Kategoritë: Nga këndi im

Nga këndi im

Amoraliteti i përsëritur politik i partive shqiptare dhe zgjedhjet presidenciale në ish IRJM

“Ftojmë qytetarët shqiptarë që të dalin më 5 Maj dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës, duke respektuar bindjet e tyre individuale”; “është e rëndësishme që Maqedonia e Veriut të zgjedhë një president dhe mos të krijohet krizë e re institucionale gjë që do ngadalsonte proceset integruese të shtetit drejt NATO dhe BE”,  deklaruan pothuajse njëzëri  Aleanca per Shqiptarët, Lëvizja Besa dhe kandidati i pavarur z. Blerim Reka, dy ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, pas një ngurimi të gjatë në mungesë guximi, parimi dhe vizioni për t’ju drejtuar votuesve të nxitur në raundin e pare nga ata vet për të votuar “shqiptari shqiptarin”,  dhe pazarllëqesh që lihen për t’u nënkuptuar, duke aluduar tani hapur që të votohet për kandidatin e LSDM, z. Stevo Pendarovski.

Por,  ishin “arnautë”, “shqiptarë me gjak sllavi”,  sipas exponentëve të ASH dhe Lëvizjes Besa, ata shqiptarë që dolën në zgjedhjet për president të ish IRJM, dhe në raundin e parë votuan kandidatin e LSDM Stevo Pendarovski, të përkrahur nga BDI dhe disa parti të vogla ne bashkeqeverisje me LSDM!? Dhe, a qenë shqiptarë “patriotë”, “me gjak shqiptari” ata që dolën në këto zgjedhje dhe votuan kandidatin shqiptar të pavarur z. Blerim Reka, të përkrahur nga dy partitë “opozitare” Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, të cilat tani, tërthorazi ftojnë këta votues që në raundin e dytë të votojnë kandidatin e LSDM!?

Pergjigja më e saktë dhe më e drjetë do të ishte Jo! As të parët e as të dytët nuk janë as heronj e as tradhtarë, por thjesht viktima të një pushteti antishqiptar dhe partive shqiptare amorale në shërbim të këtij pushteti.  Ashtu siç nuk jane heronj ata që votuan kandidatin e “pavarur” shqiptar, por shqiptarë fatkeq në pritje të një punësimi nga ndërimi i pushteteve, ose shqiptarë të ndershëm por naivë,  nuk janë tradhtarë as shqiptarët që votuan kandidatin e LSDM, por thjesht skllevër fatkeq të pushtetit dhe partive shqiptare amorale, të cilët per bukën e gojës, në çdo zgjedhje votojnë sipas urdhërit të partive shqiptare në pushtet, për t’i mos hequr nga puna ose  në këmbim të një punësimi në administatë.

Pergjigjen e vërtetë dhe të merituar këtij pushteti antishqiptar pseudo-demokratik dhe partive amorale shqiptare, e dha shumica shqiptare që përbuzi ftesën e partive shqiptare mercenare në pushtet për të marrë pjesë në këtë maskaradë prej zgjedhjesh. Por njëkohsisht, nuk lejoi të manipulohet as nga partitë shqiptare “opozitare”  të cilat në vend se te luftojne per te dryshuar sistemin që gjeneron këtë skllavëri për shqiptarët, në mënyrë që të sigurojnë instrumentet që do të garantonin të drejtat kolektive të shqiptarëve, ata nxorën përpara shqiptarëve individin qe ua ofronte po te njëjtin sistem,  po të njëjtën “Republikë” që ua ofron edhe kandidati i LSDM, po aq unitare dhe sllave, dhe të udhëhequr nga po e njejta qeveri, ajo e LSDM e Pendarovskit!

Dalja në përqindje kaq të ulët e shqiptarëve në qytetet e tyre (nën 20 %), pra, nën pjesëmarrjen edhe ashtu të ulët në nivel të shtetit (42%), tregoi se shumica e shqiptarëve, ashtu siç bënë edhe në referendumin e fundit, refuzuan që t’i nënshtrohen diferencimit ideo-politik fallco për të zgjedhur mes LSDM-së “proeuropiane” apo VMRO-së “pro ruse” të imponuar nga partitë amorale shqiptare në shërbim herë të njërës, e herë të partisë tjetër sllave.  Treguan se nuk besojne në drejtësinë dhe ligjshmërinë, e as në intergrimet (që, siç e shohim varen kryekëput nga ndërkombëtarët) dhe “të ardhmen e përbashkët” që do t’ua sillnin ata të cilët zbatuan për gjysem shekulli terrorin komunist mbi shqiptaret, e sot, në mënyrë absurde kërkojnë nga ata që të heqin dorë pikërisht nga standardet evropiane për qeverisjen e këtij shteteti si bashkësi popujsh, në emër të kinse integrimit në BE.

E shqiptarët nuk do të dalin as tani kur kryeministrit Zaev i duhen shqiptarët për të shpëtuar vlefshmërinë e ketyre zgjedhjeve presidenciale në shtetin e tij unitar, duke plotësuar pragun zgjedhor të rezikuar, prej 40% dalje në vendvotime.

Kryeminstrit Zaev i mbetet që t’u përgjiget shqiptarëve në pyetjen:  Nëse mos plotësimi i pragut zgjedhor prej 40% i ben këto zgjedhje presidenciale të pavlefshme per ish IRJM, sa i bën të vlefshme këto zgjedhje për shqiptarët, dalja e tyre nën 20%!?

Afrim Fanda

Presidenti konsensual apo shqiptar? Mashtrimi i rradhës në shërbim të mos-zgjidhjes së çështjes shqiptare në ish IRJM

Presidenti konsensual apo shqiptar? Mashtrimi i rradhës në shërbim të mos-zgjidhjes së çështjes shqiptare në ish IRJM

“Kjo është përqindja me të cilën dalin zakonisht shqiptarët edhe në zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore”, deklaruan liderët e partive shqiptare dhe telallët e tyre, duke komentuar të zhgënjyer mos-arritjen e kushtit ligjor pjesëmarrjes në  referendumin (36,89 %, në vend të 50 % + 1), dhe në veçanti  numrin e ulët të shqiptarëve që dolën në referendum  (233.000 votues shqiptarë, krahasuar me 261.000  në zgjedhjet vendore të fundit, një vit më parë). Dhe për habi, mashtruesit dhe manipuluesit e opinionit, padashur e thanë një të vërtetë: po, është fakt se kaq janë votuesit e shkretë shqiptarë që akoma nuk kanë arritur të ikin në perëndim, të cilët, të skllavëruar për një vend pune për bukën e fëmijëve të tyre, dalin sa here që ka zgjedhje parlamentare apo vendore, të mbikqyrur nga banditët partiakë me lista të përpikta të anëtarëve të familjeve të tyre si votues.  Por “harruan” të japin edhe nje fakt tjetër shum domethënës: Shqiptarët e diasporës, ata të cilëve buka e gojës e fëmijëve të tyre nuk varet nga banditët e BDI, dhe s’kanë as pse joshen nga premtimet e matrapazeve të partive opozitare,  nuk dolën të votojnë as edhe 1% për këtë referendum! Dhe shqiptarët bojkotuan jo se nuk besojnë në NATO (e kujt t’i besojnë, Rusisë!?) dhe BE (e si të mos besojnë në BE, kur atë kanë shpresën e fundit, dhe atje  ikin që tani, masovikisht), por ashtu si nuk besuan  VMRO-së dhe Nikolla Gruevskit, nuk kanë besim as në premtimet e  LSDM-së dhe Zoran Zaev, e nuk besojnë as kriminelëve të BDI dhe matrapazëve politikë të Besës dhe Aleancës në shërbim të ambicjes së tyre politike dhe interesave personale.

Dhe kur këta kriminelë dhe matrapazë dështuan të nxjerin shqiptarët në referendum për të përligjur tradhëtinë përmes “vullnetit të popullit të shprehur në referendum”, u detyruan që krimin ta bëjnë me dorën e tyre.  Në një moment të rëndësishëm kur po rishikohej kushtetuta, për interesat e tyre kriminale dhe karieriste, dogjën një mundësi të rrallë për të imponuar ndryshime kushtetuese në shërbim të avancimit të statusit kushtetues të shqiptarëve dhe ndryshimit të sistenit qeverisës unitar, duke votuar ndryshimet kushtetuese ekskluzivisht në shërbim të palës sllave, që ata të shpëtonin atë që mund të shpëtohej nga identiteti i vjedhur.

Të vetëdijshëm për këtë,  këta mercenarë dhe matrapazë politikë, tani ftojnë shqiptarët në farsën histerike, sa manipuluese aq dhe ofenduese të zgjedhjeve presidenciale, duke ju ofruar atyre, njëra palë një president sllav “konsensual” që do të “frymojë shqip”, dhe pala tjetër një president shqiptar “kandidat i pavarur” që do të jetë i varur vetem nga ata, po aq lojal ndaj IRJM unitare sa i pari,  i cili kandidon për president sepse është i merakosur që kjo “shoqëri multietnike” mos të “rëshqasi drejt shtetit monoetnik”!?

