Kategoritë: Shqipëria

Lajmet nga Shqipëria

Mbrojtja e biodiversitetit në liqenet Prespë, Ohër, Shkodër

Zyrtarë dhe ekspertë nga Mali i Zi, Shqipëria, dhe Maqedonia shikojnë mundësitë e kooperimit ndërsektorial dhe ndërkufitar në menaxhimin e ujërave dhe burimeve natyrore.

liqeni i prespesShoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, GIZ shpk (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit, GIZ GmbH) prej vitit 2012 ka zbatuar projektin për “Ruajtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të biodiversitetit në liqenet e Prespës, Ohrit dhe atë të Shkodrës”, CSBL, me iniciativa, procese dhe projekte të vendeve kufitare që kanë të bëjnë me menaxhimin e ujrave dhe burimeve natyrore.

Këto liqene ndahen mes shteteve fqinje, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë duke përfaqësuar një pjesë unike dhe mjaft të spikatur të trashëgimisë natyrore të Evropës. Në këtë fazë të parë të projektit, Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, BMZ, ka shpenzuar një formd preh rreth 2 milion eurosh. Manjola Lala, zyrtare e marrëdhënieve me publikun për këtë projekt, thotë se mbështetja gjermane në të tre vendet lidhet me ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të këtyre burimeve natyrore të çmuara e njëkohësisht vulnerable.

Mbështetja në dy fazat 5 milionë euro

“Krahas vënies në zbatim të një menaxhimi të përshtatshëm të ekosistemit në nivel kombëtar, është me rëndësi thelbësore, që këto tre vende të koordinojnë përpjekjet e tyre dhe të bashkëpunojnë në nivel rajonal në zbatimin e përbashkët të kuadrit rregullator të BE-së në menaxhimin e burimeve ujore dhe ruajtjen e natyrës, i cili është i detyrueshëm për tre vendet në rrugën e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian”.

Ditët e fundit në Tiranë ishin në një diskutim të përbashkët zyrtarë dhe ekspertë nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia në një hapësirë debati dhe shkëmbimi idesh mbi praktikat dhe përvojat më të mira botërore në menaxhimin e baseneve të lumenjve, si dhe për të rënë dakord lidhur me hapat e mëtejshëm që do të përmirësojnë menaxhimin ndërkufitar të burimeve në të tre liqenjtë, në përputhje me objektivat e BE-së në mbrojtjen e mjedisit dhe të biodiversitetit. “Synimi ishte ndërtimi i një plani të përbashkët veprimi në përcaktim të masave që duhen zbatuar për të garantuar konsolidimin e strukturës organzative të institucioneve dhe për të rritur kapacitetet në menaxhimin ndërkufitar të burimeve natyrore”-thotë Lala për Deutsche Welle-n.

Për vijueshmërinë e projektit, BMZ parashikon mbështetjen e një faze të dytë të CSBL, me një investim 3 milion euro, duke e ҫuar faturën e ruajtjes dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve në tri liqenet në 5 milion euro.

Projekte për menaxhimin e një sistemi unik ujor

Inxhinieri Arjan Jovani, drejtor i Departamentit të Sigurisë së Digave të kaskadës së lumit Drin i shikon të lidhura tre liqenet me ujërat e lumit Drin. Sipas tij, ujrat e Prespës rrjedhin përmes nëntokës së zonës në drejtim të liqenit të Ohrit në zonën e Tushemisht dhe nga Ohri del Drini i Zi, i cili mbërrin në Kukës dhe pasi bashkohet me Drinin e Bardhë, i cili vjen nga Kosova, kalon tre liqenet e hidrocentralit të Fierzës, Komanit dhe Vau të Dejës për t’u bashkuar me lumin e Bunës në dalje të liqenit të Shkodrës. Pra, projektet për menaxhimin e rezervave ujore të këtyre tre liqeneve duhet të shikohen si projekte për menaxhimin e një sistemi unik ujor që fillon nga Prespa dhe përfundon në Shkodër, thotë inxhier Jovani për Deutsche Welle-n.

