Kategoritë: Shëndeti

Ndërhyrjet e paligjshme plastike në Shqipëri

operacion plastikTë nxitura nga presioni për t’u dukur mirë në median sociale, vajzat e reja shqiptare po joshen nga çmimet e ulta në sallonet e bukurisë për të bërë operacione plastike, pa kontroll mjekësor dhe në një vakum ligjor, duke alarmuar mjekë të specializuar për operacione plastike.

Emira Sela nuk është e kënaqur nga deformimi i shkaktuar si rezultat i një trajtimi kozmetik të pakontrolluar.

31 vjeçarja filloi të shqetësohej kur filluan t’i shfaqen rrudha në fytyrë. Parukierja e saj i tregoi për një injeksion të thjeshtë që kushtonte gati 65 dollarë dhe që fshinte shenjat e moshës.

Sallonet e bukurisë dhe flokëtore pa ekspertizë dhe supervizion mjekësor ofrojnë trajtime të tilla kozmetike, duke alarmuar mjekët e kualifikuar për këto ndërhyrje. Një injeksion i thjeshtë për të cilin Ermira nuk dinte asgjë, ishte mjaft për t’i shkatërruar jetën. Megjithë antibiotikët ajo ka dhimje të përhershme, temperaturë dhe të vjella, ndërsa ënjtja në anën e djathtë të fytyrës i shkakton mbylljen e syrit dhe fytyra e saj është gati e paralizuar.

“Jam aq e shpërfytyruar saqë doja të vrisja veten,” thotë Emira Sela, e cila humbi vendin e punës në një bankë. Shpresa e saj e vetme është operacion për të korriguar gabimin në një spital italian.

Dëshira për t’u dukur si Kardashian

“Ka gjithnjë e më shumë mashtrues me shiringa” thotë Panajot Papa, një kirurg i operacioneve plastike në një klinikë private në Tiranë. “Problem janë gjithashtu produktet… të ndaluara në Evropë që hyjnë ilegalisht nga Turqia apo Kina.”

Eriona Shehu, dermatologe në spitalin universitar të Tiranës, thotë se produktet e paçertifikuar, ofrohen me çmime shumë të lira.

“Ndërhyrjet kozmetike janë bërë një industri fitimprurëse. Pacienti është vetëm një konsumator i ekspozuar ndaj një numër rreziqesh.”

Shehu thotë se dëshira për t’u dukur si Kim Kardashian “po u shkatërron jetët vajzave të reja shqiptare që kërkojnë të zbukurohen”.

Mjekët shqiptare thonë se mosha tipike e klientëve që u nënshktrohen procedurave të tilla është mes 16 dhe 28 vjeç. Në një vend me gati 3 milionë banorë, kërkesa për ndërhyrje kozmetike u rrit me më shumë se 50% në vitin 2015, sipas një studimi të publikuar nga revista ekonomike shqiptare, Monitor.

Ofertat promocionale mund të shihen kudo, si në një sallon bukurie që reklamon 20% ulje për tre klientë së bashku për trajtim gjatë festave të fundvitit.

Kirurgu Papa thotë se ai ka trajtuar 12 vajza të reja mes moshës 20 dhe 27 vjeç që kishin komplikacione pasi kishin fryrë buzët dhe mollëzat me injeksion silikoni për 40 deri në 50 euro.

Produkti ka qënë i ndaluar për përdorim kozmetik në vende si Itali dhe Francë për më shumë se 15 vjet.

Mbyllja e Hendekut Ligjor

Mjekët shqiptarë janë të shqetësuar nga praktikantë të huaj që vijnë nga Italia, Turqia dhe Greqia për të punuar vetëm gjatë fundjavës.

“Ata mund të mos kenë diploma, kualifikim apo liçencë për këto lloj ndërhyrjesh apo të marrin përgjegjësinë për të ndjekur ndërhyrjen,” thotë Besim Boçi, drejtues i departamentit të otolaringologjisë në spitalin universitar të Tiranës.

