Kategoritë: Shkenca

Ashensor për në Hapësirë

tokaDërgimi i anijeve në hapësirë është shumë i kushtueshëm për shkak se shtratet lëshuese mbi të cilat transportohen anijet pas nisjes nga Toka nuk janë të ripërdorëshme. Një ashensor mund ta bënte këtë punë shumë më lirë, por ende nuk ekzistojnë materiale për ndërtimin e kabllove që do ta ngrinin ashensorin në një lartësi të tillëqë të eliminonin nevojën për përdorimin e një rakete shtytëse. Kompania teknologjike kanadeze Thoth fitoi një patentë këtu në Amerikë për një zgjidhje tjetër, ndërtimine një ashensori brenda një kulle 20 kilometërshe që mund t’i çonte anijet më pranë hapësirës, përtej atmosferës së Tokës.

Sipas firmës Thoth, ashensori do të vendoset brenda një kulle të sigurt, nga kulmi i së cilës, lëshimi i anijeve të hapësirë do bëhej shumë më lirë.
Ian Tomaszewski, Kompania Thoth;

“Mendojmë se është realiste. Jemi duke kërkuar për të marrë lejen nga agjenci të ndryshme të Hapësirës dhe në 3 deri 5vjet të kemi krijuar një model prototip 1,5 kilometra të lartë, për të demonstruar se projekti është i realizueshëm”.

Kompania vlerëson se ashensori i saj mund të transportojë 10 ton mallra me një shpejtësi rreth 11 kilometra në orë, duke arritur majën e kullës në rreth 60 minuta. Nga atje anijet me udhëtarëdhe mallrat mund të nisen në orbitë dhe më gjerë në hapësirë.

Por ndërtimi i një kulle të tillë do krijonte edhe shumë mundësi të tjera.

“Turizmi në hapësirë mund të zhvillohet; njerëzit mund të shohin pamjen e gjerë të tokës nga 20 kilometra lartësi, dhe rreth 1-mijë kilometra në çdo drejtim.”

Për zhvillimin e një ashensori në hapësirë ekziston edhe një ide tjetër; një makinë me rreze lazer që do të udhëtonte në një rrugë ndërtuar me nanotuba, duke lidhur Tokën me një satelit në orbit.

Një numër eksperimentesh janë kryer, por pengesa më e madhe mbetet: si do të prodhohet një rrugë e tillë 36-mijë kilometra e gjatë?. (voa)

Eklipsi i rrallë i Superhënës

eklipsi i henesPas vizitës së Papës në Shtetet e Bashkuara, pa patur lidhje me të, do të ndodhë një ngjarje spektakolare qiellore: eklipsi i Hënës dhe njëkohësisht fenomeni i Superhënës, kur Hëna e plotë ndodhet në pozicionin më të afërt me Tokën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës

Rosanne Skirble na sugjeron që t’i drejtojmë sytë nga qielli në perëndim të Diellit të dielën, më 27 shtator, ose të hënën, më 28 shtator, para lindjes së Diellit, në varësi të vendit ku jetoni.

Kur ndodh eklipsi hënor, Hëna kalon nëpër hijen e Tokës. Këtë herë, kemi një eklips të veçantë, Hëna e plotë duket më e ndritshme dhe më e madhe, ngaqë ndodhet më pranë Tokës se sa çdo herë tjetër në orbitën e saj.

“Hëna do të shndërrohet nga shumë e ndritshme, në një ngjyrë të kuqe të mrekullueshme, nga efekti i lindjes dhe perëndimit të Diellit në Tokë, që projektohen tek sipërfaqja e Hënës.”

Hera e fundit kur fenomeni i Superhënës përkoi me eklipsin e Hënës, ishte në vitin 1982.

NASA merret me studimin e Hënës, që nga fillimi i programit Apollo në vitet 1960. Në vitet e mëvonshme, Agjencia e Hapësirës grumbulloi të dhëna përmes një anieje orbitale për studimin e Hënës, e cila fluturon deri 20 kilometra mbi sipërfaqen e saj.

