Kategoritë: Shqipëria

Lajmet nga Shqipëria

Hap drejt zhbllokimit të politikës në Shqipëri

KuvendiNë marrëveshjen e gjerë politike për reformën zgjedhore në Shqipëri, palët politike angazhohen për kryerjen e saj deri në 15 mars të këtij viti. Marrëveshja u përshëndet edhe nga faktori ndërkombëtar.

Marrëveshja politike, që u  arrit të martën (14.01.2020)  pritet të zhbllokojë ngërҫin qeveri-opozitë në kryerjen e reformës zgjedhore dhe të krijojë premisa për daljen nga kriza politike dhe institucionale një vjeҫare, ku ka ngecuar Shqipëria. Për herë të parë në 10 vitet e fundit në këtë marrëveshje nuk përfshihen vetëm dy partite e mëdha, Partia Socialiste (PS) dhe Partia Demokratike (PD) që në rreth 3 dekada post-komuniste janë këmbyer në rotacionin e pushtetit. Marrëveshja politike e 14 janarit përfshin 4 palë: PS qeverisëse, opozitën jashtë parlamentit të përfaqësuar nga PD dhe LSI si edhe opozitën e re parlamentare.

Marrëveshja është konkretizuar në një dokument të firmosur nga përfaqësues të PS, PD dhe LSI ku palët  marrin përsipër të bashkëpunojnë, negociojnë dhe kryejnë reformën zgjedhore. Palët kanë rënë dakord që reforma të diskutohet dhe vendoset jashtë parlamentit, në tryezën politike të partive dhe produkti i saj konsensual të miratohet pa ndryshime nga Parlamenti. Marrëveshja thekson se reforma zgjedhore do të përfundojë jo  më vonë se 15 marsi i këtij viti.

Për kryetarin e PD dhe opozitës jashtë parlamentare, Basha, miratimi sa më parë me konsensus i reformës “është rruga për daljen nga kriza politike,  me kusht që reforma të zbatohet për herë të pare në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale në të njëjtën ditë” tha ai të marten.

Marrëveshja nuk u firmos nga deputetja demokrate dhe njëherazi bashkëkryetare e Komisionit Parlamentar për Reformën zgjedhore, Rudina Hajdari, që përfaqësoi opozitën e re demokrate në tryezën e partive, ngaqë, siç u shpreh ajo para mediave “duhet ta bisedoj paraprakisht me grupin tim parlamentar pasi marrëveshja ka disa mangësi”. Në një deklaratë ekskluzive për DW, deputetja Hajdari e vlerëson marrveshjen si “fillim të dialogut me të gjitha palët politike, brenda dhe jashtë parlamentit.” Marrëveshja garanton një proces sa më transparent, sa më gjithëpërfshirës dhe me konsensus të gjerë mes palëve” tha ajo për DW.

Konsensus – fjala kyç

Konsensusi i gjerë si tipar i domosdoshëm në kryerjen e reformës zgjedhore nuk vihet tani në dukje. Bundestagu gjerman në rezolutën e tij për Shqipërinë, në shtatorin e kaluar, e vendos atë në vendin e tretë ndër 9 pika, që Shqipëria duhet të plotësojë për të dalë nga kriza dhe merituar hapjen potenciale me BE të negociatëve të pranimit, në pranverën e sivjetme. Në marrëveshjen e sapo nënshkruar theksohet, se ”palët e përfshira angazhohen të adresojnë me konsensus të gjitha ҫështjet e administrimit të zgjedhjeve përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”. Nëse kjo ndodh vërtet dhe nga vullneti për konsensus i shprehur në letër kalohet në praktikë, atëhere  kjo do të shënojë fillimin e besimit të ndërsjelltë mes palëve të dëmtuar keqazi gjatë një viti konflikti të egër politik.

A përfshin marrëveshja ndryshimin e sistemit zgjedhor?

Ndryshimi i sistemit zgjedhor nga ai proporcional rajonal me lista të mbyllura kandidatësh për deputetë të caktuara nga kryetarët e partive në lista të hapura të propozuara nga qytetarët është kërkuar nga partitë e vogla dhe shoqëria civile si jetik për demokracinë. Dy forcat kryesore, PS dhe PD e kanë bërë të qartë që nuk synojnë ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor, të arritur nga marrëveshja Rama- Berisha në vitin 2008.

