Kategoritë: Shkenca

Prodhimi i protezave me teknologjinë 3D

proteza 3dNjerëzit të cilëve u mungon një dorë apo një krah duhet të paguajnë mijëra dollarë dhe të presin disa javë për të marrë një protezë. Por teknologjia tre dimensionale e shtypjes, ofron një alternativë me kosto më të ulët dhe një afat kohor më të shkurtër. Duart e printuara me teknologjinë 3D janë duke u ndryshuar jetën njerëzve në mbarë botën, veçanërisht fëmijëve. Një nga këta fëmijë jeton në një qytet në jug të Los Anxhelesit.​

Kjo dorë mban shumë emra si “dorë e një superheroi” apo “dorë robotike”. Faith Lennox thotë se miqtë e saj në shkollë mendojnë se dora e saj është interesante.

“Edhe ata duan një dorë robotike”.

Faith Lennox e humbi parakrahun kur ishte nëntë muajshe. Ajo tani është gati tetë vjeç.

“Kur ajo lindi, qarkullimi në krahun e saj të majtë u ndëpre duke bërë që ta humbiste këtë pjesë të gjymtyrës.”

Nëpërmjet një grupi mbështetës në internet, nëna e Faith Lennox-it, Nicole dëgjoi për një organizatë të quajtur e-NABLE që përdor tekonologjinë e printimit 3-D  për të krijuar proteza me kosto të ulët për fëmijët në mbarë botën. Ajo u takua edhe me Mark Lengsfeld-in, pronari i kompanisë “Build It Workspace,” që merret me inxhinieri dhe dizajn. Nicole e pyeti zotin Lengsfeld nëse ai mund t’i printonte vajzës së saj një dorë artificiale.

“Ne i hodhëm një shikim dhe thamë pse jo, mund ta printojmë si pjesët e tjera.  Mund të jetë protezë për dorë artificiale ose një mbajtëse, pra është thjeshtë një pjesë”.

Me ndihmën udhëzimeve të faqes së internetit e-NABLE, zoti Lengsfeld e shtypi dhe e montoi pajisjen.

“Ta provojmë këtë dhe të shohim se si mund ta ndihmojmë vajzën e vogël që ajo në fund të arrijë t’i jap biçikletës”.

Mark Suarkeo është specialist i prodhimit të protezave tradicionale.

“Teknologjia e shtypjes 3-D krahasuar me atë tradicionale mund të kursejë shumë kohë dhe krah pune”.  

Prodhimi i një proteze tradicionale si kjo mund të marrë  një deri dy muaj dhe kushton mijëra dollarë. Nga ana tjetër, prodhimi i një pajisje të tillë me teknologjinë 3-D mund të realizohet brenda disa ditëve.

Organizata e-NABLE thotë se prodhimi i protezës mund të kushtojë rreth 30 dollarë. Organizata gjithashtu dërgon pajisje të madhësive të ndryshme jashtë vendit të cilat pastaj shpërndahen nga mjekët vendas.

“Unë besoj se teknologjia e shtypjes 3D do t’u mundësojë këtyre njerëzve pajisjen me proteza dhe do t’u ndryshojë jetën atyre dhe familjeve të tyre”.

Në një intervistë me Skype për Zërin e Amerikës, John Wong nga organizata e-NABLE thotë se ka edhe përfitime psikologjike.

“Unë vetë kam lindur pa disa gishtërinj dhe në shkollë më kanë ngacmuar për këtë, prandaj unë i kuptoj vështirësitë e këtyre fëmijëve”.

Nicole Lennox thotë se ajo ka parë një ndryshim në vajzën e saj pasi ajo filloi të përdorte dorën robotike.

“Kjo i ka hapur shumë mundësi dhe i ka shtuar besimin. Është një përmirësim prekës”.

“Tani unë mund të ngasë biçikletën”.

