Kategoritë: Uncategorized

Themelohet Task-Forca e përbashkët Kosovë-Maqedoni e Veriut

MPBMinistria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, me qëllim të eliminimit të kërcënimeve të sigurisë, kanë nënshkruar protokollin mbi themelimin e Task-Forcës së Përbashkët.

Nënshkrimi i këtij protokolli u bë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe drejtori i Policisë së Maqedonisë së Veriut, Sasho Tasevki. Ky protokoll u nënshkrua në kuadër të marrëveshjes mes të dy qeverive për bashkëpunim policor.

Me këtë rast, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa tha se nënshkrimi i këtij protokolli në mes të dy vendeve është një vazhdimësi e bashkëpunimit shumë të mirë që Kosova dhe Maqedonia e kanë në fushën e sigurisë.

“Kosova dhe Maqedonia kontribuojnë në ngritjen e sigurisë, me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për rajonin. Të dy vendet po bëhen model i bashkëpunimit, i cili duhet të zgjerohet tutje në rrafshin e bashkëpunimit rajonal edhe me shtetet tjera”, tha ai.

Ndryshe, task-forca e përbashkët ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë në mes të dy vendeve për të eliminuar rreziqet e ndryshme për rendin dhe sigurinë publike, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve tej-kufitare.

Top Channel

Përfundon numërimi i votave me postë, Vetëvendosje thellon diferencën me LDK-në

zgjedhjet ksaNë Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka përfunduar procesi i numërimit të votave të ardhura me postë në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

Në bazë të rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar numrin më të madh të votave, ose mbi dyfishin e votave, krahasuar me të gjitha paritë e tjera, me gjithsej 6,955 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë e dyta me 2,152 vota, vetëm 44 më shumë se Partia Demokratike e Kosovës në vendin e tretë me 2,108 vota.

Renditja e subjekteve dhe koalicioneve kryesore politike me numrin e votave të fituara nga diaspora është kjo:

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 6,955 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 2,152

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 2,108, 

Koalicioni NISMA-AKR-PD – 914 

Koalicioni AAK-PSD –  554 vota

Pjesa tjetër e votave u takon partive të komuniteteve jo shumicë. Kujtojmë se gjithsej numri i votave nga diaspora është 13 mijë e 500.

Ndërsa sipas rezultateve të deritashme preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 25.50 për qind, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.83 për qind. Partia Demokratike e Kosovës radhitet e treta me 21.25 për qind të votave, kurse koalicioni AAK-PSD në zgjedhjet e së dielës ka marrë 11.57 për qind.

Ndërsa koalicioni NISMA-AKR-PD vazhdon të mbetet jashtë pragut zgjedhor me 4.98% të votave të fituara. /Telegrafi/

Zgjedhjet e 6 tetorit ndryshuan skenën politike kosovare

AlbinZgjedhjet e parakohshme parlamentare që u zhvilluan të dielën, të cilat u fituan nga opozita e deridjeshme, e ndryshuan skenën politike në Kosovë.

Rezultatet parapake të zgjedhjeve, apo 98% e rreth 800 mijë votuesve sa morën pjesë në zgjedhje, e nxjerrin lëvizjen Vetëvendosja të Albin Kurtit subjektin e parë politik me 26% të votave të fituara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën të dielën (06.10.) në Kosovë. VV ndiqet me një rezultat të ngushtë nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK me rreth 25%.

Partia e tretë u rendit Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21% të votave. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, e pranoi humbjen dhe tha se PDK përfundimisht do të shkojë në opozitë.

Partia e Ramush Haradinajt (që ishte në koalicion me PSD), dorëheqja e të cilit nga posti i kryeministrit bëri që vendi të shkojë në zgjedhje, fitoi vetëm rreth 12%.

