Blerja e obligacioneve shtetërore – Vendim i rëndësishëm i Bankës Qendrore Europiane

Këshilli i Bankës Qendrore Europiane në takimin e parë të këtij viti lidhur me politikën monetare diskuton programin e masave për blerjen e obligacioneve shtetërore.Banka Qendrore Europiane (BQE) ka një kuti të vogël, por të çmuar instrumentash, të cilat i përdor rregullisht në afate të caktura kohore presidenti i saj. Megjithatë Mario Draghi ka provuar potuhuajse çdo mjet deri tani e me suksesin ai ende nuk është i kënaqur. Ai e ka ulur thuajse në zero interesin e orientues. Kësisoj kreditë janë bërë më të lira, e megjithatë ekonomia në Eurozonë nuk mori hov ashtu siç dëshirohej. Draghi ka aplikuar interesin e ndëshkimit për bankat, në mënyrë që ato të mos i magazinojnë paratë në BQE. Por kjo nuk çoi në rritjen e vrullshme të dhënies së kredive. Tani ai po përdor masën e fundit, një instrument tjetër: blerjen në masë të obligacioneve shtetërore.
Modeli SHBA
Sipas modelit të Bankës së rezervave të SHBA-së BQE do për të investojë shumë para për të blerë të ashtuquajturat bonds, obligacionet shtetërore. Për këtë Draghi ka mbështetjen e shumicës së drejtorisë dhe të këshillit të bankës. Gjermania është kundër, por edhe Estonia – megjithatë kjo rezsitencë nuk mjafton. Tek e fundit presidenti i BQE-se do të ketë sukses me nismën e tij.

Një bilionë Euro obligacione shtetërore
Vëzhguesit e tregut presin, që mbikqyrësit e monedhës të venë në dispozicion të paktën 500 miliardë Euro, ndoshta edhe një bilion, për blerjen e obligcioneve shtetërore. Këto para BQE mund t’i shtypë vet. Bankat si rrjedhojë mund të heqin dorë prej obligacioneve të tyre, kjo synohet, dhe kapitalin e çliruar ato mund ta japin në formë kredishë për sipërmarrjet, në mënyrë që firmat t’i investojnë këto para. Përveç kësaj, sipas spekulimeve në prag të vendimit të BQE-së (22.01.2015) Banka Emetuese mund të verë në dispozicion deri në 250 miliardë Euro për të blerë kreditë e ndërmarjeve.
Dy objektiva ndjek me këtë Draghi, dikur menaxher i firmës së investimeve Goldman Sachs: nga njëra anë ai do që me shtimin e parasë të luftojë inflacionin e ulët. Çmimet kanë rënë së fundi me rreth 0,2 përqind dhe Draghi u druhet tendencave të deflacionit. Kjo mund të çojë në një spirale të urjes së mëtejshme të çmimeve dhe njëkohësisht të uljes së kërkesës. Vlen të kujtojmë, se shtrenjtimi në Eurozonë duhet të arrijë kuotën dy përqind. Nga ana tjetër pikërisht në shtetet me borxhe në Europën Jugore duhet t’i jepen sërish impulse koniunkturës.
Studiuesit e ekonomisë: BQE e detyruar ta përdorë këtë mekanizëm
Instituti Gjerman për Studimet Ekonomike (DIW) e mbështet kursin e BQE. Banka emetuese është e detyruar të përmbushë mandatin e saj. Presidenti i DIW Marcel Fratzscher mendon, se BQE ka detyrim të ndërmarrë masën e fundit: “Ajo nuk mund të reagojë më ndaj kredive shtesë të bankave, sepse bankat kanë marrë mjaft kredi prej BQE-së. Ndaj blerja direkt e obligacioneve shtetërore është instrumenti i fundit që ka BQE-ja.” (dw)

Minatorët e Trepçës shqyrtojnë letrën e qeverisë

Minatorët do të përgjigjen sot në letrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa i cili u ka bërë thirrje t’i japin fund grevësKryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një letër dërguar minatorëve të Trepçës, i ka siguruar ata se qeveria e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe të mundshme ligjore, që statusi i Trepçës të zgjidhet një herë e përgjithmonë në interes të minatorëve dhe të qytetarëve të Kosovës.

Në letër, kryeministri Mustafa, ka sqaruar hapat e ndërmarrë nga qeveria e Kosovës të cilat, siç thuhet në një njoftim të zyrës së tij, “kanë shmangur falimentimin e Trepçës dhe kanë siguruar perspektivë zhvillimore për të”.

“Kryeministri Mustafa po ashtu ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar asnjë veprim që do të dëmtonte interesat e Trepçës dhe të shtetit të Kosovës, duke bërë thirrje për ndërprerjen e grevës dhe që të gjithë së bashku, t’i përkushtohen punës në interes të vendit, në interes të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Minatorët dhe këshilli grevist janë duke e shqyrtuar letrën dhe mundësitë që t’i japin fund grevës së filluar të martën një grevë, duke kërkuar shpjegime rreth fatit të këtij kompleksi dhe miratimin e një ligji të veçantë, në bazë të së cilit ky kompleks të shndërrohet në ndërmarrje publike në pronësi të qeverisë së Kosovës.

Greva pasoi miratimin e ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë se tyre, në mënyrë që t’i hapet rrugë riorganizimit të kompleksit të minierave Trepça. Por, qeveria hoqi nga rendi i ditës çështjen e pronësisë mbi Trepçën, ndonëse kishte paralajmëruar që nëpërmjet ligjit ta shndërrojë atë në ndërmarrje publike.

