Buxhovi: “Sllavët e sotëm në Maqedoni s’janë maqedonas antik”

Historiani Jusuf Buxhovi këshillon intelektualët shqiptarë në Maqedoni që t’i qasen vetëdijes shkencore dhe jo asaj politike!Shqiptarët e Maqedonisë që nga mëvetësimi i Republikës së Maqedonisë kanë hasur në problem në lidhje me librat e historisë dhe me mënyrën se si janë shkruar këto libra mësimore nga ana e maqedonasve. Botëkuptimet maqedonase karshi shqiptarëve kulmuan me Enciklopedinë maqedonase më vitin 2009, ku shkruhej se shqiptarët ishin ardhacak dhe jo autokton në këto treva.
Përfaqësuesit tonë kanë pak kohë të lirë për tu marr më librat e historisë, për faktin se vlerat e tenderëve peshojnë mbi betejën shkencore me palën maqedonase.
Gazeta “Lajm” ka kontaktuar historianin shqiptar Jusuf Buxhovi në lidhje me pretendimet e maqedonasve të sotshëm për përvetësimin e antikitetit, si dhe heshtjen shqiptare ndaj këtyre shkrimeve e veprimeve. Ai thotë se maqedonasit antik kanë qenë pjesë e fiseve pellazgo-dardano-ilire, që rrjedhimisht do të thotë se shqiptarët e sotëm si pasardhës të ilirëve, janë edhe pasardhës të maqedonasve antikë.
“Sllavët nuk janë e as që mund të jenë popullsi antike, ngaqë kanë ardhur këtu nga shekulli VI e tutje pas erës sonë. Përkatësia gjeografike, në këtë rast Maqedonia, nuk do të thotë njëherash edhe përkatësi etnike-historike. Maqedonia antike mundet dhe duhet të kuptohet vetëm brenda për brenda kompleksitetit pellazgo-dardano-ilir dhe assesi ndryshe. Helenizimi është një faktor i vonshëm dhe i veçantë, që përkundër manipulimit dhe spekulimeve me të, me asgjë nuk ia ndryshon karakterin pellazg maqedonasve. Rreth këtyre çështje bëhet fjalë gjerësisht në pjesën e parë të librit tim “Kosova'”, ka thënë për “Lajm” Buxhovi.
Ai më tej thotë se: “Ka shumë popuj që janë identifikuar politikisht jashtë identitetit historik. Ky përcaktim, megjithatë, maqedonasit antik nuk i tjetërson nga familja pellazge-ilire, e aq më pak që i bën sllavë, siç nuk i largon shqiptarët nga rrënja e tyre pellazge, ku janë edhe maqedonët antik”.
I pyetur se pse te historianët shqiptarë në Maqedoni mbizotëron një heshtje karshi shkrimeve mbi antikën dhe prejardhjen e kombeve në Ballkan, Buxhovi përgjigjet:
“Epo, heshtin, sepse shumë prej tyre më me dëshirë sillen rreth identiteteve fetare se sa atyre etnike dhe kombëtare me rrënjë në antikitet! Kjo ka sjellë një pamje absurde që maqedonët të identifikohen me antikitetin pellazgë, ndërsa shqiptarët me atë fetar dhe demonstrimit maqedonas me ikonografi antike, t’i kundërpërgjigjen me ikonografi fetare-islame (me xhami etj)!”.
Historiani Buxhovi këshillon intelektualët shqiptarë në Maqedoni që t’i qasen vetëdijes shkencore dhe jo asaj politike!

Rama: Alarmante, padija jonë në bujqësi për të përfituar nga BE-ja

Hendeku që e ndan bujqësinë shqiptare nga ajo e BE-së është vetëm dija dhe Shqipëria në këte drejtim është në situatë alarmante. Kryeministri Rama, në takimin “Bujqësia e së ardhmes”, ka deklaruar sot se në fushën bujqësisë,”nëse shohim volumet e mundshme që mund të thithim nga BE-ja dhe kapacitetin aktual njerëzor, ne jemi në një situatë alarmante dhe kjo është sfida jonë, që strukturat tona të jenë përçuese të dijes, mbështetëse të fermerit dhe nga ana tjetër, për të garantuar që kapitali njerëzor në fshat të rritet si dhe kapacitetet për t’iu drejtuar strukturave përkatëse.”

Kryeministri solli nevojën e rajonalizimit të bujqësisë dhe solli shembull rastin e disa vendeve, që njihen vetëm për prodhimin e manaferrave, për shembull apo të Polonisë, që njihet vetëm për mollët. Të specifikojmë prodhimin, – tha ai – që të njihemi për një gjë dhe jo të mos fitojmë asgjë duke prodhuar gjithçka.

“Nga një bujqësi që është parë tradicionalisht si territori i varfërisë dhe shpërndarjes së lëmoshës për të ruajtur normat e një mbijetese, që asnjëherë nuk mund të kapërcejë vetveten, – shtoi ai, – synojmë një bujqësi të suksesit dhe zinxhirit të vlerave.

Rezultatet e vitit të parë tregojnë se jemi në rrugën e duhur. Deri në 3-mujorin e dytë të vitit kemi një rritje prej 26% të eksporteve. Kjo është një shifër shumë inkurajuese, që flet për potencialin e madh që ka ky sektor në funksion të daljes së fshatit nga varfëria dhe krijimit të vlerave në ekonomi.

Ne jemi të vetëdijshëm për sipërfaqet e ngushta, për mungesën e specializimit dhe specifikimit të kapitalit njerëzor dhe e konsideroj këtë moment, pas shumë vitesh shpërndarjeje të lëmoshave elektorale, si moment konsolidimi të të raportit të shtetit me individit dhe fermën.

Është e qartë që kjo hartë e re vendos një marrëdhënie shumë transparente ndërmjet qeverisë dhe sektorit dhe përcakton në mënyrë të saktë të gjitha piketat, ku synohet të intensifikohet prodhimi bujqësor.

Është e qartë se nëse i referohemi bujqësisë në tërësinë e vet dhe bëjmë një krahasim mes Shqipërisë dhe BE-së, hendeku shumë i madh përcaktohet nga dija.

Bujqësia në BE është fusha e inovacionit, specializimit të vazhdueshëm, bazuar mbi dijen. Ndërkohë që në vendin tonë për vite të tëra ka ndodhur e kundërta. Është një fushë që qeveritë e kanë konsideruar si teritor të varfërisë dhe mbijetesës dhe janë mjaftuar me subvencione të paralizimit dhe statukuose dhe ku kanë mundur të ngrihen vetëm ata që kanë mundur të ngrihen duke i besuar dijes dhe konkurencës.

Fshati duhet të kuptojë se nuk duhet t’i drejtohet qeverisë për lëmoshë, por për projekte dhe subvencione të tyre. Është fakt se nëse shohim volumet e mundshme që mund të thithim nga BE-ja dhe kapacitetin aktual njerëzor jemi në një situatë alarmante dhe kjo është sfida jonë, që strukturat tona të jenë përçuese të dijes, mbështetëse të fermerit dhe nga ana tjetër, për të garantuar që kapitali njerëzor në fshatar rritet dhe kapacitetet për t’iu drejtuar strukturave përkatëse, rritet.

Komisioni Europian nënvizon zhvillimin e bujqësisë si elementin kryesor në luftimin e varfërisë. Edhe pse viti financiar që po mbylim ka qënë i vështirë për shkak të asaj që trashëguam, buxheti për bujqësinë u rrit me 71%. Ne do të vazhdojmë ta rrisim këtë mbështetje.

Sfida jonë nuk është të rrisim buxhetin, por ta bëjmë sistemin që të absorbojë çdo qindarkë të këtij sistemi. Këtë vit, falë edhe investimit serioz në sistem të Agjensisë së Zhvillimit Bujqësor, vihet re një kthesë, ende shumë e zbehtë, sepse është vetëm fillimi

“Bujqësia e së ardhmes”, Panariti prezanton hartën e rajonalizimit të prodhimit bujqësor

Ministria e Bujqësisë prezantoi, në një takim nën logon “Bujqësia e së ardhmes”, hartën e rajonalizimit të prodhimit bujqësor.Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, u shpreh se ky dokument, që miratohet për herë të parë, synon të jetë baza për hartimin e politikave mbështetëse për bujqësine dhe fermerët.

“Organizimi i prodhimit bujqësor do të bëjë që të ketë një raport shumë më transparent mes fermerit dhe politikave te qeverisë. Kjo hartë paraqet në mënyrë transparente se cilat kultura do jenë prioritare dhe në ç’formë do të mbështeten”, theksoi ministri Panariti.
Në fjalën e tij, ministri Panariti u ndal tek mbështetja që bujqësia do të marrë gjatë vitit 2015 përmes paketës së posaçme lehtësuese dhe skemës sërimbursimit të naftës për fermerët.

