Kategoritë: Shëndeti

Atletë të moshuar, të rinj në palestër

ushtrime fizikeDihet se ushtrimet fizike përbëjnë bazën për një jetë të shëndetshme. Por a mund të rinojnë ato? Sipas një studimi me atletë të moshuar, ushtrimet në palestër ndikojnë që gjendja e tyre fizike të jetë e barabartë me të një njeriu 20 vjet më të ri.  Studimi përbën frymëzim të qartë për t’u ushtruar fizikisht.

Çdo mëngjes, Tony Diamond shkon në park dhe për një orë bën ecje sportive, pastaj vrapon për një orë tjetër. Ai gjithashtu shkon në palestër dy – tri herë në javë. Kapiten marine, në pension, këtë vit, Tony fitoi tre medalje në Lojrat sportive për Moshuarit në garë mes personave 85 – 89 vjeç. Lojrat u zhvilluan në shtetin Minesota.
Tony Diamond thotë:

“Mosha ime është 86 vjeç dhe mosha ime në palestër është 44. Kjo sepse kam bërë shumë stërvitjes gjatë jetës sime. Kam filluar që kur isha fëmijë.”

Helen White luan basketboll dhe ua mëson këtë sport të moshuarve. Ajo fitoi një medalje argjendi në tenis, në Lojrat Kombëtare për të Moshuarit, në vitin 2013.

 “Unë jam 62 vjeç dhe mosha ime në palestër është 32 vjeç.”

Këta dy atletë janë mes rreth 5000 konkurruesve në Lojrat për të Moshuarit, të cilët morën pjesë në studimin mbi moshën në palestër. Pamela Peeke është asistent profesore e mjekësisë në Universitetin e Merilendit. Ajo e krey studimin së bashku  me Ulrik Wisloffin në Universitetin Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë, i cili zhvilloi një kalkulator fizkulture.

“Të gjitha të dhënat regjistrohen në pajisje. Ne bëjmë pyetje mbi moshën, lartësinë, peshën, rrahjet e zemrës, presionin e gjakut, sa kohë kalon në palestër. Pastaj ti shtyp një buton, dhe gjen se çfarë moshe ke në palestër.”

Çdokush mund ta përdorë këtë kalkulator në internet, falas.

“Ky lloj testimit është në fakt shumë i vlefshëm dhe ndihmon të kuptojmë përfitimet e të qënit të aftë dhe të shëndetshëm.”

Lojërat Kombëtare për të Moshuarit zhvillohen çdo dy vjet dhe atletë mbi 50 vjeç marrin pjesë në gara të shumëllojshme sportive.  Këtë vit, mosha mesatare e konkurruesve ishte 68 vjeç dhe mosha mesatare e tyre në palestër ishte 43 vjeç.

Pamela Peeke, anëtare e bordit që organizon këto lojra, thotë se shumë prej konkurrentëve kanë filluar të merren me fizkulturë vonë në jetë.

Hellen White thotë:
“Në fakt, unë fillova të merrem seriozisht me sport kur isha 50 vjeçe, dhe tani sporti është pjesë e përditshme e jetës sime.”

“Nuk ka rëndësi sa vjeç je; 20, 25, 30, të gjithë mund të ulin moshën në palestër duke u kujdesur fizikisht për veten.”

Pamela Peeke thotë se kurrë nuk është shumë herët ose shumë vonë për të filluar të merresh me fizkulturë dhe të korrësh përfitimet e saj. (voa)

 

Mjekësia rehabilituese

shtylla kurrizorePrindërit e një djali të paralizuar australian thonë se një ditë ai mund të jetë në gjendje të ecë pas udhëtimit në Amerikë për trajtim intensiv në një qendër rehabilitimi. Shkencëtarët në Universitetin Louisville të Kentakit, thonë se teknikat e tyre kanë sjellë përmirësime për disa fëmijë të cilët nuk janë në gjendje të ecin në mënyrë të pavarur.

Gjendja e 4-vjeçarit Evander Conroy tregon se udhëtimi i jetës mund të fillojë me vetëm disa hapa të vegjël. Që para se të lindte ai kishte kancer të shtyllës kurrizore.

