Vuçiç kërkon ndihmën e Putinit për Kosovën

vucic putinPresidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të dielën se Rusia pa hamendje dhe qartazi do të paraqesë qëndrimet e saj për Kosovën dhe do të ndjekë tërë procesin e normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë, ku do të marrë pjesë në manifestimet me rastin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti serb vuri theksin tek marrëdhëniet e ngrohta ndërmjet dy vendeve duke vlerësuar veton që Rusia i vuri në vitin 2015 rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për ta cilësuar masakrën e Srebrenicës në Bosnjë si gjenocid.

Presidenti serb është ndër udhëheqësit e paktë të shteteve që do të marrin pjesë në manifestimet e 9 majit në Moskë, që po bojkotohen nga shumë udhëheqës botërorë për shkak të tensioneve pas helmimit të spiunit rus në Londër, Sergei Skripal, por edhe tensioneve diplomatike që lidhen me veprimtaritë ruse në pjesë të ndryshme të botës.

Presidenti serb e siguroi presidentin rus sërish se Serbia do të ruaj neutralitetin ushtarak, nuk do të jetë pjesë e NATO-s dhe asnjë aleance tjetër ushtarake dhe nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë.

Ai tha pas takimit se “pa Rusinë, është e pamundur, të arrihet çfarëdo zgjidhjeje”, për Kosovën.

“Ia përsërita disa herë (Putinit) se Serbia është e gatshme për kompromis me shqiptarët e Kosovës, porse nuk është dhe kurrë nuk do të jetë e gatshme të pranojë poshtërimin e saj. E lutëm Putinin që Rusia si njëri nga shtetet më të rëndësishme dhe më të fuqishme në Kombet e Bashkuara, të ndihmojë në zgjidhjen e problemit të Kosovës”, tha ai.

Viti 2018 është periudhë kur Bashkimi Evropian pret përparim në bisedimet ndërmjet Kosovës që ka shpallur pavarësinë në shkurt të vitit 2008 dhe Serbisë që kundërshton shtetësinë e saj, për një marrëveshje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe kjo është kushti themelor për përparimin e të dyja vendeve drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Rusia e cila ka shtuar përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e saj në Ballkan, vazhdon të mbështesë Serbinë e cila po ecën nëpër vijën e ngushtë ndërmjet synimeve për t’i integruar në Bashkimin Evropian dhe ruajtjes së lidhjeve me Moskën. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>