Në paketën lehtësuese për bujqësinë qeveria rrit masën e TVSH-së që rimburson për fermerët nga 6 në 20 për qind. Po kështu, paketa heq taksat e importit dhe TVSH-në për lëndët e para dhe makineritë bujqësore. Ndërkohë që projekt- buxheti 2015 për sektorin e bujqësisë shënon një rritje prej 26% kundrejt buxheti 2014.

(ar.sh/a.n/BalkanWeb)

Tahiri takon Ajazin, Llallën e Canin: Të vendosur që bota e krimit mos i gëzojë paratë

Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri ka mbledhur sot paradite në një takim tek hotel “Tirana’ kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, (SHISH) z Visho Ajazi Lika, ministrin e Financave,z Shkëlqim Cani si dhe Prokurorin e Përgjithshëm, z Adriatik LallaNë takim, me ftesë të ministrit Tahiri janë dhe Ahmet Prenci i hetimit tatimor, Elisa Spiropali, drejtoresha e Doganave si dhe drejtori i Burgjeve, Artur Zoto.

Burime nga ministria e Brendshme bëjnë me dije takimi bëhet në kuadër të shkëmbimit paraprakisht të informacionit për hetimet në fushën e korrupsionit.

Pas takimit ministri i Brendshëm Tahiri theksoi se prioritet mbetet lufta e aseteve kriminale. Ai theksoi se memorandumi i bashkëpunimit mes institucioneve ka nevojë për rishikim pasi i përket disa viteve më parë dhe se këto ndryshime do përfshijnë edhe kuadrin ligjor.

“Bashkëpunimi rregullohet nga një memorandum që ka nevojë për tu riparë sepse daton disa vite më parë. Vendosëm që një grup i përbashkët pune të marri në rishikim instrumentet e bashkëpunimit memorandumin dhe kuadrin ligjor dhe të gjithë agjensitë ligjzbatuese të raportojnë çdo muaj në kuadër të luftës kundër krimit e ekonomik. Jemi të vendosur që bora e krimit mos e gëzojë paratë e fituara nga aktiviteti kriminal.”- u shpreh Tahiri.

Ndërsa kryeprokurori Llalla theksoi pas takimit se memorandumi i ri i bashkëpunimit, krahas risive që do sjellë në këtë grup institucionesh që do bashkëpunojmë, do forcojë bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare.
(d.b/a.n/BalkanWeb)

Kim Mehmeti: Kosova, viktimë e disa “hienave’ politike!

Publicisti shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, ka reaguar ndaj vendimit të dy partive politike në Kosovë, për bashkëqeverisje.Në një postim në Facebook, ai ka konstatuar se u deshën gjashtë muaj pritje që të shihej më qartë diçka që dihej prej moti: se disa partiakë, Kosovën e ndjejnë si pronë të vetën.

Ja postimi i plotë i tij:

“Thonë se PDK-ja e LDK-ja më në fund janë marr vesh si do e sundojnë Kosovën! Në ndërkohë, u deshën gjashtë muaj pritje që të shihej më qartë diçka që dihet prej moti: se disa partiak të atjeshëm, Kosovën e ndjejnë si pronë të veten! Sa keq për rininë e mrekullueshme kosovare, rini që jeton e izoluar nga e tërë bota, rini të cilës ia harxhuan shumë nga vlerat me të cilat mburrej shqiptaria, përfshi edhe atë më të vlefshmen: se burri nuk vdes kur jep shpirt, por kur nuk ka turp nga asgjë! Pra, sa keq për rininë që duhej të jetonte në Kosovën e ëndrrave të paraardhësve të tyre, por e cila Kosovë gjithnjë e më shumë i ngjanë viktimës së lënë në mëshirën e disa “hienave’ politike!” (sic) /Telegrafi/

Pazari me dosje

Fjala e Albin Kurtit në Konferencën për 35 të Lëvizjes VETËVENDOSJE!Qeverisja me PDK-në shënon vazhdimin e agonisë për popullin e Kosovës. Nuk do të ketë kurrfarë shansi për luftim të krimit e të korrupsionit s’e lëre më për çështjet e tjera si zbutja e papunësisë apo reformat në arsim. Kolaboracionizmi i Isa Mustafës me PDK-në do t’i bëjë të korruptuarit edhe më të pasur, kriminelët edhe më të mbrojtur, të varfrit edhe më të mjerë, klasën e mesme edhe më të varfër, SHIK-un edhe më të fuqishëm, Mitrovicën edhe më të ndarë, Serbinë edhe më të pranishme.

Për pesë muaj rresht e kemi pamundësuar PDK-në. Kemi dëshmuar që është i mundshëm ndryshimi. Kemi dëshmuar që PDK-ja është pakica që e ka kapur shtetin. Asnjërin prej 63 deputetëve PDK-ja nuk ka arritur as ta frikësojë dhe as ta blejë. Kthesa e mbrëmshme sjell dëm të pallogaritshëm për Kosovën. Nuk do të ketë as hetim të privatizimeve të egra e as të pazareve me Serbinë. Do të ketë edhe më shumë gjëra të njëjta në rrugën e njëjtë të Thaçit.

Ditëve të fundit, ambiciet e pakontrolluara dhe apetitet e papërmbajtura për pozitën e Kryeministrit e rrënuan bashkëpunimin e koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në kuadër të luftës për t’ia ngritur pazarin vetes dhe për t’ia zbritur tjetrit, dy pretendentët brenda LAN-it e sollën mundësinë për takime e marrëveshje me Thaçin të cilën e maskonin me konsultime strukturash të partisë. Madje, nuk bëhet fjalë për pushtet partie por vetëm për pushtet personal sepse realisht nuk u diskutuan koalicionet por pozita e Kryeministrit. Mbrëmë te Presidentja vazhduan njësoj e ndanë qeverinë me thikë porsi tortën (po të ishin fëmijë, sepse, në fakt, Qeverinë e ndanë si plaçkë).

Për ne është e qartë se mbrëmë te Presidentja është bërë pazari me dosje: Isa Mustafa e amniston PDK-në dhe SHIK-un për krimet dhe korrupsionin kurse Ambasadorja amerikane ia ngrin ato 70 lëndë për krimet në komunë që mund të shpiejnë te përgjegjësia e Isa Mustafës. Vetëm dy ditë pasi që Ambasadorja ia përmendi publikisht Isa Mustafës ato 70 lëndë, ajo shkoi në vizitë te u.d. të kryeprokurorit të Kosovës, Sylë Hoxha. Porosia ishte e qartë.

Me vendimin e mbrëmshëm Isa Mustafa i ka hyrë rrugës së Behgjet Pacollit. Kryeministri në Qeveri me PDK-në e ka fatin e Pacollit kurse partinë e tij e pret fati i AKR-së. Nga PDK-ja kanë dalë edhe Jakup Krasniqi, Hydajet Hyseni e Lumnije Morina. Atje ka shkuar vetëm Ramiz Kelmendi. PDK-ja kurrë s’ka qenë më e keqe se tash dhe mu kësaj PDK-je iu bashkëngjit Mustafa.

Ne nuk e kemi votuar Isa Mustafën më 17 korrik për Kryeparlamentar. Gjithmonë e kemi marrë me shumë rezervë atë. Po ashtu, nuk i kemi besuar marrëveshjes deri kur është nënshkruar me 10 shtator, fundja atë që u patëm marrë vesh në mbrëmje me 16 korrik e anuloi në mëngjes me 17 korrik. Një marrëveshje të shkëlqyeshme si ajo e 10 shtatorit na e kanë rezistuar plot 3 muaj. Megjithatë, nuk jemi pishman: jemi të bindur që më mirë që kemi qëndruar kështu pesë muaj sesa e gjithë kjo të kishte ndodhur qysh në qershor.

Nga marrëveshja e mbrëmshme te Presidentja Jahjaga, janë inkurajuar strukturat e krimit dhe të korrupsionit. Mirëpo, ne atdhe tjetër nuk kemi. Duhet ta vazhdojmë luftën kundër tyre. Ne ju bëjmë thirrje të gjitha forcave kundër këtij pushteti dhe të gjithë qytetarëve që i duan ndryshimet të bashkohen me neve në përpjekjet në Kuvend e jashtë tij që sa më parë ta heqim qafe këtë regjim.