Për shkak të hendekut ligjor, drejtësia nuk mund të ndërhyjë.

Një zëdhënëse për gjykatën e Tiranës, Alba Nikolla, e pranon se tani për tani është e pamundur “të hapësh hetime dhe të dënosh bazuar vetëm në ankesa” kundër praktikantëve.

Por autoritetet janë të vendosur për ta trajtuar këtë me një projekt-ligj për të kontrolluar produktet kozmetike dhe të salloneve të bukurisë, që do të paraqitet në parlament gjatë muajve të ardhshëm.

Ligji është në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian, ku Shqipëria kërkon të anëtarësohet, dhe do t’i mundësojë autoritetet të mbyllin qendrat që përdorin produktet e ndaluara.

Për ndërhyrje të dështuara, praktikantët mund të dënohen me tre deri në 10 vjet burg.

Ilaç i ri kundër kancerëve vdekjeprurës

KancerMe rastin e Ditës Botërore të Kancerit (4 shkurti), Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur disa udhëzime të për diagnostikimin e hershëm, gjë që mund të përmirësojë shanset për mbijetesë. Rastet e mbijetesës për disa lloje kancerësh janë përmirësuar ndjeshëm gjatë 50 viteve të fundit, ndërkohë që disa forma të kësaj sëmundje janë ende shumë të vështira që të trajtohen. Siç na njeh materiali në vazhdim, një numër pacientësh me kancer, tek të cilët trajtimet e tjera kanë dështuar, po tregojnë përmirësime gjatë provave të reja klinike.

Shkencëtarët në kompaninë farmaceutike “Pfizer” dhe firmën e vogël bioteknologjike “Abbvie Stemcentrix”, po kryejnë prova me një ilaç të ri që trajton disa lloje agresivë kancerësh, që janë të vështirë për t’u trajtuar dhe shpesh ripërsëriten. Ilaçi në fjalë funksionon tek minjtë dhe majmunët, ndërkohë që janë duke u zhvilluar prova edhe tek njerëzit. Doktor Marc Damelin punon për gjigandin farmaceutik “Pfizer”.

“Shpresojmë të godasim qelizat kanceroze në lindje të tyre. Sikurse kur pastron kopështin dhe heq barërat e këqija duke i shkulur nga rrënjët që të mos rriten më. Ilaçi i ri synon ë të godasë rrënjët e tumoreve. Kjo kimoterapi në thelb vret këto qeliza” , i tha ai Zërit të Amerikës, përmes Skype, nga qendra kërkimore “Pfizer” në Nju Jork.

Ilaçi ka qasje të dyanshme. Është një antitrup që lufton kancerin. Shkencëtarët kanë futur një ilaç kimioterapie tek antitrupi, që është molekulë proteine. Antitrupi kapet tek një qelizë kanceroze në zhvillim për të ndaluar rritjen e saj ndërkohë që kimoterapia e shkatërron atë.

“Kjo terapi është si një raketë e komanduar”, thotë Dr. Marc Damelin.

Ai shton se afro 30 për qind e pacienteve me kancer të vezoreve, gjatë provës po tregojnë reagim pozitiv. Janë paciente që nuk kanë patur shanse me terapitë e tjera.

Shpresohet që ky ilaç i ri do të zëvendësojë kimoterapinë standarde. Meqënëse ajo vepron ndaj qelizave të caktuara do të ketë më pak efekte anësore.

Nëse funksionon, shkencëtarët thonë se kjo mund të ndihmojë edhe pacientët me lloje të tjera kancerësh, përfshi kancerin e prostatës, stomakut, ezofagut dhe një lloj agresiv të leukemisë. Një provë klinike me më shumë pacientë pritet të fillojë këtë vit. Nëse del me sukses, ky ilaç mund të shpëtojë jetët e njerëzve me kancerë të vështirë. (voa)

Biden bën thirrje për luftë kundër kancerit

BidenZëvendëspresidenti Joe Biden i ka bërë thirrje administratës së ardhshme amerikane të vazhdojë mbështetjen për luftën kundër kancerit. Kanceri i trurit i mori jetën të birit, Beau, dhe zoti Biden nuk mori pjesë në garën presidenciale. Ai foli dje në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër, një ditë para çeljes së konferencës vjetore.

