Kategoritë: Shkenca

Makinat e vetëdrejtuara dhe ato elektrike në qendër të vëmendjes

rimacA 2019 Rimac C2 Hyper car, valued at $2.1million, is seen on display at the New York Auto Show in the Manhattan borough of New York City, New York, U.S

Një aksident i rëndë me një prej makinave të vetëdrejtuara të firmës Uber mund të ketë krijuar pasiguri dhe dyshime për të ardhmen e makinave autonome, por prodhuesit e makinave këmbëngulin se mjetet e vetëdrejtuara janë e ardhmja. Në Panairin Ndërkombëtar të Makinave në Nju Jork, mjetet autonome dhe ato elektrike ishin në qendër të vëmendjes.

Firmat e prodhimit të makinave demonstrojnë në Panairin Ndërkombëtar të Makinave në Nju Jork teknologjitë e reja që përbëjnë të ardhmen e industrisë së tyre.

Ndër makinat që ranë në sy ishte edhe Lincoln Aviator, një makinë me tre radhë sediljesh, e cila mund të menaxhohet nëpërmjet telefonit.

“Mund të bëni të gjitha veprimet që sot bëhen nëpërmjet pultit. Nëse telefonit i bie bateria p.sh., mund të hyni nëpërmjet një kodi personal”, shpjegon kryeinxhinieri John Davis, i kompanisë Lincoln Motor Company.

“Aviatori” është makina e parë e kompanisë Lincoln në variantin hibrid, që shfrytëzon në mënyrë alternative rrymën elektrike dhe atë të motorit me djegie.

“Pas 10 ose 15 vjetësh do të ketë shumë pak makina me motor me djegie”, parashikon Stephanie Brinley, e firmës “IHS Markit”.

16 kompani të prodhimit të makinave i janë bashkuar fushatës për të nxitur prodhimin e makinave elektrike.

“Më parë na kufizonin përmasat e makinës. Por, tashmë mund të bëhet elektrike çfarëdolloj makine”, thotë Wade Newton, i Aleancës së Prodhuesve të Makinave.

Kompania Jaguar po guxon me modelin e saj vetëm elektrik, të quajtur I-PACE.

“Mund të përshkojë deri në 240 milje dhe mund të rimbushet me shpejtësi për 40 minuta, në gati 80% të kapacitetit të baterive”, thotë David Larsen, i kompanisë “Jaguar Land Rover”.

“Jaguar” ka bashkuar forcat edhe me kompaninë e makinave të vetëdrejtuara “Waymo”.

“Këtë vit do testojnë sistemet e tyre me makinën tonë I-PACE, e cila do të jetë plotësisht autonome”, thotë zoti Larsen.

Megjithë aksidentin që ndodhi rishtazi, gjatë të cilit një makinë e vetëdrejtuar e kompanisë Uber vrau një këmbësore, makinat autonome nuk do të ndalin përpjekjet.

“Parashikojmë se deri në vitin 2040, do të shiten 33 milionë makina autonome në vit. Pra, rreth 25% e gjithë makinave”, thotë zonja Brinley.

Madje mendohet se teknologjia do të zgjidhë shumë aspekte.

“Teknologjia e re do të trajtojë gati 94% të shkaqeve të të gjitha aksidenteve që shkaktohen nga sjellja njerëzore”, thotë zoti Newton. (voa)

Stacioni hapsinor kinez i afrohet Tokës

stacioni hapsinor kinezStacioni orbital kinez Tiangong 1, i nxjerrë jashtë përdorimit, po lëviz me shpejtësi drejt Tokës dhe pritet të futet në atmosferën e planetit brenda ditës së nesërme.

Masa më e madhe e stacionit pritet të digjet nga kontakti me atmosferën, prandaj shkencëtarët thonë se kërcënimi për banorët e planetit është mjaft i vogël.

