Kategoritë: Shkenca

NASA publikon imazhet e sipërfaqes së Plutonit

PlutoAgjencia amerikane e hapësirës, NASA, publikoi disa nga imazhet e Plutonit të marra nga sonda New Horizon ndërkohë që ajo fluturoi dje afër planetit të vogël. Për gati një dekadë New Horizon bëri një udhëtim prej 5 miliardë kilometrash nëpër sistemin tonë diellor për të arritur afër Plutonit. Është hera e parë që një sondë arrin afër këtij planeti. Fotografitë historike me rezolucion të lartë do të ndihmojnë shkencëtarët të mësojnë më shumë rreth mënyrës se si është formuar sistemi diellor dhe ndoshta edhe mbi zhvillimin e jetës në Tokë.

Fotot e Plutoni janë marrë ndërkohë që sonda New Horizon po fluturonte pranë këtij planeti me një shpejtësi prej rreth 50.000 kilometrash në orë. Shkencëtarët e NASA-s thonë se imazhet ofrojnë informacione të reja mbi skajin e jashtëm të sistemit tonë diellor.

“Ne kemi gjetur se të paktën disa pjesë të Plutonit janë shumë të reja. Ato nuk kanë kratere që zakonisht shihen në një sipërfaqe të vjetër. Pra brendësia e Plutonit është aktive dhe krijon peisazhe nga proceset që ne ende nuk i kuptojmë”.

Sonda dërgoi një nga imazhet më të mrekullueshme të Plutonit edhe para fluturimit afër plantetit të martën. Fotot e marra nga afër sjellin qartësi të rajoneve që më parë ishin të paqarta, si ajo që tani quhet zemra e planetit.

Shkencëtarët e NASA-s thonë se ata nuk prisnin që Plutoni të kishte një topografi malore dhe ujore.

“Pra, këto male ngrihen në një terren relativisht të sheshtë. Kjo është për t’u habitur sepse ne kishim menduar që në ato pjesë ose në të gjithë planetin kishte më shumë kratere. Malet që ngriten në lartësi deri në rreth 3400 metra janë mahnitëse”.

Shkencëtarët thonë se studimi i imazheve do të kërkojë më shumë se një vit. Por ajo që ata panë në orët e para ka ndryshuar konceptet e mëparëshme në lidhje Plutonin.

Ekipi i sondës New Horizon është i kënaqur që sonda nuk u përplas apo dëmtua nga hënat rreth Plutonit. Edhe imazhet e hënës më të madhe të Plutonit, Charon, kanë ofruar informacione të papritura.

“Ne gjetëm se Charon nuk ka mjaft kratere. Ajo duhet të jetë aktive, duhet të ketë qenë aktive në një të kaluar të afërt. Në këtë botë të vogël, sa shteti i Teksasit, ka kanione më të gjata se Kanioni i Madh, të krijuara nga lëvizjet tektonike”.

Shtetet e Bashkuara janë vendi i parë që arrijnë afër Plutonit. Me këtë mision të fundit hapësinor, Shtete e Bashkuara kanë vizituar çdo planet në sistemin tonë diellor. (voa)

“Ç’kemi Pluton”, NASA kalon planetin xhuxh

plutonPas 9 vitesh, sonda “New Horizons” e NASA-s ka arritur Plutonin, në kufijtë e sistemit tonë diellor, duke kaluar plot 12.500 km në sipërfaqen e planetit. Ngjarja historike në eksplorimin e hapësirës është përshëndetur nga një duartrokitje e gjatë në qendrën e kontrollit të NASA-s.

Arritja e Plutonit nga “New Horizons” është një moment i rëndësishëm në historinë e eksplorimit të hapësirës. Ajo shënon faktin se, tashmë nëntë planetët e sistemit diellor nga Merkuri deri te Plutoni, janë eksploruar të paktën një herë.

“Ne kemi përfunduar zbulimin fillestar të Sistemit Diellor, një përpjekje që filloi nën udhëheqjen e presidentit Kennedy më shumë se 50 vjet më parë dhe vazhdon ende në ditët e sotme nën presidentin Obama”,  tha shefi i misionit, Alan Stern.

“Është me të vërtetë historike ajo që SHBA ka bërë”, shtoi ai.

sistemi diellor pluton

Tashmë sonda “New Horizons” ka hyrë në radio të heshtur, ‘e përqendruar’ në mbledhjen e të dhënave, dhe vetëm në mbrëmje do të dërgojë sinjale për të thënë se gjithçka ka shkuar mirë. Sinjalit do t’i duhen 4.5 orë për të përshkruar 5 miliardë kilometra që ndajnë Plutonin nga Toka, dhe siç pritet në Shqipëri do të jenë orët e para të 15 korrikut.