Në mungesë të interesit dhe gatishmërisë për të ofruar shqiptarëve zgjidhjen reale të problemeve të tyre jetike qe lidhet ngushte me zgjidhjen perfundimtare te statusit të tyre kushteutes të shtetformësisë dhe sistemit qeverisës, ata ofrojnë shqiptarëve farsën e zgjedhjes së presidentit që “do i zgjidhi te gjitha problemet e shqiptarëve”, të vetëdijshëm për faktin që një president shteti, qoftë edhe shqiptari më patriot, nuk do të ndryshonte asgjë për shqiptarët, për shkakun se presidenti si institucion ka kompetenca dhe kufizime qarëtisht të përcaktuara dhe të sanksionuara me kushtetutë!

Shqiptarët duhet edhe këtë herë duhet t’i japin përgjigjen e merituar kësaj klase politike që kurrë nuk punoi në drejtim të mbrojtjes së interesave dhe zgjidhjes përfundimtare të cështjeve të hapura të elektoratit të vet, duke bojkotuar dhe injoruar në tërësi gjithë këtë cirk parazgjedhor bashkë me zgjedhjet për president të shtetit, që atyre, padushimin më të vogël, nuk do t’ju sjelli asgjë të re, ashtu siç nuk u solli asgjë të re zgjedhja Talat Xhaferit per Kryetar kuvendi të ish IRJM.

Shqiptarët duhet t’i japin pergjigjen e merituar këtij kryeministrit të vetëkënaqur, hajdut identitetesh dhe historish, dhe shërbëtorëve të tij të BDI-së, të cilët me paftyrësinë më të madhe u ofrojnë shqiptarëve një ekspert për siguri kombëtare, si kandidat “konsensual” për president, sepse e dinë shumë mire se për sigjurinë e cilit “komb” dhe për ta mbrojtur nga kush, angazhohej ky ekspert.  Por gjithashtu duhet t’i japin pergjigjen e merituar edhe këtij kandidati “të pavarur” shqiptar, i cili publikisht, në mënyrën më të pafytyrë, kapur dorë për dore me liderët matrapazë politikë të “Besës” dhe “Aleancës për shqiptarët”, po gjenjen shqiptarët duke u paraqitur si i pavarur.  Një karierist që në gjithë këtë, sheh vetëm mundësinë për të rumbullakosur karieren e tij të filluar si amabasador i ish IRJM në BE, tani në shërbim të shtetit si president shteti, siç deklaroi edhe vetë, për t’u angazhuar “për sundimin e ligjit, demokracisë, gjyqësorit të pavarur dhe respektimit të drejtave të njeriut”, kaq i sigurtë në këtë, saqë pret me shumë besim që ta votojnë edhe votuesit sllavë!

Afrim Fanda

Standarded evropriane për të drejtat kolektive, vetëvendosjen dhe shtet-ndërtimin – vlejnë për shqiptarët!?

Shqiptarëve në IRJM u premtohet integrimi në BE në shkëmbim të lëshimeve që do të bënin për mbajtjen gjallë të shtetit dhe identitetit të vjedhur nga ana e sllavëve të IRJM, duke hequr dorë nga identiteti i tyre dhe të qenit të barabartë në shtetin ku jetojnë. Atë qe kushtetuta e Belgjikes arriti te bente ne vitin 1962 per 1% gjermanë, përmes sistemit qeverisës federal të kombinuar me Komunitetet Federale Gjuhësore frenge, holandeze dhe gjermane, duke zyrtarizuar në këtë mënyrë përdorimin e gjuhes gjermane që flitet vetem nga 1% i banorëve të Belgjikës, sot, në vitin 2018, në momentin kur rishikohet kushtetuta, pushteti në duart e sllavëve dhe mercenarëve të tyre shqiptarë nuk tregon as më të voglën gatishmëri për të bërë as aq, për shqiptarët që përfaqësojne më shumë se një të tretat e banorëve në IRJM…

Nëse ëndra për integrim në Bashkimin Evropian në kohën e anëtarësimit të Greqisë në vitin 1981, pavarësisht afërsisë gjeografike, dukej akoma shumë e largët për shqiptarët, gjysma e të cilëve gjendeshin nën kulmin diktaturës komuniste, e gjysma tjetër në kulmin e terrorit jugosllav, pas rëzimit të sistemit monist në vendet ish komuniste të Europës, e sidomos me anëtarësimin e pothuajse të gjitha këtyre shteteve në  BE, tani më kjo ëndër dukej e realizueshme dhe e prekshme. Anëtarësimi i Bullgarisë dhe Rumanisë, me realitete të krahasueshme me atë të shqiptarëve në vitin 2007, dhe anëtarësimi i Kroacisë në vitin 2013 bëri që shqiptarët, tani të ndodhur në një tranzicion të pafund, në një sistem jo demokratik po aq të egër si sistemi i kaluar, BE-në t’a shohin si një shpresë dhe shpëtim. Por për fat të keq, shumica e shqiptarëve e shohin vetëm si mundësi punësimi në donjë nga këto shtete të BE, e jo si një mendësi të re dhe realitet të bartshëm në vendet ku jetojnë.

Por, cilat janë mësimet që duhen nxjerrë nga përfitimet reale nga antarësimi i këtyre vendeve?

Vetë historia e Greqisë para, dhe në veçanti pas anëtarësimit në BE, vlen shumë si mësim për shqiptarët. Ajo, u anëtarësua në BE në vitin 1981, pikërisht në fazën e depresionit të thellë ekonomik të filluar në vitin 1979, pas në periudhe të artë ekonomike që filloi më 1960 dhe zgjati deri më 1973, kur kriza e naftës  goditi fuqishëm Greqinë. Kriza ekonomike u thellua akoma më shumë edhe pas anëtarësimit në BE, bile në vitet në vazhdim e ktheu ekonominë e Greqisë në nivelet e para vitit 1960. Ngritja ekonomike rapide e viteve 2000-2007, me hyrjen në  Euro zonë, vetëm sa dëshmoi për një qeverisje të papërgjegjshme dhe ekonomi të paqëndrueshme. Qeveria, e cila në kushtet e një kredibiliteti të përmirësuar mori shuma të mëdha hua me interes të ulët,  në vend të shtrëngimit të rripit dhe të uljes së borxhit publik, lejoi rritjen vjetore të shpenzimeve të konsumit në 4.7% (krahasuar me atë të Eurozonës që ishte 1.9%). Pas vitit 2007 Greqia u përball me rënien më të madhe të PBB në historinë moderne në një shtet në gjendje paqeje – humbi 26% të PBB dhe borxhi publik shkoi në 177% të PBB.

Bullgaria dhe Rumania, edhe pas një dekade anëtarësimi në BE, mbeten shtetet më të varfëra të BE. Paga minimale në Bullgari në vitin 2017 shënoi një rritje të dukshme krahasuar me 2007    -nga 93 Euro në 235 Euro. E njëjta gjë ndodhi edhe në Rumani: nga 114 Eur më 2007, në 275 Euro më 2017.  Por, përkundër kësaj rritjeje të dukshme, akoma përfaqësojnë paga frustruese dhe të turpshme për realitetin e BE (paga minimale ne Shqiperi, pas 1 janarit 2019 – 210 Eur). Bullgaria u bë një vend tërheqës për shumë investitorë, por arsyeja mbetet zhgënjyese – punësimi i punëtorëve të kualifikuar me paga të krahasueshme me vendet në zhvillim si India. Ndaj dhe në Bullgari, numri i njerëzve që punojnë jashtë vendit është më i lartë se i atyre që punojnë brenda vendit.  Për të njëjtat arsye, Rumania përballet me një krizë të rëndë demografike dhe është në rrugë e sipër për të humbur përmes emigrimit mbi 5 milionë banorë deri në vitin 2050. Në të dy vendet, forca e punës po reduktohet dukshëm, gjë që i bën këto vende me një të ardhme të pasigurt.  Vetë anëtarësimi i këtyre dy vendeve në BE nuk arriti të vendosi nën kontroll korrupsionin, i cili vazhdon të jetë barrierë kryesore në menaxhimin e fondeve të BE,  për procedura të ndershme të tenderimeve, koncesioneve etj

Nëse, nga njëra anë, me anëtarësimin në BE, ndjenja e përkatësisë në familjen e madhe evropriane, u mundësoi qytetarëve të këtyre vendeve të ndjejnë fuqinë që kanë për të kërkuar më shumë nga qeveritë e tyre, një shembull ky inkurajues për shqiptarët, nga ana tjetër, shembujt e lartpërmendur dëshmojnë të vërtetën e hidhur:  BE nuk është strehë, as e shteteve të paqëndrueshme, e as e popujve që presin shpëtim me magji nga udhëheqësit e tyre të papërgjegjshëm, të korruptuar dhe të kriminalizuar.   Po të shtojmë ketu edhe mësimin e nxjerë nga rasti i Katalonisë, definitivisht, anëtarësimi në BE nuk mund të jetë arsye për të hequr dorë nga territoret, sovraniteti dhe identiteti duke bërë lëshime bazuar në premtimet se problemet do të zgjidhen pas anëtarësimit.