Lista Srpska renditet partia e pestë, ndërsa, Nisma-AKR për Kosovën është në limitet e pragut zgjedhor pak më pak se 5%, që rrezikon të mos hyjë fare në Parlamentin e Kosovës. Të panumëruara akoma janë votat me kusht dhe ato nga diaspora, njofton zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Përsa i takon kohës se kur do fillojë numërimi i votave me kusht, i votave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës, ne varemi nga procedura dhe dinamika e punëve që zhvillohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Por shpresojmë se brenda pak ditësh do të arrijmë të mbarohen të gjitha këto punë në mënyrë që të fillojmë edhe numërimin të këtyre kategorive dhe votave jashtë vendit”, u shpreh zëdhënësi i KQZ-së.

Ai njoftoi se 2785 persona kanë qenë të regjistruar si persona me nevoja të veçanta, ndërsa Komisioni Qendror Zgjedhor me postë ka pranuar 16 mijë pako të supozuara me fletëvotime.

Zgjedhjet u zhvilluan në tërë Kosovën ku kishte 895 qendra votimi me 2.547 vendvotime. Nga 25 subjekte politike garuan 1067 kandidatë për deputetë. Në zgjedhje morën pjesë 44 për qind e qytetarëve nga 1.9 milion me të drejtë vote.

Kandidati i lëvizjes Vetëvendosja për kryeministër Albin Kurti, në një deklaratë për medie tha të hënën se “me fitoren e Vetëvendosjes, po hapet një epokë e re për Kosovën” ndërsa, paralajmëroi hapjen e negociatave për koalicion qeveritar me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Prej mbrëmë ka shpresë. Sepse dje pati guxim. Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE”, shkroi Albin Kurti.

Kurti: do të bashkëpunoj ngushtë me faktorët ndërkombëtarë

Ai tha se do të bashkëpunojë ngushtë me faktorët ndërkombëtarë, të cilët e njohin pavarësinë e Kosovës, veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, Gjermaninë, Britaninë e Madhe e vende të tjera.

“Do të jem partner me partnerët dhe aleat me aleatët, sepse shteti ynë ka nevojë për miq, për përkrahje e për ndihmë”, tha Albin Kurti.

VjosaLidhja Demokratike e Kosovës nga ana e saj, akoma është duke pritur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, ndërsa nuk e ka përjashtuar mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen.

Në zgjedhjet e 6 tetorit morën pjesë edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, ku Lista “Srpska” që ka mbështetjen e Beogradit, i fitoi 10 vende në parlament sa u garantohen edhe me kushtetutë. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, në një konferencë për medie në Beograd tha se “Lista Serbe e ka arritur fitoren më të madhe dhe më bindëse në historinë e saj”.

“Lista Serbe ka arritur fitoren më bindëse. Ajo ka marrë 98,07% të votave të votuesve serbë. Ata do ta kenë një përfaqësim të fuqishëm politik në Kuvendin e Kosovës dhe do të mund të luftojnë për interesin e popullit të vet”, ka thënë Aleksandër Vuçiq.

Si do të rrjedhë procesi për krijimin e qeverisë 

Fillimisht duhen pritur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe çertifikimi i tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjë që sipas zyrtarëve të KQZ-së, do të kërkojë disa ditë kohë. Pas konstituimit të Kuvendit dhe betimit që duhet të bëjnë deputetët e rinj, presidenti i Kosovës i kërkon partisë fituese të zgjedhjeve apo koalicionit paszgjedhor që duhet formuar më partinë fituese, emërimin e kandidatit të saj për kryeministër. Ai duhet të marrë të paktën 61 vota nga 120 vende në parlament, në mënyrë që të marrë mandatin për krijimin e qeverisë së re. Pakicat kombëtare kanë 20 vende të garantuara në Kuvend, ndërsa, në qeverinë e re të paktën një dikaster qeveritar duhet t’i takojë përfaqësuesve të serbëve të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, një ditë pas zgjedhjeve i uroj qytetarët e Kosovës dhe partitë politike për zgjedhjet siç tha “shembullore, për votimin e dinjitetshëm, të lirë dhe demokratik”.

“Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike. Tash të njëjtën pjekuri politike duhet ta tregojmë edhe në formimin e qeverisë së re, sa më parë dhe në përballje me sfidat e menjëhershme që e presin Kosovën”, shkroi Presidenti Thaçi.