Deputetja demokrate Rudina Hajdari thotë për DW se „ ndryshimi i sistemit zgjedhor do të përfshihet patjetër në bisedimet e palëve”. „Opozita parlamentare vazhdon t’i qëndrojë propozimit për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke e parë si të vetmen mundësi për daljen nga kriza politike, si dhe për t’u dhënë mundësinë  qytetarëve të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre në Parlament. Ndryshimi i sistemit zgjedhor, hapja e listave, është thelbësor në reduktimin e e pushtetit absolut të kryetarëve të partive në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, pushtet ky që cënon demokracinë në cdo hallkë”, thekson ajo për DW.

Marrëveshje e përshëndetur nga faktori ndërkombëtar

SHBA në përshëndetjen e tyre përmes një deklarate zyrtare të ambasadës amerikane nëTiranë theksojnë që “reforma do të forcojë demokracinë shqiptare. Ne shpresojmë që palët të vijojnë të ecin përpara me këtë frymë aktuale bashkëpunimi, për t’u siguruar që zgjedhet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni”, thekson deklarata.

Ambasadori i delegacionit të BE në Shqipëro, Luigi Soreca e përshëndeti marrëveshjen politike „si një arritje të rëndësishme për rikthimin e stabilitetit politik në Shqipëri dhe të ardhmen europiane të qytetarëve shqiptarë”. Prania e OSBE-së në Tiranë e vlerëson marrëveshjen politike si „hapin e parë të rëndësishëm drejt një reforme të plotë dhe në kohën e duhur, që do të trajtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në dobi të të gjithë qytetarëve shqiptarë”. Kurse kryeministri Rama e konsideron marrëveshjen si „ një rikthim të arsyeshëm në tryezën e dialogut për shkallën e parë të Reformës Zgjedhore, ku të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR-it do të integrohen në Ligjin Zgjedhor”.

dw

Shqipëria në krye të OSBE/ Merr presidencën e organizatës

Rama OSBEPas 29 vitesh si anëtare paraditen e kësaj të enjteje Shqipëri mori misionin sfidues për të drejtuar OSBE-në një organizatë me 57 vende anëtarë.

Përpara këshillit të përhershëm kryeministri Edi Rama shpalosi vizionin dhe prioritetet që Shqipëria ka në drejtimin e kësaj organizate me një histori 45 vjeçare.

Në konferencën e përbashkët për mediat me Thomas Greminger sekretar i përgjithshëm i OSBE kryeministri Rama shpjegoi përse Shqipëria s’duhet të ketë frikë nga kërcënimet e Iranit.

Në një prononcim ekskluzivisht për Top Channel, James Gilmore ambasador i SHBA në OSBE vlerëson maksimalisht marrjen e drejtimit të kësaj organizate nga Shqipëria.

Marrja e drejtimit të OSBE nga Shqipëria është një sfidë e shumëdimensionale përballë një sigurie të brishtë në Europë pas konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës. Dhe jo me kot vizita e parë e kryeministrit Rama si kryesues i OSBE do të jetë në Kiev.

/Muhamed Veliu/

Top Channel

Shqipëria merr kryesimin e OSBE-së, por vet është në krizë

OSBE RamaNë Vitin e Ri 2020, Shqipëria do të kryesojë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) – përkundër krizës politike në këtë vend. Tirana zyrtare po përballet me shumë sfida.

Shqipëria ka marrë kryesimin e OSBE me 1. janar nga Sllovakia. OSBE e ka selinë e vet në Vjenë, ndërsa pjesë e kësaj organizate janë 57 vende të Evropës, Amerikës së Veriut dhe Azisë. Detyrat e OSBE-së janë të shumta – prej vëzhgimit të zgjedhjeve, luftës për lirinë e shtypit, mbrojtjes së të drejtave të minorieteteve e deri tek misioni vëzhgues në lindje të Ukrainës dhe misione të tjera.

“Shqipëria është e vendosur që të japë kontributin e vet për stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit”, ka deklaruar ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj, në korrik në Vjenë.