Në qoftë se krahu i Faith-it rritet ose proteza dëmtohet, ajo thjeshtë mund të printojë një pjesë të dorës së saj robotike. (voa)

Teknologji, avionët me një motor

avioniNë rast të dështimit të motorit, avionët me disa-motorë shpesh kanë fuqi të mjaftueshme për të bërë një ulje të sigurtë në tokë, por avionët me një motor kanë një shans shumë të vogël për të shmangur një aksident fatal. Dy novatorë spanjollë thonë se sistemi i tyre rezervë i energjisë, i projektuar veçanërisht për avionët e vegjël, mund të përmirësojë ndjeshëm shanset e tyre.

Sipas Departamentit amerikan të Transportit, më shumë se 550 njerëz vdesin çdo vit, mesatarisht në aksidente me avionë të vegjël me një motor.

Pilotët si Miguel Suarez thonë se dështimi i motorit në një avionë të lehtë me helika nuk ofron shumë shanse për të mbijetuar.

“Në këtë rast, nuk ka alternativë tjetër vetëm të përpiqesh të shpëtosh cdo gjë që ke, të përpiqesh të ulesh por aksidenti është i sigurtë.”

Në bashkëpunim me universitetin Carlos III të Madridit, Suarez dhe partneri i tij, inxhinieri Daniel Cristobal, zhvilloi një motor që funksionon me bateri e që i jep një avioni të dëmtuar shtatë minuta fluturim.

“We integrated in series an electric motor with a clutching system that isolates the main engine when it fails and then the pilot has an additional 20 kilometers when the main engine fails to find a safe place to land.”

Forca rezervë vjen nga një bateri litiumi me kontroll elektronik.

Me një celës të thjeshtë, piloti mund të shkëpusë rrotullimin e helikave nga motori kryesor dhe të aktivizojë motorin elektrik.

Gjatë një fluturimi normal, një karikues siguron që bateria të jetë gjithmonë gati.

Por motori ndihmës mund të përdoret edhe në rrethana të tjera.

“Sistemi nuk është vetëm sistem sigurimi. Është gjithashtu një sistem hibrid që lejon për të shtuar më shumë fuqi tek motori kryesor kur ke nevojë për më shumë fuqi për shembull gjatë ngritjes.”

Një avantazh tjetë është se motori mund të instalohet në avionët me dy apo katë sedilje pasi mund të vendoset mes motorit dhe helikës.

Inxhinierët e Axter Aerospace po përpiqen tani të reduktojnë peshën e sistemit ndërsa presin për një certifikatë nga Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit. (voa)

Shoferi fantazëm në laptop

makina ne rrugePër herë të parë ekspertët e Teknologjisë së Informacionit kanë arritur që si hacker të telekomandojnë tërësisht një makinë nga laptopi: Radioja, impanti i klimatizimit, frenat e motori u vunë nën kontroll.

Andy Greenberg nuk mund ta harrojë lehtë udhëtimin e tij eksperimental me makinë, ndonëse redaktori i revistës teknike amerikane Wired ishte në dijeni për atë që po ndodhte. Dy ekspertët e sigurisë Charlie Miller dhe Chris Valasek përpara udhëtimit e kishin porositur atë që të mos binte në panik për asgjë që do të ndodhte. Por kur gjatë udhëtimit në autostradë me makinën e bardhë Jeep Cherokee papritur nga klimatizatori frynte ajër akull i ftohtë, situata nuk qe fort e këndshme. E ndërsa befas radioja nisi të buçasë me melodi nga emisioni Hip Hop i stacionit lokal, gjendja u bë që të ngrinte nervat. Kur sistemi i larjes së xhamave u vu në veprim duke ia ndërprerë atij herë pas here shikimin, atëherë Greenbergut gradualisht nisi t’i vijë në majë të hundës. Por nuk mjaftoi me kaq, hackerat arritën që t’ia shuajnë motorin atij gjatë udhëtimit, gjë që po i ngjallte vërtetë panik Greenbergut. Në një vend parkimi dy hackerat i demonstruan atij më vonë, se si ata kishin mundur të ndërhynin në sistemin e timonit dhe të frenimit.