Gjashtë muaj trajtim me kimioterapi ndikoi në zhdukjen e kancerit, por palca kurrizore mbeti e dëmtuar, dhe  ai nuk mund të ecë. Prindërit, që jetojnë në Sydney, thonë se trajtimi i nevojshëm me terapi për Evanderin në Australi nuk ishte i mundur. Ata u nisën për në Amerikë pasi mësuan se Universiteti Louisville kishte një qendër të posaçme për fëmijët që kanë nevojë për rehabilitim fizik. Nëna e Evanderit, Clare Conroy thotë:

“Djali lindi me  një tumor neuroblastome në shtyllën kurrizore. Së pari mjekët u morën me trajtimin e tumorit me kimoterapi. Megjithatë, pas shërimit, ai nuk ishte në gjendje për të lëvizur nga mesi e poshtë”.

Clare e solli djalin e saj në qendrën e rehabilitimit, sepse trajtimi duhej të fillonte që në moshe të re. Evander ka 3 vjet në këtë klinikë dhe e gjithë shpresa e tij është se do të bëhet më mirë. Profesor Andrea Behrman i Departamentit të Kirurgjisë Neurologjike thotë:

“Ky fëmijë i ka të gjitha  shenjat për të qëndruar në këmbë e për të ecur. Radiografitë dhe analizat  MRI tregojnë se përmirësimi i tij është i mahnitshëm.”
Dr.  Behrman përqëndrohet në metodat terapeutike që nxisin rimëkëmbjen pas lëndimit të palcës kurrizore tek fëmijët dhe të rriturit. Terapia e tij mbështet pikëpamjen se sistemi nervor nuk është i pariparueshëm.

“Fijet nervore në palcën kurrizore janë në gjendje të mirë. Ne na duhet të kuptojmë se si t’i rigjallërojmë ato, dhe mendoj se terapia në këtë rast është kyçi i suksesit”.

Kur Evander erdhi në klinikë në vitin 2012, ai nuk mund të qëndronte fare në këmbë, por tani është në gjendje për të hedhur disa hapa. Clare Conroy beson se ky përmirësim justifikon ardhjen e tij nga Australia në këtë qendër rehabilitimi.
“Është diçka që kurrë nuk e kishim menduar se do të ndodhte. Pra, për të parë se ai është duke hedhur hapa, ndërsa më parë duhej dikush për ta ndihmuar.”

Hapat e Evanderit  tani janë të vogla, por ato mund të përfaqësojnë një hap të madh në drejtimin e duhur në fushën e mjekësisë rehabilituese.

Mjekimi i dhëmbëve pa dhimbje

dhembetShumë njerëz kanë frikë të shkojnë tek dentisti, për shkak të dhimbjes nga gërryerja e dhëmbëve. Por duket se frikës po i vjen fundi! Një teknologji e re e zbuluar nga një firmë në Britani, premton të eliminojë nevojën për pastrim mekanik të dhëmbëve të prishur, duke përshpejtuar një proces natyral rregullimi.

Për më tepër se 100 vjet, dentistët i kanë riparuar kavitetet duke hequr pjesën e prishur të dhëmbit me një trapano dhe duke e mbushur pastaj vrimën e krijuar me metal, ose material plastik.

Në varësi të thellësisë së prishjes, kjo metodë mund të jetë e pakëndshme e madje e dhimbshme për pacientin dhe ajo duhet përsëritur vazhdimisht.

“Fillon një cikël të vazhdueshëm riparimi dhe zëvendësimi për dhëmbin e prishur”.

Smalti i dëmtuar mund të zëvendësohet në mënyrë natyrale, por procesi është shumë i ngadaltë për të ndalur dëmtimin e nisur nga bakteriet, që qëndrojnë në plasaritjet e vogla të dhëmbit.

Një kompani britanike, e quajtur Reminova, ka zbuluar një metodë për shpejtimin e ri-mineralizimit natyral të kaviteteve në fazë të parë.

“Ne kemi gjetur një mënyrë për përshpejtimin e këtij procesi: duke futur kalçium të pastër dhe fosfate tek smalti, që përmes një procesi natural do të zerë vend tek dhëmbi.”

Pas pastrimit të një prishjeje në fazë të hershme përmes një metode që nuk kërkon gërryerje, dentisti e mbulon atë me një solucion minerali dhe aplikon një korent elektrik, tepër të dobët, që pacienti nuk e ndjen.

