Vazhdon greva, në disa shkolla dërgohen mësues zëvendësues

Në disa shkolla të vendit me vendim të Ministrisë së Arsimit janë dërguar mësimdhënësit e parë zëvendësues për të mbajtur procesin mësimor, për shkak të grevës.Persona që janë deklaruar si arsimtarë të lëmive të ndryshme kanë shkuar sot në disa shkolla të Shkupit, po zhvillohet greva.

Ministria e Arsimit dje kishte kërkuar nga sekretarët e shkollave që të dërgojnë listat e mësimdhënësve që janë në grevë.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK), e cila ka theksuar se me këto kte po bëhet presion dhe frikë ndaj mësimdhënësve, për të ndërprerë grevën. “Në disa shkolla në Shkup janë sjellë mësimdhënës nga shkollat e tjera të cilët janë mësim në ndërrim të dytë, apo varësisht prej orarit të tyre. Ata kanë dërguar njerëzpavarësisht se nuk kanë përgaditjen e duhur apo adekuate profesionale për lëndët e caktuara”, theksuan nga SASHK.

Sindikata prej dje vendosi fillimin e grevës dhe se ky vendim është përkrahur nga shumë shkolla në komunat e vendit. SASHK kërkon rritjen e rrogave për 25 për qind për punonjësit e arsimit si dhe përmirësimin e kushteve në procesin mësimor në arsimin e mesëm dhe fillor. (INA)

Greva në arsim, vazhdon të mbahet në të gjitha shkollat

Greva e mësuesve ka vazhduar edhe sot pothuajse në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Shkup. Nënkryetari i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës Ilirjan Çavolli thotë se presionet e autoriteteve për të penguar grevën, janë të mëdha. Ai tha se shkolla fillore ku ai jep mësim, numëron 72 anëtarë të sindikatës prej gjithsej 100 mësuesve, të cilët pa dëshirën e tyre, po mbajnë orët e mësimit. Çavolli tha se dëshmi për presionet e mëdha në këtë shkollë ishte edhe prania e këshilltarit të Ministrisë së Arsimit Safet Neziri, i cili bashkë me Inspektorin e Arsimit të Komunës së Gazi Babës i kanë dhënë instruksione drejtorit se çfarë presione të ushtrojë.

“Mos-kënaqësia vjen pas sjelljes që më befasoi se vetë Safet Neziri, është ish nxënësi im, edhe drejtori është ish nxënësi im d.m.th unë kam harxhuar energji, me respekt ndaj të dyve. I ka mbyllur lokalet ndihmëse me çelës që mos të na lejojë neve asnjë kafe të pimë, por kur e pash se edhe tualeti ishte i mbyllur me çelës, është Non-Sense, nuk kuptoj! Kujtoj se mbreti Hirohito i Japonisë hapur kishte thënë se të gjithë mua më përkulen, por nuk lejojë mësuesi të përkulet pasi ai më ka sjellë mua ku jam tani”, u shpreh Ilirjan Çavolli, nënkryetar i SASHK-ut.

Ndërkaq, në një pjesë të shkollave, Ministria e Arsimit ka nisur tashmë zëvendësues të mësuesve që prej dy ditësh janë në grevë. Një prej këtyre shkollave ku mësuesit po zëvendësohen, është edhe shkolla fillore ‘Hristijan Todorovski Karposh’. 3 mësues zëvendësues erdhën këtë mëngjes… Ndërkohë ALSAT-M sot vizitoi edhe disa shkolla të Komunës së Sarajit, të cilat dukeshin të ishin solidarizuar me grevën e SASHK-un.

“Kjo është e vërteta dhe nuk është ashtu siç u përhap lajmi dje, se nuk ka grevë në Saraj, por numri i mësuesve që janë në grevë flet për këtë, të gjithë janë këtu, edhe në turnin e pasdites vazhdon njëjtë dhe këtu ka grevë dhe greva është e përgjithshme. Diku 120 mësues jemi dhe të gjithë jemi në grevë, edhe në shkollat periferike por edhe në vetë shkollën qendrore”, tha Ramadan Sejfullahu, përfaqësues i Sindikatës SH.F ‘Dituria’.

Në Komunën e Haraçinës, të gjitha shkollat janë gjithashtu në grevë. Ata thonë se kërkesat e SASHK-ut janë legjitime dhe do t’i përkrahin deri në fund.

“Ne si kolektiv pranë kësaj shkolle e përkrahim grevën dhe qëndrojmë pas atyre kërkesave që ka parashtruar SASHK-u për t’i plotësuar MASH-i. Jemi përafërsisht 130 mësues dhe e përkrahim 100% grevën”, u shpreh Shqipe Buçi, përfaqësuese e Sindikatës SH.F ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’.

“Janë 6 kërkesa, tërheqja e testimit ekstern e cila është e panevojshme të bëhet pasi suksesin nuk mundet Ministria ta caktojë përmes një testimi pyetjet e të cilit ishin totalisht të dështuara. Kolektivi yni është 100% në grevë, nuk ma merr mendja se ka dështuar kjo grevë, por ato janë vetëm manipulime që mund të organizojnë strukturat e ndryshme”, deklaroi Abaz Azemi, mësues.

Në kryeqytet, në shumë shkolla fillore dhe të mesme mund të vërehen korridore dhe klasa të zbrazura, si dhe parulla në të cilat shkruan “Grevë”. Mësuesit edhe sot u paraqitën nëpër vendet e tyre të punës, por orë mësimi nuk mbajtën. Një javë para nisjes së grevës së SASHK-ut, në një konferencë për shtyp dolën disa mësues kundër-grevistë, të cilët thanë se qëllimi i bojkotit është personal i kreut të Sindikatës, për të fituar një mandat të ri në krye të saj. Nga Sindikata thanë se ata janë njerëz të afërt të pushtetit. Valmir Kuçi

Maqedonia shumë larg BE-së

Rruga e Maqedonisë drejtë anëtarësimit në Bashkim Evropian do të jetë e gjatë dhe me shumë sfida.Në këtë proces shteti i ri duhet të përkushtohet më shumë në zgjidhjen e kontestit të emrit, sundimin e ligjit, dialogun politik, lirinë e 35ve dhe në përgjithësi të drejtat e njeriut.