Zoti Biden u është bashkuar udhëheqësve politikë dhe ekonomikë, ekspertëve të teknologjisë dhe personaliteteve që janë mbledhur këtë javë në Davos-in turistik për të diskutuar çështje globale, avancimet teknologjike, sigurinë dhe çështje të tjera me interes publik.

Në fjalën e tij, zoti Biden i bëri thirrje administratës së ardhshme të mbështesë nismën e tij që synon eliminimin e kancerit.

“Kam biseduar me zotin Mike Pence, një njeri i mirë që për pak ditë bëhet zëvendëspresident, mbi dëshirën time që të bashkëpunojmë për t’i dhënë fund kancerit. Lutjet e mia janë që ata ta bëjnë këtë”, tha ai.

Forumi Ekonomik Botëror, i krijuar në vitin 1971, mblidhet ndërsa në botë po shtohen ndjenjat populiste dhe anti-emigracionit.

“Takohemi në një moment të jashtëzakonshëm historik. Jemi në mes të një transformimi të thellë, shpesh të llojit përçarës, të modeleve të biznesit, ekonomive, shoqërive dhe politikës”, deklaroi zoti Klaus Schwab.

Themeluesi i Forumit thotë se këto zhvillime janë cytur nga pakënaqësia e një brezi të ri dhe nga frika për të ardhmen.

“Së pari duhet të rikrijojmë besimin tek e ardhmja. Shpesh, duket sikur bota është mbizotëruar nga pesimizmi dhe cinizmi. Duhet të hedhim vështrimin drejt së ardhmes me shumë vetëbesim”, tha zoti Schwab.

Forumi nderoi dje violinisten gjermane Anne-Sophie Mutter, këngëtaren Shakira dhe aktorin amerikan Forest Whitaker, për përpjekjet e tyre kundër urisë në botë, për nxitjen e arsimit, paqes dhe pajtimit.

“Progresi ndodh kur njerëzit e zakonshëm bashkohen për të ndryshuar botën”,tha zoti Whitaker.

Në listën e të ftuarve të këtij viti janë edhe Sekretari i Shtetit, John Kerry, ish-Zëvendëspresidenti Al Gore, Presidenti kinez Xi Jinping dhe shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde. (voa)

Pajisje e re për transportimin e zemrës për transplantim

zemraOperacionet e transplantimit të zemrës janë përsosur vitet e fundit dhe tashmë ato janë bërë procedura të zakonshme. Por megjithatë numri i donatorëve të këtij organi mbetet i vogël në Shtetet e Bashkuara dhe shumë pacientë vdesin duke pritur. Numri i vogël i donatorëve nuk është i vetmi problem.

Shumë organe të dhuruara nuk mbrrijnë në dhomën e operimit për shkak të kushteve të papërshtashme për transport. Tashmë shkencëtarët në Siatëll po testojnë një pajisje të re, që ruan rrahjet e zemres dhe shmang dëmtimin e saj gjatë transportit.

Çdo vit, në Shtetet e Bashkuara, lista e pacientëve që kanë nevojëpër transplantim të zemres shtohet me rreth 4 mijë pacientë të rinj, por ndërhyrje kirurgjikale kryehet vetëm për rreth 2500 prej tyre.

“Për shkak të kësaj mungese, ne ende kemi rreth 17 për qind të pacientëve që janë në listë për transplantim të zemrës, të cilët vdesin duke pritur.”

Përveç mungesës së donatorëve, disa organe të dhuruara nuk arrijnë në dhomën e operimit në kushte të përshtatshme për transplantim. Ato zakonisht transportohen në një kuti akulli dhe mund të bëjnë udhëtime shkurtra. Tashmë një kuti e re është pajisur me një njësi qëruan rrahjet e zemrës gjatë transportit.