Instrumentet e “New Horizons” do të marrin një mori të dhënash rreth Plutonit për të vënë në skicë gjeologjinë e tij, përbërjen e sipërfaqes dhe temperaturat. Misteri i parë që pritet të hetojë sonda është struktura e shndritshme në formë zemre dhe katër shenja të mëdha të errëta të vendosura në distancë të njëjtë nga njëra-tjetra. Krahas Plutonit, sonda do t’i afrohet dhe hënës Caronte, të cilat bashkë formojnë një sistem binar.

Në foto, krahasimi i madhësive të Tokës, Hënës dhe Plutonit

toka hena plutoni

 

Sonda New Horizon pranë Plutos

Sonda prane PlutosNjë sondë amerikane pa pilot pritet të bëhet sot mjeti i parë i hapësirës që eksploron miniplanetin Pluto.

Sonda “New Horizons” pritet t’i afrohet planetit Pluto në distancën 12 mijë e 500 kilometra, të marrë në këtë largësi fotografi dhe të dhëna, ndërsa i kalon pranë kësaj bote të akullt, me një shpjetësi 50 mijë kilometra në orë.

Por do të duhen më tepër se 12 orë që kontrollorët nga Toka në Agjencinë amerikane të Hapësirës NASA të marrin sinjale nga sonda, për të mësuar në se ajo ka arritur pa probleme pranë Plutos.

Kryetari i grupit të shkencëtarëve, Alan Stern thotë se ekziston një rrezzik i vogël, 1 në 10 mijë raste, që sonda New Horizons të përplaset me trupa shkëmborë rreth Plutos, i cili ndodhet në  një zonë të sistemit diellor, të quajtur “brezi Kuiper”, i cilësuar si “vendi i goditjeve” mes kometave dhe trupave të tjerë të vegjël qiellorë.

Mbërritja e Sondës tek miniplaneti Pluto është fundi i një udhëtimi 9-vjeçar, gjatë të cilit sonda ka përshkruar një distancë prej 5 miliardë kilometrash nëpër sistemin tonë diellor, drejt Plutos.  Në vitin 2006 Pluto u cilësua si një miniplanet.

Më parë shkencëtarët kishin menduar se ai ishte një planet si gjithë të tjerët.  Megjithatë, ata thonë se informacionet e marra nga sonda 700 milionë dollarëshe “New Horizons” duke ju afruar planetit, tregojnë se Pluto nuk është edhe aq i vogël sa mendohej.  (voa)

Transporti personal me mjete fluturuese

aeroplanetCelularët inteligjentë të ngjashëm me kompjutera xhepi tashmë i disponojmë dhe po ashtu dronët fluturues të pajisur me kamera. Robotët dhe makinat pa shofer tashmë janë shumë pranë. Dy grupe shpikësish thonë se së shpejti do të jemi në gjendje edhe të fluturojmë.

Ka qenë një ëndërr e hershme e shpikësve të mundësonin fluturimin e njeriut me lehtësinë e të ngarit të një biçiklete. Por, siguria dhe stabiliteti i këtyre mjeteve ka qenë gjithnjë shqetësim.

Ndërkohë që gjatë kësaj dekade po zhvillohen teknologji të reja dhe po rritet fuqia e baterive, ëndrra për një mjet personal fluturimi po i afrohet realitetit.

Firma britanike Malloy Aeronautics ka demonstruar prototipin e saj hoverbike(motori fluturues), për të cilin mendon se do të jetë platforma personale e fluturimit:

“Nuk kushton shumë. Mund të mbartë ngarkesë të konsiderueshme. Mund të hyjë dhe të dalë në vende me hapësira të vogla, dhe mund të dërgohet nga një kontinent në tjetrin, pasi është lehtësisht e paketueshme,” thotë drejtori i marketingut, Grant Stapleton, i cili thekson se sigurinë e kanë patur prioritare, dhe se projektuesit patën idenë novatore të krijimit të helikave të mbivendosura dhe shtytësve rrotullues:

“Me këta lloj motorësh rrotullues mbrohen njerëzit dhe prona nga ndonjë aksident i mundshëm, dhe nëse diçka ndodh, mjeti ulet nga ajri.”

Kompania po teston gjerësisht një model të pjesshëm dhe një të plotë. Shpikësit thonë se gjasat janë që Hoverbike të përdoret fillimisht nga ushtria, policia dhe skuadrat e kërkim-shpëtimit.