Këto kushte i ri theksuan mbasadori i Letonisë në Shkup, Albert Sarkanis, vendi i të cilët po udhëheq me presidencën e Bashkimit Evropian dhe Ambasadori i BE-së Aivo Orav.

Ambasadori letonez tha se përpos përmbushjes së kritereve ekonomike dhe politike vendi duhet të angazhohet më shumë për zgjidhjen e emrit, pasi siç tha ai, BE-ja nuk mund të zgjidhë problemet bilaterale.

“Më shumë ide, më shumë energji dhe më shumë punë duhet në planin bilateral me Greqinë, jo vetëm në nivel të qeverive por edhe shoqërisë civile. Madje historianët e të dyja shteteve duhet të punojnë dhe të gjejnë zgjidhje të përbashkët, askush nga jashtë nuk do të vendos në tavolinë se si duhet të veproni. BE-ja nuk mund urdhëroj apo përmes ndonjë rregullative të zgjidh çështjen, kjo çështje është bilaterale”, deklaroi Sarkanis.

Ndërkaq, ambasadori i BE-së në Shkup Aivo Orav tha se Maqedonia duhet ta përmirësojë dialogun mes partnerëve dhe aktorëve kryesorë politikë.

Ai paralajmëroi vizitën e komisionarit të ri për zgjerim Johanes Han, mirëpo kërkoi që sa më shpejtë të jetë e mundur të zgjidhet kriza politike.

“Për sa i përket komisionarit Han, ne po përgatisim vizitën e tij në Shkup në fund të shkurtit, por një nga çështjet kyçe që duhet të bëhet paraprakisht është pikërisht dialogu politik sepse ne duhet të shohim të paktën fillim të dialogut politik, të gjitha palët, partitë janë të interesuar të zgjidhin problemin. Sepse në një situatë kur opozita nuk është në parlament dhe po diskutohen amendamentet kushtetuese, kjo nuk është shenjë e mirë, pra ekziston nevoja që procesi të jetë gjithëpërfshirës” , theksoi Orav.

Diplomati evropian ka shprehur shqetësimin e tij të thellë edhe për lirinë e 35ve në vend. (lajm)

Minatorët nuk përfillin qeverinë, vazhdojnë grevën

Mbi 400 minatorë të kombinatit metalurgjik “Trepça”, po vazhdojnë grevën edhe në ditën e dytë, duke kërkuar nga autoritetet kompetente që të miratojnë një ligj të veçantë, në bazë të së cilit ky kompleks të kaloj në pronësi të Qeverisë së Republikës se Kosovës.Ahmet Tmava, drejtor i përgjithshëm në kombinatin “Trepça”, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se minatorët janë këmbëngulës të qëndrojnë në grevë deri në realizimin e kërkesës se tyre.

Ai thotë se mbetja e pozicionit të “Trepçës” nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), nënkupton pengim për zhvillimin e kësaj ndërmarrje.

Minatorët janë duke qëndruar në horizontin e tetë të minierës së “Trepçës”në Stantërg.

“Ky status i paqartë në një institucion që nuk jep hapësirë zhvillimi, duke qenë nën AKP, do të thotë të jesh i penguar për të ecur më tutje, është një mbijetesë e pa perspektivë, pa mundësi investimesh, pa mundësi të planeve zhvillimore. Elementi bazë është për të krijuar parim të zhvillimit”, tha Tmava.

Kombinati metalurgjik “Trepça”, është ndërmarrje shoqërore dhe si e tillë menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, ku shndërrimi eventual në ndërmarrje publike nënkupton kalimin e saj në pronë të Qeverisë së Kosovës.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, e konsideron të pa arsyeshme mbajtjen e grevës se minatorëve, pasi siç ka thënë ai, zgjidhja e problemit të kombinatit “Trepça” kërkon kohë.

“Ne konsiderojmë se arsye nuk është që të bëhet grevë në “Trepçë” sepse punëtorët janë të sigurt, “Trepça” është e sigurt, por asnjë gjë për “Trepçën” nuk mund të zgjidhet për një , dy ose tri ditë”.

“Unë mbrëmë kam biseduar më udhëheqësit e “Trepçës” dhe i kam sugjeruar që të vazhdojnë punën, që mos të ndërpritet, por nuk shoh asnjë arsyje që minatorët të qëndrojnë brenda sepse problemi do të zgjidhjet, por mund të zgjidhet vetëm në mënyrë normale dhe më një procedurë normale dhe më kohë”, ka thënë Mustafa.

Greva e minatorëve ka filluar pas vendimit të Qeverisë se Kosovës, kur të hënën është hequr nga rendi i ditës në Kuvendin e Kosovës çështja e pronësisë se kombinatit “Trepça”, kjo në kuadër të diskutimeve për ndryshimet në ligjin për ndërmarrjet publike.

Kuvendi i Kosovës, ndërkaq më procedurë të shpejtë ka miratuar një ligj tjetër, atë për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë se tyre, në mënyrë që t’i hapet rrugë riorganizimit të kompleksit “Trepça”.

Edhe drejtori i minierës me flotacion “Trepça” në Stantërg, Qazim Jashari, tha se minatorët nuk pajtohen më miratimin e këtij ligji dhe nëse qeveria nuk ndërmerr ndonjë vendim, Jashari ka paralajmëruar masa më radikale veprimi.

“Ky ligj vetëm e ka prolonguar çështjen e “Trepçës” për një kohë, sepse neve ende na menaxhon Agjencia Kosovare e Privatizimit, edhe është prolonguar afati i falimentimit për 18 muaj. Ne nuk jemi të kënaqur. Minatorët kërkojnë ligj të veçantë për “Trepçën” që kjo ndërmarrje të jetë publike“.