Trepça vazhdon të administrohet nga Agjencia e Privatizimit, ndërsa qeveria tha se për të duhet të bëhet një ligj i veçantë dhe se ndryshimet kushtëzohen edhe nga borxhet që ka ky kompleks, që sipas vlerësimeve arrijnë në rreth një miliardë e 400 milion euro.

Ndryshimet në qasjen e qeverisë nxitën reagime edhe të opozitës e cila e akuzoi atë për zmbrapsje para trysnisë së Beogradit i cili tha nuk do të pranojë asnjë vendim të qeverisë së Kosovës lidhur me kompleksin e minierave Trepça.

Beogradi ngulë këmbë se pronari kryesor i Trepçës është fondi për zhvillim i Serbisë dhe se çështja e pronave duhet të jetë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, vazhdimi i të cilave pritet më 9 shkurt.

Kompleksi Trepça që ndodhet në Mitrovicë është i ndarë sikurse edhe vete qyteti. Minierat ndodhen në pjesën e banuar me shumicë shqiptare, ndërsa shkritoret dhe kapacitetet tjera prodhuese në pjesën e banuar me shumicë serbe. Përfshirja e Trepçës në procesin e privatizimit është pamundësuar për shkak të pretendimeve serbe dhe shitjes së aksioneve të saj gjatë viteve të 90-ta, kur administrohej nga Beogradi.

Dikur Trepça ishte gjigant ekonomik i Kosovës dhe një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e tetëdhjeta ku punonin mbi 20 mijë punëtorë. (voa)

Përmirësimi i cilësisë së jetesës përmes inovacionit

Çfarë është mendim inovativ? Në forumin ndërkombëtar të Gjermanisë në Berlin 200 ekspertë dhe kancelarja Merkel vranë mendjen për këtë pyetje. S’është për t’u habitur, sepse ka shumë përgjigje.Angela Merkel donte ta shihte nga afër. “A mund të ma jepni ta shoh një makinë të tillë?”, pyeti kancelarja gjermane sipërmarrësin indo-kanadez, Sunseet Singh Tuli, kur ai i tregoi asaj për kompjuterin e tij tabletë, që kushton vetëm 35 dollarë amerikanë. Fizikania u interesua me kuriozitet, se si një produkt i teknologjisë së lartë mund të blihet me një çmim të tillë: “Çfarë keni lënë jashtë nga ato, që duam t’i kemi në një iPad apo iPhone”, pyeti kancelarja. Tuli ishte një nga 200 përfaqësuesit nga qeveria, biznesi, bota akademike dhe shoqëria civile, me të cilët kancelarja Angela Merkel diskutoi në Forumin Ndërkombëtar të Gjermanisë lidhur me mënyrat e reja për përmirësimin e cilësisë së jetës.
Si të lidhen më të varfërit me rrjetin?
Firma e Tuli-t, DataWind, është specializuar për produkte, që janë “mjaftueshëm të mira” teknikisht, për t’u mundësuar tre miliardë më të varfërve të kësaj bote hyrjen në internet. Pra kompjuter, që nuk marrin dy apo tri paga mujore të një punëtori indian, por që mund të blihen me rrogën e një jave pune. Receta e risisë së tij: “Progresi teknologjik ka bërë që një procesor i një iPad-Notebook- u dyvjeçar të mos kushtojë më sot 35 dollarë amerikanë, por vetëm 3,5 dollarë amerikanë”, shpjegoi sipërmarrësi, i cili për këtë arsye i pajis kompjuterat e tij me hardware, që në vendet e industrializuara konsiderohen të vjetëruar.
Në Indi kjo qasje inovative “mjaftueshëm-mirë” ka shkaktuar një bum të vërtetë kompjuterik, pikërisht tek ata, që deri tani nuk ishin në gjendje t’i blinin. Nëse në vitin 2011 u shitën vetëm 250.000 kompjuter tablet, dy vite më vonë u shitën pesë milionë copë. Për këtë arsye ideja e Tulit për më të varfërit u nderua në vitin 2012 nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, si inovacion i rëndësishëm për luftimin global të varfërisë. “Aksesi në internet bëhet kështu i përballueshëm edhe për të varfërit”, thotë Tuli.
Ndërlidhja produktive është e kërkuar