20 nëntor 2014

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kadare: Pse nuk kam pranuar asnjëherë të jem President

Në një intervistë për “La Repubblica”, Kadare rrëfen Shqipërinë mes së kaluarës dhe së ardhmes. Shkrimtari, i ndodhur në Tiranë për të prezantuar librin e tij të fundit “Mëngjeset në Kafe Rostand”, flet edhe për marrëdhënien me diktatorin shqiptar Enver Hoxha, patriotin e tij. Në qendër të mendimeve, e ardhmja europiane e Shqipërisë. “Për ne, të hyjmë në Europë është çështje jetë a vdekje”. Sprova e tij e fundit letrare “Mëngjeset në Kafe Rostand- motive nga Parisi” lajmërohet si suksesi i radhës i një autori që mund të mburret me miliona kopje të shitura në çdo cep të globit. Ismail Kadare, i ulur në restorant “Juvenilia”, një lokal elegant në zemër të parkut me të njëjtin emër të Tiranës, një vend veçanërisht i dashur nga shkrimtari shqiptar. Një vend i dashur nga Kadare njësoj si “Kafe Rostand’ e Parisit, qytet që e ka pritur me të gjitha nderet kur kërkoi azil politik për të protestuar kundër elitës komuniste shqiptare, e cila po rrënohej në të largëtin vit 1990. Në librin e fundit, gati një autobiografi, rrëfen episodet më domethënëse të jetës së tij: një portret prekës i së ëmës, refleksione intime mbi disa miq poetë e shkrimtarë si Frederik Rreshpja (poet, që në gjykimin e tij, është autor i “shumë vargjeve brilante dhe befasues”- por i pazoti për të gjetur kohën e tij në kohën e madhe të botës”), miqësia me baronin Pierre–Bordeaux Groult, burrë i kulturës dhe drejtor i përgjithshëm i gazetës, i bindur se populli shqiptar është “më europiani nga popujt ballkanikë” dhe mbi nevojën e Europës për të mbështetur këtë komb “për të mundësuar emancipimin e gadishullit ballkanik”. Dhe disa faqe të tjera të kushtuara “zonjushave të vogla të letërsisë shqiptare”, shkrimtare shqiptare me talent të madh që kërkojnë të ecin përpara mes mijëra vështirësish në botën e letërsisë botërore, të cilave Kadare u kushton vëmendje të madhe. Shumë histori të vogla që plotësojnë një enigmë të jetës së tij, gjithnjë të rrëfyera me stilin e tij të pangatërrueshëm.

Takimi, është rasti për të folur edhe për marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë, një marrëdhënie “intime” që as pushtimi italian i vendit nuk arriti ta gërvishte. Një afri kulturore që shpërfaqet edhe në interesin e madh për Dante Aligierin, “më i studiuari në Shqipëri dhe Francë” pavarësisht se diktatura komuniste druhej kur lexonte në Ferrin e tij gati një evokim të “gulagëve”

Shkrimtari na pret në hapësirën e kafenesë së rezervuar për të. Ndjesia është ajo e të hyrit në një vend të pakohë, gati sikur të ishte një nga ato kafenetë letrare të Parisit, ku pëlqenin të kalonin ditët e tyre personazhe si Ernest Hemingway, Pablo Picasso, Jean Paul Sartre apo Samuel Beckett. Janë vite që shkrimtari është mes të parapëlqyerve për “Nobelin” në Letërsi, por edhe këtë vit çmimi prestigjioz i iku nga duart. Pak rëndësi ka për një autor që ka shkruar faqet më të bukura të letërsisë europiane dhe që me veprën e tij ka edukuar breza të tërë drejt mendimit të lirë. Në qendër të mendimeve të tij është gjithmonë Shqipëria, e ardhmja e saj, shpresa që vendi të mund të hyjë sa më parë në Bashkimin Europian ” një çështje jetë a vdekje” sipas Kadaresë, një kalim deciziv për të lënë pas krahësh vitet e vështirë të diktuarës dhe ata po aq të vështirë të tranzicionit, me në sfond çështjen e Kosovës që ka shtrënguar marrëdhëniet me Serbinë, ai afrim që për tani është “e nevojshme të bashkëpunohet nëse Shqipëria do të hyjë në familjen e madhe të kombeve europiane” siç pëlqen të përsëritë.

Panairi i Librit në Tiranë ishte rasti për të prezantuar sprovën tuaj të fundit letrare, “Mëngjeset në Kafe Rostand”. Për çfarë bëhet fjalë?

Është një libër i shkruar me reflektimet e mia. Ka disa pjesë letrare të nxjerra nga shënimet e mia, nga përmbledhje, nga mendime, nga skica. Vepra që nuk kam mundur t’i shkruaj më parë dhe që nuk di nëse do kem kohë t’i shkruaj. Është e vështirë t’i japësh një përkufizim këtij libri.

Ju jeni i njohur në të gjithë botën për disa prej faqeve më të bukura të letërsisë botërore të “900-ës dhe të dhjetëvjeçarëve të fundit, nga “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur” te “Kronikë në gurë” te “Piramidat dhe ” E bija e Agamemnonit”, vetëm për të cituar disa. Ku e gjeni frymëzimin për veprat tuaja?

Asnjë shkrimtar nuk do i përgjigjet kurrë kësaj pyetje me të vërtetën. Këto janë sekrete që i përkasin familjes së madhe të shkrimtarëve. Dijeni se kur një shkrimtar flet për këto gjëra nuk thotë kurrë të vërtetën, sepse, edhe po të dojë, nuk mund ta thotë.

Të pyesësh një shkrimtar se cilat nga veprat e tij preferon është pak si të pyesësh një prind se cili është fëmija i tij i parapëlqyer. Por, a ka një vepër me të cilën ndiheni më i lidhur?

Sinqerisht nuk e di. Ndonjëherë ndihem më pranë njërës, herë tjetër më pranë një tjetre. Për shkrimtarët ka vepra që kanë një sukses të jashtëzakonshëm dhe të tjera që kanë më pak fat. Në të vërtetë libri që më ka sjellë më shumë fat, një prej romaneve të mi të parë, është një libër që çmoj mesatarisht. Padyshim që i jam mirënjohës këtij libri, por nuk është ai më i miri që kam shkuar.

Historia dhe gjeografia kanë bërë që si Italia, ashtu edhe Shqipëria të vendosura në qendër të Mesdheut, kanë pasur gjithnjë marrëdhënie të ngushta. Po sot si perceptohet Italia dhe italianët në Shqipëri?

Mendim i shqiptarëve drejt Italisë është një mendim shumë intim. Italia është fqinji ynë, prej më shumë se mijëra vitesh është e lidhur me Shqipërinë. Unë prej kohësh kam shfaqur një lloj pakënaqësie për sjelljen e Italisë drejt Shqipërisë, dhe nuk ka pasur një përgjigje adekuate. Janë dy vende përballë njëri-tjetrit. Kanë bashkëpunuar qindra herë, me parime dhe me ushtri. Në fund ndodhi që italianët zbarkuan në Shqipëri. Për italianët ishte një “bashkim” një pjesë e shqiptarëve konsideroi “pushtim”, edhe pse nuk mungonin shqiptarët që e mendonin si italianët. Historia dihet. Me kalimin e kohës vizioni i kësaj afërsie ndryshoi dhe nga ana e Italisë neglizhimi kundrejt vendit fqinj. Një vend që për katër vite ishte i bashkuar me Italinë: Viktor Emanueli III ishte “Mbret i Italisë dhe i Shqipërisë” dhe “Perandor i Etiopisë”. Ku ndërlikim historik dot ë krijonte në mënyrë të paevitueshme , probleme. Mendoj se pala shqiptare ka qenë gjithnjë dashamirëse kundrejt palës italiane. E theksoj këtë tezë. Populli shqiptar njeh shumë mirë kulturën italiane (pikturën, muzikën, letërsinë) dhe një ndërlikim politik ( pushtimi) nuk e ka modifikuar këtë gjë, domethënë interesin drejt Italisë.

Për shembull Italia dhe Shqipëria, të bashkuara kishin një Mbret dhe kështu një poet të madh zyrtar: ky ishte Dante Aligieri. Me diktaturën komuniste mund të pritje një ftohje ndaj vëmendjes për Danten. Shqipëria është vendi ish komunist ku Dante Aligieri është më i studiuar. Madje, Aligieri është më i studiuar në Shqipëri sesa në Francë. Kjo dashuri që nuk ndryshon për politikën apo për një pushtim ,është diçka e madhe. Vepra e plotë e Dante Aligierit është përkthyer tre herë gjatë komunizmit në Shqipëri. Dante është një shkrimtar që ka vënë në vështirësi komunizmin. Ferri i Dantes paralelizohej me gulagët komunistë dhe gjë që i bënte pak të pëlqyeshëm për regjimin komunist, sepse thelbi i veprës së tij ishte ndëshkimi i krimit: kush kryen krim duhet të paguajë. Për këtë komunizmi nuk e donte. Po pavarësisht kësaj, është përkthyer në Shqipëri. Unë mendoj se Italia duhet të ishte më e vëmendshme ndaj Shqipërisë. Duhet ta ndihmonte. Siç ka bërë Franca me Algjerinë, gjithmonë shumë e ndjeshme kundrejt ish kolonisë së saj, pavarësisht se ishte larg, në një kontinent tjetër dhe me një fe myslimane. Ne kemi një komunitet të rëndësishëm shqiptar në Itali. Shteti me ne është sjellë shumë mirë. Por gjatë komunizmit Italia e dinte se çfarë po ndodhte në Shqipëri, duhet të ishte interesuar më shumë. Italia interesohet për vende shumë më të largëta, si Madagaskari, Angola dhe të tjerë, por jo për Shqipërinë. Ndonjëherë shoh dokumentarë italianë mbi Luftën e Dytë Botërore dhe në disa i kushtohet jo më shumë se 30 sekonda pushtimit italian të Shqipërisë më 1939-n, nga Musolini.

