Kategoritë: Shëndeti

Të jetosh më mirë duke ecur në natyrë

NatyraSipas një studimi në Universitetin Stanford, shëtitja në natyrë ka efekte shumë pozitive psikologjike tek njerëzit, krahasuar me jetën urbane.

Për t’u ndjerë më mirë mund të arrihet ndoshta shumë thjesht nëpërmjet një ecjeje në pyll. Shkencëtarët në Universitetin Stanford studiuan rreth 40 individë me shëndet të plotë mendor. Gjysmës së tyre iu kërkua të bënin një shëtitje nëpër qytet. Gjysmës tjetër iu tha ta bënin shëtitjen në natyrë.

Pas kthimit, personat që ecën në natyrë shfaqën më pak shenja mërzitjeje ose pezmatimi, krahasuar me ata që ecën përmes qytetit.

“Ekzaminuam pjesët e trurit që aktivizohen gjatë krijimit të ndjesisë së mërzitjes, dhe vumë re një rënie të këtij aktiviteti tek personat që ecën në natyrë, ndërsa nuk pati ndryshim tek ata që ecën nëpër zona urbane.”

Kështu shprehet Gregory Bratman, i Universitetit Stanford, i cili shton se nuk dihet se sa kohë është e nevojshme të qëndrohet në mjedise natyrore, që të arrihet një përfitim i tillë.

“Duhet të mendojmë si ta integrojmë sërish natyrën në qytetet tona.”

Gjysma e popullsisë së botës jeton tashmë në qytete. (voa)

Mësime mbi produktet e shëndetshme ushqimore

ushqimetUshqimet e përpunuara shpesh kushtojnë pak në dyqanet ushqimore. Por në shumicën e rasteve, ato përmbajnë përqindje të larta kripe, sheqeri dhe yndyre të saturuar, që konsiderohen ndër faktorët e obezitetit dhe çojnë në sëmundje kronike. Shumë familje me të ardhura të kufizuara i blejnë këto produkte pasi ato duken më të leverdisshme se zarzavatet dhe frutat e freskëta apo produkte të tjera. Organizata Cooking Matters, që lufton kundër urisë, po ndihmon familjet me të ardhura të ulëta të ndjekin një dietë më të shëndetshme përmes disa programeve falas.

Hapi i parë i një diete të shëndetshme fillon kur bëhet pazari. Nëse ke bërë plane se çfarë do të gatuash, di çfarë të blesh.

Lindsey Seegers është guida e vizitës në dyqanin e ushqimeve dhe u shpjegon grave cilat janë grupet kryesore ku kategorizohen ushqimet. Gratë pjesëmarrësve vijnë nga shtresa e varfër.

“Do të mësojmë se si të bëjmë pazare për 1 ditë, ndoshta edhe dy ditë gatim, me vetëm 10 dollarë për të ushqyer të gjithë familjen”.

Vizita fillon me shpjegimet për fruta-perimet, ku pjesëmarrëset mësojnë si të krahasojnë çmimet për kilogram.

Ato mësojnë metodat për një blerje të leverdisshme, si dhe format e një produkti ushqimor: kokrra gruri, miell, bukë.

Ajo u shpjegon se edhe frutat dhe perimet e ngrira kanë vlera ushqimore. Më pas Lindsey flet për vlerat e miellit të zi, që është i pasur me fibër.

Etiketa duhet lexuar me kujdes për të mësuar se çfarë po blen:

“Njerëzit mendojnë se etiketat janë shumë të ngatërruara. Megjithëse nganjëherë etiketa thotë se produkti përmban miell të zi, nga përqindja e përbërësve mëson se është në pjesën më të madhe me miell të bardhë. Për dikë me diabet ky element është shumë i rëndësishëm për shëndetin. Në këtë vizitë do të mësojmë se si të nxjerrim informacion nga etiketa”.

“Mendoj se vizita më ndihmoi të përqëndrohem në tre faktorët e rrezikshëm: sheqeri, kripa dhe yndyrat e saturuara”.

Tia Taylor tani është bërë blerëse më e zonja:

“Përdor shumë ushqime të ngrira. Prandaj u gëzova kur mësova nga Lindsey se edhe ushqimet e ngrira kanë vlera ushqimore”.