Kriza në Shqipëri

Ky vend ballkanik gjendet aktualisht në krizë, për shkak të mospajtimeve mes forcave të brendshme politike për shumë gjëra. Demokracia në Shqipëri nuk është stabilizuar tërësisht as 30 vjet pas rënies së regjimit komunist. Vet OSBE-ja ka një mision në Tiranë, për të vëzhguar gjendjen e demokracisë në këtë vend. Ky mision angazhohet për zbutjen e krizës dhe forcimin e institucioneve të vendit, në një situatë konflikti permanent mes pozitës dhe opozitës, ku disa institucione janë bllokuar me vite të tëra.

Kryeministri Edi Rama nga Partia Socialiste drejton aktualisht shumicën parlamentare, por Partia Demokratike ka djegur vitin e kaluar mandatet e saj në Parlament dhe e bojkoton institucionin më të lartë. Partia Demokratike ka bojkotuar edhe zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, për shkak të dyshimeve për manipulimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kjo parti ka kërkuar largimin e Ramës nga pushteti. Vëzhguesit thonë se Shqipëria ka probleme të mëdha me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Nëse shikojmë detyrat e OSBE-së dhe gjendjen në Shqipëri, atëherë kemi një situatë paradoksale: Shqipëria është edhe vet nën vëzhgimin e OSBE-së, ndërkohë që tani duhet ta drejtojë ate”, pohon publicisti i njohur nga Kosova Veton Surroi.

bc/wa/bor (dpa)

Fjalët e fundit të At Gjergj Fishtës

Gjergj FishtaShkrimtari i madh shqiptar i “Lahutës së Malcisë”, vdiq më 30 dhjetor të vitit 1940 në spitalin civil të Shkodrës. Para disa vitesh janë botuar detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij.

Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”.

Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vetë me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”.

Ndërsa, italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.

Gjergj Fishta lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6 vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.

Krijimtaria artistike

Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim ‘Nobel’, prozator, poet, përkthyes; “Militant i letërsisë shqipe” – cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe “Poet kombëtar i shqiptarëve” nga Eqrem Çabej.

Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.

Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”.

Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

Fishta arriti të botojë këngët e para të “Lahuta e Malcisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tre vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit” dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika veset”, më 1913 boton “Mrizi i Zanave”. Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën “Foenix “. Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.

Në tetor 1913 botoi revistën “Hylli i dritës”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve ’90-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.

Aktiviteti i tij patriotik

Deri më 1899 Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899 ai u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe.

Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai instaloi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”.

U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziasëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike, që boton në revistën “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor të 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, “Komisinë letrare” që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.

Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit të 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të denduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku ndërkohë krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë” në 1937.

Top Channel

Tiranë: Gjykata dënon ish-kryeministrin Berisha. Reagon zyra e tij

Edi RamaGjykata e Tiranës vendosi sot të dënojë për përhapje lajmesh të rreme ish-kryeministrin Sali Berisha dhe të dëmshpërblejë kryeministrin Edi Rama me shumën 500 mijë lekë si person i dëmtuar nga një shkrim në rrjetet sociale.

Zëdhënësja e gjykatës, Alba Nikolla, konfirmoi vendimin që mori sot gjyqtarja Mariana Shegani (Dedi), i cili përfshin edhe “detyrimin e palës së paditur të publikojë përgënjeshtrimin në faqen e tij në “Facebook” në lidhje me deklaratën e tij në atë rrjet social më 15 tetorin e 2018 me titull “Fundi i kakistokracisë së kallam dështakut po troket”, brenda 10 ditëve nga marrja formë të prerë e vendimit”.

Ky shkrim, i cili tashmë është hequr nga faqja e zotit Berisha në Facebook, fliste për takimet e kryeministrit Edi Rama në Berlin, i cili sipas paditësit përmban disa të pavërteta.

Gjyqtarja vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesë padisë dhe detyrimin e palës së paditur të dëmshpërblejë me afro 5 mijë dollarë amerikanë palën paditëse, e cila ishte shprehur për dyfishin e kësaj shume.

