Regjistrimi i popullatës në Maqedoni në prill 2020, pa deklarim të përkatësisë kombëtare dhe fetare

shkupiRegjistrimi i popullsisë në Maqedoni do të zbatohet në prill të vitit 2020 dhe nuk parashihet që për të ketë grafa për përkatësinë etnike dhe fetare të qytetarëve, njoftoi në takimin e sotëm me gazetarët drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave Apostol Simovski.
Simovski tha se për realizimin e kësaj ndërmarrjeje është planifikuar që të angazhohen rreth 5.000 regjistrues në tetë gjuhë, me çka do të shfrytëzohet metodë e kombinuar: të dhënat në terren dhe të dhënat në regjistra.
Metoda e kombinuar, siç sqaroi ai, bazohet në të dhënat e fituara në terren përmes regjistrimit individual me të dhëna nga baza statistikore e para regjistrimit të të dhënave të marra nga regjistrat ekzistues që janë të lidhura me shfrytëzimin e  numrit të amzës të qytetarëve.
Për ndërtimin e bazës së ardhshme të regjistrimit do të shfrytëzohen të dhëna nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, MPB, Agjencia për Kadastër të Patundshmërive, Agjencia për Punësim, Fondi për Sigurim Shëndetësor, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Regjistri Qendror, DAP, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme.
Sipas Simovskit, regjistrimi do të kushtojë 8,5 milionë euro, prej të cilave 3,5 milionë euro do të jenë për Pilot regjistrimin që do të zbatohet në prill të vitit 2019 dhe për furnizimin e mjeteve, ndërsa pesë milionë euro për personat të cilët do të angazhohen për zbatimin e regjistrimit në vitin 2020.
Me propozim të Entit Shtetëror Statistikor në draft versionin e ligjit për regjistrim kërkohet që të mos ketë pyetje për përkatësinë etnike dhe fetare që regjistrimi të mbrohet nga politizimi, por të ketë pyetje për gjuhën, gjegjësisht  për gjuhën e cila flitet në familje dhe për gjuhën amë.
Draft ligji për regjistrimin më së voni të hënën do të vendoset në Regjistrin e vetëm kombëtar elektronik të rregullave të RM-së (RVKE) me qëllim që të merren vërejtjet nëse ka në tekstin e ligjit, deri në fund të vitit pritet që ligji të kalojë procedurën qeveritare, ndërsa në shkurt të vitit të ardhshëm të sillet edhe deri te Kuvendi.
Regjistrimi provë do të zbatohet në prill të vitit 2019 në 32 rajone regjistruese, ndërsa do të përfshihen katër rajone regjistrimi në tetë rajone. Siç tha Simovski, regjistrimi provë do të zbatohet në Gostivar, Zelenikovë, Kisella Vodë dhe në Sveti Nikole, ndërsa do të përfshijë 3.000 amvisëri.
Me regjistrimin e vitit 2020 do të regjistrohet popullsia e cila është në Maqedoni, si dhe të huajt të cilët qëndrojnë jashtë vendit më shumë se një vit, por do të bëhet edhe regjistrimi i mungesës së popullsisë e cila është jashtë shtetit më shumë se një vit.
Drejtori i ESHS-së theksoi se regjistruesit do të jenë persona nga popullsia lokale, të trajnuar mirë, të cilat do të duhet të kenë njohuri nga IT teknologjia, sepse  regjistrimi do të bëhet me laptop, e jo me pyetësor në letër.
Me regjistrimin në këtë mënyrë, siç theksoi Simovski, do të zvogëlohet koha  për grumbullimin e të dhënave, do të ulen shpenzimet për operacionin e regjistrimit si dhe koha e nevojshme për përpunimin e të dhënave. Në regjistrimet e kaluara të dhënat ishin përpunuar për një vit e gjysmë, ndërsa tani planifikohet që kjo të përfundojë për jo më shumë se tre muaj.
Eksperti ndërkombëtar për regjistrim Verner Haug në brifingun me gazetarët i prezantoi standardet ndërkombëtare zbatimin e regjistrimit të popullsisë. (g.e)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>