Kategoritë: Histori

Shpërngulja e Shqiptarëve prej Kosovës në Turqi 1912-1915

shperngulja-masovikeSipas dokumenteve që gjenden në Arkivin e Sekretariatit Federativ të Punëve të Jashtme në Beograd, në Fondin PO (Politçko Odelenje) nga Konsulati gjeneral jepen këto të dhëna për shpërnguljen e shqiptarëve nëpër Selanik në Turqi. Sipas dokumentit numër 1246 të përpiluar më 12 prill 1914 jepen këto shifra:

Nëntor 1912 në Turqi shpërngulen 8866 shqiptarë,
Dhjetor 1912 në Turqi shpërngulen 11493 shqiptarë,
Gjatë Janarit 1913 shpërngulen 12087 shqiptarë,
Gjatë Shkurtit shpërngulen 1288 shqiptarë,
Gjatë Marsit shpërngulen 7553 shqiptarë,
Gjatë Prillit shpëngulen 6725 shqiptarë,
Gjatë Majit shpërngulen 12813 shqiptarë,
Gjatë Qershorit shpërngulen 9386 shqiptarë,
Gjatê Korrikut shpërngulen 21045 shqiptarë,
Gjatë Gushtit shpërngulen 29312 shqiptarë,
Gjatë Shtatorit shpërngulen 13380 shqitparë,
Gjatë Tetorit janë shpërngulur 14764 shqiptarë,
Gjatë Nëntorit shpërngulen 17313 shqiptarë,
Gjatë Dhjetorit shpërngulen 15502 shqiptarë,
Gjatë janarit të vitit 1914 në Turqi shpërngulen 10182 shqiptarë,
Gjatë Shkurtit në Turqi shpërngulen 25060 shqiptarë,
Gjatë Marsit në Turqi shpërngulen 12346 shqiptarë,
Sipas të dhënave të “Komitetit të Kosovës”, gjatë vitit 1914
në Prill për në Turqi janë shpërngulur: 6520 shqiptarë.
Gjatë majit për në Turqi janë shpërnguljur 15414 shqiptarë,
Gjatë Qershorit për në Turqi janë shpërngulur 14821 shqiptarë
Gjatë Korrikut për në Turqi janë shpërngulur 26237 shqiptarë.
Gjithsej, sipas dokumentit, vetem në Turqi, janë shpërngulur 239807 persona. Në këtë shifër theksohet se nuk hyjnë fëmijet që ishin nën moshën 6 vjeçare. Gjithashtu, në këto dokumente theksohet, se nëpër Kavallë kanë kaluar edhe 4 mijë familje myslimane, por edhe po aq përmes rrugës tokësore. Të gjithë këta persona thuhet se i kanë çuar në Turqi me 395 anije evropiane
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të brendshme të mbretërisë serbe (1912-1915) në Kosovë ishte planifikuar të kolonizohen 20 mijë serbë në zonën e okupuar nga serbët dhe 5 mijë malazezë në zonën e Kosovës të okupuar nga malazezët.
Të gjitha këto të dhëna i ka botuar Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, seksioni i Shkencave Historike (“Dokumenta o spolnjoj politici kraljevine serbije”, K.VII Sv.1 Beograd 1980.f.617-618).
(Arbëria Online)

Si u nda Shqipëria: Mehmet Konica, një ndër dëshmitarët e ndarjes së kufijve

mehmet-konicaMë 15 janar 1913, mbi tryezën e Eduard Greit, Kryetarit të Konferencës, qenë vendosur pesë projektet mbi kufijtë në Ballkan, dy projekte bazë, ai rus dhe ai Austro-Hungarez, dhe tre ndihmës.

Projekti Shqiptar, Serbo-malazez dhe projekti grek.

Konica i premtoi Greit një minierë floriri,Projekti Austro-Hungarez me Kosovë e Çamëri

Nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër deri tek vrasja e Gjeneral Telinit. Aventura për vendosjen e kufijve të Shqipërisë dhe humbja e gjysmës së territoreve. Historia e Konsullit Haven dhe e mbështetjes që SHBA vendosi t’i japë Qeverisë së Tiranës.

Eduard Grei, Ministri i Jashtëm i Mbreterisë Britanike dhe Kryetar i Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha për Ballkanin, kishte caktuar vetëm 15 minuta kohë për takimin me përfaqësuesin shqiptar në Londër, Mehmet Konicën. Mbi tryezën e tij qe shtrirë harta e madhe e Ballkanit dhe Ministri e dinte fare mirë se Shqipëria e dobët ishte e humbura e madhe.

Kishte pak vullnet për të diskutuar me një shqiptar edhe pse, ndërmjetës të takimit ishin disa miq të përbashkët, aristokratë të vjetër, që kishin ruajtur gjithmonë lidhje me Orientin e largët.

Me fytyrë nga dritarja, Grei nuk denjoi të kthehej, kur Ambasadori shqiptar hyri në sallë. I kërkoi atij vetëm të fliste, duke ndenjur gjithmonë me shpinë dhe duke ndjekur lëvizjet në rrugë. Një njohës i vjetër i Londrës dhe mik i disa prej Lordëve më të fuqishëm në vend, Konica nuk përmendi asgjë për kufijtë. Me një zë të shtruar i tregoi Ministrit që qëndronte me kurriz se në Shqipëri ishte zbuluar një miniere e pasur floriri dhe se Qeveria shqiptare e Ismail Qemalit kërkonte që Mbreteria Britanike të merrte koncesionin e saj. Grei u kthye dhe me mjaft delikatesë e ftoi të uleshin së bashku në tavolinë. Një minutë më vonë, me po aq elegancë, Mehmet Konica, i shpjegoi se kjo nuk ishte aspak e vërtetë, porse ai kishte dashur të shihte, se si do të ndryshonin interesat e Britanisë në një rast të tillë. Askush nuk e ka përshkruar më tej bisedën e tyre, por një gjë është e qartë. Grei i ka pranuar Konicës se Shqipëria do të dilte më e humbura në këtë histori, sepse kjo ishte një çështje interesash. Interesa nga ato që përcaktonin politikën afatgjatë të Fuqive të Mëdha dhe balancat midis tyre. Në fakt, ata biseduan gjatë dhe Mehmet Konica, vëllai i Faik Konicës, nuk foli më kurrë për këtë bisede. Ai e përmendi vetëm vite më vonë, më 1949, në Firence, ndërsa kishte filluar t’i diktonte kujtimet e tij një gazetari italian. Vdekja ja la kujtimet përgjysëm dhe libri nuk u publikua kurrë. Familja e tij mori një kopje për kujtim dhe dorëshkrimi ndodhet sot në Siri, ku gjenden edhe trashëgimtarët e tij.

Mehmet Konica ishte, padyshim, një ndër të paktët dëshmitarë të tragjedisë shqiptare të kufijve. Ai e ndoqi atë nëpër disa etapa. Që nga viti 1913, deri më 1923, kur më së fundi, një delegacion ndërkombëtar, i kryesuar nga një gjeneral italian, vendosi në Shqipërinë e Jugut gurët që shënonin kufijtë  shqiptaro-grekë. Gjenerali quhej Telini dhe ai nuk u kthye kurrë në Itali. E vranë bandat greke në afërsi të Delvinës dhe trupi i tij, i përcjellë cuditërisht nga Mehmet Konica, në emër të Qeverisë Shqiptare, u dërgua në Romë me nderimet ushtarake. Bashkë me të mori fund edhe aventura e kufijve. Një aventurë e gjatë, e cila ka sunduar vazhdimisht gjatë këtij shekulli gjithë mosmarrëveshjet në këtë anë të Ballkanit.

Konferenca e Ambasadorëve, 1913

Kufijtë e Ballkanit ruajtën pothuajse gjatë këtij shekulli, trajtën që ju dha atyre Konferenca e Ambasadorëve më 1912-1913, në Londër. Në të gjitha ndërmarrjet për ndryshimin e kufijve ballkanikë, ajo e Londrës, mbetet padyshim me deçizivja. Në të vërtetë tek kjo flitet për Konferencen e Londrës pa folur më parë për kontekstin në të cilin zhvillohej ajo. Më 1912, Perandoria Turke, thuajse i kishte humbur të gjitha zonat e saj evropiane. Me përjashtim të Shqipërisë, ajo ruante ende sundimin në disa territore greke, mbi Selanik, të cilat i siguronin një lidhje tokësore me zonat e saj në Shqipëri. Por, nëse ekzistenca e mëtejshme e Turqisë, ishte këtu vetëm çështje kohe, ndarja e këtyre territoreve nga fuqite e reja ballkanike kishte vite që komentohej. Në të vërtetë të gjitha fuqitë e reja ballkanike: Greqia, Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi, reflektonin në atë kohë interesat e Fuqive të Mëdha. Interesa, që bëheshin edhe më të mprehta, në prag të luftës së re botërore, që pritej të shpërthente. Vrulli i shteteve të rinj me orientim kryesisht pro rus, ishte ndalur vetëm nga interesat e Austro-Hungarisë dhe më pas të Perandorisë Gjermane, që nuk ishin dakord me një zgjerim të metejshem të sllavëve në Ballkan. Pikërisht, këtij objektivi Austro-Hungarez ja dedikon ekzistencën e tij shteti i ri Shqiptar, i cili pritej të shpallte pavarësinë në vitin 1912. Vendosmëria e Austro-Hungarisë dhe aleatëve të saj, krijoi kushtet për një pavarësi të mundshme shqiptare. Nuk është aspak e rastit, që Ismail Qemali në udhëtimin e tij drejt Vlorës, mori fillimisht bekimin dhe ndihmën e qeverisë rumune dhe më pas atë të Vjenës. Takimi i tij me Ministrin e Jashtëm Berthold, që akti i fundit që sanksionoi pavarësinë shqiptare. Por, ndërsa Ismail Qemali, lëvizte me vështirësi drejt Durrësit, Fuqitë Ballkanike të lidhura në një aleancë i shpallen luftë Turqisë. Në më pak se një muaj, trupat e tyre korrën fitore të ndjeshme dhe i larguan forcat e sulltanit nga Ballkani Perëndimor. Ato pushtuan pothuaj gjithë territoret shqiptare, duke lënë vetëm një trekendësh Vlorë-Lushnjë-Berat, nën juridiksionin e shtetit të ri shqiptar. Me hartat e reja ushtarake dhe me pretendimet e tyre historike dhe ekonomike, fuqitë ballkanike zbarkuan në dhjetor 1912 në Londër, ku qe mbledhur Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha për caktimin e kufijve të Ballkanit. Delegacioni shqiptar ishte i fundit që mbërriti në Londër. Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi dhe të tjerë arritën të kalojnë bllokadën detare greke vetëm falë këmbënguljes së Dukës së Orleanit, i cili i mori në jahtin e tij. Me t’u vendosur në Hotel “York”, Mehmet Konica, Ambasadori shqiptar në Londër i informoi për Konferencën dhe zhvillimin e saj. Ai tregoi se gjithë vendet ballkanike kishin paraqitur projektet e tyre dhe i ftoi që brenda 48 orësh të përgatisnin projektin shqiptar. Më 15 janar 1913 mbi tryezën e Eduard Greit, Kryetarit të Konferencës, qenë vendosur pesë projektet mbi kufijtë në Ballkan, dy projekte bazë, ai rus dhe ai Austro-Hungarez, dhe tre ndihmës. Projekti Shqiptar, Serbo-malazez dhe projekti grek.

Konferencës së Ambasadorëve iu deshën më shumë se tetë muaj diskutime për të vendosur mbi projektet dhe për të bërë rregullimet e nevojshme. Vështirësia qëndronte se projektet bazë qëndronin shumë larg njeri-tjetrit dhe kompromisi ishte kështu mjaft i vështirë. Ambasadori rus paraqiti një hartë të madhe ushtarake, në të cilën kufijtë e Shqipërisë përcaktoheshin në një hapësirë midis lumenjve Mat dhe Vjosë, duke i lënë dalje në det në Shëngjin ose në Durrës serbëve. Shkodra dhe rrethi i saj i jepeshin Malit te Zi; Dibra dhe një pjesë e madhe e Shqipërisë se Jugut, përfshirë dhe Pogradecin dhe Ohrin, Serbisë; ndërsa Korça, Gjirokastra, Delvina- Greqisë. Mbi të gjitha, projekti parashikonte që Shqipëria të mos ishte një vend i pavarur, por një provincë autonome, nën kujdesin e Turqisë.

Projekti Austro-Hungarez ishte krejt i ndryshëm. Ai linte jashtë Shqipërisë vetëm tokat që i kishin kaluar Malit të Zi në Kongresin e Berlinit, më 1878, por përfshinte brenda kufijve shqiptarë pjesën më të madhe të Kosovës, Ohrin, rrethinat e Shkupit, Manastirin, Janinën, Çamërinë deri në Prevezë. Projekti i Vjenës qe ndërtuar mbi parimin e vendosjes së kufijve në ato vende që banoheshin nga kombësi të ndryshme dhe duke pasur parasysh ndalimin e një shtrirje të sllavëve drejt Adriatikut. Ky projekt, veç Gjermanisë, u mbështet edhe nga Italia.

Projektet ndihmëse, që u shqyrtuan, qenë derivate të projekteve bazë. Serbët pretendonin gjithë tokat që mbanin ndërkohë të pushtuara, përfshi edhe Durrësin. Ata argumentonin se në këto vende qenë ngritur kisha të vjetra serbe dhe se banorët myslimanë të tyre qenë turq të shqiptarizuar. Mali i Zi pretendonte Shkodrën dhe sqaronte se toka e bukes rreth saj ishte jetike për ekzistencën e mbretërisë së vogël ballkanike. Sipas projektit të tyre, Shqipëria mund të shtrihej nga Vlora deri ne Tiranë, duke lënë jashtë Durrësin dhe gjithë vijën bregdetare atje.

Projekti grek ishte më i sofistikuar. Veç argumenteve historike ai ngrinte edhe argumenta ekonomike. Sipas planit të tyre: Thesalia, Janina, Çamëria duhej t’i bashkangjiteshin Greqisë si toka të qytetërimit të vjetër grek. Por, delegacioni shtonte se brenda Greqise duhej të përfshiheshin edhe Himara e Gjirokastra, pasi logjikisht këto zona ishin të lidhura ekonomikisht me Janinën dhe Korfuzin dhe furnizoheshin prej tyre. Po kështu, këto mund të shërbenin edhe si mburoja të dy zonave të para, në rast të një sulmi nga shqiptarët. I njëjti pretendim edhe në juglindje, ku kërkohej Korça, si një vijim logjik i Follorinës.

