Konfirmohet: Gruevski në Hungari; kërkon strehim politik

GruevskiAutoritetet hungareze kanë konfirmuar se ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ndodhet në Hungari, ku ka këruar strehim politik. Organe përkatëse hungareze e kanë njoftuar Ministrinë maqedonase të Punëve të Brendshsme për këtë.

Zoti Gruevski, i cili kërkohet nga autoritetet e rendit, është paraqitur më herët të martën përmes Fejsbukut, duke bërë të ditur se ndodhej në Hungari ku po kërkon strehim politik.

Në disa ditë të fundit mora kërcënime të shumta me jetë. Tash jam në Budapestë dhe kam kërkuar strehim politik nga autoritetet hungareze. Gjithmonë do të mbetem besnik ndaj kauzës për Maqedoninë. Asnjëherë nuk do të tërhiqem”, shkruhet në statusin e Fejsbukut të Nikolla Gruevskit. Ish-kryeministri maqedonas kishte raporte shumë të mira me kryeministrin hungarez Victor Orban deri sa ishte në krye të qeverisë në Shkup, por edhe më pas.

Ministria e jashtme në Shkup e ka thirrur ambasadorin hungarez në Maqedoni, i cili po ashtu ka konfirmuar ndodhjen e zotit Gruevski në Hungari.

Organet e rendit në Shkup thonë se ish-kryeministri nuk është larguar nga vendi përmes vend-kalimeve zyrtare kufitare. Atij i është konfiskuar pasaporta prej para më tepër se një viti, që kur filluan proceset gjyqësore kundër tij.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ndërkaq duke iu shmangur përgegësisë, ka fajësuar gjykatën penale “që nuk i caktoi Gruevskit masën e paraburgimit, duke ditur se ai mund të arratisej”. Organet maqedonase të rendit thonë se policia nuk mund të ndjek pa autorizim gjyqësor asnjë person.

Ndërsa, gjykata ka njoftuar se nuk ishte kërkuar masë paraburgimi për të akuzuarin Nikolla Gruevski.

Policia ka kontrolluar mbrëmë banesën e zotit Gruevski në Shkup dhe ka ndaluar shumë makina që dilnin nga një garazhë pranë selisë së VMRO-DPMNE-së për të kontrolluar nëse ai fshihej brenda tyre. Autoritetet e rendit prisnin të marrin urdhërin nga gjykatat për ta kontrolluar edhe selinë e partisë më të madhe opozitare të njohur si “Pallati i bardhë”.

Zoti Gruevski, i cili aktualisht është deputet në parlament, nuk është parë që nga e enjtja e kaluar në mbrëmje pasi truprojat e angazhuara nga Ministria e rendit e kishin shoqëruar deri para shtëpisë, pas një procesi gjyqësor që zhvillohej kundër tij. Ministria e Punëve të brendshme të hënën shpalli fletarrest për të dhe ai është në kërkim, megjithëse ende jo ndërkombëtar. Madje njoftimi është shpallur edhe në faqen zyrtare të ministrisë.

Nikolla Gruevski duhet ta vuajë dënimin prej dy vjetësh burg për shkaktë ushtrimit të ndikimit për blerjen përmes një tenderi të jashtligjshëm të një makine Mercedes të blinduar me një shumë prej rreth 600 mjë eurosh, para të buxhetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nga ana tjetër, kundër tij zhvillohen edhe katër procese paralele gjyqësore nën akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion, veprime të jashtëligjshme dhe vepra penale. (voa)

Përndryshe tek popullata shqiptare nëpër forume të ndryshme mbizotëron një eufori e pakuptimtë në vend që të ndjehen të mllefosur dhe të revoltuar pasi që ka ikur ende nuk dihet me ose pa marrëveshje me pushtetarët e sotëm dhe me paratë e tona dhe si dëmtues i jashtëzakonshëm i ardhmërisë dhe perspektivës së fëmijëve tanë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>