”, thotë ai.

Sindroma ka disa ngjashmëri me sëmundjen Kavasaki, që shkakton dëmtimin e enëve të gjakut dhe në rastet më të rënda ky dëmtim shkakton vdekjen, por dr.Pass thotë se tani është e qartë që nuk është ajo sëmundje. Megjithatë të dyja sëmundjet ndajnë disa karakteristika:

“Besoj se mund të bëhet fjalë për faktorë gjenetikë, që mund të shpjegojë se pse disa pacientë sëmuren rëndë kur ekspozohen ndaj kësaj sëmundjeje dhe kanë inflamacion të madh dhe dëmtime të trupit dhe pacientë të tjerë, preken vetëm minimalisht”, thotë Dr. Pass.

Numri më i madh i fëmijëve të prekur është në Nju Jork, me rreth 100 raste, por ka pasur raste edhe në shtete të tjera dhe të paktën 50 tek fëmijë në vende të ndryshme evropiane.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio tha se qyteti po ndërmerr një fushatë shërbimi publik për të informuar prindërit për sindromën e rrallë.

Dr. Pass thotë se parandalimi është tepër i rëndësishëm. Hapi tjetër kritik ështën bashkëpunimi mes mjekëve dhe ekspertëve për të mbledhur informacion.

“Po mbledhim të dhëna për mënyrën se si pacientët u përgjigjen terapive të ndryshme. Mendoj se do të dimë shumë më tepër në gjashtë muajt e ardhshëm me shtimin e njohurive për rastet dhe këmbimin e informacionit”, thotë Dr. Pass.

Duke pasur parasysh që sistemi spitalor Mount Sinai, është mëi madhi në Nju Jork dhe ka trajtuar rreth 6 mijë të sëmurë me koronavirus, dr. Pass thotë se e gjithë kjo përvojë e ka bërë t’i vlerësojë jashtë mase kolegët, për forcën dhe kurajon e tyre.

“Sepse jemi të gjithë njerëz. Dhe je në rrezik kur kujdesesh për një pacient me një problem kaq serioz”, thotë ai.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka thënë se së shpejti do të lëshojë një lajmërim, duke u kërkuar mjekëve që të njoftojnë për rastet e fëmijëve me simptoma të Sindromës së Inflamacionit të Dyfishtë.

Në Rochester të Nju Jorkut, Amber Dean, thotë se gjendja e Bobby-t po përmirësohet.

“Ne ishim me fat, por kam parë disa raste kur njerëzit nuk ishin kaq me fat. Pa dyshim që nuk është ende momenti i përshtatshëm për t’i lënë fëmijët jashtë në publik”, thotë ajo.

voa

FMN: Pasojat ekonomike të pandemisë pritet të jenë më të rënda

Emigrantët venezuelianë në Kolumbi, 12 maj 2020.Një zyrtar i lartë i Fondit Monetar Ndërkombëtar tha se perspektiva ekonomike botërore mund të jetë edhe më e keqe sesa parashikimi i zymtë i njoftuar nga organizata muajin e kaluar.

“Skenari ynë ka të ngjarë të bjerë pak”, tha Alejandro Werner, drejtori i FMN-së për Hemisferën Perëndimore (ku përfshihen të gjitha vendet e Amerikës Qëndrore dhe Jugore), në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Në prill FMN-ja parashikoi një tkurrje prej 3 për qind të ekonomisë globale këtë vit, bazuar në parashikimet të cilat prisnin një lehtësim të krizës shëndetësore të koronavirusit në gjysmën e dytë të vitit. Për Amerikën Jugore, ajo kishte parashikuar një tkurrje prej 5.2 për qind.

Por, ndërsa më shumë vende rihapen dhe pandemia tregon pak shenja të ngadalësimit, zoti Werner tha: “Ne po llogarisim në një skenar bazë që mund të jetë dyfishi i tkurrjes prej 3 për qind, dhe në Amerikën Latine mund të shohim një tkurrje që mund të jetë më afër 8 përqindshit.”

Zoti Werner tha se është “një iluzion” për qeveritë që të mendojnë se mund të shmangin masat e ashpra kufizuese, si në Nikaragua, ku qeveria ka vendosur kundër çdo lloj karantine dhe do të vazhdojë të gjitha aktivitetet ekonomike.

Zyrtari i FMN-së gjithashtu shprehu shqetësim për Venezuelën, e cila u përfshi në një krizë ekonomike që detyroi emigrimin masiv edhe para pandemisë.

“Rasti i Venezuelës nuk është një ‘dekadë e humbur’. Është një dekadë e një përmbysjeje gjigande. Ajo që ka ndodhur në Venezuelë është një katastrofë makroekonomike dhe sociale që nuk e kemi parë kurrë në rajon”, tha Werner.