Në Akademinë e Shkencave Morale dhe Politike të Francës ju keni zënë vendin e një prej eksponentëve më të lartë të mendimit liberal të “900, Karl Popper-it. Çfarë ndjesie ju ka lënë të zëvendësonte një personazh kaq të rëndësishëm? A ishte një përgjegjësi?

Së pari, dua të them që nuk e konsideroj një përgjegjësi. Së dyti, është se shkrimtarët kanë një karakteristikë: nuk zgjidhen nga populli si politikanët. Nga ky këndvështrim shkrimtarët përfaqësojnë vetveten dhe nuk kanë asnjë përgjegjësi, mund të thuhet se një shkrimtar është i “papërgjegjshëm”. Natyrisht po bëj shaka. Sigurisht që për mua ishte një nder i madh që u zgjodha në vend të tij. Karl Popper përveçse është një filozof i madh ishte një person simpatik, që kam pasur fatin ta njoh personalisht. Ishte një rastësi që unë u zgjodha në vend të tij. Dua të sqaroj: vendet e Institutit francez janë të kufizuara dhe ishte një nder i madh që Shqipëria përmes meje, pati një vend në këtë seli. Gjithsej anëtarët e huaj janë 12: ishte rastësi që më qëlloi mua.

Nuk mund të thuhet se ju mungon modestia…

Nuk është modesti. Përse ta quajmë kështu? Nuk e pranoj konceptin e modestisë kur i referohet shkrimtarëve. Në Shqipëri gjatë komunizmit përdorej shumë shpesh fjala “modesti” që i referohej letrarëve. Shteti i donte shkrimtarët të nënshtruar “kokulur” dhe përsëriste vazhdimisht “duhet të jeni modestë!”. Ajo e modestisë ishte një nga direktivave kryesore të dhëna nga Lenini.

Peter Morgan në librin e tij ” Ismail Kadarè, The writer and the dictatorship 1957-1990″ krahason marrëdhënien tuaj me diktatorin shqiptar Enver Hoxha, me atë mes dy mjeshtërve të shahut, të angazhuar në një ndeshje të vështirë. E gjeni veten në këtë krahasim?

Nuk më duket krahasim i saktë. Jo vetëm në rastin tim, por në përgjithësi mes një shkrimtari dhe një diktatori nuk mund të ketë asnjë lloj lidhjeje. E vetmja lidhje mes tyre është fakti që janë të dy “tiranë”, por një i vërtetë dhe një i rremë. Në të vërtetë për një shkrimtar, diktatori është një tiran i rremë. E them në përgjithësi: ndërgjegjja e një shkrimtari nuk mund ta pranojë. Ju rrëfej dy anekdota për marrëdhënien time me hoxhën: jemi të dy nga i njëjti qytet ( Gjirokastra), nga e njëjta lagje dhe madje nga e njëjta rrugicë që ka një emër vërtet të çuditshëm ” sokaku i të marrëve”. Ky është një fakt, ju mund ta verifikoni nëse doni. Gjatë regjimit një gazetar suedez, duke bërë shaka, shkroi: dy shqiptarët më të famshëm të botës vijnë nga e njëjta rrugë e quajtur “Sokaku i të marrëve”. Një batutë e rrezikshme për kohën. Por që shpjegon shumë. Ndërsa episodi tjetër ka ndodhur me time bijë: ajo, gjenetiste, ka marrë pjesë vite më parë në një kongres mjekësor ndërkombëtar i përmbyllur me një ballo siç e do zakoni. Vallëzoi me një koleg t panjohur të huaj që e pyeti: “Ju nga vini?”. Ime bijë i përgjigjet: ” Vij nga Shqipëria”. Tipi i kërkon ndjesë sepse nuk dinte asgjë rreth Shqipërisë. Pas pak shton: “Më duket se kam dëgjuar diçka. Ju keni pasur në vendin tuaj një diktator shumë të egër”. “Po”, i përgjigjet vajza. Ai vazhdoi: “E sheh që di diçka rreth vendit tënd? Më vjen madje në mend edhe emri i tij: Ismail Kadare”. Ime bijë duke qeshur, i thotë: Kjo nuk mund të jetë e vërtetë pasi Kadare është im atë. Pjesa tjetër kuptohet vetë.

Çfarë domethënieje ka pasur të bënit shkrimtarin nën një regjim diktatorial si ai shqiptar?

Sipas mendimit tim, nuk është aq e papritur sa mund të duket. Pjesa më e madhe e regjimeve të botës ka qenë, nëse jo krejt diktatoriale, të paktën shumë e ashpër. Letërsia është e mësuar me këtë.

Kryeministri aktual shqiptar, Edi Rama, ju ka propozuar të bëheni Presidenti i Republikës së Shqipërisë, por ju e keni refuzuar. Përse?

Rama nuk ishte i vetmi që ma ka propozuar presidencën e Republikës, edhe të tjerë ma kanë propozuar. Tashmë është bërë zakon. Duke e ditur që nuk do e pranoja, për ta ishte e lehtë të ma bënin këtë propozim. Një detyrë e tillë nuk është në natyrën time. Shkrimtari nuk është një qenie demokratike, shkrimtari është një qenie vetmitare, punon me kokën e vet. Gjë që është e mirë për letërsinë, por jo për demokracinë. Unë të paktën e mendoj kështu.

Gjatë viteve të fundit, prodhimet tuaja letrare janë përqendruar mbi çështjet ballkanike dhe veçanërisht mbi temën e Kosovës. Libri “Mbi krimet në Ballkan” rrëfen me saktësi dhe përpikmëri çështjen dramatike të Kosovës që ka pasur si epilog lindjen e shtetit kosovar. Për atë që i sheh nga jashtë zhvillimet dramatike është vështirë të kuptojë sesi është pjekur gjithë ajo urrejtje në atë tokë. Ju ç “përgjigje i keni dhënë ?

Është e vërtetë, është fatkeqësia jonë e përbashkët. Ndoshta i ka rrënjët e veta në një situatë anomalie në gadishullin Ballkanik. Mes tre gadishujve në jug të Europës ai Iberik, ai Italian dhe Ballkani, më i pafat ka qenë Ballkani sepse edhe pse pjesë e Europës, për pesë shekuj kanë qenë të shkëputur për t’u ribashkuar më pas me të, si fëmija i panjohur që rikthehet tek e ëma. Sipas meje e gjitha kjo ka krijuar këtë anomali që na bën me turp të gjithëve. Një ditë kjo urrejtje do të zhduket nga Ballkani. Është e pashmangshme qytetërimi europian ka rënë pikërisht aty ku ka nisur.

Në disa ese ju flisni për rivalitetin e gjatë serbo-shqiptar, një rivalitet që ka origjinë të lashtë dhe që siç ka treguar me ato që kanë ndodhur në Beograd gjatë ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri është ende larg shuarjes. A do të munden këto dy kombe të kenë herët a vonë një marrëdhënie fqinjësie të mirë?

Sipas një kulture humanitare unë duhet të përgjigjesha: po, do të vijë ai moment. Do të ishte bukur të thuhej kështu. Por nga një këndvështrim “i papërgjegjshëm” mendoj se kjo do të vijë vetëm falë një trysnie ndërkombëtare. Gjë që për mua është fat. Shtetet e vegjël nuk duhet të bëhen servilët e të mëdhenjve, por është e udhës që në disa raste të binden. Një sjellje e vendosur të Europës perëndimore do të ishte e shëndetshme për të gjithë gadishullin sepse thelbi i problemit që konsiston në atë shkëputje të Ballkanit nga Europa, është kthimi i mëpasshëm në Europë. Disa e mendojnë se do të ishte një luks të ishim europianë. Por për Shqipërinë të hyjë në Europë është çështje “jetë a vdekje”. Për Shqipërinë dhe për të gjithë shtetet ballkanikë. Do të shpëtojë i pari që do ta kuptojë.

Nuk shihni një paradoks që Shqipëria dhe vendet ballkanike duan të hyjnë në Europë pikërisht tani që BE është në krizë?

E di. Po një krizë kontinentale është një gjë e ndryshme nga kriza e vendeve më të vegjël. Unë, si thuhet, nuk jetoj me një idil për Europën. Unë e di si është Europa. Por unë mbroj gjithmonë tezën që ne ballkanasit duhet të jemi europianë me gjërat e mira dhe më pak të mira të Europës, sepse duhet të njohim që ky qytetërim ka gjëra të mira dhe më pak të mira.