Agjencia Evropiane e Hapësirës tha sot se stacioni pritet të arrijë në shtresën atmosferike të Tokës diku nga mesnata sonte apo në orët e para të së hënës.

Po sipas parashikimeve, objekti do të bëjë kontakt me Tokën diku mes paraletit të 43 në veri dhe atij të 43 në jug, një hapësirë shumë e madhe që përfshin Evropën e jugut, Kinën, Afrikën, Australinë, Amerikën e Jugut dhe pjesën më të madhe të Amerikës së Veriut. Pra për momentin ende nuk dihet ku konkretisht mund të realizohet kontakti i parë i stacionit orbital me planetin tonë. Por vetëm 10% e masës së stacionit pritet t’i rezistojë djegies nga kontakti. Gjithsesi, Rusia, Kanadaja dhe Evropa e veriut janë jashtë rrezes së parashikuar se ku mund të bien mbetjet. (voa)

Spaxe X çon në hapësirë 10 satelitë të rinj

Space xKompania private e lëshimit të raketave në hapësirë SpaceX, të premten nisi drejt hapësirës një raketë të tipit Falkon 9, me 10 satelitë. Raketa u nis nga Baza Ajrore Vandenberg në Kaliforni.

Raketat u nisën pa ndonjë incident, duke kaluar mbi Oqeanin Paqësor, në perëndim të Los Anxhelosit.

Satelitët e kompanisë Iridium Communications, u vendosën në orbitën e ulët të Tokës, rreth gjysëm ore pas nisjes.

Ata janë grupi i pestë i 10 satelitëve të firmës Iridium, që është duke zëvendësuar të gjithë rrjetin e satelitëve të botës.

Ky projekt me vlerën e 3 miliardë dollarëve është në plan të përfundojë këtë vit, kur numri i satelitëve që do të çohen në hapësirë të arrijë në 75 të tillë.

Kompania Iridium, me bazë në McLean të Virxhinias, siguron komunikim me të dhëna, me celular dhe me zë.

Librat klasikë në versionin virtual

librat klasik version virtualLibrat klasikë për fëmijë po përditësohen për shekullin e 21-të, pasi studiuesit britanikë kanë filluar testimin e një projekti që do të sillte versione tre dimensionale të tregimeve për fëmijë në platformat e lojrave elektronike.

Bota mistike e librit klasik “Treasure Island” vjen në jetë në iPad-in e 9-vjeçarit Dylan.

Është pjesë e një projekti të studiuesve britanikë për të sjellë librat klasikë për fëmijë në platforma virtuale.

“Kjo është përpjekja jonë novatore për t’ja paraqitur të gjitha këtë letërsi fantastike botërore një audience të re. Menduam të përdornim një nga burimet më të njohura të programeve kompjuterike për fëmijët, – Minecraft – për t’i sjellë në jetë këto tregime”, thotë James Butler në Universitetin Lancester.

Duke përdorur programet e lojrave elektronike, studiuesit ndërthurin fantazinë dhe realitetin, duke sjellë në jetë literaturën botërore të imagjinatës.

“Në botën reale mund të identifikosh vetëm rreth 10-20 përqind së teksteve letrare pasi shumë prej tyre ndodhin në mjedise të ndryshme që nuk i korrespondojnë botës reale. Kështu që projekti e zgjeron shumë konceptin e hartës letrare. Ne po zhvillojmë një metodë tërësisht të re për të krijuar harta dhe vizualizime nga vetë teksti”, thotë profesorja Sally Bushell me Universitetin Lancaster.

Ekspertët shpresojnë se ky project do të bëjë që gjenerata e re të dashurojë novelat klasike.

“Për të shmangur idenë e versionit të lojës, si një version të keq të librit, ajo që përpiqemi të bëjmë në projektin tonë është të lidhim së bashku tekstin dhe imazhin. Shumë elementë edukativë që po fusim në këto lojra fillojnë me një tekst, dhe më pas kalohet në mjedisin inkurajues, ambientin e lojrave, duke u kthyer tek teksti dhe duke i lidhur këto dy elementë së bashku në mënyrë të natyrshme”, thotë profesoresha Bushell.