Nëse do të ketë një valë të re emigrimi për shkak të pandemisë, tha ai, ajo mund të përkeqësojë gjendjen ekonomike të vendeve fqinje që i pranojnë venezuelianët.

“Por edhe në mungesë të pandemisë, fakti është se 25 për qind e popullsisë është larguar nga vendi dhe kjo paraqet një sfidë të madhe, veçanërisht në kontekstin e rritjes më të ngadaltë ekonomike dhe krijimit të më pak vendeve të punës,” shtoi ai.

Ekonomisti Werner theksoi se “nuk kanë ndryshuar kushtet” e FMN-së për miratimin e një kredie emergjente për qeverinë e debatueshme të presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.

Qeveria e zotit Maduro i ka kërkuar FMN-së 5 miliardë dollarë për ta ndihmuar atë në trajtimin e pandemisë së koronavirusit. Kërkesa u refuzua me arsyetimin se qeverisë së zotit Maduro i mungon njohja ndërkombëtare.

Deri më tani, FMN-ja ka dhënë më shumë se 3.4 miliardë dollarë kredi emergjente për 19 qeveri në Hemisferën Perëndimore, ku përfshihen të gjitha vendet e Amerikës Qëndrore dhe Jugore.

voa

Perspektiva tregtare e mineraleve në hënë

NASA Moon MissionMisionet e ardhëshme amerikane në hënë së shpejti mund të ndryshojnë fokusin nga hulmtimi tek tregtia. Ndërkohë, shkencëtarët evropianë kanë zbuluar vrimën e zezë që ndodhet në distancën më të afërt me sistemin tonë diellor.

Shtëpia e Bardhë po harton një plan ligjor të quajtur “Artemis Accords” lidhur me të drejtat ndërkombëtare për mineralet në hënë. Sateliti i Tokës është i pasur në metale si alumini, magnezi dhe titani.

NASA ka zgjedhur kompanitë SpaceX, Blue Origin dhe Dynetics për të ndarë fondet prej afro një miliard dollarë për ndërtimin e sistemeve për zbarkimin në hënë të astronautëve deri në vitin 2024.

Ndërkohë një ekip astronomësh evropianë zbuluan vrimën e zezë më të afërt me Tokën. 1 mijë vite dritë larg panetit tonë, vrima e zezë është mjaft e afërt sa që dy yje të ndikuar nga ajo mund të shihen nga syri i njeriut.

NASA dhe kompania SpaceX kanë në plan lëshimin me 27 maj të një mjeti ajror me astronautë nga Cape Canaveral drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, i pari që nga viti 2011. Jim Bridenstine është Administrator i NASA-s.

“Përparësia jonë numër një është siguria e të gjithëve. Po u kërkojmë njerëzve që të mos shkojnë pranë Qendrëns Hapsinore Kennedy. Vetë fakti që po e them këtë më trishton.”

NASA dhe SpaceX po u bëjnë thirrje njerëze që të ndjekin nga shtëpitë lëshimin e anijes hapësonore dhe të mos rrezikojnë përhapjen e virusit.

Këto tinguj përfaqësojnë rrotullimin e planeteve në sistemin tonë diellor të quajtur Trappist 1. Astronomi dhe pedagogu në Universitetin e Torontos Matt Russo spjegon.

“Ka shumë njerëz që nuk shohin të cilët janë të magjepsur pas astronomisë. Në disa raste kanë po aq njohuri sa edhe unë, por thjeshtë nuk kanë aftësitë për të parë. Pjesë e punës time ishte të gjeja një mënyrë për të ndihmuar ata të konceptojnë këtë gjë.”

Me kompaninë e tij System Sounds, Russo bëri një lidhje tingujsh muzikorë për imazhet bazuar në faktorë si shkëlqimi i një ylli apo pozicioni i një galaksie në foto.

“Kur di si të shikosh, e kupton se universi është plot ritme dhe harmoni. Thjeshtë duhet të jesh i zgjuar që të gjesh një mënyrë për ta dëgjuar atë. Ka modele dhe ritme që presin të dëgjohen.”

Kompozimi i një platforme për të sjellë unviersin më pranë njerëzve.

voa

Merkel akuzon ashpër Rusinë për sulmet kibernetike

MerkelPara deputetëve të Bundestagut, Merkeli foli për një mënyrë veprimi “monstruoze” të Rusisë. Ajo tha se dëshmitë janë të dhimbshme.

Kancelarja Angela Merkel ka bërë akuza serioze ndaj Rusisë në lidhje me sulmin e piraterisë kibernetike në Bundestag në vitin 2015. Ajo paralajmëroi se kjo do të ketë pasoja.