Eshtë zhgënjyes fakti që, pikërisht nën trysninë e një pjese të faktorit ndërkombëtar, klasa politike shqiptare e zhytur në korrupsion dhe krim, premton integrimin në BE dhe si rrjedhojë, jetë më të mirë shqiptarëve, në shkëmbim të lëshimeve që do të bënin për fqinjët e pangopur. Dhe, me këtë rast, janë pikërisht standardet e BE për të drejtat e njeriut, për të drejtat kolektive dhe të shtetndërtimit, ato që shkelen me të dy këmbët për shqiptarët.

Shqiptarëve, akoma padrejtësisht u kërkohet që të vazhdojnë të jetojnë të coptuar në 6 shtete, si asnjë popull tjetër në Europë. Dhe më e keqja, kjo u shitet atyre si normalitet.  Por, madje as në shtetet ku jetojnë ashtu të coptuar, nuk zbatohen as standarded regjionale të ndërtimit të shtetit – bashkësi popujsh, e lere më ato evropriane.

Edhe vetë shteti Jugosllav, që në formimin e vet, zgjodhi  sistemin qeverisës federativ, për të motivuar për bashkëjetesë në një shtet Serbët, sllovenët, kroatët, malazezët. Me përjashtim të shqiptarëve që u përfshinë në këtë shtet pa vullnetin e tyre dhe me një status jo të barabartë. Me rastin e formimit te shtetit të Bosnjes, pas luftës së përgjakshme, të gjithë, përfshirë dhe faktorin ndërkombëtar, u angazhuan dhe dakorduan për një sistem qeverisës konfederativ, si i vetmi model qeverisës që do t’ia arrinte të mbante bashkë, në një shtet, popujt e armiqësur në luftën e fundit. Në Kosovën “e pavarur” pakica serbe, qe as në kohen e zullumit çetnik dhe egzodit të shqiptarëve në kohën e Millosheviçit nuk kaluan mbi 7%, sot, si në asnjë vend të Evropës, kanë 10 vende të garantuara në parlamentin e Kosovës ndërkohë që shqiptarët e Malit të Zi, këto ditë burgosen për përdorimin simboleve të tyre për festën e flamurit.  Ndërsa në Greqinë, anëtare e BE, sipas grekëve, popuj të tjerë përveç grekëve, e me kte as shqiptarët, thjesht “nuk ezgzistojnë”!

Shqiptarëve në IRJM u premtohet integrimi në BE në shkëmbim të lëshimeve që do të bënin për mbajtjen gjallë të shtetit dhe identitetit të vjedhur nga ana e sllavëve të IRJM, duke hequr dorë nga identiteti i tyre dhe të qenit të barabartë në shtetin ku jetojnë.  Atë qe kushtetuta e Belgjikes arriti te bente ne vitin 1962 per 1% gjermanë, përmes sistemit qeverisës federal të kombinuar me Komunitetet Federale Gjuhësore frenge, holandeze dhe gjermane, duke zyrtarizuar në këtë mënyrë përdorimin e gjuhes gjermane që flitet  vetem nga 1%  i banorëve të Belgjikës, sot, në vitin 2018, në momentin kur rishikohet kushtetuta, pushteti në duart e sllavëve dhe mercenarëve të tyre shqiptarë nuk tregon as më të voglën gatishmëri për të bërë as aq, për shqiptarët që përfaqësojne më shumë se një të tretat e banorëve në IRJM.

Nëse partitë shqiptare në pushtet, hapur, në ditë me diell, kryejnë aktin më të lartë të tradhtisë kombëtare duke hequr dorë vullnetarisht “për interesa më të larta të shtetit të IRJM”, nga shfrytëzimi i këtij rasti të volitshëm të hapjes së kushtetutës për ndryshime, për të kushtëzuar votën e tyre me ndryshime kushtetuese për statusin e shtetformuesit për shqiptarët dhe sistemin qeverisës konfederativ apo federativ, po aq shqetësues dhe zhgenjyes është qëndrimi i lëkundur i opozitës shqiptare në IRJM. Ndërkaq lideri i ASH shkon akoma më larg duke u tallur me shqiptarët me propozimin e tij që  në preambulën e kushtetutës së IRJM në pjesën e tekstit “Republika e Maqedonisë është shtet i pavarur dhe sovran” thjesht, të shtohet në vazhdim “dhe shtet multietnik”. Zoti Sela, duhet t’u sqarojë shqiptarëve se nga cili shtet i Evropës mori shembullin për këtë kushtetutë, të cilën ai e bën “të pranueshëm”për shqiptarët duke e korigjuar me një fjalë të vetme!?

Sot për shqiptarët në IRJM është më se e qartë se nuk mund ta lënë të ardhmen e tyre në duart e partive të kapura nga pushteti në duart e sllavëve. Sot  më shumë se kurrë, populli shqiptar  ka nevojë për disaporën, për intelektualët me vetëdije njerëzore dhe kombëtare të pacënuar, për rininë, nxënësit dhe studentët, për të ndaluar këtë tradhëti të përfaqësuesve politik të tyre.  Kryeministri Zaev, me ndihmën e mercenarëve të blerë shqiptarë ne pushtet dhe jashtë saj, me ndihmën e deputetëve kriminelë të amnistuar e të pa amnistuar, me drejtorë të rinj e të vjetër e të amnistuar të UDB-së, mund të votojë në parlament kushtetutë me përmbajtje si t’i dojë qefi.  Por, kjo kushtetutë nuk do të jetë e shqiptarëve. Kryeministri Zaev, ashtu si dhe paraardhësit e tij, mund të blejë ca mercenarë shqiptarë me vetëdije të ulët njerëzore dhe kombëtare, por  nuk mund të blejë popullin shqiptar. Me këtë veprim, ai dhe bashkëpunëtorët e tij, thjesht dëshmojnë para shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtarë mungesën e gatishmërisë së tyre për bashkjetesë në një shtet, si të barabartë me shqiptarët, gjë që i bën përgjegjës për çdo revoltë të shqiptarëve në të ardhmen, të cilat, sigurisht që nuk do të mungojnë, ashtu siç nuk munguan më 1968, 1981, 1992, 1994, 1997, 2001, 2007, 2015 …

Afrim Fanda

Loja e rrezikshme e integrimit te shqiptarëve në pushtet në vend të një marreveshjeje për të ardhmen e IRJM

Integrimi i shqiptarëve në pushtet është lojë që ndiqet nga pushteti që nga koha e ish Jugosllavisë, kur një pjesë e shqiptarëve, të cilët në atë kohë opinioni sllav i quante “poshteni albanci” (“shqiptarë të ndershëm”) u inkuadruan në nivele të ndryshme të pushtetit dhe arritën deri në nivelet më të larta të saj.