Projekti i fundit ishte ai Shqiptar, përgatitur me ngut nga delegacioni, por që kërkonte të hidhte poshtë argumentat e fqinjëve. Ideja e tij ishte ndarja e kufijve në bazë të kombësive dhe marrja parasysh e faktoreve gjeografikë dhe ekonomikë. Delegacioni shqiptar hidhte poshtë pretendimet se të krishterët e jugut ishin grekë dhe shtonte se po të zbatohej varianti rus, Shqipëria mbetej e cunguar dhe pa asnjë burim ekonomik. (albanians)

Kështu bëhej shpërngulja e shqiptarëve nga Jugosllavia e Greqia drejt Turqisë

shperngulja e shqiptarevePara 93 vjeteve  në Lozanë të Zvicrës u nënshkrua marrëveshja turko-greke për shkëmbimin e popullatës 

Më 30 janar 1923 u nënshkrua në Lozanë marrëveshja e veçantë turko-greke, mbi shkëmbimin e grekëve të Anadollit, me “turqit” (këtu u përfshinë shqiptarët e besimit mysliman nga Çamëria) e Greqisë.

Me një dekret Greqia përvetësoi pronat e shqiptarëve myslimanë dhe jo-zyrtarisht i trajtoi si popullsi shkëmbyese, ashtu siç e parashihte Marrëveshja e Lausanne-s për turqit e Greqisë, përcjell ksp.

Sipas marrëveshjes, duke filluar që nga 1 maji i vitit 1923: “…duhet të kryhet shkëmbimi, i detyrueshëm i shtetasve “turq” të besimit ortodoks.

Grekët e vendosur në tokat turke, gjithashtu edhe i shtetasve grekë të besimit mysliman nga të vendosur në tokat greke.

Të shkëmbyerit duhet të linin vendin e origjinën dhe duhej të fitonin atë të vendit ku shkonin, pa të drejtë kthimi.

Ndërsa, në verë të vitit 1924, procesi i shkëmbimit mori karakter masiv.

Pas kësaj në vitin 1938 qeveria e mbretërisë jugosllave ka nënshkruar një konventë me qeverinë e Republikës së Turqisë për emigrimin e popullatës turke (në të vërtet ishte fjala për shpërnguljen e popullsisë shqiptare të konfesionit mysliman), nga pjesa jugore e Serbisë, gjegjësisht nga Kosova dhe trevat tjera shqiptare që shtriheshin në 3 banovina: në banovinën e Zetës, Moravës dhe të Vardarit.

K O N V E N T A

Mbi rregullat e emigrimit të popullatës turke * (*Fjala është për shpërnguljen e popullsisë shqiptare të konfesionit mysliman) nga regjioni i Serbisë së Jugut në Jugosllavi.

Qeveria e Republikës së Turqisë dhe Qeveria e Madhërisë së Mbretit të Jugosllavisë konstatojnë:

– Emigrimin (shpërnguljen) e myslimanëve nga regjioni i Sërbisë së Jugut, dhe

– Njëherësh vlerësojnë se kjo popullatë nga ana tjetër, në përgjithësi, i ka humbur të drejtat e regjimit të lirë në Jugosllavi, dhe së bashku janë përcaktuar ta braktisin territorin e Mbretërisë, me dëshirën e tyre legjitime, në mënyrë që t’u bashkohen etnikëve të tyre natyral në Turqi.

Ata shfaqën dëshirën që të nënshkruajnë Konventën sipas së cilës caktohen mënyrat e shpërnguljes si dhe preimpotencat e tyre përkatëse të:

Madhërisë së tij, Mbretit të Jugosllavisë;
M.

Ekselenca e tij, Zoti Kryetar i Republikës së Turqisë.
M.

Ato do të komunikojnë dhe do t’i përmbushin dëshirat e tyre, sipas mënyrave të caktuara me dispozitat vijuese:

Neni 1.

Me këtë konventë identifikohen shtetasit jugosllavë me fe, kulturë dhe kombësi myslimane dhe që flasin gjuhën turqishte.

Ndërsa, me këtë Konventë nuk identifikohen, personat për të cilët hyrja në Turqi është ndaluar sipas ligjeve dhe rregullave të Turqisë, të cilat janë në fuqi, edhe atë: popullata nomade dhe ajo jevge.

Neni 2.

Regjionet, të cilat i nënshtrohen emigrimit sipas kësaj Konvente, janë si vijon:

1. Rajoni i Banovinës së Vardarit:

Rajoni i Malit Sharr (Prizreni); Gora (Dragashi); Podgora (Suha-Reka); Nerodimja (Ferizaj); Donji Pollog-Pollogu i Ulët (Tetova); Gornji Pollog-Polloga i Sipërm (Gostivari); Galica (Rostusha); Dibra (Dibër); Struga (Strugë); Graçanica (Prishtinë); Kaçaniku (Kaçanik); Gjilani (Gjilan); Presheva (Preshevë); Prespa (Resnja); Poreçi (Juzhni Brod-Makedonski Brod); Prilepi (Prilep); Bitoli (Manastiri); Kavadarci (Kavadari); Marihovo (Manastiri-Marihovë); Negotin Na Vardaru (Negotini i Vardarit); Skopje (Shkupi), Kumanova (Kumanovë); Velesi (Velesi); Ovçe Pole (Ovçe Pole); Radovishte (Radovishte); Strumica (Strumicë); Dojrani (Valandova); Gjevgjelija (Gjevgjelija); Kriva Pallanka (Kriva Pallanka); Kratovo (Kratova); Carevo Sello (Carevo Sello); Malesi (Berovo).

2. Rajoni i Banovinës së Zetës, përfshin:

Pejën (Pejë); Istokun (Istog); Mitrovicën e Kosovës; Gjakovën (Gjakovë); Podrimjen (Rahovec).

3. Rajoni i Banovinës së Moravës përfshin:

Llapin (Podujevë); Vuçiternën (Vuçitërnë); Drenicën (Sërbicë).

Qeveria jugosllave do të caktonte se nga cili regjion do të fillonte emigrimi (shpërngulja).
Neni 3.

Numri i familjeve, për të cilat Qeveria turke merr obligimin që t’i pranojë nga regjionet e përmendura në Nenin 2, sipas kushteve të kësaj Konvente, përbëhet prej 40.000 familjesh. Këtu përfshihen familjet e përbashkëta dhe anëtarët e tyre (personat) dhe fëmijët e një gjaku, të cilët në momentin e nënshkrimit të kësaj Konvente, jetojnë në një bashkësi familjare të pandarë dhe nën një kulm të përbashkët.

Neni 4.

Riatdhesimi i këtyre 40.000 familjeve do të realizohet për gjashtë (6) vjet , sipas këtyre proporcioneve:

1. Në vitin 1939 4.000 familje

2. Në vitin 1940 6.000 familje

3. Në vitin 1941 7.000 familje

4. Në vitin 1942 7.000 familje

5. Në vitin 1943 8.000 familje

6. Në vitin 1944 8.000 familje

Nëse ky numër i familjeve nuk mund të realizohet sipas viteve të parapara për shkak të pengesave-vështirësive eventuale, dy palët kontraktuese, do të bëjnë marrëveshje sipas dispozitave përkatëse ligjore mbi numrin e të emigruarve (të shpërngulurve), të cilët do të evakuohen nga njëra anë, dhe do të pranohen nga pala tjetër, tre muaj para fillimit të emigrimit. Por, kuptohet se këto ndryshime eventuale të numrit të të emigruarve (të shpërngulurve) në vit, nuk mund të zgjatet më tepër se një vit gjatë gjashtë (6) viteve të caktuara -të fiksuara për emigrim (për shpërngulje). Koha e emigrimit (shpërnguljes) për çdo vit do të zgjasë (do të fillojë) prej muajit maj deri më 15 tetor, pos kontingjentit të vitit të parë, i cili do të fillojë në fillim të muajit korrik të vitit 1939.

Neni 7.

Qeveria jugosllave duhet t’i paguajë Qeverisë turke shumën prej 500 lirash turke për një familje, ndërsa shuma e tërësishme do të jetë 20.000.000 lira turke për 40.000 familje, në bazë të së cilës shumë, këto familje do të merren në konsiderim. Përkundër kësaj pagese globale, të gjitha pasuritë e patundshme fshatare që u përkasin të shpërngulurve, në pajtim me Nenin 6, mbeten pronë e Qeverisë Jugosllave. Sa i përket pasurisë së tundshme dhe të patundshme fshatare, e cila i takon kombësisë myslimane ose Evkafit (Vakafit), kuptohet se kjo Konventë nuk i dëmton dispozitat e Ligjit ekzistues, i cili i rregullon ato.

Neni 8.

Qeveria jugosllave më 1. prill dhe më 1. tetor të çdo viti do të kryejë (bëjë) pagesën periodike (semestrale), e cila do të jetë në proporcion me familjet që shpërngulen, të cilat do të evakuohen gjatë vitit, e që mund të zvogëlohet ose të rritet në proporcion me numrin e tyre. Pagesa, shuma e së cilës është caktuar me nenin e mëparshëm (Neni 7) do të bëhet në 12 këste e ndarë për gjashtë (6) vjet.

Neni 9.

Qeveria jugosllave, secilën pagesë do ta bëjë në këtë mënyrë:

30% në deviza, të cilat duhet t’ia lejojë në dispozicion Qeverisë së Republikës së Turqisë përmes Bankës Popullore të Jugosllavisë;

70% në dinarë, duke i deponuar në Bankën Popullore të Jugosllavisë, në dobi të xhirollogarisë – në favor të Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Banka Popullore e Jugosllavisë, për secilën pagesë do ta njoftojë menjëherë Legatën e Turqisë në Beograd, se depozita është bërë në xhirollogarinë e tyre.

Neni 10.

Për shndërrimin e dinarëve në lira turke, Banka Popullore e Jugosllavisë dhe Banka Qendrore e Republikës së Turqisë do të realizojnë, në marrëveshje të përbashkët, sipas kursit të ndërrimit në lira turke, i cili vlen ditën e ndërrimit, përkatësisht në ditën e secilës pagesë.

Neni 11.

Shumat (fondet) e deponuara në Bankën Popullore të Jugosllavisë do të shfrytëzohen nga ana e Qeverisë së Republikës së Turqisë, qoftë në të gjitha format ose pagesat dhe shpenzimet, të cilat do të bëhen në Jugosllavi, qoftë për blerje në tregun jugosllav, përveç mallrave, eksportimi i të cilave është i ndaluar dhe i kushtëzuar me pagesat e tyre në deviza (siç janë): bakri, leshi, prodhimet nga lëkura, prodhimet nga druri i arrës, frutet e vajrave, ullinjtë, gruri dhe misri.

Blerja e të gjitha këtyre mallrave do të realizohet, duke ia destinuar ato Turqisë. Këto mallra do të lirohen nga çdo tatim, taksë ose nga çdo ngarkim tjetër i eksportimit. Kuptohet se, për eksportim nuk do të zbatohen dispozitat e parashikuara në bazë të marrëveshjeve komerciale (tregtare) të lidhura ose që do të lidhen, por ajo do të bëhet në pajtim me dispozitat e kësaj Konvente.

Neni 12.

Personat që do të evakuohen gjatë periudhës së shpërnguljes, të cilët do të shpërngulen sipas listës vjetore, duhet të japin (paraqesin) deklaratë me shkrim para autoriteteve jugosllave në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi shtetasit jugosllavë që është në fuqi, se heqin dorë nga shtetësia Jugosllave me dëshirë. Këta persona do t’i kenë cilësitë dhe do t’i gëzojnë të drejtat e të shpërngulurve sipas ligjeve turke, që nga momenti kur përfaqësusit e Turqisë, të cilët do të emërohen për këtë çështje, do t’i nënshkruajnë listat vjetore të emigrimit në Turqi.

Neni 13.

Të shpërngulurit, në përgjithësi, do të jenë të lirë t’i likuidojnë ose t’i bartin me vete të gjitha mallrat ( e pasurinë) e veta të tundshme të të gjitha llojeve, me të cilat posedojnë (si pronë personale), pastaj shtazët e shpezët nga fermat e tyre, instrumentet, makinat etj. të cilat përdoren në punë bujqësore ose industriale ose për ushtrimin e zejeve e profesioneve të tjera.

Megjithatë, për transportin e mallrave dhe të pasurisë së tyre të tundshme, veglave bujqësore, pastaj nga 4 kafshë të trasha dhe nga 10 kafshë të vogla, duke mos i llogaritur të vegjlit e tyre, vjetat etj.; Qeveria Jugosllave merr përsipër që ato t’i transportojë gratis deri në limanin e zbarkimit të tyre në Selanik.

Për transportin e mallrave, të shpërngulurit gëzojnë zvogëlimin e taksave sipas tarifës në fuqi. Megjithatë, nuk gëzojnë zvogëlimin e taksave për kafshë, si p.sh. gjashtë kafshë të trasha dhe 20 kafshë të imëta (të vogla) duke mos i llogaritur të vegjëlit e tyre, për secilën familje që shpërngulet.
Eksportimi i kafshëve bëhet sipas dispozitave të Konventës ekzistuese veterinare dhe në bazë të çertifikatës së veterinarit, të cilat do të sigurohen gratis për ata që shpërngulen.

Neni 14

Ata që shpërngulen janë të autorizuar, që në mënyrë të barabartë të importojnë: ekskluzivisht stolitë e tyre personale, pikërisht qaforet ose pjesët e tyre, gjerdanët nga ari, argjenti, të cilat i mbajnë në qafë femrat, si dhe secili nga ata nuk mund të importojnë më shumë se një sosh.

Përkundër kësaj, secili kujdestar i familjes është i autorizuar që lirisht të importojë, në të dalë nga Jugosllavia, shumën prej 2.000 dinarësh, si dhe shumën prej 4.000 dinarësh të shndërruar në kundërvlerë në deviza. brendshëm, pas likuidimit të pasurisë së tyre të tundshme dhe të patundshme në qytet e në fshat, mallrat, eksportimi i të cilave nuk është i kushtëzuar në deviza ose i ndaluar në Jugosllavi si dhe importimi i të cilave nuk à «shtë i ndaluar në Turqi. Të gjitha këto mallra do t’i nënshtrohen taksave dhe ngarkesave të tjera të eksportimit dhe të importimit.

Neni 15.

Banka Popullore e Jugosllavisë do të hapë xhiro-llogarinë speciale në emër të Qeverisë së Republikës së Turqisë në Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë, në të cilën secili i shpërngulur do të ketë mundësinë të deponojë të gjitha shumat që i takojnë dhe me të cilat disponon, në pikëpamje të garantimit të transferimit përmes blerjes së mallrave në Jugosllavi, Banka Popullore e Jugosllavisë do ta njoftojë Legatën e Turqisë në Beograd për secilën pagesë të bërë në efektiv, me udhëzim të detalizuar të deponuesit. Këto shuma, kështu të transferuara në Turqi, përmes mallrave të blera në JugoslIavi, do t’u kthehen të interesuarve nga ana e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë.

Neni 16.

Fondet, mallrat, vlerat, mobiljet dhe të gjitha objektet e tjera, të cilat u përkasin të miturve dhe anëtarëve të tjerë të familjes, të cilëve ua ka besuar kujdestari i familjes dhe të besuara nga organet kompetente jugosllave, do t’i paguhen ose do t’i lejohen Qeverisë së Republikës së Turqisë, që në të ardhmen do t’i sigurojë administrata dhe mbrojtja e tyre, deri sa të rriten ata, ndërsa shpagimi i tyre do t’i bëhet kryetarit të familjes, i cili e gëzon këtë të drejtë në pajtim me ligjet e Turqisë.