Minerali i depozituar forcohet shpejt, duke mbushur kavitetin e krijuar. Studjuesit thonë se kjo metodë mund të jetë veçanërisht e mirë për fëmijët.

“Nëse fëmijët kanë një eksperiencë më të mirë kur shkojnë te dentisti, pa gërryeje dhe gjilpëra për një mbushje rutinë, ata nuk do të kenë më frikë të kontrollohen rregullisht.”

Dentistët theksojnë se metoda e re është shumë e efektshme në kavitetet e fazës së hershme, gjë që i bën të nevojshme kontrollet e rregullta tek dentisti. I gjithë trajtimi zgjat thuajse aq gjatë, sa një procedurë e rregulltë gërryerje dhe mbushjeje e dhëmbit.

Studjuesit thonë se kanë besim se kjo metodë e re mund të zhvillohet më tej për trajtimin e kaviteteve në fazë të avancuar.  Ata na kujtojnë se larja e rregulltë e dhëmbëve me pastë me përmbajtje flori, ndihmon para së gjithash, në parandalimin e prishjes së dhëmbëve. (voa)

Supa, pjesë e rëndësishme e dietës

supaMbështetësit e një diete të re pretendojnë se ajo është ‘super e shëndetshme’. Tani banorët e Kalifornisë që i kushtojnë rëndësi të veçantë dietës po braktisin dietën që bazohet tek lëngjet e frutave dhe perimeve, në favor të supës së gatshme me perime dhe fruta.

Kanë kaluar ditët kur dreka më e shëndetshme e ofruar në Los Anxheles ishte një gotë me lëng frutash dhe perimesh.

Supa tani është prirja e fundit e dietave të shëndetshme dhe popullariteti i saj është në rritje.

Blogerja e temave të shëndetit, Jen Johnson thotë se ajo është praktikuese e rregullt e “pastrimit me supë”, një dietë disa ditëshe vetëm me supë.

Ajo thotë se kur ha supë, nuk ka dhimbje të forta urie siç i ka ndodhur me dietën e lëngjeve.

“Supa më pëlqen sepse ajo është një racion i plotë ushqimor. Kam provuar dietën me lëngje dhe nuk mund t’i qëndroja një ditë e jo më një javë të tërë. Dietën me supë mund ta bëj për pesë ditë dhe ndoshta më shumë”, thotë ajo.

Për ata që besojnë tek kjo dietë, supa ofron fibra dhe proteinë, gjë që nuk ndodh me dietën e lëngjeve, duke e bërë konsumin e supës më të lehtë dhe më të kënaqshme.

Një dietë mesatare e supës përfshin pesë deri tetë racione supe në ditë: disa të nxehta, disa të ftohta, disa me fruta, disa me perime, disa të përziera.

“Soupure”, një kompani me qendër në Los Anxheles shet lloje të ndryshme supe me produkte bio.

“Soupure” shet produkte të ndryshme në dyqanet e saj dhe në internet.

“Përmes supës mund të merrni të gjithë përbërësit ushqyes, përfshirë fibrën dhe proteinën. Çdo gjë është e lidhur, trupi e ka më të lehtë të tresë sheqerin natyror nga frutat dhe perimet në supë”, thotë Angela Blatteis, bashkë-themeluese e kompanisë “Soupure”.

Kompania ka punuar një vit për krijimin e recetave për produktet e saj të supës duke marrë ndihmën e ekspertëve të dietës dhe kuzhinierëve.

Dieta një ditore e prodhuar nga kompania “Soupure” përbëhet nga tetë pako supe, që së bashku kanë 1200 kalori dhe kushtojnë 79 dollarë.

“Beaming” është një tjetër kompani që ofron lloje të ndryshme supe në katër kafenetë e saj në Kaliforninë jugore.

Pronarja Lisa Odenweller thotë se dëshiron të ndihmojë njerëzit të kuptojnë fuqinë e ushqimit si ilaç.

Supa më e njohur e kompanisë “Beaming” është “Buda Bowl”, që përgatitet e freskët, me pure të lulelakrës, lakër jeshile, dhe arra.

“Është e mirë dhe ushqyese. Të bën të ndihesh i ngopur gjatë gjithë ditës. Metabolizmin ta mban aktiv, që është pjesë e rëndësishme e pastrimit. Kjo supë është e pasur me fibër, që nuk gjendet në dietën e lëngjeve”, thotë zonja Odenweller.