Merkel theksoi se nga të tilla qasje të vendeve në zhvillim si India, mund të përfitonin edhe kombet e industrializuara. “Për shoqëritë e zhvilluara industriale tema e kapacitetit inovativ ka një rëndësi të veçantë, sepse kemi një eksperiencë të gjatë të zgjidhjes mirë të problemeve”, tha Merkel. Dhe prandaj në Gjermani për shembull ka një tendencë të madhe, që të vazhdohet të bëhet, ashtu siç është bërë gjithmonë. Por digjitalizimi i botës e ka spostuar hartën e inovacionit, dhe edhe evropianët duhet ta kuptojnë, tha kancelarja: “Ne europianët duhet të mësojmë, se nuk jemi më të vetëm qendra e botës.”
Që risitë e suksesshme digjitale po e gjejnë gjithnjë e më shumë rrugën e tyre edhe nga Afrika për në Europë, këtë e demonstroi Juliana Rotich me prezantimin e sipërmarrjes së saj “Ushahidi”. Rotich ëpshtë menaxhere e sipërmarrjes së re me emrin gjerman “Augenzeuge” (dëshmitar) të krijuar në vitin 2008 në Kenia.
Sipërmarrja teknologjike jofitimprurëse “Ushahidi” operon me një platformë interneti, në të cilën klientët mund të shkëmbejnë informacione të përbashkëta midis tyre në nivel lokal, ose mund të gjejnë gjëra në hartat interaktive. Një inovacion made in Afrika, që po gjen gjithnjë e më shumë përdorues në të gjithë botën. Duke përfshirë Japoninë, Sirinë apo Egjiptin, thotë Juliana Rotich. Që në fillim kemi patur në qendër idenë, se si inovacioni “Ushahidi” mund të bëhet frymëzim edhe për të tjerët. Për këtë arsye ky software shpërndahet falas si produkt open-source, që i fton të tjerët t’ia përshtasin nevojave të tyre.
‘Ushahidi” është për Juliana Rotich një shembull, që edhe një ambient të vështirë mund të nxisë inovacionin. “Ajo që kemi mësuar në arritjen e gjithë kësaj në Kenia, ka qenë që shumë pengesa si për shembull ndërprejra e vazhdueshme e rrymës, mund të jetë edhe një frymëzim”, thotë Rotich. Ajo prezantoi një modem interneti, të krijuar nga ndërmarrja e saj, që siguron lidhjen me internetin me bateri edhe gjatë ndërprerjes së rrymës. “Mendoj, se zanafillë për inovacionin tonë ka qenë, që ne ishim të vendosur fort, për të zgjidhur problemet përreth nesh.”
Secili shkruan librin e vet të mësimit për inovacionin
Sa më shumë shkaqe të ndryshme për inovacione tregoheshin, aq më e qartë u bë edhe ajo, të cilën tha përmbledhtas John Kao, shef i institutit amerikan “For Large-Scale Innovation”: “Sot flitet shumë për inovacionet dhe për to investohen shumë para. Por ka pak konsens lidhur me përkufizimin e vërtetë të inovacionit, se si matet ai dhe si t’u mësohet njerëzve, që të veprojnë në mënyrë inovative.” Ai këshilloi vendet si Gjermania, që kërkimin e inovacioneve teknike dhe sociale t’i formulojë si një histori, që frymëzon njërëzit. “Njerëzit ndryshojnë vetëm atëherë, kur mësojnë përmes një hisorie të bukur, se përse duhet të ndryshojnë dhe përse ka ardhur koha për të ndryshuar.”
Geoff Mulgan, drejtor ekzekutiv i agjencisë inovative britanike NESA (National Endowment for Science, Technology and the Arts), këshilloi qeverinë gjermane për të iniciuar më shumë inovacione sidomos në sektorin social. Këtu ka shumë pyetje të hapura: Si mund të bëhet më i suksesshëm integrimi? Si mund të bëhet më e mirë shpërndarja e punës në një shoqëri në plakje? Apo si mund të gjenden forma të reja për asistencën për të moshuarit? “Shoqëria civile ka për këtë mijëra përgjigje, por ato nuk janë mbledhur deri tani në mënyrë sistematike, dhe prandaj edhe nuk mbizotërojnë idetë më të mira dhe ato nuk bëhen pastaj as politikë e qeverisë”, tha Mulgan, që këshillon qeverinë britanike. Angela Merkel premtoi që t’i përfshijë edhe në punën e qeverisë idetë e paraqitura në Forumin Ndërkombëtar të Gjermanisë, sidomos në fushën e inovacionit social. “Kjo nuk është tani një sfidë për shoqatat sociale në Gjermani”, tha Merkel. Por është një thirrje për të hapur shtigje të reja në përkujdesesn për fëmijët dhe të moshuarit. (dw)