Sfida e parë që e pret qeverinë e re është përballja në dialog me Serbinë, që me ngulm po kërkohet nga faktori ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë nga SHBA-së. Albin Kurti gjatë fushatës parazgjedhore vazhdimisht ka deklaruar se ai si kryeministër do ta udhëheqë vetë dialogun me Serbinë dhe jo Presidenti i Kosovës, dhe ka paralajmëruar rishikimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tash në dialogun Kosovë-Serbi.

dw

Shkup, “The Economist” organizon debat për Ballkanin

Zaev TsiprasRevista e njohur ‘The Economist’ mblodhi të martën në Shkup zyrtarë, ish-zyrarë qeveritarë, jo vetëm nga rajoni i Ballkanit dhe ekspertë të çështjeve të ndryshme për të diskutuar mbi zhvillimet aktuale dhe synimet integruese drejt strukturave euro-atlantike të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Marrëveshja e Prespës e arritur verën e vitit të kaluar në mes qeverive të Shkupit dhe Athinës ishte në qendër të vemendjes së konferencës dhe ajo u cilësua si një shembull për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis vendeve të tjera.

Ish-Kryeministri grek Alexis Tsipras, i cili tash është drejtues i opozitës greke, u shpreh se “Athina dhe Shkupi u liruan nga prangat” me arritjen e marrëveshjes së Ohrit.

Ish ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Wess Mitchell foli për ndikimin rus dhe kinez në rajonin e Ballkanit duke paralajmëruar rrezikun nga, siç u shpreh: “perandoritë e shekullit të kaluar”. Ai tha se të ardhmen që Rusia dhe Kina ia ofrojnë rajonit është ajo e varshmërisë dhe eksploatimit, ndërsa shtoi se realiteti në Ballkan është i tillë që disa pjesë të tij po largohen nga Perëndimi. Ish zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit nënvizoi nevojën e angazhimit më të madh të SHBA-së dhe BE-së në këtë rajon.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev tha se vendi i tij nuk ka alternativë tjetër përpos asaj të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, por edhe se “Maqedonia e Veriut duhet ta shtojë bashkëpunimin me të gjithë botën për mirëqenien e vetë qyetarëve të vendit”.

Ai e vuri theksin tek domosdoshërmia e investimeve në infrastrukturën e Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që Marrëveshjen e Prespës e quajti një nga “lajmet më të mira” që mund t’i ndodhnin rajonit.

Në konferencë folën edhe politikani gjerman Martin Shulz, ish president i Parlamentit Evropian, një nga nën-presidentët aktual të Parlamentit Evropian, Dimitrios Papadimoulis dhe zyrtarë e ekspertë të tjerë.

voa

SHBA: Shkurajues dënimi për Tahirin, por tregon pavarësi në rritje të gjyqësorit

Ambasada e USA TiraneAmbasada amerikane në Tiranë e quajti shkurajues dënimin që iu dha ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, por tha se kjo sinjalizon një hap përpara për pavarësinë e gjyqësorit në Shqipëri.

Në deklaratë thuhet:

“Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta.

Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat.

Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë.”

Donald Tusk: Maqedonia e Veriut e ka bërë punën e saj

zaev-tuskKryetari i Këshillit të Evropës Donald Tusk, sot ka qëndruar për vizitë zyrtare në Shkup, ku në agjendën e tij janë takimet me krerët shtetëror.

Pas takimit me kryeministrin e vendit Zoran Zaev, Tusk ka mbajtur konferencë për shtyp prej ku tha se Maqedonia e Veriut ka bërë gjithçka që ka pasur mundësi për anëtarësim në BE, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Maqedonia e Veriut i ka tejkaluar të gjitha pengesat për integrimet euroatlantike. Unë i kam shprehur qëndrimet e mia në korrik, vendi i juaj ka bërë gjithçka që pritej nga ju për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE. Dua të jetë e qartë se nuk ekziston dyshim në Bruksel për përkushtimin duaj për sundimin e së drejtës. Gjithashtu e dimë se qeveria juaj është e vendosur për vazhdimin e punës së Prokurorisë Speciale”.

