Kategoritë: Nga këndi im

Nga këndi im

Reagim ndaj shpifjeve të Menduh Thaçit

Të dashur miq dhe bashkëqytetarë të mi të Tetovës,ndihem i obliguar që të informoj dhe sqaroj bashkëqytetarët e mi, posaçërisht ata që nuk na njohin, lidhur me disa shpifje dhe trillime të Menduh Thaçit që kanë të bëjnë me familjen time, të thëna në një tubim të këtyre ditëve në lagjen Teteks 2 të Tetovës. Në këtë tubim, në një kontekst që fare nuk ka të bëjë me ne ( një konflikt me F. Xhaferin, vëllai i të ndjerit Arben Xhaferi) jemi përmendur unë dhe familja ime. Dua tua bëj të qartë të gjithëve që ne KURRË nuk kemi përfituar nga ASNJËRA parti dhe ky fakt ia merr të drejtën Thaçit dhe të tjerëve që të na përmendin dhe të keqpërdorin emrat tonë për qëllime të veta.

Për hir të së vërtetës dhe për të parandaluar çfarëdo keqpërdorimi të mundshëm, më duhet të sqaroj disa fakte:

E para, familja ime, as më parë, as gjatë qëndrimit tim dhe të vëllait tim në burg, e as pastaj, nuk ka qenë kurrë në situatë që të na mungojë buka dhe aq më tepër që dikush (mos dhashtë zoti njeri si Thaçi) të na furnizojë me miell! Duke qenë të bindur në idetë, qëllimin dhe kauzën e drejtë, gjatë vuajtjes së dënimit, si gjysma brenda ashtu dhe gjysma tjetër e familjes jashtë burgut (nëna dhe vëllai i vogël) qëndruam me kokën lartë, me dinjitet dhe pa ia shtrirë dorën njeriu.

Thaçi shpif paturpësisht kur deklaron në publik që ka ndihmuar në bartjen e mobileve që u flakën jashtë në rrugë nga policia me rastin e nxjerrjes me dhunë nga banesa e nënës dhe vëllait tonë në shenjë hakmarrjeje pas arrestimit tonë.

Së dyti, gjatë hetimeve, gjykimit dhe qëndrimit tonë në burg dhe më vonë, ka pasur njerëz që na janë larguar, por daja jonë, Dr. Jusufi , Atilla dhe pjesëtarë të tjerë të familjes së tyre nuk ka qenë në mes tyre. Përkundrazi, na kanë qëndruar pranë dhe na kanë përkrahur me të gjitha mjetet (gjë që Thaçi do të duhej ta dinte, meqë pretendon se na ka qëndruar pranë). Daja im kurrë, as në momentet e fundit të jetës së tij, nuk u lëkund nga qëndrimet e tij mbi mungesën e perspektivës së shqiptarëve në këtë shtet, të udhëhequr nga matrapaz dhe sahanlëpirës por i qëndroi besnik idesë së bashkimit kombëtar si zgjidhje e vetme e drejtë për shqiptarët. Një mendim ky me të cilin vazhdoj të jem dakord.
Ka pasur njerëz që na kanë qëndruar pranë (jo me miell), por që kurrë nuk mburren dhe nuk përpiqen të përfitojnë.

Në vend të shpifjeve, meqë vetë na përmendi, Thaçi bën mirë të sqarojë tetovarët dhe elektoratin e vet se pse gjatë kohës kur ishte në pushtet nuk ndërmori asgjë që të na kthehej ajo banesë që na u mor ne padrejtësisht dhe iu dha një familjeje maqedonase. Po këtë sqarim duhet të japi edhe kundërshtari i tij, Ali Ahmeti! Natyrisht, si njëri ashtu edhe tjetri kanë qenë të zënë duke bërë pazaret dhe bizneset me ata nga të cilët duhet ta kërkonin këtë. Ai duhet te jap shpjegime se pse unë dhe vëllai im, pasi bëmë nga 4, respektivisht 5 vite burg dhe ishim ndër themeluesit e PDSH-së, u detyruam të largohemi nga vendi i lindjes për të nxjerrë kafshatën e gojës, në ndërkohë që ai dhe shërbëtorët e tij si Ernad Fejzullahu me shokë i radhisnin milionat e eurove duke keqpërdorur këtë parti.