I vetmi moment kur zemra pushon së rrahuri është ai disa minuta para vendosjes në trupin e pacientit.

“Pra, prania e një pompe për ruajtjen e funksionit të zemrës gjatë transportimit na ndihmon që ta përshtasim më mirë zemrën me pacientin që ka nevojë për të, në mënyrë që më shumë zemra të dhuruara të mund të përdoren për pacientët në nevojë.”

Pajisja është testuar në fluturime që zgjasin deri në njëmbëdhjetë orë. Në këtë udhëtim për në Siatëll, zemra monitorohet nga afër për t’u siguruar që të jetë në gjendjen më të mirë të mundshme për transplantim. Prodhimi i kësaj pajisje është pritur me padurim.

“Unë mendoj se është një mundësi e madhe për të përmirësuar teknologjinë e ruajtjes së zemrës dhe organeve të tjera dhe në të ardhmen pacientët në nevojë për zëvendësim organesh do të përfitojnë nga kjo,” thotë presidenti i organizatës “Lifecenter Northwest”, Kevin O’Connor.

Por mjekët janë shumë të qartë gjithashtu se teknologjia e re nuk do të mbyllë hendekun mes numrit në disponueshëm të zemrave të dhuruara dhe kërkesës për to, prandaj ata bëjnë thirrje për rritjen e numrit të njerëzve të regjistruar si dhurues organesh. (voazemra)

Mamogrami përsëri në pikëpyetje

mamogramNjë studim i ri arrin në përfundimin se një në tre gra të diagnostikuara me kancer në gji nga mamogrami kanë marrë trajtim, pa qenë e nevojshme.

Kjo gjetje përforcon edhe një herë pikëpyetjen lidhur me rolin e mamogramit në përcaktimin e rasteve të kancerit.

Studimi u krye në Danimarkë dhe u botua në revistën “Analet e Mjekësisë”. Në studim thuhet se mamogrami në një të tretën e rasteve dallon rastet e tumoreve beninje, jo vdekjeprurëse dhe nuk dallon rastet e avancuara të kancerit.

Idhtarët e mamogramit thonë se analiza shpesh u shpëton jetën grave, duke ndihmuar në trajtimin e tumoreve në fazat e para të sëmudnjes. Por kundërshtarët thonë se rrezatimi i panevojshëm mund të shkaktojë raste të reja kanceri. (voa)

Udhëzime të reja për alergjinë nga kikirikët

kikirikiKikirikët dhe produktet ushqimore që i përmbajnë ato, si gjalpi i kikrikut, vaji, apo mielli i kikirikut, përdoren gjerësisht në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, për vlerat ushqyese dhe çmimet e përballueshme. Fatkeqësisht, shumë njerëz kanë alergji nga kikirikët dhe mund të kenë reaksion prej tyre, si acarim të lëkurës, apo lot në sy, e deri tek alergjitë e forta që mund të shkaktojnë vdekjen. Prindërit i kanë këshilluar që të mos u japin ushqime me kikirikë fëmijëve nën moshën 3-vjeçare. Por disa udhëzime të reja të Insituteve Kombëtare të Shëndetit sugjerojnë që fëmijëve t’u jepen produkte të kikirikëve në moshë të vogël, për të parandaluar zhvillimin e alergjive. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Zlatica Hoke bisedoi për këtë çështje përmes skype-it me Dr. Anthony Fauci, Drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, pjesë e Insituteve Kombëtare të Shëndetit.

Kikirikët janë mes ushqimeve më popullore për vaktet e zemrës. Sanduiçi me gjalpë kikiriku dhe reçel është një drekë tipike për fëmijët amerikanë.

Por rreth 2 për qind e nxënësve amerikanë kanë alergji nga kikirikët dhe kjo shifër është duke u rritur. Deri tani, mjekët pediatër kanë këshilluar që fëmijëve nën moshën 3 vjeçare të mos u jepen ushqime me përmbajtje kikirikësh. Por një studim i kryer në vitin 2015 në Britani, tregon se ky fakt mund ta ketë shtuar më shumë problemin.