Por, zyrtarë të qeverisë kanë deklaruar se ligji i miratuar të hënën krijon kushtet për punë normale të “Trepçës’, duke evituar fillimin e procedurave për falimentim.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike kanë vlerësuar se në seancën e të hënës në Kuvendin e Kosovës, është parë se Qeveria e Kosovës ka hequr dorë prej synimit parësor që “Trepçën” ta shndërrojë në ndërmarrje publike, duke u dorëzuar përballë presionit nga Serbia, si dhe faktorëve tjerë.

Por, në një postim në rrjetin social facebook, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shkruar se vendimin, i cili krijoi kushte që Trepça të ballafaqohet me falimentim nga data 2 shkurt, nuk e solli Serbia, por Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, vendorët dhe ndërkombëtarët.

Por, Kuvendi i Republikës së Kosovës, me ndryshimin e ligjit për organizimin e ndërmarrjeve, evitoi mundësinë e falimentimit.

“Qeveria dhe Kuvendi janë të ndërgjegjshme të marrin të gjitha vendimet dhe masat më të mira për këtë kombinat dhe për ardhmërinë e këtij vendi”, ka shkruar Mustafa në facebook.

Kombinati “Trepça”, aktualisht merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut dhe është i vetmi prodhues i këtij lloji në Kosovë.

Ky kompleks operon në dy njësi, në jug dhe veri të Mitrovicës.

Por, përveç aseteve dhe degëve të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj, ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e 80-ta, me mbi 20 mijë punëtorë. (rel)

Letër e hapur e Albin Kurtit drejtuar aktivistëve dhe qytetarëve

Të dashur aktivistë të Lëvizjes,

Të nderuar qytetarë të Republikës,Si në aspektin politik e institucional, po ashtu edhe në atë ekonomik e shoqëror, Kosova kurrë nuk ka qenë më keq që prej se është shpallur pavarësia shtatë vite më parë. Koalicioni qeverisës që kushtëzohet prej Beogradit nëpërmjet Listës Serbe po e kthen prapa Kosovën në një shtet vasal të Serbisë, me varfëri e papunësi në popull, me krim e korrupsion në qeveri. Kur kësaj i shtohet edhe emigrimi i shtuar i të rinjve e të moshuarve, i grave, burrave e fëmijëve që kalojnë nëpër Serbi drejt Evropës perëndimore vetëm për të ikur nga Kosova, kuptojmë që e keqja në realitetin tonë e ka tejkaluar edhe imagjinatën më të errët.

Në anën tjetër, VETËVENDOSJE! asnjëherë nuk ka pasur më shumë simpati e vota në popull sesa në këtë kohë kur jemi në prag të shënimit të dekadës së parë të Lëvizjes sonë. Mirëpo, këtij aprovimi popullor që e gëzojmë kudo në Kosovë nuk i korrespodon një organizatë me struktura të fuqishme e rrjet të gjerë të aktivistëve dhe anëtarëve. Për pasojë, miratimi që koncepti, qëndrimet dhe aktivitetet tona hasin te qytetarët nuk po shoqërohet me përkrahje aktive e me angazhim konkret të tyre. Sot, nuk na nevojiten ide e program i ri, por një organizatë e re, që dëshirat i bën vullnet, ankesat i bën kritikë, e zemërimin e bën aksion.

Në Kosovë nuk ka zgjidhje pa popull dhe populli nuk është spektatori para televizorit por qytetarët në shesh. Popullsia si shoqëri është e ndarë në klasa dhe ne përgjithësisht e kemi mbështetjen e klasës së mesme. Sfida jonë vendimtare është mbështetja e domosdoshme nga të varfërit, nga ata që mezi mbijetojnë e kryesisht nuk e kanë as shkollimin e mesëm. E kemi obligim politik e moral, e kemi detyrë shoqërore e kombëtare që t’iu ndihmojmë të varfërve. Pa të varfërit në Kosovë nuk jemi me masat dhe vetëm masat i bëjnë transformimet e mëdha për të cilat Kosova ka nevojë jetike. Regjimi në fuqi nuk bie pa u ngritur të varfërit. Të varfërit nuk janë të përfaqësuar në institucione. Institucionet kanë pak ndjeshmëri për të varfërit. Prandaj, ne nuk duhet thjesht ta marrim pushtetin porsi një stafetë nga koniuktura e sotme, ne duhet edhe të krijojmë pushtet të ri. Për botëkuptimin e VETËVENDOSJE!-s, pushteti nuk është sikur ajo monedha e vjetëruar, për të cilën flet Mallarmé, e që pasohet në qetësi nga dora në dorë. Pushteti është infrastruktura institucionale e një bote të nesërme shoqërore që e përfytyrojmë qysh sot në betejë e sipër.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! që përfundoi me 11 janar 2015, morëm vendimin që ta vazhdojmë edhe për një vit ristrukturimin nëpër Qendrat tona. Po ashtu, thamë që unë do të kthehem në bazë sepse aty nevojitem më së shumti në një kohë kur Kosovës i nevojitet më së shumti vetëvendosja. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo për organizatën tonë. Mirëpo, që të bëhet e mundur një gjë e tillë, kam vlerësuar që nuk duhet të jem kryetar edhe këtë mandat. Thjesht, është e pamundur të punoj në bazë, me Qendrat e Pikat tona, me aktivistët që edhe e përbëjnë organizatën politike edhe e bëjnë një komunitet njerëzish, nëse në të njëjtën kohë jam edhe kryetar që duhet ta drejtoj e udhëheq të gjithë Lëvizjen. Nga menaxhimi prej lart duhet të kthehem te puna poshtë në mënyrë që ta lartësoj organizimin. Me fjalë të tjera, duhet zvogëluar aspekti reprezentativ për ta rritur atë organizativ.

E kuptoj brengën e shumë prej jush – se a thua ҫka mund të ndodh me Lëvizjen pa mua si kryetar i saj. Mirëpo, unë kam besim të pamatshëm në Lëvizjen dhe në të gjithë juve. Nuk mund të ketë vështirësi që na ndalin a sulme që na zmbrapsin.

Ky vendim është i jashtëzakonshëm. Sepse unë i përkas një Lëvizjeje të jashtëzakonshme siҫ është VETËVENDOSJE!. Unë s’kam qenë asnjëherë kryetar i zakonshëm. Dhe, tash, s’mund të jem zakonshëm kryetar.