Për këta “shqiptarë të ndershëm” pushteti i atëhershëm siguronte një jetë të mirë në elitën e asaj kohe, ndërsa për pjesën tjetër, sidomos për atë që guxonte të shprehte pakënaqësinë ndaj sistemit, ushtroheshin represalije. Derisa në Kosovë kriteri për “shqiptar i ndershëm” here bëhej më i ashpër e herë më i butë, posaçërisht para demonstratave të viti 1981, për shqiptarët e IRJM ky kriter ishte gjithmonë i ashpër, dhe nga këta kërkohej lojalitet dhe zell i padiskutueshëm për të shërbyer.
Pas ndryshimet të sistemit dhe pas pavarësisë së IRJM, pushteti në duart e sllavomaqedonasve nuk hoqi dorë nga kjo lojë dhe vazhdoi të mobilizonte “shqiptarë të ndershëm” për t’i inkuadruar në mënyrë selektive, në nivele të ndryshme të pushtetit.
Përmes Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit, ia arriti të të kultivonte klasën politike shqiptare që tani do bënte punën e tyre në mobilizimin e “shqiptarëve të ndershëm”, por këtë here në emër të një “fryme të re, demokratike” dhe në emër të “së drejtës për hisen e pushtetit që u takon shqiptarëve”. Duke mos u pranuar si shtetformues dhe bartës të sovranitetit, shqiptarët e integruar në institucionet e shteti, me apo pa vetëdije, thjesht u vunë në shërbim të sllavëve pronarë të shtetit, e jo në shërbim të popullit të tyre. Nëse në atë kohë shqiptarët që futeshin në shërbim të pushtetit në duart e sllavëve me këto kushte quheshin spiunë, tani i njëjti shërbim mori aureolën e “demokratizimit” e bile edhe “patriotizmit”. Ata që e kundërshtonin këtë fenomen etiketoheshin si nacionalistë, radikalë, anti-perëndimorë, individë me ide të vjetëruara, etj.
Shembull i përsosur i këtij fenomeni është “shqiptarja e ndershme“ Fatime Fetau, njëra nga prokuroret speciale, me një detyrë të një peshe të madhe për të sjellur para drejtësisë politikanët e korruptuar.
Në prononcimet e këtyre ditëve në media të gazetarit të njohur sllavomaqedonas Branko Geroski dhe aktivistes së njohur të drejtave të njeriut profesoresha Mirjana Najçeska, ata e treguan Fatime Fetain, prokuroren shqiptare në Prokurorinë Speciale të IRJM ne dritën e saj te vërtetë – një ordinere provinciale e vetëkënaqur, një imituese e yjeve te folk estrades serbe me sjelljet e saja në publik, dhe nje luftëtare fallco për drejtësi, pa asnjë rezultat të dukshëm deri tani.
Por, përshkrimi që i bënë asaj dhe që, në fakt, qëndron për shumë nga ata të llojit të saj, është vetëm gjysma e të vërtetës për Fatimen.
Nëse deri dje, shqiptarët pothuajse ndërtuan kultin e heroines për drejtësi të munguar nga kjo prokurore shqiptare, sot, per dallim nga këta të dy intelektualë sllavomaqedonas, shqiptaret tek ajo shohin fenomenin “Fatime” që simbolizon modelin e shqiptarit mediokër, të etur për pushtet, me mendësi provinciale, të paarsimuar, ose të arsimuar por i paqytetëruar, që flet më mire sllavishten se sa shqipen, në gjendje të shkeli mbi bashkëkombasit për të arritur pushtetin në duart e sllavomaqedonasve, duke u bërë i pëlqyeshëm për ta.
Njëkohësisht, fenomeni “Fatime” ndihmon për të kuptuar edhe preferencat e pushtetit në duart e sllavomaqedonasve, që nuk ndryshojnë nga ato të regjimit të kaluar, për shqiptarin “poshten albanac”,pra “shqiptar i ndershëm”. “Integrimi” i tillë i shqiptarëve në pushtetin në duart e sllavomaqedonasve, nënkupton integrimin vetëm të modelit “Fatime” të shqiptarit.
Me nje shqiptar të tillë, “të integruar” që nga viti 2001 në poste të ndryshme, si ai i Ministrit të drejtësisë, gjykatësit në Gykatën Kushtetuese, dhe të avokatit të popullit ku vazhdon aktualisht, u vranë, u burgosën, dhe vdiqën në burgje shqiptarë në një sërë ekspeditash ekzekutuese pa gjygj dhe procese të montuara gjyqësore siç janë rasti i Sopotit (2003), rasti i Brodecit (2007), Egzekutimi I Harun Aliut me shokë (2010), Rasti “Monstra” (2012), Rasti i Kumanovës (2015) … Sot i njëjti habitet se të burgosurit e përleshjeve të armatosura të Kumanovës “qenkan torturuar”!
Disa shqiptarë të tjerë të “integruar” në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim të IRJM, i futën shqiptarët në grackën e Kumanovës për llogari të oligarkëve të të dy palëve në pushtet, duke shkaktuar një masakër të paparë në një shtet në gjendje paqeje.
Shumë shqiptarë të tjerë të “integruar” u lanë të lire në hajdutërinë e tyre në institucinet e shtetit në shkëmbim të shërbimit të aprovimit ose moskundërshtimit të politikave antishqiptare të klaneve sllavomaqedonase në pushtet, gjithmonë të ndërmjetësuar nga Drejtoria per Siguri dhe Kundërzbulimt të IRJM.
Por, sot shqiptarët e kanë të qartë se “integrimi” i tillë, që për shqiptarët solli vetëm dhunë, poshtërim dhe varfëri, u ofrohet nga sllavomaqedonasit në pushtet si zëvendësim per një marreveshje për të ardhmen e këtij shteti. Marrëveshje që do të mbështetej në realitetin ekzistues, pra, ne karakteristikat demografike, historike dhe politike dhe që do të sillte paqe dhe bashkëpunim mes popujve fqinj në këtë pjese të Evropës. Marrëveshje të qëndrueshme si ajo që mundësoi dhe mirëmbajti me shekuj paqen ne mes popujve gjerman, italian dhe francez në Konfederatën Zvicerane.
Që kjo lojë e rezikshme e integrimit të rejshëm dhe selektiv të shqiptarëve në pushtet nuk e zëvendëson dot marreveshjen për të ardhmen e IRJM, dhe nuk siguron zgjidhje dhe paqe afatgjatë, janë të vetëdijshëm edhe kryeministri Zaev dhe bashkëpunëtorët e tij, por për momentin mendojnë se ia vlen. Deri kur?

Për kë bien këmbanat?

Për kë bien këmbanat kur vdes një njeri? Sigurisht jo për të vdekurit, do të thoshte Ernest Hemingway! Të vdekurit nuk i dëgjojnë dot.  Këmbanat bien për të gjallët, për t’i ftuar të përcjellin  të vdekurit dhe për t’ua kujtuar se ka vdekje!

Këmbanat, bien edhe ndër shqiptarët e IRJM. Madje kohëve të fundit bien edhe më fortë.  Janë këmbana alarmi, që sërish, nuk bien për të vdekurit por për të gjallët.  Dhe kur them të vdekurit, nuk e kam fjalën për të vdekurit biologjik, por për klasën politike që ka vdekur prej kohësh shpirtërisht, moralisht… bashkë me ca intelektualë në shërbim të tyre.

Bëhet fjalë për ata që i ftonin shqiptarët për të votuar marrëveshjet e sllavëve me fqinjët, duke u thënë se nuk ka rëndësi si do të quhen – sipas një kryengritjeje bullgare, maqedonoveriorë, maqedonas sllavë, popull njëzetpërqindësh…  mjafton që duke pranuar këtë, do të kenë mundësi të “integrohen” (duke ikur) në BE.

Janë pikërisht ata që firmosën deklaratën e përbashkët demagogjike ku deklaruan se angazhohen për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni në popull shtet-formues, me gjuhë zyrtare, me status të barabartë me gjuhën maqedonase, dhe po në këtë deklaratë shprehën përkushtimin që këto të drejta t’i realizojnë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila qartazi konsideron dhe trajton shqiptarët si pakicë kombëtare, të cilës i jepen “pak më shumë” të drejta, aty ku është “pak më shumë” se 20%. Që gjuhën shqipe do ta bënin gjuhë zyrtare në tërë territoirn e IRJM, por gjithmonë me frymën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila në pikën 6, nënpikën 4 të saj përcakton  gjuhën maqedonase  gjuhë zyrtare në tërë Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa gjuhën shqipe si gjuhë e 20% -shit. E statusin e shqiptarëve në IRJM do ta avanconin në popull shtet-formues, me frymën e po kësaj marrëveshjeje, e cila në amandamentin  e rënë dakord nga nënshkruesit, edhe pse nuk përmend “popullin maqedonas” si të vetmin shtetformues,  qartazi  shtetformësinë e vendos në themelet e Republikës së Krushevës, dhe vendimet e “ASNOMIT”,  të cilat, të dyja nxjerin sllavët si të vetmit shtetformues.