Në këta muajt e fundit, kronikat ndërkombëtare janë mbushur me fakte dramatike të Lindjes së Mesme. Tmerri i pengjeve të ekzekutuar, të të krishterëve dhe të jazidëve në arrati prej tokave të tyre, gratë e përdhunuara dhe të shitura. Si mund të mbrohet bota nga ky kërcënim?

Ka disa lloj kërcënimesh nga të cilat bota mund të mbrohet vetëm me një këmbëngulje shumë të fortë, nuk duhet të jesh agresiv por duhet ët jesh i vendosur për t’u mbrojtur. Sepse kur dy forca përplasen ajo që është më e qytetëruar është me e dobët, ose thënë më mirë, duket më e dobët. I forti, i paqytetëruari, e kupton “çmendurinë” e tij si një forcë.

Në shtator, në Kosovë u arrestuan 15 persona të dyshuar për terrorizëm dhe për aktivitete të lidhura me ekstremizmin fetat dhe me rekrutimin e islamikëve të gatshëm për të luftuar krah ISIS dhe Al Nusra-s në Siri dhe Irak, ndërkohë pak javë më parë shkrime të ISIS u shfaqën në muret e manastirit ortodoks të Deçanit në Perëndim të Kosovës. Besoni se prozelitizmi i ekstremizmit islamik mund të ushtrojë ndikim mbi të rinjtë e Kosovës dhe Shqipërisë?

Po, besoj te një ndikim i kufizuar dhe për një periudhë kohe të kufizuar. Do të jetë vetëm një valë kalimtare. Një grumbullim moskuptimesh. Disa ofrojnë shpjegimin e parehatisë sociale ndaj kësaj për shkak se çështjet sociale fryhen aty ku nuk duan të shihet e vërteta.

Më 9 nëntor e gjithë Europa kujtoi 25 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Në atë kohë, Europa shkonte drejt fundit të Luftës së Ftohtë, por sot me krizën e Ukrainës duket se po përsëritet një proces largimi mes Rusisë dhe Perëndimit. Vendet e Lindjes, mbi të gjitha vendet baltike dhe Polonia, i druhen shumë aktivizmit të presidentit rus Putin. Ju besoni se mund të përfaqësojë një kërcenim për paqen botërore?

Po, është e mundur. Por varet nga strategjia e përgjigjes, sesi do të përgjigjet Perëndimi.

Çfarë ideje keni krijuar mbi Putinin?

Për fat të keq, populli rus toleron lider të tillë, sepse zgjojnë iluzione. Duhet të kërkojmë ta kuptojmë Rusinë: ka qenë një vend i madh dhe do të kthejë atë prestigj të së kaluarës. Përse vallë Rusia do të rifitojë prestigjin e saj të lashtë? A është kaq i çmuar? Çfarë sensi do të kishte për një vend tre herë më të madh se Europa të rikthehet në prestigjin e së kaluarës? Është një fatkeqësi gjeografike. Njerëzimi duhet të gjejë një mënyrë për ta evituar. Është një sublimim për një vend që është 300 herë më i madh se një vend tjetër.

Disa muaj më parë, presidenti rus Putin ka krahasuar zgjedhjen e Krimesë për aderimin në Federatën rusë me çështjen që solli pavarësinë e Kosovës. Sipas jush a është e mundur të hiqet një paralele mes dy çështjeve?

Nuk besoj. Nuk mund të bëhet paralelizëm, Kosova është një rast shumë i qartë. Është një popull, vazhdimësi i një populli tjetër dhe i së njëjtës histori. Nuk mendoj se Krimea është vazhdimësi e Rusisë, është një rast shumë i ndryshëm.

Mendoni se një ditë, Kosova do të bashkohet me Shqipërinë?

Nuk përjashtohet, por kjo nuk është në programin e Shqipërisë. Nuk kemi ngritur çështje të tilla. Hyrja e Ballkanit në Europë është shumë e rëndësishme. Shqipëria dhe Kosova apo bashkim i i dy shteteve duke hyrë në familjen e madhe të Kombeve, do të gjejnë në mënyrë të natyrshme zgjidhjen më të mirë. Sinqerisht nuk mund të parashikoj se ç “zgjidhje do të gjendet, por duke qenë Kosova e ngjitur me Shqipërinë, duke pasur të njëjtën histori , të njëjtën gjuhë dhe një moral të përbashkët historik, nuk ka zgjidhje tjetër. Por kjo do të ndodhë kur nuk do të jetë kaq e rëndësishme.

Në qershor, Shqipëria u bë zyrtarisht një shtet kandidat për të hyrën BE. Ju shpesh keni theksuar në të kaluarën rëndësinë e këtij kalimi dhe keni tregu mbi rezistencat e brendshme mbi rrugën e Shqipërisë drejt Europës. A janë akoma këto rezistenca?

Për fat të keq, po. Janë, por janë të izoluara, të kufizuara, janë jashtë kohe, pa logjikë, pa asnjë arsye.

Në librin Mbi Krimet në Ballkan mund të lexohet edhe një këmbim epistolar mes jush dhe një prej personazheve të historisë së vonë botërore. Shumë prekëse letra e dërguar prej jush Papa Gjon Palit II, i shpallur pak muaj më parë shenjtor. Çfarë kujtimi keni për Karol Vojtilën?

Papa Vojtila ishte shumë pranë Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit për dy arsye: së pari sepse kishte një aspiratë europiane në Ballkan, në një univers ku aspirata europiane ishte parë si armike. Përtej kësaj, sillte në të njëjtën kohë një disidencë të brendshme ndaj komunizmit. Ai i kuptonte shumë mirë vendet ish-komuniste, dhe kjo për kohën kishte rëndësi të madhe. Papa Vojtila është i ngulitur thellë në kujtesën tonë.

Papa Françesku e bëri më 21 shtator udhëtimin e tij të parë në Europë, pikërisht në Shqipëri dhe e tregoi vendin tuaj si shembull i bashkëjetesës paqësore mes besimeve fetare. Ku bazohet harmonia fetare në Shqipëri?

Kjo është një harmoni e vërtetë dhe konkrete, jo një metaforë. Nuk është një vizion romantik, por një realitet. Shqiptarët para se të martohen, nuk pyesin mbi besimin fetar të bashkëshorti, por e kërkojnë vetëm pas martese. As nuk interesohen për besimin fetar të Presidentit të Republikës apo të Kryeministrit. Në këto fakte unë gjej konkretësinë e harmonisë.

Madje edhe në SHBA, besimi fetar i kandidatëve për president ka njëfarë rëndësie në terma elektoralë…

Kjo është e vërtetë. Për shembull në vitet ’30, kur ekzistonte një rivalitet i fortë politik mes monarkistëve dhe republikanëve, asnjë nuk theksonte se kundërshtari i Mbretit ishte një peshkop. Por kjo nuk kishte asnjë rendësi. Fan Noli ishte peshkopi i Shqipërisë, ishte rivali i Mbretit, por askush nuk i kërkonte çfarë feje kishte. Jam interesuar gjithnjë për Fan Nolin, sepse ai bënte pjesë në familjen e madhe të shkrimtarëve. Megjithatë detyra e tij peshkopiale nuk ishte as forca as dobësia e tij. Fan Noli nuk ka manovruar kurrë mbi besimin fetar si një instrument për të fituar apo humbur betejat e tij politike.

*Nga Giovanni Cedrone dhe Liljana Maksuti – La Repubblica/publikuar sot ne te perditshmen Mapo.

Linku origjinal

http://www.repubblica.it/cultura/2014/11/19/news/kadare_la_dittatura_temeva_dante-100935603/?ref=search

(d.b/BalkanWeb)

Të drejtat e fëmijëve në Shqipëri

Në 25 vjetorin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve organizatat “Save the Children” dhe “Terre des Homme” publikuan një studim mbi gjendjen problematike të fëmijëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe Greqi. Studimi theksoi se fëmijët ndeshen me abuzimin, dhunën, trafikimin, varfërinë dhe diskriminimin nga shoqëria.Sistemi i mbrojtjes sociale vlerësohet se nuk është i aftë të zbulojë dhe të plotësojë nevojat e fëmijëve shqiptarë, sidomos atyre që janë në emigrim të brendshëm dhe rajonal. Gjendja e të drejtave të fëmijëve mbetet e rëndë; ata shfrytëzohen, keqtrajtohen, nënvlerësohen dhe përjashtohen nga shoqëria.
Sipas studimit, në Shqipëri shkelen ligjet që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, në Kosovë nuk është miratuar ende ligji për të drejtat e fëmijëve, ndërsa në Greqi shkeljet vijnë prej statusit të paqartë të prindërve emigrantë. Shqipëria ka miratuar dekadën e fundit një sërë ligjesh, strategji dhe dokumenta të tjera që sigurojnë fëmijët, megjithatë mungon zbatimi i tyre dhe mbrojtja e saktë dhe sistematike e fëmijëve, aq më pak integrimi dhe gjithëpërfshirja e tyre.