Neni 17.

Të gjithë të rinjtë myslimanë, familjet e të cilëve janë regjistruar në listat vjetore të shpërnguljes, e të cilët ende gjenden në radhët e armatës jugosllave, menjëherë do të lirohen nga shërbimi ushtarak i mëtejmë, dhe në të njëjtën kohë do të shpërngulen së bashku me familjet e tyre. Nën të njëjtat kushte, nuk do të përfshihen, të rinjtë myslimanë turq që jetojnë në regjionet, popullsia e të cilave është caktuar të emigrohet gjatë vitit vijues.

Neni 18.

Nga ana e Qeverisë jugosllave do të emërohet një Komision special, i cili do të angazhohet për hartimin e listës vjetore për të shpërngulurit, duke e detalizuar me të gjitha shënimet e nevojshme mbi kushtet, profesionin dhe zejet e emigrantëve. Listat duhet t’u prezentohen përfaqësuesve të Qeverisë turke, dhe njëherit duhet të zbatohen nga ana e tyre, ato do të shërbejnë si bazë për lejimin e dhënies së pasaportit turk, si dhe për llogaritjen e numrit të familjeve të të shpërngulurve.
Ky Komision jugosllav do të mbajë bashkëpunim të përhershëm me të deleguarit turq, dhe në kërkesë të tyre, duhet t’u ofrojë atyre të gjitha informatat për të cilat ata kanë nevojë.

Neni 19.

Nisja dhe ngarkimi i të shpërngulurve do të bëhet në bazë të pasaportave turke kolektive, të cilat do t’u lejohen atyre nga autoritetet konsullare të Qeverisë së Republikës së Turqisë në Jugosll avi. Pasaportat kolektive turke si dhe të gjitha dokumentet e tjera të nevojshme, të cilat vlejnë si dëshmi, përgatitja e listave vjetore dhe e vizave përkatëse në pasaporta për të dalë nga Jugosllavia, absolutisht do të bëhen gratis.

Neni 20.

Në zonën e lirë të Jugosllavisë, në Selanik, do të konstituohet një komision mikst turko-jugosllav i përbërë nga nënpunësit, të emëruar nga të dy qeveritë, i cili do të angazhohet, në marrëveshje të përbashkët, për të ndëmarrë të gjitha masat e domosdoshme, sipas rrethanave dhe kushteve të ngarkimit dhe të zbarkimit të të shpërngulurve.

Neni 21.

Kjo Konventë hyn në fuqi ditën e ratifikimit të saj nga ana e të dy qeverive.

Njëherit, nënshkruesit, këtë Konventë do ta vërtetojnë me vulat përkatëse.

E hartuar në gjuhën frënge në vitin 1938

(telegrafi)

Shqiptarët e mëdhenj të Stambollit dhe otomanët e Shqipërisë

hoxhe tahsiniKonfliktet e egra me frymëzim fetar si këto që po shtillen këto kohët e fundit, e bëjnë më të ngutshme nevojën e refleksionit sidomos për ne shqiptarët që kështu të ndarë siç jemi, ka rrezik të bëhemi shënjestër e frymëzimit radikal islamik. Këto kohë kam studiuar nga afër veprimtarinë e Hoxha Tahsinit, Jani Vretos, Kristoforidhit e Thimi Mitkos për nevojat e një cikli me dokumentarë që jam duke përgatitur me “DigitAlb” dhe kam vënë re se Hoxha Tahsini është jo vetëm një figurë e madhe e kulturës sonë, por ai është gjithashtu edhe një figurë moderne e mendimit islam dhe mbështjell në vetvete gjithçka kishte të ndritshme kultura moderne arabe e Avicenës dhe korifenjve të tjerë që i dhanë Europës përmes përkthimeve kulturën antike greke e romake. Hoxha Tahsini studioi në Sorbonë dhe e bëri kult dijen dhe shkencën.

Studimet e tij për natyrën, për gjithësinë, për psikologjinë, astronominë, kohën janë të gjitha me një vështrim modern dhe të frymëzuara nga zhvillimi i shkencës në Europën e shekullit XIX. Janë të njohura tashmë përpjekjet e tij për ta bërë Stambollin si një kryeqytet europian të dijes dhe për këtë ai ishte nismëtari i çeljes së Universitetit të parë në Stamboll apo i revistës së parë shkencore si “Revue des deux mondes” që botohej në Paris. Mirëpo kjo aventurë e tij nuk vazhdoi gjatë, sepse kleri konservator dhe radikal e mbyti këtë iniciativë.

Ndërkaq, ai u tërhoq në medresenë e tij dhe aty, në një kat të saj, ai u bë nismëtari i punës për të krijuar alfabetin e shqipes. Gjatë periudhës së socializmit, me gjithë përzgjedhjen ideologjike që bënte ai sistem për të treguar se komunistët ishin trashëguesit e vlerave pozitive të së kaluarës, në të shumtën e rasteve nuk përmendej thelbi i meritës së madhe që patën këta rilindës të mëdhenj. Dhe kjo meritë e tyre e madhe, në disa raste, iu paraqitej si kufizim. Po cila ishte ajo? Projekti i tyre ishte europian, perëndimor jo lindor. Hoxha Tahsini ka meritën e parë se Shqipërinë e ardhshme e projektonte dhe e donte si Europa e zhvilluar dhe kristiane.

Jani Vreto një tjetër shqiptar i madh kujton se në medresenë e Hoxha Tahsinit u zhvilluan takimet për ndërtimin e alfabetit të shqipes, se ai ishte autoriteti kryesor në ato takime ku merrnin pjesë Samiu, Pashko Vasa, Jani Vreto e Kristoforidhi e shumë të tjerë. Dhe që në fillim, Hoxha Tahsini që e mori fjalën i pari, deklaroi se alfabeti i shqipes nuk do të mbështetej në alfabetin arab sepse shqiptarët janë popull europian. Është tjetër gjë pastaj ideja e tij për të ndërtuar një alfabet origjinal, por ajo që ka peshë në këtë pikë është vetëdija e këtij njeriu të madh që mbante veshjen e klerikut mysliman se shqiptarët përpara se të jenë myslimanë apo katolikë e ortodoksë, janë europianë. Krijimi i shoqërisë së Stambollit dhe shtrirja e saj në Bukuresht apo në Misir, botimi i teksteve të para dhe i abetareve të para gjithashtu, ishin rrjedhojë e kësaj nisme që frymëzohej në fillim nga njeriu më i ditur dhe shqiptari më i kualifikuar që ishte Hoxha Tahsini. Ajo që e bën dinjitoze veprën e këtyre europianëve të mëdhenj është vetëdija e tyre e qartë dhe identifikimi me vlerat reale pjesë e të cilave ishin shqiptarët.

Mirëpo nuk duhet të harrojmë edhe një gjë tjetër. Përfytyrojeni për një çast që këta shqiptarë të mëdhenj ishin përballë një sfide të jashtëzakonshme, sepse për herë të parë, pas disa shekujsh, ata po merrnin nismën që të mësonin një komb të tërë që të shkruante gjuhën e vet, por jo vetëm të shkruante, por edhe të mbushte kokën me dije. Ne sot shpesh trishtohemi kur ato që botojmë nuk lexohen apo sepse libri po mërgohet nga veprimtaria e shqiptarëve, ndërkaq përfytyroni një komb të tërë që është pa libra në gjuhën e vet që jeton si barbar apo në rastin më të mirë mëson të shkruajë e të lexojë ose në gjuhën osmane ose në atë greke. Dhe papritur ky fëmijë gjigant që ishte populli shqiptar, thirret të ulet në bankat e shkollës dhe të mësojë të shkruajë e të lexojë shqip. Nuk ishte thjesht të mësuarit për të lexuar e shkruar në gjuhën amë, siç thashë më lart, më shumë se kaq, do të bëhej modelimi i vetëdijes dhe i mendjes së një kombi të tërë, sepse gjuha e shkruar është bartësja e memories historike. Ne sot habitemi përse kemi kaq defekte në ligjërim e në kulturë gjithashtu dhe harrojmë se vijmë nga një traditë kulturore që mbështetej e gjitha në transmetimin gojor, pra në kulturën e bisedës apo të Kuvendit të burrave. Nëse fjala ishte ajo që ndërtoi botën, shkrimi i fjalës dhe vendosja e saj në shtratin e gjuhës së shkruar e ruajti atë dhe e bëri njeriun që sa herë që i duhet të marrë një vendim, ta ballafaqojë atë me historinë, me të shkuarën.

Njerëzit, në ndryshim nga kafshët, kanë memorien dhe ajo ushqehet e mbahet gjallë nga shkrimi. Dhe këta shqiptarë të mëdhenj që ndërtuan me anë të alfabetit memorien kulturore, megjithëse jetonin në zemër të Perandorisë më të madhe të kohës, por edhe më regresivja gjithashtu, patën idenë e qartë që ta ndërtonin kombin e tyre me modelin europian dhe t’i paraqitnin atij para syve modelin e një trashëgimie progresive që mbështetej te kulti i dijes te besimi jo radikal te solidaritetit dhe harmonia fetare. Është mjaft interesante të vështrohet sot se si për të ndërtuar alfabetin e shqipes bashkëpunuan Hoxha Tahsini një mysliman i ditur, Pashko Vasa katolik, Kristoforidhi e Jani Vreto ortodoksë. Debati për alfabetin ishte ngritur mbi një princip; shqipja do të mbështetej ose në alfabetin helen ose në atë latin ose të krijonte një alfabet origjinal me shkronja të veçanta për tingujt e veçantë që ajo ka. Pas kësaj u hartuan abetaret e para dhe tekstet e para që të mësonin fëmijët në shkollat që do të duhej të çeleshin sa më parë. Ajo që bie në sy është një fakt tjetër. Abetarja e Veqilharxhit që është i pari tekst i mësimit të shqipes, ajo e Kristoforidhit, por edhe tekstet ilustruese për të nxënë germat e alfabetit i kishin nga Dhiata e Vjetër ose tekste laike ai ato të Naim Frashërit. Kjo më kujton një vëzhgim të Kadaresë kur flet për fillimin e shkrimit të shqipes.

Në diskutimin e tij në Universitetin e Palermos, duke folur për këtë argument, ai thotë se shqipja i ka fillimet në trupin e një gjuhe të vdekur si latinishtja dhe ditëlindja e saj shënjohet me formulën e pagëzimit. Ajo, vijon shkrimtari i madh, duket se u fut në trupin e një gjuhe të vdekur si në një frigorifer gjigant për t’u ruajtur e për t’u nxjerrë që andej pak vite më vonë. Unë do të shtoja se edhe abetarja e parë shqiptare u ngjiz dhe u mësua përmes rrëfimeve nga Dhiata e Vjetër si për të plotësuar kohën e humbur në ligjërimin e mbyllur gojor dhe për të kompensuar ndalimin e shfaqjes për shekuj të tërë. Ndaj edhe sot sa herë që nisin debatet për identitetin tonë historik e kulturor ne kemi më shumë se një shembull për të treguar se kemi filozofë, dijetarë dhe patriotë të mëdhenj që jo vetëm kanë shkëlqyer në kohën e tyre, por kanë çelur rrugën të parët në lartësimin e dijes edhe në vendet ku errësira e radikalizmit fetar bëhet shtysë për një ndarje të re të botës.

Për fat të keq, ne shqiptarët, në shumë raste sillemi si otomanët e shekullit të kaluar sepse nuk dimë dhe nuk mundemi që ta gjallërojmë ligjërimin tonë publik me tekstet e kësaj historie të ndritur. Ne e kemi mbytur ligjërimin publik me retorikën e pështirë të luftës pa princip dhe sillemi si shqiptarët e hershëm që kishin pasion emigracionin dhe mercenarizmin. Institucionet tona akademike apo shkolla nuk janë ato institucione që përfytyronin Hoxha Tahsini dhe shqiptarët e tjerë të mëdhenj të Stambollit, por janë produkt i shqiptarëve të sotëm anadollakë që kanë bjerrë dijen e janë vënë në garë kush ta vjedhë e kush ta shkatërrojë më shumë këtë vend që ata e quanin kërthizë e Europës. Ilir Yzeiri 

stal-cer-vils“Shqipëria të marrë pjesë nga Jugosllavia e Jugut me popullsi shqiptare dhe ta kompensojë atë mundësisht me Shkodrën e rrethinat në Veri. Pretendimet greke duhen trajtuar me vëmendje, megjithëse janë të ekzagjeruara. Italianët t’i japin Sazanin Shqipërisë”.

Kështu apo pak a shumë kështu, në mënyrë të përmbledhur ishte ajo çka Departamenti Amerikan i Shtetit, në fillimvitin 1945, e përshkruante si pikëpamjen e vet mbi rregullimin territorial të Pasluftës për Shqipërinë.

Pikëpamja në fjalë në fakt gjente një shtrirje më të gjerë, duke skicuar në këtë kontekst edhe të ardhmen e rajonit të Ballkanit e atë të Europës Lindore, e përcaktuar kësisoj edhe disa korrektura “të nevojshme” në lidhje me të ardhmen e kufijve të Bullgarisë, Greqisë, Jugosllavisë, por edhe të Qipros, Turqisë, Rumanisë, Italisë etj.

Situata për Aleatët tashmë dukej tejet pozitive dhe fitorja përfundimtare ishte vetëm çështje kohe e formaliteti.

Ajo çka duket interesante, është fakti se për herë të parë kjo mund të shihet pas kaq shumë viteve, si një pikëpamje e shfaqur në mënyrë eksplicite – edhe pse jo në kufijtë e qëndrimit zyrtar – mbi të ardhmen e kufijve të Shqipërisë e rajonit.

Kufijtë shqiptarë, vëmendje themelore

Nëse zhvendosemi në kohë, kuptojmë se këto përçapje për rregullim “të drejtë” të kufijve, vinin pikërisht në kohën kur fuqitë e mëdha po shkonin drejt dy konferencave që vulosën “de facto” për një kohëzgjatje të konsiderueshme, fatin e shumë kombeve e shteteve të kontinentit.

Pjesa ku flitet për Shqipërinë, duket se përbën edhe thelbin e mendimeve amerikane për të ardhmen e rajonit të trazuar.

Materiali që ne kemi shkëputur për botim në DITA, është marrë nga një gazetë australiane (“The Mercury”, 2 janar 1945, fq. 4), e cila në fakt i referohej raporteve të një korrespondenti shumë të njohur të kohës së vet, ikonë e gazetarisë botërore – Cyrus Sulzberger, asokohe i angazhuar për prestigjozen amerikane “New York Times” – me raportimet nga fronti aleat, me qendër në Kajro.