Shteti republikan për drejtësi dhe bashkim dhe socialdemokracia për zhvillim e barazi nuk kanë alternativë. VETËVENDOSJE! është alternativa!

Përzemërsisht,

Albini

Fjalimi i Presidentit Obama: Ide të reja, sfida dhe shpresa për të ardhmen

Presidenti Barack Obama mbajti fjalimin për gjendjen e vendit, i pari para një sesioni të Kongresit që mbizotërohet nga republikanët, pasi ata morën kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.Në prag të fjalimit, anketat tregonin se popullariteti i tij është rritur falë përmirësimit të ekonomisë. Si rrjedhojë, fjalimi i tij u përqendrua gjerësisht tek sukseset në vend dhe në tema të tilla si propozimi për rritjen e taksave të të pasurve dhe firmave të mëdha financiare dhe hapat për të forcuar klasën e mesme. Por fjalimi u mbajt edhe në kushtet e rritjes së masave të sigurisë në Uashington dhe vende të tjera, pas sulmeve terroriste në Francë. Megjithëse fjalimi mbahet për publikun amerikan, situata e nderë në Evropë, zhvillimet ndërkombëtare dhe shqetësimi i ekstremizmit e bënë të pashmangshme diskutimin e politikës së jashtme dhe sigurisë globale.

Ishte hera e shtatë dhe e parafundit që Presidenti jepte Fjalimin për Gjendjen e Vendit.

Dhe vetëm dy minuta pasi kishte filluar fjalimin, presidenti e përmblodhi me një deklaratë optimiste gjendjen e vendit:

“Hija e krizës ka kaluar dhe gjendja e vendit është e fortë”.

Pasi foli për arritjet e vendit, ose më saktë të administratës së tij, përfshirë konsolidimin e ekonomisë dhe ritmin e shpejtë të hapjes së vendeve të reja të punës, si edhe rikthimin e trupave nga Afganistani dhe Iraku, Presidenti Obama iu kthye një pyetje sfidë që do shtjellohej edhe më pas në fjalimin që zgjati vetëm një minutë më pak se një orë.

“A do të pranojmë një ekonomi ku vetëm disa nga ne janë në gjendje shumë të mirë? Apo do të angazhohemi për një ekonomi që sjell të ardhura në rritje dhe shanse për të gjithë ata që përpiqen?”

Për një pjesë të mirë të fjalimit, Presidenti Obama sfidoi shumicën e re republikane duke përmendur tema që reflektojnë suksese të tij, si ulja e papunësisë, reforma e kujdesit shëndetësor dhe hapat për reformën e imigracionit.

“Përfundimi është i qartë. Ekonomia për klasën e mesme funksionon. Rritja e shanseve funksionon. Dhe këto politika do të vazhdojnë të funksionojnë përsa kohë politika nuk i pengon. Nuk mund të ngadalësojmë bizneset apo ta vëmë qeverinë në rrezik me mbylljen e saj ose me përplasje fiskale. Nuk mund të vëmë në rrezik sigurinë e familjeve duke iu hequr kujdesin shëndetësor, ose duke goditur rregullat e reja të Wall Street-it, apo duke rihapur betejat për emigracionin, kur kemi një sistem për të ndrequr”.

Presidenti nuk u druajt të thoshte se nëse masa të tilla që do të sfidonin arritjet e tij, vinin në tryezën e tij, ai do t’i vinte veton.

Ai bëri thirrje për bashkëpunimin e Kongresit dhe miratimin e masave që ai do të çojë tek ligjvënësit. Por propozime si ato për rritje taksash për më të pasurit, nuk ka shumë gjasa të miratohet nga shumica republikane.

Presidenti preku tema të tilla si nevoja për kujdes të përballueshëm për fëmijët, barazinë e pagës për gratë,përmirësimin e shanseve për arsimin dhe shanset e punësimit për veteranët që kthehen nga lufta, një nga pikat ku ai u përshëndet me një nga duartrokitjet më të gjata mes pothuajse 70 ndërprerjeve të tilla, ndonëse shumica e duartrokitjeve erdhën nga demokratët.

Pas rreth 30 minutash temash të politikës së brendshme Presidenti Obama, e filloi pjesën e fjalimit për politikën e jashtme me një qëndrim që dukej si reagim ndaj kritikave se ai shpesh nuk është shumë i vendosur dhe nuk përgjigjet me forcë ndaj sfidave globale.

“Unë besoj tek një lloj më i zgjuar i udhëheqjes amerikane. Ne udhëheqim më mirë kur kombinojmë fuqinë ushtarake me diplomacinë e fortë; kur e mbështesim forcën tonë me formim koalicionesh; kur nuk e lejojmë frikën të na verbojë para mundësive që ky shekull i ri paraqet”.

Por zoti Obama u shpreh fuqishëm në mbështetje të popujve që janë goditur nga terroristët “nga një shkollë në Pakistan në rrugët e Parisit” dhe tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të godasin terroristët dhe të shkatërrojnë rrjetet e tyre.

Udhëheqja amerikane, tha ai po e frenon përparimin e ISIL-it.

“Në vend që të detyroheshim të hynim në një luftë tjetër nga toka në Lindjen e Mesme, ne po udhëheqim një koalicion të gjerë, përfshirë vende arabem për të dobësuar dhe shkatërruar këtë grup terrorist”.

Duke iu kthyer një krize tjetër globale, zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara po e kundërshtojnë agresionin rus, po mbështesin demokracinë e Ukrainës dhe po u japin garanci aleatëve të NATO-s.

Ai tha se Rusia është tani e izoluar dhe ekonomia e saj është e rrënuar.

Presidenti mbrojti ndryshimin e politikës me Kubën dhe tha se Kongresi duhet të fillojë punën për heqjen e embargos dhe bëri thirrje për të vazhduar përpjekjet për luftën ndaj Ebolës.

Presidenti foli edhe për vlerat amerikane dhe respektin amerikan për dinjitetin njerëzor.