470.000 makina të rrezikuara

Greenberg e dinte se çfarë e priste e vullnetarisht e kishte pranuar të vihej në rolin e kavies eksperimentale. Miller dhe Valasek donin në provonin, se ata me një laptop dhe me telefonin celular ishin në gjendje të ndërhynin në sistemet e komandimit të makinës Jeep Cherokee – pa asnjë lidhje me kabëll, por vetëm përmes internetit duke qendruar fare komod në dhomën e tyre të punës. Eksperimenti rezultoi i sukseshëm. E sipas mendimit të dy ekspertëve e njëjta gjë mund mund të funksionojë edhe me thuajse gjysmë milioni makina të tjera. Kuptohet nëse këto makina ashtu si dhe Jeep Cherokee janë të pajisura me sistemin uconnect. Ky sistem i njohur si Infotainment-System bashkon një sërë funksionesh elektronike si p.sh. navigimin apo radion dhe shërben si një pikëtakimi që mundëson aksesin nga makina tek Smart-Phonet dhe kompjuterat Tablet.

Mikko Hypponen nga sipërmarrja finlandeze për sigurinë e Teknologjisë së Informacionit F-Secure ka nxjerrë në pah një problem parimor. Në bisedë për DW Hyponnen thotë, se ndonëse prodhuesit e automobilëve i kushtojnë rëndësi sigurisë, tradicionalisht ato kanë pak përvojë me sigurinë e kompjuterit. Por tani të gjithë prodhuesit e automobilëve duhet t’i kushtojnë vëmendje sigurisë së kompjuterit si një komponente e filozofisë së tyre të sigurisë së përgjithshme, thekson eksperti nga Helsinki.

tastaturaProblematika do të shtohet edhe më shumë, parashikon Ferdinand Dudenhöffer nga Center for Automotiv Research në Universitetin Duisburg-Essen. Në intervistë për DW ai i referohet tendencës drejt udhëtimit të automatizuar të makinave. Në të ardhmen makinat do të komunikojnë shumë më intensivisht me mjedisin rreth tyre përmes teknologjisë së ashtuquajtur Car-to-X-Technologie, thotë Dudenhöffer: “Por komunikimi kalon përmes internetit. Kjo do të thotë: se rreziku rritet. Ne na duhet të mendojmë edhe më shumë, për ta optimalizuar sigurinë e makinave sa u përket hacker-ave, tërheq vëmendjen profesori nga Duisburgu. Këto çështje të sigurisë në të ardhmen do të fitojnë jashtëzakonisht peshë, parashikon Dudenhöffer.

Frigoriferi dërgon spam

E kjo nuk vlen vetëm për makinat. I shumëpërfoluri “interneti i sendeve” ka hyrë prej kohësh në përdorim në jetën tonë të përditshme. Gjithnjë e më shumë aparatura janë të lidhura ndërkohë në rrjet. Prodhuesi i programeve të aksesit në rrjet Cisco përllogarit se ndërkohë në mbarë botën rreth 15 miliard aparatura janë të futura në rrjet. Deri në vitin 2020 Cisco pret që kjo shifër të arrijë në 50 miliardë. Por edhe një frigorifer smart është një objekt i mundshëm sulmi. Në fillim të vitit 2014 u njoftua për një frigorifer, i cili si pjesë e një rrjeti poste ka dërguar spams në masë. “Ky është thelbi i internetit të sendeve, futja në rrjet e sendeve, të cilat nuk kanë të bëjnë me internetin – makina, frigoriferë, smart-homes e shumë të tjera”, shpjegon Christoph Paar. Profesori për sigurinë e Teknologjisë së Informacionit në Universitetin Ruhr në Bochum e di, se shpesh prodhuesit mjaftohen, kur prodhojnë një produkt të mirë të lidhur me rrjetin duke ofruar kështu funksione shtesë. Por: “shpesh sigurisë as që i kushtohet vëmendje ose ajo vlerësohet pak”, vëren Paar.

jeepJeep Cherokee nën kontrollin e hakerave

Kjo ka të bëjë edhe me arsyen, se për blerjen e të tilla aparaturave, siguria kibernetike nuk luan ndonjë rol, konstaton Mikko Hypponen. Ai sjell një shembull me një thekëse buke: “Kur blen një mall të tillë nuk mendon për siguri kibernetike. Ndaj siguria lihet pasdore e për të nuk investohet. E në treg dominon produkti me çmim të lirë”. Eksperti finlandez i sigurisë tërheq vëmendjen edhe për një problem tjetër: këto aparatura nuk mund të pajisen postum me elementë sigurie. Frigoriferët apo thekëset nuk mund të pajisen me programe kundër viruseve të internetit.