Nga materiali në fjalë, kuptojmë se tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin kristalizuar një program për rregullimin e kufijve të Europës Lindore, duke përfshirë shkëputje territoresh në favor të Greqisë, ku njëra prej tyre duhej të ishte dhe Qiproja, e cila pas Luftës duhej t’i kalonte kësaj të fundit, duke u shkëputur nga kolonizimi britanik.

Për sa i përket pretendimeve greke mbi kufirin shqiptar të jugut, Departamenti i Shtetit, sipas Sulzberger, i shihte ato si “disi të ekzagjeruara”, megjithëse atyre i duhej kushtuar vëmendje dhe se e nevojshme, jo vetëm në marrëdhënie me Shqipërinë, por edhe me Bullgarinë e Jugosllavinë, bëhej kësisoj vetëm një korrekturë e pjesshme e tyre.

Nga plani s’preket vetëm Turqia

Po ashtu, sipas Departamentit të Shtetit, duheshin siguruar të drejtat e Bullgarisë e të Jugosllavisë për të pasur akses në portin grek të Selanikut. Jugosllavia duhej të merrte nga Italia dhe Austria rajonin e Fiumes e të Zarës, pra ishujt jashtë brigjeve kroate dmth. jugosllave, ndërsa kufijtë e saj të Paraluftës me Hungarinë, Austrinë dhe Rumaninë, thuhej se duhet të mbeteshin ato që kishin qenë.

Më tej në raport thuhej se: Rumania duhet t’i japë Besarabinë dmth. Moldavinë Rusisë dhe jugun e rajonit të Dobruxhës, Bullgarisë, duke u kompensuar me rikthimin e të gjithë rajonit verior të Transilvanisë që do i merret Hungarisë, përveç një copëze të vogël që do vijojë t’i mbetet Hungarisë në rajonin rreth Aradit.

Dukej qartazi se nga ky plan mbeste pa u prekur pra vetëm Turqia, e cila nga fundi i Luftës shihej tashmë si aleate e frontit antinazist dhe që edhe gjatë Luftës nuk kishte vuajtur nga “shkëputje territoresh”, apo pushtim si pak vende europiane në atë kohë, duke ruajtur “pro forma” neutralitetin.

Shqipëria të japë Shkodrën e të marrë Kosovën

Për Shqipërinë, në mënyrë të veçantë e të nënvizuar thuhet se: duhet të jetë një shtet sovran dhe duhet t’i jepen pjesë nga Jugu i Jugosllavisë, me një kompensim në formën e shkëputjes së një pjese të territoreve veriore të saj, duke përfshirë mundësisht Shkodrën, që duhet t’i shkojnë Jugosllavisë. Ndërkohë, Italia duhet t’i dorëzojë shqiptarëve, ishullin e Sazanit në Gjirin e Vlorës.

Në raport fillimisht theksohet se pikëpamjet e zyrtarëve amerikanë kanë si synim vendosjen e parakushteve bazë për arritjen e paqes në një rajon të trazuar. Plani përmbante tri objektiva: i pari paraqet një rishikim apo një rirregullim të kufijve në bazë të negociatave direkte të shteteve të përfshira. Objektivi i dytë synonte sponsorizimin e idesë së bashkëpunimit rajonal.

I treti thuhej se dëshiron të inkurajojë rehabilitimin ekonomik të vendeve të Ballkanit, pasi ata të kenë zgjedhur lirisht qeveri të dala nga vota popullore. Kjo politikë, sipas Sulzberger, duket të jetë shumë më pozitive se sa ajo aktuale.

Planet amerikane, skica “jozyrtare”

Në artikull theksohet se: “megjithëse pikëpamjet e Departamentit të Shtetit janë skicuar në një bazë specifike, në dukje nuk shihet ndonjë këmbëngulje për t’i zbatuar ato domosdoshmërisht në terren”, çka i jepte këtij raporti të drejtën për ta trajtuar atë thjesht si një pikëpamje jozyrtare, i cili në fakt do të zinte vend pjesërisht në formësimin e Europës së Pasluftës, pas Konferencave të Jaltës (shkurt 1945) e asaj të Potsdamit (korrik 1945).

Më tej, në raport thuhet se: Shtetet e Bashkuara mendojnë se grekët duhet të lejohen të zgjedhin në mënyrë demokratike formën e regjimit, duke votuar mes monarkisë e republikës. Departamenti i Shtetit aprovon shkëputjen e ishujve dodekanezë nga Italia në favor të Greqisë, përveç Castellorizzo-s, i cili duhet t’i shkojë Turqisë. Qipro gjithashtu i duhet dhënë Greqisë.

Në kohën për të cilën po flasim, në Shqipëri kishte filluar punën ajo që njihej si “qeveria demokratike e Tiranës”, megjithëse akoma nuk ishte njohur zyrtarisht as nga SHBA, as nga Britania e Madhe e as nga BRSS. Nga ajo çka tregojnë raportet e mëvonshme, rezulton se paradoksalisht, pikërisht SHBA ishin një hap para BRSS dhe Britanisë së Madhe në njohjen e qeverisë komuniste të Tiranës, duke rekomanduar njohjen kundrejt refuzimit që vinte akoma nga Moska dhe Londra, të cilat do ta bënin këtë përgjatë harkut të dy viteve në vijim.

Çurçilli dhe Stalini: Europa të ndahet, Amerikën nuk e pyesim!

Konferenca e Jaltës, mbajtur në gadishullin e Krimesë në ish-Bashkimin Sovjetik, në datat 4 deri më 11 shkurt 1945, ishte një takim diplomatik i tre krerëve aleatë gjatë Luftës së Dytë Botërore, i dyti në radhën e atyre që njihen si tri konferencat e mëdha aleate, duke pasuar atë të Teheranit ( 28 nëntor-1 dhjetor 1943) e paraprirë atë të Potsdamit (17 korrik-2 gusht 1945).

Në të morën pjesë tri liderët kryesorë të frontit aleat; Franklin D. Roosevelt (SHBA), Winston Churchill (Mbretëria e Bashkuar) dhe Josif V. Stalin (ish-Bashkimi Sovjetik). Stalini këmbënguli pikërisht në këtë konferencë, që ndër të të tjera, i gjithë rajoni i Ballkanit, ashtu sikurse vendet Balltike e ato të Europës Lindore (përfshirë këtu fillimisht madje edhe Italinë) duhej të përbënin një unazë sigurie për interesat e Bashkimit Sovjetik, duke formuar një rreth vendesh satelite që do të mbronin kufijtë e tij.

Dëshirave të tij, dy liderët perëndimorë, i shkuan prapa vetëm pjesërisht. Interesant është fakti se sferat e influencës në Europën Lindore ishin vulosur mes Stalinit dhe Çurçillit “de facto” qysh në Konferencën e Moskës, në tetor 1944, në mënyrë informale, duke anashkaluar pikëpamjet e Francës e sidomos ato të SHBA. Për Shqipërinë aty nuk flitej thuajse fare dhe ajo konsiderohej si pjesë e fatit të Jugosllavisë, e cila në atë letër ishte përcaktuar si e ndarë 50% me 50%, sipas interesave të “të mëdhenjve”.

Pretendimet territoriale greke ndaj Shqipërisë u shfaqën me forcë sidomos gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Paqes në Paris (29 korrik – 15 tetor 1946). Përveç argumenteve të vjetra rreth Vorio Epirit, Greqia e cilësonte Shqipërinë si pjesë të agresionit ndaj vendit të saj në vitin 1940, kur nisi konflikti italo-grek. Ato u kundërshtuan forcërisht nga kreu i delegacionit shqiptar, ish-Kryeministri Enver Hoxha. Kundrejt tyre, Shqipëria do të mundohej të vinte në pah kontributet e Shqipërisë përkrah koalicionit antifashist dhe krimet e bandave të Napoleon Zervasit kundër popullsisë çame, gjë e cila do të tolerohej nga fuqitë aleate, megjithëse për këtë çështje konferenca autorizoi ngritjen e një komisioni ndërkombëtar.

Ky komision nuk do ta zgjidhte dot këtë çështje, pikësëpari, për shkak të orientimit prolindor të qeverisë së Tiranës, por edhe këmbënguljes britanike në krah të qeverisë greke në kontekstin e luftës civile që po zhvillohej asokohe në Greqi. /Dita/

Fjalimi i At Gergj Fishtës në Konfrencën e Paqes më 1919

Gjergj FishtaPrej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpateve……

Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpateve, ende të rime me gjak njeriu, në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve.
Sot kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përbrenda gërmazave të pangishëm të vorbujve te historisë, e kështu nuk mundi ma, ç’më atë ditë kur Gentiusi, mbreti i mbramë i Ilirëve, më 168 para Krishtit, ndriti triumfin e Lucë Emil Palit për me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme.
Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave pjellore dhe plot jetë , banesë e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore. Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejn të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë.
Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrenjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.
Po qe se përnjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përmbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografikë. Por çka se, simbas teorisë wilsonjane (të Presidentit amerikan Willson) për me mundë nji popull me u sundue në vetvete, përpos kombësisë, duhet të mirret para sysh edhe ndërgjegja e tij kombëtare. Tashti, për në qoftë se si ndërgjegje kombëtare duhet të kuptohet ndjesia për liri si edhe ai dëshir që mund të ketë nji popull për t’u zhdrivillue në vetvete, gjithnji përmbrenda qarkut të forcave të veta, unë them se edhe në këtë pikpamje Konferenca duhet t’ia njohë Shqipnisë pamvarësinë si dhe sovranitetin e vet. E njimend, e po thomëni, cili popull në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet sesa populli shqiptar ?
Kaluen po pushtuesit mbi Shqipni, por nuk qenë kurrë zotnuesa mbi shqiptarë. Ashtu si ai cubi, i cili hyn tinës dhe me trathti në shtëpinë e qytetarit të paqtë e, si shtjen mbrenë drojen dhe pshtjellimin, del jashtë pa mundun kurrë me thanë se ka sundue aty mbrendë: njashtu hynë pushtuesit e huej në Shqipni pa mujtë kurrë me i shtrue dhe me i zotnue shqiptarët. E mos kujtoni, zotni, se unë këtu jam tuj ju thanë sende të cilat mos t’i kenë vu re edhe shkrimtarë të huej me vlerë. Kështu, fjala vjen, e ndritshmja Miss Durham, thotë në nji libër të vetin mbi Shqipni:
“Pushtime të hueja janë përshkue mbi komb shqiptar, por të gjitha kanë kalue pa lanë kurrfarë gjurme, si ujët që rrëshqet mbi shpinë të rosës”.
Për lirinë e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht edhe besimin. Fakti veç që shqiptari në mes të sa ndollive dhe te papriturave politike e për nji periudhë kaq të gjatë shekujsh, ka mbrrijtë me e ruejt gjuhën, doket dhe karakterin e vet kombëtar, – dhe këtë jo vetëm në Shqipni, por edhe jashtë kufijve të sajë, – kjo difton çiltas se ai asht dhe don të mbesë shqiptar. E gjithë kjo ngjet sepse ndërgjegja kombëtare ka lëshue rrajë të thella në shpirt të tij. Por ma mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit shqiptar për liri dhe pamvarësi kombëtare, duket në faqet e historisë, për të cilën mundemi me thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pavarësi. Unë këtu, për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombëtare e këti populli, kreu që prej të XV qindvjetë e mbrapa.
Botën mbarë në zi do ta mbështillte. – Të flegruem droje shuejtën zanin mbretnitë e Europës. Kur qe, mbi kep të Krujës titanike, po del nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrufeje, me dy sy zjarmi e nji mjekër të thinjtë, e cila shtëllungë gjatë nofullës i derdhej, si ajo mjegulla rreth nji shkëmbu të thepisun. Mbi krye trishtueshëm flakë i shkëlqen tarogëza përkrenarja me brirë që tmerrshëm kah i vezullon nën rreze të diellit, kometë zharitëse danë ndër sytë e armikut. Ai asht fatosi i ndimun Gjergj Kastrioti, i madhi Gjergj Kastrioti, Skanderbegu. Me flamurin kuq e zi shpalosun përpara, poshtë rrëmoreve të maleve të thepisuna, stuhi bore prej ndonji kulmi të rrëmbyeshëm, vërsulen vetëtimthi mbi formacionet e turqve, të cilët, prej së largu tuj ua pa hovin, thonë se kulshedra me dragoj po u turret.
Por mundet ndokush me më thanë se Skanderbegu këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjeje kombëtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet.
E mos kujtoni se me dekë të Skanderbegut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e shqiptarëve. Historia e Turkisë ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha të cilat gjatë rrjedhjes së katër shekujve kombi shqiptar i bani qeverisë otomane ose për me pshtue prej zgjedhës së sajë, ose për me e ngushtue që mos t’ia mohonte të drejtat e tija. Edhe pamvarësia e Greqisë asht nji lule e rimuun me gjak të shqiptarit. Zhavellët dhe Boçarët kanë qenë shqiptarë e shqip kanë folë dhe me trimëni shqiptare kanë luftue. Jo besa, por Greqinë e kanë lirue shqiptarët dhe jo ma pak janë mundue se sa disa Pushtete të mëdha të cilat aso kohe bajshin spekullime mbi Greqi, njashtu si do Zoti po bajnë sot edhe mbi Shqipni. Këtë punë, me pasë për ta pyet si dijetar dhe jo si diplomat, kishte me ju a vertetue edhe Venizellos vetë; por, në mos dashtë me ju a thanë ai, ja u kallzon Lamartine, i cili, tuj folë mbi pamvarësi të Greqisë, thotë se kjo nuk qe tjetër veçse rezultati i reaksionit të elementit shqiptar kristjan mbrenda Greqisë kundra elementit turk.
Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk qe puna se ati i mungonte ndërgjegja kombëtare ose ndjesia për liri e pamvarësi, por qe fakti se shi ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështuqë prej kësaj pikpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristjanëve.
Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij. E tash ndini si u suell kristiani me Shqipni e me shqiptarë. Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin pak me thanë dyqindmijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë ; grijnë mysliman sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri kombi shqiptar ka pasë mbështetë gjithë shpresën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë ata nuk sollën kurrnjisend përsëmbari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhetë kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji spital, nji send të vetëm që t’i vyente përparimit dhe qytetnimit të popullit shqiptar. I gjithë kujdesi i tyne për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar t’u qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni çifutnit nji tagri me shqiptarë, sadoqi aso kohe nuk kishte në Shqipni me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda Nderkombëtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta.
Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sadoqi Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend. Në fillim të vjetës 1915, italianët pushtojnë Vlonën, kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmutë të Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë.
E sot Konferenca e Paqes lypë që shi ndër ndër këto vise të bahet plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme!
Prej këtyne punëve, – për mos me folë për të tjera, – duket çiltas se shqiptarët, prej pikpamjes kombëtare, kanë pasë arsye me drashtë ma shumë kristjant se sa turqit. Turku, si për princip, si në teori, ia ka pasë njohtë Shqipnisë nji farë autonomie, sadoqë me Skanderbeun e pat kundërshtue përparimin e tij në Ballkan.
Thonë armiqt tonë, si dhe do mbrojtësa të tyne, se vërtetë që kombi shqiptar asht ma i vjetri ndër popuj të Ballkanit dhe se ka nji dashuni të gjallë për liri dhe pamvarësi të veten; veçse shka se megjithëkëto, Shqipnia nuk mund të qitet shtet më vete sepse shqiptarët janë :
a) barbarë,
b) nuk janë të zotët me përparue dhe me u qytetnue vetë dhe se
c) eksperienca ka tregue se në kohën e Princ Widit, Shqipnia nuk mund të mbahet shtet më vete dhe krejt i pamvarun…
Pra, simbas mendimit të armiqvet tonë, ose ma mirë me thanë, simbas fjalëve të vetë atyneve, lypset që Shqipnia të coptohet e t’u jepet atyne në dorë për me e sundue dhe për me vu rregull, – meqë shqiptarët janë barbarë e të egër e nuk janë popull që di me qitë shtet më vete, pra me qeverisë. Për me thanë të vërtetën, po të marrim parasyshë mjetet e mënyrën me të cilat ka nisë e vijue lufta e madhe evropiane, kisha me thanë se barbarësia dhe egërsia e popujve ka pak ose aspak të përpjekun me dëshirën për liri e pamvarësi të tyne. Kur popuj e kombe, në emën të “qytetnisë” kanë vra e pre fëmijë, gra, pleq e të mbetun që kanë ba me vdekun prej urie e gazepit me mijëra njerëzish të pafat në ditë; që kanë djegë e rrenue, jo vetëm katunde e qytete, por mbarë krahina të pamatuna; që kanë thye çdo të drejtë ndërkombëtare dhe njerzore dhe kanë pre në besë me qindra mijëra robsh të ramë në dorë, – e megjithate sot ata munden me qenë shtete të lira; – po atëherë, pse nuk mundet me qenë Shqipnia e lirë ku, nëmos tjetër, gra nuk vriten, ku nuk gjindet nji vorr i nji të vdekuni urie, ku ndorja e besa edhe ndaj armikut janë të pathyeshme?