“Ndaj projektet rajonale kanë një rëndësi të jashtëzakonshme në menaxhimin e rezervave ujore. Mjafton të përmendesh bashkëpunimin shumëplanesh të vendeve të Danubit, të cilat e kanë kthyer në një sistem ujor shumë të dobishëm për të gjithë zonën ku kalon ky lum. Në planin konkret projektet shumëpaleshe rajonale në menaxhimin e rezervave ujore kanë rendësi edhe sepse rezervat ujore të këtyre vendeve mund të përdoren për energji, turizëm, peshkim, transport dhe zhvillim urban, me ndikim në zhvillimin ekonomik të të gjitha vendeve tona”.
Eksperti Jovani përmend dhe njërin prej projekteve kryesore të GIZ, përgatitjen e një modeli hidrologjik të pellgut ujëmbledhës të lumit Drin, i cili fillon nga Prespa dhe përfundon në Shkoder dhe ku përfshihen 4 shtete (Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi dhe Kosovë). Përmes ndërtimit të këtij modeli dhe monitorimin dhe menaxhimin e të dhenave hidrologjike të këtij pellgu bëhet e mundur një menaxhim shumë më i mirë i këtyre ujrave, duke bërë të mundur edhe zvogëlimin e rrezikut të përmbytjeve.
“Shpërndarja e informacionit në kohë reale përmes teknologjive moderne të informacionit bën që në rastet e prurjeve të mëdha në kaskadën e Drinit Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, e ka shumë të nevojshëm informacionin mbi prurjet që vjen nga Maqedonia. Po kështu Shqipëria ka detyrim të shkëmbejë informacion me Malin e Zi për rastet kur mund të ketë shkarkime të mëdha nga hidrocentrali i Vaut të Dejës. Pra, mosbashkëpunimi rajonal ka pasoja të konsiderueshme”- thotë për Deutsche Welle-n, inxhinier Jovani. (dw)

BB, 1.2 mld USD për Shqipërinë deri në 2019

Miratohet program i ri 5 vjecar. Mbështetje për reformat lidhur me qëndrueshmërinë makrofinanciare, nxitjen e rritjes së sektorit privat dhe krijimin e një qeverisjeje të përgjegjshme.

banka boteroreBanka Botërore njoftoi miratimin e një Programi të ri 5 vjecar 2015-2019 me Shqipërinë, Kuadri i Partneritetit, i cili parashikon një hua deri në 1.2 miliard dollarë për të mbështetur synimet e vendit për arritjen e një rritjeje të të drejtë dhe për integrimin europian. Bordi i Drejtorëve ekzekutivë, mirëpriti përparimet e fundit në zbatimin e refromave makro-fiskale dhe strukturore, ndërsa vuri ne dukje vendosmërinë e fortë të qeverisë ndaj këtyre reformave të pritura prej kohësh.

Programi i ri është në linjë me objektivin e dyfishtë të Bankës Botërore për uljen e varfërisë dhe rritjen e begatisë së përbashkët. “Banka do të rrisë dhe do të thellojë mbështetjen e saj ndaj reformave në Shqipëri që kanë për qëllim qëndrueshmërinë makrofinanciare, nxitjen e rritjes së sektorit privat dhe një qeverisje të përgjegjshme. Rruga e ndjekur për reformat dhe rezultatet inkurajuese përbëjnë shtysën për rritjen e nivelit të mbështetjes së Bankës Botërore për vendin”, nënvizon një deklaratë e Bankës.

“Shqipëria ka një mundësi historike për t’u ndarë nga e shkuara dhe të përshpejtojë ecjen e saj drejt begatisë dhe integrimit europian. Kuadri i ri i Partneritetit me Shqipërinë i përgjigjet kësaj mundësie dhe mbështet përparësitë e vendit”, tha Ellen Goldstein, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Europën Juglindore, duke shtuar se “ne presim vijimin e reformave te nisura dhe zbatimin efektiv të tyre, në mënyrë që të arrihen rezultat në të mirë të qytetarëve shqiptarë”.

Programi i ri mbështet tre fusha. E para ka të bëjë me qëndrueshmërinë fiskale dhe stabilitetin financiar, për të cilën Banka do të mbështesë masat për përmirësimin e konsolidimit fiskal, forcimin e menaxhimit të investimeve publike në sektorin e Transportit, dhe përmirësimin e stabilitetit financiar.

Fusha e dytë është ajo e nxitjes së rritjes së sektorit privat, për të cilën Banka Botërore do të ofrojë mbështetje për rritjen e konkurrencës dhe krijimin e vendeve të punës, dhe për reduktimin e pengesave në klimën e biznesin dhe mungesave në infrastrukturorë, si për shembull ato që mbizotërojnë në sektorin energjetik.

Fusha e tretë ka të bëjë me forcimin e menaxhimit të sektorit publik dhe të shërbimeve. Mbështetja e Bankës Botërore synon krijimin e besimit të qytetarëve te qeverisja, forcimin e shërbimeve dhe të ofrimit të tyre si dhe aksesin ndaj shërbimeve bazë.

“IFC-ja do të mbështesë sektorët strategjikë në Shqipëri, si infrastruktura dhe energjia, përmes përmes shërbimeve këshillimore dhe investimeve të partneritetit publik-privat (PPP), do të ndihmojë forcimin e mbështetjes së sektorit bankar nga Ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe industrive të orientuara drejt eksporteve, si dhe të do të ndihmojë në përmirësimin e klimës së investimeve për tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, shpjegoi Tomasz Telma, Drejtor i IFC-së për Europës dhe Azinë Qëndrore.