“Shohim krijimin e kratereve të reja në 6 vitet e studimit tonë. Të dhënat tregojnë për lëvizje të ujit në sipërfaqe. Jo një sasi e madhe uji, por megjithatë, pikëpamja se Hëna është një planet statik, pa ndryshime, ka ndryshuar tërësisht.”

Disa shkëmbinj në Hënë janë krijuar 4,5 miliardë vjet më parë, në historinë më të hershme të Sistemit tonë Diellor.

“Kur i hedhim një vështrim Hënës, ne në fakt jemi njëkohësisht duke mësuar për Tokën dhe unë mendoj se mund të mësojmë shumë se si ka ndryshuar planeti ynë dhe të gjithë planetet e tjerë në vite. Pra, me qëllim që të kuptojmë se çfarë ka ndodhur me planetet pas formimit të tyre, studimi i sipërfaqes së Hënës është një nga zonat më të mira dhe më interesante për ta bërë këtë.”

Eklipsi i Superhënës do të mund të shihet të dielën pas perëndimit të Diellit në Amerikën Veriore dhe në të gjithë Amerikën Jugore, si dhe para lindjes së Diellit të hënën në Europë, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë. Eklipsi i ardhshëm i Superhënës do të jetë në vitin 2033. (voa)

Prindërit në epokën dixhitale

celularPër prindërit që duan të dinë rreth aktiviteteve të fëmijëve të tyre në internet, një faqe e re interneti në Zelandën e Re ofron këshilla dhe sugjerime rreth taktikave që vetë prindërit mund të përdorin për t’i mbajtur fëmijët të sigurtë. 13 vjeçari Oscar dhe 11 vjeçarja Violet po argëtohen. Violet po luan Minecraft në tabletë, ndërsa Oscar po kontrollon mesazhet në telefonin e tij të ri.

Nëna e tyre, Victoria po mbikëqyr veprimet e fëmijëve, duke u siguruar që ata të mos kalojnë caqet, ndërsa argëtohen në internet. Të dy fëmijët i përdorin paisjet dhe kompjutetrat për shoqërinë virtuale, për t’u lidhur me prindërit kur janë larg shtëpisë, për të bërë mësimet, si dhe për t’u argëtuar.

Zonja Travers thotë se u ka vënë kufizime të përditshme fëmijëve për përdorimin e teknologjisë.

“Ata përdorin çdo ditë pajisjet e tyre, si për të bërë detyrat e shtëpisë, për median sociale dhe më pak për lojëra argëtuese. Gjatë fundjavës duhet patur kujdes me ta, që të mos e teprojnë me orë të tëra në internet.” 

Zonja Travers thotë se nuk ka qënë i lehtë monitorimi i veprimeve të fëmijëve të saj në internet. Së bashku me bashkëshortin, ajo ka gjetur një mënyrë për t’u siguruar që fëmijët e saj të mos rrezikohen kur përdorin pajisjet e tyre dixhitale.

Ata përdorin filtra në pajisjet kompjuterike dhe gjithnjë mbikqyrin veprimtarinë e fëmijëve në internet. Po ashtu, prindërit janë abonuar në disa lloje të medias sociale, që të jenë të pranishëm me fëmijët e tyre.

“Duhet të jemi fleksibël. Duhet pranuar që ndihma për fëmijët dhe mbështetja që ata të kenë aftësi në botën dixhitale dhe po ashtu në përdorimin e tyre, është shumë e rëndësishme. Sikurse edhe fëmijët, prindërit duhet të përdorin median sociale dhe të kenë njohuri rreth tyre. Po ashtu duhet ditur se cilat lloje të medias sociale janë të pranueshme për fëmijët.” 

Është një problem i përbashkët për shumë prindër në epokën dixhitale. Pikërisht këto shqetësime çuan në krijimin e një faqeje interneti në Zelandën e Re, për të ndihmuar prindërit që nuk janë të sigurtë si t’i ndihmojnë fëmijët e tyre nga rreziqet me të cilat mund të përballen..

Faqja u krijua nga kompania “Vodafone Zelanda e Re”, organizata për sigurinë në internet “Netsafe” dhe nga organizata për familjen, “The Parenting Place”.

David Atkinson, i organizatës “The Parentin Place”, thotë se kjo faqe interneti i ndihmon prindërit të mbledhin informacione mbi botën e internetit.

