Kategoritë: Shëndeti

Lufta kundër Alcajmerit

AlcajmerLufta kundër një prej sëmundjeve më shkatërruese të kohëve moderne – Alcajmerit –vazhdon pa ndërprerje. Megjithë faktin se shkaktohet nga faktorë të panjohur, shkencëtarët po bëjnë përparim në disa fronte.

Alcajmeri është një sëmundje që sjell shkatërrim të trurit e që prek më shumë se 30 milion njerëz në vit – duke i marrë ngadalë kujtesën, duke degraduar funksionet e tyre trupore dhe eventualisht duke i mposhtuar.

Ekzaminimet e trurit të pacientëve të prekur tregojnë se sëmundja shkatërron ngadalë sistemin nervor, i cili është aq kompleks saqë ne ende nuk e dime cilat lëndë kimike janë përgjegjëse për sëmundjen.

Sipas një teorie, një proteinë e quajtur tau bëhet difektoze, duke prishur funksionimin normal të neuroneve.

Shkencëtarët në Sllovaki njoftojnë se kanë zbuluar një vaksinë që e bën sistemin imunitar të prodhojë antitrupa që efektivisht ndalojnë shkatërrimin e proteinës tau.

“Në provat tona me modelet e kafshëve, kemi parë heqjen e 95 përqind të proteinës së dëmtuar tau në një periudhë të shkurtër. Ky rezultat është shumë inkurajues.”

Shkencëtarët nga kompania farmaceutike Eli Lilly po përpiqen për një qasje të re, bazuar në teorinë se sëmundja e Alcajmerit shkaktohet nga depozitat anormale të një kimikati të quajtur amyloid beta.

Ilaçi i tyre i ri është provuar të jetë i efektshëm tek pacientët me simptoma të lehta të sëmundjes.

“Nuk pati efekte anësore. Është e rëndësishme pasi tregon efektin e vazhdueshëm të ilaçit, pra ai nuk është i përkohshëm.”

Rezultatet e provave klinike të të dyja këtyre ilaçeve u paraqitën në një simpozium të fundit në Uashington.

Ndërkohë në Universitetin Stanford, hulumtuesit po hetojnë trurin e mizave për të kuptuar plotësisht sëmundjet degjenerative nervore si Alcajmeri.

“Ka shumë gjene të lidhura me sëmundjet njerëzore dhe ka shumë modele të sëmundjeve njerëzore tek insektet dhe kjo do të thotë se mund të shkaktojnë shumë simptoma.”

Me ndihmën e një kamere infra të kuqe një makinë robotike kap miza dhe përgatit trurin e tyre për studim pa i vënë në gjumë.

 

Ndërsa neuronet e tyre përmbajnë gjithashtu proteinën tau që mund të degjenerojë në të njëjtën mënyrë ashtu siç ndodh me Alcajmerin, shkencëtarët thonë se mizat e frutave janë subjekte mjaft të nevojshme për kërkimet laboratorike të sëmundjes shkatërruese.  (voa)

Metodë e re trajtimi për kancerin e trurit

studimiStudiuesit në Universitetin e Karolinës së Veriut po i shndërrojnë qelizat e lëkurës në qeliza embrionale dhe po i mbushin me ilaçe kundër kancerit për t’i përdorur në luftën kundër tumoreve të trurit. Por përveç shndërrimit të qelizave, edhe një metodë e re për futjen e tyre në orgaanizimin e njeriut, premton për të gjetjen e një trajtimi të mundshëm në të ardhmen.

Dr. Shawn Hingtgen, ndihmës profesor në Fakultetin e Farmacisë Eshelman të Universitetit të Karolinës së Veriut thotë se objektivi i tyre kryesor është Glioblastoma, ose GBM.

“Është një formë shumë e rëndë kanceri. Vetëm për të kuptuar sesa e vështirë është që të trajtohet kjo sëmundje, jetëgjatësia për pacientët me GBM është vetëm rreth 12-15 muaj dhe se fatkeqësisht kjo shifër pothuajse nuk ka ndryshuar në 30 vjetët e fundit, prandaj ne mendojmë se duhet të ketë një mënyrë më e mirë për të trajtuar këtë sëmundje”, thotë Dr. Hingtgen, i cili merret kryesisht me terapi të mbështetura tek qelizat bazë.