Poroshenko: 9 mijë trupa ruse në Ukraine

Presidenti i Ukrainës tha se në vendin e tij ndodhen mbi 9 mijë trupa ruse.Duke folur sot në Forumin Ekonomik që po mbahet në Davos të Zvicrës, presidenti Petro Poroshenko tha se Rusia po ashtu ka dërguar mbi 500 tanke, artileri të rëndë dhe automjete të blinduara për personelin në Ukrainën Lindore, ku forcat qeveritare janë duke luftuar me kryengritësit pro-rusë.

Ai e akuzoi Rusinë për “agresion,” dhe kërkoi që ajo ta mbyllë kufirin me Ukrainën dhe tërheqjen e të gjitha “trupave të huaja’, siç u shpreh ai.

Në një intervistë që dha rrjetit televiziv Bloomberg TV, ai tha se 2 mijë trupa ruse janë futur në Ukrainë me 200 tanke dhe me automjete të blinduara.

Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov i hodhi poshtë akuzat e Kievit se Rusia ka çuar trupa të reja dhe armatime në Ukrainë këtë javë, për të mbështetur separatistët. (voa)

Islamizim prej katolikëve?

Qeveria gjermane ka paraqitur raportin e miigracionit për vitin 2013. Ai tregon se kush ka ardhur nga ku në Gjermani dhe kush është larguar. “Pegida” duhet të mbetet e çuditur, mendon Felix Steiner.Kur në mbrëmje në rrugët e Lajpcigut të protestojnë sërish mijëra qytetarë kundër gjoja “islamizimit të Perëndimit”, u duhet hedhur para këmbëve raporti i fundit të qeverisë gjermane për migracionin, dhe kur të pengohen t’i hedhin sytë në shifrat e tij. Dihet se leximi të zgjeron njohuritë.
E bukura në raportin prej 312 faqesh të Entit federal për Migracionin dhe Refugjatët është se ai rreshton me akribi një sërë shifrash, por pa bërë vlerësime. Akuza se statistika është një produkt i “shtypit të gënjeshtërt”, apo i ndonjë manipulimi tjetër, nuk qëndron në këtë rast. Këto shifra janë të pagabueshme.
Statistikat hedhin poshtë paragjykimet
Ka ndonjë shifër, që ushqen me siguri klishetë e rrugëve të Gjermanisë dhe të tavolinave të pijetoreve. Por disa të dhëna janë befasuese për shumë fanatikë. Edhe pse nuk është aspak fjala për zhvillime të reja. Nga çfarë vendi vjen për shembull grupi më i madh i emigrantëve në Gjermani? Nga Turqia? Kosova? Afganistani? Kjo mund t’u vinte për shtat paragjykimeve të zakonshme. Jo krejt gabim. Nga Polonia vjen kontingjenti më i madh nacional, në fakt që nga viti 1996. Për probleme integrimi, apo krijime getosh nga polakët nuk kemi dëgjuar gjë, pavarësisht nga madhësia e grupit. Kjo shifër duhet t’i gëzonte më shumë ipeshkkvitë gjermane sesa shoqatat e xhamive islame. Shumica e polakëve janë katolikë besnikë dhe paguajnë pa dyshim kontributin financiar për kishën.

Tre të katërtat e emigrantëve në Gjermani vijnë nga Evropa. Rumania, Bullgaria, Hungaria, Italia, Greqia, Rusia dhe Spanja vijnë pikërisht në këtë renditje pas Polonisë, si vendet kryesore të origjinës së emigrantëve. Të gjitha kombe kryesisht të krishtera. Është e drejtë se statisticienët e llogarisin edhe Turqinë në Evropë. Por pikërisht Turqia është një nga dy vendet, në drejtim të të cilave më shumë janë larguar njerëz prej Gjermanisë sesa anasjelltas. Islamizimi i Gjermanisë në front të gjerë bie pra poshtë një herë për një herë.
Megjithatë është e saktë edhe se migracioni në Gjermani po shtohet. Rreth 430.000 vetë më shumë kanë ardhur në Gjermani se sa janë larguar. Për këtë ka dy arsye të thjeshta. Nga njëra anë numri i azilkërkuesve ka pësuar rritje të hovshme, nga ana tjetër Evropa Juglindore vuan nga një krizë masive ekonomike. Ndryshe nga më parë, askush nuk do të shkojë në vendet e ngrohta të Mesdheut. Përkundrazi, të rinjtë që andej vijnë në Gjermani.
Gjermania ka nevojë për emigrantë
Megjithatë askush nuk duhet të shqetësohet se Gjermania mund të mbipopullohej. Përfitimi prej emigrimit të 430.00 vetëve relativizohet fort duke patur parasysh numrin e lartë të vdekshmërisë prej gati 200.000 vetësh. Dua të them se për shkak të strukturës së moshës së njerëzve, që jetojnë në Gjermani, vendi ka një nevojë urgjente për emigracion, nëse do që ta ruajë nivelin e mirëqënies së tij. Sepse më së voni pas dhjetë vjetësh, kur brezi i viteve me nivel të lartë nataliteti, i pesëdhjetëvjeçarëve të sotëm të ketë dalë në pension, Republika Federale e Gjermanisë do të vuajë nga një defiçit masiv i fuqisë punëtore.
Gjermania duhet të marrë masa për rastin, nëse Evropa jugore e ka kapërcyer deri atëherë krizën e saj. Vetëm arsyet humanitare, si në rastin e refugjatëve, apo bashkimi familjar nuk mund të jenë kriteret e vetme të përzgjedhjes, që emigrantët të marrin këtu leje qëndrimi ose pune. Edhe pse shumë gjermanëve kjo ende mund t’u duket befasuese: Një ligj imigracioni, që përcakton se për çfarë njerëzish e me çfarë kualifikimesh ka nevojë urgjente Gjermania, do të ishte një mënyrë e mirë për të siguruar të ardhmen ekonomike të vendit. Dhe një koncept të tillë politika duhej të ishte në gjendje ta mbronte përballë demonstruesve në rrugët e Gjermanisë. (dw)

Fjalimi i Presidentit Obama: Ide të reja, sfida dhe shpresa për të ardhmen

Presidenti Barack Obama mbajti fjalimin për gjendjen e vendit, i pari para një sesioni të Kongresit që mbizotërohet nga republikanët, pasi ata morën kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.Në prag të fjalimit, anketat tregonin se popullariteti i tij është rritur falë përmirësimit të ekonomisë. Si rrjedhojë, fjalimi i tij u përqendrua gjerësisht tek sukseset në vend dhe në tema të tilla si propozimi për rritjen e taksave të të pasurve dhe firmave të mëdha financiare dhe hapat për të forcuar klasën e mesme. Por fjalimi u mbajt edhe në kushtet e rritjes së masave të sigurisë në Uashington dhe vende të tjera, pas sulmeve terroriste në Francë. Megjithëse fjalimi mbahet për publikun amerikan, situata e nderë në Evropë, zhvillimet ndërkombëtare dhe shqetësimi i ekstremizmit e bënë të pashmangshme diskutimin e politikës së jashtme dhe sigurisë globale.

Ishte hera e shtatë dhe e parafundit që Presidenti jepte Fjalimin për Gjendjen e Vendit.