Liderët shqiptare të vetëshpallur në IRJM një ditë do të duhet të përgjigjen për krimet kundër këtij populli sepse shkelën mbi të ardhmen e mijëra të rinjve shqiptarë, në mënyrë që të bënin milionat e tyre në pushtet, duke ju shërbyer me zell padronëve maqedonas në Shkup në shndërrimin e qyteteve shqiptare në provinca pa vlerë, pa të ardhme ekonomike, pa arsim të mirëfilltë dhe pa jetë kulturore..!

Nëse ndonjëherë para shumë kohësh kam qenë mik dhe kam bashkëvepruar me individë në fjalë, kjo ka ndodhur sepse në atë kohë kam pasur mendimin se ndajmë ideale të njëjta dhe kemi vizion si të plotësohen ato. Gjithçka ka përfunduar shumë shpejt, meqenëse idealet e tyre u shndërruan në kompani fitimprurëse. Për mua qëndrojnë! Këtu rrugët tona ndahen përgjithmonë!

Në fund, ua lë juve, miqve dhe bashkëqytetarëve të mi që të gjykoni nëse është e mundur që Thaçi si lider “i vuajtjeve dhe dajakut të qeverisë të sllavëve” t’i bëjë ato miliona Euro duke qenë në pushtet me po ata “sllavë të dajakut”. Në ndërkohë, unë do të vazhdojë të nxjerri bukën e gojës pa ja shtrirë dorën as njërës parti e as tjetrës, duke pritur që të iki koha e maskarenjve dhe antivlerës dhe të gjej bashkëmendimtarë që do të kenë moralin dhe guximin për të ndryshuar njëherë e mire fatin e shqiptarëve në Maqedoni. (Afrim Ibrahimi)

Dorëzimi i Qeverisë para Serbisë + Lista e importuesve nga Serbia

Që nga 16 shtatori, Qeveria e Kosovës e lut Qeverinë e Serbisë që të kthehet në tavolinën e bisedimeve, e lut Qeverinë serbe që të fillojë me implementimin e marrëveshjeve, ankohet tek bashkësia ndërkombëtare për atë se çka po i bën Serbia, jep analiza të situatës në veri nga Prishtina, si dhe jep rekomandime për KFOR-in se si duhet vepruar në veri. Sikur të mos ishte Qeveri e një shteti sovran.Lista e importuesve nga Serbia


Importuesi Sasia Shuma (baza doganore)


1. ELKOS SH.P.K. 3,423,992.70 4,350,644.73
2. N.P.T. POTERA - BB 874,871.80 1,584,532.37
3. P.T.P. PROGRES 3,002,800.00 1,267,600.00
4. N.T.P. MALSIA COMMERCE 15,278,736.00 1,049,471.56
5. COCA - COLA H.B.C.-KOSOVO L.L.C 2,287,036.09 1,006,333.90
6. M & SILLOSI SH.P.K. 3,587,770.00 766,247.08
7. N.T.P.SH. BAST – TRADE 755,168.64 692,377.03
8. N.T.SH.P. MIGROS COMMERCE 530,011.10 608,259.58
9. BUÇAJ SH.P.K 710,011.85 606,272.92
10. AROMA SH.P.K 1,823,470.00 523,231.00
11. D.P.T. EURO COOP 1,595,640.00 515,824.00
12. AGROUNION SH.P.K 1,025,245.70 386,188.23
13. TERMO X SH.P.K. 116,037.00 386,002.61
14. ENG OFFICE SH.P.K. 78,120.00 373,033.38
15. NPTSH G.NITI-TIKI COMPANY SH.A. 393,165.32 368,244.74
16. N.P.T. LLAP-COM 4,248,827.00 365,473.81
17. AS COMPANY SH.P.K. 5,844,042.00 361,222.89
18. EXCLUSIV SH.P.K. 90,564.50 349,898.80
19. N.T.P. ELITA 1,285,690.00 348,899.99
20. N.P.T. BLETA 998,000.00 348,040.00
21. NTP DULA 2,427,591.00 346,715.73
22. NPT VETONI 1,682,710.00 338,000.94
23. MERIDIAN CORPORATION SH.P.K. 599,594.40 321,725.05
24. N.SH.T. PAGARUSHA - N 663,180.00 318,837.29
25. GËZIMI SH.P.K. 4,753,559.00 318,746.29