Standardi aktual i trajtimit për Glioblastoma-n parashikon operacion, kemoterapi dhe rrezatim, thotë ai.

Shoqata Amerikane e Tumorit të Trurit thotë se tumoret e lidhura me GBM-në “janë zakonisht shumë agresivë”, për shkak të përqindjes së lartë të riprodhimit të qelizave.

Në laboratorin e Dr. Hingtgen, studiuesit po bëjnë kërkime mbi bazat e punës së nobelistëve Sir John B. Gurdon dhe Shinya Yamanaka që zbuluan se qelizat e rritura mund të shndërrohen në qeliza me cilësitë e atyre embrionale. Studiuesit e përdorën këtë metodë tek minjtë.

“Fillimisht ne shndërruam qelizat e lëkurës në qeliza embrionale tek minjtë, duke i kthyer ato në një gjendje neurale në mënyrë që të ishin të ngjashme biologjikisht me qelizat bazë të trurit. Puna laboratorike tregoi se mund t’i përdornim këto qeliza të përftuara nga lëkura për të trajtuar kancerin e trurit”,tha dr. Hingtgen.

Për këtë projekt, kontribuoi edhe Departamenti i Shkencave dhe Inxhinierisë Materiale në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Veriut, ku profesore Elizabeth Laboa krijoi një teknologji të re për të ndihmuar Dr. Hingtgen dhe ekipin e tij që të fusin qelizat embrionale tek truri i pacientit.

Më parë, siç shpjegon Hingtgen qelizat embrionale injektoheshin por shumë prej tyre shkëputeshin gjatë operacionit dhe rezultonin joefektive.

Por teknologjia e re funksionon si një skelë që imiton rrjetin e qelizave të jashtme të trurit dhe i thith qelizat embrionale.

Dr. Julio Rodriguez-Bago, një bashkëpunëtor kërkimor që punon me dr. Hingtgen thotë se kjo teknologji është pjesa më novatore e studimit.

“Kjo mënyrë e rrit jetëgjatësinë e qelizës në trupin e pacientit. Mendoj se kjo është diçka e re sepse bën të mundur përfshirjen e shndërrimit të indeve që deri më sot ishte përdorur për rigjenerimin e qelizave apo indeve, në trajtimin e kancerit, Kurrë më parë nuk është përdorur një metodë e tillë”.

Dr. Hingtgen thotë se kur arritën që të vendosin me sukses shtresën me qeliza embrionale, ata vunë re përparim.

“Në provat tona fillestare, arritëm të zgjasim jetëgjatësinë e minjve me tumore në tru nga 25 ditë në 65 ditë. Prandaj mendoj se kjo metodë është e realizueshme. Duket se është e sigurt dhe çka është më e rëndësishme mendoj se mund të fillojmë ta çrrënjosim këtë sëmundje. Mendoj se i hap rrugën një terapie vërtet të rëndësishme klinike për të kuruar kancerin e trurit”,thotë Dr. Hingtgen.

Ai thotë se provat klinike mund të fillojnë brenda dy vjetësh. (voa)

Një vaksinë e efektshme për Ebolën

vakcinaStudiuesit thonë se një vaksinë eksperimentale për Ebolën, ka rezultuar “jashtëzakonisht e efektshme” për parandalimin e sëmundjes vdekjeprurëse.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha sot se vaksina ka qenë 100 për qind e efektshme në provat eksperimentale në Guine. Revista britanike mjekësore Lancet ka botuar rezultatet dhe analizat paraprake.

Vaksina e re “mund të jetë zgjidhja e duhur kundër Ebolës”sipas ministrit të jashtëm të Norvegjisë, një nga disa vendet e përfshira në fazën e eksperimentimit.