“Është vënë re, se në Izrael, ku është e zakonshme që foshnjeve t’u jepen kikirikë në në muajt e parë të jetës, rastet e alergjisë janë shumë më të rralla se sa e fëmijëve hebrej që jetojnë në Britani, rreth 80 për qind më pak,”- thotë Dr. Fauci.

Dr. Anthony Fauci, Drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, thotë se ky zbulim i habitshëm do të thotë se foshnjet kanë në trupin e tyre një mekanizëm, i cili mund të stërvitet për të mos reaguar negativisht ndaj kikirikëve. Ky mekanizëm mund të ndryshojë, kur fëmijët mbushin 1 vjeç. Ai thotë se një ekip ekspertësh ranë dakord për disa udhëzime të reja për pediatrët amerikanë, të specializuar për alergjitë e fëmijëve.

“Në se një fëmijë ka patur acarim të rëndë të lëkurës, deri në ekzemë, apo alergji nga vezët në 4 deri 6 muajt e parë të jetës, ai duhet çuar tek një specialist i alergjisë, i cili t’i bëjë analizë gjaku, apo të lëkurës, për të përcaktuar në se fëmija ka alergji nga kikirikët. Në se fëmija ka alergji, nuk duhet marrë mbi vete rreziku për t’i dhënë atij ushqime me kikirikë dhe në rast të kundërt, atij mund t’i jepen produkte të kikirikëve që në 4-6 muajt e parë të jetës.”

Në se fëmija ka acarim jo të madh të lëkurës dhe alergji jo të fortë nga vezët, pediatri mundet t’i rekomandojë prindërve që t’i japin fëmijës produket me kikirikë që kur është 6 muajsh. Këtij fëmije nuk është e nevojshme t’i bëhen analiza për kikirikët. Fëmijëve që nuk kanë alergji, apo histori alergjish në familje mund t’u jepen kikirikë në çdo moshë. Ky është përfundimi i studimit të ri për alergjinë nga kikirikët. (voa)

Një zemër e shëndetshme ul rastet e çrregullimeve mendore

zemraNdërsa po rritet në mbarë botën numri i popullsisë së moshuar, do të rritet edhe numri i njerëzve që vuajnë nga demenca. Shkencëtarët po mësojnë më shumë rreth shkaqeve, ata po zbulojnë se mund të ndihmojnë në uljen e rasteve të shfaqura.

Shkencëtarët kanë zbuluar se çfarë është e mirë për zemrën, është e mirë gjithashtu edhe për trurin. Aktiviteti fizik dhe një dietë e shëndetshme ruajnë nivelin e gjakut që shtyn zemra drejt trurit. Qarkullimi i mirë i gjakut e mban funksional trurin dhe redukton rrezikun e Demencës.

“Demenca karakterizohet nga dobësimi i kujtesës dhe funksioneve të tjera, si të folurit apo aftësia për të planifikuar dhe organizuar ditën.”

Dr. Kenneth Langa udhëhoqi një studim të mbi 20 mijë personave për të vlerësuar rrezikun e demencës.

“Zbuluam se ka rënë ndjeshëm numri i rasteve me demencë gjatë periudhës 2000-2012, me 11.5% deri në 9% rënie.”

Zoti Langa thotë se rënia është për shkak të kurave më të mira për tensionin e lartë të gjakut, diabetin, mbipeshën, dhe trajtimet e tjera që e mbajnë të shëndetshëm sistemin kardiovaskular dhe ulin numrin e rasteve të goditjeve në zemër. Ai mendon se rritja e nivelit arsimor ka gjthashtu të bëjë. Shumë studime tregojnë se një rritje e nivelit të arsimit zvogëlon nivelin e çrregullimeve mendore. Në SHBA, niveli i arsimit të popullsisë është rritur gjatë dy dekadave të fundit.

“Do të thotë se një 75-vjeçar sot ka më pak rrezik të preket nga demencia, se sa një 75-vjeçar i 10 apo 20 viteve më parë.”