“Ne krijuam faqen e internetit “Digi-Parenting”, ku prindërit mund të hyjnë dhe të informohen. Është një vend ku prindërit shkëmbejnë shqetësimet dhe idetë, por edhe gjejnë përgjigje për pyetjet e tyre.”

Në atë faqe interneti mund të gjesh përgjigje për pyetje se si mund të jesh më i angazhuar në punën që bën fëmija në kompjuter dhe rreziqet e mundshme për të cilat familjet duhet të jenë të vetëdijshme. Po ashtu, faqja promovon disa sherbime dhe aplikacione që filtrojnë dhe bllokojnë faqe interneti të padëshiruara. Zoti Atkinson thekson rëndësinë e dialogut me fëmijët mbi përdorimin e pajisjeve dixhitale dhe internetit.

“Një prej gjërave më të mira që mund të bëjnë prindërit është të bëhen pjesë e debatit dhe përdorues të teknologjisë, së bashku me fëmijët. Prindërit duhet të bëhen pjesë dhe të kuptojnë botën e fëmijëve të tyre.”

Lee Chisholm, specialiste me “Netsafe”, thotë se prindërit dhe të rinjtë duhet të kenë kujdes disa gjëra kur flitet për botën kibernetike.

“Ekzistojnë një sërë rreziqesh në internet, që nga ngacmimet dhe abuzimi; po ashtu, kur publikon në internet informacione personale, kjo hap rrugën për shumë kritika dhe materiale të tjera të papërshtatshme. Njëkohësisht, egziston ndjesia e presionit ndaj fëmijëve, për të qenë aktivë në internet, që shoqërohet me drojën se mund t’u kalojnë pa vënë re informacione që dalin në median sociale.” 

Nga ana tjetër, nëna e dy fëmijëve, zonja Travers, thotë se është në dijeni për rreziqet e mundshme në internet për të fëmijët dhe ofron këshilla për prindërit, që ata të ndjekin rregulla të caktuara për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziqet që paraqet interneti. (voa)

Shtëpi në kontenierë

Kontenier shtepiÇmimet e banesave në mbarë zonën e gjirit të San Franciskos janë të papërballueshme për shumë njerëz, kështu që disa sipërmarrës të rinj, artistë dhe specialistë të informatikës po krijojnë shtëpi duke përdorur kontejnerë anijesh. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit, Mike O’Sullivan nga Oakland, kjo përpjekje kërkon zgjuarsi dhe ndeshet me ligjet kufizuese vendore.

Artistja Heather Stewart është një prej 20 personave në këtë komunitet të vogël që jeton dhe punon në kontejnerët e anijeve, ose në lloje të tjera banesash të vogla. Ajo po kryen instalimet hidraulike dhe elektrike.

“Ne të gjithë kemi vegla të mjaftueshme që i shkëmbejmë me njëri-tjetrin, kështu që secili ka mjetet e nevojëshme për të ndërtuar atë që do.”
Heather Stewart dhe Luka Iseman punojnë këtu që nga muaji prill, pasi zyrtarët e qytetit i urdhëruan t’i hiqnin kontejnerët e banimit nga një pronë që kishin blerë në një zonë industriale në Oakland. Zyrtarët u thanë se kishin shkelur kodet zonale.

Ata u zhvendosën në një depo ku së bashku me të tjerë kanë instaluar mbi 10 kontejnerë, që kushtojnë rreth 2-mijë dollarë secili.​

“Një çati që nuk pikon dhe një dysheme e niveluar. Kur ke këto të dyja, të tjerat janë modifikime estetike.”

Strukturat përshtaten për artistët dhe të tjerë të cilët jetojnë këtu.

“Është me të vërtetë interesante për të jetuar këtu, sepse ka njerëz të tjerë që bëjnë gjëra të ngjashme, Duhet të kesh vetëm ide dhe pastaj ta konkretizosh atë.”

Mund të ketë edhe komuniteteve të tjera të fshehura si ky.​
“Njerëzit i kryejnë këto punë fshehurazi, sepse institucionet vendore vënë gjoba të rënda nëse thyeni rregullat.”