“Nuk kam dyshime se Maqedonia e Veriut ka cilësi dhe kjo duhet të vlerësohet. Shkupi është vendi më i mirë, prej ku mund t’i ftoj liderët e BE-së për ta bërë punën e tyre, pasi Maqedonia e Veriut e ka bërë punën e saj”, tha mes tjerash Tusk.

Ndërsa Zaev në fjalimin e tij para gazetarëve, tha se Tusk gjatë gjithë mandatit të tij është angazhuar që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e BE-së.

“Presim që së bashku në tetor të arrijmë qëllimin tonë, nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Them së bashku pasi kjo është sukses edhe për BE-në edhe për ne. Presim që BE të fillojë përgatitjet për të nisur procesin e negociatave me vendin tonë. Nuk kam dyshim se me nisjen e negociatave nisim një udhëtim të transformimit të madh të vendit tonë”, tha mes tjerash Zaev.

Ai u shpreh i bindur se muajin e ardhshëm do të takohet sërish me Donald Tusk, ku siç shtoi, do të ndajnë gëzimin për nisjen e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE./Telegrafi/

Karrige me rrota që vihet në lëvizje me shprehjet e fytyrës

Karrige me rrotaTë lëvizësh me karrige me rrota, duhet të bësh disa manovrime por por një karrige si Wheelie e bën po aq të lehtë sa një ngritje vetullash. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh njofton.

Shprehjet e fytyrës përcjellin emocione të ndryshme, por ka raste kur ato shërbejnë edhe për funksione më praktike. I tillë është rasti i Wheelie-t, një program kompjuterik që u jep mundësi përdoruesve të kontrollojnë karrigen me rrota, përmes shprehjeve të fytyrës.

“Kuadroplegjikët, njerëz të diagnostikuar me ALS apo gjithkush tjetër që nuk mund të kontrollonte një karrige elektrike me rrota me duart e tyre, mund ta kontrollojnë me lëvizje fytyre, si një puthje, një buzëqeshje, një ngritje vetullash”, thotë presidenti i kompanisë HOOBOX Robotics, Paul Pinheiro.

Zhvilluar nga kompania e re braziliane, shërbimi me një çmim 300 dollarë në muaj përdor një kamera Intel “RealSense” për të kapur pika të ndryshme në fytyrën e përdoruesit.

“Programi është shumë, shumë i saktë dhe kap vijat përreth gojës, syve dhe vetullave”.

Një kompjuter i lidhur me karrigen, nxjerr një hartë me tre përmasa të fytyrës, duke diktuar deri në 11 shprehje të ndryshme të fytyrës.

“Teknologjia funksionon pavarësisht nga pozicioni i kokës. Mund ta lëvizësh kameran që të mos ta kesh para fytyrës.”

Është një nivel lirie të lëvizuri për përdoruesit që jo gjithmonë mund ta provojnë këtë ndjesi. Jim Ryan është tetraplegjik dhe zakonisht përdor kokën për të kontrolluar karrigen me rrota.

“Më e rëndësishmja është se mund ta kthej kokën majtas dhe djathtas. Në përgjithësi unë jam i bllokuar, prandaj kjo solli një ndryshim të madh”, thotë Jim Ryan.

Edhe lëvizje fare të vogla, mund të interpretohen disa sekonda para shprehjes së plotë të fyryrës. Ky lloj precizioni kthehet në aftësi për të lëvizur në kohë reale, përmes një doreze robotike që drejton kontrollin e karriges.

Por ka disa shqetësime se teknologjia mund të mos jetë aq praktike.

“Ndonjëherë shprehjet e fytyrës janë të pavullnetshme. Mund të jesh duke ecur rrugës, sheh një reklamë me humor dhe buzëqesh”, thotë Jeshua Aveno, specialist për teknologjinë për invalidët.

Ndoshta duhet një farë kohe për t’u mësuar por zoti Pinheiro beson se përdoruesit përfitojnë konsiderueshëm përsa i takon pavarësisë së tyre.

“Pikërisht këtë siguron Wheelie, jo vetëm lëvizje por veçanërisht pavarësi dhe vetëbesim”.