Për fëmijë si Dylan, leximi dhe lojrat interaktive hapin një botë të re mundësish.

“Eshtë si një lojë elektronike, mund të zgjedhësh se çfarë do të bësh. Në se lexon tregimin, duhet të ndjekësh rregullat në kokën tënde si në tregim, kurse në lojën elektronike nuk të duhet ta bësh këtë.” (voa)

Një skenë që ndryshon formë, në qytetin e Nju Jorkut

The ShedArtistët dhe spektatorët në qytetin e Nju Jorkut, së shpejti do të kenë qasje në një skenë gjigande që mund të marrë forma të ndryshme. Në të ashtuquajturën “Shed”, që po ndërtohet në pjesën perëndimore të Manhatanit, artistë vizualë do të eksperimentojnë me një hapësirë të transformueshme për artin e tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës George Putic përgatiti kronikën.

Pjesa kryesore e “The Shed” është një tendë gjigande me lartësi prej 36 metrash, e cila mund të hapet për të dyfishuar hapësirën e mbuluar.

Ndërtesa është e vendosur mbi gjashtë rrota prej 1.8 metrash, të montuara në binarë, secila me nga një motor elektrik me 15 kuaj fuqi.

Një nga arkitektët, Liz Diller, thotë se një skenë që ndryshon sjell mundësi të reja.

“Këtu ku jemi, nuk e dimë ku është skena. Mund të jetë mbi ju, poshtë jush, në krah. Artisti mund të rrijë në vend, të ecë, të fluturojë. Ideja kryesore është se nuk një plan të caktuar. Ne donim t’i jepnim në dispozicion njerëzve krijues, diçka që mund ta përdorin në mënyra të ndryshme” thotë ajo.

Korniza prej çeliku e skenës do të mbulohet nga flluska plastike të tejdukshme.

Në formë të reduktuar, do të lërë hapësirë për ngjarje publike, si për shembull, shfaqjet e filmave jashtë gjatë natës.

Kur hapet plotësisht, ajo ofron disa trajta që mund të ndryshojnë për pak minuta, thotë një tjetër nga arkitektët e saj, David Rockwell.

“Kontrollohet temperatura, kontrollohen tingujt,dritat…mbahet e hapur për qytetin, ose jo”.

E kombinuar me hapësirën e ndërtesës kryesore, “The Shed” do të ketë hapësirë për deri në tre mijë njerëz.

Nëndrejtorja e projektit Laurie Beckelman, shpreson se “The Shed” do të frymëzojë artistët për të përdorur në mënyrë kirjuese mundësitë që ofron.

“Është një ndërmarrje e madhe nga njerëz që besojnë në të ardhmen e qytetit, që shpresojnë dhe duan që qyteti të përparojë me të vërtetë…dhe kultura, është një pjesë e madhe e kësaj”.

Nuk është caktuar një datë për hapjen e aktiviteteve, por ndërtuesit thonë se shpresojnë që shfaqjet e para të fillojnë jo më vonë se pranverën e vitit të ardhshëm. (voa)

Jeta e shkencëtarit Stephen Hawking

Stephen HawkingNë Britani vdiq astrofizikani me famë botërore Stephen Hawking. Në janar të këtij viti ai festoi ditëlindjen e 76-të, duke sfiduar të gjitha parashikimet e mjekëve. Shkencëtari britanik, autori i librit “Një histori e shkurtër e kohës”, besohet të jetë një nga njerëzit më të moshuar që mbijetojnë me sëmundjen e neuroneve motorike.

Stephen Hawking ishte njeriu që nderohej nga presidentë dhe monarkë, adhurohej nga të rinj e të moshuar dhe njerëzit dyndeshin për ta takuar.