Epidemia e Ebolës që u përhap në vendet e Afrikës Perëndimore vitin e kaluar, shkaktoi vdekjen e mbi 11 mijë personave, shumica në Liberi, Guine dhe Sierra Leone. (voa)

Ilaç i ri kundër Alzheimerit

alzheimerNjë ilaç eksperimental për Alzheimerin mund të ngadalësojë sëmundjen nëse njerëzit e marrin që në fillim, sipas kompanisë farmaceutike Eli Lilly. Ky është një prej ilaçeve të pakta elsperimentale për trajtim më të mirë të Alzheimerit.

Pasi Wendy Mitchell u diagnostikua me sëmundjen Alzheimer një vit më parë, ajo krijoi një tabelë me fotografi dhe shënime për të ndihmuar veten gjatë ditës. Ajo e mirëpriti lajmin se një medikament i ri së shpejti mund të dalë në treg, por mendon se është shumë vonë për të –  ilaçi ndoshta mund të ndihmojë vajzat e saj për të shmangur këtë çrregullim të trurit.

“Kush e di se ku do të jetë truri im pas dy vjetësh, por emocionuese për mua është se më jep shpresë për vajzat e mia, sepse çdo njeri shpreson të mos e provojë këtë sëmundje. Kjo mund të arrihet vetëm me kërkime mjekësore dhe ilaçi i ri shpresoj  se do të jetë i suksesshëm.”

Hollësitë e ilaçit të ri i quajtur Solanezumab u shpallën në Konferencën e Shoqatës Ndërkombëtare mbi Alzheimerin, që u zhvillua në Uashington më 22 korrik. Studimet e mëparshme, kanë treguar se  Solanezumab nuk kishte mundur të ndihmonte pacientët me Alzheimer të përgjithshëm. Por tregoi shenja se ilaçi mund të ndihmonte njerëzit me sëmundje shumë të butë, duket ngadalësuar rënien e tyre mendore me rreth një të tretën.

Një studim më i gjërë është duke u zhvilluar dhe pritet të përfundojë në fund të vitit 2016. Dr Eric Seimers, drejtor mjekësor i firmës Eli Lilly thotë se sa më shpejt që njerëzit trajtohen me këtë ilaç aq më i mirë është rezultati.

“Kjo do të thotë se trajtimi duhet të fillojë herët.  Çdo ditë që pacienti kalon me sëmundje neuro-degjenerative, siç klasifikohet Alzheimeri,  aq më shumë vdesin qelizat e trurit. Kjo tregon se për të ngadalësuar përparimin e sëmundjes, trajtimi duhet të fillojë sa më parë.”

Dr Clare Walton e Shoqatës britanike të Alzheimerit thotë se shenjat janë shpresëdhënëse, por duhet treguar kujdes.

“Ne duhet të presim rezultatet e provave të gjëra klinike. Por lajmi i mirë është se prova të tilla janë duke u zhvilluar dhe priten rezultate përfundimtare.”

Alzheimeri është forma më e zakonshme e dementias. Për sëmundjen, uk ka kurë, por vetëm trajtime për të lehtësuar përkohësisht simptomat. Më shumë se 35 milionë njerëz në mbarë botën kanë Alzheimer në forma të ndryshme, duke përfshirë rreth 5 milionë në SHBA. Këto shifra pritet të rriten me shpejtësi ndërsa popullsia moshohet. (voa)

Të jetosh më mirë duke ecur në natyrë

NatyraSipas një studimi në Universitetin Stanford, shëtitja në natyrë ka efekte shumë pozitive psikologjike tek njerëzit, krahasuar me jetën urbane.

Për t’u ndjerë më mirë mund të arrihet ndoshta shumë thjesht nëpërmjet një ecjeje në pyll. Shkencëtarët në Universitetin Stanford studiuan rreth 40 individë me shëndet të plotë mendor. Gjysmës së tyre iu kërkua të bënin një shëtitje nëpër qytet. Gjysmës tjetër iu tha ta bënin shëtitjen në natyrë.

Pas kthimit, personat që ecën në natyrë shfaqën më pak shenja mërzitjeje ose pezmatimi, krahasuar me ata që ecën përmes qytetit.

“Ekzaminuam pjesët e trurit që aktivizohen gjatë krijimit të ndjesisë së mërzitjes, dhe vumë re një rënie të këtij aktiviteti tek personat që ecën në natyrë, ndërsa nuk pati ndryshim tek ata që ecën nëpër zona urbane.”