Dhe kështu, duke u dhënë atyre që nuk lëvizin dot, një arsye për të buzëqeshur.

voa

Incidenti në Reçicë, Bilalli: Xhevat Ademi ka shtënë me armë

armaPrindi i të riut që u plagos para një muaji në një dasmë në Tetovë, në një prononcim për “Alsat” ka përgënjeshtruar deklaratën e një dite më parë të deputetit të BDI-së, Xhevat Ademi i cili hodhi poshtë çdo përfshirje të tij në këtë incident.

Por, Jusuf Bilalli, prindi i njërit nga të plagosurit thotë të kundërtën.

Bilalli thotë se është dëshmitar i tërë ngjarjes se si Xhevat Ademi së bashku me një person tjetër kanë gjuajtur me armë zjarri dhe nga plumbat e shkrepur është plagosur djali i tij dhe një i ri tjetër.

Për këtë incident dhjetëra persona janë thirrur në polici për të dhënë dëshmitë e tyre por ende nuk ka një epilog konkret, se kush ka qenë autori i gjuajtjes më armë që la të plagosur dy të rinjtë, A.B dhe F. A, nga Reçica.

Nga prokuroria e Tetovës thonë se lënda edhe është në fazën para hetimore dhe se pritet nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, të bëhet kompletimi i lëndës që më pas të procedohet në Gjykatë. Ndryshe, për përdorim të armëve nëpër ahengje familjare, vitin e shkuar ka pasur mbi pesëdhjetë denoncime dhe ndaj tre personave janë marrë masat adekuate dhe procedura ka përfunduar, ndërsa për 6 raste të tjera, procedura ende vazhdon./Alsat/

Lufta kundër poliomelitit në Pakistan dhe Afganistan

VakcinaMbi 30 vjet më parë, poliomeliti gjymtonte qindra mijëra fëmijë në vit. Gjatë këtij viti e deri tani, rreth 60 fëmijë janë prekur nga kjo sëmundje. Vëmendja tani është përqendruar kryesisht në vetëm dy vende, Pakistan dhe Afganistan. Siç njofton korespondetja e Zërit të Amerikës Carol Pearson, aktualisht ka njoftime se përpjekjet për zhdukjen e kësaj sëmundje po hasin pengesa.

Vaksinimi kundër poliomelitit është një procedurë e thjeshtë.

Por në disa pjesë të botës, ekipet mjekësore rrezikojnë jetën për të mbrojtur fëmijët nga paralizimi për jetë.

Në fillim të vitit, vaksinimi u pezullua gjatë një proteste fisnore në Pakistan. Ekipet mjekësore u sulmuan, kërcënuan dhe u vranë në Pakistan pas përhapjes në median sociale të thashethemeve kundër vaksinimit. Si rezultat, numri i rasteve u rrit. Pavarësisht rreziqeve, shumë punonjës të shëndetit vazhdojnë përpjekjet e tyre për dhënien fund të poliomelitit nga i cili kryesisht preken fëmijë nën moshën pesë vjeçare.

Që nga viti 1988, kur edhe filluan përpjekjet ndërkombëtare për zhdukjen e poliomelitit, numri i rasteve ka rënë me 99.9%. Carol Pandak drejton përpjekjet globale të rrjetit “Rotary International” për zhdukjen e poliomelitit.

“Në vitin 2018, vetëm Pakistani dhe Afganistani njoftuan raste të virusit të poliomelitit.”

Në Pakistan dhe Afganistan është e vështirë të gjesh ujë të pastër. Kjo e vështirëson luftën për zhdukjen e visrusit i cili përhapet përmes ujit të ndotur dhe higjenës jo të mirë. Dr. Iqbal Memon është me Komisionin Këshillues Pakistanez për Zhdukjen e Poliomelitit.

“Kampionet nga mjedisi tregojnë për një virus poliomeliti dhe ky është një tregues i rrezikshëm. Kjo mund të shmanget vetëm përmes vaksinimit të të gjithëve.”

Për të parandaluar prekjen e fëmijëve nga poliomeliti, ata duhen vaksinuar dhe rivaksinuar, veçanërisht kur situata sanitare është e keqe.