Sarah Mirkin, dietologe nga Los Anxhelesi që njihet në Hollywood me nofkën Trajnerja e Kuzhinës, thotë se ideja që duhet të konsumosh disa gjellë të caktuara për të pastruar trupin nga mbetjet toksike mund të jetë e gabuar.

“Tradicionalisht, dietologët kurrë nuk kanë rekomanduar pastrimin në përgjithësi sepse trupi e bën vetë detoksikimin. Këtë e bëjnë veshkat, mëlçia, zorra e trashë, dhe sistemi ynë imunitar. Megjithatë, tani në këtë epokë ne jemi të ekspozuar ndaj shumë ndotësve dhe kimikateve dhe trupi ka nevojë për një ndihmë të vogël shtesë. Supa dhe lëngjet, edhe pse unë nuk e rekomandoj sheqerin në lëngje, janë të pasura me antioksidantë dhe fitokimikate që mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve kronike”.

Pra, supa në vetvete nuk mund të jetë një dietë magjike, por siç thekson dietologia Mirkin, nuk ka asgjë të keqe nga konsumi i një sasie më të madhe frutash e perimesh, në çdo formë. (voa)

Kanceret dytësorë

kancerKanceret dytësorë janë në rritje, duke ndikuar gati një në pesë pacientë në Amerikë. Mjekët thonë se ndërsa një rikthim i sëmundjes është shqetësues, njeriu mund të mbijetojë.

Judith Bernstein, 72-vjeçare, është dritë shprese për pacientët që kanë provuar kthimin e kancerit. Ajo mban një dhuratë të çmuar; një mbishkrim hebraik ku thuhet: “Perëndi më shëro tani.”

Ajo ka pasur tetë lloje kanceresh gjatë dy dekadave të fundit, të gjitha të trajtuara me sukses. Kancere dytësorë quhen ato raste kur më shumë se një tumor shfaqen në një ind apo pjesë tjetër të trupit, dhe që nuk janë përsëritje ose përhapje e tumorit të mëparshëm. Judith e pranon se është shembull ekstrem pasi ka përjetuar një listë të gjatë kanceresh dytësorë:

“Kancer i lëkurës, limfoma, në gji, mushkëri, ezofag, që u pasua nga kancer në tiroide.”

Pothuajse çdo pjesë e trupit të saj ka qenë e prekur nga një lloj kanceri dytësor. Një studim tregon se pothuajse 1/5  e të gjithë kancereve në SHBA janë përjetuar nga një pacient më shumë se një herë. Judith përshkruan vuajtjet e saj:

“Thjesht kam pasur fat të keq. Dhe ka qenë gjithashtu një barrë emocionale për burrin e saj Arnold. Shumë netë pa gjumë për t’u siguruar se ishte gjallë”.

Psikologjikisht, një kancer i dytë është shpesh më traumatik për pacientët dhe familjet. Judith është trajtuar në Qendrën e Kancerit Fox Chase. Që nga viti 1970, kur kanceri i dytë shfaqej në vetëm 9 për qind e pacientëve, shifrat janë rritur. Por tani më shumë njerëz mbijetojnë kancerin dhe jetojnë mjaft gjatë për t’u prekur përsëri. Kanceret dytësorë mund të krijohen nga të njëjtat ndryshime gjenetike apo faktorë rrezikut, si pirja e duhanit.

Edhe disa trajtime të tilla si terapi me rreze që ndihmojnë njerëzit të mbijetojnë kancerin e tyre të parë mund të rrisin rrezikun për një kancer të ri më vonë në jetë.

Një nga mjekët e qendrës është Eric Horwitz:

“Ndonjëherë dikush është në rrezik për një kancer të dytë. Por herë të tjera, shërohet nga kanceri i parë dhe është në rrezik sa çdo njeri tjetër normal për t’u prekur nga një kancer tjetër”.

