Kosovë: Ambasadori amerikan mbështet seancën për mocionin e votëbesimit

KosnetAmbasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, përmes një postimi në rrjetin twitter, mbështeti vendimin për mbajtjen e seancës së parlamentit të Kosovës për të shqyrtuar mocionin për votëbesimin ndaj qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

Kryesia e parlamentit të Kosovës, vendosi që seanca të mbahet të mërkurën në orën 11. Lidhja Demokratike e Kosovës, që është pjesë e koalicionit qeverisës, dorëzoi mocionin katër ditë më parë. Mocioni pasoi shkarkimin e ministrit të Brendshëm nga radhët e saj, Agim Veliu nga ana kryeministrit Albin Kurti dhe siç është thënë mos heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe.

“Jam i kënaqur të shoh që parlamenti nesër do ta mbajë seancën mbi mocionin e votëbesimit. Siç i kam thënë kryeministrit Kurti sot, është e rëndësishme që parlamenti dhe të gjitha institucionet ta respektojnë Kushtetutën”, shkroi ambasadori Kosnett.

Mocioni është mbështetur nga opozita ndërsa është kritikuar nga diplomatë evropian, vëzhgues e analistë që e cilësojnë këtë zhvillim politik si shumë të dëmshëm në një kohë kur vendi po përballet me pandeminë e virusit COVID-19.

Ndryshe nga ambasadori Kosnett, ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës i kërkuan me herët gjatë ditës Lidhjes Demokratike e Kosovës të rishqyrtojë vendimin për mocionin e mosbesimit.

Të dy ambasadat i kanë nisur një letër proteste zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti, që të kërkojë nga kryetari i partisë së tij, të qëndrojë në qeveri.

“Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës i kanë nisur kërkesë të përbashkët zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti që të njoftojë kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa mbi shqetësimet e dy kryeqyteteve tona. Gjermania dhe Franca qëndrojnë përkrah me popullin e Kosovës në këtë krizë. E ftojmë LDK-në të rishqyrtojë vendimin për mocionin e mosbesimit dhe ta mbajnë qeverinë të besueshme dhe të qëndrueshme për t’u përballur me sfidat”, shkruan ambasadat gjermane e franceze në rrjetet sociale.

Mocioni është kundërshtuar edhe nga kryetarja e parlamentit, Vjosa Osmani, e cila tha se para mbledhjes së kryesisë është këshilluar me autoritetet shëndetësore lidhur me sigurinë e mbledhjes së seancës në kohë pandemie, dhe ka marrë një sërë rekomandimesh të cilat administrata e parlamentit, siç tha ajo, nuk është në gjendje t’i plotësojë.Pavarësisht kësaj, tha ajo, mbajtja e seancës u votua nga katër përfaqësues të partive politike, ndërsa u kundërshtua nga dy anëtarë. Zonja Osmani përsëriti qëndrimin e saj kundër mocionit për rrëzimin e qeverisë, duke i bërë jehonë thirrjes së diplomatëve perëndimorë për ruajtje të unitetit institucional në këtë kohë të vështirë për popullin e Kosovës, si dhe ruajtje të integritetit dhe funksionaliteti të qeverisë dhe institucioneve tjera.Ajo tha se beson që ka pasur hapësirë për gjetjen e një zgjidhjeje në mes të partnerëve të koalicionit qeverisës, ashtu që në kohë krize shëndetësore të mos shtohet edhe barra e krizës politike, duke u bërë thirrje të gjithë deputetëve që të mos e mbështesin këtë mocion.

Në orët e mbrëmjes, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se “nuk është e natyrshme që dikush të jetë me LDK-në dhe kundër vendimeve të LDK-së”.

Në një postim në rrjetet sociale zoti Mustafa shkroi se “LDK-a dhe Kryesia e saj nuk e ka zgjedhur kohën e Coronavirusit për të hapur këtë proces, por e zgjodhi Kryeministri Kurti me sjelljet dhe veprimet e tij arbitrare dhe me shkeljen e Marrëveshjes qeverisëse. Njerëzit e LDK-së pritet ta duan dhe ta respektojnë LDK-në”.

Ai tha se Lidhja Demokratike “nuk mburret që është unike vetëm kur ndanë pozita, por edhe kur sfidohet, pra kur duhet të solidarizohet me veprimtarët e saj që padrejtësisht atakohen, shpallen tradhtar dhe etiketohen nga ata që shpresuam se do të qeverisim bashkë”.

Duke bërë thirrje për mbështetje të vendimeve të partisë së tij, ai nënzioi se “nuk është e natyrshme që dikush të jetë me LDK-në dhe kundër vendimeve të LDK-së. Kjo sjellje duhet të merr fund”.

Qeveria e koalicionit ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike është formuar në fillim të muajit shkurt dhe është gjetur nën trysni për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe që u vendosën në nëntor të vitit 2018, duke çuar në pezullimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Lidhja Demokratike nuk është pajtuar me qëndrimin kryeministrit Kurti për heqjen e kushtëzuar të tarifave, duke kërkuar që ato të hiqen tërësisht sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, të cilat tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>