E duke iu kthyer makinës, në rast se siguria në të kompromentohet, kjo jo vetëm që është e bezdisshme, si një spam i dërguar nga frigoriferi, por është edhe mjaft e rrezikshme. Ndaj Miller dhe Valasek prej vitesh tërheqin vëmendjen për pikat e dobëta të makinës së futur në rrjet. Në vitin 2013 ata demonstruan me një Toyota Prius dhe me një Ford Escape se si mund të komandohet makina nga laptopi. Edhe atëherë në timon ishte Andy Greenberg. Por Miller dhe Valasekut atëherë i duhej të uleshin në sediljen e pasme dhe ta lidhnin laptopin me makinën përmes kabllit. Se si funksionon vërtetë komandimi pa kabëll i automjetit këtë Miller dhe Valasek do ta prezantojnë në fillim të gushtit në konferencën “Black-Hat” në Las Vegas. (dw)

Fusha magnetike e Tokës

tokaShumica prej nesh tepër rrallë mund të mendojnë për fushën manjetike të Tokës. Ndoshta mund ta dimë që ajo i udhëheq zogjtë në shtegëtimin e tyre, si dhe se drejton busullat drejt veriut, por nuk e vlerësojmë si një ndër aspektet kyçe që bëjnë të mundur jetën në Tokë. Gjithashtu, proçeset në bërthamën e Tokës që krijojnë fushën manjetike nuk kuptohen sa duhet. Në një laborator në Universitetin e Merilendit, shkencëtarët po përpiqen të imitojnë rrethanat e pjesës që ndodhet rreth 3 mijë kilometra nën këmbët tona.

Në thellësi të planetit tonë, një sferë me gjerësi 3400 kilometra e përbërë prej hekuri të shkrirë dhe nikeli, si dhe një sferë tjetër hekuri më e vogël dhe solide në zemër të saj, krijojnë rryma elektrike që shkaktojnë fushën manjetike të Tokës.

Përfitimi ynë më i thjeshtë është ndihma e saj për të naviguar. Por, ka dhe shumë më tepër se kaq, thotë Profesor Lathrop.

“Është një aspekt i rëndësishëm që mundëson jetën në planet, pasi na mbron nga një pjesë e madhe e rrezatimit të diellit.”

Të dhënat tregojnë se fusha manjetike e Tokës nuk është statike. Është gjithnjë në lëvizje të vazhdueshme.

“Tashmë dimë se fusha manjetike ka ndërruar drejtim disa herë në historinë e njerëzimit. Sigurisht, që drejtimi i rrotullimit të Tokës mbetet i njëjtë, por ndryshon pozicioni i polit manjetik.”

Në laboratorin e tyre të financuar nga Fondacioni Kombëtar për Shkencën, ekipi i zoti Lanthrop po mundohen të zbulojë si dhe pse ndodh kjo gjë.

Ata ndërtuan një maket topi çeliku 3 metra të gjerë që rrotullohet, të mbushur me 12.5 tonë sodium, një metal i butë që shkrin në temperaturë afro 100 gradë celcius. Një sferë çeliku 1 metër e gjerë luan rolin e bërthamës së brendshme. Të dyja mund të rrotullohen në mënyrë të pavarur.

Rrotullimi i tyre i ngadaltë nuk ka krijuar dot efektin gjenerues që mendohet se krijon fushat manjetike.

“Shohim diçka vetëm nëse krijojmë fusha manjetike nga jashtë, dhe atëherë përfitojmë një fushë manjetike dhjetë herë më të madhe.”

A do të na përgatisin këto eksperimente për një ndryshim të mundshëm të fushës manjetike të Tokës? Zoti Lanthrop thotë se është e vështirë të parashikosh ndryshimet që mund të ndodhin në mijëra vjet.

