Diplomatet ndezin alarmin! Seriozisht të brengosur dhe shqetësuar për situatën

Ambasadorët e vendeve të BE-së në Maqedoni, siç mëson ALSAT M nga burime diplomatike, në takimin e mbrëmshëm kanë shfaqur shqetësimin e tyre serioz për situatën në vend. Takimi është thirrur dhe ka qenë i fokusuar vetëm mbi rastin “Puçi” në të cilin kryeministri Gruevski akuzoi liderin e opozitës Zaev për kërcënim dhe grusht-shtet. Në këtë takim është analizuar situata e re e krijuar në vend dhe janë shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe pasojat që mund të burojnë nga ajo. Sipas burimeve të ALSAT M, diplomatët e huaj kanë ndezur alarmin mbi seriozitetin e situatës në vend. Në reagimet e para zyrtare që patën menjëherë pas konferencës denoncuese të kryeministrit Nikolla Gruevski, ata iu bënë thirrje institucioneve maqedonase që t’i hetojnë akuzat serioze në një proces transparent, në përputhje me standardet ndërkombëtare, ku kuptohet, e rëndësishme është prezumimi i pafajësisë. Shqetësimi tjetër serioz që kanë shprehur diplomatët janë marrëdhëniet ndëretnike në vend, e që në këtë rast dikush mund t’i keqpërdor për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit nga situata aktuale politike. Nga ana tjetër vazhdon lufta psikologjike mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së. Në selinë opozitare sot heshtje, pas paralajmërimeve të djeshme se të premten do të vendosin për ditën e fillimit të publikimit të “bombave”. Hesht edhe VMRO DPMNE-ja dhe kryeministri Gruevski, i cili nuk ka bërë paraqitje publike që nga e diela e kaluar. Në pritje të zhvillimeve të reja edhe partitë shqiptare, BDI dhe PDSH. Partia e Ahmetit mbetet në reagimin fillestar për procedim transparent të akuzave, ndërsa PDSH-ja ende nuk është prononcuar lidhur me “bombat” dhe akuzat për “puç”. Benjamin Arifi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>