Kjo vizitë e ndihmoi Tina Pawlik të ndryshojë dietën:

“Haja shumë makarona, por mësova se ka edhe produkte të tjera që janë po aq të leverdisshme në çmim, sa makaronat. Tani e di që nuk është e pamundur të blesh ushqime të shëndetshme me një buxhet të vogël”.

Tani që kanë mësuar disa teknika për të zgjedhur produktet më të mira kur bëjnë pazaret, gratë pjesëmarrëse do të dinë të bëjnë zgjedhje të shëndetshme. (voa)

Arresti kardiak

operationArresti kardiak ndodh kur zemra papritmas ndal rrahjet. Shumica e njerëzve që pësojnë një ndalje të tillë vdesin, por një komision i qeverisë amerikane sapo ka lëshuar rekomandime për të përmirësuar shanset e mbijetesës, njofton Carol Pearson e Zërit të Amerikës.

Kur zemra e dikujt ndalon së rrahuri, çdo sekondë është e rëndësishme.

Doktor Lance Becker i Komisionit IOM për Arrest Kardiak thotë:

“Një arrest kardiak ndodh ku rrahja mekanike e zemrës ndalon papritur dhe ky është rast urgjent, sepse vdekja ndodh nëse nuk ndërhyhet brenda pak minutave.”

Dr Lance Becker morri pjesë në komisionin që shqyrtoi procedurat e arrestit kardiak për Institutin Amerikan të Mjekësisë.

Arresti kardiak nuk është infarkt, edhe pse mund të çojë në një të tillë. Infarkti shkaktohet nga një arterie e bllokuar që ndërpret furnizimin me gjak të muskulit të zemrës. Kjo nuk është domosdoshmërisht vdekjeprurëse.

Arresti kardiak ndodh kur ritmi i zemrës ndërpritet. Shansi për të mbijetuar është më pak se 6 për qind, kur ndodh jashtë mjedisit të spitalit. Për të përmirësuar shanset, Dr Becker thotë se grupi i studimit nxjorri rekomandime që përfshijnë spitalet, ndihmat e urgjencës dhe publikun.
“Gjëja më e rëndësishme për Amerikën është të ketë një sistem ndihme të plotë që mund të fillojë të jepet që në rrugë.”

Rekomandimet përfshijnë më shumë trejnime në mënyrë që qytetarët e thjeshtë të mund të ushtrojnë dhënien e frymëmarrjes artificiale për ta bërë zemrën të filloi përsëri të punojë. Ata gjithashtu mund të mësojnë të përdorin një defibrilator të jashtëm, pajisje që dërgon shok elektrik në zemër në përpjekje për ta kthyer në ritmin e saj normal.

Përveç kësaj, grupi i studimit dëshiron të krijojë një regjistër kombëtar për të vëzhguar punën, për të identifikuar problemet dhe për të ndjekur përparimin në trajtimin e arrestit kardiak.

“Këtu përfshihet i gjithë sistemi i kujdesit, që nga kapja e hershme e  arrestit kardiak, frymëmarrja artificiale dhe dërgimi në kohë  në spital dhembledhja e të dhënave për të parë nëse ka nevojë për të përmirësuar mënyrën e reagimit.”

Tani për tani vetëm rreth 3 për qind e amerikanëve kryejnë trajnim vjetor për frymëmarrje artificiale, ndërsa edhe më pak dinë se si të përdorin një defibrilator.

Dr Becker thotë se për shkak të rritjes së incidenteve te arrestit kardiak në vendet në zhvillim, si qeveritë dhe një grup ndërkombëtar mjekësor janë të interesuar për gjetjen e mënyrave për të siguruar kujdes më të mirë të pacientëve pas arrestit kardiak dhe për të shpëtuar jetën. (voa)

 

Shëndeti dhe ndryshimet klimatike

thatsiraEkspertë të shëndetit dhe të mjekësisë u takuan të martën në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar mbi ndryshimin e klimës dhe shëndetin publik. Ky takim pason raportin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të SHBA-së të hënën, ku analizohen përfitimet shëndetësore dhe ekonomike nga pakësimi i çlirmit të gazrave të dëmshëm. Zbulime të ngjashme janë bërë edhe nga Komisioni Lancet mbi Shëndetin dhe Klimën, një grup i pavarur kërkimor ndërkombëtar.