Luka Iseman dhe shokët e tij thonë se mungesa e mjediseve të strehimit me çmim të përballueshëm kërkon zgjidhje novatore. (voa)

Teknologjia e ndërlidhur në jetën tonë

teknologjiaAplikacione të reja kompjuterike po ndryshojnë mënyrën tonë të jetesës, punës, udhëtimit dhe të prodhimtarisë. Në një forum në San Françisko u prezantuan disa nga mënyrat sesi po ndikon teknologjia e ndërlidhur në jetën tonë.

 

Dikush punon nëpërmjet realitetit virtual të lidhur me celularin dhe një tjetër përdor teknologji të ndërlidhur me syzet. Janë paisjet që përbëjnë lajm.

“Këto janë paisjet që ne i shikojmë përditë dhe na tërheqin. Por, kanë ndikim të madh edhe në fusha si industria dhe prodhimi. Makineritë po ndërlidhen tashmë në fabrika dhe të dhënat analizohen në mënyra që nuk kanë qenë të mundura më parë.”

Kompania gjermane ProGlove po integron sensorë skanimi dhe të lëvizjes në dorezat e punëtorëve të fabrikës, për të ndihmuar procesin e inventarizmit:

“Jemi përqëndruar te prodhimi i makinave dhe tek logjistika, fusha ku ka kërkesë të madhe për rendiment.”

Transformimi ka pasoja të gjithanshme. Prej krizës së Ebolës u krijua një sistem portativ për të mbledhur dhe arkivuar të dhënat e pacientëve në klinikat e largëta të Afrikës:

“Është një paisje që mund të sterilizohet duke u zhytur në klorinë për të vrarë Ebolën, dhe që mund të përdoret në mjedise shumë të ashpra për teknologjinë.”

Teknologjia e padukshme mat temperaturën në shtëpitë tona ose kushtet klimaterike në një serrë ferme:

“Në të ardhmen e afërt do të kemi një sërë paisjesh të ndërlidhura në shtëpitë tona, në biznese dhe në makina.”

Zonja Bell thotë se kjo po ndodh tashmë dhe se teknologjia e ndërlidhur po i bën sistemet tona më efikase në proçese si udhëtimi, transporti i mallrave, apo prodhimi i energjisë. (voa)

SHBA, DARPA dhe teknologjia

DARPAShkencëtarë dhe inxhinierë nga gjithë SHBA u mblodhën në St. Luis, Misuri, për të diskutuar mbi teknologjitë e përparuara me të cilat punohet në laboratorë kërkimorë të vendit.

Konferenca tre-ditore – e quajtur “Prit, çfarë?”, – u sponsorizua nga DARPA, (Agjencia e Pentagonit për Projekte të Avancuara Kërkimore), sepse shumë projekte të kësaj agjencie kanë ndikim jo votëm në ushtri. Për shembull, interneti që miliarda njerëz përdorin çdo ditë rrënjët i ka në një rrjet prej katër kompjuterash që DARPA krijoi në vitin 1969.

Sfidat në shekullin XXI janë të mëdha për DARPA-n dhe partnerët e saj të sektorit privat. Por, siç thotë drejtori DARPA-s, Arati Prabhakar;
“Ne jemi këtu për të bërë ç’është e mundur”.., veçanërisht në fushën e shëndetit publik, për të gjetur mënyra më të mira për diagnostikimin e sëmundjeve.

Dr. Matt Hepburn është një specialist i sëmundjeve infektive në DARPA. Detyra e tij është për të gjetur ekspertët, brenda ose jashtë qeverisë, të cilët mund të zhvillojnë mënyra të reja për luftimin e sëmundjeve si Ebola, dhe gripi.

Në konferencë, dr. Hepburn tregoi një pajisje portative që mund të reduktojë në mënyrë dramatike kohën që duhet për të identifikuar sëmundjen e pacientit, duke përdorur vetëm një pikë gjaku ose një shtupë në hundë. Rezultati mund të dërgohet tek zyrtarët e shëndetit publik nëpërmjet telefonit celular të cilët vihen në kërkim të burimit të infeksionit për ta gjetur atë sa më shpejt.