Pavarësisht nga kanceret e saj, Judith Bernstein kryen ushtrime fizike për të ruajtur qetësinë dhe shpresën. Kanceret dytësorë paraqesin sfida të veçanta. Trajtimi mund të jetë më i kufizuar. Për shembull, rrezatimi zakonisht nuk rekomandohet të jepet më shumë se një herë në të njëjtën pjesë të trupit. Disa barna jepen me kufizime për të shmangur pasojat anësore në tru apo zemër.  Ekspertët në këtë klinikë thonë se për këtë arsye kanë krijuar trajtime të ndryshme për pacientët me kancer. Gjithashtu, për të qenë vigjilent për simptomat është e rëndësishme dhe kryerja e vizitave në datat e caktuara. (voa)

 

Shëndeti dhe jetëgjatësia

matja e shtypjesLajm i mirë dhe i keq për jetëgjatësinë. Lajm i mirë është se njeriu jeton më gjatë. Lajm i keq është se ka rrezik më të madh për probleme shëndetësore.
Në botë, jetëgjatësia është rritur me gjashtë vjet që nga viti 1990. Një studim i ri thotë se kjo është për shkak të përparimeve që janë bërë kundër virusit HIV, SIDA-s dhe malaries. Përparim është bërë edhe në pakësimin e vdekjeve nga sëmundjet ngjitëse dhe çrregullimet e ushqyerjes së nënave, dhe foshnjeve.

10 vendet me jetëgjatësinë më të lartë janë Japonia, Singapori, Andorra, Islanda, Qipro, Izraeli, Franca, Italia, Korea e Jugut dhe Kanadaja. Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 34 në listën për jetëgjatësinë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Besohet se problemet shëndetësore janë më të shumta kur popullsia është e përzierë.

Theo Vos është autori kryesor i studimit dhe profesor i shëndetit global në Institutin e Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit. Ai thotë se në përgjithësi ka pasur një ulje të dukshme të vdekshmërisë:
“Më e rëndësishmja është se ka patur pakësim të të gjitha sëmundjeve infektive që prekin fëmijët e vegjë, dhe të porsalindurit.  Por, kemi parë gjithashtu rënie shumë të qëndrueshme në vdekjet nga lëndimet, ndërsa vdekjet nga disa prej sëmundjeve kryesore jo ngjitëse kanë rënë më ngadalë.”
Për shumë njerëz, cilësia e jetës në vitet shtesë mund të jetë dëmtuar nga probleme shëndetësore.

“Duke rritur jetëgjatësinë mesatare njeriu ka më shumë gjasa për të marrë sëmundje që të pengojë aftësinë për të funksionuar. Ndërsa kemi qenë relativisht të suksesshëm në pakësimin e shkaqeve kryesore të vdekjes, ne kemi qenë më pak të suksesshëm në shërimin e shkaqeve të paaftësisë afatgjatë”, – thotë profesori Vos.

Disa sëmundje dhe paaftësi mund të parandalohen, por Dr. Vos thotë se investimi në trajtimin, apo shërimin e tyre nuk ka qenë i njëjtë me investimet për sëmundjet kryesore:

“Pra, i bëjmë thirrje komunitetit kërkimor mjekësor të fillojë të mendojë për të investuar më shumë në shkaqet e mëdha të paaftësisë sesa vdekshmërisë. Dhe shpresojmë se kjo do të çojë në disa përparime siç ka ndodhur në rastin e pakësimit të vdekshmërisë.”
Nëntë nga 10 vendet me jetëgjatësinë më të ulët janë në Afrika nën-Sahariane. Lesoto paraqitet më keq, me një jetëgjatësi prej vetëm 42 vjet, e ndjekur nga Swaziland, Republika e Afrikës Qendrore, Guinea-Bissau dhe Zimbabve, pastaj Mozambiku, Afganistani, Çadi, Sudani Jugor dhe Zambia.
“Kërcënimi më i madh i përbashkët në këto vende është shkalla e epidemisë HIV. Unë kam punuar për 10 vjet në Afrikën jugore dhe në Lesoto para se virusi HIV të prekte vendin, i cili qysh atëhere vuante nga shumë sëmundje që lidhen me varfërinë,” – thotë profesori Vos.