Në ndërkohë, Qeveria ka vazhduar afatin e vlefshmërisë së tabelave të komunave ilegale të Serbisë në Kosovë, ka filluar prapë lëshimin e 10 mijë tabelave KS për t’u kthyer edhe njëherë në Rezolutën 1244, dhe më me rëndësi – vazhdon lejimin e mallrave serbe të hyjnë në Kosovë pandërprerë, përderisa asnjëra nga këto nuk vlen për palën serbe. Për tabela as që flitet, dokumentet tona të udhëtimit nuk pranohen, ndërsa mallrat tona nuk mund të hyjnë në Serbi pa dokumentacionin e komunave ilegale të Serbisë. Serbia po sillet si një palë e hidhëruar nga Kosova, ndërsa Qeveria e Republikës së Kosovës si një mik i cili dëshiron me çdo kusht ta pajtojë mikun e hidhëruar duke ia dhënë të gjitha beneficionet Serbisë vetëm e vetëm për t’u ulur në tavolinë.
Kjo nuk mund të kuptohet ndryshe pos një dëshirë e Qeverisë dhe posaçërisht Kryeministrit Thaçi që përmes kësaj miqësie, në dëm dhe kurriz të qytetarëve të Kosovës të blejë një derë për vete. E vetmja mënyrë që Kryeministri Thaçi të lejohet në Bruksel dhe në shtetet e mëdha evropiane është përmes bisedimeve dhe koncesioneve. Drekat e tyre në Bruksel po na kushtojnë shumë shtrenjtë neve, qytetarëve të Kosovës.
Humbjet ekonomike nga tregtia e njëanshme po shumëfishohen. Hendeku në mes të importeve dhe eksporteve nga Serbia është dhjetëfishuar derisa tregu kosovar është vërshuar nga mallrat serbe, për të cilat disa importues kosovar mezi se kanë pritur që të hapet kufiri.

Prejse Qeveria e Kosovës vendosi ta heq masën e reciprocitetit ndaj produkteve të Serbisë, tregu i Kosovës iu kthye prodhuesve të këtij vendi. Kjo falë politikës së vendit, por edhe falë tregtarëve të Kosovës.
Në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën, 7 nëntor, Lëvizja VETËVENDOSJE! i publikoi 25 kompani të cilat kanë importuar vlerat më të mëdha nga Serbia në periudhën kur aktiviteti rrënues i Serbisë ndaj mundësisë së sovranitetit dhe integritetit brenda territorit të Kosovës ka pasur intensitetin më të lartë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta parashtrojë kërkesën për interpelancë ku do të thirret Ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, për ta diskutuar raportin tregtar të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë interpelancë do të kërkohet të votohet mocioni i cili thërret për kthimin e masës së bllokadës së importit nga Serbia. Kjo ka rëndësi të madhe politike dhe ekonomike. Gjatë kohës së shkurtë të bllokimit të mallrave nga Serbia u dëshmua që importi në Kosovë është një ndihmë e madhe për ekonominë e Serbisë. Pra që ndalimi i importit e dëmton Serbinë. Ndërkohë që kjo e ka edhe dimensionin e rëndësishëm ekonomik. Në atë kohë të shkurtër, prodhuesit e vendit filluan të raportojnë për ndikim të drejtpërdrejtë të kësaj mase të bllokimit në rritjen e shitjeve të tyre, dhe rrjedhimisht edhe rritjen e punësimit në fabrikat e tyre. Krej kjo përfundoi me përfundimin e masës së reciprocitetit.