Zyra e ish-kryeministrit reagoi të premten në mbrëmje pas interesimit nga “Zëri i Amerikës”, me një deklaratë, ku theksoi se kjo është vazhda e fushatës së kufizimit të fjalës së lirë dhe informacionit në Shqipëri.

“Zoti Rama keqpërdori gjykatat e shantazhuara nga vettingu dhe të etiketuara si KÇK, sot nëpërmjet gjykatës së Tiranës vendosi pranoi pjesërish padinë e tij për cënim nderi dhe dinjiteti. Objekt i shqyrtimit ishte një postim në FB, në të cilin ilustrohej dhe bëhej një koment politik mbi një artikull të publikuar më parë nga media të pavarura” – thuhet në reagimin e zyrë​s së​ ish-kryeministrit Berisha.

Sipas deklarimit nga zyra e zotit Berisha, në postim ngrihej një argument politik dhe ilustroheshin arsyet e ngecjes së procesit të integrimit europian të vendit, për shkak të keqqeverisjes, si dhe bëhej thirrje të lexohej i plotë artikulli i cili përbënte burimin e lajmit.

“U provua në gjykim se artikulli burim i lajmit as ishte përgënjeshtruar ndonjëherë ose të jetë shpallur i pavërtetë dhe as Rama nuk ka ndërmarrë deri më sot asnjë aksion civil ose penal ndaj prodhuesve të lajmit, por vetëm ndaj zotit Berisha të evidentuar qartazi si kundërshtar politik. Pra padia është në mënyrë të qartë politikisht e motivuar. Pranimi i padisë për shkaktim dëmi moral në këtë rast, përbën një rast të paprecedent pasi është kufizim flagrant i të drejtës dhe lirisë së shprehjes, si dhe bie në kundërshtim të hapur me jurisprudencën e Gjykatës së Lartë dhe mbi të gjitha me praktikën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut” – thuhet në reagimin e zyrë​s së​ ish-kryeministrit Berisha.

Ky vendim i gjykatës pritet të publikohet zyrtarisht të hënën, ku të dhënat e protagonistëve janë anonimizuar.

Këtë vendim zoti Berisha mund ta ankimojë në Gjykatën e Apelit brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

voa

Marrëveshjet Kosovë – Shqipëri nën hijen e “Mini-Shengenit” ballkanik

MinishengenNisma rajonale e ashtuquajtur “Mini-Shengeni” ballkanik ka tensionuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duke lënë nën hije edhe dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme të nënshkruara ndër vite mes dy shteteve.

Marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, që përfshijnë fusha, deri më tani nuk kanë gjetur zbatim në tërësi dhe sipas analistëve politikë në Tiranë dhe analistëve ekonomikë në Prishtinë, kjo tregon se marrëdhëniet mes dy shteteve janë në një pikë mjaft të ulët.

Opinionisti nga Tirana, Armand Shkullaku në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se raportet mes dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë, janë tensionuar pas takimeve që po mbahen në kuadër të nismës rajonale “Mini-Shengeni” ballkanik, por sipas tij, kjo nismë nuk është arsyeja e vërtetë që po pengon zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara.

Shkullaku thotë se marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve janë në pikën zero të zbatimit, kështu që ato nuk mund të dëmtohen, pasi që nuk janë zbatuar fare.

“Marrëveshjet mes dy shteteve do të dëmtoheshin në rast se ato do të funksionin më së miri. Janë nënshkruar disa marrëveshje mes dy vendeve, por deri më tani kanë mbetur vetëm në letër. Pengohet diçka që është duke u zhvilluar jo diçka që është akoma në projekt. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë në një pikë mjaft të ulët”, thotë Shkullaku.

Kosova dhe Shqipëria kanë të nënshkruara dhjetëra marrëveshje të cilat kanë për qëllim bashkëpunimin dhe lehtësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë se Shqipëria dhe Kosova duhet t’i analizojnë marrëveshjet e nënshkruara deri më tani, në veçanti ato nga fusha e ekonomisë.