Dhe vetëm dy minuta pasi kishte filluar fjalimin, presidenti e përmblodhi me një deklaratë optimiste gjendjen e vendit:

“Hija e krizës ka kaluar dhe gjendja e vendit është e fortë”.

Pasi foli për arritjet e vendit, ose më saktë të administratës së tij, përfshirë konsolidimin e ekonomisë dhe ritmin e shpejtë të hapjes së vendeve të reja të punës, si edhe rikthimin e trupave nga Afganistani dhe Iraku, Presidenti Obama iu kthye një pyetje sfidë që do shtjellohej edhe më pas në fjalimin që zgjati vetëm një minutë më pak se një orë.

“A do të pranojmë një ekonomi ku vetëm disa nga ne janë në gjendje shumë të mirë? Apo do të angazhohemi për një ekonomi që sjell të ardhura në rritje dhe shanse për të gjithë ata që përpiqen?”

Për një pjesë të mirë të fjalimit, Presidenti Obama sfidoi shumicën e re republikane duke përmendur tema që reflektojnë suksese të tij, si ulja e papunësisë, reforma e kujdesit shëndetësor dhe hapat për reformën e imigracionit.

“Përfundimi është i qartë. Ekonomia për klasën e mesme funksionon. Rritja e shanseve funksionon. Dhe këto politika do të vazhdojnë të funksionojnë përsa kohë politika nuk i pengon. Nuk mund të ngadalësojmë bizneset apo ta vëmë qeverinë në rrezik me mbylljen e saj ose me përplasje fiskale. Nuk mund të vëmë në rrezik sigurinë e familjeve duke iu hequr kujdesin shëndetësor, ose duke goditur rregullat e reja të Wall Street-it, apo duke rihapur betejat për emigracionin, kur kemi një sistem për të ndrequr”.

Presidenti nuk u druajt të thoshte se nëse masa të tilla që do të sfidonin arritjet e tij, vinin në tryezën e tij, ai do t’i vinte veton.

Ai bëri thirrje për bashkëpunimin e Kongresit dhe miratimin e masave që ai do të çojë tek ligjvënësit. Por propozime si ato për rritje taksash për më të pasurit, nuk ka shumë gjasa të miratohet nga shumica republikane.

Presidenti preku tema të tilla si nevoja për kujdes të përballueshëm për fëmijët, barazinë e pagës për gratë,përmirësimin e shanseve për arsimin dhe shanset e punësimit për veteranët që kthehen nga lufta, një nga pikat ku ai u përshëndet me një nga duartrokitjet më të gjata mes pothuajse 70 ndërprerjeve të tilla, ndonëse shumica e duartrokitjeve erdhën nga demokratët.

Pas rreth 30 minutash temash të politikës së brendshme Presidenti Obama, e filloi pjesën e fjalimit për politikën e jashtme me një qëndrim që dukej si reagim ndaj kritikave se ai shpesh nuk është shumë i vendosur dhe nuk përgjigjet me forcë ndaj sfidave globale.

“Unë besoj tek një lloj më i zgjuar i udhëheqjes amerikane. Ne udhëheqim më mirë kur kombinojmë fuqinë ushtarake me diplomacinë e fortë; kur e mbështesim forcën tonë me formim koalicionesh; kur nuk e lejojmë frikën të na verbojë para mundësive që ky shekull i ri paraqet”.

Por zoti Obama u shpreh fuqishëm në mbështetje të popujve që janë goditur nga terroristët “nga një shkollë në Pakistan në rrugët e Parisit” dhe tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të godasin terroristët dhe të shkatërrojnë rrjetet e tyre.

Udhëheqja amerikane, tha ai po e frenon përparimin e ISIL-it.

“Në vend që të detyroheshim të hynim në një luftë tjetër nga toka në Lindjen e Mesme, ne po udhëheqim një koalicion të gjerë, përfshirë vende arabem për të dobësuar dhe shkatërruar këtë grup terrorist”.

Duke iu kthyer një krize tjetër globale, zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara po e kundërshtojnë agresionin rus, po mbështesin demokracinë e Ukrainës dhe po u japin garanci aleatëve të NATO-s.

Ai tha se Rusia është tani e izoluar dhe ekonomia e saj është e rrënuar.

Presidenti mbrojti ndryshimin e politikës me Kubën dhe tha se Kongresi duhet të fillojë punën për heqjen e embargos dhe bëri thirrje për të vazhduar përpjekjet për luftën ndaj Ebolës.

Presidenti foli edhe për vlerat amerikane dhe respektin amerikan për dinjitetin njerëzor.

“Për këtë arsye ne flasim kundër antisemitizmit të neveritshëm që është rishfaqur në shumë pjesë të botës. Për këtë arsye ne vazhdojmë t’i dënojmë paragjykimet ofenduese për myslimanët, pjesa më e madhe e të cilëve kanë të njëjtin përkushtim si ne ndaj paqes. Prandaj ne e mbrojmë të drejtën e fjalës dhe mbrojmë të drejtat e të burgosurve politikë, dënojmë persekutimin e grave, apo pakicave fetare, ose atyre që janë homoseksualë”.