Ali Ahmeti dhe politika e Nastradinit

ali-ahmetiPara disa ditësh, në Shkup u mbajt Kongresi i dytë i partisë më të madhe shqiptare – BDI, pjesëmarrëse në koalicionin qeveritar me VMRO-në maqedonase. Ajo që i karakterizoi punimet e këtij organi më të lartë partiak, ashtu si gjithë jetën politike shqiptare në Maqedoni, ishte mjerimi, mjerimi politik dhe intelektual. Figurativisht, këtë mjerim më së miri e ilustron sheshi i Tetovës. Ashtu siç la BDI në përfundim të mandatit si pushtet lokal çdo gjë përgjysmë në punimet e rregullimit të sheshit të Tetovës – pjesë e mirë e pashtruar me pllaka dhe grumbuj të rërës mbi të cilin shkelin qytetarët për të kaluar nëpër qendër, ashtu u lanë përgjysmë të gjitha çështjet e pazgjidhura të shqiptarëve në këtë shtet.Një ditë Nastradini u thirr që të ndajë drejtësi në mes të dy palëve në konflikt. Nastradini, pasi dëgjoi njërën palë, para të gjithë të pranishmëve u dha të drejtë atyre. Pastaj dëgjoi edhe palën tjetër, dhe pasi i dëgjoi deri në fund, u dha të drejtë edhe atyre. Njëri nga të gjithë të pranishmit i habitur, i tha Nastradinit: – “nuk mund të ndani drejtësi në këtë mënyrë duke dhënë drejtë të dy palëve në mosmarrëveshje! Mund të ketë të drejtë njëra ose pala tjetër, por jo të dyja palët njëkohësisht!”. Nastradini pasi e dëgjoi edhe kritikuesin, qetë qetë u përgjigj: -Edhe ti ke të drejtë!
Mu në këtë mënyrë, duke tentuar që të kënaqi të gjithë, funksionon edhe Ali Ahmeti. Por për dallim nga Nastradini, të cilin populli, përveç me dobësitë njerëzore e vesh edhe me petkun e mençurisë dhe zgjuarsisë, ata që kanë patur rastin të bisedojnë ose ta ndjekin në Media që në fillimin e karrierës së tij politike, i ka befasuar shqiptarët me nivelin e ulët intelektual që ka. Ai, stilin e Nastradinit e përdor me naivitetin më të madh, vetëm për të zgjatur sa më shumë që të jetë e mundur statusin e tij prej heroi dhe lideri të partisë, gjë të cilën realisht nuk e meriton, por njëkohësisht edhe barë tepër e rëndë për të. Kjo gjë, u përgjigjet edhe “komandantëve” për rreth tij që valëvisin flamurin me portretin e tij të krekosur si lider, por ama me një qëllim tjetër – për të mbushur xhepat. Rizgjedhja e tij në krye të partisë pa asnjë kundërkandidat, përveçse zbulon qëllimet e vërteta të këtyre “komandantëve”, tregon edhe mjerimin intelektual dhe politik të të gjitha strukturave të partisë, duke filluar nga delegatët e Kongresit të cilët haruan se nuk janë përfaqësues të donjë fisi gjysëm të egër afrikan, por të një populli në zemër të Europës dhe se roli i tyre përveç duartrokitjes eshte edhe të kritikojnë udhëheqësinë dhe të kërkojnë përgjegjësi prej tyre. Prandaj Ali Ahmeti, pa fijen e turpit, në vend se të përgjigjej para delegatëve të Kongresit për paaftësinë e tij, ai u ankua para tyre se nga 12 pozicionet shtetërore kyçe, shqiptarët s”paskëshin asnjë dhe, përsëri me paturpësi, deklaroi se këtë do ta zgjidhte duke vazhduar të qëndrojë në koalicionin qeverisës!?
Ali Ahmeti, në stilin e Nastradinit, i dha të drejtë nënkryetares së partisë, Teuta Arifit që të promovonte teza të rrezikshme, antikombëtare të krijimit të identitet të ri të shqiptarëve të Maqedonisë, pa e kundërshtuar fare si tezë. Dhe për më tepët atë bashkë me përgjegjësin për katandisjen e qytetit të Tetovës në këtë gjendje dhe humbësin e zgjedhjeve lokale në Tetovë, për ti kënaqur, i shpërbleu me rizgjedhje në kryesinë e partisë.
Ai, për ti kënaqur, lejoi disa “komandantë” që të shkatërrojnë Qendrën Rekreative për Skijim “Kodra e Diellit”, duke përvetësuar të gjitha të ardhurat nga skiliftet, hotelet e të tjera gjatë gjithë kohës derisa maqedonasit e morën përsëri drejtimin e kompleksit duke na nxjerrë neve, shqiptarëve si njerëz të egër, të paaftë për të drejtuar pa vjedhur.
Ali Ahmeti, për të kënaqur disa “komandantë” i lejoi ata që të kontrollonin institucionet kyçe të Tetovës si Universitetin e Tetovës, Qendrën Spitalore te Tetoves duke bëre keqpërdorime të ndryshme në këto institucione.
Ai i dha të drejtë Gruevskit që të ekzekutojë pa gjyq djem të rinj shqiptarë në Brodec, dhe të nesërmen para Mediave, pa fije turpi, me naivitetin që e karakterizon, aprovoi masakrën, dhe për ironi, nga mercenarët e armatosur deri në dhëmbë kërkoi që të mos e frikësojnë popullatën!?