“Politika e fqinjësisë së mirë nga Tirana zyrtare duhet të fillojë nga Prishtina dhe të vazhdohet më tutje, e jo të shikohet që të shkohet me marrëveshje të reja si “Mini-Shengeni”, të cilat në fakt paraqesin privilegje për ekonominë më të madhe të Ballkanit, siç është Serbia që ka GDP-në 48 miliardë euro, që është dukshëm me e madhe se e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku”, thotë Gashi.

“Prapa idesë për “Mini-Shengenin” fshihet një union doganor i cili për herë të tretë po iniciohet nga Serbia për arsye se ky është një obstruksion që po i bëhet Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit që vendet e Ballkanit kanë nënshkruar me Bashkimin Evropian dhe ka për qëllim të krijojë hapësira të reja në Ballkan për ndikimin rus dhe aleatin kryesor të saj, Serbinë”, thotë Gashi.

Deri më tani në kuadër të nismës rajonale të njohur si “Mini-Shengeni” ballkanik janë mbajtur tri takime të liderëve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që Kosova nuk ka qenë e përfaqësuar, pasi që një iniciativë e tillë rajonale është kundërshtuar nga përfaqësuesit politikë në Prishtinë, përfshi ata në qeveri dhe opozitë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, këtë iniciativë rajonale e ka quajtur të pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Me qëndrim refuzues ndaj kësaj nisme, ishte shprehur edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Por, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në takimin e fundit të liderëve të Ballkanit Perëndimor që është mbajtur në Tiranë e ka quajtur të pakuptimtë mospjesëmarrjen e Kosovës, ndërkaq në një prononcim për media pas mbylljes së takimeve me liderët e Ballkanik, Rama e ka quajtur kryeministrin e Kosovës e ka quajtur “gënjeshtar”.

“Haradinaj është një gënjeshtar dhe vazhdon të gënjejë. Nuk e di nëse e bën nga padija, por është gënjeshtar”, ka thënë Rama.

Drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që është kandidat për kryeministër, përmes rrjetit social Twitter i ka reaguar kryeministrit Rama.

“Parimet e gjithëpërfshirjes dhe reciprocitetit duhet të udhëheqin nismat rajonale. Rruga nga Beogradi për në Tiranë shkon përmes Prishtinës. Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të qëndrojë mes nesh. Ne na duhet më shumë bashkëpunim e jo konfrontim”, ka shkruar Kurti.

Deklaratat e tilla të kryeministrit Rama, thotë Armand Shkullaku kanë prekur opinionin në Kosovë, për faktin, siç thotë ai, se Kosova pret që Shqipëria përpara se të bisedojë me Serbinë, Maqedoninë e Veriut apo Malin e Zi, do të duhej të kishte arritur një unifikim qëndrimesh me faktorin politik në Kosovë.

“Pavarësisht klimës së krijuar së fundi, sidomos pas deklaratave që kryeministri Edi Rama bëri në krah të Vuçiqit për disa nga liderët politik të Kosovës, është e vërtetë se ka një tension mes Tiranës dhe Prishtinës, por nuk besoj që kjo klimë e tensionuar së fundi do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy shteteve për faktin se përpjekjet e Edi Ramës në Tiranë janë përpjekje të një lideri politik që kërkon protagonizëm në një kohë kur qeveria e tij dhe vendi (Shqipëria) ndodhet në një krizë politike”, thotë Shkullaku.

Gjuha që përdori kryeministri Edi Rama, së fundi shton Shkullaku, më tepër është tentativë e tij, për tu faktorizuar si një lider.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë që moti të qartë pozicionin e tyre në lidhje me nismën për “Mini-Schengenin’ ballkanik, përmes një komunikate ku thuhet se “ne besojmë se në mënyrë që kjo iniciativë të jetë e suksesshme, duhet të përfshihet i gjithë rajoni, bashkë me Qeverinë e Kosovës”.

Kosova dhe Shqipëria tani e sa kohë synojnë ta heqin kufirin ndërmjet dy vendeve me qëllim të lehtësimit të procedurave të kalimit të njerëzve dhe mallrave, por kjo ende nuk është jetësuar.