Ndikimi i ndryshimeve klimatike është aq i madh sa mund të dëmtojë përfitimet e arritura 50 vitet e fundit në shëndetin global, sipas raportit të Komisionit Lancet. Moti ekstrem i keqësuar edhe më shumë nga ndryshimi i klimës mund të jetë katastrofik dhe i papranueshëm, thotë udhëheqësi i projektit të Komisionit, Nicolas Watts, i cili foli për Zërin e Amerikës përmes Skypit.

“Në kushtet e thatësirës, shpesh shohim ulje të prodhimit bujqësor, që ka një ndikim të thellë në kequshqyerje, veçanërisht për fëmijët. Në kohn e përmbytjeve, shpesh shohim një shtim të sëmundjeve infektive, si kolera dhe diarrea, që ndodhin si pasojë e këqësimit të kushteve sanitare.

Dhe, gjithnjë e më shumë, është nxehtësia, e cila mund të jetë vdekjeprurëse. Një valë e të nxehtit ekstrem në vitin 2003 la 70.000 njerëz të vdekur në të gjithë Evropën.

“Dhe me kalimin e kohës pritet të rritet intensiteti i këtyre ngjarjeve”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se nëse nuk merren masa të mëdha për të pakësuar emetimet e ngrohjes globale deri në vitin 2030, rreth 250,000 njerëz do të vdesin çdo vit nga efektet e ndryshimit të klimës. Ndotja e ajrit në natyrë është e lidhur me rreth tre milionë vdekje në mbarë botën, 1.2 milionë vetëm në Kinë.

Dr. Watts thotë se një kalim nga qymyri në energji të ripërtëritshme mund ta zvogëlojë këtë rrezik.

“Ne shohim rënie të menjëhershme të shtrimeve në spital dhe në shpenzimet e kujdesit shëndetësor, që redukton barrën e tanishme të buxheteve shëndetësore. Por ka edhe përfitime të tjera. Nëse ulim varësinë nga mjetet motorike dhe përdorim biçikletat dhe ecjen për të reduktuar çlirimin e karbonit ne mund të ulim edhe nivelet e diabetit dhe mbipeshës.”

Mes rekomandimeve, Komisioni mbështet uljen e veprimtarisë në termocentralet me qymyr, zgjerimin e energjisë së rinovueshme, investimet në sistemet shëndetësore dhe një angazhim për një traktat të fuqishëm global mbi klimën. Dr. Watts thotë se shëndeti publik është në thelbin e një marrëveshjeje të re globale.

“Shumica e asaj që doni të bëni për t’iu përgjigjur ndryshimeve klimatike është e mirë për shëndetin publik dhe në fakt kjo është për një të ardhme shumë më të mirë.”

Profesionistët e kujdesit shëndetësor mund të jenë avokatë në luftën kundër ndryshimeve klimatike, dr. Watts thotë: “Çfarë është e mirë për planetin, është e mirë për kujdesin e pacientit.” (voa)

Ilaç i ri kundër kolesterolit

barnaKëshilltarët federalë shëndetësorë rekomanduan për miratim një ilaç kolesteroli tepër shpresëdhënës,  por duke paralajmëruar se më shumë të dhëna janë të nevojshme në lidhje me aftësinë e tij afat-gjatë për të reduktuar goditjet në zemër.

Grupi i ekspertëve votoi 13-3 që Administrata Për Ushqime dhe Barna (FDA) ta miratojë ilaçin injektues, të quajtur Praluent.

Ilaçi duhet të përdoret vetëm për pacientë me nivele të larta kolesteroli të shkaktuar nga një çrregullim i trashëguar. Ekspertët thanë se donin të shihnin më shumë të dhëna nëse Praulent pakëson  problemet me zemrën, para se ilaçi të përdoret edhe për këta pacientë.

Nëse FDA ndjek rekomandimet e grupit, ilaçi Praulent  mund të miratohet për përdorim për një numër shumë më të të kufizuar njerëzish se sa shpresonin zhvilluesit e tij.