Dhe të njëjtit sot, në bashkëpunim me “reformatorët” sllavë, trashëgimtarë të etërve të tyre komunistë të “ASNOMIT”, me ndryshimet kushtetuese të propozuara, ofrojnë shqiptarëve “ridefinimin” e shtetit, por sërisht në “shtylla” kryekëput sllave: Ilindenin, një kryengritje bullgare, ASNOM-in, një këshill antifashist pjellë e partisë komuniste të Jugosllavisë, Referendumin për Pavarësi të IRJM, të bojkotuar nga shqitparët, dhe për të hedhur hi syve të shqiptarëve, Marrëveshjen e Ohrit, një marrëveshje e e bazuar në vendimet e tre të parave! Një marrëveshje një-përdorimshe, e sajuar për t’i dhënë fund një lufte, por në të njëjtën kohë, duke nxitur një luftë tjetër në të ardhmen.  Marrëveshje me të cilën palët, në nënpikën 3 të pikës 1 – të parimeve themelore të kësaj marrëveshjeje,  angazhohen që “të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase”,  e njëkohësisht  konsiderojnë karakterin unitar të shtetit të pashkelshëm!?  Marrëveshje, me të cilën (pika 2 nënpika 1 – Ndërprerja e armiqësive)  “grupet e armatosura etnike shqiptare”  u çarmatosën, por nga ana tjetër u lanë armët në duart e palës tjetër në konflikt – e asaj që bëri masakrën mbi popullsinë civile në Luboten, Tetovë, Kumanovë…, e asaj që zotëron pushtetin dhe gjithe instrumentet e dhunes që ka pushteti, duke vazhduar masakrat me rradhë – 2003 Sopoti, 2007 Brodeci, 2010 Egzekutimi pa gjygj  i Harun Aliut dhe shokëve të tijë, 2012 “Monstra”, 2015 Kumanova…

Dhe kur them se këmbanat e alarmit bien për të gjallët, kam fjalën për ata shqiptarë që janë akoma në gjendje të kuptojnë se heshtja dhe dëgjueshmëria i bën gjërat akoma më keq, e ikja nuk është integrim e as zgjidhje e problemeve të tyre. Sepse, aty ku do të ikin me arsyetimin se qytetet dhe lagjet e tyre në IRJM ngjajnë në lagjet dhe qytetet e Sirisë dhe Afganistanit në luftë (rrugët janë me gropa, spitalet dhe shkollat si stalla kafshësh,…), do të jënë ashtu si të ikurit nga këto vende, ca të padëshiruar që nuk nuk qëndruan në vendin e tyre për të bërë ndryshime por shkuan atje për t’i gezuar pa të drejtë ato të ndërtuara nga të tjerët!

Kam fjalën për ata të gjallë për të cilët akoma ka shpresa që tingujt e këmbanave të alarmit t’i vetëdijësojnë për faktin se duke mos vepruar bëhen bashkëfajtorë në  shkatrimin e perspektivës dhe ardhmërisë së fëmijëve të tyre. Mbështetja e klasës politike aktuale që anashkalon të drejtën e shqiptarëve për pjesën e shtetit dhe pushtetit (e kjo nuk nënkupton poste abuzimi për injorantët dhe kriminelët e partive mercenare në pushtet), siguron mirëqenien sot për ata vete dhe familjet e tyre, por i lë brezat e ardhshëm me cështje të pazgjidhura, e me të ardhme të pasigurtë.

Këto këmbanat bien në veçanti për të pavendosurit, që sot vendosin me votë, për ti vetëdijësuar se rrugë të ndërmjetme nuk ka! Është rruga e ndershme, e moralshme,  e ndërgjegjes së pastër por edhe e sakrificës. Dhe tjetra, e pandershme, e pamoralshme, e ndërgjeges së vrarë, e turpit…

Afrim Fanda

LDSHM – LETËR E HAPUR ZV. SEKRETARIT TË SHTETIT Z. WESS MITCHELL

LDSHM WessI nderuari ndihmës sekretar i shtetit z. Wess Mitchell

Përmes kësaj letre, ne diaspora shqiptare në SHBA dhe Evropa, duam t’ju përcjellim Ju dhe administratës tuaj shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë për pozitën kushtetuese të shqiptarëve në IRJM në përgjithësi, dhe në veçanti lidhur me zhvillimet e fundit me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për emrin e IRJM në mes të dy qeverive, asaj Greke dhe te IRJM.
Të zhgënjyer, konstatojmë se në veprimet e justifikuara që po ndërmerr bashkësia ndërkombëtare, përfshirë këtu dhe administratën e SHBA, për të ruajtur stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur IRJM nga ndikimi rus, në mënyrë të pajustifikuar po anashkalohen dhe po flijohen interesat e shqiptarëve, miqve dhe aleatëve të padiskutueshëm dhe tradicional të SHBA në Gadishullin Ilirik.

I nderuari z. Mitchell, ne shqiptarët nuk përkrahim marrëveshjen për emrin në mes të Greqisë dhe IRJM, sepse kjo marrëveshje duke njohur identitetin e përvetësuar maqedonas nga sllavët, i imponon ata si të vetmit shtetformues dhe bartës të sovranitetit duke përjashtuar shqiptarët autokton që përfaqësojnë së paku 30% të popullsisë.

Si njëra palë e bashkëqytetarëve tanë sllavë që nuk duan të heqin dorë nga identiteti i përvetësuar mbi 70 vite, ashtu edhe pala tjetër që pranojnë modifikimin duke shtuar atributet sllave, thiren në themelet e shtetit të ndërtuar në kurriz të shqiptarëve, me vendimet e partisë komuniste të Jugosllavisë, dhe ASNOM-it (Këshillit Antifashist Çlirimit Kombëtar të Maqedonisë). Ky shtet, i ndërtuar në mënyrë të tillë, shqiptarëve u solli dhe vazhdon t’ju sjelli vetëm vuajtje, dhunë, terror dhe eksod, të cilës tani më duhet t‘i jepet fund. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të vazhdojë të zhgënjejë shqiptarët duke vazhduar me padrejtësitë ndaj tyre, që kanë rrënjët që në traktatin e Shën Stefanit më 1878 me, dhe vazhdojnë me vendimet e Kongresit të Berlinit, Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Konferencës së Paqes në Paris, vendimet e Jaltës më 1945, dhe tani më me përkrahjen e Marrëveshjes së Prespës, që trajton shqiptarët dhe territoret e tyre përsëri si plaçkë lufte që duhet ndarë midis grekëve dhe sllavëve, duke shpërfillur pakënaqësinë dhe vërejtjet e shqiptarëve për këtë marrëveshje.

Është brengosës fakti që, vazhdohen të merren vendime mbi të ardhmen e shtetit duke injoruar vullnetin e mirëfilltë të shqiptarëve, dhe duke abuzuar dhe manipuluar me votat e klasës politike shqiptare të kapur, të cilët votojnë nën kushte të padive të bëra publike nga ana e prokurorisë speciale publike e IRJM, siç janë rastet e fundit me funksionarë të lartë partiakë të BDI, parti në koalicion qeverisës me LSDM. Dhe akoma më shumë, e gjitha kjo ndodh në kushtet e një legjitimitetit të diskutueshëm të shtetit për shqiptarët, kur marrim parasysh faktin që shqiptarët bojkotuan referendumin për pavarësinë e IRJM, nuk votuan miratimin e kushtetutës së re më 1991 por në vend të kësaj votuan referendumin për “Autonomi politike dhe territoriale të shqiptarëve në Iliridë IRJM” më 1992, dhe nuk dolën në referendumin e fundit të organizuar nga qeveria e IRJM për të votuar marrëveshjen për emrin.

Bashkësia ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me përfaqësuesit shqiptarë në pushtet, të cilët shkelën ligjin bashkë me kolegët e tyre të VMRO që tanimë ballafaqohen me drejtësinë për t’u përgjigjur për shkeljet që kanë bërë, për shqiptarët jepen mesazhe te gabuara se rruga e tyre për integrime euroatlantike shkon nëpërmjet politikës dhe politikanëve të pandëshkuar të krimit që punojnë kundër interesave të shqiptarëve.

Bashkëjetesa nuk mund te ndërtohet mbi themelet e mashtrimit, imponimit dhe dhunës. Shpërbërja e Jugosllavisë është dëshmia më e qartë për këtë.

Ne konsiderojmë se mohimi i të drejtës së shqiptarëve për tu bashkuar në një shtet, si popull autokton që popullon në mënyrë homogjene territore të ndara me kufij absurdë shqiptaro-shqiptarë, është në kundërshtim me vlerat qytetëruese të SHBA dhe BE. Por, ne shqiptarët që jetojmë në IRJM jemi të gatshëm të bëjmë kompromisin duke pranuar të bashkëjetojmë me sllavët, por me kushtin e një shteti të ndërtuar sipas standardeve evropiane, dhe vetëm si të barabartë.

Deputetët shqiptarë nuk kanë legjitimitetin e popullit shqiptar për të votuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga qeveria aktuale, të pa kushtëzuara me ndryshime kushtetuese që do të pasqyronin të drejtën e shqiptarëve për statusin e shtet formuesit, si dhe rregullimin shtetëror në përputhje me këtë realitet dhe me standardet Evropiane për shtete bashkësi popujsh. Nisur nga kjo, kërkojmë nga ju mbështetjen tuaj për ato subjekte politike që votën e tyre në parlament pro ndryshimeve kushtetuese, do ta kushtëzojnë me avancimin e pozitës kushtetuese të shqiptarëve.

Me respekt

Lidhja e diasporës Shqiptare për Maqedoni
SHBA / Evropë
Çikago, 24.10.2018

Referendumi i paligjshmërisë së legjitimuar, hipokrizisë dhe mashtrimit

“Priten zhvillime rreth Kosovës, është mirë Maqedonia të hyjë në NATO” këshilloi sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg presidentin e IRJM George Ivanov, duke aluduar këtu për dritën jeshile dhënë negociatave për ndryshime të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por çfarë donte të thoshte z. Stoltenberg me këtë këshillë publike dhënë presidentit Ivanov? Si do ta rezikonin IRJM-në zhvillimet rreth Kosovës!?