Në lidhje me rezultatet e hetimit të Prokurorit të Përgjithshëm Federal, ajo foli të mërkurën në Bundestag për “prova të forta” për përfshirjen ruse dhe foli për një mënyrë veprimi “monstruoze”. “Unë i marr shumë seriozisht këto gjëra, sepse besoj se hulumtimet janë bërë në mënyrën më të mirë”, tha Merkeli.

“Unë mund ta them sinqerisht: kjo më lëndon”. Kancelarja tha se çdo ditë përpiqet për një raport më të mirë me Rusinë. Por pastaj i duhet të përjetojë se ka dëshmi për një mënyrë të tillë veprimi.

Në interpelancën në Bundestag Merkeli tha se edhe të dhëna nga zyra e saj e deputetes në Bundestag janë kapur me sa duket relativisht sipas qejfit.

Para deputetëve në Bundestag, Merkel foli për një strategji të “luftës hibride” nga Rusia, e cila gjithashtu përfshin “çorientimin” dhe “shtrembërimin e fakteve”.

“Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje kësaj dhe jo thjesht ta heqim mendjen”, tha kancelarja. “Nuk është thjesht  rastësi, por është pa dyshim një strategji që përdoret atje.” Kancelarja tha që ajo do të vazhdonte të përpiqej për një marrëdhënie të mirë me Rusinë. Por një “bashkëpunim në mirëbesim” në këtë mëynyrë cënohet.

E pyetur për pasojat e mundshme kundër Rusisë, Merkeli tha. “Sigurisht, ne gjithmonë i rezervojmë vetes të drejtën të marrim masa, përfshirë masa kundër Rusisë.”

Sipas raportimeve të disa mediave më 5 maj, hetuesit në Karlsruhe e fajësuan zbulimin ushtarak rus GRU për sulmin kibernetik në shkallë të gjerë në Bundestag në vitin 2015. Prokuroria Federale shpalli javën e kaluar një urdhër arresti ndërkombëtar kundër një pirati të ri rus të internetit, të quajtur Dimitri Badin, pas viteve të hetimeve të Zyrës Federale të Policisë Kriminale. Atë e akuzojnë për aktivitete të shërbimit sekret dhe spiunim të të dhënave. Ai kërkohet edhe nga FBI-ja e SHBA. Burri mendohet se ndodhet në Rusi.

faz/dlf

Virusi Corona – sulm frontal të gjithë trupit

mushkerite covid 19Sipas studiuesve, virusi agresiv SARS-CoV-2 sulmon jo vetëm mushkëritë, por edhe zemrën, nervat, trurin, enët e gjakut, veshkat dhe lëkurën.

COVID-19 prek në radhë të parë mushkëritë dhe traktin respirator dhe shoqërohet me vështirësi në frymëmarrje, kollë të thatë, marrje fryme dhe me pneumoni. Por tani mjekët kanë vënë re në raste të shumta që virusi i ri SARS-CoV-2 mund të prekë rëndë dhe organe të tjera si zemrën, enët e gjakut, nervat, trurin, veshkat dhe lëkurën.

Zemra

Një numër studimesh dhe artikujsh nga SHBA, Kina dhe Italia, kanë arritur në përfundimin që SARS-CoV-2 sulmon dhe zemrën. Fjala nuk është vetëm për pacientë që vuajnë nga sëmundje koronare apo nga tensioni i lartë, por për raste pacientësh që para se të infektoheshin me Coronën ishin të shëndoshë dhe tek të cilët janë konstatuar raste miokarditi, inflamacion i muskujve të zemrës.

Mushkëritë

Jo vetëm prej COVID-19 por edhe në raste të tjera infeksionesh të mushkërisë në të krijohen hije opake në mushkëri, të cilat mund të shkaktojnë fibroza. Për shkak të tyre dëmtohet funksioni i mushkërive dhe furnizimi i gjakut me oksigjen. Fibroza e mushkërive është e pashërueshme, por nëse konstatohet me kohë ajo mund të ngadalësohen.

Enët e gjakut

Gjatë autopsisë së pacientëve të vdekur me COVID-19, patologët e Spitalit Universitar të Cyrihut zbuluan se tek disa prej tyre ishte infektuar e gjithë shtresa qelizore e enëve të gjakut dhe e enëve limfatike (endoteli) të organeve të ndryshme.

Studiuesit arritën në përfundimin se virusi i ri SARS-CoV-2 çon në inflamacion të përgjithshëm të endotelit përmes receptorëve ACE2. Kjo mund të çojë në çrregullime të rënda të mikrocirkulimit që dëmtojnë zemrën dhe shkaktojnë emboli pulmonare dhe okluzione vaskulare në tru dhe traktin tretës. Si rezultat ndodh insuficensë e njëkohëshme e shumë organeve, e cila mund të çojë edhe në vdekje.