“Në këto mjedisie me infeksione të shpeshta, rreth 15 doza cilësohen si të përshtatshme”, thotë zoti Iqbal Memon.

Një nga problemet në Pakistan dhe Afganistan është qasja tek fëmijët. Shumë familje migrojnë nga njëri vend tek tjetri, duke vështirësuar vaksinimin e çdo fëmije. Oliver Rosenbauer është me Nismën Globale të Organizatës Borëtore të Shëndetit për Zhdukjen e Poliomelitit.

“Të dy vendet duhet të punojnë sëbashku kundër virusit, punë që po vjen duke u shtuar. Ata po ndajnë të dhëna, kordinojnë datat e vaksnimit në fushatat e tyre dhe ndajnë të dhëna për mbikëqyrjen. E gjithë kjo punë ka ndikim.”

Synimi është dhënia fund e transmetimit të virusit të poliomelitit. Për këtë nuk ka datë por dhënia fund është thelbësore.

“Nëse rasten nuk shuhen totalisht, pasi është një sëmundje shumë ngjitëse, dhe e prirur që të bëhet epidemike, ne rrezikojmë që kjo sëmundje të përhapet përsëri në të gjithë botën”, thotë zoti Rosenbauer.

Suksesi nuk është aspak i sigurtë, por Nisma Globale për Zhdukjen e Poliomelitit synon të vazhdojë fushatën deri sa asnjë fëmijë të mos preket më kurr nga poliomeliti.

voa

Hidrocentrale në Kosovë. Balanca mes nevojave energjetike e mbrojtjes së mjedisit

HidrocentraleRrjedha e lumit Lumbardh në grykën e Deçanit në Kosovën perëndimore, është shndërruar në çështje përplasjesh në mes të atyre që synojnë ndërtimin e hidrocentraleve dhe mbrojtësve të mjedisit.

Përgjatë rrjedhës së tij kanë mbirë katër projekte hidrocentralesh, duke nxitur reagimin dhe protestat e banorëve të drejtuara nga organizata mjedisore ERA.

Fatos Lajçi nga kjo organizatë, thotë se këto ndërtime po e mbysin lumin.

“Për neve brengosëse është vdekja e një lumi. Pas meje ne shohim një digë të betonuar ku lumi vdes te kjo digë, pra nga këtu e lart nuk ka më jetë ujore. Sipas ligjeve të shtetit tonë, kompania është e obliguar ta respektojë 30 për qindëshin që njihet si minimumi biologjik, pra 30 për qind e lumit duhet të jetë duke rrjedhur nga kjo digë që në këtë moment ne e shohim që nuk është duke rrjedhur aspak”,tha ai.

Çështja e ndërtimit të një hidrocentrali vazhdimisht ka ngritur shqetësime dhe akuza edhe ndërmjet institucioneve rreth përgjegjësisë për dhënien e licencave.

Afrim Ajvazi, udhëheqës i Departamentit Ligjor dhe Licencimit në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë thotë se dy nga tri hidrocentralet që janë ndërtuar në lumin Lumbardh të Deçanit kanë pëlqimin e autoriteteve lokale dhe qendrore.

“Ato hidrocentrale dy janë në operim edhe pse të gjitha lejet e mundshme që lëshohen prej institucioneve lokale dhe qendrore i kanë të siguruara, e kanë edhe pëlqimin mjedisor që është dokumenti i parë para lëshimit të lejes mjedisore edhe ne si zyre kemi lejuar të hyjnë në funksion sepse nuk kemi pasur asnjë sinjal prej ministrisë së mjedisit e cila është përgjegjëse për mjedisin se ky hidrocentral është në kundërshtim me mjedisin”,tha ai.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, thotë se komuna ka lëshuar pëlqim mjedisor për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve por kompania nuk e ka respektuar marrëveshjen.

“Ne kemi bërë një marrëveshje me kompaninë që kompania para së të fillojë me punime është dashur t’i prezentojë të gjitha lejet nga të gjitha institucionet relevante në Republikën e Kosovës, gjë të cilën nuk e ka bërë. Ne e kemi një dokument të shkruar me kompaninë që të respektohen diku tetë kritere që sipas neve është e saktë dhe e drejtë kjo që kemi kërkuar nga ata, në anën e kundërt nuk janë respektuar këto kritere”,tha zoti Ramosaj.