Fëmijët që vuajnë në Shqipëri u përkasin kryesisht familjeve me probleme sociale dhe ekonomike, nga zonat rurale apo grupet e përjashtuara nga shoqëria si pakicat rome dhe egjiptase. Megjithatë, kush e kush më pak të gjithë fëmijët vuajnë të njëjtat probleme në të gjitha shtresat e shoqërisë.

Sipas të dhënave të fundit, punësimi i fëmijëve në Shqipëri është rreth për qind, ndërsa lypsaria është në rritje sidomos tek romët dhe egjiptas; vetëm në Tiranë dhe Durrës janë 600 fëmijë, që lypin, dhe po aq janë regjistruar në Kosovë. Po ashtu, nga 138 viktima te trafikimit që janë marrë në mbrojtje nga instutucionet shtetërore, 26 ishin fëmijë.

Në emigrimin e brendshem 50 për qind e banorëve kanë lëvizuar drejt Tiranës e Durrësit ndërsa në emigrimin e jashtëm 50 për qind u zhvendosën drejt Greqisë dhe 35 për qind drejt Italisë. Kjo lëvizje e madhe demografike solli mungesa të po aq të mëdha me regjistrimin e fëmijëve, arsimimin dhe mjekimin e tyre.

Tashmë një numër jo i vogël, rreth 22 mijë fëmijë janë kthyer në Shqipëri nga emigracioni bashkë me familjet e tyre, duke sjellë kështu me vete sfidën kryesore për institucionet qendrore dhe vendore, riintegrimin e tyre në shoqërinë shqiptare. (voa)

Përmbytjet nga shirat, 3 të vdekur. Tahiri në Lezhë, mbledh Shtabin e Emergjencës

Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e motit të keq në të gjithë vendin. Mësohet se babë e bijë humbën jetën në qendër të Laçit, pasi makinën me të cilën udhëtonin e ka marrë rrjedha e ujit, ndërsa në Kurbin si pasojë e shembjes së një ure ka humbur jetën një i ri 22-vjeçar.Gjon Kola, ish-drejtor shkolle në Laç është nxjerrë i pajetë nga makina, ndërsa disa orë pas kërkimeve nga ekipet e emergjencës, konkretisht rreth orës 01:20 pas mesante, është gjetur edhe trupi i pajetë i vajzës së tij rreth 23 vjeç, Dorina Kola. Mësohet se trupi i vajzës është gjetur në Sanxhak, rreth 2 km nga vendi ku makina me të cilën udhëtonin babë e bijë u përfshi nga rrjedha e ujit.

Ndërkohë, në fshatin Skuraj të Kurbinit si pasojë e shembjes së një ure ka humbur jetën 22-vjeçari Liman Balluku të cilin e ka marrë rrjedha e ujit. Ekipet e forcave të kërkim-shpëtimit vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit.

Në Lundër të Tiranës si pasojë e përmbytjeve 4 persona kanë mbetur të bllokuar për disa orë në tarracën e banesës së tyre pranë Arkivës Qëndrore. Shërbimi zjarrfikës ka bërë të mundur evakuuimin e 4 banorëve të bllokuar, të cilët fatmirësiht janë në gjendje të mirë shëndetësore.

PËRMBYTJA NË SHKOZË, BOZDO: QEVERIA TË ZHBLLOKOJË PROJEKTIN PËR LUMIN E TIRANËS
Ora 11:43- Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo ka inspektuar sot urën e Shkozës për të parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet.

“Stafi i bashkisë ndodhet në terren për të evidentuar situatën”, tha ai ndërsa shtoi se Bashkia ka një plan për rehabilitimin e lumit të Tiranës, projekt ky, që siç shtoi, numri dy i Bashkisë, mbahet i bllokuar nga qeveria.

“I bëjmë thirrje qeverisë të zhbllokojë projektin”, tha Bozdo.

Bozdo ndër të tjera tha se bashkia ka ngritur një shtab emergjence për konstatimin e dëmeve.

TAHIRI DHE KODHELI MË LEZHË, MBLIDHET SHTABI I EMERGJENCËS NË PREFEKTURË
Ora 11:00 – Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka mbërritur në Lezhë rreth mesditës, ku ka mbledhur Shtabin e Emergjencës, lidhur me masat e marra në përballimin e situatës së përmbytjeve në këtë qark, si pasojë e reshjeve të dendura të një dite më parë, ku u regjistruan edhe tre viktima. Ministri Tahiri ka urdhëruar ngritjen e Shtabeve të Emergjencës në zonat problematike.

Ndërkohë në Lezhë ndodhet edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila theksoi se forcat e ushtrisë janë të angazhuara në Lezhë dhe komunën Kolsh, për tu ardhur në ndihmë banorëve. Sipas Kodhelit, Forcat e Armatosura kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës.
“Kemi ndërhyrë dhe në qytetin e Tiranës. Shpëtuam arkivin e sigurimeve shoqërore në Tapizë”- deklaroi Kodheli.

POLICIA LEZHE: MOTI I KEQ, JA SI U MBYTËN 3 VIKTIMAT
Ora 10:30 – Si pasojë e motit të keq më datën 18.11.2014 në gjithë Qarkun e Lezhës duke filluar nga ora 15.00 e ditës së djeshme e deri në mesnatë ka pasur shira të rrëmbyshëm. Nisur nga situata e krijuar është ngritur grupi i emergjencës në bashkëpunim me Prefekturën dhe Bashkinë e Lezhës. Si rezultat i kësaj situate ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Qarkut edhe një grup nga Drejtoria e Pergjithshme e Policise si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Për përballimin e kësaj situate janë angazhuar rreth 300 forca Policie me 10 automjete , ku në ndihmë të policisë së Lezhës kanë ardhur edhe forcat e FNSH . Forcat e policisë janë shpërndarë në gjithë territorin në bashkëpunim dhe me forcat e zjarrfikëses ku kanë bashkërenduar punën për tu ardhur në ndihmë banorëve të dëmtuar nga përmbytjet.

Si rezultat i shirave te rrëmbyeshëm hidrovori nuk ka punuar, pasi ka qenë e stakuar energjia si rezultat i përmbytjes së nënstacionit elektrik. Prurjet në qytetin e lezhës dhe Kurbinit kanë qenë të mëdha e për pasojë ka patur dëme të medha materjale dhe tre viktima në rrethin e Kurbinit , ku forcat e policisë kanë punuar deri në orët e para të ditës së sotme për të nxjerr viktimat nga uji.

Më datë 18.11.2014, rreth orës 20.30, në afërsi të Bankës Raiffesien, në qytetin Laç, Kurbin, është marrë nga rrjedha e ujit si pasojë e reshjeve të rëna mjetin ËË veturë në të cilën ndodhej shtetasi Gjon Zef Kola, vjeç 60, banues në Laç,Kurbin si dhe vajza e tij shtetësja Dorina Kola, 26 vjeçe, banuese në Laç, Kurbin. Në afërsi të ish komunales në Laç, është gjetur mjeti si dhe shtetasi Gjon Kola i vdekur, ndërsa vajza e tij është gjetur e vdekur në ora 01.04, datë 19.11.2014.

Më datë 18.11.2014, rreth orës 23.30, në Gallatë, Kurbin, shtetasi G N, vjeç 15 , banues në Malbardhë, Kurbin, ka qenë duke drejtuar një çiklomotorr ku si pasagjer ka patur shtetasin Liman Balloku, vjeç 21, banues në Vinjollë, Kurbin, të cilët janë marrë nga rrjedha e ujit nga ku drejtuesi i mjetit shtetasi G N ka arritur të dalë i ndihmuar nga banorë të zonës dhe forcat e policisë ndërsa shtetasi Liman Balloku, është gjetur i vdekur në ora 00.30, datë 19.11.2014.
Si rezultat i pushimit të reshjeve pas mesnatës hidrovorët kanë filluar të punojnë dhe situata në ditën e sotme është drejt normalizimit.

UKT: TURBULLOHEN BURIMET E BOVILLËS SË VJETËR NGA RESHJET E SHIUT
Ora 10:20- Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë bën me dije se si pasojë e reshjeve të dendura janë turbulluar burimet e Bovillës së vjetër. Për pasojë, UKT-ja bën me dije se do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë në disa zona. Kështu do ndërpritet uji i pijshëm në Babrru, nga reparti 3700 deri në Kinostudio. Ndërprerje do të ketë edhe në Komunën e Zall-Herrit

SITUATA, MBLIDHET GRUPI KOORDINATOR NË KRYEMINISTRI
Menjëherë pas gjendjes së krijuar nga reshjet e dendura të shiut në disa zona të vendit, nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, u mblodh grupi koordinator në Kryeministri, i cili po ndjek situatën në mënyrë të vazhdueshme.