Truri

Që në pararendësit e e virusit Corona MERS dhe SARS është vënë re që këto viruse depërtojnë përmes nervave deri në tru. Në rastin e një pacienti të infektuar me virusin Corona në Japoni i cili pati krizë epileptike, u diagnostikua edhe meningjit i shkaktuar nga virusi Corona që kishte depërtuar në sistemin nervor qendror.

Studiues nga Japonia dhe Kina mendojnë se virusi mund të depërtojë tek disa pacientë në tru dhe të dëmtojë qendrën e frymëmarrjes. Kjo shpjegon pse disa pacientë të moshuar të infektuar me COVID-19 ndonjëherë ndalojnë frymëmarrjen pa pasur më parë probleme masive me frymëmarrjen për shkak të infeksionit të mushkërive. Ende është e paqartë nëse SARS-CoV-2 shkakton gjithashtu apo favorizon hemoragjitë cerebrale.

Veshkat

Tek pacientë me COVID-19 që vuajnë prej infeksioneve të mushkrive ka shpesh dëmtime të veshkave dhe raste të insuficences së veshkave. Shkak është një ilaç që u jepet pacientëve për shkak se u mbushen mushkëritë me ujë. Ky ilaç pakëson sasinë e lëngjeve në trup, por nga ana tjetër ndikon që veshkat të mos furnizohen sa duhet me ujë dhe të mos e plotësojnë më funksionin e tyre.

Tek rreth 30 përqind e këtyre pacientëve funksioni i veshkave kufizohet aq shumë sa që ata kanë nevojë për dializë. Deri tani ende nuk mund të thuhet nëse veshkat shërohen pas shërimit prej SARS-Cov-2 apo nëse ky virus shkakton dëme afatgjatë të veshkave.

Lëkura

Coronavirus SARS CoV-2 duket se lë shenja të dukshme edhe në lëkurë. Nga disa vende është raportuar se pacientët me Covid-19 kanë pasur edhe ndryshime në lëkurë. Lezione të vogla dermatologjike në këmbë janë vënë re veçanërisht tek fëmijët dhe adoleshentët. Këto njolla vjollcë janë të ngjashme me ato të fruthit apo të lisë së dhenve. Disa herë janë vënë re edhe skuqje në pjesë të ndryshme trupit.

Ndryshimet dhe njollat mavi të lëkurës mund të jenë shkaktuar prej një çrregullimi të koagulimit të gjakut, i cili gjithashtu mund të shkaktohet nga virusi Corona.

dw

Corona: Teoritë konspirative kapin qendrën e shoqërisë

Foto simbol IluminatiDisa politikanë gjermanë kanë shprehur shqetësimin, se teoritë konspirative mbi pandeminë e Coronës kanë mbërritur ndërkohë në mesin e shoqërisë gjermane. Ata kërkojnë kundërvënien ndaj informacioneve të rreme.

Disa politikanë gjermanë kanë paralajmëruar në fundjavë nga shtimi i teorive konspirative në kohët e Coronës. “Përfytyrimi, se pandemia është shkaktuar qëllimisht, për të kontrolluar popullin, dhe se pas kësaj fshihet Bill Gates apo fuqi të tjera të errëta, po arrin deri në mesin e shoqërisë”, i tha ministri i Punëve të Brendshme të landit të Tyringisë, Georg Maier (SPD) revistës gjermane “Der Spiegel”. “Në këtë pikë protesta kthehet shpejt në antisemitiste.”

Shqetësim përbëjnë për kreun e Konferencës së Ministrave të Punëve të Brendshme të Landeve” gjermane edhe demonstratat aktuale. “Kur njerëzit ushtrojnë kritikë, natyrisht që nuk ka asnjë problem”, tha Maier. “Ajo që na alarmon është përpjekja e ekstremistëve për të marrë peng protestat.” Politikani socialdemokrat kërkon ta vërë këtë temë në axhendën e takimit të ardhshëm të ministrave të Punëve të Brendshme.

Luftë informacioni në mbarë botën

Kurse senatori për çështjet e brendshme, Andreas Geisel, SPD tha për të ashtuquajturat demonstratat e higjienës. “E rrezikshmja aty është që këta persona arrijnë edhe njerëz që janë besnikë të kushtetutës.” Ata instrumentalizohen kështu për përhapjen e teorive konspirative.