Ekipet e DARPA-s gjithashtu janë duke punuar mbi mënyrat për uljen e një helikopteri. Hollywoodi, me filmat e tij,  mund të ketë krijuar idenë se helikopterët mund të ulen kudo, por kjo në fakt nuk është aq e lehtë. Në konferencë, DARPA tregoi në ekran një helikopter të vogël me pajisje uljeje, që përdor këmbët të përthyeshme me ndjesorë që e mbajnë helikopterin në nivel, edhe në qoftë se toka nën të nuk është.

DARPA vazhdimisht është në kërkim për ekspertë për të punuar mbi problemet teknologjike që kërkojnë zgjidhje. Ndonjëherë, DARPA hap konkurse ku çdo njeri mund marrë pjesë, dhe të fitojë çmim deri në miliona dollarë. Kështu u veprua, p.sh., me automjetin vetë-lëvizës, që në fakt është ringjallje e një nxitjeje të vjetër për novatorizëm.

Fluturimi ‘solo’ i Charles Lindberghut përtej Atlantikut në vitin 1927 në një avion të quajtur “Spirit of Saint Louis”, ka qenë në ndjekje të një çmimi 25,000 dollarësh vendosur nga një pronar hotelesh në Nju Jork.

Në  sallën e ekspozitës, Mike Walker flet rreth konkursit për Grand Challenge Cyber, një lloj softueri që do të zbulojë qasjet e pa-autorizuara në një sistem kompjuterik. Ka ekspertë që mund ta bëjnë këtë, por ata janë të pakët dhe jo mjaft të shpejtë.

DARPA nxiti ekspertët nga një spektër i gjerë  disiplinash për të marrë pjesë në këtë konferencë. Thuhet se ndonjëherë, mënyra më e zgjuar për të zgjidhur një problem mjekësor, ka nevojë për njerëz të ditur nga fusha të ndryshme. (voa)

Zbulohet një paraardhës i hershëm i njeriut

fosileNjë grup shkencëtarësh njoftuan sot se kanë zbuluar një paraardhës të hershëm të zhdukur të njeriut.

Studiuesit që botuan gjetjet e tyre në revistën eLIFE, e quajnë specien e re  Homo naledi.  Ata thanë se ka shumë mundësi që ai të ketë ecur me dy këmbë, ishte rreth 1.5 metra i gjatë dhe peshonte  45 kilogramë.  Ata thanë gjithashtu se kjo specie i kishte duart dhe këmbët si njeriu, por se kafazi i kraharorit, shpatullat dhe legeni i tij ngjanin më shumë me ato të paraardhësve të hershëm sesa me ato të njeriut modern.

Zbulimi është rezultat i gjetjes së një koleksioni kockash në një pjesë të the të një shpelle në Djepin e Trashëgimisë Botërore të Njerëzimit, pranë Johanesburgut në Afrikën e Jugut.

Rreth 1,500 kockat e gjetura deri tani u përkasin të paktën 15 individëve, thanë studiuesit. Ata besojnë se Homo naledi u shfaq para 2.5 milionë deri në  2.8 milionë vjetëve, por kockat e gjetura mund të jenë të mëvonshme.  Grupi i punës tha se përcaktimi i vjetërsisë së tyre është një nga sfidat e tyre të ardhshme.

Një tjetër paqartësi është se pse kockat ishin aq në thellësi të shpellës.  Shkencëtarët hamendësojnë se qenie të gjalla mund të kenë vendosur atje trupat e të vdekurve, në një veprim që nuk haset shpesh mes tyre. (voa)

Aplikacione të posaçme për telefonat inteligjentë

telefon intelegjentKompanitë e teknologjisë po krijojnë gjithnjë e më shumë aplikacione për paisjet e lëvizshme, duke ofruar një seri shërbimesh sipas kërkesave për ta bërë jetën më praktike. Me një prekje të telefonit mund të gjesh një mjet për të udhëtuar ose një masazh në shtëpi. Qyteti Los Anxheles është selia kryesore e shumë prej këtyre kompanive.

Samuel Davis shkoi në Los Anxheles duke tentuar t’i futet botës së spektaklit. Kur nuk është në skenë, ai është në kamionin e tij.