Ndërkohë, kompania Martin Aircraft, nga Zelanda e Re, po teston një prototip të sajin të quajtur Jetpack, i cili mund të fluturojë për mbi 30 minuta, dhe deri në një lartësi prej 1 mijë metrash me shpejtësi deri në 75 kilometra në orë:

“Siguria është në qendër të projektimit dhe qëndrueshmëria gjithashtu. Është e ngjashme me një makinë garash Formula One,” thotë drejtori ekzekutiv Peter Coker.

Jetpack ka një motor benzine me katër cilindra dhe 200 kuaj fuqi që çlirohen nga motorë të fuqishëm reaktivë. Zoti Coker thotë se ka edhe një sistem parashutimi:

“Parashuta mund të hapet në lartësi shumë të vogël për të shpëtuar mjetin dhe pilotin në një rast emergjence.”

Zoti Coker thotë se Jetpack do të jetë gati për të dalë në treg në fund të vitit 2016, me një çmim prej 200 mijë dollarësh. (voa)

Një pajisje e re për të sëmurët me zemër

skanerTemperaturat e larta janë të rrezikshme për njerëzit e sëmurë nga zemra. Mjekët në Britani  thonë se një pajisje e re e zbuluar kohët e fundit, mund t’i ndihmojë njerëzit që rrezikohen nga insufiçenca kardiake të shmangin shtrimin në spital.

Teknologjia e re, që bën të mundur monitorimin e gjendjes shëndetosore të njerëzve, mund të jetë shumë e dobishme në ditët e nxehta. Mjekët e vendosin mikroçipin që monitoron gjendjen e pacientit në arterien e tij, pikërisht midis zemrës dhe mushkërive. Një herë në ditë pacienti qëndron mbi një skaner, që i dërgon të dhënat e tij në spital. Në se vërejnë shenja të përkeqësimit të gjendjes, mjekët i rrisin dozën e ilaçeve pacientit.

Spitali Royal Brompton i Londrës që po praktikon këtë metodë të re, ja dërgon të dhënat e para të provave Shërbimit Kombëtar të Shëndetit, me shpresën që teknologjia e re të përmirësojë shëndetin e pacienëve dhe të kursejë paratë e shpenzuara për shtrimin në spital. (voa)

Program i ri kundër sulmeve kibernetike

kibernetikeSulmet kibernetike janë kërcënime të shpeshta dhe në rritje që në shumicën e rasteve mbeten misterioze. Ato janë sulme të padukshme, por një ekip për hulumtime i ushtrisë amerikane po përpiqet ta ndryshojë këtë. Një program po ndihmon ushtarët të identifikojnë sulmet e padukshme dhe t’u kundërvihen atyre.

Një shprehje e vjetër thotë “Ju nuk mund ta luftoni atë që nuk mund ta shihni”.

“Padukshmëria është një nga gjërat më të vështira në internet. Pra, ne nuk mund ta shohim hapësirën kibernetike. Për këtë arsye veprimi në këtë hapësirë është i shumë i vështirë”.

Por sektori i hulimtimeve në Departmanentin e Mbrojtjes, DARPA, ka një program të ri të sigurisë kibernetike të quajtur PLAN X i cili po ndërton një hartë të hapësirës së padukshme kibernetike. Autori i programit dhe ish-marinsi Frank Pound thotë se kemi të bëjmë me një betejë në hapësirën kibernetike.

“Ne e trajtojmë këtë si një zonë të kontestuar. Prandaj, ne duhet të marrim veprimet e duhura në këtë fushë”.

Pa programin PLAN X, analistët duhet të lexojnë mijëra të të dhëna të mbledhura gjatë monitorimeve disa orëshe të sistemeve për të diktuar një sulm kibernetik.

“Pra, ne i zbulojmë sulmet, por shumë herë ato fshihen në grumbullin e madh të të gjitha këtyre të dhënave”.

Kjo është mënyra tipike e monitorimit të të dhënave, një listë tabelash me shumë të dhëna, që është e vështirë të lexohen për të identifikuar ndonjë problem. PLAN X është program i njëjtë i analizimit të të dhënave, por ai është ndërtuar në mënyrë specifike për ta lehtësuar identifikimin e problemeve.

“Të gjithë mund të jenë të vetëdijshëm për gjendjen në hapësirën kibernetike. Ky është si një kanal i parashikimit të motit për hapësirën kibernetike”.

Çdo rreth përfaqëson një kompjuter në sistem. Menaxheri i sistemit mund të kontrollojë për sulme kundër sistemit duke operuar si  aplikacionet e pajisjeve inteligjente.