Markus Kerber, sekretar shteti në Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme vëren „një luftë informacioni në mbarë botën” për shkak të pandemisë. Po ashtu vihet re edhe një rritje e dezinformimit e propagandës nga jashtë. Ndërkohë teoritë konspirative përhapen edhe brenda vendit. „Kundër kësaj ne duhet të veprojmë me fakte, transparecë dhe mbrojtjes e shkencës”, tha Kerber. Krizat afatgjata janë terren i mirë ushqyes për teoritë konspirative.

la/ag

Shkencëtarët: Testet për antitrupa nuk provojnë imunitet nga COVID-19

testetAdministrata federale e Shteteve të Bashkuara ka sinjalizuar probleme serioze me testet për antitrupa kundër koronavirusit. Sipas raporteve në treg aktualisht qarkullojnë mbi 150 teste dhe shumë prej tyre japin rezultate fallso. Administrata njoftoi rregullore më strikte këtë javë për kompanitë që prodhojnë këto teste. Siç njofton kolegia Ardita Dunellari, ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se testet e antitrupave nuk duhet të përdoren si garanci mbrojtëse nga koronavirusi.

Amerikanët duan të dinë nëse mund të rikthehen në aktivitetin normal pa rrezik nga koronavirusi. Testet për antitrupa ofronin premtimin se personat që rezultonin pozitivë, pra që e kishin kaluar sëmundjen ishin imunë ndaj virusit. Por ekspertët paralajmërojnë se shumë prej teksteve mund të jenë difektoze:

Disa nga testet, sipas raportimeve, rezultojnë të sakta vetëm në 30% të rasteve. Në çdo sistem vlerësimi këto quhen teste të dështuara,” thotë Dr. Gigi Kwik Gronvall.

Dr. Gigi Kwik Gronvall është autorja titullare e një studimi të ri mbi testet për antitrupa. Ajo thotë se rendja për të gjetur zgjidhje për krizën dhe heqja e disa rregulloreve nga autoritetet federale ka lënë shteg për elementët spekulantë në treg. Deri tani autoritetet federale u lejonin kompanive të bënin vetë kontrollin e efikasitetit të testeve që prodhonin:

Kur ke kërkesë aq të madhe, kur je në kushte tregu ku çdo gjë është e pranueshme, detyrimisht në treg do të futen edhe kompani të paskrupullta”.

Të hënën administrata amerikane vendosi rregulla të reja: tani kompanitë që prodhojnë teste të antitrupave duhet të kalojnë procesin e verifikimit nga Agjencia e Ilaçeve dhe Ushqimit. Disa ekspertë shqetësohen se kjo masë nuk është e mjaftueshme dhe se testet difektoze duhet të hiqen nga tregu plotësisht.

Zyrtarë të shëndetit publik kanë paralajmëruar prej kohësh për rrezikun që shoqërohet me teste që japin rezulate fallso:

Testet për antitrupa nuk duhet të përdoren për të diagnostikuar apo për të përcaktuar statusin e imunitetit ndaj COVID-19. Këto teste mund të japin rezultate pozitive fallso, apo negative fallso duke bërë që individi të ndryshojë sjellje duke hequr dorë nga distancimi fizik, duke mos përdorur maska apo doreza,” paralajmëronte në prill faqja e Departamentit të Shëndetit për Nju Jorkun.

Sipas specialistëve, nga vetë specifikat e analizave për antitrupa, këto teste nuk kanë një saktësi perfekte. Në bazë të standardit zyrtar, testet duhet të zbulojnë praninë e antitrupave në 90% të rasteve dhe të konfirmojnë se nuk ka antitrupa në 95% të rasteve. Megjithëse përqindja e rezultateve të pasakta është e vogël, rreziku për individin e testuar mbetet i madh:

Mundësia që individi të marrë pas analizave përgjigjen e gabuar se ka antitrupa do të vazhdojë të ekzistojë edhe me testet që përmbushin standardet, sepse testet nuk kanë garanci 100%. Pra individi do të mendojë se ka imunitet, kur në fakt nuk është imun”.

Ekspertët këshillojnë që individët të mos udhëhiqen nga testet e antitrupave si garanci për imunitet. Edhe kur rezultati konfirmon me saktësi prezencën e antitrupave, kjo nuk garanton që individi i testuar është imun ndaj sëmundjes, pasi shkenca nuk e ka studiuar ende efektin e antitrupave ndaj koronavirusit:

Këto teste nuk masin sasinë e antitrupave, nuk masin sa kohë zgjasin antitrupat, nuk masin çfarë aftësie kanë antitrupat për të luftuar virusin, por thjesht konfirmojnë praninë e antitrupave. Testet shërbejnë për shkencën që të dijë sa ka penetruar sëmundja në komunitet. Por askush nuk duhet të flerë mendjen se është imun thjesht se ka antitrupa”.