“Një sekondë e këtij eksperimenti është pothuajse sa 5 mijë vite evolucioni të fushës manjetike. Pra, qëllimi është të krijojmë një model parashikimi që mund ta përmirësojmë në vazhdimësi.”

Zoti Lanthrop thotë se intensiteti i fushës manjetike të planetit tonë ka rënë 10% në 170 vitet e fundit, çka tregon se proçesi i ndryshimit mund të ketë filluar tashmë.

Fatmirësisht, ky ndryshim është tepër i ngadaltë për të ndikuar në jetën tonë të përditshme. (voa)

Shkrirja e akujve rrezikon zhdukjen e ariut polar

ariu polarPasi kaloi verën për dy vjet në Arktik duke vëzhguar arinjtë polarë, një ekip kërkimor përshkruan mbijetesën në një mjedis të ndryshueshëm ku akulli i detit po shkrin më me shpejtësi nga ç’ishte parashikuar. Studimi në revistën Science paraqet një të ardhme të zymtë për këtë kafshë, nëse nuk bie sasia e çlirimit të gazit në ajër.

Arinjtë polarë e përdorin akullin e detit si platformë për të gjuajtur. Por, ndërsa ky habitat tkurret nga ngrohja, arinjtë nuk kanë qasje tek ushqimi për periudha të gjata kohe.

“Me shkurtimin e sezonit pranveror të gjahut, zgjatjen e sezonit të verës në një kohë kur janë të paushqyer mirë dhe ndërsa hasin vështirësi për të gjetur ushqim në dimër, arinjtë polarë janë të stresuar fiziologjikisht”, thotë Merav Ben David e departamentit të zoologjisë, në Universitetin e Uajoming

Duke udhëtuar në akull, studiuesit e Universitetit të Uajoming kapën mbi 12 arinj, duke iu marrë kampione gjaku dhe duke përdorur sensorë për të matur temperaturën. Ata vëzhguan arinjtë në akull dhe në tokë për dy vjet.

Kërkime të mëparshme linin të kuptohej se arinjtë kompensojnë në një farë mase mungesën e ushqimit në verë duke bërë gjumin e dimrit duke ecur, duke ngadalësuar aktivitetin e metabolizmin në nivelin e asaj që bëjnë arinjtë në dimër.

Ne arritëm në përfundimin se arinjtë polarë, ashtu si kushërinjtë e tyre më të afërt, arinjtë e murrmë, nuk janë në gjendje të ulin ritmin e metabolizmit në nivelin e dimërimit. Prandaj koha që ata mund të përballojnë pa u ushqyer në verë, është e kufizuar,”  thotë zonja David.

Kështu, thotë ajo, ata nuk mund të ruajnë aq shumë energji sa ç’mendohej më parë. Në një artikull në revistën Science, autorët thonë se duhet vepruar.

“Nëse duam të jemi qytetarë të përgjegjshëm të planetit, duhet të bëjmë të pamundurën, që të frenojmë, të kthejmë mbrapsht prirjen për shkrirjen e akullit”.    

Kjo do të thotë që të pakësohet çlirimi i gazeve që po ngrohin planetin dhe po sjellin gradualisht zhdukjen e ariut polar. (voa)

Teknologjia e çelësave pa kontakt

kiwi kiNjë kompani e re në Berlin po shpreson të revolucionarizojë mënyrën e hapjes së dyerve të banesave. Sistemi Kiwi.ki, i bazuar në teknologjinë e njëjtë që përdoret në çelësat inteligjentë të makinave të reja, deri më tani është instaluar në më shumë se 1400 dyer të banesave në kryeqytetin gjerman, Berlin.

Çelësi Kiwi Ki, i shpikur nga kompania me të njëjtin emër, përdoret çdo ditë nga mijëra njerëz në Berlin për të hapur dyert banesave.

Mbi 1400 dyer  banesash janë pajisur me këtë sistem në kryeqytetin gjerman dhe qindra të tjera në Hamburg.

Çelësi Kiwi.ki funksionon në bazë të një sistemi i cili përdor teknologjinë e identifikimit të radio-frekuencave, RFID.