Në një farë mënyre fjalimi ishte një gërshetim i një paraqitjeje politike me një rikthim tek toni i fjalimeve të tij para presidencës, ku shumëkush u tërhoq nga oratoria e tij. Në pjesën e fundit të fjalimit, Presidenti iu rikthye një stili të tillë, duke folur direkt me publikun dhe Kongresin. Kjo pjesë filloi me një apel që dukej se u drejtohej republikanëve:

“Një politikë më e mirë është ajo kur ne debatojmë pa sharë njëri-tjetrin, kur flasim për çështjet, vlerat, parimet dhe faktet e jo kur përpiqemi të kapim tjetrin apo kur merremi me gafat e vogla e me problemet e rreme që nuk kanë të bëjnë fare me jetën e përditshme të njerëzve” .

Vazhdoi me një vështrim introspektiv jo vetëm të ngjarjeve si ato të Fergusonit dhe të Nju Jorkut por duke iu përgjigjur zërave cinikë që e kanë kritikuar se nuk e solli në jetë vizionin e para 10 vjetëve kur tha në Boston se nuk ka dy Amerika por vetëm një. Presidenti tha se do që brezat e ardhshëm ta dinë se amerikanët i shohin mendimet e ndryshme si dhuratë.

“Dua që ata të rriten në një vend që i tregon botës atë që ne vazhdojmë ta dimë që është e vërtetë: që ne vazhdojmë të jemi më shumë se një grup shtetesh të demokrate dhe republikane; se jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Dhe në fund presidenti foli ashtu si në fillim për një familje amerikane që ishte rimëkëmbur pas shumë vitesh vështirësisht. Dhe ndërsa në fillim të fjalimit tha se kemi 15 vjet që kemi hyrë në një shekull që filloi me terrorizmin në brigjet amerikane, në fund Presidenti tha se pas 15 vjetësh, edhe Amerika si familjet e saj, ka vendosur themelet për një të ardhme më të ndritur.

Përgjigjia e republikanëve, erdhi nga senatorja e re republikane Joni Earnst e cila tha se Kongresi i ri, i mbizotëruar nga republikanët do ta kthejë vëmendjen tej shqetësimet e amerikanëve, me nisma për hapjen e vendeve të punës dhe shfuqizimin e ligjit për kujdesin shëndetësor.

Ajo përsëriti synimin e republikanëve për të shkurtuar shpenzimet federale. Senatorja Ernst tha gjithashtu se kongresi do të diskutojë mënyrat për të përballuar terrorizmin, përfshirë al-kaidën dhe ISIL.

“Forcat e dhunës dhe shtypjes nuk duan t’ia dinë për të pafajshmit. Ma duhet një plan gjithëpërfshirës për t’i mposhtur”.

Megjithëse Presidenti është në dy vitet e fundit të mandatit, duket se betejat politike mes dy partive do të vazhdojnë duke u nisur nga qëndrimet e fundit. (voa)

Jabllanoviq: Vetëm Srpska mund të ma kërkojë dorëheqjen

Aleksandër Jabllanoviq, ministri për Kthim e Komunitete, dorëheqjen e të cilit po e kërkojnë me mijëra qytetarë të Kosovës, nuk e ka ndërmend ta jep. Ai thotë se është sqaruar disa herë, se nuk ka menduar që të lëndojë nënat e viktimave të luftës, dhe se ka kërkuar falje, transmeton zeri.info.
Shton se kur je në politikë, gjithmonë ballafaqohesh me kërkesa për dorëheqje, njëjtë është kërkuar edhe dorëheqja e Isa Mustafës, edhe e politikanëve të tjerë shqiptarë.

Por sipas tij, nëse dorëheqjen i’a kërkon Lista Serbe, sepse konstaton se nuk ka punuar mirë, atëherë edhe do të jetë i gatshëm që ta jep.

Zëri: Pse i fyet nënat e Gjakovës dhe më pas kërkuat falje?

Jabllanoviq: Tashmë e kam sqaruar disa herë, se në asnjë moment nuk kam dashur që t’i lëndojë nënat e viktimave të civilëve në Gjakovë. Si ministër i Qeverisë kam përgjegjësi për atë që bëj dhe për atë që flas dhe përderisa një deklaratë, të cilën unë e kam dhënë, është bërë shkas për protesta, atëherë unë jam ndier i detyruar që të sqarohem. Nuk do të doja që më ajo deklaratë të përdoret për të nxitur protesta të tjera.

Zëri: A iu ka thënë dikush që të kërkoni falje?

Jabllanoviq: Jo, nuk ma ka kërkuar askush. Unë si politikan me përgjegjësi e di kur, në cilin moment duhet të jap një deklaratë. E kam ndier nevojën që të sqarohem po ashtu edhe të kërkoj falje, sepse deklarata ime është keqkuptuar.

Zëri: Çfarë nëse vazhdojnë protesta kundër jush? A jeni i gatshëm të jepni dorëheqje?

Jabllanoviq: Se a do të ketë apo jo më protesta, është çështje e atyre personave që po i organizojnë ato. Unë jam përgjegjës për punën që kam marrë përsipër, ashtu siç e ka marrë e tërë “Lista Serbe” e zgjedhur nga qytetarët serbë të Kosovës. Por, natyrisht që duam të punojmë edhe për qytetarët e tjerë, sepse jemi të vetëdijshëm që pa pasur bashkëjetesë të mirë mes shqiptarëve, serbëve, romëve dhe komuniteteve të tjera, nuk mundet asnjë komunitet të jetojë mirë.