Kështu shprehet Gregory Bratman, i Universitetit Stanford, i cili shton se nuk dihet se sa kohë është e nevojshme të qëndrohet në mjedise natyrore, që të arrihet një përfitim i tillë.

“Duhet të mendojmë si ta integrojmë sërish natyrën në qytetet tona.”

Gjysma e popullsisë së botës jeton tashmë në qytete. (voa)

Mësime mbi produktet e shëndetshme ushqimore

ushqimetUshqimet e përpunuara shpesh kushtojnë pak në dyqanet ushqimore. Por në shumicën e rasteve, ato përmbajnë përqindje të larta kripe, sheqeri dhe yndyre të saturuar, që konsiderohen ndër faktorët e obezitetit dhe çojnë në sëmundje kronike. Shumë familje me të ardhura të kufizuara i blejnë këto produkte pasi ato duken më të leverdisshme se zarzavatet dhe frutat e freskëta apo produkte të tjera. Organizata Cooking Matters, që lufton kundër urisë, po ndihmon familjet me të ardhura të ulëta të ndjekin një dietë më të shëndetshme përmes disa programeve falas.

Hapi i parë i një diete të shëndetshme fillon kur bëhet pazari. Nëse ke bërë plane se çfarë do të gatuash, di çfarë të blesh.

Lindsey Seegers është guida e vizitës në dyqanin e ushqimeve dhe u shpjegon grave cilat janë grupet kryesore ku kategorizohen ushqimet. Gratë pjesëmarrësve vijnë nga shtresa e varfër.

“Do të mësojmë se si të bëjmë pazare për 1 ditë, ndoshta edhe dy ditë gatim, me vetëm 10 dollarë për të ushqyer të gjithë familjen”.

Vizita fillon me shpjegimet për fruta-perimet, ku pjesëmarrëset mësojnë si të krahasojnë çmimet për kilogram.

Ato mësojnë metodat për një blerje të leverdisshme, si dhe format e një produkti ushqimor: kokrra gruri, miell, bukë.

Ajo u shpjegon se edhe frutat dhe perimet e ngrira kanë vlera ushqimore. Më pas Lindsey flet për vlerat e miellit të zi, që është i pasur me fibër.

Etiketa duhet lexuar me kujdes për të mësuar se çfarë po blen:

“Njerëzit mendojnë se etiketat janë shumë të ngatërruara. Megjithëse nganjëherë etiketa thotë se produkti përmban miell të zi, nga përqindja e përbërësve mëson se është në pjesën më të madhe me miell të bardhë. Për dikë me diabet ky element është shumë i rëndësishëm për shëndetin. Në këtë vizitë do të mësojmë se si të nxjerrim informacion nga etiketa”.

“Mendoj se vizita më ndihmoi të përqëndrohem në tre faktorët e rrezikshëm: sheqeri, kripa dhe yndyrat e saturuara”.

Tia Taylor tani është bërë blerëse më e zonja:

“Përdor shumë ushqime të ngrira. Prandaj u gëzova kur mësova nga Lindsey se edhe ushqimet e ngrira kanë vlera ushqimore”.

Kjo vizitë e ndihmoi Tina Pawlik të ndryshojë dietën:

“Haja shumë makarona, por mësova se ka edhe produkte të tjera që janë po aq të leverdisshme në çmim, sa makaronat. Tani e di që nuk është e pamundur të blesh ushqime të shëndetshme me një buxhet të vogël”.

Tani që kanë mësuar disa teknika për të zgjedhur produktet më të mira kur bëjnë pazaret, gratë pjesëmarrëse do të dinë të bëjnë zgjedhje të shëndetshme. (voa)

Arresti kardiak

operationArresti kardiak ndodh kur zemra papritmas ndal rrahjet. Shumica e njerëzve që pësojnë një ndalje të tillë vdesin, por një komision i qeverisë amerikane sapo ka lëshuar rekomandime për të përmirësuar shanset e mbijetesës, njofton Carol Pearson e Zërit të Amerikës.