Aktualisht Banka Botërore ka në zbatim në Shqipëri tetë projekte me një vlerë të përgjithshme prej 512 milion dollarësh. (voa)

Kadare nderohet me një ceremoni në Kongresin amerikan

kadareNë ndërtesën e Kapitolit, në Uashington, u valëvit flamuri amerikan për nder të shkrimtarit Ismail Kadare dhe veprës së tij. Ky është një ritual që zakonisht u rezervohet amerikanëve të shquar dhe në disa raste, edhe personaliteteve të huaja.

Ky gjest simbolik u bë i mundur në saje të ligjvënësit amerikan Eliot Engel, i cili është prej një çerekshekulli një nga mbështetësit më të vendosur të shqiptarëve në Kongres. Zoti Engel vlerësoi veprën e Kadaresë, për universalitetin dhe mesazhin e rëndësishëm që jep, përmes miteve dhe figurave letrare:

“Kam një kënaqësi të veçantë që jemi mbledhur këtu për të nderuar veprën e Ismail Kadaresë. …Me të drejtë, Ismail njihet gjerësisht si shkrimtari më i madh shqiptar i epokës sonë. Shkrimet e tij lidhen me historinë e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, po ato sjellin elemente të reja për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut. Juria e Jeruzalemit, që e nderoi me çmim kohët e fundit Kadarenë e vlerësoi atë si një shkrimtar që përpiqet të ekspozojë përmes miteve dhe metaforave, krimet e kryera; edhe pse protagonistët janë lokalë, domethënia dhe rëndësia e tyre është universale. Unë personalisht jam i lumtur që Kadare është fituesi i çmimit të Izraelit, sepse ky çmim është simbolik.”, – tha ligjvënësi.

Autor i rreth 40 veprave letrare, të shkruara në një periudhë rreth 60 vjeçare, Ismail Kadare  është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, veprat e tij janë përkthyer në mbi 30 gjuhë të botës.

Në ceremoninë  e zhvilluar në një nga sallat e Kongresit amerikan, zoti Engel ja dorëzoi flamurin e valëvitur për nder të Kadaresë, me një dedikim të posaçëm për të, Vehbi Bajramit, botuesit të gazetës “Illyria” në Nju Jork, i cili ishte edhe nismëtari i idesë për të nderuar shkrimtarin:

“Jam shumë i gëzuar që organizohet ky takim në Kapitol Hill për shkrimtarin tonë të madh, një nga shkrimtarët më të mëdhenj botërorë, zotin Ismail Kadare. Pikërisht në këtë ndërtesë zoti Kadare ka dhënë një dëshmi në vitet e para të demokracisë në Shqipëri për nevojën që ajo të rreshtohet në rrugën e demokracisë dhe tani, më tepër se 20 vjet më vonë, pikërisht në ndërtesën e Kapitolit Hillit po organizohet një takim për të nderuar veprën e tij, pasi ai mori çmimin në Jerusalem. Kjo ceremoni u realizua me mbështetjen e kongresmenit Eliot Engel. …Kombet e vogla, si kombi shqiptar, kanë nevojë për figura të mëdha, siç është Ismail Kadare, me të cilin shqiptarët identifikohen në botë dhe mund të them se kjo figurë kaq e madhe, ky shkrimtar kaq i madh është letërnjoftimi më i mirë i shqiptarëve të botë,”  – tha zoti Bajrami.

Për veprën letrare të Ismail Kadaresë foli përkthyesi i veprës se tij në anglisht, David Bellos, profesor në Universitetin prestigjioz të Prinstonit. Zoti Bellos, duke u shprehur në mënyre figurative, tha se Kadare është një shkrimtar  që hapi një dritare transparente për Shqipërisë në kushtet e periudhës se komunizmit, kur Shqipëria ishte në fakt një dritare opake.

Zoti Bellos tha se vepra e tij nuk është opozitare në  mënyrë të drejtpërdrejtë, por përmes saj Kadare tregon pasojat gërryese të pushtetit dhe na lejon të kuptojmë thelbin e një shoqërie totalitare. Ai tha se valëvitja e flamurit amerikan mbi Kapitol për nder të Kadaresë është një nder i jashtëzakonshëm për një shkrimtar:

“Mendoj se është një nder i jashtëzakonshëm dhe tepër domethënës;  shkrimtarët e huaj nuk janë shumë të njohur në Shtetet e Bashkuara, dhe  është e rëndësishme që Kadare po nderohet këtu, edhe pse është një shkrimtar  jo amerikan… Të gjitha romanet e tij janë në një fare mënyre për Shqipërinë, por një Shqipëri e veçantë, Shqipëria e Kadaresë; vepra e tij është e lexuar kudo, në Amerikës, apo vende të tjera. Unë mendoj se Ismail Kadare është mes shkrimtarëve më të shquar të kohëve tona, si dhe i të gjitha kohërave.” 

Zoti Bellos tha se është një rast i rrallë, kur përmes aktit të ngritjes së flamurit, Shtetet e Bashkuara nderojnë në fakt jo vetëm Kadarenë, jo vetëm Shqipërinë, por letërsinë në përgjithësi.