Sa i përket dorëheqjes, kjo nuk është një temë që është diskutuar. Unë jam ministër i caktuar nga “Lista Serbe” dhe nëse kjo Listë ma kërkon një gjë të tillë, në të ardhmen, duke konstatuar se kam punuar keq apo në dëm të Listës, atëherë unë jam i gatshëm të jap dorëheqje. Por tani, në këtë moment si politikanë, ne gjithmonë jemi të atakuar nga komentet e ndryshme dhe kërkesat. Kemi dëgjuar që edhe dorëheqja e kryeministrit Mustafa është kërkuar. Në seancën e fundit në Kuvend edhe kryetarit iu është kërkuar dorëheqja. Pra, është diçka që duhet të mësohemi përderisa jemi pjesë e politikës.

Zëri: Isa Mustafa është në krye të Kabinetit të Qeverisë. Çka nëse ai ju kërkon dorëheqjen si kryeministër i vendit?

Jabllanoviq: Isa Mustafa e di që unë punën time e bëj në pajtim me ligjet e Qeverisë edhe të Ministrisë dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Lidhur me rezultatin e punës sime, sigurisht që do të ketë vlerësim pas 100 ditëve. Mendoj se punën po e bëj në mënyrë transparente dhe në interes të të gjithëve.

Zëri: Ju pyeta nëse kryeministri Mustafa do ta kërkonte dorëheqjen tuaj, për shkak të deklaratës suaj kur quajtët nënat e Gjakovës “egërsira”?

Jabllanoviq: Unë e kam sqaruar deklaratën time, ia kam sqaruar edhe kryeministrit Mustafa, prandaj nuk e shoh në këtë drejtim që do të ketë diçka të tillë. Me Mustafën kam komunikim të mirë.

Zëri: A ju ka thënë ndonjë gjë kryeministri Mustafa lidhur me këtë që ndodhi?

Jabllanoviq: Nuk mundem të flasë publikisht për të gjitha ato që mund të fliten brenda Kabinetit të Mustafës, por mund të them se mes nesh ekziston një komunikimi i mirë.

Mustafa është një politikan premtues për të gjithë qytetarët e Kosovës, me një përvojë të mirë, puna e të cilit do të sjellë rezultate të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës./Zëri/

Karburantet, Autoriteti i Konkurrencës heton tregun. Dyshime për oligopol

Debati për tregun e karburanteve pritet të marrë të tjera përmasa gjatë ditëve në vijim. Shumë shpejt Autoriteti i Konkurrencës mund të marrë vendimin përfundimtar për një hetim të nisur disa muaj më parë, saktësisht në maj të vitit të kaluar në tregun e karburanteve, pas dyshimeve për shkelje të konkurrencës.Afati i hetimit të thelluar, sipas vendimit të institucionit të konkurrencës, ka qenë tre muaj dhe ka mbaruar tashmë prej kohësh.

Top Channel ka mësuar se ekspertët e këtij institucioni kanë përgatitur dhe raportin përkatës dhe tashmë ka mbetur vetëm që Autoriteti të shprehet zyrtarisht.Burime konfidenciale thonë se një nga pikat më të nxehta të vendimit mund të jetë ajo për shfuqizimin e udhëzimit me numër 17 të Ministrisë së Financave. Në vitin 2008, për ta bërë më të lehtë mbledhjen e të ardhurave nga taksat e karburanteve, Ministria e Financave nxorri një udhëzim, i cili ka reduktuar konkurrencën në treg duke i shndërruar të gjitha pikat e pakicës në agjentë të kompanive të mëdha.Udhëzimi u heq mundësinë pikave të pakicës që të konkurrojnë me çmim, pasi ai përcaktohet nga kompanitë importuese. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se ky udhëzim ka shkaktuar jo pak debat edhe brenda vetë ministrisë.

Por përtej udhëzimit, ajo që mbetet për tu parë është cilat do të jenë masat e tjera të Autoritetit. Jozyrtarisht mësohet se ka diskutime edhe për masa ndëshkuese ndaj disa kompanive që operojnë në treg për abuzim me pozitën dominuese kolektive.

Kohët e fundit tregu i karburanteve është shndërruar në një temë të nxehtë debati jo vetëm politik për çmimet e naftës në tregun e brendshëm. Në publik ka patur opinione të ndryshme se pse tregu shqiptar nuk reflekton rënien e çmimit të naftës. A janë taksat e larta shkaku apo në treg ka edhe abuzime? Ajo që është e sigurtë, është se shumë shpejt Autoritetit të Konkurrencës i duhet të dalë me një vendim zyrtar për këtë çështje.
/ Top Channel

Edhe edukim kundër aksidenteve, vrasin më shumë se çdo krim tjetër

T’i bëjmë të gjithë ta kuptojnë se rregullat janë aty për të na mbrojtur jetën, jo për të na kufizuar lirinë. Me kete apel ministri i Brendshem Saimir Tahiri deklaroi çeljen e nje fushate intesive e ndergjegjesuese per qytetaret, si drejtues mjetesh apo edhe kalimtare, te cilet sa here nuk respekojne rregullat e qarkullimit rrezikojne jeten e tyre.

Ministri Tahiri tha se numri i jeteve te humbura nga aksidetet eshte me i larte se nga krimet e tjera.

“Fakti pse kemi jetë të humbura nga aksidentet në rrugë, shumë më shumë se ngjarjet kriminale, kjo vjen nga një numër i madh arsyesh, nga mungesa e edukimit, nga mungesa e njohurive mbi rregullat e qarkullimit rrugor, nga mungesa e formimit të një korpusi të tërë rregullash që respektohen vullnetarisht nga qytetarët,qofshin këta drejtues mjetesh, qofshin këmbësorë. Por kjo vjen edhe nga mungesa e kapacitetit të institucioneve, deri tani, për të forcuar si duhet rregullat. Ne preferojmë të ecim në të dyja shinat kryesore. E para, duke forcuar rregullat dhe duke i bërë rregullat të zbatueshme nëpërmjet sanksionit. Ana tjetër është sensibilizimi”, tha Tahiri.