Kur zemra e dikujt ndalon së rrahuri, çdo sekondë është e rëndësishme.

Doktor Lance Becker i Komisionit IOM për Arrest Kardiak thotë:

“Një arrest kardiak ndodh ku rrahja mekanike e zemrës ndalon papritur dhe ky është rast urgjent, sepse vdekja ndodh nëse nuk ndërhyhet brenda pak minutave.”

Dr Lance Becker morri pjesë në komisionin që shqyrtoi procedurat e arrestit kardiak për Institutin Amerikan të Mjekësisë.

Arresti kardiak nuk është infarkt, edhe pse mund të çojë në një të tillë. Infarkti shkaktohet nga një arterie e bllokuar që ndërpret furnizimin me gjak të muskulit të zemrës. Kjo nuk është domosdoshmërisht vdekjeprurëse.

Arresti kardiak ndodh kur ritmi i zemrës ndërpritet. Shansi për të mbijetuar është më pak se 6 për qind, kur ndodh jashtë mjedisit të spitalit. Për të përmirësuar shanset, Dr Becker thotë se grupi i studimit nxjorri rekomandime që përfshijnë spitalet, ndihmat e urgjencës dhe publikun.
“Gjëja më e rëndësishme për Amerikën është të ketë një sistem ndihme të plotë që mund të fillojë të jepet që në rrugë.”

Rekomandimet përfshijnë më shumë trejnime në mënyrë që qytetarët e thjeshtë të mund të ushtrojnë dhënien e frymëmarrjes artificiale për ta bërë zemrën të filloi përsëri të punojë. Ata gjithashtu mund të mësojnë të përdorin një defibrilator të jashtëm, pajisje që dërgon shok elektrik në zemër në përpjekje për ta kthyer në ritmin e saj normal.

Përveç kësaj, grupi i studimit dëshiron të krijojë një regjistër kombëtar për të vëzhguar punën, për të identifikuar problemet dhe për të ndjekur përparimin në trajtimin e arrestit kardiak.

“Këtu përfshihet i gjithë sistemi i kujdesit, që nga kapja e hershme e  arrestit kardiak, frymëmarrja artificiale dhe dërgimi në kohë  në spital dhembledhja e të dhënave për të parë nëse ka nevojë për të përmirësuar mënyrën e reagimit.”

Tani për tani vetëm rreth 3 për qind e amerikanëve kryejnë trajnim vjetor për frymëmarrje artificiale, ndërsa edhe më pak dinë se si të përdorin një defibrilator.

Dr Becker thotë se për shkak të rritjes së incidenteve te arrestit kardiak në vendet në zhvillim, si qeveritë dhe një grup ndërkombëtar mjekësor janë të interesuar për gjetjen e mënyrave për të siguruar kujdes më të mirë të pacientëve pas arrestit kardiak dhe për të shpëtuar jetën. (voa)

 

Shëndeti dhe ndryshimet klimatike

thatsiraEkspertë të shëndetit dhe të mjekësisë u takuan të martën në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar mbi ndryshimin e klimës dhe shëndetin publik. Ky takim pason raportin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të SHBA-së të hënën, ku analizohen përfitimet shëndetësore dhe ekonomike nga pakësimi i çlirmit të gazrave të dëmshëm. Zbulime të ngjashme janë bërë edhe nga Komisioni Lancet mbi Shëndetin dhe Klimën, një grup i pavarur kërkimor ndërkombëtar.

Ndikimi i ndryshimeve klimatike është aq i madh sa mund të dëmtojë përfitimet e arritura 50 vitet e fundit në shëndetin global, sipas raportit të Komisionit Lancet. Moti ekstrem i keqësuar edhe më shumë nga ndryshimi i klimës mund të jetë katastrofik dhe i papranueshëm, thotë udhëheqësi i projektit të Komisionit, Nicolas Watts, i cili foli për Zërin e Amerikës përmes Skypit.

“Në kushtet e thatësirës, shpesh shohim ulje të prodhimit bujqësor, që ka një ndikim të thellë në kequshqyerje, veçanërisht për fëmijët. Në kohn e përmbytjeve, shpesh shohim një shtim të sëmundjeve infektive, si kolera dhe diarrea, që ndodhin si pasojë e këqësimit të kushteve sanitare.