“Më pëlqen të aktroj në komedi, por dua të krijoj më shumë të ardhura në kohën e lirë.”

Këto të ardhura shtesë vijnë nga punësimi si shofer për një biznes të quajtur Buddytruk. Është një aplikacion që të lidh me shoferë vendas që kanë një kamion për të ndihmuar në transportimin e gjërave. Koha mesatare e ardhjes së një kamioni është gjysëm ore.

“Jemi rritur me 1 mijë dhe 2 mijë përqind që nga dita kur filluam punën.”

Buddytruk është një ndër aplikacionet e shumta që ofrojnë shërbime sipas kërkesës. Ato variojnë që nga udhëtimi i përbashkët me një mjet, tek shpërndarja e ushqimit nëpër shtëpi, dhe deri në shërbime masazhi në shtëpi, si p.sh. kompania Soothe. Që nga krijimi në vitin 2013, kompania e masazheve u shtri në 13 qytete brenda 12 muajve. Merlin Kuaffman është themelues i kompanisë “Soothe”.

“Veçoria është shpejtësia e marrjes së një shërbimi. Kompania e taksive Uber përcaktoi drejtimin e zhvillimit dhe tashmë është bërë normë.”

“Shtyp një buton dhe gjithçka zgjidhet, që nga pagesa, transporti, shpërndarja. Në më pak se një orë merr çfarë dëshiron.”, thotë Michael Hammond, klient aplikacioni.

Eksperti i menaxhimit të teknologjisë, Terry Kramer, thotë se njerëzit në mbarë botën posedojnë më shumë celularë inteligjentë se kurrë më parë.

“Është krijuar një stuhi perfekte për një rritje dramatike të aplikacioneve.”

Ai thotë se njerëzit tregohen më të gatshëm të japin të dhënat e tyre në shkëmbim të marrjes së shërbimeve, dhe se më shumë teknologji po krijohen për aplikacione celularësh. Megjithëse është një industri në fillimet e saj, zoti Kramer thotë se këto lloj aplikacionesh po trondisin biznesin tradicional të dyqaneve.

“Nëse tregohen të zgjuar, do t’i përfshijnë këto teknologji në biznesin e tyre më tradicional. Nëse jo, bizneset tradicionale do të zhduken.”

Sipërmarrësit thonë se aplikacionet për shërbime sipas kërkesave do të ofrojnë më shumë alternativa për konsumatorët dhe do të kursejnë kohën e tyre. (voa)

Apartamente luksoze në një ish-depo raketash bërthamore

apartamentePër ata që i tremben një shpërthimi bërthamor, sulmeve terroriste apo stuhive diellore, një apartament special ofron qetësi mendjeje dhe trupi. Në qyetin Konkordia të Kansasit po ndërtohen apartamente luksoze brenda një depoje të nëndheshme raketash të braktisur tshme. Korrespondentët e Zërit të Amerikës Enming Liu dhe Lin Yang e vizituan kohët e fundit kompleksin e ri të banimit:

Në zonat e pabanuara në veri të Kansasit sheh roje të armatosura rëndë, automjete të blinduara, kamera me rezolucion të lartë dhe kulla për snajper. Por nuk kemi të bëjmë me një objekt ushtarak.

Këtu dikur ndodhej qendra e nëndheshme e lëshimit të raketave balistike ndërkontinentale, Atlas.

Raketat Atlas i përkisnin sistemit amerikan të mbrojtjes gjatë Luftës së Ftohtë.

Biznesmeni Larry Hall e bleu atë pasi u nxorr jashtë përdorimit në 1965 dhe krijoi mjedise luksoze banimi.

“Këtu kemi qendrën e lëshimit të raketave Altas. Për sa i përket kapacitetit është goxha mbresëlënëse. Nëse do të duhej ta rindërtonim, do të kushtonte 120 milionë dollarë”.

14 katet e objektit lidhen me ashensor dhe ndërtesa ka një pishinë 25-metra të gjatë, një sallë kinemaje dhe një mur alpinizmi. Po ashtu ka një sistem shumë të sofistikuar furnizimi me ujë dhe energji.