Ndërkohë, shkëmbimeve tregtare mes dy shteteve ishin konsideruar se po iu vihen barriera pas vendosjes e taksës rrugore nga 5 euro deri në 22.5 euro në autostradën “Rruga e Kombit”, nga Qeveria e Shqipërisë.

rel

 

Tiranë: SPAK merr kallzimin e parë. Nisma “Thurje” denoncon koncensionin e sterilizimit

UrgjencaNisma “Thurje” bëri sot kallëzimin e parë te Prokuroria e Posaçme SPAK për koncensionin e sterilizimit, pas dyshimeve se kjo është një aferë korruptive.

Përfaqësuesit e kësaj organizate dorëzuan kallëzimin në institucionin e sapokrijuar, ku shprehin disa dyshime; së pari, pse ky shërbim iu dha një privati, kur prej shumë vitesh e bënin vet spitalet; së dyti, se kostot janë shumë të larta – çmimi i sterilizimit për një set kirurgjikal ishte 2.4 euro nga spitalet publike, ndërsa koncensionari merr sipas kontratës mesatarisht 190 euro.

Tjetër dyshim i shprehur në kallëzim është afati për 10 vjet i koncensionit, që i tejkalon mandatet e dy qeverive. Nisma “Thurje” dyshoi për korrupsion, sepse në mënyrë të pazakontë sterilizimi mund të jepej me një tender të hapur publik si edhe shumë tendera të tjerë, dhe jo me një koncension të shtrenjtë.

Ndërsa pjesa e fundit është zbatimi konkret i konsensionit; pra, kërkohet një hetim edhe mbi cilësinë e këtij koncensioni, nëse realisht solli ndryshim rrënjësor sterilizimi i sotëm nga i mëparshmi, krahas me kostot.

Përfaqësuesi i Nismës “Thurje” Endri Shabani thotë se “Pandëshkueshmëria duhet të marrë fund ndaj kemi ardhur te institucionet e reja të drejtësisë. SPAK duhet të provojë veten me këtë kallëzim të parë dhe nuk duhet të zhgënjejë pritshmëritë e të gjithëve”.

Ministria e Shëndësisë lidhi më 10 dhjetor 2015 një kontratë konçesionare për 100 milionë dollar me kompaninë “Sani Service” L51910021C “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”.

Konkurrentë të tjerë në garë kundërshtuan procesin, duke u shprehur se oferta e konsorciumit fitues kishte qenë përtej fondit limit.

Drejtuesi i kompanisë fituese të themeluar në Prishtinë është Ilir Rrapaj, i cili ka drejtuar një firmë të vogël ndërtimesh në Umbria të Italisë. Ai është pjesë e konsorciumit, që përfshin “Investal LLC”, “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”. “Investal LLC”.

Shtetasi shqiptar Ilir Rrapaj zotëron 40 për qind të aksioneve në konsorciumin për koncensionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, ndonëse nuk ka përvojë dhe as kapital të mjaftueshëm për të justifikuar këtë masë aksionesh në një koncension të këtyre përmasave.

Ish-ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj, për favorizime në koncensionet, duke thënë se janë pjesëtarët e tjerë të konsorciumit, që kanë përvojë të madhe në fushën e shëndetësisë.

Koncensioni për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale u cilësua menjëherë nga gazetarët investigativë të Rrjetit BIRN si “një garë e dyshmitë me shkelje flagrante”.

Qysh në ditët e para ajo u padit publikisht nga gazetarët investigativë BIRN si një aferë korruptive, edhe për shkak se Rrapaj mori pjesë në disa takime të ministrit shqiptar të shëndetësisë me biznesmenë italianë të fushës së shëndetësisë.

Katër vjet më parë prokuroria shqiptare nisi hetimet, duke regjistruar procedim penal për të paktën tre tendera nnë fushën e shëndetësisë: “kontrolli shëndetësor falas”, “hemodializa” dhe “sterilizim i pajisjeve kirurgjikale”.

Koncesioni për kontrollin shëndetësor falas për qytetarët 40-65 vjeç, koncesioni i hemodializës dhe ai i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale shkojnë të treja në një vlerë mbi 250 milion euro.

voa

Shqipëri: Shumica socialiste pritet të miratojë paketën anti-shpifje

Shumica socialiste pritet të kalojë nesër projekt-amendamentet në dy ligjet për mediat, megjithë kundërshtimet e komunitetit të gazetarëve, që i sheh ato si një përpjekje për censurë dhe pengim të fjalës së lirë.