Kongresi i Versajës më 1919
Serbt, në kohën e luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çelë nanave shqiptare barkun dhe foshnjet e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada porsi pisha për me shndritë natën me to, dhe sot Konferenca ua ka trefishue madhësinë e shtetit të tyne. Grekët kanë kryqzue gjinden shqiptare bash ne të XX qindvjetë, ndersa sot Konferenca e ka menden me ia dhanë mandatin që me i shtrue e me i qytetnue disa kombe të tjera, kupto, Shqipninë. Pra tash, shqiptari, i cili nuk i njef këto “qytetni” në veten e vet, pse s’mundet me dalë shtet më vete, i lirë e i pamvarun? Por edhe me pasë për ta marrë barbarinë si shprehje vetore të shpirtit të njeriut, unë mundem me thanë pa droje kundershtimi, se kombi shqiptar nuk asht diftue aspak ma i egër e barbar se disa kombe të tjera të qytetnueme, kur këta kanë qenë po me ato garanci që ka pasë kombi shqiptar. Ah, po, duket çiltas, se nuk “duen” me e qitë Shqipninë shtet më vete e të pamvarun, dhe kjo jo sepse shqiptarët na qenkan barbarë e të egjër, por sepse këta nuk kanë sot për sot nji ushtri e nji flotë të veten me të cilën të mund t’u dalin zot tagreve të veta. Ose thanë ma qartë, u vehet kamba shqiptarëve vetëm sepse këta janë ma të ligësht ushtarakisht dhe jo sepse janë ma barbarë se kombet e tjera të Ballkanit.
Asht gabim me thanë se të marrunit e gjakut shënon barbarinë e nji kombi, në qoftë se ne nën fjalën barbari kuptojmë egërsinë ose breshtninë e shpirtit të tij, ashtu siç duen me e kuptue kundërshtarët e tonë, kur e kanë fjalën për kombin shqiptar. Të marrunit e gjakut buron prej ligjeve të jashtme dhe prej të metave të organizimit shoqnor të nji kombi, dhe jo gjithmonë prej gjendjes shpirtnore të tij. E vërteta e këtyne fjalëve përcaktohet edhe prej historisë së popujve për të cilët nuk mund të thohet se kanë qenë të egër e breshtnorë. Në Biblën shenjte lexohen këto fjalë: Në se dikush godet një tjetër me gur dhe mund t’i shkaktojë vdekjen, ai asht një vrasës dhe asht i dënuem me vdekje. Njeriu i ngarkuem me hakmarrë viktimën, e vret vrasësin me rastin e parë. (Num. XXXV, 19, 21) Po kështu edhe në Iliadë, në librin e IX, gjejmë këto vargje që unë po i la simbas përkthimit të Montit:”… Il prezzo qualcuno accetta del’ucciso figlio o del fratello; e l’uccisor, pagata del suo fallo la pena, in una stessa citta dimora col placido offeso.” (Ndëshkimin sejcili e pret si të drejtë për vrasjen e të birit ose të të vëllait; dhe ai që e bën këtë vrasje për shpagim, mund të jetojë pastaj i qetë në të njejtin qytet me atë familje së cilës i bëri vrasjen – fyerjen e parë.)
Duket pra mirëfilli se prej të marrunit të gjakut – vendetta – nuk mund të thohet se kombi shqiptar asht barbar e që nuk asht i zoti me u qeverisë në vetvete dhe i pamvarun. Por “JO!” thonë kundërshtarët tonë. Të metat e organizimit shoqnor, si dhe të marrunit e gjakut në Shqipni, nuk janë të shkaktueme prej faktoreve të jashtëm, por rrjedhin prej gjendjes shpirtnore të egër të kombit shqiptar. Me fjalë të tjera, shqiptari vret njeriun për instikt dhe jo për nji arsye e cila edhe mbas mentalitetit e bindjes së tij, të jetë e mbështetun mbi nevojë të të ruejtunit të jetës, të gjasë ose të nderit të vet. E për në qoftë se asht e vërtetë, – sikurse njimend asht e vërtetë! – se poezia popullore asht pasqyra e shpirtit të nji kombi, kjo duket çiltas, – thonë ata, – prej kangëve popullore shqipe, sepse të tana, ose gati të tana, tregojnë punë të veçanta vrasjesh ose gjaku.
Përpara se ndokush mund ta thonte me arsye se kombi shqiptar nuk shfaqet kurrë i bashkuem në nji shtet, kishte me u dashtë ma parë që historia të caktonte se nga e ka rrajën ky komb, kë ka fis e vëlla mbi botë, – sepse ky nuk ka mbijt vetvetiu mbi botë, – e se deri ku përfshihej vendi i tij. Por këto historia ende s’i ka përcaktue, e kushedi se kur ka me mujt me i përcaktue, sepse historia e kombit tonë gjindet e shtjellueme mbrenda hijeve të muzgëta të kohëve ma të vjetra. Masandej do të ishte dashtë që historiografët e hershëm, mbi të cilët mbështeten historianët e sotshëm, t’i kishin dajtë me nji emen të vetëm të tanë elementet prej të cilit përbahet ky komb. Kush mundet me e thanë me siguri se shqiptarët, ilirët, maqedonasit, thrakejt, epirotët janë që të gjithi të nji fisi apo jo? Prandaj kurrkush nuk mund ta thotë me siguri se shqiptarët s’kanë qenë kurrë të bashkuem më nja dhe s’kanë qenë shtet më vete. Por edhe po e zamë se shqiptarët s’kanë qenë kurrë të bashkuem në nji shtet të vetëm. Megjithkëtë armiqt tonë nuk kanë arsye kur thonë se për këtë shkak kombi shqiptar nuk duhet qitë shtet më vete, por ky vend duhet nda ndërmjet tyne si gja e pazot. Kush i mban mend grekët të bashkuem nën nji skeptër dhe kunorë mbretnore përpara së XIX qindvjetë? Sa jetë ka flamuri i Greqisë? Jo vetëm që grekët edhe në kohën ma të lumnueshme të historisë së tyne s’kanë qenë të bashkuem nën nji shtet, por këta kanë thirrë ushtritë e hueja për me shtypë shoqishoqin bash mbrenda kufijve të vet.
E pse pra shqiptarët, të cilët gjithmonë ia kanë vu pushkën të huejve, dhe që qenë faktori ma i parë i pamvarësisë greke, nuk duhet të kenë liri dhe pamvarësi për arsye se s’na paskan qenë kurrë të bashkuem në nji shtet? Siç e dishmojnë vetë diplomatët e sajë, Franca ka hy në luftë botnore vetëm për me i dalë zot integritetit dhe pamvarësisë së Serbisë. Epo, aso kohe, serbt nuk kanë qenë të bashkuem me Kroaci e Mal të Zi e Sloveni, me të cilët sot po thohet se na qenkan të tanë prej nji fisi. Mirpo nuk po kuptohet qartë arsyeja përse sot shqiptarët do të bahen rob të serbëve dhe të grekëve. A për arsye se deri dje edhe kombi i tyne nuk ka qenë i bashkuem në nji shtet të pamvarun?
Mandej, sa për atë fjalën tjetër që thonë kundershtarët tonë, se kombi shqiptar duhet mbajtun për barbar për arsye se asht i ndamë nder krahina dhe fise, nuk duket se asht ma me themel se ato të shpifunat e tjera mbi të cilat u fol ma sipër. Tuj qenë e themelueme jeta shoqnore mbi bashkësi të interesave, prej vetit vjen si rrjedhojë se shteti, i cili ngallitet (mbahet gjallë) prej asajë bashkësie, nuk mund të përshtrihet ma përtej se sa i mbërrin forca që do t’i mbrojë ato interesa. Tash, tuj qenë se populli shqiptar, për shkak të pushtimeve të huej të vazhdueshme, nuk mujt me i organizue forcat e veta në mënyrë qi me mbrojtë e me drejtue interesat e përbashkëta të kombit, këtij iu desh domosdo me u nda në disa grupe ma të vogla, e aty, përmbrenda qarkut të mundësisë që natyra dhe pozicioni gjeografik u jipte do familjeve me u vëllaznue dhe me i mbrojtë interesat e veta, me modelue “shtetin” e me organizue jetën e vet shoqnore. Dhe ky ishte i vetmi sistem jete shoqnore që mund të realizohej deri më sot në Shqipni. Në njanën anë shqiptari nuk donte t’i shtrohej pushtuesit të huej, në anën tjetër pushtuesi i huej nuk e lente shqiptarin me i organizue forcat e veta në mënyrë që ky ta shtrinte pushtetin e vet mbi të gjithë kombin. Shqiptarit iu desh me e lokalizue pushtetin e vet në krahina të veçanta tuj i mbajtë së bashku parimet e kanunit kombëtar si rregull jete. Prandej fakti që kombi shqiptar gjindet i ndamë ndër fise, nuk rrjedh prej shpirtit të tij ekcentrik dhe barbar, por prej faktoreve të përjashtme të cilat ai nuk kishte mënyrë se si me i shndërrue. E, me e vertetue se kombi i ndamë në shumë fise nuk asht gjithmonë barbar, mundet me u vërtetue edhe prej historisë. Sllavët e Malit të Zi, ku prej forcës së pozicionit gjeografik të vendit, ku edhe se vetë e kanë zanat pushkën, gjithmonë kanë qenë të lirë e më vete. E për ma tepër, për ma se 50 vjet rrjesht, sa mbretnoi mbi ta Nikolla i I-rë, kanë pasë nji formë qeverie të thuesh kryekëput si nder kombe të tjera të qytetnueme. E mirë pra atëherë: Në të tanë Malin e Zi, kur ka nisë lufta turko-ballkanike, ka qenë vetëm nji shtypshkrojë e vetme qeveritare si dhe kanë pasë nji të vetme fletore politike, e edhe kjo qeveritare. Por nuk ka pasë asnji shkollë të mbajtun me paret e popullit. Ndërsa që në Shqipni, që prej viti 1908, kur qe shpallë Konstitucioni i Turkisë, e deri në fillim të luftës ballkanike, pra në ma pak se katër vjet, u ngrefën shtatë shtypshkronja, u themeluen ma se njizet fletore politike e të përkohshme, u çelën nji shkollë Normale e nja tridhjetë të tjera fillestare, e të tana të veçanta e të mbajtuna vetëm me pare të kombit shqiptar.
U përpiluen të tana tekstet për shkollat fillestare e disa edhe për shkolla të mesme. E kështu, sot më sot, mësimi jepet shqip ndër të gjitha shkollat e Shqipnisë. Janë botue edhe shumë vepra letrare me randësi të cilat e kanë çue nalt ndjesinë kombëtare tuj i dhanë në pak kohë shumë zhdrivillim gjuhës shqipe, fakt ky që, në kohë të pushtimit austro-hungarez, kjo gjuhë qe përdorue për gjuhë zyrtare ndër të gjitha zyrat administrative. Mbrenda kësaj kohe qenë mbajtë tre Kongrese Gjuhësie ( pra nuk është Kongresi i parë i gjuhës shqipe ai i mbajturi në vitin 1972) si dhe qenë disa shoqni letrare, e tj. e tj… E gjithë kjo veprimtari asht zhvillue pa kurrnji ndihmë prej anës së qeverisë.
E po përse tash, inteligjenca sllave, e cila në Mal të Zi, gjatë 50 vjetëve jetë kostitucionale nuk përfton kurgja të re në lamë të qytetnisë, na duhet sot të mbahet si ma e naltë dhe ma e hollë se inteligjenca shqiptare e cila në pak vjet krijoi nji gjuhë letrare dhe asht e ngjizun me nji mentalitet të ri për kombin? Zotni! Le të lihet nji herë në paqe shqiptari dhe le t’i jepet kohë me nxanë, dhe atëherë ju keni me pa se ai ka me shkue gjurmë më gjurmë ( hap pas hapi ) me kombe të tjera të Ballkanit gjatë rrugës së qytetnimit dhe të përparimit.
Kombi shqiptar i ka dhanë burra në za për urti perandorisë së Bizancit. Diplomatët ma të mirë dhe gjeneralët ma të vlefshëm të mbretnisë së turkisë, shqiptarë kanë qenë. Shqiptar ka qenë edhe statisti italian Françesk Krispi, kështu shqiptar ka qenë edhe Papa Klementi i XI-të si edhe Kardinal Albani. E në se bazohemi në memorandumin e shkruem nga Venizellosi, të cilin ia ka paraqitë Konferencës së Paqes, shqiptari asht sot edhe gjeneralisimi i ushtrisë greke.
Por, për me ju a mbushë mendjen edhe ma mirë se kombi shqiptar nuk e ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit, këtu due me ju pru fjalët që shkrimtarë me vlerë kanë lanë të shkrueme mbi shqiptarët. Shkrimtari francez Hecquard, në librin e vet “ Histoire et descriptions de la Haute Albanie” , ka shkrue se në histori të shqiptarëve “ndeshen prova të lumnueshme energjie, inteligjence dhe aktiviteti.” Ma poshtë thotë: “Ata kanë ruejt doket e burrninë ashtu si vetëm mund ta ruejshin burrat e hershëm të cilëve u këndohet kanga. Për ma tepër, githmonë këta i kanë dhanë burra në namë e në za Greqisë së hershme, Perandorisë së Bizancit, Turkisë e Greqisë së kësokohshme”. Mandej Lordi Bajron gërthet nga ana e vet: “Përmbi karpa të Sulit e gjatë bregut të Pargës, ka burra si veç motit i bajshin nanat dorike; atje ka ende do familje për të cilat kisha me thanë se janë të fisit e të gjakut të Heraklidëve.” Dëshmi janë këto, Zotni të mij, të cilat kishin me ja shtue namin edhe nji kombit ma të madh e të qytetnuem.