Pra, edhe pa zbulimin e ndonjë ilaçi të ri për të ulur numrin e rasteve të demencias, duket se ka një sërë faktorësh dhe hapash që mund të ndërmerren për të ulur rrezikun e shfaqjes së demencës. (voa)

Alternativa të reja për pacientët me sëmundje të rëndë veshkash

gjakuMijëra njerëz që kanë probleme me mosfunksionimin e veshkave së shpejti mund të kenë shanse më të mira për të mbijetuar me një veshkë të transplantuar, por me një rrezik më të madh për t’u prekur nga një sëmundje që mund të shkaktojë vdekjen. Disa pacientë dhe mjekë thonë se është më mirë të prekesh nga një sëmundje që mund të mbahet nën kontroll se sa të vdesësh në pritje të një veshke të shëndoshë për transplant.

Për pothuajse 100 mijë njerëz në Shtetet e Bashkuara gjetja e një donatori të përshtatshëm veshke është e vetmja shpresë e rikthimit në normalitet pa dializën e vështirë që pastron artificialisht gjakun disa herë në javë. Por çdo vit gjenden rreth 17 mijë veshka të shëndetshme dhe rreth 4 për qind e pacientëve në pritje të transplantimeve vdesin. Mjekët thonë se numri i veshkave në dispozicion mund të shtohet, por me disa rreziqe shtesë.

“Po u ofrojmë shansin për transplant, por gjithashtu po i mjekojmë për infeksione të reja që nuk kishin më parë. Ky është kompromisi,” thotë Dr. Peter Reese, Universiteti i Pensilvanisë.

Në një eksperiment të ri mes Universitetit të Pensilvanisë dhe Universiretit Johns Hopkins, mjekët po ofrojnë transplantim të veshkave nga donatorë të vdekur me hepatit C, një sëmundje virale që sulmon mëlçinë por lë veshkat të paprekura.

Pacientët që marrin veshka të tilla nuk kanë më nevojë për dializë por duhet të fillojnë të marrin ilaçe për trajtimin e hepatitit C. Ilaçet janë të kushtueshme dhe në disa raste të rralla mjekimi mund të dështojë.

Pas këshillimeve me mjekët mbi pasojat e procedurës, disa pacientë i pranuan rreziqet..

“Pa këtë studim nuk do të isha ku jam. Jam shumë mirënjohëse,” thotë Irma Hendricks, një prej pacientëve.

Koncepti u bë i mundëshëm pas zbulimit të një ilaçi të ri më të efektshëm që premton kurimin e 95 për qind të pacientëve me hepatit C. Hulumtuesit thonë se nëse provat klinike dalin të suksesshme, qindra veshka të tjera mund të ofrohen për transplantim për t’u shpëtuar jetët pacientëve me sëmundje të pashërueshme veshkash (voa)

Një vaksinë e suksesshme për Ebolën

vaksina-ebolaNjë vaksinë për ebolën ishte 100 për qind e efektshme në një studim në shkallë të gjerë të realizuar në Guine. Zyrtarët e shëndetësisë thonë se ata do të jenë më të përgatitur për një krizë të ardhshme.

Në vitin 2014, kur ebola bënte kërdinë në Guine, Sierra Leone dhe Liberi punonjësit e shëndetësisë nuk mund të bënin asgjë, përveç se të izolonin viktimat në përpjekje për të frenuar epideminë ose për të parandaluar përhapjen e saj.

Kështu që, rezultatet përfundimtare nga studimi i parë i madh për një vaksinë për ebolën përbëjnë një ndryshim të rëndësishëm.

Organizata Botërore e Shëndetësisë organizoi studimin e më shumë se 11 mijë njerëzve të ndarë në dy grupe, thotë përgjegjësja e hulumtimit për ebolën, Marie-Paule Kieny:

“Kishim zero raste infektimi me ebolë në grupin që u vaksinua menjëherë, në krahasim me 23 raste në ata që nuk u vaksinuan. Pra, zero me 23, mund të thuhet se kjo vaksinë duhet të jetë mjaft e efektshme”, thotë ajo.