Praluent është pjesë e një grupi të ri barnash injektues që ulin kolesterolin më shumë se barnat statin, që janë përdorur për trajtimin standard të kolesterolit për më shumë se 20 vjet.

Grupi i ekspertëve pritet të rekomandojë edhe një tjetër ilaç, Amgen, që mund të përdoret për të ulur kolesterolin për të mbrojtur pacientët nga goditjet në zemrës.  Barnat janë prodhim i firmave farmaceutike Sanofi dhe Regeneron, të cilat thanë se janë të kënaqura me vendimin.

Ilaçet e reja mund të marrin miratimin e plotë nga Administrata Për Ushqime dhe Barna këtë verë. (voa)

Lini duhanin menjëherë dhe përfitoni në 20 minuta

Çdo moment është ai i duhuri për të hequr dorë nga duhanpirja. Pse? Sepse në vetëm 20 minuta do të përfitoni të mirat e heqjes dorë nga ky ves.

Një studim i shërbimeve shëndetësore britanike analizuan treguesit shëndetësorë për më shumë se 120 mijë persona ndër vite, duhanpirës dhe persona që kanë lënë duhanin dhe më pas hartuan një raport të detajuar me të mirat që përfitohen nga lënia e duhanit.

Nëse heq dorë nga duhani tani:

Pas 20 minutash presioni i gjaku dhe rrahjet e zemrës do të ulen dhe do të rikthehen në nivelet normale. Kjo ul menjëherë rrezikun e një sulmi në zemër dhe përmirëson qarkullimin e gjakut në organizëm.

Pas tetë orësh: Niveli i nikotinës dhe monoksidit të karbonit në gjak përgjysmohet. Në doza të mëdha, monoksidi i karbonit shkakton vdekjen, por në doza të vogla, sa ato që thithen nga një cigare shkakton vështirësi në frymëmarrje dhe rrit rrahjet e zemrës. Brenda këtij afati niveli i oksigjenit prek parametrat normalë duke furnizuar lëkurën dhe flokët e thatë.

Pas 24 orësh: Monoksidi i karbonit ‘zhduket’ nga organizmi dhe mushkëritë nisin të vetpastrohen dhe të rikthejnë në funksion mekanizmat mbrojtës ndaj ‘papastërtive’ që thithen së bashku me ajrin.

Në 48 orë: Organizmi pastrohet prej nikotinës dhe përmirësohet ndjeshëm shqisa e aromës dhe shijes. Efekt anësor në këtë periudhë mund të jetë një dhimbje e lehtë koke, që mund të lehtësohet akoma më shumë po të mendosh se në portofol do nisin të rëndojnë paratë që shpenzonit për cigaret.

Në 3 ditë: Frymëmarrja do të lehtësohet akoma më shumë. Në këtë fazë mund të keni probleme me përqendrimin, probleme që kompensohen me energjinë e fituar në nivele më të larta.

Në 12 javë: 60 përqind e atyre që kanë lënë duhanin pohojnë se në këtë periudhë kishin probleme me vetkontrollin dhe se dëshira për të ndezur një cigare ishte më e fortë se zakonisht. Mos u dorëzoni! Qarkullimi i gjakut dhe lëngjeve në organizëm në këtë fazë është përmirësuar akoma më shumë që reflektohet në një freski më të madhe të lëkurës.

Nga 3 deri në 9 muaj: Mushkëritë përmirësohen me 10 përqind. Në këtë fazë nis rigjenerimi i qelizave të dëmtuara nga duhanpirja. Nuk do të ndjeni më shqetësimet e kraharorit të shkaktuara nga duhani. 70 përqind e personave që kanë lënë duhanin thonë se në këtë periudhë kanë patur një rritje të fortë të oreksit. Nëse shqetësoheni se mund të fitoni kilogram të tepërta, atëherë duhet të bëni kujdes me ushqimin që përzgjidhni.

Në 1 vit: rreziku për të pësuar një sulm në zemër bie me 50 përqind të mundësive në krahasim me një duhanpirës. Ulet gjithashtu edhe mundësia e mpiksjes së gjakut në tru për shkak të mungesës së oksigjenit. Brenda pesë vitesh pasi e keni lënë duhanin, rreziku për t’u goditur nga një mpiksje rikthehet në nivelet normale, njësoj sikur të mos kishit pirë duhan kurrë.