“Për këtë arsye ne flasim kundër antisemitizmit të neveritshëm që është rishfaqur në shumë pjesë të botës. Për këtë arsye ne vazhdojmë t’i dënojmë paragjykimet ofenduese për myslimanët, pjesa më e madhe e të cilëve kanë të njëjtin përkushtim si ne ndaj paqes. Prandaj ne e mbrojmë të drejtën e fjalës dhe mbrojmë të drejtat e të burgosurve politikë, dënojmë persekutimin e grave, apo pakicave fetare, ose atyre që janë homoseksualë”.

Në një farë mënyre fjalimi ishte një gërshetim i një paraqitjeje politike me një rikthim tek toni i fjalimeve të tij para presidencës, ku shumëkush u tërhoq nga oratoria e tij. Në pjesën e fundit të fjalimit, Presidenti iu rikthye një stili të tillë, duke folur direkt me publikun dhe Kongresin. Kjo pjesë filloi me një apel që dukej se u drejtohej republikanëve:

“Një politikë më e mirë është ajo kur ne debatojmë pa sharë njëri-tjetrin, kur flasim për çështjet, vlerat, parimet dhe faktet e jo kur përpiqemi të kapim tjetrin apo kur merremi me gafat e vogla e me problemet e rreme që nuk kanë të bëjnë fare me jetën e përditshme të njerëzve” .

Vazhdoi me një vështrim introspektiv jo vetëm të ngjarjeve si ato të Fergusonit dhe të Nju Jorkut por duke iu përgjigjur zërave cinikë që e kanë kritikuar se nuk e solli në jetë vizionin e para 10 vjetëve kur tha në Boston se nuk ka dy Amerika por vetëm një. Presidenti tha se do që brezat e ardhshëm ta dinë se amerikanët i shohin mendimet e ndryshme si dhuratë.

“Dua që ata të rriten në një vend që i tregon botës atë që ne vazhdojmë ta dimë që është e vërtetë: që ne vazhdojmë të jemi më shumë se një grup shtetesh të demokrate dhe republikane; se jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Dhe në fund presidenti foli ashtu si në fillim për një familje amerikane që ishte rimëkëmbur pas shumë vitesh vështirësisht. Dhe ndërsa në fillim të fjalimit tha se kemi 15 vjet që kemi hyrë në një shekull që filloi me terrorizmin në brigjet amerikane, në fund Presidenti tha se pas 15 vjetësh, edhe Amerika si familjet e saj, ka vendosur themelet për një të ardhme më të ndritur.

Përgjigjia e republikanëve, erdhi nga senatorja e re republikane Joni Earnst e cila tha se Kongresi i ri, i mbizotëruar nga republikanët do ta kthejë vëmendjen tej shqetësimet e amerikanëve, me nisma për hapjen e vendeve të punës dhe shfuqizimin e ligjit për kujdesin shëndetësor.

Ajo përsëriti synimin e republikanëve për të shkurtuar shpenzimet federale. Senatorja Ernst tha gjithashtu se kongresi do të diskutojë mënyrat për të përballuar terrorizmin, përfshirë al-kaidën dhe ISIL.

“Forcat e dhunës dhe shtypjes nuk duan t’ia dinë për të pafajshmit. Ma duhet një plan gjithëpërfshirës për t’i mposhtur”.

Megjithëse Presidenti është në dy vitet e fundit të mandatit, duket se betejat politike mes dy partive do të vazhdojnë duke u nisur nga qëndrimet e fundit. (voa)

Raporti i Bankës Botërore për Europën Juglindore

Banka Botërore deklaroi sot se gjatë vitit të kaluar, vetëm Shqipëria dhe Maqedonia shënuan një rimëkëmbjeje më të qëndrueshme ekonomike.Ky përfundim ishte pjesë e raportit ekonomik për Europën Juglindore. Ndërsa ekonomia e gjithë rajonit ndenji në vend apo u rrit mesatarisht me vetëm 0,2 për qind, rritja ekonomike e Shqipërisë ishte 2,1 për qind, dhe e Maqedonisë me 3,3 për qind – theksohet në raport, ndërsa vendet e tjera shënuan rënie për shkak të përmbytjeve shkatërrimtare, uljes së investimeve dhe konsumit.

Rritja ekonomike e Shqipërisë ka ardhur kryesisht prej rritjes së investimeve dhe konsumit të brendshëm. Rritja ekonomike e Shqipërisë është siguruar gradualisht, duke tejkaluar luhatjet e tremujorëve nga brenda dhe jashtë vendit, duke theksuar se politika fiskale dhe pagesat e prapambetura janë forcuar, si për shembull energjia.
“Banka Botërore mbështet fuqishëm përpjekjet për të zgjidhur korrupsionin afatgjatë në sektorin e energjisë. – tha drejtorja e Bankës Botërore për Europën Juglindore, Ellen Goldstein. – Korrupsioni në kuptimin që njerëzit e përdorin energjinë dhe nuk paguajnë për të. Kjo ka të bëjë me menaxhimin e sektorit të energjisë, dhe me barazinë e qytetarëve. Tani të gjithë konsumatorët kanë të njëjtat tarifa dhe familjet e varfëra do të mbrohen. Të dyja këto masa do ta ndryshojnë gjendjen”.
Banka Botërore vërejti se kredia për ekonominë po rritet, por rritja më e shpejtë e kreditimit varet nga problemet e mëparshme. Sipas raportit, përmirësimi i ekonomisë solli një përmirësim gradual të tregut të punës. Inflacioni ka qenë vazhdimisht i ulët, ndërsa pengesë mbetet borxhi i qeverisë ndaj bankave.
Programi “Të bësh biznes 2015” e renditi Shqipërinë në një pozicion më të mirë se vitin e kaluar, porajo ka nevojë për qëndrueshmëri makro-ekonomike, qëndrueshmëri energjitike, përmirësim të qeverisjes dhe mirëmenaxhim të fondeve publike
Sa i takon Kosovës, rritja ekonomike e saj gjatë vitit të kaluar ishte 2,5 për qind, ndonëse me një rënie 0,9 më pak se një vit më parë. Raporti thekson se Serbia ka rënë në recesionin e tretë që prej krizës globale, Bosnja dhe Hercegovina është në stanjacion, rritja ekonomike e Kosovës dhe Malit të Zi janë të moderuara. Këtë vit, përvec Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, pjesa tjetër pritet të rriten me mbi 3 për qind. (voa)