Rituali i ngritjes së flamurit amerikan mbi ndërtesën e Kapitolit është një traditë e filluar nga Kongresi amerikan 78 vjet më parë, për të nderuar ngjarje historike dhe individë të shquar, së fundi, mes tyre, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare.Për Ditarin, Laura Konda, Uashington.

Shqipëria partnerja e besueshme e Europës – Bushati në Berlin

Steinmeier BushatiNë takimin e dy ministrave të Jashtëm, Steinmeier e Bushati në Berlin u diskutua jo vetëm për krizën në Maqedoni, por edhe mbi pritshmëritë nga konferenca e Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet këtë vit në Vjenë.

Gjermania ka besim tek Shqipëria – dhe vendi kandidat i BE-së është mirënjohës për mbështetjen e lokomotivës së Europës: Ky ishte toni mbizotërues në konferencën e përbashkët për shtyp të ministrit të Jashtëm gjerman, Steinmeier dhe homologut shqiptar, Bushati. Takimi i ministrit të Jashtëm gjerman me ministrin shqiptar Ditmir Bushati i zhvilluar në Berlin të mërkurën ( 20 maj) nxorri në pah edhe njëherë marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, siç e theksoi edhe ministri gjerman Steinmeier në fjalën e tij përshëndetëse. Ministri i Jashtëm gjerman vlerësoi se Shqipëria ka bërë hapa përpara në drejtim të BE-së, që nga koha e marrjes së statusit të vendit kandidat. „Shqipëria e ka guximin për të bërë reforma të thella“, tha Steinemeier. Luftimi i korrupsionit, kriminalitetit të organizuar, reforma në drejtësi kërkojnë guxim, tha Steinmeier duke shtuar se nuk dyshon që në Shqipëri ky guxim do të vazhdojë. Qëndrimit dashamirës të ministrit të Jashtëm gjerman Steinmeier, homologu shqiptar, Ditmir Bushati iu përgjigj me tone falënderimi për mbështetjen gjermane në gjithë këto vite që nga rënia e diktaturës. „Kjo mbështetje e inkurajon qeverinë shqiptare të vazhdojë reformat për afrimin e vendit me BE-në“, tha Bushati.

Shqipëria ka interes për një Maqedoni të stabilizuar

Në konferencën për shtyp të dy ministrave të Jashtëm në Berlin vëmendje iu kushtua edhe zhvillimeve të fundit në Maqedoni. Ngjarjet në Kumanovë para më shumë se një jave e tronditën Europën, por edhe e bënë të shohë më me vëmendje drejt rajonit, tha Steinmeier. „Shpresoj që ky të mos jetë fillimi i një shkallëzimi dhe që autoritetet në Maqedoni të përpiqen për zbardhje transparente të incidenteve dhe të kujdesen që të mos kemi incidente të tilla në të ardhmen.“

Mbi ngjarjet në Maqedoni u pozicionua në Berlin edhe ministri i Jashtëm shqiptar. Stabiliteti i Maqedonisë ka për ne si fqinjë të mirë rëndësi të veçantë e po aq e rëndësishme është që të mos preket integriteti territorial i Maqedonisë“ e të përmirësohen marrëdhëniet ndëretnike, u shpreh ministri i Jashtëm Bushati. Në këtë drejtim Shqipëria „do të mbetet një partner i besueshëm i Bashkimit Europian“ dhe gjithmonë do të luajë një rol konstruktiv në politikën e jashtme, theksoi ai.

Rama merkelKonferenca e Ballkanit Perëndimor: Nga fjalët tek projektet konkrete

Steinmeier përmendi në fjalën e tij edhe angazhimin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, ku si „kontribut konkret“ ai përmendi Konferencën e Ballkanit Perëndimor. „Topi tani ndodhet tek fqinjët tanë austriakë dhe do të vazhdojë loja“, tha Steinmeier duke pasur parasysh raundin e ri të konferencës në Vjenë. Shohim se temat po bëhen më konkrete, tha Steinmeier. Do të bëhet fjalë për projekte konkrete infrastrukturore në rajon, për shkëmbimin mes të rinjve dhe çështje që lidhen me shoqërinë civile. „Jemi mirënjohës“ tha ministri i Jashtëm shqiptar që „rajonit i kushtohet vëmendje megjithë këto kohë të vështira. Shpresa e palës shqiptare është që në Vjenë partnerët ballkanikë të paraqesin projekte konnkrete të përbashkëta që do të gjejnë mbështetje. Bushati e vlerësoi procesin e nisur në Berlin si konferenca e Berlinit për Ballkanin Perëndimor si një shtysë që ka sjellë përmirësime edhe në marrëdhëniet me Serbinë.