Disa nga vaksinat janë në faza të ndryshme të testimit. Por grupi i zonjës Kieny mori rezultatet e fundit pasi përdori një strategji të veçantë.

Epidemia po ngadalësohej kur vaksinat ishin gati për testim. Numri në ulje i rasteve e bënte të vështirë të testoheshin fuqitë parandaluese të vaksinës.

Për këtë shkak, studimi i saj u përqëndrua në njerëzit që ishin të infektuar nga ebola:

“Nga ky rast infektimi u identifikuan të gjithë kontaktet, ata që kishin qenë në kontakt me personin me ebolë, si dhe kontaktet e tyre” thotë zonja Kieny.

Në këtë mënyrë u asgjësua sëmundja e lisë. Zonja Kieny thotë se kjo është hera e parë që është vepruar kështu për të provuar efektshmërinë e një vaksine.

Rezultatet, të botuara në revistën mjekësore The Lancet, pasojnë të dhëna premtuese të publikuara më parë, në korrik të 2015-ës. Vaksina tashmë ka ndihmuar në ndalimin e përhapjes së ebolës në Guine në fillim të këtij viti.

Kompania Merck është duke aplikuar për miratim nga ligjvënësit:

“Ka një nivel të mirë përgatitjeje tani, dhe ne shpresojmë se do të përgatitemi edhe më mirë pasi të regjistrohet vaksina” shtoi ajo.

Organizata jofitimprurëse për shëndetin GAVI ka rënë dakord të blejë 300 mijë doza pasi të miratohet. Por zonja Kieny paralajmëron se ka një tjetër lloj ebole që kjo vaksinë nuk mund ta ndalojë dhe zyrtarët e shëndetësisë duhet të jenë të gatshëm të luftojnë përhapjen e pashmangshme në të ardhmen. (voa)

Përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale mund të shkaktojë depresion

facebook-twiterSipas një studimi të ri, përdorimi i tepërt i mediave sociale mund të çojë në depresion.

Në një shkrim të revistës “Computers in Human Behavior”, hulumtues nga Qendra për Kërkime në Media, Teknologji dhe Shëndet, në universitetin e Pitsburgut thonë se “përdorimi i platformave të shumta është i lidhur më ngushtë me depresionin dhe ankthin në mesin e të rinjve.”

Në mënyrë të veçantë, studiuesit zbuluan se njerëzit që përdorin nga 7 deri 11 platforma të mediave sociale kanë tre herë më shumë gjasa për t’u prekur nga depresioni dhe ankthi se sa ata që përdorin nga zero në dy platforma.

Këto rezultate ishin të njëjta edhe kur përkthehen në orët totale që përdoruesit kalojnë në mediat sociale.

“Kjo lidhje është mjaft e fortë saqë mjekët mund ta marrin në konsideratë duke i këshilluar pacientët e tyre me depresion dhe ankth se ky përdorim mund të jetë e lidhur me simptomat e tyre,” thoti autori kryesor dhe mjeku Brian A. Primack.“Ndërsa ne nuk mund të themi nga ky studim nëse njerëzit me depresion dhe ankth kërkojnë përdorimin e platformave të shumëfishta apo në se përdorimi i platformave të shumta mund të çojë në depresion dhe ankth. Por në secilin rast rezultatet janë potencialisht të vlefshme.”

Për këtë studim, hulumtuesit shqyrtuan rastet e 1,787 të rriturve amerikanë mes moshës 19 dhe 32 vjeçare, për të përcaktuar lidhjen mes përdorimit të mediave sociale dhe depresionit. Sondazhi u shtri në 11 faqe të mediave sociale, duke përfshirë Facebook, YouTube, Twitter, Snapchat, Pinterest, LinkedIn dhe të tjerë.

Ndërsa ata që përdorin mes 7 deri 11 prej këtyre platformave kanë tri-herë më shumë shanse për t’u prekur nga depresioni, Primack thotë se janë të nevojshme më shumë studime. (voa)