Tash, Zotni, mbasi ju diftova se kush janë dhe shka janë shqiptarët, më duhet t’ju flas për të drejtat e tyne. E po ju tham se shqiptarët kanë të drejtë
a) për nji pamvarësi politike;
b) gjithnji mbrenda kufijve gjeografikë e etnografikë të Shqipnisë. Mbi pamvarësi të kombit shqiptar nuk kam shumë fjalë me ju thanë. Dihet se kjo e drejtë ka qenë njohtë, sigurue dhe dorëzanue me nji traktat të Pushteteve të Mëdha të Antantës, pra, me fjalë të tjera edhe prej Francës, që prej Nandorit të vitit 1912 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Këto Pushtete mandej ia kanë ba me dijtë botës mbarë se traktatet ndërkombëtare ata nuk i mbajnë për shtupa letre, por i respektojnë si akte të cilat prekin nderin e kombeve që i kanë nënshkrue. E njimend, po e zamë se anglezi thotë se ja ka nisë nji lufte të përgjakshme e të shëmtueme, por këte e ka ba vetëm për erz të firmës që ai e ka pasë vu për pamvarësi dhe neutralitet të Belgjikës. Pamvarsia e kombit shqiptar pra, në se do marrë si nji punë e kryeme dhe e dorëzanueme mbi erz të kombeve të mëdha të Europës, tash ne nuk na mbetet tjetër veçse me folë për kufij të natyrshëm të shtetit shqiptar, dhe kjo asht nji çashtje po aq me randësi sa edhe ajo e pamvarësisë.Pushtimet e hueja dhe intrigat e paemen të nji diplomacie bakalle të pashpirt e të pazemër, kaq fort ia kanë shndërrue dhe perçudnue fizionominë gjeografike dhe etnologjike Shqipnisë, saqë sot nji i huej, sado i drejtë dhe i papajambajtas (që nuk mban anë) memzi mundet me e njohtë me nji të këqyrun. Edhe nji nanë shpesh e ka të vështirë me e njohtë fytyrën e të birit kur këtë t’ia ketë përçudnue me varrë e me përgjakje arma e armikut. – Prandaj lypset të përcaktojmë ma përpara disa kritere të sigurta mbas të cilave mandej me përskajue kufijt e natyrshem të Shqipnisë. Simbas parimit të autodeçizionit, sejcili popull që mund të thotë se ka nji homogjenitet të pakëputun e të pandamë në vetvete, ashtu si ky përcaktohet prej klauzolave të teorive willsonjane, ka të drejtë, ose në mos tjetër do të kishte të drejtë që ai vetë me e nda kuvendin mbi sharte të veta politike e ekonomike dhe me u nderue si shtet i lirë dhe i pamvarshëm. Ky shtet, masandej, gjeografikisht do të përshtrihej deri ku kapet kombësija e pandame e vijueshme e atij populli. E në rast se në ndonji skutë toke të këtij shteti gjinden të shartuem elemente të huej, aty vullneti i popullit do të vertetohej nëpërmjet të nji plebishiti, mandej liria e tij do të jetë e dorëzanueme dhe e sigurueme siç duhet dhe sa duhet.
Simbas këtyne parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti shqiptar të përshtrihet gjeografikisht deri ku mbërrin kombësia e popullit shqiptar e vijueshme dhe e pandame prej centrit të vet. Sepse tagri i autodeçizionit nuk asht e lidhun me individë ose me grupe të caktuem njerëzish, por me nji “avrom” të gjithëmbarshëm prej të cilit përbahet kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet tokës së Shqipnisë, i pambështetun mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet dhunshëm dhe me të padrejtë. Por në bazë të cilit kriter ka për të mujt me u caktue të përshtrimit e kombësisë shqiptare? Mbas gjuhës, i vetëm ky në këtë rast asht kriteri ma i patundshëm dhe që nuk mund të lihet kurrsesi mbas dore. Populli shqiptar flet nji gjuhë krejt të veten që, tuj lanë mënjanë transformimet e natyrshme të elementëve të cilëve nuk i ka pshtue asnji gjuhë tjetër deri më sot, kurrfare nuk mund të unjisohet me gjuhë të tjera keltike, latine, gjermanike, sllave ose helenike, me përjashtim ku puqet me to me rranjë të bashkueme indo-gjermane. Prej këtej pra rrjedh që që të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë, kanë një kombësi krejt më vete e krejt të ndame prej asaj të kombeve të tjera të Europës. Sepse nuk ma merr mendja që nji tjetër popull i gjallë i Europës t’ia ketë imponuar shqiptarit nji gjuhë që dhe as nji tjetër popull europian mos ta ketë folë. Për ma tepër, nji gjuhë e dekun, nuk i imponohet nji populli mbarë. Por as populli shqiptar nuk ka mujt me ia tatue popujve të tjerë gjuhën e vet.
Gjuha tatohet ose me forcë të armëve, ose me forcën e kulturës e të qytetnimit. Por si prej njanës, si prej tjetrës pikpamje, shqiptari nuk ka qenë ma i fortë se popujt që ka përbri. Prandej nuk ka si të mohohet se të gjithë ata që flasin shqip, janë të kombësisë shqiptare. E për këtë arsye, shteti sqiptar, duhet të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshin gjuha shqipe. Tuj pasë caktue këto parime ose kritere, të shohim tash se cilët do të jenë kufijt gjeografikë të shtetit shqiptar. Por, per me u diftue krejt të papajamajtshëm në këtë çashtje plot me gënjeshtra si dhe aq pahijshëm shoshitë prej armiqve, këtu unë due me ia lanë fjalën, Zotni, shkrimtarit tuej të sipërpërmendun, z. Rene Pinon i cili ka qenë në Shqipni dhe e ka pa vetë me sy tuj e prekë vetë me dorë se kush mundet me pasë arsye mbi këtë çeshtje.
Zotni Pinon pra, në artikullin që prumë prej “Revue des deux mondes”, tuj folë mbi kufijt e Shqipnisë, thotë: “Prej fushave të Vardarit e deri në Adriatik, prej Thesalisë e deri në Mal të Zi, zot toke asht shqiptari, në daç sepse ky hyni këtu mbrendë ma i pari, në daç sepse ky ndolli ma i forti”. E tanë krahina e Kosovës e cila prej Konferencës së Londonit (1913) i qe lëshue Serbisë, dhe mbarë Çamëria, “Epiri i Nordit”, të cilin e lakmon aq shumë Greqia, janë të banueme kryekëput prej shqiptarësh dhe prandaj e drejta e lypë që të numrohen me shtet shqiptar. “
Dhe mos të mendohet se zotni Pinon asht shty tepër me këto fjalë, sepse e vërteta e këtyne fjalëve duket çiltas edhe prej statistikave të cilat qysh prej vitit 1909 e tektej, janë ba përmbi proporcione etnologjike të popullsisë së Shqipnisë. Prej këtyne statistikave zyrtare del në shesh se në krahinat e lëshueme prej Konferencës së Londonit serbëve dhe grekëve, të paktën, 80 përqind të popullsisë janë thjesht shqiptare. Serbt na thonë se banorët e Kosovës me prejardhje janë të gjithë sllav, por, gjithnji siç thonë ata, përdhuni dhe me kohë janë çoroditë tuj u kthye në shqiptarë. Këtë fjalë e thonë edhe grekët për banorët e Epirit të nordit. Por ata nuk thonë të vërtetën sepse, po të ishte e njimendët se banorët e Kosovës janë sllavë dhe ata të Epirit të nordit grek, atëherë serbia nuk do të kishte mbytë e gri deri më sot afro dyqind mijë vetë në Kosovë dhe Greqia nuk do të kishte djegë ma se treqind e gjashtëdhjetë katunde në Epir të nordit tuj e kryqëzue gjinden përsëgjalli, posë atyne pesëdhjetë mijë vetave që i kanë vra dhe i kanë lanë me dekë prej urie dhe sikletit.
Popujt e qytetnuem munden, po, në furinë e nji kryengritjeje me vra në trathti mbretënt e mbretneshat e veta e me i dhunue trupat e tyne mbas vdekjes, por nuk mbrrijnë kurrë me gri – e në ç’mënyrë mandej! – me qindra e mijëra vëllazën “bashkëqytetarë” të vet. Qyshse serbt kanë vra me qindra mijëra njerëz në Kosovë, dhe grekët kanë djegë qindra e qindra katunde në Epir të nordit, dëshmon qartë se as banorët e Kosovës nuk duhet të kenë qenë serb, as ata të Epirit të nordit nuk kanë qenë grek.
Jo jo, Zotni të nderuem! Janë vra gjindja me qindra mijëra në Kosovë dhe janë djegë me qindra e qindra katunde të Epirit të nordit për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën shqiptare në ato krahina për me mujt me i thanë mandej Konferencës së Paqes se atje nuk ka shqiptarë. Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant.” Pra, sa ta kenë shkretnue vendin, do të venë mandej paqen.
Por për me i forcue ma tepër fjalët e z. Rene Pinon mbi kufijt e Shqipnisë, këtu due me ju përmendë se çka shkruente mbi këtë çashtje Lordi Fritznaurice, mis i Komisjonit të Rumelisë Lindore, mbi Foreign Office e që masandej qe botue në nji Libër Bleu (në diplomaci – asnjanës) të vjetës 1880. Ai shkruen: “Për me folë se shka asht kombi shqiptar, i bie me u përshtri edhe mbrenda kufijve të Serbisë e të Malit te Zi. Krahina e Kosovës, shka merr prej Mitrovice e poshtë, asht krejt shqiptare dhe ka vetëm nji skundill fort të vogël serb. Statistikat bullgare e greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë pretendimet e veta mbi Monastir, Ohër e Korçë, janë mbështetë në rrena e leni ma ato pretendime të Greqisë që janë ba pa kurrfarë turpi.”
Qe pra, Zotni, se deri ku duhet të përshtrihet Shqipnia e ç’kufij duhet të ketë shteti shqiptar. Mbas dëshmisë së këti diplomati ingliz në za, Konferenca e Paqes kishte me ba nji paudhni të përgjakshme po nuk e nxuer e nuk ia ktheu Shqipnisë ato tokë të cilat Konferenca e Londonit, kundra çdo gjyqi e drejtësie, në vitin 1913 ia shkëputi Shqipnisë për me ia lëshue grekëve dhe serbve.
Tuj ju falë nderit me gjithë zemër për mirësi që keni dashtë me më dëftue në këtë rasë, do ta mbyll këtë ligjeratë të përvujtë me ato fjalë që me 24 nandor 1880 thonte në Parlamentin italian Madero Savini kur Europa pat çue anijet e veta përpara Ulqinit për me e ngushtue Turkinë që me ia lëshue Malit të Zi tokët e Shqipisë. E qe çka foli në atë rasë deputeti italian: “Pse francezve nuk u mbushet mendja me heqë dorë nga Alsace-Loren? Pse nuk do të guxojshit ju, deputetë italianë, me heqë dorë prej viseve italiane që gjinden nën Austri ? Pse i keni dalë zot Greqisë kundra Turqisë në Kongresin e Berlinit ? Vetëm mbështetun në parimin e kombësisë! E pra, kujtoj unë, se, për me qenë burra fjale, ne na duhet me thanë edhe për Shqipni ato çka thamë edhe për të tjerë në Paris, Romë, Athinë, Varshavë… Në mos paça harrue, siç kam ndi prej profesorëve të mij, Grotius ka pasë thanë se tashma asht ba si zanat me ua shndrrue zotin popujve. Por përkundrazi, Jan-Jacques Rousseau gërthet: “Ani, ndërrojani zotat, por të paktën pyetni këto bagëti njerëzore që quhen popull !” (rtk)

Historia 2300-vjeçare e “shqiptarëve” të Qafiristanit

historia-2300Kjo është një temë disi e rrahur në shtypin shqiptar në formën e një kërshërie, kurioziteti shkencor, por asnjëherë nuk është marrë me seriozitet nga autoritetet tona shkencore, megjithëse kemi të bëjmë me një rast unik të ekzistencës të paraardhësve tanë, ilirëve, në një cep tjetër të botës, me mijëra e mijëra kilometra larg, që mund të hedh dritë mbi historinë e tyre, por edhe mund të pasurojë historiografinë tonë. Ngaqë, ka qenë një vend i izoluar për mijëra vjet, atje janë ruajtur të gjalla tiparet popullore, gjuhësore e zakonore pellazge-ilire-arbëreshe-shqiptare.

Ekzistencën e Ilirëve në rajonin e madh gjeografik të Indokinës, në Qafiristan (sot Nuristan), një vend ku piqen Afganistani, Pakistani, Kina e Taxhikistani, dhe pikërisht në atë zonë ku para disa kohësh u vra Bin Ladeni, fillimisht e ka zbuluar shkrimtari amerikan James Hilton, me veprën e titulluar “Horizonte të humbura” (Lost Horizon). Më pas, në maj 1983, në gazetën “Lidhja” të Antonio Belushit ka shkruar Ernesto Skura shkrimin me titull “Ilirët në Afganistan”. Të njëjtën gjë ka bërë në librin “Arvanitasit”, historiani i madh me prejardhje shqiptare, Aristidh Kola, i cili dëshmon kohën e vendosjes së ilirëve në atë vend të largët.

Historia e hulumtuar deri më sot tregon se këta janë pasardhësit e 6000 luftëtarëve ilirë të larguar nga shteti i tyre pas vrasjes së mbretit Kliti, nga Aleksandri i Madh, rreth vitit 300 para erës sonë. Ata ngelën andej, për shkak të largësisë nuk mund të ktheheshin në atdhe, por u vendosën në atë rajon ku u detyruan të martoheshin me gra vendase. Gjuha e tyre quhet burrashka, gjuha e burrave, ndërsa gratë flisnin gjuhën tjetër. Tani kjo gjuhë përsëri quhet burrashka, por është e përzier dhe nuk shkruhet.