Imuniteti i vërtetë do të realizohet përmes vaksinës. Dr. Deborah Birx, koordinatore e grupit të Shtëpisë së Bardhë kundër koronavirusit, foli me optimizëm se deri në janar mund të jetë identifikuar “së paku në letër”, siç u shpreh ajo, një vaksinë kundër koronavirusit. Dr. Gronvall e quan këtë një parashikim tepër optimist:

Nuk parashikoj që do të kesh vaksinë te farmacia e lagjes në janar. Do të shpresoja që në janar vaksina të kalonte në procesin e prodhimit; në realitet mendoj se prodhimi do të jetë i mundur më vonë. Faktikisht çdo gjë në përgjigje të këtij virusi ka shkuar më shpejt se në pandemi të mëparshme,” thotë Dr. Gronvall, duke shtuar se ia lejon vetes të ushqejë një optimizëm të matur si rrjedhojë.

Për sa u përket analizave për të parë nëse personi është i infektuar në atë moment me koronavirus, këto teste janë tani shumë më të sakta, megjithë problemet e hasura në fillim të epidemisë. Por, Dr. Gronvall thekson se bizneset nuk duhet të ulin kontrollin dhe mbrojtjen kur të rihapin aktivitetin:

Masat e distancimit fizik, organizimi i punës me turne, vënia e maskave e strategji të tjera janë ato që lejojnë kthimin në punë pa rrezik. Nuk duhet t’i varim shpresat tek një test që të na zgjidhë të gjithë problemet”.

Kjo është një situatë mjaft komplekse e me shumë të panjohura dhe për fat të keq, thotë shkencëtarja, nuk ofron mundësi për zgjidhje të lehta.

voa

40 vjet pas zhdukjes së lijës, paralelet me pandeminë e COVID-it

Nju Jork, 1947 vaksina e lijës.Nju Jork, 1947: Njerëzit në radhë të bëjnë vaksinën e lijës.

Ndërkohë që bota shënon një arritje të madhe të shkencës dhe shëndetit publik me zhdukjen e lijës 40 vjet më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë njofton se metoda që u përdor për të zhdukur këtë sëmundje vdekjeprurëse mund të shërbejë sot për të luftuar koronavirusin.

Vetëm në shekullin XX, mbi 300 milionë vetë kanë vdekur nga lija deri kur u zhduk në 1975 në përpjekje të kryesuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Historianët pohojnë se suksesi i dedikohet unitetit dhe bashkëpunimit global, ku edhe SHBA dhe Rusia bashkëpunuan megjithëse ishte kulmi i Luftës së Ftohtë.

Rosamund Lewis, kreu i Sekretariatit të OBSH për Lijën, tha për Zërin e Amerikës se mund të gjenden plot paralele në metodat e asaj periudhe dhe luftës sot me COVID-19.

“Kjo u arrit me masa themelore të shëndetit publik, bazuar tek epidemiologjia, identifikimi i rasteve, indetifikimi i kontakteve, karantina, izolimi dhe trajtimi,” tha zonja Lewis. “Këto janë metodat dhe mënyrat bazë që sollën zhdukjen e sëmundjes. Për lijën u gjet vaksina dhe për COVID-19 ende nuk kemi vaksinë. Prandaj puna kërkimore-shkencore është shumë e rendësishme”.

Mostrat e virusit të lijës mbahen nën masa të rrepta kontrolli në dy qendra të OBSH-së, njëra në SHBA, tjetra në Rusi. Zonja Lewis thotë se ekzistenca e këtyre mostrave vazhdon të mbajë gjallë debatin nëse ato duhen ruajtur për qëllime kërkimore, ose nëse duhen shkatërruar për të shmangur rrezikun që virusi aksidentalisht të shpëtojë dhe të fillojë të infektojë popullatën.

Vende të ndryshme kanë rezerva vaksine me frikën se lija mund të rishfaqet, ndërkohë që për sëmundjen ekzistojnë kura të miratuara.

voa

A është Kina fajtore për virusin Corona?

covid 19Prej ditësh në media po qarkullojnë informacione të shërbimeve sekrete për mënyrën e përhapjes së virusit Corona. Sa është Kina fajtore për këtë virus?

Prej ditësh në media po qarkullojnë informacione të shërbimeve sekrete për mënyrën e përhapjes së virusit Corona. Sa është Kina fajtore për këtë virus?

Në një raport të aleancës së shërbimeve sekrete të pesë vendeve të mëdha anglishtfolëse (SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re, të quhtur si „Five Eyes“, flitet për një lakuriq, që është kontrolluar në një laborator në Wuhan. Raporti ka rënë në duart e gazetës ditore australiane “The Daily Telegraph”. Prej publikimit të këtij raporti janë shtuar dukshëm lajmet për mundësinë e “bërjes së virusit Corona nga njerëzit në laboratorin e Wuhanit”. Përveç kësaj, bota ka humbur kohë të vlefshme në luftën kundër virusit Corona, për shkak se mendohet që Kina ka fshehur informacione të rëndësishme. Fajësime të këtilla ka ngritur Presidenti amerikan Donald Trump, por edhe shtypi bulevardesk gjerman. Pra një skandal gjigand?