Sëmundja ishemike e zemrës, një pakësim i rrjedhjes së gjakut në zemër, është shkaku kryesor i asaj që njihet zyrtarisht si DALY apo vitet e jetës me aftësi të kufizuar. Sëmundja tjetër është infeksioni i pjesës së poshtme të aparatit të frymëmarrjes; pastaj vijnë dhimbjet në pjesën e poshtme të shpinës, dhimbjet e qafës dhe aksidentet rrugore.
Janë edhe sëmundjet e diarresë, sëmundja kronike e mushkërive e njohur si SPOK që përfshin bronkitin kronik dhe emfizemën. Edhe komplikimet para dhe gjatë lindjes, dhe HIV / SIDA, sëmundjet e syve,  humbja e dëgjimit dhe çrregullimet e shëndetit mendor.
Studimi bazohet në një analizë të të gjitha sëmundjeve kryesore dhe lëndimeve në 188 vende. Profesor Vos thotë se qëllimi është për të gjetur mundësi për të përmirësuar shëndetin e njerëzve. Studimi do të ndihmojë në krijimin e  objektivave të reja të zhvillimit të qëndrueshëm që zevendësojnë Objektivat e OKB-së mbi Zhvillimin e Mijëvjeçarit, këtë vit. (voa)

 

Fëmijët dhe kanceri

Femijet dhe KanceriMjekët janë duke hequr dhe ngrirë vezoret dhe  testitet e fëmijëve me kancer me shpresën që të jenë në gjendje për të ruajtur pjellorinë e tyre kur të rriten. Trajtimet e kancerit mund të shkaktojnë sterilitet, kështu që kirurgët janë duke hequr organet riprodhuese të pacientit, ndërsa shkencëtarët kërkojnë një mënyrë për rigjallërimin e tyre në të ardhmen.

Nëse fëmija diagnostikohet me kancer, mendimi i menjëhershëm i prindit është mirëqenia dhe mbijetesa e fëmijës. Mjekët në Spitalin e Fëmijëve Lurie janë duke u kërkuar prindërve për të marrë një hap më tej për të siguruar lumturinë e ardhshme të fëmijës së tyre.

Është një eksperiment që një ditë mund t’u japë fëmijëve si Talia Pisano, 2 vjeçare, një shans për të pasur një fëmijë të saj në të ardhmen.

Mjekët janë duke hequr dhe ngrirë vezoret ende të paformuara dhe indet e testiteve, me shpresë për t’i vendosur ato përsëri kur pacientët arrijnë moshën e rritur dhe duan të krijojnë familje. Askush nuk e di ende nëse eksperimenti do të dalë me sukses. Por kirurgia pediatër, Erin Rowell është optimiste.

“Mundësia është për të ruajtur një vezore para se të dëmtohet nga terapia ose barnat dhe pastaj të shpresojmë që këto vezore të funksionojnë normalisht në të ardhmen”.

Procedura ka dhënë rezultat tek të  rriturit, dhe më shumë se 30 foshnje kanë lindur nga gra që u ishin hequr vezoret dhe iu vendosën përsëri pas trajtimit të kancerit, apo pasi kishin kaluar kushte të tjera të rënda shëndetësore. Por procedura të tilla tek fëmijët janë ende eksperimentale.

Operacionet e heqjes së indeve  janë bërë në mënyrë tipike, ndërsa një fëmijë vihet në gjumë për një arsye tjetër. Ndërsa puna për përparimin e shkencës në këtë fushë vazhdon, brezi i parë i fëmijëve, indet e të cilëve janë vënë në akull, rritet.

Mjekët përballen me një sfidë delikate; idenë e një procedure tjetër mjekësore kur familjet ende përpiqen për të përballuar diagnozën e frikshme dhe planin e vështirë të trajtimit.

Dr. Rowell thotë se një pjesë e sfidës është se ato vezoret që ende nuk kanë pasur stimulim natyror të trupit, mund refuzohen nga trupi.

Nëna e Talia Pisanos, Maria është duke shpresuar se një ditë vajza e saj do të bëhet nënë. Vitin e kaluar, Talia ishte trajtuar për kancerin e veshkave, por kanceri u përhap në tru dhe në prill të këtij viti mjekët i hoqën një nga vezoret.

Lindja e një fëmije në Belgjikë i bën shkencëtarët të mendojnë se ata janë në rrugën e duhur. Indet e vezoreve ishte hequr nga e ëma kur ajo ishte 13 vjeç, para se të fillonte trajtimin për anemi. Gjithashtu, sipas raportit mjekësor, kur indet iu hoqën dhe u ngrinë, ajo kishte shenja të pubertetit. Indet e vezoreve u shkrinë dhjetë vjet pasi kishin qëndruar të ngrira  dhe iu bashkëngjitën vezore të mbetura në trup. Ajo lindi nëntorin e kaluar, pas një shtatzënie normale.