Ofensiva online e Obamës

Barack Obama mbajti të martën fjalimin mbi gjendjen e kombit. Si çdo vit ai foli për konceptet bazë të politikës së tij. Kësaj rradhë marketimi i fjalimit ishte më i rëndësishëm se vetë përmbajtja.Është traditë politike në Shtetet e Bashkuara: Kushtetuta amerikane përcakton që presidenti të mbajë një herë në vit një fjalim para dy dhomave të Kongresit mbi gjendjen e kombit. Në vitet 1930-të amerikanët vinin veshin pranë radios për të ndjekur me vemendje fjalimin e presidentit të tyre, që transmetohej nga Shtëpia e Bardhë në të gjithë vendin. Në vitin 1965, kur fjalimi, i quajtur state of the Union, i presidentit Lyndon B. Johnson mund të shihej për herë të parë edhe në televizion, miliona njerëz u mblodhën në mbrëmje para televizorëve të tyre.
Shumë zhurmë – për asgjë?
Por këto ditë i takojnë së kaluarës. Sot gjithnjë e më pak qytetarë hapin televizorin për të parë fjalimin më të rëndësishëm të presidentit pas atij me rastin e marrjes së mandatit. Vitin e kaluar fjalimi state of the Union i Obamës pati shikueshmërinë më të ulët që prej 20 vjetësh, edhe pse ai u transmetua nga 13 stacione të mëdha televizive në kohën më të mirë të transmetimit. Vetëm 33 milionë amerikanë ndoqën fjalimin e Obamës vitin e kaluar. Në vitin 1993, kur Bill Clinton mbajti fjalimin për gjendjen e kombit, kishte 67 milionë shikues. Në fakt ka përjashtime edhe gjatë mandatit të Obamës. Fjalimin e tij në vitin 2009 e panë 52 milionë, por tendenca e përgjithshme shkon në një drejtim: numri i shikuesve për fjalimin e state of the Union po bie.
“Shumë njerëz nuk kanë dëshirë ta shohin fjalimin”, thotë
Mary Stuckey, e cila merret me komunikimin dhe retorikën e presidentit të SHBA-së në universitetin Georgia State në Atlanta. “Ka aq shumë zhurma, aq shumë zëra që konkurrojnë për të tërhequr vemendjen. Kjo e bën thjesht të pamundur, që dikush sot ta dëgjojë të gjithë fjalimin e presidentit.”
Ofensivë 35tike nga Shtëpia e Bardhë
Shtëpisë së Bardhë nën drejtimin e Obamës nuk ia kalon kush në botë, përsa i përket mobilizimit të zgjedhësve dhe transmetimit të informacionit. Tani ajo ka vendosur të mos e pranojë në mënyrë pasive rënien e kuotës së shikueshmërisë. Për të ndalur tendencën e rënies administrata Obama e çon përmbajtjen thelbësore të fjalimit të presidentit atje, ku mendon se ka një publik në rritje konstante, në internet.

Për platformën e përhapur të internetit Upworthy Obama ka përgatitur një video, në të cilën ai flet për iniciativën e tij për përmirësimin e qasjes në internet. Këshilltari i tij Dan Pfeiffer vendosi dy shkrime lidhur me fjalimin e ardhshëm. Valerie Jarrett, e besuar e presidentit amerikan, aplikoi planet e Obamës për pagesën e ditëve me raportë dhe lejen e pushimit për prindërit, përmes rrjetit social LinkedIn.
Në faqen e saj të internetit Shtëpia e Bardhë ka nisur një fushatë të re me titull: “Your memo to the President”. Përdoruesit mund ta njoftojnë aty personalisht Obamën, se në çfarë temash duhet të fokusohet kryesisht. Përveç kësaj dy ditë pas fjalës së tij mbi gjendjen e kombit Obama “do të bisedojë direkt me qytetarët amerikanë” përmes platformës së internetit YouTube, mësohet nga Shtëpia e Bardhë. Natyrisht që përveç kësaj Shtëpia e Bardhë ka përhapur agjendën e Obamës dhe ka bërë thirrje, për të ndjekur “fjalimin e përmirësuar mbi gjendjen e kombit”.
“Është një qasje e zgjuar duke patur parasysh situatën konfliktuoze 35le dhe politike dhe përshtatet në strategjinë 35tike të Obamës”, thotë historiania Jennifer Mercieca, e cila ndjek në universitetin e Teksasit A&M diskursin politik nga këndvështrimi historik.
Ofensiva 35tike nga Shtëpia e Bardhë ka dy qëllime: Ajo duhet të tregojë, që Obama nuk është “një palë e çalë”, e paaftë të veprojë, por është në gjendje t’i arrijë amerikanët. Përveç kësaj ai duhet të sfidojë fushatën kundërshtuese të republikanëve opozitarë dhe të përcaktojë debatin politik sipas këndvështrimit të Obamës.