Në përbërje të grupit janë: Ministri i Punëve të Brendshme; Ministri i Energjisë dhe Industrisë; Ministrja e Mbrojtjes; Ministri i Bujqësisë dhe Ministri i Shëndetësisë. Prej disa orësh, në zonat e rënduara si pasojë e reshjeve të forta ndodhet Ministri i Bujqësisë, i cili po ndjek situatën në terren.

Gjithashtu, në terren janë angazhuar forca dhe mjete logjistike të Ushtrisë, për t’i ardhur në ndihmë shtabeve të emergjencave civile të ngritura në çdo qark.

Grupi koordinator po monitoron orë pas ore të dhënat e ardhura nga të gjitha shtabet e emergjencave civile të çdo qarku dhe siguron qytetarët e zonave të prekura që janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura, për të përballuar çdo situatë eventuale.

SITUATA NE TE GJITHE VENDIN
QARKU LEZHË:
Në qarkun e Lezhës vazhdojnë reshjet por me intensitet të ulët. Në Nënstacionin e Lezhës po punojnë 5 mjete zjarrfikëse, të cilat kanë ardhur nga Shkodra dhe Tirana në ndihmë të zjarrfikësve të Lezhës dhe po punojnë për largimin e ujërave. Në nënstacion niveli i ujërave është rreth 0,80 m. Gjithashtu në Nënstacion po punojnë edhe punonjësit me mjete nga OST, të cilët po kontrollojnë pajisjet e Nënstacionit për ti vënë në gadishmëri, pas largimit të ujit.

Në Nënstacion kanë shkuar edhe Prefekti i Lezhës dhe Shkodrës të cilët kanë mbledhur bashkërisht të dy komisionet e emergjencave të qarqeve me të gjithë punonjësit e administratës dhe forca nga Ndërmarrjet Rajonale që funksionojnë në territoret e qarqeve.

Në komunat Balldren, Blinisht, Shëngjin, aktualisht reshjet kanë intensitet të dobët, por vihen re prezencë e ujit në nivelet 30- 50 cm në një pjesë të mirë të zonave.

Në qytetin e Rrëshenit për shkak të daljes së ujërave të lumit Fan, ka përmbytje në 5 banesa dhe 1 banesë në qytetin e Rubikut. Sipas informacioneve të tanishme reshjet kanë pushuar dhe ujërat e lumit po ulen. Kryetarët e komunave kanë mbledhur Komisionet e Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile, të cilët po analizojnë situatën e krijuar dhe po marrin masat për përballimin e gjendjes.

QARKU TIRANË
Në Bashkinë e Tiranës ka probleme në disa zona të qytetit. Njësia nr.1: Në rrugët “Ali Demi”, “Shemsi Haka”, te ura e Poligrafikut ka përmbytje për shkak të daljes së ujërave nga shtrati i Lanës.
Njësia nr.2: Rruga “Gramos Pashko” dhe zona e “Qytetit Studenti” kanë përmbytje dhe ujërat janë futur në disa banesa.

Njësia nr.3: Në “Kodrën e Priftit”, në “Rrugën e Kokonozve”, rruga “Bardhyl”, rruga “Qemal Stafa” ka probleme nga dalja e ujërave sipërfaqësore.

Njësia nr.4: Tek Bregu i Lumit, në Allias, për shkak të daljes nga shtrati të lumit të Tiranës ka përmbytje në disa banesa dhe në rrugët sekondare në mes pallateve.

Njësia nr.5: Në rrugën “Sami Frashëri”, rrugën “Komuna e Parisit” dhe rrugën “Medar Shtylla” ka dalje të ujërave sipërfaqësore për shkak të rrjedhjes nga kodra e Diellit.

Njësia nr.6: Ka përmbytje gjithë lagjja “Shaban Bardhoshi” sepse ujrat e kanalit kullues kanë dalë jashtë shtratit.

Njësia nr.9: Rruga “Don Bosko” ka përmbytje, pasi ka dalje ujrash nga mospërballimi i tyre prej kanaleve ekzistuese.
Qarqet Shkodër, Durrës, Elbasan, Korça, Fieri, Vlorë, dhe Gjirokastër nuk kanë problem me reshjet e shiut.
Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve në zonat e rrezikuara nga rreshjet e shumta, që të evitojnë daljen nga banesat e tyre, apo udhëtimet në akset rrugore dhe për çdo rast rreziku të njoftojnë menjëherë në sallat operative të policisë, në numrin 129.

BASHKIA: PROBLEME NGA RESHJET NË DISA SHKOLLA
Ora 09:33- Bashkia e Tiranës ka dhënë sot informacione për situatën e krijuar nga shirat e rrëmbyeshëm të natës së mbrëmshme në disa shkolla në Tiranë.

Raportohet se probleme ka në shkollën “Sabaudin Gabrani”, “Qazim Turdiu” dhe “Lasgush Poradeci”.
Sipas Bashkisë, situata nëpër çerdhe nuk është problematike.

PËRMBYTEN 50 BANESA NË LIBOFSHË, EVAKUOHEN 4 FAMILJE
Ora 09:16- Rrebeshi i shiut të rënë gjatë mbrëmjes së djeshme ka përmbytur edhe 5 banesa në fshatin Libofshë të Fierit. Nga vendngjarja raportohet se 25 prej tyre janë të banueshme, ndërkohë që deri më tani janë evakuuar edhe 4 familje.

SHËMBET URA NË KOMSI TË MATIT, 340 NXËNËS PA SHKOLLË
Ora 09:10- Si pasojë e motit të keq me reshje të dendura shiu ka pasur dëme edhe në rrethin e Matit. Kështu, kryetari i komunës Komsi ka konfirmuar për News 24 shembjen e urës që lidh këtë komunë me rrugën kryesore.

Për pasojë 340 nxënës kanë mbetur të izoluar, pa mundur të shkojnë në shkollë.

MOTI I KEQ, UKT NJOFTON PËR KUFIZIME TË FURNIZIMIT ME UJË NË DISA ZONA
Si pasojë e motit të keq Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka njoftuar se në disa zona të Tiranës do të ketë kufizime të energjisë për shkak të ndërprerjes së energjisë në në disa stacione të pompimit, konkretisht në stacionin e pompimit në “Qafë Mollë’, “Selitë’, “Borxull’.

UKT bën me dije se si pasojë e këtyre avarive do të ketë kufizime me ujë të pijshëm tek “Komuna e Parisit’, zona e “Senatoriumit’, “Saukut’, “Qyteti Studenti’, “Tirana e Re’, zona e “Ish- Bllokut’, si dhe tek rruga “3 Dëshmorët’ në Yzberisht. UKT njofton se kufizimet në këto zona do të zgjasin deri në riparimin e avarive të shkaktuara si pasojë e përymbytjeve.

PREFEKTURA TIRANË: BANORËT E SHKOZËS DHE LUNDRËS TË STREHOHEN NË SHKOLLA
Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi mblodhi komisionin e planifikimit të emergjencave për shkak të situatës së rënduar në kryeqytet si pasojë e përmbytjeve. Prefektura njofton se zonat më problematike janë Lundra dhe Shkoza, për pasojë banorët e këtyre zonave mund të strehohen në shkollat që kanë më afër.

Sipas prefekturës, Drejtoria Arsimore Rajonale ka hapur shkollat për banorët e këtyre zonave deri në normalizimin e situatës. Bëhet me dije se shërbimi zjarrfikës dhe policia janë në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës.

BASHKIA TIRANË: SITUATË EMERGJENTE NË BREGUN E LUMIT
Bashkia e Tiranës njofton se në Bregun e Lumit, në njësinë bashkiake numër 11 situata është alarmante dhe është e domosdoshme ndërhyrja e forcave të ushtrisë dhe policisë për të ndihmuar banorët e përmbytur. Sipas Shtabit të Emergjencave Civile në Bashki në rrugën “Siri Kodra’, “Hamdi Pepa’, në zonën e “Ish Kombinatit Tekstil’ dhe pallatet “Çabej’ disa familjeve u është futur uji në banesa, ndërsa janë dëmtuar dhe disa biznese. Punonjësit e bashkisë po ndihmojnë banorët në zonën e Bregut të Lumit.

(d.d/ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

MERKEL: NUK HABITEM NËSE SERBIA HAP NJË KONFLIKT TË RI

Berlini zyrtar po shqetësohet nga dita në ditë për orientimin e Serbisë ndaj Rusisë. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka qënë kësaj radhe e drejtpëdrejt me Beogradin.Duket se zhvillimet e fundit e kanë shqëtësuar pa masë.

Duke folur për situatën në Ukrainë ajo tha se askush nuk e kishte menduar që 25 vjet pas rënies së murit të Berlinit, mund të asistonte në një konflikt të tillë. Sipas kancelares gjermane nuk do të ishte habi nëse Serbia do të ishte vendi I rradhës që do të niste një konflikt.

“Nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Këtu flitet edhe për Moldavinë, Gjeorgjinë, dhe nëse vazhdon në këtë mënyrë dikush duhet të fillojë të pyesë veten për Serbinë, për vendet e Ballkanit perëndimor”, deklaroi Merkel.

Kancelarja Merkel theksoi se mënyrat e vjetra të të menduarit në sferat e influencës, të cilat anashkalojnë ligjet ndërkombëtare nuk duhet të pranohen.

Ndërkohë 35t serbe shkruajnë se BE mund të vonojë hapjen e kapitujve të negociatave të anëtarësimit të Serbisë në qoftë se vendi vazhdon në pozicionin e tij të mos vendosë sanksione ndaj Rusisë.

E përditshmja serbe “Danas” shkruan se “burimet diplomatike” i kanë thënë se kjo mund të jetë një mënyrë për të goditur politikën e jashtme të Serbisë.

Komisioneri i BE për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë në BE, Johannes Hahn, i cili do të mbërrijë në Beograd më 20 nëntor, i kërkoi Serbisë javën e kaluar që të mbështesë sanksionet e BE-së ndaj Rusia. (rtk)

Dr Flori’, akuzat për mosdhënie ndihme, Urgjenca: Vepruam në kohë, vdiq nga overdoza

Policia e Tiranës po heton mbi pretendimet e familjarëve të këngëtarit Doktor Flori’ i cili humbi jetën një ditë më parë krejt papritur, edhe pse shtëpia ku banonte ishte pak metra larg Urgjencës së Tiranës. Ndërkohë që pritet që mjekësia ligjore të nxjerrë zyrtarisht shkaqet e vdekjes nga rezultatet përfundimtare të toksikologjisë, policia po heton pretendimet e familjarëve, të cilët thonë se ambulanca është vonuar për t’i dhënë atij ndihmën.

Policia ka marrë dëshminë e bashkëshortjes së të ndjertit, ndërsa ka pyetur edhe mjekët e stafit të Urgjencës. Ndërkohë që materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë së Tiranës.

Në një emision televizov, pastori i një kishe ku kantautori i njohur shkonte sëfundi deklaroi se, gruaja e tij sëbashku me djalin disa javësh në krahë kishte shkuar në urgjencë për të kërkuar ndihmë dhe aty ishte përballur me shprehjen “Silleni vetë të sëmurin, nuk kemi ambulancë”.

“E kishin marrë urgjencën në telefon, por ajo nuk po vinte megjithëse klinika është vetëm 5 minuta larg në këmbë. Ata thoshin vetëm që nuk kemi ambulancë për momentin pasi është diku tjetër. Bashkëshortja e tij, ka marrë djalin në dorë dhe ka shkuar tek ambulanca e lagjes ku i kanë thënë që ta sjellin familjarët në urgjencë”, tha pastori.

Pastori tha se gjithçka mbaroi rreth orës 10.05 ndërsa kur mbërritën mjekët gjithçka ishte e kotë. “Si ka mundësi që t’i thuhet një nëne të re me një fëmijë në krahë silleni këtu të sëmurin, kur mjekët mund të shkonin në këmbë për të ndihmuar një njeri” – tha pastori Muça.

URGJENCA: ZBATUAM PROTOKOLLIN ME PËRPIKMËRI
Ndërkohë që Urgjenca e Tiranës ka mohur akuzat për vonesën e ambulancës. Burime nga urgjenca bëjnë me dije se autoambulanca ka mbërritur në shtëpinë e të ndjerit 3 minuta pas njoftimit.

Të njëjtat burime saktësojnë se, gruaja e “Doktor Florit’ ka lajmëruar fillimisht për gjendje të dehur të bashkëshortit të saj.

Ndërsa shefi i Urgjencës, Naim Lusha thotë se është zbatuar me përpikmëri protokolli.

Shefi i Urgjencës: Dr Flori në vdekje klinike nga overdoza, padi ndaj akuzave të familjarëve

Shefi i Shërbimit të Urgjencës, Naim Lusha bën të ditur se ekipi mjekësor ka mbërritur në orën 10:08 minuta në vendin e ngjarjes ku ka gjetur Florand Kondin ne vdekje klinike nga nje arrest kardio-vaskular nga overdoza.

“Shefi i shërbimit të urgjencës Naim Lusha: jemi njoftuar në orën 09.45 fillimisht nga gruaja e doktor Florit e cila ka kërkuar ndihmë mjekësore për burrin e saj që është i alkolizuar dhe axhituar dhe i dhunshëm, i është dhënë përgjigje nga personeli se duhet të shoqërohet personeli mjekësore me policë, në këto momente gruaja është larguar pa dhënë me shpjegime. Në orën 10 e 05 është telefonuar në shërbimin tonë për një rast emergjencë dhe menjëherë është nis ekipi mjekësore dhe në 10.08 minuta është gjendur në vendin e ngjarjes.
Personi Florian Kondi ishte në vdekje klinike arrest kardio vaskular nga ovërdoza. Në këtë moment është tentuar rikthimi në jetë nga ekipi mjekësore nëpërmjet reanimimit zemër mushkri dhe i është injektuar adrenalinë, por pamundësi rikthimi në jetë. Është cuar në QSUT nga autoambulanca jonë në prani të ekipit mjekësor dhe vëllait.
Në një turn 12 orësh ka tre automjete autoambulancë, 6 mjekë, 5 infermiere dhe tre shofer.

Naim Lusha thekson se do të bëjë kallzim penal për shpifje në adresë të Urgjencës për pastorin, vëllain e viktimës që kanë ngritur akuza ndaj tij.
“Do bëjmë kallëzim penal për shpifje në adresë të shërbimit të urgjencës për pastorin dhe vëllain e viktimës që kanë ngritur akuza”.

BEQAJ: GRUAJA E DOKTOR FLORIT KËRKOI NDIHMË PËR DIKË QË KISHTE KONSUMUAR ALKOOL
Në lidhje me pretendimet e familjarëve të “Doktor Florit’ për mungesën e autoambulancës në dhënien e ndihmës së parë, ka regjur edhe kreu i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Sipas ministrit, “Thirrja telefonike nga familjarët është bërë në orën 10:05 minuta”.

Beqaj tha më tej se, “Gruaja kërkoi ndihmë për dikë që ka konsumuar alkool. Në raste të tilla ambulanca shkon bashkë me një polic, por gruaja nuk donte të shoqërohej nga policia”.

VDEKJA E DR.FLORIT, PROKURORIA: PROCEDIM PENAL PËR MOSËDHËNIE NDIHME
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar kryesisht procedimin penal për “Mosdhënie ndihme”, parashikuar nga neni 97 i Kodit Penal për rastin e vdekjes së shtetasit Florian Kondi (Dr. Flori). Po punohet intensivisht për marrjen në pyetje të personelit mjekësor dhe familjarëve të të ndjerit.

KUSH ISHTE DOKTOR FLORI
Dr.Flori ishte një ndër tre anëtarët e grupit shqiptar të njohur me emrin “West Side Family”. Rolandi, Miri dhe Flori, dikur shokë në një klasë, më pas anëtarë të një prej grupeve më të njohura muzikore të Shqipërisë. Pas suksesit të madh me këngën-hit ‘Mesazh’, shikohen në skenën e festivalit të “Këngëve të Stinës”, por tashmë jo për të kënduar, por për të prezantuar. Ndërsa Doktor Flori, si pjesë e grupit mjaft të njohur “West Side Family” do të mbahet mend edhe për bashkëpunimin me ish-kreun e Bashkisë së Tiranës dhe ish-kreun e opozitës, tashmë kryeministër, Edi Rama. Kënga e parë e debutuar nga ata ishte “Tirona”, prej nga doli edhe shprehja: “Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë”. Në atë kohë, grupi i mirënjohur mbajti një koncert recital, me të ftuar special kryebashkiakun Rama. Kënga ‘Tirona’ ishte pa dyshim që i dha dhe famën më të madhe grupit të tre djemve. Në 2009-ën, ‘West Side Family’ u bashkua përsëri me Ramën, këtë herë për të sjellë këngën e fushatës elektorale. Në qershor të vitit 2013, Flori si solist tashmë publikoi një këngë, ku shfaqte dukshëm zhgënjimin që kishte marrë nga Partia Socialiste dhe nga Edi Rama. Megjithatë edhe kjo këngë shënjoi një
sukses për këngëtarin e rrepit. Teksti i këngës i shkruar nga 35-vjeçari, “Zjarr e Ftohtë”, i kënduar nga këngëtari Luiz Ejlli, fitoi në “Festivali i Këngës 44″ dhe më vonë përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision Song Contest 2006″. Florian Kondi ishte baba i dy fëmijë dhe në rininë e tij ka qenë pjesë e grupit “West Side Family”. Ai ka marrë pjesë në disa festivale.

(ma.ar/d.b/BalkanWeb)

Qendra Informative Shqiptare "Liria"