Kompjuterat e sulmuar shfaqen me një alarm të kuq dhe në çast mund të vendosen në karantinë, mund të analizohen dhe të përdoren për t’iu kundërvënë sulmuesit kibernetik.

“Ushtritë e ardhshme amerikane do të jenë në gjendje të kryejnë operacione kibernetike ashtu sikur i kryejnë operacionet kinetike tani”.

Dan Kaufman thotë se PLANI X është afër pikës ku mund t’u shpërndahet njësive ushtarake të stacionuara në të gjithë globin.

“Ushtarët janë përballë rrezikut që ndaj tyre të qëllohet me armë. Nëse mund të bëhet diçka për ta përmirësuar këtë, unë mendoj se ne duhet ta bëjmë”.

Departamenti i Mbrojtjes e përdori për herë të parë programin PLAN X në një stërvitje ushtarake muajin e kaluar. (voa)

Truri në bisedë shoqërore

truriShkencëtarët ofrojnë një pamje të rrallë se si truri i njeriut punon kur është angazhuar në bisedë shoqërore. Aktiviteti i trurit vëzhgohet përmes një kapeleje të pajisur me fibra optike dhe rreze lazer që ndjekin rrjedhën e gjakut.

Për të parë se si punon truri, shkencëtarët në Laboratorin e Funksionimit të Trurit në universitetin Yale instalojnë aparate me rreze lazer në kapelen e projektuar për këtë qëllim.

Sauli Yahil dhe Shaw Bronner, dy shkencëtarë në këtë laborator, tregojnë se si punon truri i tyre ndërsa bisedojnë për imazhet që shohin në ekranet e kompjuterit.

Imazhet me ngjyra tregojnë se çfarë ndodh në kokat e dy studjuesve – dy trurët në bisedë tregojnë me lëvizje të ndërlikuara veprimtarinë e brendshme.

Kjo teknologji është vetëm një pjesë e punës për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me funksionet e trurit.

“Ne duam të kuptojmë lidhjet e neuroneve me ndërveprimin midis individëve”,thotë Joy Hirsch, një neuroshkencëtare dhe profesore në shkollën mjekësore të universitetit Yale, në shtetin Konektikat.

“Ky është ndoshta një nga funksionet më themelore të qenieve njerëzore, por ne dimë shumë pak në lidhje me të,” thotë ajo.

Laboratori i Funksionit të Trurit në Yale, të cilin ajo drejton, është duke hetuar se si një tru angazhohet me trurin e një personi tjetër.

Dr. Hirsch iu kthye një teknike të vjetër disa dekadash për krijimin e hartës së trurit që vetëm kohët e fundit u zhvillua mjaftueshëm për këtë detyrë.

Ndërsa dy shkencëtarët, Yahil dhe Bronner, flasin me njëri tjetrin për të demonstruar teknologjinë, secili vesh një kapele të posaçme ku janë vendosur 64 kabllo të holla.

Në majë të gjysmës së këtyre kabllove prej fibrash optike, kalojnë rreze të holla lazer që depërtojnë rreth 2.5 cm në trurin e tyre.

“Të dhënat vizuale dhe shprehjet e fytyrës janë të koduar me sistemet e trurit që ndjekin proceset e gjuhës. Kjo është diçka që nuk ishte vlerësuar më parë”, thotë  dr. Hirsch.

Rezultati është një pamje e mrekullueshme: imazhe të detajuara të trurit dhe ngjyra që tregojnë se ku ndodh veprimi. Kjo nuk është një foto e drejtpërdrejtë, si radiografia që tregon një kockë të thyer, por më tepër një rindërtim shumë i sofistikuar.

“Informacioni i ri këtu është se të dhënat vizuale të shprehjes së fytyrës janë pjesë intime të sistemit gjuhësor, pra tregon se si është duke u përdorur gjuha në një situatë intime”, thotë dr. Hirsch.

Identifikimi i formave vizuale nga të dhënat është pjesë e këtij kërkimi. Modelet vizuale kanë treguar se ato ndryshojnë në kushte të tilla si paniku dhe depresioni.

Ky studim gjithashtu mund të ndihmojë për të kuptuar se si autizmi prek individët.

“Në rastin e autizmit, prindërit dhe profesionistët shëndetësorë dyshojnë se fëmija mund të ketë autizëm kur nuk arrin të angazhohet me individë të tjerë, por dihet shumë pak rreth neuro-qarqeve që përfshinë angazhimin me të tjerët “, thotë dr. Hirsch.