Pa surpriza
Meqenëse shumë nga temat kryesore janë trajtuar paraprakisht para fjalimit, nuk pritet që ai të ketë surpriza. “Do të shtjellohen pikërisht temat, që ai ka formuluar tashmë”, mendon ekspertja për komunikimin politik, Mary Stuckey. “Në këtë fjalim të shumëpeshuar nuk dëshirohen surprizat.”
Për fjalimin e Obamës kjo do të thotë se fokusi do të vendoset kryesisht në çështjet e brendshme. Me një përjashtim: sulmi ndaj redaksisë së “Charlie Hebdo”. Obama ka pranuar se ka qenë gabim për të mos dërguar askënd në marshin funebër në Paris. Injorimi i kësaj çështjeje në fjalën e tij do ta përkeqësonte edhe më shumë këtë gabim, thotë Stuckey.
Në të njëjtin nivel me Reganin
Për ekspertët e komunikimit Stuckey dhe Mercieca sfera, që Shtëpia e Bardhë ka krijuar në internet në lidhje me fjalimin e ardhshëm për gjendjen e Kombit, është më e rëndësishme sesa përmbajtja e vetë fjalimit. “Kjo është një qasje shumë e suksesshme për të përhapur mesazhet e dëshiruara. Dhe paraqet një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet mes “shtypit dhe presidentit”, thotë Jennifer Mercieca. “Po të krahasosh teknologjinë dhe mënyrën, se si presidentët e arrijnë publikun, atëherë Obama bën diçka të ngjashme si dikur Reagan në fjalimin e tij në fillim të mandatit”, mendon Mary Stuckey.
Presidenti Ronald Reagan konsiderohet përgjithësisht si dikush, që e ka çuar marketingun televuzial politik në një nivel të ri. Reagan, i cili para se të bëhej president, kishte qenë aktor i Holivudit, e përforcoi imazhin e tij duke përdorur mjeshtërisht 35n dominante të kohës së tij, televizionin. Obama përpiqet të bëjë tani të njëjtën gjë me 35n e kohës sonë, internetin. (voa)

FMN ul parashikimet ekonomike për vitin 2015

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike globale për vitin 2015, por ende pret që ekonomia botërore në përgjithësi të forcohet këtë vit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Ide njofton nga Pekini.Ekonomisti më i lartë i FMN-së thotë se ekonomia botërore po përballet me “valë të forta dhe komplekse” nga rënia e çmimit të naftës dhe sfidat e vazhdueshme të ekonomive të Evropës dhe Japonisë.

Ndërsa FMN ka ulur parashikimin për rritje këtë vit nga 3,8 përqind në 3,5 përqind, ekonomistët e saj thonë se ekonomia botërore do të ketë një përmirësim në krahasim me vitin 2014.

Ekonomisti më i lartë i FMN-së, Olivier Blanchard thotë se rënia e çmimeve të naftës do të ndihmojë rritjen globale, por jo të gjithë do të përfitojnë nga çmimet e ulta të naftës.

“Nga njëra anë, ekonomitë e mëdha po përfitojnë nga rënia e çmimit të naftës, por nga ana tjetër, në shumë pjesë të botës, në aspektin afatgjatë çmimi i ulët i naftës do të ketë ndikim negativ mbi kërkesat, investimet dhe do të dëmtojë ekonomitë e disa vendeve që eksportojnë naftë”.

Që nga qershori i vitit të kaluar, çmimi i naftës ka rënë nga rreth 100 dollarë në më pak se 50 për fuçi.

Rënia e çmimit të naftës do të ndihmojë vendet importuese në mbarë globin, por jo vendet eksportuese të naftës si Rusia dhe Nigeria.

“Për eksportuesit e naftës dhe për firmat e përfshira në metodat e reja të prodhimit të energjisë, ky është e një lajm i keq”.

Sipas raportit mbi gjendjen e ekonomisë botërore, parashikimet për një ngadalësim të rritjes ekonomike në Kinë, Rusi, Evropë dhe Japoni kanë qenë arsyet kryesore të uljes së parashikimit për rritjen e përgjithshme të ekonomisë botërore për vitin 2015. Shtetet e Bashkuara janë e vetmja ekonomi e madhe në raport që parashikohet të ketë një rritje më të madhe ekonomike këtë vit.

Sipas FMN-së, Shtetet e Bashkuara do të kenë një rritje ekonomike prej rreth 3,5 përqind në vitin 2015, 0,5 përqind më të lartë se niveli i parashikuar nga FMN-ja në muajin tetor.

Japonia, nga ana tjetër, ishte një nga zhgënjimet më të mëdha të vitit 2014.

Zoti Blanchard thotë se ndikimi pozitiv i krijuar nga reformat strukturore atje është ende shumë i dobët për të rritur pritshmëritë për rritjen e ardhshme ose për të nxitur investime.

Por, zoti Blanchard thotë se Japonia dhe Evropa mund të përfitojnë nga luhatjet e vlerës së monedhave të tyre. Që nga gushti, dollari është rritur shtatë përqind, ndërsa euro dhe jeni janë zhvlerësuar.

Zoti Blanchard thotë se ndërsa rritja e dollarit do të ngadalësojë rimëkëmbjen në Shtetet e Bashkuara, rimëkëmbja është mjaft e fortë dhe do të vazhdojë.

“Në të njëjtën kohë, zhvlerësimi i euros dhe jenit do t’i japë një nxitje shumë të nevojshme nivelit të kërkesave në këto dy pjesë të botës, të cilat kanë nevojë për një rritje të kërkesave”.

Në Afrikën nën-Sahariane, ekonomistët thonë se çmimet e ulta të naftës dhe mallrave janë gjithashtu përgjegjës për parashikimet më të dobëta të rritjes, në veçanti në Nigeri dhe në Afrikën e Jugut. Rënia e çmimit të mallrave ka ulur parashikimet për rritje ekonomike edhe në vendet e Amerikës Latine dhe ato të Karaibeve.

Ndërkohë, FMN-ja thotë se rritja ekonomike në Kinë pritet të bie nën 7 përqind këtë vit. Sipas parashikimit të ri të FMN-së, rritja pritet të vazhdojë të ngadalësohet dhe të bie në 6,8 përqind këtë vit.

Zoti Blanchard thotë se ngadalësimi i rritjes është një gjë e mirë sepse kjo tregon se Kina është duke u përpjekur ta lëvizë ekonominë e saj drejt konsumit dhe larg sektorit të pasurive të patundshme dhe aktiviteteve të pa rregulluara bankare.