Shkencëtarët e rinj i shihnin me ngazëllim dhe si sfidë teoritë e tij, po ashtu edhe akademikët më të vjetër.

Profesor Stephen Hawking, ishte një nga shkencëtarët më të njohur të botës.

Ai deshifroi disa nga të fshehtat më të çuditshme të universit, por mbetet i pashpjeguar misteri që ai la pas: Si arriti të mbijetonte kaq gjatë me një sëmundje të tillë të rëndë?

Simptomat e sëmundjes së neuroneve motorike i filluan kur studionte këtu në Kolegjin Gonville dhe Caius në Universitetin e Kembrixhit.

Pedagogët e përshkruanin si një mendje të shkëlqyer, por jo si student të zellshëm.

Problemet me ecjen dhe me të folurit nisën të shfaqen aq shpesh saqë ai nuk mund t’i fshihte më.

Përfundimisht mjekët i dhanë atij vetëm dy vjet jetë.

Në Kings College të Londrës, Profesor Ammar al-Chalabi ka studiuar ADN-në e Profesor Hawking. Ai thotë se vetëm pak pacientë kanë fatin të mbijetojnë:

Profesor Ammar al-Chalabi

Kings College, Londër

“Profesor Stephen Hawking ishte tepër i pazakontë, për një njeri me sëmundjen e neuroneve motorike. Nuk di ndonjë tjetër që ka jetuar kaq gjatë me këtë sëmundje”.

Hawking fitoi për herë të parë famë botërore me librin e tij të vitit 1988 “Një histori e shkurtër e kohës”, e cila u shit në dhjetë milionë kopje.

Libri thjeshtonte shpjegimin e universit dhe mënyrën si u krijua.

Që atëherë ai ka nxjerrë teori, të cilat kanë përmbysur plotësisht atë që ne dimë mbi konceptin e vrimave të zeza.

Falë tij, fraza “Big Bang” është bërë një term i zakonshëm.

Diagnoza do t’a ndryshonte krejtësisht qëndrimin e tij ndaj punës dhe jetës. Puna e tij u bë në fakt jeta e tij.

Kitty Ferguson

Biografe e prof Stephen Hawking

“Ai fshihej në dhomën e tij këtu në Kembrixh, dëgjonte operat e Wagnerit dhe përpiqej ta përfytyronte veten si hero tragjik. Kishte ëndrra të çuditshme, donte të vdiste për të mirën e njerëzimit dhe nuk e dinte se si do të shkonte jeta e tij,” thotë biografja e tij, Kitty Ferguson.

Paul Shellard është drejtor i Qendrës për Kozmologji Teorike në Kembrixh.

Sipas tij, gjenia e prof. Hawking është se ai gjithmonë ka qenë në gjendje të shohë përtej asaj që shohin të tjerët:

Paul Shellard

Qendra për Kozmologji Teorike në Kembrixh

“Ai la mënjanë matematikën komplekse dhe ekuacionet e gjata të cilat nuk mund t’i llogariste vetë. Ishte intuita e thellë që e bërë atë një fizikan të suksesshëm”.

Kisha e vogël e Kolegjit Caius është pak metra nga dhoma e vjetër e profesor Hawking.

Zonja Ferguson thotë se ai kurrë nuk u deklarua si ateist apo besimtar dhe kjo nuk duhet të duket çudi. (voa)

Inteligjenca artificiale po avancon

robotTema e inteligjencës artificiale ka arritur deri tek qeveria gjermane dhe është futur nën titullin “Digjitalja”në zyrën e kancelares. Koha nuk pret, sepse ndryshimet që po ndodhin nga digjitalizimi janë gjigande.