“Kur i afroheni derës tre apo katër metra, ky çelës e hap atë automatikisht”,thotë bashkë-themeluesja e kompanisë Kiwi.ki, Claudia Nagel.

Kjo nuk është teknologji e re.

Ajo përdoret gjerësisht në çelësat e makinave, sistemet e sigurisë në ndërtesat administrative dhe shumë aplikacione tjera.

Por sipas kompanisë Kiwi.ki, sistemi i saj është i pari që do të instalohet në ndërtesat e banimit në një shkallë të gjerë.

Kompania thotë gjithashtu se Kiwi Ki është sistemi i parë i këtij lloji që përmes një aplikacioni të telefonave inteligjentë mund të hapë dyert nga distanca.

“Ideja për çelësin Kiwi ki më lindi në nëntor të vitit 2007. Nuk mund të hapja derën e pallatit pas i kisha duart të zëna me djalin në një anë dhe çantat në anën tjetër. Ishte ditë e ftohtë me shi dhe unë nuk mund të gjeja çelësin. Në atë moment unë mendova se duhet të kishte një mënyrë më të lehtë për hapjen e derës”.

Kompania Kiwi Ki është themeluar në vitin 2012 dhe aktualisht ka 30 punonjës.

Kohët e fundit ajo ka lidhur kontrata me disa kompani shërbimesh me bazë në Berlin, duke përfshirë postën dhe departamentin e zjarrfikësve.

Klientëve të tyre u jepet një çelës, i cili mund të hapë të gjitha dyert në një zonë apo rrugë.

Kompania e riciklimit Remondis po provon këtë sistem dhe ka marrë 20 çelësa për të hapur mbi 1000 dyer në Berlin.

Prova do të zgjasë disa muaj. Pastaj kompania do të vlerësojë efikasitetin e këtij sistemi dhe do të vendosë nëse do ta përdorë atë rregullisht.

“Ne duhet të hyjmë në shumë ndërtesa e shtëpi dhe për ta bërë këtë duhet të mbajmë me vete tufa çelësash. Me teknologjinë Kiwi-ki ne do të jemi në gjendje të hapim shumë dyer me një çelës të vetëm”, thotë Lutz Wedegartner i kompanisë Remondis.

Kompania Kiwi Ki thotë se sistemi mund të instalohet për 20 minuta në një derë standarde dhe kushton më pak se 400 euro.

Në rast të humbjes së çëlësit, ai mund të çaktivizohet dhe të zëvendësohet për 25 euro. Ndërkohë, banorët mund të përdorin një aplikacion të telefonave inteligjentë për të hyrë në shtëpitë e tyre.

Në të ardhmen, kompania shpreson të jetë në gjendje të pajisë dyert e brendshme të apartamenteve me këtë sistem.

Ashensorët në disa ndërtesa tashmë janë pajisur me këtë sistem.

Henryk Ploetz është analist i sigurisë së sistemeve të çelësave.

“Është shumë më i sigurt se një çelës i zakonshëm. Një çelës i zakonshëm mund të kopjohet lehtë, nganjëherë vetëm përmes një fotografie. Me këtë sistem, ju nuk mund ta bëni këtë,” thotë ai.

“Kjo vlen për të gjithë çelësat pa kontakt, por Kiwi Ki është më i sigurt se të gjithë çelësat e tjerë të këtij lloji”.

Kompania Kiwi Ki thotë se sistemi i saj pritet të instalohet edhe në qytete të tjera evropiane në muajt e ardhshëm. (voa)

Shkencëtarët: Kepler, një planet i ri si Toka

planeti keplerNjë arritje e madhe për shkencën dhe njerëzimin: shkencëtarët amerikanë thonë se kanë zbuluar një planet me ngjashmëri të shumta me Tokën.

Një zëdhënës i NASA-s thotë se këto imazhe të gjeneruara nga kompjuteri bazohen në të dhënat që ka mbledhur teleskopi Kepler mbi planetin e largët. Sipas zëdhënësit, planeti u vërejt duke lëvizur në orbitë rreth një ylli të largët të ngjashëm me diellin tonë.

Planeti, sipas të dhënave, rezulton me masë rreth pesë herë më të madhe se Toka dhe me forcë rëndese rreth dy herë më të madhe se të planetit tonë.