Por edhe fenomeni i emigrimit nga Kosova dhe në muajt e fundit edhe nga Shqipëria drejt Gjermanisë ka qenë pjesë e bisedimeve të dy ministrave të Jashtëm. Steinmeier lëvdoi shprehimisht palën shqiptare dhe ambasadën gjermane në Tiranë për fushatën sqaruese në vend. (dw)

Rama: Maqedonia nuk mund të jetë pjesë e NATO-s

ramaKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duke folur për ngjarjet e fundit në Kumanovë, tha se Maqedonia nuk mund të bëhet pjesë e NATO-s pa respektuar Marrëveshjen e Ohrit. Duke folur në Samitin Rajonal kundër Dhunës Ekstreme, Rama dënoi terrorin ndaj shqiptarëve duke thënë se është e patolerueshme që termat “shqiptar” të njehsohet me “terrorist”.

Rama u shpreh se, tragjedia e Kumanovës është shprehje e qartë e degradimit të demokracisë së një vendi. “Është shumë e rrezikshme përzierja e termave. Termi “terrorizëm” dhe termi “shqiptarë” në Maqedoni u bashkuan dhe kjo është e patolerueshme në një kohë kur shqiptarët kanë qenë, janë dhe do të mbeten një faktor thelbësor shtetformues për Maqedoninë”, tha kryeministri i Shqipërisë.

“Asgjë më e rrezikshme nuk mund të na ndodh të gjithëve ne sesa të ngatërrojmë terrorizmin me etninë. Lufta ndaj terrorizmit duhet të na bashkojë të gjithë popujve të Ballkanit për të qenë një ndaj fenomeni që kërcënon paqen rajonale dhe globale.”

Më tej, Rama theksoi se, ashtu siç është e patolerueshme bashkimi i termave “shqiptarë” dhe “terrorist”, ashtu do të jetë nga shteti shqiptar e patolerueshme mungesa e transparencës dhe drejtësisë për dëmet dhe terrorin e Kumanovës. Ai tha se, Shqipëria do të mbështesë Maqedoninë në NATO vetëm atëherë kur dhe vendi fqinjë të respektojë plotësisht Marrëveshjen e Ohrit.

Ndërsa më tej gjatë fjalës së tij, kryeministri i ndal tek procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke thënë se BE duhet të veprojë pasi nesër mund të jetë vonë. “Duhet të bëjë gjithçka që nesër të mos jetë vonë. Të merret me pasojat dhe jo me shkaqet e atyre që ndodhin”, u shpreh Rama.

Rama tha se vendet e Ballkanit janë më pranë BE-së se sa njëri-tjetrit duke theksuar nevojën e bashkëpunimit rajonal. “Një studim i Observatorit Ballkanik i vitit 2003 thuhet se vendet e Ballkanit janë më pranë me BE-në. Jemi të gjithë më pranë Brukselit se mes veti. Këtë mund ta zgjidhim me bashkëpunim rajonal”, u shpreh ai. (shekulli)

“Kumanova”, Rama: E patolerueshme që termat “terrorizëm” dhe “shqiptar” u bënë bashkë

edi ramaKryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në ministerialin rajonal për ekstremizmin e dhunshëm, foli për çështjen e Kumanovës, duke e konsideruar si një çështje që nuk kishte lidhje me terrorizmin, por me mungesën e demokracisë.

“Fatkeqësisht, në Kumanovë, fjala terrorizëm dhe shqiptar u bënë bashkë. Iu dha terrorizmit një prapashtesë etnike dhe kjo është e papranueshme, për ne dhe për vetë interesin e Maqedonisë. Autoritetet maqedonase duhet ta kenë të qartë që shqiptarët kanë qenë dhe janë një faktor i rëndësishëm shtetformues në Maqedoni. Nuk duhet përzier termi terrorist në trajtimin e çështjeve që nuk kanë të bëjnë me terrorizmin, por demokracinë”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se është “e patolerueshme mungesa e transparencës dhe drejtësisë për terrorin që pësuan banorët e pafajshëm të Kumanovës”.

/ Top Channel

Elhaida Dani kalon në finalen e “Eurovision”-it me këngën “I’m Alive”

elhaida-euroNumri 14 duket se i dha fat këngëtares Elhaida Dani, duke i prerë biletën për në natën finale të “Eurovision”-it.

Elhaida dhuroi shumë emocion me zërin e saj , e cila kulmoi në pjesën e dytë të këngës ku tingujt e baladës e pushtuan skenën e Vjenës.  E ndjekur dhe nga një kor prej tre shoqëruesesh, vajzat ishin në  sinkron jo vetëm me zërin e tyre, por edhe me veshjen që i dha tepër finesë paraqitjes skenike të tyre.

Ajo që ra në sy në këtë natë të “Eurovision”-it, ishte skenografia  dhe ndriçimi që ndiqte çdo performancë  të artistëve që debutuan në skenën e Vjenës.

Tashmë janë edhe dy net të tjera të festivalit, përkatësisht një tjetër natë gjysmëfinale , si dhe finalja e ditës së shtunë ku do të përcaktohet edhe fituesi i këtij viti.