Karakteristikat e banorëve të Hundëzës janë të ndryshme nga ato të pakistanezëve: ata jetojnë gjatë, janë shtatlartë dhe kanë flokë gështenjë, bëjnë dhe pinë verë si askush tjetër nga zonat dhe rajonin ku jetojnë. Lugina ku jetojnë quhet në ditët e sotme Hundëza (Hundë e vogël) dhe me të vërtete kjo fushë mbyllet me një hundëz midis dy maleve që e rrethojnë. Një tjetër vendndodhje moçalore quhet Balta. Mali përballë quhet Torabora (Tu ra borë). Një mal tjetër ngjitur me luginën është i mbuluar me akullnaja, të cilat rrëshqasin me kalimin e kohës. Ky mal quhet Rakaposhi (Ra kah poshtë).

ilirians_2300Edhe pse vendi është malor, ai është shumë pjellor në prodhimin e zarzavateve, frutave e drithërave të ndryshme, si për shembull: patate, bizele, kastravecë, grurë, misër, elb, kajsi, dardhë, mollë, pjeshka, kumbulla, fiq, qershi, rrush, shalqi etj., që nuk i kultivojnë vendësit. Banorët janë bujq (arë-bërës) të shkëlqyer dhe kanë krijuar një sistem mahnitës e madhështor tarracash dhe vaditjeje për to. Kanalet kullues, që lidhin dhe ushqejnë tarracat me ujë quhen Kulluse. Njerëzit janë shumë mikpritës dhe ndihmues të njëri-tjetrit. Kryetari i Hundzës e ka titullin Mir (Më i miri). Festa më e madhe është Viti i Ri diellor (ashtu si pellazgët, arbëreshët), quhet Naurosh (Na uro) dhe bie më 21 mars.

Hundëzakët janë shumë të ndryshëm në krahasim me pakistanezët me lëkurë të errët apo me afganistanasit, taxhikistanasit e kinezët. Hundëzakët janë të bardhë dhe me mollëza të kuqe. Shumica e 50 mijë hundëzakëve kanë sy të kaltër, të gjelbër ose bojë hiri dhe flokë që kalojnë nga e verdha e misrit tek e zeza e korbit. Disa fëmijë kanë edhe flokë të kuq.

Lart në male është një fis i madh që quhet Kalash dhe ngjashmëria e tyre me paraardhësit evropianë të lë me gojë hapur. Perënditë e Kalasheve kryesohen nga perëndia Di-Zau (Diell-Zeus). Kalashët skalisin në portat e tyre edhe një gjë që shpreh origjinën e tyre të lashtë ilire dhe lidhjen e tyre me Aleksandrin e Madh: dy brirë dhie (edhe Skënderbeu dy brirë dhie kishte në përkrenare). Një lule të egër me ngjyrë të verdhë, që fëmijët e mbledhin në mal apo fushë e quajnë Bisha. Burrat veshin pantallona të bardha që i quajnë Shalëvare (shalë të varura), ndërsa gratë bluzën e tyre e quajnë Kamishë (që vishet në misht). Vallet e hundëzakëve shoqërohen nga daullet, fyejt apo pipëzat dhe valltarët kërcejnë të kapur dorë më dorë në formë rrethi. Një valle popullore e rëndësishme është Vallja e Shpatave, që kërcehet vetëm nga burrat dhe valltarët vishen me rrobe me ngjyra të quajtura Kamarbunde.

Banorët e Hundëzës dhe Baltëzës e dinë origjinën e tyre të lashtë që kanë qenë ushtarë të Aleksandrit të Madh. Ata e lidhin origjinën e tyre me Greqinë, e cila ka patur më shumë kontakt me ta dhe nuk kanë shumë dijeni për Shqipërinë, gjuhën e së cilës flasin, pasi atje nuk ka shkelur asnjë këmbë shqiptari, pavarësisht se ka njëmijë e një arsye për të shkelur e për t’u ngulur mirë.

Dijetari Dr. J. M. Hoffman ka vizituar dy herë Hundëzën dhe ka nxjerrë këto konkluzione: Vendbanimi i ilirëve është aty ku takohen Afganistani, Pakistani, Kina, Taxhikistani, në pjesën e Pakistanit. Lugina ku ata jetojnë sot quhet Hundëza (Hundë e vogël). Kjo fushë mbyllet me një hundëz, rrethohet nga dy male 6000-7500 metra mbi nivelin e detit. Një vend moçalor aty quhet Balta. Pllaja e Hundëzës është 2300-2700 metra mbi nivelin e detit. Vendi ku banonin ilirët më pas u quajt Kafiristan (të pafetë, qafirët), sot e quajnë Nuristan.

Ata pinë verë të përzierë me ujë, si paraardhësit e tyre. Jetojnë shumë vjet, pinë shumë ujë që rrjedh nga akullnajat, pinë çaj me rrëshirë shkëmbi (që e quajnë shëlli-rë). Nuk pinë kafe ndërsa janë shumica vegjetarianë.

Gjuha e vendit illirian Makedhonia ishte Skipja – Shqipja e Lekës së Madh, e të atit të tij, Filipit të Makedhonisë. Ishte ajo gjuha që nuk e kuptonin autorët antikë, të cilët nga mëria ekspansioniste e quanin shqipen e vjetër edhe gjuhë barbare (“Aleksandri i Madh fliste një gjuhë barbare, që nuk ishte as greke dhe as latine”). Ishte ajo shqipja e Lekës së Madh, e përcjellë gjatë pushtimeve të tij në Aleksandri, Hindi, po ashtu deri tej illerit gjërman, në rrafshin trekontinental afriko-azio-evropian. Leka i Madh nuk pushtoi vetëm ushtarakisht, por edhe kulturalisht antikitetin botëror të kohës. /Zylyftar Hoxha/Tetova News/Telegrafi/

LISAT E KULLAVE TË BARDHA, JANË TË PAVDEKSHËM !

Nga Fritz RADOVANI:

Mirditë, mos mbaj zi per Kapidanin Tand Kreshnik Dedë Gjomarkagjoni!
Kullat Tua vazhdojnë me kenë të bardha si biluri!
Lisat pranë Atyne Kullave rriten, rriten e nuk ka çka u ban as stuhija, as rrebeshi, as rrufeja dhe, as “drapen e çekani apo pushka e kazma” barbare e komunizmit!Ata Kulla nuk i skuqi as nuk mujt me i nxi as zjarri zharitës i tradhëtarëve t’ Atdheut!
Edhe pse e mbetun pa asnjë njeri të Atij Fisi, qendronte madhështore e krenare!
E vetmja shpresë e njëdite “ma të mirë” ishin dallëndyshët që hynin e dilnin nga dritaret pa xhama e korniza druni, të mbetuna në mëshiren e murrlanit e shirokut të Shkodres…
Asnjë shenjë jete tek ajo kullë per vite të tana… Përveç emnit, Kulla e Markagjonëve!
Historia e vërtetë e Kullave të Malësorëve të Veriut asht një volum në vete, sëpse, edhe lufta per rrafshimin e Tyne kje një program në vete. Gjithshka e parashikueme me një saktësi dhe pashpirtësi barbarësh, ku “shqiptari” kundër Shqiptarit u ba si bisha.
Edhe shumë vite kanë me kalue pa e besue njerëzit historinë e vërtetë të Atyne Kullave.
Ua vranë burrat e djelmët e Atyne Kullave…Ua interrnuen Nanat plaka e nuset e reja me fëmijë nder djepa…Ua plaçkitën gjanë e mallin e bagëtinë…Dhe, ua vune zjarrin derisa edhe muret e tyne u kthyen në grumbuj gurësh… Një vend vërtetë i shkretnuem…
Shqipnia e Veriut mbas vitit 1944 u kthye në një germadhë e çerdhe varfnije…ujqish.
Kjo ngjau në Mirditë, ku qendresa antikomuniste kje ma e gjata, po kjo flakë zharitëse kishte shkretnue që në ditët e para ku shkeli kamba e “çlirimtarëve” sllavoshovenistë, me yllin e kuq në ballë, nën masken shfarosëse komuniste që përsa shekuj e kishte andrrue këte 29 nandor të zi të vitit 1944, fillue nga Maja e Vermoshit e deri ku kishte Shqiptarë nder viset e Tepelenës e poshtë në Çamëri, ku pushka zevendsonte jestekun…
E Shqiptarët ishin po, në Kelmendin e Prekë Calit, Dedë Cokut t’ Bregut Matës… Pukës së Mirakajve, Hotnjanëve të Gjelosh Lulit, Shkrelasve dhe Shllakasve ku kriste pushka e Gjergj Vatës e deri nder shpellat e Dukagjinit ku flinin Trimat e Lekës… Bash aty ku ishte Zef Kolë Prela që me një kunjë shkrepse të ngjymë me gjak të vet, i tregoi Nanës se po vritej i pafaj vetem, se donte me zemer Atdheun…Pak ma pertej ishte edhe Muharrem Bajraktari, që plumbi nuk e kapte se ishte betue me vdekë për Atdhe të Lirë!
U vranë dy vllaznit Mark e Llesh Gjon Markagjoni… Po Shqipja e Atyne Bjeshkëve nuk e derdhi “pasha një pikë lot”! E Nana me vajzat e veta të internueme u mbluene në zi… Mirdita u dogj e zjarri i saj mori dheun mbarë. Motrat humbën vllaznit… E i vetmi vlla i mbetun në prangat e kriminelëve komunistë Deda i Gjonit Markagjonit, kalbej burgjesh.
Heu ju Bjeshkët e Nêmuna shumë gjakun keni pa e, shumë pushken keni dëgjue…
Edhe Tokës sate i vjen edhe sot era rub… Nuk mbet një lis pa plumba në trup të vet…
E pse?! – Vetem se hasmi shekullor donte shkimjen e Atyne Kullave të bardha si vetë kësulat e veshuna per majet e Atyne Bjeshkëve Heroike e të Pathyeshme.
Fort po shndritë ai diell, e pak po nxenë…Fillonte dikur një vjerrshë…
Dedë Gjon Markagjoni asht një prej Herojve të burgjeve shfarosëse komuniste ndoshta, pak i persëritun në krejtë Lindjen komuniste… 46 vjetë tortura, burg e interrnime.
Edhe Dedë Gjon Markagjoni (1921 – 2015) që në vitin 1944 pra, 23 vjeç, filloi Kalvarin e pafund bashkë me të gjithë familjen e vet, që masakrat nuk ju ndanë asnjëherë…
E pse?! – Ishte dhe mbylli jeten i martirizuem per Kryqin, me etiketen “antikomunist” !
Kje dënue në 1944 me 5 vjetë burg…U mbajt 3 vjetë në tortura në sigurimin e shtetit, dhe mbas izolimit u dënue 7 vjetë… u interrnue .. u dënue…u dënue…u interrnue… Vetem për një shkak: “Nuk pranoi me u ba agjent i sigurimit të shtetit gjithë jeten e Tij!”
Nga viti 1944 Deda u arrestue dhe u dënue katër herë, bani rreth 4 vite hetuesi, vuejti mbi 16 vite burg dhe 31 vjetë të tjera, ishte i interrnuem në kampe shfarosje…
E deri kur nder pranga e tortura? Deri në vitin 1990… Në moshen 67 vjeçare lirohet dhe vjen në vitin 1991 në Kullen Markagjonëve në Shkoder…Me motrat e veta të Nderueme dhe nipin e vet të dashtun Gjonin e Markut Markagjonëve, të cilin shpejtë Zoti, e mori në Mbretninë e vet… Një plagë e pasherueshme kurrma e Fisit Markagjonëve…
Në vitin 1991 u njoha me Dedë Gjomarkun… I papersëritshëm ai takim në dhomen e Tij të pritjes, krejt e boshatisun e vetem me dy karriga…Ku, Motrat e Tij e rikthenin atë dhomë me pritjen e perzemert të Tyne, në një Salon Princor të Mirditës Heroike!
E pyeta rreth Golgotës së Tij se, shka të ka mbetë në mendje nga 46 vjetë tmerri?
Bani buzën në gaz, më shikoi dhe filloi një nga episodet e hetuesisë së dënimit të fundit:
“Më torturoj një hetues keqas, më gjakosi aqsa kaloi gjaku nen thesin që më kishte lidhë në fyt, gjoja mos me njollosë rrobat… Kur fillova me ardhë në vete mbas sa kohe s’ e dij, vetem, e shikova drejtë e në sy… Ai më tha: Pse, po më shikon mor qen e bir qeni?…
Vazhdova me e veshtrue pa mu tutë syni drejtë e në fëtyrë… He, mor qen, më tha, a po mendon se çfarë do më kishe bërë po të vij koha yte, or reaksionar i qelbur… Edhe po të vij koha yte or qen, ligjët tua nuk të lejojnë kurrë për të bërë ate që bëjmë neve me ligjët tona! Pikërisht këtu, qendron forca e diktaturës së proletariatit!.. A more vesh tani?!
Shiko, i thashë: Unë jam Shqiptar, po jam edhe Katolik. As nuk më shkon mendja kurrë me masakrue një vlla të timin Shqiptar, ashtusi veproni ju me ne. Ndersa, si besimtar në
Zotin dhe trashigimtarë i Prindëve të mij të Nderuem në mbarë Mirditen, as nuk dij shka domethanë me vra, me masakrue, me vjedhë, me torturue dhe me gjakosë Njeri, kjoftë edhe fajtorë, se për të pafajshëm asnjëherë në jeten teme! E këte mësim e kam marrë njëherit me qumështin e gjiut Nanës seme, që sot nuk i dij as Varrin… Prindët tanë na mësuen me dashtë Shqipninë e Shqiptarët pa dallim Feje, se jeni vllaznit tonë!
Unë do të vdes pa e njollosë emnin e Prindëve të mij, do të vdes pa pranue kurrë me ju sherbye ju, se per këte kanë dhanë jeten e vet Vllaznit e kushrinjtë e mij, per këte po vuejnë Motrat e mija e gjithë Shqipnia, dhe se kjo, asht edhe Ndera e fisit tim!”
Kur u ndame heren e fundit në vitin 2000… Ju mbushën sytë me lot…
E mue, fjala mu pre…
Lisat e Atyne Kullave të Bardha janë Herojë të Pavdekshem të Popullit Shqiptar!

Melbourne, 25 Janar 2015.