Megjithatë, shton ai, rritja më e ngadaltë në Kinë, do të ketë ndikim në pjesën tjetër të Azisë. (voa)

Aeroporti në Donetsk: Rrënoja strategjike me fuqi simbolike

Aeroporti i Donetskut është vendi i luftimeve më të ashpra në Ukrainën lindore. Separatistët prorusë përpiqen ta pushtojnë që prej prillit 2014. Ai është lidhja kyçe me qytetin.S’ka luftë, që ka fitues. Ky është një rresht i këngës “Russians”, që muzikanti britanik i rokut Sting publikoi në vitin 1985. Ai ka përpunuar në të muzikën e kompozitorit sovjetik Sergej Prokofjev. 30 vjet më vonë emri i Prokofjevit përmendet në lidhje me një luftë tjetër. Aeroporti i Donetskut në Ukrainën lindore, që mban emrin e tij, është fushë beteje e separatistëve prorusë dhe ushtrisë ukrainase. Bilanci i deritanishëm: qindra të vdekur në të dyja palët, infrastruktura e shkatërruar dhe pa fitues të qartë. Që nga mesi i janarit atje zhvillohen luftime të ashpra. Dhjetëra tanke dhe artileria e rëndë janë në veprim
Terreni i aeroportit të kujton skena apokaliptike nga lojrat kompjuterike: pjesë godinash të rrëzuara, rrënoja të ngjyrosura në gri në të zezë nga djegia, konstruksione çeliku të lakuara. Të hënën (19.01.2015) separatistët arritën të hedhin në erë pjesë të katit të parë të terminalit të ri. Një javë më parë u shëmb pas goditjesh shumë të forta kulla e kontrollit.
Dy fshatra vendimtarë
Në faqen e internetit të aeroportit nuk vihet re asgjë nga kjo. Atje duket sikur koha ka mbetur në vend. Në rubrikën “Aeroporti sot” sheh terminalin e ri me fasadën e tij gjigande prej xhami, të hapur me rastin e kampionatit evropian të futbollit. Një shënim i shkurtër nga fundi i majit informon, se nuk ka më fluturime dhe se aeroporti është nën kontrollin e ushtrisë ukrainase. Ajo po kryen atje një “operacion antiterror”.

Qeveria ukrainase në Kiev thotë se kështu është edhe sot. Por separatistët pro rusë kundërshtojnë. “Ne e kemi aeroportin 95 për qind nën kontrollin tonë”, tha Alexander Saharçenko, udhëheqës i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut. Njoftime të tilla fitoreje ai ka bërë edhe më parë. Por që dilnin se ishin të parakohshme.
Kësaj radhe duket ndryshe. Separatistët kohët e fundit i kanë intensifikuar dukshëm sulmet kundër aeroportit duke arritur me sa duket suksese. Ushtria ukrainase reagoi me një kundërofensivë. Fundi nuk dihet akoma. Luftëtarët ukrainas deri tani kanë mundur të përballojnë goditjet e forta, sidomos në objektet nëntokësore Luftime të ashpra zhvillohen edhe në dy fshatrat pranë, Piski dhe Avdijivka, të cilat deri tani mbaheshin si rrugë furnizimi nga ushtria ukrainase. Në to vendoset me sa duket fati i aeroportit.
Pozicion i favorshëm në periferi të qytetit
Aktualisht aeroporti në Donetsk është vendi me luftimet më të ashpra në konfliktin në Ukrainën lindore. Vendndodhja e tijj e bën atë një lloj çelësi për qytetin milionësh të Donetskut, zemrën e zonës qymyrgurore Donbas. Aeroporti është vetëm dhjetë kilometra nga qendra e qytetit dhe ka qenë rinovuar për 870 milionë dollarë. Në saj të pistës së tij të re aty mund të uleshin avionë të thuajse të të gjithë tipave. Për shkak të afërsisë me fortesën separatiste aeroporti ka rëndësi strategjike për të dyja palët. Qeveria e Ukrainës në Kiev dëshiron ta mbajë atë me çdo kusht. “Nëse lëshojmë Donetskun, armiku do të jetë në Kiev apo në Lviv”, tha së fundi presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko.

Në prill 2014 separatistët u përpoqën dy herë të merrnin aeroportin dhe u zmbrapsën. Në përpjekjen e tretë natën më 26 maj ata arritën të pushtonin terminalin e ri pa një e shtënë. Ishte nata pas zgjedhjeve të parakohshme presidenciale në Ukrainë, kur Poroshenko u zgjodh kryetar i ri i shtetit.
Por këtë herë ushtria ukrainase kundërgoditi me sukses. Më shumë se 100 separatistë u tërhoqën, sipas të dhënave të veta ata humbën gati gjysmën e luftëtarëve, shumica e tyre nga Rusia. “Ishte aksioni më i keq”, shkruantë më vonë një bloger i mirëinformuar nga skena separatiste. Askush nuk e kishte pritur, që “ushtria ukrainase të sulmonte nga ajri aeroportin, që e kishin ndërtuar aq shtrenjtë.”
Armëpushim i shkurtër para Vitit të Ri
Pas marrëveshjeve të nënshkruara në shtator në Minsk për armëpushimin ndërmjet separatistëve dhe qeverisë në Kiev situata në Ukrainën lindore është qetësuar. Por aeroporti i Donetskut mbeti megjithatë një përjashtim. Pothuajse çdo ditë aty qëllohej dhe vdisnin njerëz.

Vetëm pak para Vitit të Ri pati një qetësim relativ. Separatistët lejuan madje trupat parashutiste ukrainase të furnizonin me ushqime luftëtarët në aeroport dhe të transportonin të plagosurit. Tani s’ka më gjëra të tilla.
Ukraina përgëzon “cyborgs” e saj
Të dy palët e përdorin aeroportin për qëllime propagandistike. Kur dikush në Ukrainë dëgjon fjalën “cyborg”, nuk mendon për robotët e ngjashëm me njeriun në filmin amerikan “Terminator”, por për luftëtarët në aeroportin e Donetskut. Ata përgëzohen që në shtator si heronj në 35t ukrainase dhe rrjetet sociale. Presidenti Poroshenko tha në dekorimin e luftëtarëve nga Donetsku, se për “cyborgs” do të lexohet në librat e historisë.
Në anën e separatistëve është përpjekur ta vërë veten në skenë aktori rus Mihail Poreçenkow, të cilit i pëlqen ta paraqesë veten si Arnold Schwarzenegger-i rus. Ai është xhiruar në aeroportin Donetsk, duke shtënë mbi pozicionet ukrainase me një mitraloz të kalibrit të rëndë.

Qendra Informative Shqiptare "Liria"