Në 10 vjet: rreziku për t’u prekur nga kanceri në mushkëri ulet me 50 përqind në krahasim me atë të një duhanpirësi. Qelizat parakancerogjene në gjakun tuaj janë zëvendësuar të gjitha nga qeliza të reja të shëndetshme.

Në 15 vjet: rreziku për të pësuar një sulm në zemër ulet në nivelet e një personi që nuk ka pirë kurrë duhan dhe lëkura rigjeneron plotësisht dëmtimet e shkaktuara nga duhanpirja.

/ Top Channel

50 vjetori i raportit mbi duhanin

Nëse ka një person puna e të cilit ka krijuar një efekt që po ndryshon botën, ai ishte Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Shëndetin Publik,. Lurther Perry. Pesëdhjetë vjet më parë këtë muaj, ai lëshoi një raport që e lidhte pirjen e duhanit me kancerin e mushkërive dhe sëmundjet e zemrës .Në një ditë të ftohtë me shi në Varrezat Kombëtare Arlington, njerëzit u mblodhën për të kujtuar dhe nderuar një njeri i cili kushtoi jetën e tij për përmirësimin e shëndetit të të tjerëve .

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Shëndetin Publik, Luther Terry, tani në varrezat e heronjve ushtarakë, lëshoi një raport në vitin 1964 se pirja e duhanit lidhet me kancerin.

“Presidenti Kennedy e caktoi atë kirurg të përgjithshëm të vendit. “

Zv/Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Shëndetin Publik, Admirali Boris Lushniak foli për arritjet e Dr Territ.

“Ajo që ndodhi 50 vjet më parë ndryshoi botën. Pesëdhjetë vjet më parë ishte një botë krejtësisht ndryshe kur është fjala për përdorimin e duhanit”

Pirja e duhanit pranohej kudo: në aeroplanë , në bare, restorante dhe në vendet e punës .

“Statistikisht , pothuajse gjysma e popullsisë së rritur amerikane pinte duhan në atë kohë”

Dhe gjysma tjetër, duke përfshirë edhe fëmijë , thithnin ajrin e mbushur me tym duhani. Kjo ishte pjesë e kulturës deri sa Dr Terry lëshoi raportin e përgatitur nga një grup shkencëtarësh.

“Dhe raporti thoshte në mënyrë të qartë: Mes përdoruesve të duhanit kanceri i mushkërive dhe sëmundjet e zemrës janë më të përhapura.” Ky lajm tronditi botën, sepse, në mënyrë të veçantë, kirurgi i përgjithshëm si përfaqësues i qeverisë amerikane , doli me një qëndrim të tillë të fortë.”

Politikat e SHBA ndryshuar gradualisht mbi këtë çështje, përfundimisht duhani ndalohet në vendet e punës dhe zona publike.

Fushatat edukative paralajmërojnë njerëzit për rreziqet e përdorimit të duhanit . Në 50 vitet e fundit, studime të shumta kanë zbuluar efekte negative shëndetësore të përdorimit të duhanit; se edhe ata që nuk pinë cigare, por marrin frymë mes tymit të duhanit të tjetrit, janë të ekspozuar ndaj rreziqeve serioze për shëndetin.

Këto studime të pasqyruara edhe në raportet e Këshilltarëve të Shtëpisë së Bardhë për Shëndetin Publik kanë ndihmuar për të ulur pirjen e duhanit në SHBA nga 43 për qind në 18 për qind, sipas Dr Lushniakut . Por, pirja e duhanit është e vështirë për t’u lënë .

“Mos harroni , pirja e duhanit nuk është vetëm zakon, por edhe varësi. Pesëdhjetë vjet nga tani, shpresoj se nuk do të na duhet të lëshojmë një raport me rastin e100- vjetorit sepse problemi do të jetë zgjidhur.”

Por puna nuk ka mbaruar. Në botë 5.5 milionë njerëz (500 mijë vetëm në SHBA) vdesin çdo vit nga sëmundje të shkaktuara nga tymi i duhanit, dhe numri i tyre pritet të rritet .

Nga 1964 e më tej, Dr Terry përkushtoi jetën e tij për t’i dhënë fund epidemisë së duhanit. (voa)