Dhe, gjithnjë e më shumë, është nxehtësia, e cila mund të jetë vdekjeprurëse. Një valë e të nxehtit ekstrem në vitin 2003 la 70.000 njerëz të vdekur në të gjithë Evropën.

“Dhe me kalimin e kohës pritet të rritet intensiteti i këtyre ngjarjeve”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se nëse nuk merren masa të mëdha për të pakësuar emetimet e ngrohjes globale deri në vitin 2030, rreth 250,000 njerëz do të vdesin çdo vit nga efektet e ndryshimit të klimës. Ndotja e ajrit në natyrë është e lidhur me rreth tre milionë vdekje në mbarë botën, 1.2 milionë vetëm në Kinë.

Dr. Watts thotë se një kalim nga qymyri në energji të ripërtëritshme mund ta zvogëlojë këtë rrezik.

“Ne shohim rënie të menjëhershme të shtrimeve në spital dhe në shpenzimet e kujdesit shëndetësor, që redukton barrën e tanishme të buxheteve shëndetësore. Por ka edhe përfitime të tjera. Nëse ulim varësinë nga mjetet motorike dhe përdorim biçikletat dhe ecjen për të reduktuar çlirimin e karbonit ne mund të ulim edhe nivelet e diabetit dhe mbipeshës.”

Mes rekomandimeve, Komisioni mbështet uljen e veprimtarisë në termocentralet me qymyr, zgjerimin e energjisë së rinovueshme, investimet në sistemet shëndetësore dhe një angazhim për një traktat të fuqishëm global mbi klimën. Dr. Watts thotë se shëndeti publik është në thelbin e një marrëveshjeje të re globale.

“Shumica e asaj që doni të bëni për t’iu përgjigjur ndryshimeve klimatike është e mirë për shëndetin publik dhe në fakt kjo është për një të ardhme shumë më të mirë.”

Profesionistët e kujdesit shëndetësor mund të jenë avokatë në luftën kundër ndryshimeve klimatike, dr. Watts thotë: “Çfarë është e mirë për planetin, është e mirë për kujdesin e pacientit.” (voa)

Ilaç i ri kundër kolesterolit

barnaKëshilltarët federalë shëndetësorë rekomanduan për miratim një ilaç kolesteroli tepër shpresëdhënës,  por duke paralajmëruar se më shumë të dhëna janë të nevojshme në lidhje me aftësinë e tij afat-gjatë për të reduktuar goditjet në zemër.

Grupi i ekspertëve votoi 13-3 që Administrata Për Ushqime dhe Barna (FDA) ta miratojë ilaçin injektues, të quajtur Praluent.

Ilaçi duhet të përdoret vetëm për pacientë me nivele të larta kolesteroli të shkaktuar nga një çrregullim i trashëguar. Ekspertët thanë se donin të shihnin më shumë të dhëna nëse Praulent pakëson  problemet me zemrën, para se ilaçi të përdoret edhe për këta pacientë.

Nëse FDA ndjek rekomandimet e grupit, ilaçi Praulent  mund të miratohet për përdorim për një numër shumë më të të kufizuar njerëzish se sa shpresonin zhvilluesit e tij.

Praluent është pjesë e një grupi të ri barnash injektues që ulin kolesterolin më shumë se barnat statin, që janë përdorur për trajtimin standard të kolesterolit për më shumë se 20 vjet.

Grupi i ekspertëve pritet të rekomandojë edhe një tjetër ilaç, Amgen, që mund të përdoret për të ulur kolesterolin për të mbrojtur pacientët nga goditjet në zemrës.  Barnat janë prodhim i firmave farmaceutike Sanofi dhe Regeneron, të cilat thanë se janë të kënaqura me vendimin.

Ilaçet e reja mund të marrin miratimin e plotë nga Administrata Për Ushqime dhe Barna këtë verë. (voa)

Lini duhanin menjëherë dhe përfitoni në 20 minuta

Çdo moment është ai i duhuri për të hequr dorë nga duhanpirja. Pse? Sepse në vetëm 20 minuta do të përfitoni të mirat e heqjes dorë nga ky ves.