Zoti Ramosaj, thotë se autoritetet lokale nuk janë kundër investimeve të huaja, por kërkojnë zbatimin e kushteve siç është rivitalizimi i zonës ku janë zhvilluar punimet dhe respektimi i minimumit biologjik.

Leotrim Sahiti nga ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thotë se pëlqimet mjedisore për këto hidrocentrale janë dhënë para vitit 2016, ndërsa që atëherë ministria ka pezulluar shqyrtimin e lejeve të reja, derisa të kryhet një studim i ri mbi mundësitë reale për hidro energji në Kosovë.

“Në Kosovë të gjithë operatorët të cilët janë duke vazhduar procedurat për ndërtimin e hidrocentraleve asnjë prej tyre nuk posedon leje mjedisore, që nënkupton se asnjë operator nuk do të lejohet që të ketë operim. Ne kemi pasur një operim ilegal në komunën e Deçanit për çka e kemi njoftuar edhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë duke kërkuar nga ata që derisa të mos plotësohen të gjitha kushtet për paisje me leje mjedisore nga operatori ekonomik, nuk do të lejohet që ai operator të operojë dhe të shesë energji”,tha zoti Sahiti.

Zoti Ajvazi thotë se përgjegjësi e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është vetëm bashkërendimi i procesit të ndërtimit të një hidrocentrali.

“Kjo zyre nuk përgjegjët për shfrytëzimin e ujit, kjo zyre nuk përgjegjët për ndikimin në mjedis, as për tokë, as për leje ndërtimit, janë komunat dhe posacërisht ministria e Mjedisit dhe shpesh dëgjojmë debate që ky hidrocentral po e keqpërdor ujin, ky hidrocentral po e ndot mjedisin, po janë institucionet sikurse ministria e Mjedisit dhe atyre duhet t’u drejtohet. Ne vetëm i bashkërednojmë veprimet, udhëzojmë aplikuesin cilat leje duhet të sigurohen dhe të cilat institucione duhet të drejtohen”,tha zoti Ajvazi.

Leotrim Sahiti nga ministria e Mjedisit thotë se në rast që kompanitë nuk i përmbushin kushtet e kërkuara, ministria do të ndërmarrë masa.

“Për të gjithë operatorët që nuk përfundojnë me kohë projektin dhe nuk kthejnë gjendjen e mjedisit në gjendjen e mëparshme ne nuk përjashtojmë mundësinë e tërheqjes së dokumenteve të cilat vet i kemi lëshuar si pëlqimin ujor, lejen ujore e pëlqimin mjedisor me të cilat operatori ka të drejtë të operojë në emër të testimit mirëpo jo të shesë energji”,tha ai.

Zoti Sahiti thotë se ndërtimi i hidrocentraleve apo prodhimi i energjisë së ripërtëritshme është pjesë e direktivave të Bashkimit Evropian për Kosovën, por garanton qytetarët se ato do të përmbushen pa i dëmtuar interesat e tyre.

Por, Fatos Lajçi nga organizata ERA thotë se pasojat e pariparueshme të ndërhyrjeve të tilla në lumenjtë e Kosovës, do të shfaqen pas shumë vitesh.

“Kemi të bëjmë me një kërcënim nga thatësira, Ballkani do të jetë pika e kuqe që do të sulmohet nga thatësira në vitet në vijim. Prandaj mendojeni kur lumi nuk rrjedh në shtratin e tij të egër natyral por futet në tuba, atëherë të gjitha degëzimet e tij që krijojnë burime tjera nëntokësore do të thahen me kalimin e viteve dhe nuk do të ketë ujë, ky është një fakt shkencor”, tha zoti Lajçi.

Në Kosovë aktualisht janë duke operuar nëntë hidrocentrale nga 16 sa janë ndërtuar dhe sipas ekspertëve, ky është një kapacitet i mjaftueshëm pasi që Kosova nuk është vend me mundësi të mëdha hidro energjetike.

voa