Në faqen e internetit  WILL ROBOTS TAKE MY JOB? çdo konsumator mund të shohë nëse puna që bën do të ekzistojë apo jo në të ardhmen, me cunamin që po shkakton digjitalizimi. Rezultati tregon se daktilografistët do zëvendësohen 81 përqind nga makinat, ciceronët e guidave turistike 91 përqind. Kurse administratorët e bankave të të dhënave vetëm 3 përqind.

Bazën e llogaritjeve të faqes së internetit e përbën një studim amerikan i vitit 2013, në të cilin autorët Frey dhe Osborne thonë se deri në 47 përqind e gjithë vendeve të punës në SHBA rrezikojnë të zëvendësohen nga kompjuterizimi i avancuar. Veçanërisht shpejt zhvillohet ky proces në tregun e punës kur digjitalizimi vjen i rimorkiuar me inteligjencën artificiale. Kemi të bëjmë këtu me aftësinë për të mësuar të kompjuterave, që më parë janë mbushur me të dhëna. Nëse në fund do të quhet mësim i makinave apo deap learning, kjo nuk ka rëndësi. Kompjutera shumë të aftë do të sjellin ndryshime të mëdha në tregun e punës. Sidomos të gjitha llojet e aktiviteteve që lidhen me rutinë, kanë pak shance mbijetese. Sa më individuale të jenë proceset, aq më mirë për ekzistencën e tyre.

Shumë vende pune në industri do të zhduken

Revista amerikane Wired, shkruan se vendet e punës në industri do të zhduken dhe pjesa më e madhe e punonjësve do të punojë në të ardhmen si programues. Dhe kur thotë këtë kolumnisti i revistës Wired,  Clive Thompson nuk flet për forca të specializuara të gjigandit në këtë sektor Silicon Valley, ku punojnë tetë përqind e programuesve të Amerikës, por flet për miliona vende të tjera pune të sektorit të Teknologjisë së Informacionit, që kanë të bëjnë me rrjete të dhënash firmash të vogla dhe të mesme. Me një rrogë vjetore 80 mijë dollarë në vit, të ardhurat e punonjësve të IT në Amerikë  janë mbi mesataren e të ardhurave, me një orar pune 40 orë në javë.

E ardhmja e specialistëve të të dhënave dhe e programuesve është kështu pozitive. Në SHBA pritet që vendet e punës në sektorin e IT të shtohen me dhjetë përqind vitet e ardhshme.

Kërkohen me ngulm programues

Kjo vlen edhe për kompani si Zalando, ku më shumë se 100 vende pune të marketingut do të zëvendësohen nga algoritmet. Sipërmarrja tregtare e veshjeve të modës, me qendër në Berlin kërkon me ngulm programues. Manaxheri Moritz Hahn, thotë se Zalando kërkon ta personalizojë sa më shumë me ndihmën e të dhënave, trajtimin e klientëve.

Edhe industria klasike do të tronditet nga digjitalizimi. Shefi i Siemensit, Joe Kaeser mendon se deri në vitin 2030 gjysma e vlerave të ekonomisë gjermane do të humbasë prej digjitalizimit. Në një konference në verë të vitit 2016 Kaeser njoftoi se vetëm një ndër dhjetë persona të shtresës së mesme do të përfitojë nga digjitalizimi: “Njëri ngjitet lart, nëntë të tjerë zbresin poshtë,” thotë Kaeser. “Digjitalizimi do të zhdukë shtresën e mesme”, thonë prognozat e menaxherëve kryesorë gjermanë. Dhe kjo nuk do ndodhë ngadalë, por me hapa të shpejtë. (dw)

Balonat me ajër dhe dronët

drohneDronët me bateri kanë zëvendësuar avionët me pilotë në një sërë operacionesh si matjet shkencore dhe fotografitë nga ajri. Megjithatë, dronët vazhdojnë të kenë një disavantazh të madh, burimin e kufizuar të energjisë. Një kompani e re në San Francisko thotë se balonat e tyre me ajër mund ta zgjidhin këtë problem, duke bërë që dronët të qëndrojnë në ajër për një kohë më të gjatë.