“Nëse humbasim lidhjen me rrjetin elektrik, kemi gjeneratorin kryesor si dhe një gjenerator tjetër. Kemi turbina ere dhe një sistem furnizimi me bateri”.

Apartamentet janë projektuar me idenë për të jetuar në këto mjedise për pesë vjet pa kontakte me mjedisin e jashtëm. Një kat i tërë shërben për të magazinuar ushqime të konservuara.

Po ashtu kultivohen perime e peshk në bazene ujore për të garantuar furnizime të freskëta.

Dritaret elektronike, secila me vlerë 15 mijë dollarë, ndihmojnë për të luftuar psikozën që krijon jeta nën tokë për një kohë të gjatë.

“Nëse do të imagjinosh se po jeton në pranverë, apo në verë ose vjeshtë në Nju Jork, është krejt e mundur. Nëse do të zgjedhësh panoramën e San Franciskos, apo një qyteti tjetër, ne përdorim pamjet e një kameras me definicion të lartë”.

Një apartament që zë një kat të tërë, me sipërfaqe mbi 170m2 kushton mbi 3 milionë dollarë.Një apartament që zë gjysmën e katit kushton 1.5 milionë dollarë.

Por kërkohet të bësh pagesë të plotë me kesh. Pjesa më e madhe e banorëve i përdorin apartamentet si shtëpi pushimi. Leighton dhe Luke po kalojnë verën këtu.

“Jam si askush tjetër, pasi askush tjetër nuk jeton nën tokë në kushte të tilla. Nganjëherë nuk më besohet se jam nën tokë, thjesht po jetoj në një shtëpi normale”.

Apartamentet në ish objektin e parë të lëshimit të raketave janë shitur plotësisht. Punimet kanë filluar në objektin e dytë dhe gjysma e apartamenteve në këtë projekt janë shitur.

Për ata që mund ta përballojnë koston, ky apartament është si një garanci ideale për sigurinë. (voa)

Nga mbetjet plastike në mobilje

plastik mobiljeZgjerimi i shpejtë i teknologjisë së printerave 3D po krijon një problem të ri ekologjik – mbetjet e pluhurit të najlonit. Në përpjekje për të bërë diçka, një grup studentësh britanikë kanë zhvilluar një metodë për t’i kthyer ato në mobilje.
Një metodë e përhapur e të shtypurit 3D quhet “sintering selektive lazer”, ose SLS, që do të thotë përzierje e grimcave të pluhurit të najlonit ose metalit për të formuar një objekt të ngurtë. Por kjo mënyrë lë pas rreth 44 për qind mbetje.
Studentët në Kolegjin Mbretëror të Artit në Londër, Fabio Hendry dhe Sung-il Choi, kanë zhvilluar një metodë të thjeshtë për bashkimin egrimcave të pluhurit të najlonit duke i kthyer ato në objekte të ngurta.

Një teli prej nikel-kromi i jepet forma e dëshiruar. Pastaj vendoset në një enë dhe mbulohet me një përzierje pluhuri najloni dhe rëre të imët. Kur lidhet me burim energjie, siç është një bateri makine, përzierja mbështillet rreth telit.
Fabio Hendry shpjegon:
“Për shembull, kemi telin, hedhim në të pluhur të përzier, e nxehim për 20 minuta, dhe nga kjo përftojmë një objekt që është shumë vështirë të prodhohet në mënyrë tjetër.”

Trashësia e strukturës së ngurtësuar varet nga koha që teli mbahet i lidhur me burimin e energjisë – zakonisht deri 30 minuta. Të dy studentët ekspozuan 12 stola artistikë të formave të ndryshme.

“Nuk kërkon gjë të madhe. Nuk përdor as pajisje të fuqishme. Është shumë lehtë dhe e thjeshtë për t’u bërë, gjithashtu shumë e qëndrueshme. Nuk kërkon as shumë energji”

Stolat janë paraqitur si projekt, për të treguar se si nga mbeturinat mund të prodhohen sende të ndryshme. Studentët Hendry dhe Choi shpresojnë që metoda e tyre, nëse përdoret në shkallë industriale, mund të zvogëlojë ndjeshëm sasinë e mbetjeve të pluhurit të najlonit. (voa)