Por çështja është për vajzat para-pubertetit si Talia Pisano. Mjekja Jill Ginsberg e Spitalit të Fëmijëve në Filadelfias është ndër të parat në këtë fushë. Pacienti i saj është 10 vjeçari Michael Richert i cili po trajtohet për një tumor në tru. Në fillim të këtij viti, atij iu hoqën indet e testiteve pas një transplantimi të qelizave burimore, para fillimit të kimioterapisë. Richert është nga një familje e zgjeruar dhe i pëlqen të imagjinojë se si ai do të luajë me djalin e tij të ardhshëm.

Dr. Ginsberg bën thirrje për kujdes.

“Ne nuk duam të premtojnë gjëra që nuk mund t’i  japim. Dy studime në këtë fushë janë shumë të reja dhe nevojiten studime të tjera për të vërtetuar se këto inde mund të përdoren pas ngrirjes tek fëmijët. Por të paktën diçka po bëhet.”

Në Qendrën spitalore Lurie, Maria Pisano është gjithashtu e vetëdijshme se suksesi nuk është i garantuar. Ajo është optimiste dhe pse thotë:

“Duket si një ide e madhe, dhe jam e lumtur që vajza ime merr pjesë në të. Është e mahnitshme që mund të bëjmë diçka të tillë për t’i ardhur në ndihmë.”

Por do të kalojnë shumë vite para se këta fëmijë do të kenë mundësinë të bëhen prindër. Ndërsa prindërit e tyre përpiqen t’u japin një shans për t’u bërë nëna dhe baballarë. (voa)

Cigaret elektronike: a janë të dëmshme?

E-cigareGjatë disa viteve të fundit, cigaret elektronike ose e-cigaret, janë përhapur mjaft. Mes përdoruesve të sotëm ka edhe shumë të rinj, mjaft prej të cilëve nuk kanë pirë duhan kurrë.

Një studim i ri tregon se të rinjtë që fillojnë me cigare elektronike kanë më shumë gjasa të përdorin cigare duhani në të ardhmen.

Cigaret elektronike fillimisht hynë në treg si alternativë për të rriturit që donin të linin duhanin.

E-cigaret janë pajisje të cilat dërgojnë nikotinë në mushkëri duke ngrohur një lëng që përmban nikotinë, dhe që thithet. Blerësi mund të vendosë sasinë e nikotinës që përmban lëngu.

Adam Leventhal i Universitetit të Kalifornisë Jugore thotë:

“Cigaret eletronike kanë shije joshëse si karamele e çamçakëz. I përkasin teknologjisë së përparuar, janë moderne dhe të modës.”

Për këto arsye,  përdorimi i tyre është përhapur shumë mes të rinjve në të gjithë botën. Michelle Mercado tani pi cigare të rregullta, por kur ishte më e re përdorte cigare elektronike.

“Shoh shumë njerëz me cigare elektronike. Ata janë nxënës të shkollave të mesme ose pak të më të mëdhenj.”

Adam Leventhal dhe studiues të tjerë anketuan mbi 2-mijë nxënës të shkollave të mesme në Los Angeles nga viti i 9-të, kur shumica ishin rreth 14 vjeç. Në atë kohë, nxënësit thanë se nuk kishin pirë ndonjëherë duhan. Por një numër i tyre kishin provuar cigare elektronike.

“Ne krahasuam adoleshentët që kishin përdorur cigare eletronike me ata që nuk kishin përdorur, për të parë ndikimin midis dy grupeve.”

Nxënësit u anketuan përsëri gjashtë muaj më vonë në fillim të vitit të 10-të.

“Nxënësit që përdorën cigare elekronike kishin mbi katër herë më shumë gjasa për të filluar duhanin sesa ata që nuk kishin përdorur cigare elektronike.”

Zoti Leventhal thotë se përdorimi i e-cigareve në moshë të re mund të krijojë një brez të ri duhanpirësish, si dhe të kthejë mbrapa përparimin e e bërë në mbajtjen larg të rinisë nga pirja e duhanit. Studimi u botua në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë. (voa)

Reagimi i trurit ndaj dhimbjes

truri reagimiDhimbja mund të përfaqësojë, ose jo, një gjendje mendore, por sipas shkencëtarëve ajo është qartësisht e pranishme në tru. Ata mendojnë se dinë saktësisht se cila pjesë e trurit është përgjegjëse për dhimbjen, duke shpresuar të zgjidhin kështu një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen mjekësia.