Balona shtatë metra e gjatë, “Mothership Scout” fluturon me lehtësi mbi një fushë në Kaliforni, e ndjekur nga një aparat fotografik i lidhur me një dronë me katër helika.

Por pas një kohe, droni detyrohet të ulet, sepse i harxhohet bateria. Falë paneleve të saj diellore balona me ajër vazhdon të fluturojë.

Projektuesi i saj, Jonathan Nutzati, thotë se qëllimi i tij është që balona të jetë në gjendje të fluturojë pafundësisht, duke prodhuar më shumë energji se sa i nevojitet për të qëndruar në ajër.

“Kjo është teknologjia kryesore e balonës, që unë mendoj se po sjell më shumë vlerë në industrinë e dronëve, kryesisht në robotikën e përhershme ajrore, një fushë që unë mendoj se po e krijojmë këtu”.

Balona “Mothership Scout” furnizohet me energji nga panelet e saj diellore prej 400 vatësh që karikojnë baterinë e saj. Lartësia e saj optimale e fluturimit është 150 metra dhe shpejtësia rreth 20 kilometra në orë. Duke qenë më e madhe se shumica e dronëve, ajo mund të shihet me sy të lirë nga një distancë prej rreth 10 kilometrash, gjë që është një avantazh pasi në bazë të rregullave amerikane, operatorët e dronëve privatë duhet të jenë në gjendje të shohin mjetin të cilin e drejtojnë.

“Padyshim që ia vlenë nëse duhet të fluturoni tetë orë, ose në një distancë të gjatë”, thotë Presidenti i kompanisë “Mothership Aeronautics”, Jonathan Nutzati.

Balona “Mothership Scout” mund transportojë pajisje me peshë deri në pesë kilogramë, si kamerat e survejimit ose radarët që depërtojnë në tokë. Kompania “Mothership Aeronautics”është duke punuar në përmirësimin e mjetit të tyre, si aftësia për ta vënë mjetin në autopilot, si dhe prodhimi i një versioni me hidrogjen që bënë të mundur fluturimin gjatë natës. (voa)

Qeramikë më e fortë se çeliku për jelekët antiplumb

plumbaJelekët antiplumb shpëtojnë jetë. Madje, disa prej tyre mund të ndalojnë edhe plumbat e prodhuar kundër mjeteve të blinduara. Megjithatë, kjo lloj mbrojtjeje nënkupton një veshje me peshë të rëndë. Një universitet në Çeki po përdor qeramikën, e cila ka peshë shumë më të lehtë.

Që veshjet antiplumb të ofrojnë mbrojtje maksimale, është i nevojshëm shtimi i pllakave të rënda prej çeliku apo qeramike, të cilat i shtojnë rreth 30 kg peshës së trupit.

Por, shkencëtarët çekë thonë se një material i ri prej qeramike mund ta ulë këtë peshë me 30%.

“Synojmë që duke përdorur materiale qeramike të disponueshme në treg, të prodhojmë një veshje antiplumb me mbrojtje maksimale dhe që mund të futet menjëherë për prodhim në masë”, thotë Jakub Rolecek, i Universitetit të Teknologjisë në Brno.

Ekipi çek ka zvogëluar peshën duke eksperimentuar me lloje të ndryshme plastikash dhe qeramikash.

“Mbrojtëset tona prej qeramike janë 2 ml më të holla nga ato që ofrohen në treg dhe kjo e mban peshën të ulët. Gjithashtu, kostoja është e njëjta si e produkteve të tjera”, thotë David Salomon, menaxher i projektit.

Jo vetëm që materiali i ri është më i lehtë, por shkencëtarët thonë se ofron më shumë mbrojtje se pllakat e çelikut.

“Kjo është një pllakë çeliku e qëlluar me një plumb me çelik të përforcuar. Siç e shikoni, plumbi e ka çpuar pllakën”, thotë Jakub Rolecek.