Tone të reja nga SHBA

Më e rëndësishmja është që virusi Corona nuk është prodhuar nga njeriu dhe nuk është përhapur qëllimisht dhe me plan. Për pohimet të tilla nuk ka kurfarë dëshmie në rapotin e shërbimeve sekrete. Drejtori i Shërbimeve Sekrete të SHBA-së, i cili ka nën vete 17 shërbime të ndryshme, ka lëshuar një komunikatë për shtyp ku thuhet se as shërbimet sekrete nuk kanë të dhëna të cilat dëshmojnë se Covid-19 është prodhuar nga njerëzit apo modifikimet gjenetike.

Por shërbimet sekrete po vazhdojnë me hulumtimet nëse virusi ka kaluar nga kafshët tek njeriu apo është paraqitur pas një incidenti në laboratorin në Wuhan.

Ambasadori Richard Grenell u shpreh së fundi me këto tone dhe nuk donte të komentonte pohimet sensasionaliste.

Nuk është projekt sekret

Vetëm disa ditë pas publikimit të kësaj kumtese zyrtare është publikuar edhe një raport në “Saturday Telegraph”. As në këtë raport, i cili u referohet burimeve sekrete australiane të shërbimit ASIS, nuk ka të dhëna se virusi Corona është bërë nga njeriu.

Aspekti më interesant deri tani janë informacionet për hulumtimet në zbardhjen e të dhënave për virusin Corona. Kjo sepse prej 15 vitesh, siç shkruan “Saturday Telegraph”, një ekip i virologëve kinez, i drejtuar nga Dr. Shi Zhengli, drejtor i Qendrës për Sëmundje Infektive në Institutin për Virologji në Wuhan, është duke studiuar virusin Corona tek lakuriqët. Virusë të tillë ka rreth 5.000 lloje, e Dr. Shi ka studiuar të paktën 50 prej tyre. Por ky nuk ka qenë në asnjë mënyrë ndonjë projekt sekret kinez. Ekipi ka bashkëpunuar për shembull edhe me “Commonwealth Scientific and Industrial Research Organisation CSIRO” në Australi. Dr Shi vet ka kaluar shumë vite si bashkëpunëtor i Peng Zhou në këtë institut. Një partner tjetër është edhe Universiteti North Carolina, në SHBA.

Qëllimi i studimeve ka qenë që të izolohen virusët e lakuriqëve dhe të hulumtohet mundësia e kalimit të tyre tek njeriu. Në nëntor të vitit 2015, Dr. Shi ka konstatuar në një studim në Universitetin North Carolina se virusët e ngjashëm me SARS, mund të kalojnë nga lakuriqët tek njeriu dhe se deri tani nuk ka ndonjë terapi kundër tyre. Me 2019 është botuar një studim tjetër ku thuhet se është shumë e mundur që virusët SARS apo MERS të kalojnë nga lakuriqët tek njeriu dhe se kjo do të mund të ndodhte në Kinë.

Përgënjeshtrimi i spekulimeve

Këtu është theksuar edhe rreziku i lartë i kalimit të virusëve tek studiuesit, nëse vie deri tek ndonjë fatkeqësi. Ndaj janë kërkuar masa më të larta sigurie në laboratori. Këtu janë paraqitur edhe raporte të diplomatëve amerikanë në Kinë, të cilët kanë pohuar në dhjetor të vitit 2019, se në Wuhan duhet të ngrihen masat e sigurisë, por këto pohime nuk janë konfirmuar deri tani.

Në raportin e shërbimit sekret australian thuhet se këto pohime nuk janë të vërteta. Ndaj qeveria autraliane ka pohuar se virusi ka ardhur, me një siguri prej 95 %, nga një treg në Wuhan. Por mbeten edhe 5% të mundësisë që virusi të ketë kaluar rastësisht gjatë studimeve tek njeriu. Pohimet australiane janë tërësisht në kundërshtim me ato të qeverisë amerikane dhe presidentit Trump.

Ministri i Jashtëm amerikan (ish-shefi i CIA) Mike Pompeo pohon se “ka shumë të dhëna se virusi ka ardhur nga laboratoria në Wuhan.”

Fshehja e të dhënave

Pjesa më brizante e raportit të shërbimit australian është fshehja dhe asgjësimi i të dhënave nga Kina, në dhjetor të vitit të kaluar, për këtë sëmundje. Shqetësues është edhe rasti i Huang Yan Ling, e cila ka bashkëpunuar në studimet e laboratorit Wuhan. Mendohet se ajo ka qenë paciantja e parë, pra „patient zero“, e virusit Corona. Pak kohë më pas, ajo është zhdukur, ndërsa biografia e saj online është zhdukur pa asnjë gjurmë.

