Kosovë: arrestime në vigjilje të 8 vjetorit të pavarësisë

Në shënimin e 8 vjetorit të pavarësisë në Kosovë, tri parti politike opozitare protestojnë duke kërkuar rrëzimin e qeverisë. Arrestimet e aktivistëve të Vetëvendosjes ashpërsojnë gjuhën politike një ditë para protestës.

KosovaPolicia e Kosovës gjatë një aksioni të saj në orët e para të mëngjesit (16.02)arrestoi shefin e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca. Një ditë më parë policia arrestoi edhe njërin nga zëdhënësit e kësaj partie, Frashër Krasniqi dhe disa aktivistë të tjerë. Edhe deputeti Konjufca, zëdhënësi Frashër Krasniqi dhe 25 aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes që janë në kërkim, akuzohen për dëmtime të veturave të misionit EULEX-it gjashtë vjet më parë në një parking mbrapa Pallatit të Rinisë.

Policia e Kosovës konfirmon se mbrëmjen e së hënës dhe mëngjesin e së martës është realizuar një aksion për zbatimin e vendimeve të organeve gjyqësore. “Bëhet fjalë për realizimin e urdhëresave ligjore që dalin nga organet e drejtësisë, dhe është obligim i policisë për t’i realizuar këto urdhëresa”, thotë njëri nga zëdhënësit e Policisë se Kosovës, Daut Hoxha.

Të menjëhershme ishin reagimet e partive politike opozitare, lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Nismës për Kosovën, të cilat të mërkurën më 17 shkurt në shënimin e tetë vjetorit të pavarësisë, organizojnë protesta për rrëzimin e qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje në një reagim të saj, thotë se “gjatë natës, fshehtazi, Policia e Mustafës dhe Thaçit, e urdhëruar nga EULEX-i, hyri në shtëpitë e shumë aktivistëve për t’i arrestuar ata”.

“Pas propagandës e shpifjeve policeske se kinse paskan informata për përgatitjen e akteve të dhunës në protestë, ata vazhduan me aksionin e tyre policor për të mbjellë frikë. Sot herët në mëngjes u arrestua në banesën e tij drejtuesi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, ndërkohë që në Vushtrri policia arrestoi aktivistin Kasim Uka. Kjo qeveri po i numëron ditët e saj të fundit në pushtet. Dhe secilën prej këtyre ditëve po e vendos në funksion të projektit kriminal të Vuçiqit, ‘Zajednicës’. Kushdo që e kundërshton Serbinë në Kosovë po arrestohet”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Edhe dy partitë e tjera opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, thonë se “arrestimet e aktivistëve të Vetëvendosjes, një ditë para protestës së 17 shkurtit, për vepra të kryera shumë vite më parë, është një ndërmarrje e kalkuluar, në mënyrë që të reflektojë keq dhe të nxisë dhunë në protestën e nesërme”.

Tri parti politike opozitare protestojnë për rrëzimin e qeverisë më 17 shkurt në shënimin e tetë vjetorit të pavarësisë, ndërkaq, partitë në pushtet me gjasë do të mbajnë seancë solemne në Kuvendin e Kosovës për të shënuar këtë përvjetor të pavarësisë. Mbajtjen e mundshme të seancës solemne, opozita e quan provokim dhe nëse ndodh ata nuk do të jenë të pranishëm në sallë.

Përfaqësuesit ndërkombëtare të pranishëm në Kosovë vazhdimisht u bëjnë thirrje partive në opozitë që të kthehen në Kuvendin e Kosovës dhe me argumente të argumentojnë qëndrimet e tyre. Sipas ambasadorëve të QUINT-it, krizat politike të vazhdueshme po e dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës dhe jetën e qytetarëve. Kriza e fundit politike në Kosovë dhe protestat e opozitës nisën që nga nënshkrimi më 25 gusht të vitit të shkuar i marrëveshjes Kosovë-Serbi, për asociaciononin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Të dy këto marrëveshje u kundërshtuan nga opozita, ndërsa, mbroheshin nga qeveria e Kosovës. Së fundi kërkesa e opozitës për rrëzimin e qeverisë erdhi pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi që në disa pika “marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk ishte në frymën e Kushtetutës së Kosovës”. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>