Më tepër se një gafë jodiplomatike, me të cilën z. Stoltenberg ofendoi shqiptarët dhe nxiti urrejtjen ndëretnike në IRJM duke sugjeruar dhe motivuar presidentin e IRJM dhe sllaovomaqedonasit që të fusin IRJM-në në NATO për t’u mbrojtur  nga shqiptarët, deklarata e tij nxori në pah të vërtetën e hidhur se synimi për futjen e IRJM nën ombellën e NATO-s, tentohet të arrihet duke motivuar dhe kënaqur vetëm palën sllave. Dhe fatkeqsisht, ashtu si edhe me vendimet e Kongresit të Berlinit më 1878, vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913 dhe vendimet e më vonshme të Konferencës së Paqes në Paris më 1919-20, kjo bëhet përsëri duke sakrifikuar shqiptarët.  Njekohësisht me dhënien e sinjalit të gjelbërt për “korigjim” kufijsh në mes të Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht faktit që negociohet nga presidenti serb, i deklaurar si pasardhës i Millosheviqit, dhe presidentit me kredibilitet të diskutueshëm të Kosovës,  nga shqitparët në IJRM kërkohet që të votojnë referendumin, i cili përveçse ua mohon këtë të drejtë duke ua betonuar kufijtë shqiptaro-shqiptarë, ua mohon edhe standardet evropiane të ndërtimit të shtetit si bashkësi popujsh, standarde të aplikuara ne dy shtetet evropiane Belgjike dhe Zvicër.

Me bekimin e përfaqësuesve të BE-së shkelen parimet e trashëgimisë zgjedhore të Evropës, duke u shkelur Kodi i Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore, miratuar nga Komisioni Evropian për Demokraci Përmes Ligjit (Komisioni i Venecias). Në mënyrën më të vrazhdë dhe të hapur shkelet neni 2.1. i këtij Kodi për të drejta të barabarta të votimit në këtë referendum, i cili mbahet me të dhënat e regjistrit zgjedhor bazuar në regjistrimin e popullsisë të para 18 viteve, edhe ky i manipuluar si të tjerët të realizuar më parë, me qëllim uljen e numrit të banorëve shqiptarë. Shkelet neni 2.2. dhe të gjitha nënpikat e tij, që kërkojnë në mënyrë të detajuar garantimin e  mundësive të barabarta për mbështetësit dhe kundërshtarët e propozimit që duhet të votohet, ndërkohë që bëhet “gjuetia e shtrigave” ndaj gjithe atyre që marrin guximin të argumentojnë dëmin që sjell kjo marreveshje për shqiptarët. Shkelet neni 3.1. i këtij Kodi, që kërkon paanshmërinë e autoriteteve administrative, në mënyrë që votuesit të krijojnë opinionin e tyre për çështjen që votohet. Ky nen, me pikat a, b, c, dhe d, qartazi u ndalon autoriteteve (qendrore dhe lokale) që të bëjnë fushatë të njëanshme dhe aq më tepër, të shfrytëzojnë fondet publike për këtë. Njëkohësisth, ky nen, të cilin e gjejme edhe në Ligjin për Refendum në IRJM, kërkon që pyetja të jetë e qartë, jo shumkuptimshme, nuk duhet të sugjerojë përgjigjen, dhe për votuesit të jetë e mundur përgjigja vetëm me PO ose JO!

Gjykata Kushtetuese e IRJM, këto ditë njoftoi se ka hedhur poshte iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit të Kuvendit për shpalljen e referendumit, të iniciuar me padinë e dy organizatave politike sllavomaqedonase. Dhe ky lajm ngazëlleu ekspertin juridik dhe anëtarin e Këshillit për reforma në gjyqësor z. Mersin Maksuti, i cili dha “sihariqin” në media duke e poromovuar këtë legjitimim të shkeljes së ligjit për referendumin nga ana Gjykatës Kushtetuese si vendim që “filtron çdo mjegullim” dhe “nuk lë hapsirë për asnjë dilemë”. Dhe me këtë, ai siguroi vetes vazhdimin e privilegjeve në pushtetin në duart e atyre që shkelën ligjin dhe të tjerëve që mbyllën njërin sy në shkëmbim të dëgjueshmërisë politike, por me koston morale të legjitimimit të po të njëjtit sistem gjyqësor që vrau për së dyti e për së treti  Almirin e vogël, denoi me burg të përjetshëm shqiptarë të pafajshëm, legjitimoi egzekutime pa gjygj… .  Ai, kolegia e tij shqiptare në Këshillin për reforma në gjyqësor, dhe ekspertë të tjere juristë shqiptarë, kanë syrin e verbër për të parë mashtrimit që të nxjerë sytë, në fushatën e BDI dhe partive te tjera shqiptare, ku hapur, në shkelje të ligjit, genjehen shqiptarët se votohet vetëm per anëtarësimin në NATO dhe BE.  Ku marrëveshja nuk ambalazhohet as si një kompromis që shqiptarët do te duhej të bënin për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE (edhe kjo genjeshtër), por thjesht fshihet nga qytetarët që ftohen të dalin në referendum.  Vet titulli i platformës së BDI për fushatën e refendumit (Platformë politike për Referendumin për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian), si edhe slloganet e të gjitha partive tjera janë  prova të mjaftueshme të këtij mashtrimi, që këta ekspertë do të duhej t’a denonconin! Në të gjithë përmbajtjen e platformës së BDI askund nuk përmendet, as edhe një herë të vetme marrëveshja për emrin!

Analistë dhe shqiptarë të tjerë  “të ndershëm” dhe “të integruar” kanë gojën plot akuza ndaj shqiptarëve të tjerë, si prorusë dhe antiperëndimorë vetëm sepse kanë qytetarinë, vetëdijen dhe guximin e nevojshëm për të kërkuar  një marrëveshje mes shqiptarëve dhe sllavëve në IRJM për zgjidhjen përfundimtare të statusit kushtetues të shqiptarëve si shtetformues dhe regullimin shtetëror në përputhje me këtë status para se të bisedohet me fqinjët për të ardhmen e shtetit, dhe para se të vendoset për çfare do lloj integrimesh të IRJM. Motiv ky që dallon qartë nga motivi i partive sllavomaqedonase, të cilat, të vetëdijshme për përfitimet nga marrëveshja për emrin,  tek kundërshtimi i referendumit shohin mundësinë e artë për të zëvendësuar kundërshtarin politik në pushtet. Këta shqiptarë “të integruar” kanë gojën plot me broçkulla për ndërhyrje të Rusisë në fushatën për referendumin, a thua se rusët kanë terren ndikimi ndër shqiptarë, ndërkohë që vet kryeministri Zaev deklaron se “Nuk kam unë dëshmi për ndonjëfarë ndikimi rus në Maqedoni. Federata ruse është mike e Maqedonisë dhe ajo nuk ka asgjë kundër anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, por është kundër integrimit tonë në NATO. Dhe këtë e thotë shumë qartë”.

Derisa i dërguari special për çështjen e emrit të IRJM, z. Metju Nimic deklaron se në rast të dështimit të referendumit nuk sheh zgjidhje në një të ardhme të afert për emrin e IRJM, ish oficeri i Armatës Popullore të Jugosllavisë, tani kryetar i parlamentit të IRJM, në deklaratën e tij në media, e paraqiti të lehtë zgjidhjen, duke shprehur gatishmërinë e tij për të injoruar vullnetin e qytetarëve kundër kësaj marrëveshjeje të shprehur në referendum, duke ia kaluar vendimmarrjen institucioneve në duart e sllavëve dhe shërbëtorëve të tyre shqiptarë.

Derisa Prokuroria speciale keto ditë shpalos dëshmi të reja për bashkëpunimin e ministrave te BDI me shefin e sigurimit shteteror në shkeljet e panumërta të ligjit, Ali Ahmeti, lideri i BDI-së i cili pranoi publikisht autenticitetin e përgjimeve që e nxjerin atë në qendër të merimangës së krimit të organizuar politik, siguron shqiptarët se “me 30 shtator votohet a do të jemi të vendosur në luftë të pakompromist kundër krimit dhe korrupsionit”!

Kulmin  e gjithë paligjshmërisë, hipokrizisë dhe mashtrimit që mbulon këtë referendum ia vë bindja që mbyll çdo diskutim dhe debat të shqiptarëve: “Ne flasim kot! Kutitë janë mbushur akoma pa filluar referendumi.” ! Dhe për fat të keq, këtë herë me aprovimin e faktorëve politikë të rëndësishëm të SHBA dhe Evropës!