Në Universitetin Princeton, neuroshkencëtari Uri Hasson është në kërkim të mënyrës se si truri ndërvepron kur një person flet me një tjetër.

“Pra, ne kemi zhvilluar një metodë të re në të cilën unë mund të skanoj njerëz, ndërsa ata janë duke treguar histori të jetës, dhe pastaj këto histori i luaj të regjistruara për një grup dëgjuesish. Dhe ajo që ne po kërkojmë  është nëse truri i dëgjuesit bëhet i ngjashëm me trurin e folësit gjatë komunikimit të drejtpërdrejtë”.

Dr. Hasson thotë se gjetje të tilla janë të vlefshme për të mësuar se si është organizuar truri. “Sa më të ngjashëm modelet e trurit, aq më i mirë është komunikimi dhe mirëkuptimi”, thotë ai. (voa)

Avioni “Solar Impulse 2″ ulet në Havai

avioni diellorNjë avion zviceran me energji u ul në ishullin e Havait, për një fluturim rekord rreth botës, prej 35 mijë kilometrash, pa një pikë të vetme karburanti.

Avioni i quajtur Solar Impulse 2 pilotohet nga zvicerani Andre Borschberg, njëri prej konstruktorëve të tij. Me kalimin e Oqeanit Paqësor, që është faza më e gjatë e udhëtimit, Borschberg, thyen rekordin e amerikanit Steve Fossett.

Destinacioni i fundit i avionit është Abu Dabi, nga ku e filloi udhëtimin. Solar Impulse 2 është planifikuar të arrijë në Gjirin Persik në fund të korrikut, ose në fillim të gushtit. (voa)

Avioni diellor

avioni diellorNjë avion zviceran me energji diellore po bën një provë tjetër për të kryer udhëtimin rreth botës prej 35 mijë kilometrash pa një pikë të vetme karburanti.

Avioni i quajtur Solar Impulse 2 u ngrit sot në mëngjes nga Nagoya e Japonisë pas një ndalese të paparashikuar që zgjati një muaj. Avioni pilotohet nga zvicerani Andre Borschberg, njëri prej konstruktorëve të tij, për të kaluar Paqësorin – që do të ishte faza më e gjatë e udhëtimit. Nëse kushtet e motit mbi oqeanin Paqësor nuk do të jenë të mira, avioni do të detyrohet të kthehet.

Por pas një farë kohe, avioni nuk do të ketë më mundësi të kthehet në Japoni dhe do të detyrohet ta vazhdojë fluturimin mbi Paqësor. Fluturimi deri në Havaji është me rreziqe, sepse në rrast rreziku avioni nuk ka se ku të ulet.

Avioni nuk ishte planifikuar të ndalonte në Japoni, por u ul atje në fillim të qershorit për shkak të motit të keq. Ai po udhëtonte nga Nankini i Kinës për në Havaji. (voa)

Shpërthen raketa hapësinore SpaceX Falcon

RaketaNjë raketë pa njerëz në SHBA, e cila do të dërgonte furnizime në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar, shpërtheu pak pas ngritjes sot, duke shpërndarë nëpër oqeanin Atlantik pjesët e masës së saj prej 2300 kilogramësh, si dhe të ngarkesës që mbante.

Është hera e tretë në tetë muajt e fundit që ka dështuar transportimi i ngarkesave. Një anije hapësinore ruse humbi kontrollin gjatë kthimit në muajin prill, si dhe në muajin tetor të vitit të kaluar një tjetër anije furnizimi shpërtheu në mënyrë aksidentale.

Shpërthimi i sotëm ndodhi 2 minuta dhe 19 sekonda pasi raketa ishte nisur nga Cape Canaveral, në Florida. Raketa që shpërtheu në qiell ishte e gjatë 63 metra dhe ishte ndërtuar nga Space Exploration Technologies. Në momentin e shpërthimit, ajo po udhëtonte me një shpejtësi prej 4600 kilometrash në orë, dhe ndodhej në një distancë prej 43 kilometrash nga Toka.

Ngarkesa e humbur përmbante edhe ngarkesën zëvendësuese për dy misione të mëparshme të dështuara. Kjo është një humbje e madhe për NASA-n, e cila po mbështetet tek industria private për të furnizuar Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. Kompania SpaceX është një ndër firmat që po konkurojnë për të marrë raundet e furnizimit. Ajo ka kryer shtatë misione të suksesshme që nga viti 2012.

Sipas George Diller, që komenton misionet hapësinore të NASA-s, nuk dihet ende se çfarë ndodhi saktësisht, dhe po studiohen materiale filmike për të kuptuar më shumë. (voa)