Ndërsa në janar janë arrestuar shumë mejkë të Wuhanit, të cilët kanë forlur për këtë sëmundje, nën akuzat se “po përhapin spekulime”. Njëkohësisht, qeveria kineze ka fshirë nga interneti nocionet e kërkimit, si “SARS variation”, “Wuhan seafood market” dhe „Wuhan unknown pneumonia”. Të dhënë shumë të qarta pra se kemi të bëjmë me një cenzurë të regjimit komunist në Pekin, i cili pretendon të kontrollojë të gjitha të dhënat për pandeminë. Por kritika më e rëndë ndaj Kinës është ajo që ka të bëjë me pohimet se Kina e ka ditur që në dhjetor se virusi mund të kalojë nga njeriu tek njeriu, por për këtë e ka ifnormuar OBSH me 20 janar 2020.

Përgënjeshtrimet, arrestimet dhe cenzura janë reagime tipike të një regjimi diktatorial në krizat e paparashikueshme. Sëmundjet, katastrofat natyrore dhe fatkeqësitë janë gjithmonë të rrezikshme për monopolin e pushtetit në diktatura. Partia Komuniste nuk do të rrezikojë në rastet e tilla, siç dëshmon edhe rasti i Çernobilit në BRSS, në vitin 1986. Ngjarjet e atëhershme për BS sikur edhe ato të tanishmet për Kinën mund të kenë pasoja tepër të rënda.

Përgjegjësia

Shërbimet sekrete pohojnë se Kina nuk është fajtorja e vetme për përmasat e pandemisë. Rreziku nga virusët e këtillë është i njohur kaherë. Në Gjermani ka pasur edhe skenarë për mbrojtje nga pandemitë në vitin 2012, kur janë bërë analiza të ndryshme. Rezultati: mungojnë përgatitjet dhe kapacitetet për mbrojtje nga pandemitë e këtilla. Duket se Evropa, SHBA dhe vendet tjera nuk janë përgatitur me kohë për pandemi të këtilla. Pas përmasave tragjike të pandemisë në Itali u pa se masat duhet të ndryshojnë dhe duhet të jenë shumë më efikase. Ndaj nuk është e sigurt nëse suksesi do të ishte më i madh edhe sikur Kina të kishte njoftuar menjëherë në dhjetor për përmasat e rrezikut.

dw

Ambasadori i SHBA: Rusia të heqë dorë nga keqinterpretimi i historisë

James S. Gilmore IIIPërfaqësuesi i SHBA pranë OSBE-së në Vjenë i bëri thirrje Rusisë të heqë dorë nga keqinterpretimet e historisë që lidhen me Luftën e Dytë Botërore dhe tha se historia duhet regjistruar dhe kujtuar në tërësinë e saj.

Ambasadori James S. Gilmore III komentoi të enjten me rastin e 75-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

SHBA, tha ambasadori, kujtojnë pjesëmarrjen dhe humbjet e tyre në njerëz gjatë atij konflikti të madh, krahas aleatëve, duke përfshirë Rusinë e asaj kohe.

“Duke kujtuar historinë e plotë të Luftës së Dytë Botërore, – tha ambasadori Gilmore, – ne nuk mund të harrojmë se për shumë popuj në Evropën Qendrore dhe Lindore, fundi i shtypjes naziste u zëvendësua nga imponimi ose ri-imponimi, kundër vullnetit të tyre, i shtypjes komuniste. Për ta, bekimet e plota të lirisë, që Evropa Perëndimore i festoi në vitin 1945, erdhën vetëm në vitin 1989, 1990, ose më vonë.”

Ai tha se ndërsa ushtria dhe popullsia civile e Bashkimit Sovjetik bënë sakrifica të jashtëzakonshme për të mposhtur nazistët, nuk duhet harruar se Lufta e Dytë Botërore filloi në vitin 1939, kur Stalini dhe Hitleri arritën marrëveshjen që e ndau Evropën Lindore në zonat e kontrolluara nga sovjetikët dhe nazistët.

Për shumë vende të Evropës, tha ambasadori Gilmore, viti 1945 shënoi jo kthimin në liri, por fillimin e gati 50 viteve të shtypjes nga Bashkimi Sovjetik.

“Ne, tha ambasadori i SHBA, i bëjmë thirrje Rusisë të heqë dorë nga pretendimet e ekzagjeruara të bazuara mbi keqinterpretimin e qëllimshëm të historisë.”

Ai tha se SHBA qëndrojnë në solidaritet me partnerët evropianë kundër falsifikimit të historisë nga Rusia.

voa