Afrim Fanda

Propaganduesit e referendumit për emrin e IRJM, dhe “argumentet” e tyre

Përveç partive shqiptare, me BDI në krye, të cilat themeluan shtabet e fushatës për të shtyrë shqiptarët të dalin në referendum dhe votojnë marrëveshjen për emrin,  është edhe një shtresë e qytetarëve shqiptarë, që bëjnë fushatë jo zyrtare, por jo më pak agresive se ajo e partive, në media dhe veçanërisht në rrjetet sociale.

Këta janë kryesisht shqiptarë (disa prej tyre intelektualë) të cilët në çdo sistem jetojnë në “zonën e komoditetit”, duke bërë kompromis me pushtetin në duart e sllavomaqedonasve, e jo rrallë edhe duke u vënë në shërbim të tij, duke i siguruar vetes kështu komoditetin individual në dëm të interesit kombëtar të shqiptarëve. Tipike për këtë shtresë të shqiptarëve janë profilet dhe statuset në rrjetet sociale në dy gjuhë, bile më shumë në atë sllavomaqedonishte, si dhe numri i madh i miqve sllavomaqedonas. Statuset janë plot mesazhe internacionaliste dhe neveri ndaj nacionalizmit dhe patriotizmit, zakonisht të paadresuar, përkrahur me plot mirëkuptim nga miqtë sllavomaqedonas, asnjëri nga të cilët, për çudi, nuk di shqip, ose më saktë nuk duan ta mësojnë, pavarësisht faktit që jetojnë në qytete të rrethuar me shqiptarë.

Argumenti i tyre më i përdorur  dhe njëkohësisht më manipulues për të bindur të tjerët që të dalin në referndum dhe të votojnë marrëveshjen është ai i shpëtimit nga “katrahura shovene dhe nacionaliste” duke ia mveshur këtë vetëm partisë VMRO dhe qeverisjes së saj, pa dhënë përgjigjen në pyetjen se si dalja në referendum dhe vota pro marrëveshjes do të shpëtonte shqiptarët nga ky nacionalizëm dhe shovenizëm, kur e njëjta i zhvesh fare nga sovraniteti mbi shtetin, dhe u’a jep atë ekskluzivisht sllavomaqedonasve!

Këta përpiqen që t’i bindin shqiptarët e tjerë për të dalë në referendum me argumentin se marrëveshja nuk cënon pozitën e tyre në IRJM, duke mos dhënë përgjigje shumë shqetësimeve të ngritura nga ana e tyre: Si është e mundur që marreveshja per emrin bën ndarjen e identitetit maqedonas antik në mes te grekëve dhe sllavëve si plaçkë lufte ( “Historic deal on shared Macedonian identity …” – The Guardian), e me këtë edhe pronësinë mbi shtetin, duke injoruar faktin që shqiptarët sot përfaqësojnë një të tretën e banorëve të IRJM, si dhe faktin historik që në territorin e IRJM së sotme, gjithandej gjenden pothuajse vetëm gjurmë të Ilirëve (Dardanëve, Paionëve, Enkelejve …) e fare pak të maqedonasve antikë?

Vet kryeqendra e IRJM, Shkupi (Skupi i vjetër) është një thesar arkeologjik i mbushur me gjurmët e kryeqendrës së dardanëve që para shekullit 25 para erës sonë. Nëse emri i IRJM duhej pajtetër të ndryshohet, përse duhet shqiptarët të dalin në referendum dhe votojnë pikërisht  emrin Maqedoni Veriore!? Si mund të lejojohet që me kaq lehtësi një marreveshje në shekullin 21 thjesht të fshijë si të kaluarën ashtu dhe të sotmen e shqiptarëve?

Është veçanërisht fyes pohimi i këtyrë propaganduesve të referendumit se, ndryshimet e  kushtetutës  që do të  sillnin përmirësimin e statusit të shqiptarëve do të bëhen pasi të votohet marreveshja! Pa i dhënë përgjigje pyetjes se PSE do të duhej sllavomaqedonasit të bëjnë ndryshime të tjera të kushtetutës pas votimit të PAKUSHTËZUAR të Marrëveshjes së Prespës nga ana e shqiptarëve dhe ndryshimeve të kushtetutës që burojnë nga kjo marrëveshje: ndryshimi i emrit, kombësisë dhe gjuhës zyrtare.

Manipulimi tjetër nga këta shqiptarë që propagandojnë daljen në referendum është ai me termin “nationality” të përdorur në dokumentin origjinal të marrëveshjes, në gjuhën angleze duke u bërë palë me qeverinë në synimin për të mashtuar shqiptarët se bëhet fjalë për nënshtetësi.  Termi “nationality” në anglisht, ka dy sinonime – atë të nënshtetësisë (citizenship) dhe atë të kombësisë (ethnic group), të cilën, edhe qeveria qëllimisht, e përkthen si “nënshtetësi” në dokumentin e pëkthyer në gjuhën sllavomaqedonase dhe atë shqipe,  për të maskuar faktin që, sipas marrëveshjes, edhe shqiptarët do të konsiderohen me kombësi maqedonas/qytetarë të Maqedonisë Veriore, dhe kështu dë të shkruhet në të gjithë dokumentet e tyre të identifikimit.  Sinonimi “nënshtetësi” me të cilin manipulohen shqiptarët për t’i bindur të votojnë marrëveshjen,  gjen kuptim vetëm në shtetet kombe, ku nënshtetësia nenkupton kombin ( “a people having a common origin, tradition, and language and capable of forming or actually constituting a nation-state” – Merriam Webster dictionary). Poqese në nenin 1 të  marrëveshjes për emrin, termi i rënë dakord do të ishte “nënshtetësi”, në variantin origjinal të marrëveshjes  (atë anglisht – verzioni i vetëm me fuqi juridike), do të përdorej sinonimi “citizenship” (shtetësi) e jo “nationality” (kombësi).

Nëse të qenit në zonën e komoditetit individual në dëm të interesit të përgjithshëm për këta shqiptarë dikur arsyetohej me kushtet e frikës nga terrori i egër që e mundësonte sistemi komunist në duart e sllavëve të jugut, sot kjo nuk arsyetohet më.  Eshtë për të gjithë e qartë që marrëveshja  përkrahet nga faktori ndërkombëtar për të zgjidhur kontestin për emrin mes grekëve dhe sllavëve që quajnë veten maqedonas (argument i përdorur nga të njëjtët), por është po aq e qartë për të gjithë që duan ta kuptojnë, përfshirë dhe këta shqiptarë, se kjo marrëveshje po përdoret me shumë mjeshtëri nga qeveria e kryeministrit Zaev për t’i dhënë goditjen finale statusit të shqiptarëve në IRJM.

Me daljen në referendum dhe votimin e Marrëveshjes së Prespës, shqiptarët do të përbaltnin të gjitha veprimet e tyre të guximshme në të kaluarën e afërt, si bojkotimi i referendumit për pavarësinë e IRJM dhe mos miratimin e kushetutës së re të IRJM më 1991, si dhe daljen në referendumin për “Autonomi politike dhe teritoriale të shqiptarëve në Iliridë IRJM” më 1992. Do të shkelnin mbi atë pak dinjitet që u ka mbetur nga nëpërkëmbja që u bëjnë përfaqësuesit e tyre zyrtarë të kapur nga kjo qeveri, dhe me votën e tyre për këtë marrëveshje do të vulosnin fatin e tyre ndëkombëtarisht të pranuar– atë të pakicës pa identitet, pa gjuhë, pa shtet, pa dinjitet…

Afrim Fanda

MESAZHET E VETEDIJSHME DHE TE PAVETEDIJSHME TE ZEVENDESKRYEMINISTRES SE IRJM

“Qytetarët të tregohen të guximshëm në referendum” apeloi zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes e IRJM, Radmilla Sheqerinska. Si bibë tipike politike që është, ajo sqaroi referendumin me mire dhe në mënyrë më të realtë me fjalët që i dolën nga nënvetëdija, se sa me të tjerat që i kishte pregaditur për ceremoninë e  me rastin e 18 gushtit ditës së armatës së IRJM.

Në fjalorin shqiptar, guximi përkufizohet si vetia për të kryer një detyrë a një punë të rrezikshme … E pse referndumi qenka një punë apo detyrë e rezikshme? A nuk është referendumi formë e shprehjes së mendimit të popullit përmes  vullnetin e të tyre të lire, pa presionin e kërcënimit, frigës, shantazhimit dhe mashtrimit, për një çështje shtetërore e shoqërore me rëndësi të veçantë, duke bërë votimin e përgjithshëm!?

Tani e kutpoj hallin e Sheqerinskës, dhe situatën e koklavitur si lesh arapi të këtij shteti artificial. Por ç’kusur dhe çfarë detyrimi kanë shqitparët ndaj këtij shteti që është sjellur në mënyrën më mizore dhe më shpërfillëse me ta?