Krahasuar me 2013 raportohen gati 150 aksidente me pak, por pavaresisht statistikave, shqetesues ngelet drejtimi i mjetit ne gjendje te dehur si edhe shpejtesia tej normave te lejuara.

Pak dite me pare edhe kreu i qarkullimit rrugor Besmir Qibini u shpreh se eshte e nevojshme nisja e fushatave aktive qe qytetaret te ndergjegjesohen ne perdorimin e rruges. Ne hapje të fushates ishin te pranishem edhe nxenes te shkollave, te cilet prej kohesh jane aktivizuar nen shoqerine e Policise Rrugore per te edukuar qytetaret per rregullat me te thjeshta, siç jane perdorimi i vijave te bardha dhe respektimi i semaforit.
/ Top Channel

Amerika i dha dritë jeshile qeverisë teknike?

A ka gjasa që kjo deklaratë e ambasadorit të hapë mundësi për Qeveri teknike e cila do të shpallte edhe zgjedhjet e parakohshme, apo ajo nuk do të ndryshojë asgjë, për shkak të kushteve dhe rrethanave në të cilat vjen?Ambasadori në largim i SHBA-ve, Poll Uollers tha se nuk e shikon si ekstreme kërkesën e opozitës për qeveri teknike.

“Për sa i përket qeverisë teknike nuk është aq e pazakontë. Edhe shtete të tjera kanë qeveri teknike apo qeveri pjesërisht teknike. Madje unë i kam pare disa të tilla, kur persona në pozicione të caktuara kanë lëvizur vetëm gjatë periudhës së zgjedhjeve dhe pastaj janë kthyer sërish, varësisht rezultateve të zgjedhjeve. Pra qeveria teknike nuk është ekstreme. Këtu, problemi është se si të gjendet një marrëveshje në të mirë të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë dhe jo vetëm të një partie politike”, tha në një intervistë për Televizionin “Sitel”, Poll Uollers, ambasadori në largim i SHBA-së.

A ka gjasa që kjo deklaratë e ambasadorit të hapë mundësi për Qeveri teknike e cila do të shpallte edhe zgjedhjet e parakohshme, apo ajo nuk do të ndryshojë asgjë, për shkak të kushteve dhe rrethanave në të cilat vjen?

Analistët kanë mendime të ndryshme në këtë drejtim.

Politologu Qashif Bakiu është i mendimit se elitat politike vendore duhet të mendojnë në këtë drejtim. “Në radhe të parë deklaratat e një diplomati që kanë ndikim në politikat e përgjithshme, duhen parë seriozisht dhe duhet trajtuar me një vëmendje të veçantë. Është e zakonshme në praktikat diplomatike, që diplomatët e nivelit të ambasadorit të SHBA-ve, Uollrs, që në ikje të japin konstatimet e tyre dhe duhet që elitat politike vendore të mendojnë në këtë drejtim”, thotë Bakiu për “Lajm”. .

Sipas Bakiut, kjo deklaratë e ambasadorit Uollers i hap rrugën një qeveria teknike, por megjithatë një qeverie teknike ku do të merrnin pjesë të gjitha palët politike dhe do të organizonin zgjedhje të parakohshme.

“ngërçi politik është më I vështirë sesa një qeveri teknike që do të mund ta kalonte vetëm krizën aktuale. Dimë se mandatet e opozitës, ligjërisht janë të djegura dhe çdo hap tjetër për rikthim të opozitës maqedonase në parlament do të ishte shkelje mbi ligjet, që nënkupton edhe shkelje mbi Kushtetutën e Maqedonisë. Mbase pas kësaj deklarate shoh një tentativë për të shpall zgjedhje të reja për të cilat nuk jam I bindur se partitë në pushtet do ti kishin pranuar, por mbase edhe këto të opozitës nuk janë të përgatitur mirë”, thotë Bakiu, duke theksuar se për ndryshimet e tjera që do të bënte një koalicion I zgjeruar në emër të Qeverisë teknike, nuk mund të pritet pasi opozita maqedonase ka humbur mandatet e veta.

Ndërsa sipas analistit Edmond Ademi kjo deklaratë e ambasadorit që vjen pak ditë para se të largohet nga Maqedonia nuk do të ndryshojë asgjë dhe nuk ka asnjë kuptim.

“Se besoj duke pas parasysh pozicionet e partisë në pushtet. Kështu që deklaratat e Uollersit fatkeqësisht, (nëse janë të sinqerta), pasi vijnë në periudhën kur ai brenda disa ditëve do të ikë nga Maqedonia, kështu që është pak si ironike të flasësh publikisht për diçka për të cilën tre vitet e fundit ke fol shumë pak, ose s’ke fol aspak. Kështu që për mua deklarata e Uollersit nuk ka asnjë rëndësi, në kuptimin e saj nëse ka apo jo mundësi për qeveri teknike. Për fat të keq, Uollersi harxhoi mandatin e tij, thjesht si një administrator, dhe jo si ambasador”, tha për “Lajm”, Ademi. (lajm)

Qendra Informative Shqiptare "Liria"