Shkencëtarët thonë se është një zbulim i rëndësishëm, por se një vizitë në këtë planet nuk do të mund të realizohet në të ardhmen e afërt.

Planeti është në një system diellor që ndodhet 1400 vjet dritë nga sistemi ynë. (voa)

Soyuz arrin në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës

Soyuz satelitAnija hapësinore ruse Soyuz zbarkoi në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, pas një vonese prej dy muajshe të shkaktuar nga dështimi i një anije hapësinore ruse mallrash pa pilot.

Zyrtarët thanë se Soyuz arriti në laboratorin orbital sot, më pak se gjashtë orë pas nisjes nga baza Baikonur në Kazakistan. Zyrtarët e Agjencisë amerikane të hapësirës, NASA thonë se Soyuz u soll rreth Tokën katër herë para se të ankorohej në stacionin e hapësirës.Soy

Nisja e anijes Soyuz drejt stacionit hapësinor u shty pas dështimit në muajin prill të një anije mallrash pa pilot që duhej të dërgonte furnizime për ekuipazhin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.

Amerikani Kjell Lindgren, rusi Oleg Kononenko, dhe japonezi Kimiya Yui do t’i bashkohen dy astronautëve rusëve dhe një amerikan në bordin e stacionit të hapësirës: Genadi Padalka, Mikhail Kornienko, dhe Scott Kelly. NASA thotë se të gjashtë anëtarët e ekuipazhit do të qëndrojnë në stacionin e hapësirës deri në dhjetor.

Kelly dhe Kornienko janë duke marrë pjesë në misionin e parë njëvjeçar në bordin e stacionit të hapësirës, në një eksperiment që ka për synim të studiojë efektet e fluturimit hapësinor afatgjatë në trupin e njeriut. Ata do të kthehen në Tokë në muajin mars, pas një qëndrimi 342 ditësh në hapësirë. (voa)

Robotët në Japoni

robotNjë robot të uron mirëseardhjen në hotel; një dinosaur të regjistron, dhe një transportues i motorizuar valixhesh t’i sjell ato në dhomë. Ky është i quajturi “Hoteli i Çuditshëm” në Japoni, ku klientëve u shërbejnë robotët, ku nuk ka më bakshishe, dhe ku dyert i hap teknologjia e identifikimit të fytyrës.

Japonezët janë tashmë të familjarizuar me robotët, por këtu në “Hotelin e Çuditshëm”, ka një robot në çdo cep. Një humanoid të mirëpret dhe një dinosaur miqësor të orienton për regjistrimin, që është plotësisht i automatizuar.

Klientët nuk kanë pse të shqetësohen se mos humbasin çelësat e dhomës, pasi hoteli përdor teknologjinë e identifikimit të fytyrës për të lejuar hyrje-daljet e njerëzve. Portieri nuk ju thërret dot një taksi, por mundet t’ju ofrojë mëngjesin, si dhe informacion në japonisht dhe në anglisht.

Punonjësit nuk kanë mosmarrëveshje me njëri-tjetrit, falë ekspertizës së programuesve, pasi siç thotë projektuesi Yusuke Hara, fare mirë mund të fillojnë luftërat ndërmjet robotëve.

“Në këtë projekt janë përfshirë robotë të krijuar nga prodhues të ndryshëm, dhe me karakteristika të ndryshme. Duke i patur të gjithë në të njëjtin vend, do të ketë përplasje ndërmjet sistemeve të tyre të sensorëve. Është tepër e vështirë nga pikëpamja arkitekturore harmonizimi i tyre.”

Ndërkohë që transportuesit e bagazheve funksionojnë shumë mirë, nuk të duhet as të kesh para të thata me vete për t’u lënë bakshish.

Në dhomë, klientët mirëpriten nga një robot në formën e një tulipani të shëndoshë. Ai quhet Tulip. Në dhomë nuk çelësa dritash, kështu që Tulipi do t’ju ndezë dritat, dhe do t’ju planifikojë edhe zgjimin në mëngjes.