Performanca e Elhaidas ka marrë lavdërime edhe nga komentatorë të shumtë gjatë kësaj nate gjysmëfinaleje. Ndërkohë që BBC-ja ka vëne në dukje një armë të fortë për këngëtaren shkodrane, pikërisht veshjen e saj, pasi siç theksuan pas daljes së Danit në skenë, ishte tepër e rëndësishme që një këngëtare femër të dilte me të tillë veshje, pas incidentit të Madonës me një të ngjashme.

Edhe Kryeministri Rama e komentoi performancën e shkëlqyer të këngëtares shkodrane, i cili në profilin e tij në “Facebook” shkroi: “Forca Elhaida, tanimë finalja e madhe të pret dhe gjithë shqiptarët do të jenë me ty të shtunën”.

/ Top Channel

Ben Blushi viziton “Lagjen e Trimave” në Kumanovë

Ben Blushi KumanoveSi politikani i parë shqiptar që viziton shqiptarët e Kumanovës pas sulmeve tragjike të datës 9 maj, deputeti socialist Ben Blushi gjeti jo vetëm mikpritjen, por dhe nevojën e shqiptarëve të “Lagjes së Trimave” për t’u mbështetur.

Megjithëse kanë kaluar pothuaj dhjetë ditë nga sulmet me armë e antitanke, dëmet janë të një bilanci të vërtetë lufte. Janë pamje që për Ben Blushin ishin harruar në Ballkan prej vitit 2001.

“Shteti i goditi në pabesi, dhe kur një shtet bëhet i pabesë, ai është fundi i tij”- deklaroi Blushi.

E megjithëse sulmi policor mbi Kumanovë është për Blushin, tregues për fundin e një shteti, ajo që mund të rekuperojë tani Qeveria e Shkupit, është të paktën drejtësia:

Deputeti socialist ka pak besim se kjo mund të ndodhë, pasi në bindjen e tij, të shprehur edhe më herët në Tiranë, problemi sot në Maqedoni është demokracia autokratike. Të vetëdijshëm për këtë situatë, pyetja me të cilën u përball Ben Blushi më shpesh prej banorëve të Kumanovës është ajo se çfarë do të ndodhë tani?

Aq më shumë kjo pyetje rëndon për ta, kur sipas Blushit, rezulton se ata kanë humbur besimin te përfaqësuesit e tyre politikë, që i ka dhënë mundësinë deputetit socialist të përsërisë një tezë të shprehur më herët në parlamentin e Shqipërisë; të mbështesim demokratët mes shqiptarëve.

Kur ka ikur krejt pesimist, deputeti socialist nga Kumanova tha se në besimin e tij orë më të mira do të vijnë për shqiptarët e Maqedonisë.

/ Top Channel

Raporti i DASH për Shqipërinë: Shqetësim, krimi e xhihadistët; vlerësohet Lazarati

Raporti dash shbaByroja e Sigurisë Diplomatike, pranë Departamentit amerikan të Shtetit, ka publikuar raportin e saj për vitin 2015 mbi krimin dhe sigurinë në Shqipëri. Në raport thuhet se, në vitin 2014 krimi dhe situata e përgjithshme e sigurisë vijojnë të mbeten shqetësuese.

“Krimi ka vazhduar të rritet gjatë 5 viteve të fundit, kryesisht për shkak të rritjes së madhe të vjedhjeve dhe grabitjeve me dhunë. Krimi i rrugës është mjaft i zakonshëm në zonat urbane, kryesisht gjatë natës. Rritja më e dukshme në krim ka qenë lidhur me vjedhjet me dhunë, grabitjet dhe dhunën në familje. Krimi i dhunshëm ka parë një rënie të vazhdueshme që nga 2011-a”, thuhet në raportin e OSAC.

Pavarësisht rënies së numrit të shpërthimeve me eksploziv, sipas Byrosë së Sigurisë Diplomatike, sërish këto lloj krimesh vijojnë të mbeten një shqetësim, ku si zonë më problematike identifikohet ajo e Fushë Krujës.

Në kapitullin e krimeve të lidhura me drogën, raporti nënvizon:

“Në Shqipërinë Jugore, zona e Lazaratit në Gjirokastër ishte një nga më të mëdhatë e prodhimit të marijuanës në Europë. Në qershor, policia ndërmori një operacion të gjerë antidrogë në këtë zonë, i cili çoi në kapjen e sasive të mëdha të marijuanës dhe arrestimin e disa personave”.

Por, pavarësisht këtij operacioni dhe përmirësimit të situatës së sigurisë në Lazarat, sërish Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë nuk lejon udhëtimet personale për personelin e qeverisë amerikane në Lazarat dhe vizitorëve nuk u rekomandohet të udhëtojnë në atë zonë.