Ai i dha të drejtë Gruevskit, që të tallet me shqiptarët lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe. Gruevski ja arriti që të mashtrojë Ali Ahmetin duke aplikuar sistemin që bën qytetarin shqiptar budalla në pikë të ditës, sepse në vend që administrata të jetë dygjuhësore, pra të kuptojë, të pranojë dhe të punojë me dokumente në të dy gjuhët, bëhen qytetarët shqiptarë dygjuhësorë, pra shkruajnë kërkesat dhe shkresat zyrtare të ndryshme, detyrimisht në maqedonisht (sepse, kuptohet administrata nuk kupton shqip), dhe për t’ia bërë qejfin vetes, edhe shqip. Dhe në fund administrata lëshon dokumentin e kërkuar në maqedonisht, gjuhë në të cilën regjistrohet në databazë dhe në të cilën e lexojnë sistemet kompjuterike gjatë kontrolleve, dhe për tua bërë qefin shqipatarëve, edhe me një shqipe të kufizuar nga shkronjat e alfabetit që ka gjuha maqedone por që nuk regjistrohet në çipin e dokumentit. Kështu që Lulëkuqe Ymeri në dokumentet e identifikimit të një shqiptareje me këtë emër bëhet Ljuljkukje Umeri dhe kështu del gjatë cdo kontrolli në vendkalimet kufitare.
Ali Ahmeti, në vend që të insistonte për shpalljen e rezultateve reale të regjistrimit të popullsisë shqiptare, i dha të drejtë vetes që të bënte pazarllëqe me Cërvenkovskin për numrin e banorëve shqiptarë, dhe pastaj me Cërvenkonskin dhe Gruevskin të bënte përsëri pazarllëve të tjera për atë se kush do të udhëhiqte me komunat me popullsi shumicë shqiptare
Ali Ahmeti konsideroi si të nevojshme që të kënaqë edhe mbeturiant e PPD-se vazale të vjetër të pushtetit. Kështu që pas lutjeve të BDI dhe nazeve të shumta të tij, Abdurahman Aliti ish kryetar i PPD i cili shiti postin e kryetarit pasardhësit të tij, u caktua ambassador i Maqedonisë në Bullgari. Pas emërimit të tij si ambasador, ai habiti gjithe opinionin bullgar me deklaratën se ” do të luftojë për të drejtat e maqodonasve në Bullgari”, aq sa që ministrja e jashtme e Bullgarisë dklaroi: – neve na habiti kjo deklarate luftarake e z. Aliti sepse nuk shohim të nevojshme që dikush të luftojë në Bullgari për këtë çështje aq më tepër duke marrë parasysh maredheniet e mira me Maqedoninë”. Meqe këto vegla të ndëgjueshme të pushtetit i konsideronte pushtetar me përvojë, Ali Ahmeti caktoi edhe ish funksionarë të tjerë të PPD-së ne pozita si psh. Avokati i popullit, ambasadorë, këshilltarë etj.
Por mbi të gjitha, të drejtën absolute, Aliu ua dha ambasadorëve të shteteve perëndimore në Maqedoni. Duke mos dashur të vë në dyshim kontributin dhe miqësinë e këtyre vendeve, Ali Ahmeti abuzoi dhe akoma abuzon me këshillat miqësore të tyre sepse i shndërron dhe i paraqet para shqiptarëve si urdhra të prera të cilat nuk mund ti kundërshtosh. E këtu, Ali Ahmeti vërtet tregon zgjuarsi, sepse duke bërë kështu ai mbulon paaftësinë e tij, nënshtimin ndaj partnerit maqedonas e paraqet se të këshilluar nga këta ambasadorë, dhe gjithë këtë para qytetarëve shqiptar e paraqet si politikë të lartë me shum mistere ku qytetari shqiptar nuk ka akces dhe informacion.
Për të mos qenë të padrejtë me Ali Ahmetin, dhe duke u nisur nga fakti se Ali Ahmeti nuk është i pari “lider” shqiptar që me dashje ose padashje dështon në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve gjatë bashkëqeverisjeve me partitë maqedonase në Shkup, duhet pyetur vehten, athua ne shqiptarët ne Maqedoni kemi kapacitete intelektuale që të zgjidhim çështjen tonë njëherë e përgjithmonë? A thua mund ti zhillojmë këto kapacitete me institucionet e Shkupit të cilat janë ndërtuar për maqedonasit, punojnë për arsimimin, kulturën dhe të ardhmen e tyre dhe komandohen nga ata, ose për të qenë më të saktë me katedrën e albananologjisë në Shkup, ku siç thot Kim Mehmeti “kandidati shqiptar, përpara ligjëruesve gjithashtu shqiptarë, temën e doktoraturës për ndonjë krijues shqiptar, e mbron në gjuhën maqedonase!?” Nëse në një situatë hipotetike disa, qyteteteve të veriut apo jugut të Shqipërisë do tu jepej autonomi, por do tu mohoeshin institucionet e Tiranës, do të mund të zhvilloheshin njësoj si qytetet tjera të Shqipërisë? Po gjendja jonë mund të krahasohet me këtë situatë hipotetike? Kjo pupullatë që jeton në këto qytete të Maqedonisë perëndimore, mund të emancipohet, arsimohet, të bëjë jetë kulturore pa institucionet e Tiranës? A thua gjendja e sotme e emancipimt, arsimimit kulturës nuk e tregon qartë këtë?
Sikur ne, shqiptarët e Maqedonisë perëndimore, dhe liderët tanë politikë, do të mendonim me kokë të kthjellur, do ta pranonim, se padyshim që ne jemi një provincë, edhe atë me shumë probleme, emancipimi, arsimimi, kulture etj. Mbetet vetëm të zgjedhim nëse duam të jemi provincë e Tiranës, duke shpresuar por njëkohsisht duke kërkuar me këmbëngulje që institucionet e saj, si të vetme që munden, ta ndihmojnë këtë popullatë të eci drejt qytetërimit evropian, apo do të ngelemi përgjithmonë provincë e përbuzur nga maqedonasit dhe e tallur, keqpërdorur dhe e manipuluar nga shqiptarët vazalë në pushtet, duke u pajtuar me faktin e pamohueshëm që gjërat do të bëhen edhe më keq. /Afrim Ibrahimi/04 Jan 2010