Një studim i shërbimeve shëndetësore britanike analizuan treguesit shëndetësorë për më shumë se 120 mijë persona ndër vite, duhanpirës dhe persona që kanë lënë duhanin dhe më pas hartuan një raport të detajuar me të mirat që përfitohen nga lënia e duhanit.

Nëse heq dorë nga duhani tani:

Pas 20 minutash presioni i gjaku dhe rrahjet e zemrës do të ulen dhe do të rikthehen në nivelet normale. Kjo ul menjëherë rrezikun e një sulmi në zemër dhe përmirëson qarkullimin e gjakut në organizëm.

Pas tetë orësh: Niveli i nikotinës dhe monoksidit të karbonit në gjak përgjysmohet. Në doza të mëdha, monoksidi i karbonit shkakton vdekjen, por në doza të vogla, sa ato që thithen nga një cigare shkakton vështirësi në frymëmarrje dhe rrit rrahjet e zemrës. Brenda këtij afati niveli i oksigjenit prek parametrat normalë duke furnizuar lëkurën dhe flokët e thatë.

Pas 24 orësh: Monoksidi i karbonit ‘zhduket’ nga organizmi dhe mushkëritë nisin të vetpastrohen dhe të rikthejnë në funksion mekanizmat mbrojtës ndaj ‘papastërtive’ që thithen së bashku me ajrin.

Në 48 orë: Organizmi pastrohet prej nikotinës dhe përmirësohet ndjeshëm shqisa e aromës dhe shijes. Efekt anësor në këtë periudhë mund të jetë një dhimbje e lehtë koke, që mund të lehtësohet akoma më shumë po të mendosh se në portofol do nisin të rëndojnë paratë që shpenzonit për cigaret.

Në 3 ditë: Frymëmarrja do të lehtësohet akoma më shumë. Në këtë fazë mund të keni probleme me përqendrimin, probleme që kompensohen me energjinë e fituar në nivele më të larta.

Në 12 javë: 60 përqind e atyre që kanë lënë duhanin pohojnë se në këtë periudhë kishin probleme me vetkontrollin dhe se dëshira për të ndezur një cigare ishte më e fortë se zakonisht. Mos u dorëzoni! Qarkullimi i gjakut dhe lëngjeve në organizëm në këtë fazë është përmirësuar akoma më shumë që reflektohet në një freski më të madhe të lëkurës.

Nga 3 deri në 9 muaj: Mushkëritë përmirësohen me 10 përqind. Në këtë fazë nis rigjenerimi i qelizave të dëmtuara nga duhanpirja. Nuk do të ndjeni më shqetësimet e kraharorit të shkaktuara nga duhani. 70 përqind e personave që kanë lënë duhanin thonë se në këtë periudhë kanë patur një rritje të fortë të oreksit. Nëse shqetësoheni se mund të fitoni kilogram të tepërta, atëherë duhet të bëni kujdes me ushqimin që përzgjidhni.

Në 1 vit: rreziku për të pësuar një sulm në zemër bie me 50 përqind të mundësive në krahasim me një duhanpirës. Ulet gjithashtu edhe mundësia e mpiksjes së gjakut në tru për shkak të mungesës së oksigjenit. Brenda pesë vitesh pasi e keni lënë duhanin, rreziku për t’u goditur nga një mpiksje rikthehet në nivelet normale, njësoj sikur të mos kishit pirë duhan kurrë.

Në 10 vjet: rreziku për t’u prekur nga kanceri në mushkëri ulet me 50 përqind në krahasim me atë të një duhanpirësi. Qelizat parakancerogjene në gjakun tuaj janë zëvendësuar të gjitha nga qeliza të reja të shëndetshme.

Në 15 vjet: rreziku për të pësuar një sulm në zemër ulet në nivelet e një personi që nuk ka pirë kurrë duhan dhe lëkura rigjeneron plotësisht dëmtimet e shkaktuara nga duhanpirja.

/ Top Channel