Një shqetësim në rritje në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit – sipas raportit – është kërcënimi që vjen nga luftëtarët e huaj, të cilët udhëtojnë në Siri dhe kthehen më pas sërish në rajon.

“Në mars, Policia e Shtetit shqiptar ka vepruar kundër një rrjeti rekrutimi luftëtarësh për në Siri, duke arrestuar 9 persona për “nxitje të akteve të terrorizmit”. Dy prej të arrestuarve ishin imamë në xhamitë në periferi të Tiranës, të cilët mësojnë një version ekstrem të Islamit. Përveç kësaj, Parlamenti miratoi një seri ndryshimesh në Kodin Penal të Shqipërisë, me qëllim forcimin e aftësisë së qeverisë për të adresuar problemin e shtetasve shqiptarë, që udhëtojnë për të luftuar në konfliktin në Siri”, thuhet në raportin e Byrosë së Sigurisë Diplomatike pranë Departamentit amerikan të Shtetit.

Tahiri: DASH njeh arritjet tona
Raporti përmend sukseset kundër drogës, korrupsionit dhe xhihadistëve

Pas publikimit të këtij raporti, me anë të një daljeje për mediat, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka përshëndetur Departamentin amerikan të Shtetit për vlerësimin e bërë, por njëkohësisht ka pranuar dhe kritikat e ngritura.

“Raporti ka njohur një sërë arritjesh pozitive për Shqipërinë, lidhur me luftën kundër lëndëve narkotike, me ulje drastike të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike për vitin 2014, ashtu siç ka njohur rezultatet tona në luftën kundër kriminalitetit të dhunshëm, pavarësisht shqetësimit që ende mbetet për kriminalitetin e rrugës. Njeh përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë shqiptare dhe rezultatet pozitive për rritjen e punës së Policisë, reagimin dhe kapacitetet zbuluese të Policisë së Shtetit, rritjen e sigurisë, koordinimin e agjencive ligjzbatuese, si dhe uljen nëpërmjet rezultateve pozitive në goditjen e fenomenit të korrupsionit”, u shpreh ndër të tjera ministri Saimir Tahiri.

/ Top Channel

Pollack: Duhet të jemi të qartë dhe ta tregojmë historinë

Shkrimtari i njohur austriak Martin Pollack, thotë në intervistë për DW se është e domosdoshme për një shoqëri të kujtojë me përgjegjësi atë, që ka ndodhur në historinë e saj.

Martin Pollack

DW: Zoti Pollack ju jeni nderuar me shumë çmime për shkrimet mbi të kaluarën e afërt të vendlindjes suaj Austrisë dhe të vendeve fqinje në lindje. Ju e konsideroni domosdoshmëri, që një shoqëri të zbardhë të kaluarën e vet e të ballafaqohet me të. Përse?

Pollack: Unë jam i mendimit se është e domosdoshme që një shoqëri të kujtojë me përgjegjësi atë, që është historia e saj, atë që ka ndodhur në historinë e saj. Që një shoqëri të mbajë përgjegjësi, për atë që kanë bërë prindërit apo gjyshërit e tyre. Që të mos i mbulojmë, që të mos i zbukurojmë, por të themi fare hapur dhe me sinqeritet, këto gjëra kanë ndodhur, është e tmerrshme se ka viktima. Është e rëndësishme, që t‘i nxjerrim nga anonimiteti viktimat, që ato të mos i rrëmbejë harresa. Shumë viktima janë varrosur, likuiduar diku. Askujt nuk i bie në mend për to. Kjo nuk duhet të ndodhë, kjo nuk është e mirë për një shoqëri. Kur një shoqëri e lejon këtë, ajo nuk largohet, nuk zhduket. Mbetet brenda njeriut.

DW: Ballafaqimi është si një lloj shërimi?

Pollack: Sepse dikur shpërthen jashtë. Mund ta krahasoni me një njeri, të cilit i ka ndodhur diçka e keqe, kur ka qenë fëmijë dhe nuk bën të flasë për atë kurrë. Ne të gjithë e dimë nga psikologjia, që kjo është shumë e keqe. Dikur duhet ta flasë, duhet të thotë se çfarë ka ndodhur. Në asnjë mënyrë të mos heshtet.

DW: A nuk është gati e pamundur ta dëshirojë këtë një doras, që ka frikë nga hakmarrja, ka frikë se mos humbet pozitën, respektin në shoqëri?

Pollack: Natyrisht edhe kjo është njerëzore. Çdo doras ka frikë se mos zbulohet, se mos ndëshkohet, se mos e gjejnë dhe e dënojnë. Me këtë duhet të llogarisin. Kjo është gjithmonë një çështje, që duhet ta sqarojnë gjykatësit. Është çështje e gjykatës, e drejtësisë, ne nuk jemi juristë. Unë nuk jam gjykatës, nuk jam prokuror, nuk është puna ime të gjykoj. Njëra gjë është ligjore dhe tjetra është morale. Unë nuk jam përgjegjës për gjykimin.