Mund të ngjasojë si terapi qetësuese, por nuk është aspak e tillë. Ky krem që po vendoset në këmbën e studentit Min Ho përmban kapsaicinë, e njëjta lëndë që shton djegësirën e specave djegës. Ky eksperiment që po zhvillohet në Universitetin e Oksfordit, u ka treguar shkencëtarëve jo vetëm mënyrën se si e përjetojmë dhimbjen, por edhe se ku e ndjejmë atë. Studenti i mjekësisë Lee merr pjesë vullnetarisht në këtë studim, i cili synon të lehtësojë jetën e pacientëve që ndjejnë dhimbje të forta.

Ilaçet dhe terapitë që përdoren për të ulur dhimbjen, japin vetëm efekte lehtësuese të përkohshme, dhe mund të kenë madje efekte anësore të rrezikshme.

“Dhimbja më e madhe që kam përjetuar ka qenë në moshën 14-vjeçare. Kjo lënda kapsaicinë, nuk e di se çfarë efekti ka. Më thanë që është përbërësi kryesor i specave djegës. Të shohim si do të shkojë.”

Kur përjeton dhimbje, është një proçes kompleks, të cilin është e vështirë ta zbërthesh. Dhimbja është rezultat i një numër perceptimesh. Një traumë e kaluar në fëmijëri, ose dhe diçka e sapondodhur ditët e fundit, mund të ngjallë ankth, madje edhe marrje mendsh që i shtohen përjetimit të ri. Megjithëse është ditur prej kohësh se sinjalet e dhimbjes i dërgohen trurit, ai mbetet një organ shumë i komplikuar. Ekipi po kryen këtë eksperiment për të përcaktuar saktësisht qendrën e dhimbjes në tru. Metoda që ata përdorin shtrihet në disa orë mbledhjeje informacioni nga çdo reagim.

Brenda skanerit MRI, pacienti lidhet me sensorë në mënyrë që neurologu Andy Segerdahl dhe ekipi i tij të munden të regjistrojnë gjithçka ndodh.

“Të gjitha neuronet e asaj pjese të trurit sinjalizojnë vazhdimisht për sa kohë që vazhdon dhimbja, duke kërkuar dhe furnizim të ri me gjak dhe oksigjen të asaj pjese të trurit. Duke gjurmuar këtë imazheri, vetë ky sinjal metabolizmi është burimi ynë kryesor.”

Ekipi ka përmbyllur tashmë një eksperiment fillestar që përmbledh aktivitetin në tru të 17 vullnetarëve. Gjatë eksperimentit shtohet edhe më shumë intensiteti i dhimbjes.

“Vatra të caktuara të trurit janë përgjegjëse për aktivitetin e shtuar të neuroneve. Kur personi vuan dhimbje të madhe, vatra në fjalë e trurit është në flakë.”

Gjetjet e eksperimentit jo vetëm do të ndihmojnë mjekët në përcaktimin e ilaçeve të duhura, por do të përmirësojnë dhe trajtimin p.sh. të foshnjave, apo pacientëve në koma, të cilët nuk mund të rrëfejnë për dhimbjen që ndjejnë.

Hapi i ardhshëm i këtij eksperimenti do të jetë “fikja” e ndjesisë së vatrës në fjalë të trurit që përjeton dhimbjen. Deri atëherë, vullnetarët si Lee, shpresojnë se janë duke kontribuar për mjekimin e pacientëve. (voa)

SHBA, Miratohet viagra për femra

viagra femraAgjencia amerikane për Kontrollin Ushqimor dhe të Ilaçeve ka miratuar një ilaç që rrit dëshirën seksuale tek gratë që po konsiderohet “Viagra për femra”.

Ilaçi që do të dalë në treg me emrin Addyi, është i pari që miratohet për të trajtuar dëshirën e pamjaftueshme ose mungesën e saj për marrëdhënie seksuale tek burrat ose gratë.

Miratimi i ilaçit vjen me një sërë shpjegimesh që pasqyrojnë shqetësimet e agjencisë për efekte anësore serioze, përfshirë pështjellim stomaku, letargji dhe marrje mendsh. (voa)