Vizita armiqsore

Lajmi u dha dhe kërkesa tashmë është bërë: njeriu kryesor politik i Serbisë, Boris Tadiqi, do ta vizitojë Kosovën. Ai tha se po vjen në tokën e tij, kurse Qeveria, Pieter Feithi dhe EULEX-i po ia lehtësojnë realizimin e qëllimit. Tadiqi po shkel në vendin tonë të cilit ia lufton pavarësinë, në Kosovë të cilës punon t’ia mohojë vullnetin dhe qenien, në atdheun tonë, të cilit synon t’ia nxijë të ardhmen.Tadiqi mendon për Kosovën ashtu siç menduan të gjithë burrështetasit serb pa dallim gjatë këtyre shekujve të fundit: Kosova është tokë serbe dhe kulturë serbe, kurse shqiptarët ardhacakë uzurpues. Prandaj, mendon ai, toka duhet kthyer, kurse ardhacakët të spastrohen. Është tjetër që Tadiqi nuk po ua bën shqiptarëve atë që ua bëri Milosheviqi: gjithçka reduktohet në pamundësi, por aspak në vullnet. Se çka do t’i bënte Kosovës Tadiqi e kemi shembullin e gjallë në Luginë të Preshevës, ku shqiptarët i janë nënshtruar një terrori, shkelje e diskriminimi edhe më të egër se në kohën e Milosheviqit. Të gjendur nën këtë fushatë mizore antishqiptare, pa mundësi për shkollim e punësim, shumë familje po i lëshojnë tokat e tyre, ose po i shesin ato, duke ardhur për të jetuar në Kosovë.