DW: Ju keni guxuar të thyeni heshtjen, të flisni hapur për familjen tuaj, për babain, që ka qenë shef i gestapos në Linz të Austrisë. Sa guxim nevojitet për një hap të tillë?

Pollack: Nuk e di, nëse për këtë nevojitet aq shumë guxim. Kjo ka qenë ndoshta edhe për arsyen se unë jam austriak dhe Austria është një vend, ku është heshtur shumë gjatë dhe ku për një kohë shumë të gjatë është mbajtur qëndrimi, se ne kemi qenë vetë viktimat e para të fashizmit, se ne nuk kemi qenë doras, por nuk është kështu. Kjo historikisht nuk është e vërtetë. Unë e di nga shembulli i familjes sime, e di nga shembulli i shumë austriakëve. Shumë austriakë kanë qenë autorë krimesh dhe mendoj se është e domosdoshme të jemi të qartë për këtë dhe ta tregojmë historinë. Unë kam detyrë t’ia tregoj edhe djalit tim. Nëse ai interesohet për këtë gjë shumë apo jo, është diçka tjetër, por unë duhet ta tregoj.

DW: Me librat tuaj ju keni ngritur zërin për viktimat e gjenocidit. Duke u nisur nga historia e familes suaj keni folur për përfshirjen e austriakëve në të kaluarën naziste, çështje delikate dhe jo për t’u krenuar. Eshtë pritur mirë kjo në Austri?

Pollack: Po është pranuar mirë në Austri. Unë nuk jam i pari dhe i vetmi, ka edhe të tjerë. Por për shumë njerëz ishte e rëndë, edhe pse unë e kam bërë në mënyrë relativisht të urtë, pa akuzuar njeri, as babain dhe as dikë tjetër. Unë nuk jam akuzues, unë e kam bërë në mënyrë fare të qetë. Jam përpjekur ta tregoj këtë histori nga një farë distance. Atëherë shumë njerëzve u është bërë e qartë se është e mundur të gjykojnë për historinë e familjes së tyre dhe të pyesin veten, çfarë ka bërë babai, gjyshi. Dhe shumë njerëz më kanë ardhur dhe më kanë thënë se kjo, që kisha bërë, ishte shumë interesante, dhe më kanë treguar pastaj: e di edhe nga familja ime ka pasur SS, gestapo etj, etj.

DW: Mendoni që letërsia ndihmon më shumë se historiografia për sensibilizimin dhe edukimin e shoqërisë?

Pollack: Ndoshta mund të ndihmojë disi, por rrallë. Unë nuk jam i mendimit që letërsia është në gjendje dhe as historiografia nuk është në gjendje, këtë e dimë nga historia. Pas Luftës së Parë Botërore pasoi Lufta e Dytë Botërore, faktikisht me të njëjtin personel, ishin Fuqitë Qendrore dhe Antanta, ishin aleatët dhe Boshti Qendror, ishte i njëjti personal, ishin të involvuara të njëjtat shtete.

DW: Shumëkush në këto situata nuk mendon për njerëzoren, por mendon se bën detyrën, në shërbim të atdheut, në shërbim të sistemit.

Pollack: Nga historia njeriu ndoshta do të duhej të mësonte diçka. Nëse është me të vërtetë kështu, është një çështje tjetër. Por nuk është justifikim për të thënë, se nuk duhet të flasim për këtë.

DW: A mban faj shoqëria? Njerëzit në vende të ndryshme pa dyshim që nuk e kanë dëshiruar luftën e Dytë Botërore, por ajo erdhi dhe i zuri.

Pollack: Njerëzit nuk e donin as luftën e Dytë Botërore. Mund të ketë pasur nga ato, që e donin, por shumica nuk e donte natyrisht. Nuk janë njerëzit fajtorë. Por ama duhet ta themi, se kur shikon në vitin 1938, kur Austria i bashkangjitet Gjermanisë, se si njerëzit rrinë në Heldenplatz(sheshi i heronjve) dhe brohorasin të gjithë të entuziasmuar për Hitlerin. Natyrisht që janë edhe fajtorë, ata e kanë bërë veten bashkëfajtorë.

DW: Le të marrim shembullin e Shqipërisë komuniste. Presioni ishte aq i madh, saqë rezistenca ishte gati e pamundur, njerëzit duhej të përshtateshim për të jetuar.

Pollack: Nuk është detyra jonë të akuzojmë këto njerëz. Unë nuk kam të drejtë për të gjykuar mbi këto njerëz. Është thjesht njerëzore, që njerëzit të përshtaten, të hyjnë në parti, që të ulin kokën, që të firmosin gjëra etj. Por kur kjo e gjitha del në shesh, kur sot hapen dosjet, është e pakëndshme, apo jo. Por kjo nuk të kushton jetën. Ata që duhet të kenë frikë, janë vetëm autorët e krimeve.