Hideo Sawada drejton hotelin, si pjesë e një parku argëtimi. Ai insiston se përdorimi i robotëve nuk është thjesht një marifet, por një përpjekje serioze për më shumë efikasitet.

“Arsyeja e parë që ndërtuam këtë hotel, është se synonim të bënim hotelin më efikas të botës. Arsyeja e dytë ishte t’u ofronim më shumë turistëve që po shtohen në numër, ndërkohë që hotelet në Tokyo, Osaka, Nju Jork, Londër, po rrisin çmimet dhe njerëzit nuk janë në gjendje të shijojnë qëndrimin e tyre. Donim të ofronim një hotel me kosto efikase dhe që është ndërkohë edhe argëtues.”

Dhomat këtu fillojnë nga 80 dollarë, një çmim fantastik për në Japoni, ku në çdo hotel standart, çmimet janë dy dhe trefish më shumë.

Një aspekt që nuk menaxhohet dot nga robotët është siguria. Ajo menaxhohet nga njerëz, të cilët mbikqyrin 24 orë nëpërmjet kamerave sigurinë e klientëve. (voa)

NASA publikon imazhet e sipërfaqes së Plutonit

PlutoAgjencia amerikane e hapësirës, NASA, publikoi disa nga imazhet e Plutonit të marra nga sonda New Horizon ndërkohë që ajo fluturoi dje afër planetit të vogël. Për gati një dekadë New Horizon bëri një udhëtim prej 5 miliardë kilometrash nëpër sistemin tonë diellor për të arritur afër Plutonit. Është hera e parë që një sondë arrin afër këtij planeti. Fotografitë historike me rezolucion të lartë do të ndihmojnë shkencëtarët të mësojnë më shumë rreth mënyrës se si është formuar sistemi diellor dhe ndoshta edhe mbi zhvillimin e jetës në Tokë.

Fotot e Plutoni janë marrë ndërkohë që sonda New Horizon po fluturonte pranë këtij planeti me një shpejtësi prej rreth 50.000 kilometrash në orë. Shkencëtarët e NASA-s thonë se imazhet ofrojnë informacione të reja mbi skajin e jashtëm të sistemit tonë diellor.

“Ne kemi gjetur se të paktën disa pjesë të Plutonit janë shumë të reja. Ato nuk kanë kratere që zakonisht shihen në një sipërfaqe të vjetër. Pra brendësia e Plutonit është aktive dhe krijon peisazhe nga proceset që ne ende nuk i kuptojmë”.

Sonda dërgoi një nga imazhet më të mrekullueshme të Plutonit edhe para fluturimit afër plantetit të martën. Fotot e marra nga afër sjellin qartësi të rajoneve që më parë ishin të paqarta, si ajo që tani quhet zemra e planetit.

Shkencëtarët e NASA-s thonë se ata nuk prisnin që Plutoni të kishte një topografi malore dhe ujore.

“Pra, këto male ngrihen në një terren relativisht të sheshtë. Kjo është për t’u habitur sepse ne kishim menduar që në ato pjesë ose në të gjithë planetin kishte më shumë kratere. Malet që ngriten në lartësi deri në rreth 3400 metra janë mahnitëse”.

Shkencëtarët thonë se studimi i imazheve do të kërkojë më shumë se një vit. Por ajo që ata panë në orët e para ka ndryshuar konceptet e mëparëshme në lidhje Plutonin.

Ekipi i sondës New Horizon është i kënaqur që sonda nuk u përplas apo dëmtua nga hënat rreth Plutonit. Edhe imazhet e hënës më të madhe të Plutonit, Charon, kanë ofruar informacione të papritura.

“Ne gjetëm se Charon nuk ka mjaft kratere. Ajo duhet të jetë aktive, duhet të ketë qenë aktive në një të kaluar të afërt. Në këtë botë të vogël, sa shteti i Teksasit, ka kanione më të gjata se Kanioni i Madh, të krijuara nga lëvizjet tektonike”.

Shtetet e Bashkuara janë vendi i parë që arrijnë afër Plutonit. Me këtë mision të fundit hapësinor, Shtete e Bashkuara kanë vizituar çdo planet në sistemin tonë diellor. (voa)