SA AKTUALE !!.. MBAS 101 VJETËSH…

Nga Fritz RADOVANI:
Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…●Atdhetari Mark Kakarriqi, një bashkpuntor i Luigj Gurakuqit dhe Ismail Qemalit, per ngritjen e Flamurit kombtar në Vlonë, me 28 Nandor 1912, edhe ky i “harruem”…
Në vitin 1913 ishte aksioner në Vienë. Një gazetar e pyeti për luftën e shkodranëve në mbrojtjen e qytetit të Shkodres, të rrethuem nga malazezët: Po kur, të mbarohen burrat, çka keni ndër mend me ba ju? Marku e shikoi… dhe iu pergjegjë shumë gjakftohët:
– “Keni harrue zotni, se luftën tek né do ta vazhdojnë gratë trimnesha!”
●Tue shikue foton naltë mu kujtue thanja e Mark Kakarriqit dhe pyeta veten:
Cila këtu nga këta Vajza Shqiptare në 28 Nandorin e 2014… nuk asht Nora e Dedë Gjo’ Lulit, Tring Smajlja, Kupe Danja, Katrin Tomja apo Shote Galica? …
E pikrisht, për këto Vajza, ka këndue i madhi At Gjergj Fishta:
“…Edhe t’ mirë po e kisht’ ba nana:
Ardhun shtatit si “breshana”,
synin hyllë, ballin si hana,
dishka njethë si molla n’ gêm:
qi ka dalë m’ ka ashtu té dera,
sikur ban me çilë pranëvera;
sikur ban dielli me dalë
nepër aha, brej e halë:
Kaq gja t’ mirë Zoti ka falë!
***
E ta dijë Knjazi n’ Cetinë,
se edhe n’ qitët Shqiptarët ai fare,
der’ t’ jetë gjallë ndo’i bijë Shqiptare,
qi per erz, Besë, e Atdhé,
këto edhe desin si me lé…”
At Gj. Fishta, TRINGA tek “Lahuta e Malcis”
●101 Vjetë që këta dy Burra vlersonin dhe PARASHIKONIN …
Melbourne, Dhjetor 2014.

ARKIVI I HARRESËS

Nga Fritz RADOVANI: Pjesa V.

“TURQIA NA NXORI NGA EUROPA…
ENVER HOXHA NA NXORI NGA KENJA NJERI !”
Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…■Këte libër me titull “ARKIVI I HARRESËS”, Ua kam kushtue Ejllorëve të Drishtit…
Atyne Paraardhësve të mij që nuk “harruen” me na lanë Formulen e Pavdeksisë së Atdheut, Fesë, Gjuhës, Historisë Kombtare, po, dhe të gjithave bashkë, të vulosuna me Gjakun e Popullit Shqiptar në luftat për Liri dhe Shqipni Europjane, nën drejtimin e Mbrojtësit të qytetnimit Europjan Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, – nën valvitjen e Përjetëshme të Flamurit tonë, me Shqipen Dykrenare, Flamur të cilit, i këndoi për shekuj të shekujve Poeti ynë kombtar At Gjergj Fishta O.F.M., që në vitin 1913…
■Një Popull ndër ma të vjetrit n’ Europë, i sulmuem për me u shfarosë ndër shekuj…
■Një Popull i rrethuem me heshta dhe i gjuejtun me topa ndër shekuj…
■Një Popull i Pathyeshëm me mburojen e Kastriotit nga armët e anmiqëve shekullor, edhe pse pa bukë, pa ujë, dhe pa asnjë ndihmë në Botë, po me Histori Legjendare!
■Një Popull ku, që në Shekullin e Parë mbas Krishtit, Luftoi dhe Fitoi per “Atdhé e Fé”!
■Një Popull që ma shumë ka Kështjella e Kisha, të “rrethueme” dhe të mbytuna në Gjakun e Mbrojtësve të Tyne, se gjithë bota që e rrethon me mëni e pabesi…
■Një Popull që i dhuroi Botës, mija e mija Martirë që me Gjakun e Tyne të Shenjtë, vune thëmelet e Qytetnimit Botnor, në kontinentin Europjan… Lè të flasin Arkivat!
■Një Popull i robnuem nga romakët, bizantinët, turqit, bullgarët, malazezët, serbët, grekët, italianët, holandezët, austro – hungarët, kroatët, gjermanët, jugosllavët, rusët, kinezët, dhe gjithnjë në Shek. e XX, i shitun nga tradhëtarët… Po, asnjëherë i tjetërsuem!
■Të gjithë zaptuesit barbar luftuen për tjetërsimin e Fesë, gjuhës, historisë, zakoneve dhe dokeve Shqiptare, e ma shpesh se kurrë, për shkombtarizimin tonë… Ikën me faqe të zezë, ashtu si erdhën, pa mujtë me ba një “fshat”, me folë me gjuhën e tyne!
■ “Turqit, jo vetëm, na detyruen me ndrrue Fé, po ma e keqja asht se, edhe na nxorën nga Europa.”, kështu, thonte 72 vjetë përpara historiani e gjuhtari i madh Mustafa Kruja.
■Hoti e Gruda i treguen besnikinë e vet “Lidhjes së Prizrenit” me 6 Prill 1911, po, Gjaku i Atyne Burrave të vramë për Atdhé nën drejtimin e Shtatorës Pavarsisë sonë kombtare, Dedë Gjo’ Lulit, a thue brè Burra, me të vërtetë ka shkue “gjakhuptë” ?!
■U shuen Mësuesit e Parë… U shuen Shkollat e Para… U shuen qytete, fshatra, varreza, përmendore e kompanjela… U shue edhe “Lahuta” shekullore… U shue… “gjithshka” !!
■Por jo, Varri i Gjergj Kastriotit…Përkrenaria e Shpata e Tij Heroike… As Mburoja e Tij! ■Janë vllazen Shqiptarë, janë… Se Zoti, kurrë, nuk humbë Kreatyren e Vet Hyjnore!..
***
■E vetëm frika e një “Lidhjes së Ré” në Lezhën e 1468, në vitin 1941 çoi tradhëtarët tanë, në idenë antinjerzore të zhdukjes së Shqipnisë…Këte herë edhe nga harta e Ballkanit…
■Me 8 nandor 1941, tradhëtarët e Atdheut, ua shitën Shqipninë shovenistëve sllavë, bash bolshevikëve të Titos, “besnikut” të kriminelit Stalin, shfarosës i miljona njerzëve që zhduku nga harta “ndjesitë ma të nalta njerzore”, ndër gulagët e paharrueshme të Rusisë sovjetike! E Europa… shikonte me andje në foto “Takimet e Teheranit dhe të Jaltës…”
■Me 29 nandor 1944, Gjaku i Vllazënve të Jugut, vazhdoj rrëkajen edhe në Veri…
■Që në 21 prill 1943, komunistët jugosllavë formuen “Sigurimin e Shtetit” në Shqipni, (Sherbimi Sekret) instrumentin ma kriminal, gjakatarë, tradhëtarë, vrasës, amoral, ku torturat, policët, agjentët e Sigurimit, pushkatimet, shpifjet, terrori, huni, dhuna, krizmat e automatikëve, survejimi, mashtrim, padija, shnderim, përdhunim e poshtnim, pra një GJENOCIT, që jo vetëm sundoi për 50 vjetë një Popull, tue rrafshue përtokë gjithshka të mirë e njerzore por, shka asht ma e keqja që provoi Shqiptari në fundin e Shek.XX, até që nuk e ka njoh as provue asnjë Popull tjetër në Histori moderne kje se: Komunizmi anadollak ishte mjeti me të cilin Enver Hoxha na nxori nga kenja Njeri!
■Një Popull rreth 1 miljon banorë, i mbytun në gjak nga armët e “çlirimtarëve” tanë, me 29 nandor 1944, rreth orës 5 të mengjesit, do të pranojnë robninë komuniste të Titos, që ngriti flamurin e dhunuem me yllin e kuq bolshevik, në kompanjelin e Fretenëve në Shkoder, pikrisht, aty ku At Fishta me 13 Qershor 1913… Vuni Flamurin e Kastriotit…
■Dhe për të festue “çlirimin” e Shqipnisë, ashtu si kudo kanë vue kambën komunistët, perballë Bashkisë qytetit… Qamil Gavoqi, shprazi armët “trofe” mbi kokat e Shqiptarëve që nuk u pajtuen me okupacionin jugosllav të Shqipnisë… Gjithkah gjakderdhje!
■Vrasje e tretje kufomash në Malësi… Vritet Prek Cali e rrethohen Bjeshkët e Nêmuna, me kriminelë sllavë e malazezë…118 Burra të vramë. E poshtë mbas malit Taraboshit, presin tjerët me la në gjak Berdicë e Anën e Malit, ku qendronte ballisti Abaz Ermenji.
■Vrasje në Hot e Grudë… Vrasje në Male… Vrasje nder qytete… E rreshti i pafund i kosovarëve të premë në besë nga tradhëtarët tanë partizanë, nga Kukësi e deri në Tivar lau me gjak Veriun… Pikrisht nga “herojt e popullit” që sot kerkojnë prap gjakderdhje…
■Tradhëtohen Malësi e fusha, Dukagjin e Kosovë, Pukë e Mirditë, Mat e Elbasan… tue pritë zbarkimin e “Aleatëve”, siç thonte Populli ynë dikur: “Prit gomar sa të dal bar…” è
■Përhapet lajmi i “dorëzimit armëve” e fillon shburrnimi i Malëve, për me ua lirue rrugën pushtuesëve jugosllavë e çlirimtarë, “trima të qitun me yll në ballë!”
■Dhunohet Flamuri dhe Hymni i Tij… E kanga vazhdon bash sikur në vitin 1927…
■Dhunohen shkollat e mbi tryezat e Mësuesit hiqet Gjergj Kastrioti, me vue Titon…
■Dhunohen institucionet zyrtare shtetnore, në çdo zyrë ligjin e bajnë specialistët e Titos, ndërsa, ndër hetuesi përballë “druzhe bolshevikut e çlirimtarit”…Dhunohet Atdhetari!
■Gra, burra, fëmijë, pleq’e të rijë, karvan me nga një strajcë plaçka në shpinë nisen për mos me u kthye kurrma ndër Trojet e veta… Me 15 Maji 1945 fillojnë interrnimet…
■Fshatari “kryenaltë” që mori pushtetin, tue pritë “reformen agrare”, fillon me boshatisë kotecat me bereqetin e vet… Për me ua dergue “popujve vëllezër” të Titos, bashkë me mallin e tregëtarëve të Pazarit Vjetër të Shkodres, që ua kanë premtue per “robninë” që na sollën shegertat partizan me yllin e tyne në ballë! Napolonat ar i duhen Enverit!
■E në darkë ndër sofra… përplasen gotat e rakisë: “Të na rrojë Tito, Stalini e Enveri!”
■Stajanicat e shkreta, a me ua çue një strajcë bukë e pak duhan Burrave ndër shpella, apo me ngopë me mish e pije vagabondat e ndjekjes, që përshndetën për vrasjet e Burrave të Tyne në pabesi, vetëm për me ua ba qejfin sllavit vrasës shekullor.
■Çohen gotat me raki e venë: “Tradhëtarëve plumbin ballit”!.. E në ballin e vet, secili rregullon kapelën partizane “Ushtarët e Stalinit jemi né!”…
■Tek Ura e Bregut të Lumit… Partizani “hero” Xhemal Selimi, vazhdon me thye arrat mbi kokat e Burrave të pushkatuem të Maleve të Dukagjinit…
■Ku janë Emnat e Atyne Burrave që tue pritë ndër shpella Aleatët… U vranë!? Ku janë gropat e herojve Prek Cali, e 118 Burra të Kelmendit, Gjergj Vata, Ndoc Jakova, Gjelosh Luli, Ymer Berisha, Marije Shllaku, Gjergj Martini, Kol Parubi, Kolec Deda, Pjeter e Marije Deda, Cin Serreqi, Dulo Kali, Caf Dragusha, Mark e Llesh Gjomarkaj, Rasim Gjyrezi, Fahri Rusi, Pjeter Pali, Bilbil Hajmi, Gaspër Simon Gaspri, Simon Darragjati, Murat Haxhija, Guljelm Suma, Qemal Dreçini, Kol Prela, Paulin Pali, Muzafer Pipa, Zef Kol Prela, Fisi Mirakaj, Alush Leshanaku, Hamid Matjani, e mija të tjerë…të humbun?
■Po, me Nanat, gratë e fëmijët e Tyne shka u ba?
■Po, me sternipat kur u rritën ndër kampe interrnimi si veproi Partia e Enverit?
■Sa vetë u pushkatuen atëherë ndër Male, e prap mbas 20 apo 30 vjetësh ndër hetuesi e burgje, apo reparte ushtarake deri mbas vitit 1988 me akuza fallco…deri në shfarosje fisesh, tue u vazhdue “lufta e kllasave” edhe “me fëmijët në barkun e Nënës, që do ti bejmë me u drillur, kur të dëgjojnë fjalën komunist!”, ka thanë në 1946, në hetuesinë e Kishës së Fretënve kryexhelati i sigurimit Shkodres, krimineli Zoj Thëmeli…
■Po, sa u zhdukën me gjyq e pa gjyq ndër prroska, zallishta e brigje lumejsh… që edhe sot nuk u dihet Varri as vendi i groposjes vetëm, se ishte Atdhetarë?
■Ku janë Varret e të vdekunve ndër burgjet e Burrelit, Gjinokastrës apo Permetit?
Flisni, o vrasës flisni! Flisni o kriminelët e Vllazënve tuej të Pafaj!
■Veglat e komunistëve gjakatarë të mbledhun “grusht çeliku rreth PPSh” pranë Akademisë së Shkencave, me titujt “dr. prof. akademikë…” vazhdojnë porosinë sekrete të “mësuesit tyne” Enver Hoxhës e pasuesit Ramiz Alia, me arkivue dokumenta në Arkivin e Harresës. Sejcili, në mënyren e vet, VETEM punon me zhdukë të Vertetën!
■Vetëm të vramë, të mbytun ndër tortura, të zhdukun, të humbun ndër interrnime…
SOT, NË SHQIPNI, NGA RREGJIMI KOMUNIST I ENVER HOXHËS, SHIFRA ASHT MBI 50.000 VIKTIMA, NDËRSA, SHIFRA E TË BURGOSUNVE DHE TË INTERRNUEMËVE I KALON MBI 500.000 VETË… NJË GJYSË MILJONI… SHQIPTARË… SOT, PRESIN “RILINDJEN” E KOMUNIZMIT !
■Mos e harroni fjalën e vjetër: “Më thuej se i kujt jé, se po të tregoj kush jé!”
***
■I VETMI VEND I KOMUNIZMIT BARBAR NË EUROPË: SHQIPNIA MARTIRE, NUK KA ASNJË KRIMINEL PËR ME DËNUE TASH 70 VJETË KRIME, VRASJE DHE KORRUPSION, NJË VAZHDIMËSI E TURPËSHME DHE KRIMINALE !
■Këta bisha me fëtyrë “njeriu”, me 29 nandor 2014, “festojnë” 70 vjetorin e turpit të TRADHËTISË NDAJ POPULLIT SHQIPTAR DHE ATDHEUT.

■”ARKIVI I HARRESËS” VAZHDON ARSHIVIMIN E DOKUMENTAVE …
■Edhe pse “harresa” po vazhdon me shkatrrue kujtesen e Rinisë Shqiptare…
SOT, në pragun e Festës së Flamurit Kombtar të mbarë Shqiptarëve kudo që janë…
U kujtoj, thanjen e Trimit Hero të Selcës Don Dedë MALAJ, me datën 27 Prill 1959,
para terroristëve komunistë të Enver Hoxhës, në kinema “Republika” në Shkodër:
“E PREMTJA E ZEZË NË SHQIPNI KA FILLUE ME 29 NANDOR 1944,
DHE KA ME VAZHDUE DERISA… TË MBAROJË KOMUNIZMI !”

Melbourne Nandor 2014.