Ndërsa pllaka e qeramikës nuk është përshkuar fare.

“Ndaj kësaj pllake qeramike u qëëlua me të njëjtin plumb me çelik të përforcuar. E gjithë energjia u përthith nga qeramika dhe sfondi prej alumini vetëm sa është prekur pak”, thotë zoti Rolecek.

Ekipi universitar po i vazhdon kërkimet duke shpresuar se këtë produkt do ta bëjë pjesë të paisjeve mbrojtëse personale dhe blindimit të makinave. (voa)

Studimet: Telefonat e zgjuar, shtojnë shkëmbimet e mesazheve seksuale mes të miturve

telefonat e zgjuarStudime të reja tregojnë se “sexting” është në rritje në mes të të miturve në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht pasi shumë prej tyre përdorin telefona inteligjentë. “Sexting” janë foto, video ose mesazhe me përmbatje të qartë seksuale që shkëmbehen përmes mjeteve elektronike.

Gjatë dekadës së fundit, studiuesit vëzhguan mbi 110 mijë fëmijë të moshës nga 12 në 18 vjeç siç njofton “JAMA Pediatrics”, një revistë mjekësore e rëndësishme që boton studimet e fundit klinike. Studimi, që përfshinte një numër të barabartë djemsh e vajzash, shikonte mesazhet me përmmbajtje seksuale që ishin dërguar dhe marrë me pëlqim, si dhe dërguar apo marrë pa pëlqimin e tyre.

Përdorimi i mesazheve me përmbajtje, imazhe ose video qartësisht seksuale përmes mjeteve elektronike, është rritur gjatë viteve të fundit tek të rinjtë, thanë hulumtuesit. Dhe praktika është përhapur krahas rritjes së përdorimit të telefonave inteligjentë tek adoleshentët.

Shtimi i përdorimit shkon në përpjesëtim të drejtë me rritjen e moshës kur sa më shumë rriten të rinjte, aq më shumë kanë qasje apo kanë në pronësi telefona inteligjentë, krahasuar me më të vegjlit“, thuhet në studim.

Popullariteti i rritur i Snapchat, një aplikacion i telefonave inteligjentë, i cili i fshin fotot pas 10 sekondave, ka çuar në një shkallë të zgjeruar të “sexting”.

Një faqe në internet “Tech Junkie” paralajmëron se fotot në Snapchat mund të ruhen, edhe pa ditur gjë dërguesi.

Sipas kërkuesve, studimi i 110 mijë të miturve nuk ofron detaje specifike dhe të qëndrueshme, se kush po dërgon mesazhin dhe kur, por vetëm mbi atë se tendenca është rritur me kalimin e kohës dhe me përhapjen e telefonave inteligjentë.

Studime të mëparshme kanë arritur në përfundimin se përqindja e të rinjve në para-adoleshencë dhe atyre në adoleshentë që kryejnë sexting shkon “nga 1.3 për qind në 60 për qind. Por shkalla se sa duhet të shqetësohen, profesionistët e kujdesit shëndetësor, personelit shkollor, atyre që hartojnë politikat dhe prindërve, në lidhje me këto sjellja është e panjohur.

Të rinjtë që nuk kanë mbërritur ende në moshën e adoleshencës “mund të jenë veçanërisht të prekshëm nga fotot nudo apo videot e tilla që përdoren si një formë e kërcënimit apo shantazhit” thanë studiuesit dhe sipas tyre ata “mund të jenë të kërcënuar për një sërë sjelljesh të rrezikshme dhe pasojash negative”.

Hulumtime të mëtejshëm që fokusohen tek “sexting” pa miratim, do të jenë të nevojshme me qëllim informimin në mënyrë të përshtatshme të ndërhyrjes, edukimit dhe përpjekje që duhen bërë me politika“, shkruan në raport ekipi i studiuesve. (voa)