Për të sqaruar ashtu si duhet këtë situate lidhur me marreveshjen për emrin e me kte dhe ftesën për të dalë në referendum, znj. Sheqerinska do tu duhej t’u drejtohet me deklarata të veçanta shqiptarëve dhe sllavomaqedonasve. Kjo sepse si përfitimet ashtu dhe detyrimet dhe obligimet dallojnë substancialisht.

Po, ka kuptim që znj. Sheqerinska t’i drejtohet publikut sllavomaqedonas me këto fjalë, por duke zëvendësuar fjalën “qytetarë” me fjalën “bashkëkombas”, që për ata mesazhi do të kishte kuptimin si vijon: “BASHKËKOMBASIT e mi, të tregohen të guximshëm në referendum, sepse vërtetë do të heqim dorë nga identiteti maqedonas antik, që vërtetë na shërbeu mbi shtatë decenie për të injoruar shqitparët dhe për të na bërë pronarë të shtetit, dhe ne u mësuam me te. Por me marrëveshje me Greqinë për emrin, na u lejua që të ndërtojmë një idedntiet të ri, shumë të ngjashëm atë të parin, bile akoma më mire, me atrbutin sllav, e që na bën përsëri të vetmit pronarë të shtetit”

Më pas, do të mundej të vazhdonte me pjesën tjetër të pandryshuar, ku në fakt, paftyrsisht (për shqiptarët) u tregua e sinqertë, duke zëvendësuar vetëm fjalën “qytetarë” me “bashkëkombas”: ‘Gjatë disa javëve të ardhshme do të kemi mundësi historike, të shprehemi për një shtet më të mirë dhe më ndryshe. Shtet i cili do të njohët dhe pranohet si aleat nga e gjithë bota. Identitet që do të jetë maqedonas dhe i pakontestueshëm. Gjuhë që do të jetë e pakontestueshme. Shoqëri në suaza të aleancës së NATO-s, dhe si anëtare e ardhshme e BE-së dhe ardhmëri e qartë për BASHKËKOMBASIT e mi. Ky vizion për fat të keq nuk i konvenon të gjithëve.”

Por këtu ka një problem.  Sa kredibilitet do kishte Sheqerinska, një shqiptare e asimiluar nga Reka e Epërme,  t’u drejtohet sllavomaqedonasve në këtë mënyrë të sinqertë!? Pastaj mbetet pjesa akoma më e vështirë:  Çfarë mbetet për t’u thënë shqiptarëve!?

Afrim Fanda

SHQIPTARËT DHE KRYEMINISTRI “REFORMATOR I GUXIMSHËM” I IRJM

Poeti Charles Bukowski në një intervistë dhënë një reviste letrare deklaroi:  “shkrimtarët e këqinj kanë tendencë të kenë vetëbesim, ndërsa të mirët kanë tendencë të kenë vetë-dyshime. Pra, shkrimtarët e këqinj kanë tendencë të vazhdojnë dhe të shkruajnë broçkulla dhe të japin sa më shumë lexime të jetë e mundur për audienca të rralla. Këta audienca të rralla përbëhen kryesisht nga shkrimtarë të tjerë të këqij, të cilët presin rradhën e tyre …”

Por përkufizimin më të përmbledhur të këtij fenomeni e bëri Bernard Russel, filozof anglez, matematikan dhe shkrimtar në esenë e tij me titull “Triumfi i marrëzisë”,  ku kritikoi ngritjen e lëvizjes naziste në Gjermani: “Shkaku themelor i telasheve në botën moderne është se budallenjtë janë të sigurtë në vete dhe kokëfortë, ndërsa të mençurit janë plot me dyshime”

Intelektualë shqiptarë servilë me mendësi skllavi dhe politikanë naivë të etur për pushtet, në në shkrimet dhe deklaratat e tyre, nxituan të shohin  “të guximshmin” dhe “reformatorin” në personalitetin e kryeministrit Zoran Zaev, duke u bazuar  në luftën e tij mediatike kundër krimit dhe korupsionit  të VMRO.  Ca prej tyre, arritën deri aty sa të shohin edhe kriminelët  tek figurat kryesore të BDI, duke u ofruar shqiptarëve kryeministrin Zaev si shpëtimtar nga VMRO e edhe nga BDI. Por sytë janë të padobishëm, kur mendja është e verbër, thot një fjalë e urtë. Ndaj, sikur me ato syzet me dy dioptri të ndara, nuk arrijnë kursesi të shohin bashkë, në të njëjtën fushë vizive, “reformatorin e guximshëm” dhe kriminelët e BDI. Prandaj nuk sqarojnë dot as veten, e as të tjerët, se si i bëhet që ky “reformator i guximshëm” kurseu kriminelët shqiptarë të BDI, bashkëpunëtorë në krim të VMRO!?  Dhe jo vetëm që i kurseu, por bëri dhe qeverinë me ndihmën e tyre. E jo vetëm që bëri qeverinë me ndihmën e tyre, por mban gjallë dhe shtetin “me ditë të numëruara” me ndihmën e tyre.

“Ilindeni  është një kryengritje maqedonase. Nëse donjë qytetar bullgar dëshiron t’a festojë, le t’a festojë” deklaroi para ca ditësh kryeministri Zaev. Dhe kur presidenti  dhe kryeministri i Bullgarisë i treguan dhëmbët në përgjigje të kësaj deklarate, kryeministri “i guximshëm”, përmes rrjetit social “Facebook”, deklaroi keqardhje për fjalët e deklaruara, athua se me këtë  ndjesë publike u arsyetua për faktin e përvetësimit (me decenie të tëra) të historisë të një shteti të huaj, dhe akoma më shumë, pothuajse emërtoi shtetin me emrin e kësaj kryengritjeje bullgare! Ndërkaq roli i palaçove shqiptarë në pushtet, ishte të “përkthejnë” emrin e kësaj kryengritjeje bullgare, dhe ashtu si padroni i tyre, pa u skuqur fare, tu’a ofrojnë shqiptarëve si emër të shtetit ku jetojnë.  E si të skuqet dikush që nuk ka fytyrë?

Por, nuk është as hera e parë e as e vetmja, që kryeministi Zaev pranon dhe kërkon ndjesë për përvetësim të bërë.  Vet marreveshja për emrin, e nënshkruar në Prespë më 17 shkurt 2018, është në fakt pranim dhe kërkesë për falje publike për përvetësimin e identitetit dhe historisë së maqedonasve antik për më shumë se shtatë decenie. E për të njëjtën gjë shërbeu edhe ndrimi i emrit të aeroportit të Shkupit dhe të një autostrade që mbanin emrin e Aleksandrit të Madh. Dhe për këtë, grekët shpërblyen kryeministrin “reformator”, duke i mundësuar dhe duke u bërë palë në injorimin dhe anashkalimin e shqiptarëve në këtë marrëveshje për të ardhmen e shtetit, duke i dhënë shtetit dhe gjuhës zyrtare vetëm atribute sllave.

Vetëm shqiptarëve kryeministri “reformator i guximshëm” nuk e konsideron të nevojshme t’u kërkojë falje për krimet që u ka bërë shteti që përfaqëson. Përkundrazi, konsideron se e ka rastin e volitshëm për të përmbyllur synimin e kahmotshëm për nënshtrimin përfundimtar të shqiptarëve, duke i asimiluar në “maqedono-verior” sllavë,  me gjuhë zyrtare sllavomaqedonishten.  Dhe për këtë ka ndihmën e pakursyer të klasës politike të shitur të shqiptarëve.

Dhe pikërisht ky kryeministër hajdut identitetesh dhe historishë, bashkë me kriminelët dhe hajdutët shqiptarë që i shërbejnë sepse i kursen nga burgu, na ftojnë në referendum për të votuar këtë marrëveshje poshtëruese për shqiptarët. Pikërisht llumi i shoqërisë shqiptare, që përfaqëson të kundërtën e vlerave të qytetërimit europian na thonë të dalim në referendum dhe të votojmë marrëveshjen  “për t’u integruar në Europë”.  U’a thonë këtë pa u skuqur, pikërisht diasporës, të cilët tani më “u integruan” duke ikur në BE nga këta që i lanë papunë, për të punësuar militantët e tyre.  Ikën nga këta u’a bënë qytetet e tyre të pajetueshme. E u’a thonë edhe shqiptarëve të tjerë që vazhdojnë të “të integrohen” duke ikur në BE, si këta të parët.

E gjitha kjo që ca kriminelë shqiptarë t’i shpëtojnë burgut, ca të tjerë të bëjnë pak lek derisa edhe ata t’i fusi UDB-a në dorë, e ca mjeranë të hynë në punë në donjë ministri për një rogë mizerje, në pritje të ditës kur edhe ata do të ikin.

Afrim Fanda