Qeveria, Pieter Feithi dhe EULEX-i po e lozin vallen e vjetër:
institucionet ndërkombëtare ua dorëzojnë institucioneve të Kosovës kërkesën e Tadiqit për vizitë, bashkë me rekomandimin e tyre jopublik (sigurisht pozitiv), që në fakt, më pas bëhet vullnet i Qeverisë. Hashim Thaçi pastaj del e mburret se ishte Qeveria e cila në mënyrë të pavarur dhe me vullnet të plotë vendosi t’ia lejojë Tadiqit vizitën e tij në Kosovë. Gjithsesi, duke e ditur paraprakisht disponimin armiqësor të kësaj vizite, aq më keq nëse Qeveria ka vendosur e pavarur dhe me vullnetin e saj. Kjo do të thotë që Qeveria e Kosovës me plot vetëdije po i bën keq vendit tonë, dhe bile po na tregon për këtë gjë!

Herave të mëparshme Qeveria ka treguar se po të dojë mund t”ua ndalojë vizitat armiqësore në Kosovë zyrtarëve nga Serbia. Kështu ndodhi me të ashtuquajturin Ministër i Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviq, të cilit dy herë iu pat ndaluar hyrja në vendin tonë. Kjo tregon se bëhet fjalë për marrëveshje direkte ose indirekte të Qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë. Kjo tregon po ashtu pse nuk merren doganat në veri, pse mallrat e Serbisë e kanë vërshuar Kosovën, dhe pse tolerohen strukturat e Serbisë.
Gjithçka është, siç do të thoshte kryeministri ynë lozonjar, në “koordinim të plotë me faktorët ndërkombëtarë” dhe Serbinë, natyrisht.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Tadiqi ka paralajmëruar se do të ndalet edhe te Manastiri i Deçanit. Ne i bëjmë thirrje Kryetarit të Komunës së Decanit që t’i mobilizojë institucionet komunale dhe popullatën kundër kësaj vizite dhe për pengimin e saj, dhe kësisoj të mos i bashkohet bashkëpunimit të Qeverisë së Kosovës me Boris Tadiqin. Prej Deçanit ai me siguri që, ashtu siç ka ndodhur edhe herave tjera, do ta lëshojë kushtrimin për gjithë serbët kudo që jetojnë ata, për të mos e harruar Kosovën si tokë të shenjtë të Serbisë të dhuruar nga Zoti. Ai nga aty do të thërret për vazhdimin e luftës për Kosovën. Lufta e Serbisë kundër Kosovës ka patos fetar – Tadiqi lutet për Kosovën si tokë serbe dhe për mbrojtjen e saj i referohet Car Lazarit e Kishës Serbe. Ajo është luftë edhe politike – Tadiqi është kundër Kosovës si shtet. Lufta ka natyrë edhe juridike – Serbia po e kundërshton pavarësinë tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Serbia e Tadiqit po na lufton ekonomikisht me bojkotim, me shkeljen e CEFTA-s etj. Kurse Hashim Thaçi e pret atë krahëhapur. Siç e pret krahëhapur edhe ndaljen e Tadiqit në fshatin Osojan, aty ku Serbia e ka përqendruar kthimin e serbëve, dhe fshat të cilin Serbia insiston që ta avancojë në status të komunës për ta zgjeruar, kështu, Zubin Potokun kah veriperëndimi.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kryetari i Komunës së Preshevës, :
http://www.gazetaexpress.com/web/index.php/artikujt/lexo/22470/C4/C13/