Kryeministri Edi Rama shkroi në rrjetet sociale se “Projekti do të hyjë nesër për miratim në seancë plenare pas një pune të përbashkët thuajse njëvjeçare me OSBE e i dakordësuar 100% me ekspertët e zyrës së Vjenës nën drejtimin e Harlem Desir”.

Menjëherë pas tij, përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias, Harlem Desir, shkroi në rrjetet sociale se “kemi punuar me kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e Shqipërisë deri në minutën e fundit për të përmirësuar draft-ligjet mbi mediat, për t’i sjellë ato në vijën e standarteve ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së”.

Ai tha se sot u publikuan disa përmirësime në versionin e fundit të projekt-ligjeve, të cilat kanë të bëjnë me regjistrimin e mediave online, me afatet kohore për rrëzimin e përmbajtjes, kompetencat e AKEP-it, dhe me të drejtën e përgjigjes në publikimet elektronike si masa për të shmangur keqpërdorimin.

“Puna do të vazhdojë për të ulur nivelin e gjobave dhe për adoptimin e akteve nënligjore në të ardhmen, për të garantuar që gjoba disproporcionale të mos u vendosen shërbimeve dhe publikimeve elektronike. Zyra ime do të vëzhgojë nga afër zbatimin e ligjit, i cili nuk duhet në asnjë mënyrë të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. AMA duhet të zbatojë ligjin në mënyrë vërtet të pavarur” – shkroi zoti Desir.

Paketa antishpifje i është nënshtruar ndryshimeve të shumta që prej një viti kur u propozua, pas shqetësimeve të vazhdueshme të shprehura nga organizatat e gazetarëve dhe shoqëria civile në Shqipëri, si edhe presioni i organizatat ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe vetë OSBE-në.

Edhe pas ndryshimeve të fundit, organizatat e gazetarëve vazhdojnë të jenë kundër saj dhe do të vazhdojnë me planet për protestën e nesërme para parlamentit .

14 organizatat shpërndanë në mbrëmje një deklaratë ku sërish i kërkuan qeverisë shqiptare të tërheqë projektligjet nga procedura parlamentare, sepse sipas tyre, Nuk mund të ketë regjim rregullimi administrativ për median online, dhe se një institucion administrativ si AMA nuk mund të zëvendësojë gjykatat në shqyrtimin e ankesave ndaj përmbajtjes së një publikimi.

voa

“Paketa antishpifje”, KiE: Nevojë për përmirësim urgjent

Komisionerja DunjaKomisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic, tha sot se ndryshimet ligjore, pjesë e së ashtuquajturës “Paketë antishpifje”, të propozuara nga qeveria shqiptare “kanë nevojë për përmirësim urgjent. Disa dispozita në të vërtetë nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave”. Përmes një deklarate ajo shprehu “shqetësim të thellë” që parlamenti shqiptar vijoi me shqyrtimin e ndryshimeve të propozuara.

“Unë jam veçanërisht e shqetësuar që kompetencat diskrecionale që u janë dhënë organeve rregullatore, mundësia e vendosjes së gjobave të ekzagjeruara dhe bllokimi i faqeve të internetit të mediave pa një vendim gjyqësor, si dhe ndërhyrja e një rregullimi nga Shteti të mediave online, mund të sjellin një goditje të fortë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në vend” – thekson zonja Mijatovic, e cila më parë ka mbulluar dhe funksionin e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e mediave.

Në deklaratën e saj për situatën e krijuar në Shqipëri, Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut nënvizon se “është me rëndësi të madhe të sigurohet që interneti të mbetet një forum i hapur dhe publik dhe që të mbizotërojë vetë-rregullimi nga ana e mediave, përfshirë mediat online”, shprehet zonja Mijatovic ndërsa i bën “thirrje anëtarëve të Parlamentit të Shqipërisë që të rishikojnë projekt-ligjet aktuale dhe t’i bëjnë ato në përputhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardeve të Këshillit të Evropës ”

voa