Lista Serbe: Asociacioni, sipas marrëveshjes së vitit 2013

lista serbeFormimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë prioriteti kulmor i Listës Serbe, por një gjë e tillë, gjithashtu është obligim për institucionet e Kosovës, i cili ka dalë nga marrëveshja në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, vlerësojnë përfaqësuesit e Listës Serbe.

Igor Simiq, deputet i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës dhe zëdhënës i këtij subjekti politik, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë ekziston një vullnet i mirë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, jo vetëm brenda Listës Serbe, por sipas tij edhe tek përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

Megjithatë, siç thotë ai, ndonëse formimi i Asociacionit do të nisë shpejt, ende nuk ka ndonjë datë të saktë se kur mund të nisë ky proces.

Në përgjithësi, ne ende nuk e kemi të caktuar datën se kur mund të nisë ky proces. Mund të them se formimi i Bashkësisë së komunave serbe, si një institucion kulmor, është proces dhe jo vetëm një moment kur mund të thuash ‘do ta formojmë’ dhe kaq. Ky është proces që do të kërkojë kohë. Por, e rëndësishme është që ky është obligim që ka dalë nga marrëveshja dhe kjo nuk është marrëveshje e imponuar, por e arritur nga ekipet e bisedimeve. Çdo shtyrje e asaj për të cilën janë marrë vesh, është jo e sinqertë”, tha Simiq.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ditë më parë ka bërë me dije se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të formohet, por vetëm në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Kjo e fundit, më 23 dhjetor 2015, pati vlerësuar se disa nga parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin, të datës 25 gusht 2015, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Asociacioni i komunave me shumicë serbe, buron nga Marrëveshja e Parë e Parimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel më 19 prill të vitit 2013.

Simiq thotë se Lista Serbe do të insistojë që formimi i Asociacionit të bëhet sipas marrëveshjes së vitit 2013.

Qëndrimi i Listës Serbe është që Bashkësia e komunave serbe të formohet ashtu siç është rritur pajtimi në Bruksel. Mund t’ju them, edhe si jurist, që Kushtetuta e Kosovës thotë që marrëveshjet që kanë karakter ndërkombëtar, ashtu siç po i trajton Kosova, si dhe që janë të ratifikuara nga Kuvendi, ato kanë fuqi më të madhe ligjore se sa vet Kushtetuta e Kosovës, e lerë më nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha Simiq.

Por, njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në marrëveshjen e Brukselit thuhet qartë se Asociacioni do të formohet sipas Kushtetutës së Kosovës, gjegjësisht, sipas ligjeve të saj. Kjo marrëveshje, siç thotë ai, gjendet edhe në faqen e internetit të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Por, sipas tij, problemi është krijuar për shkak të interpretimeve të ndryshme, ndërmjet asaj që e thotë Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe asaj që e thonë Beogradi zyrtar dhe Lista Serbe.

Aty shkruhet mjaft qartë që Bashkësia e komunave serbe do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Prandaj, problemi është se ky fakt po injorohet, ndërkohë që po ky fakt është mjaft i rëndësishëm dhe nuk guxon të injorohet. Në rast se këto fakte, janë kështu siç po i themi, atëherë Lista Serbe nuk ka këtu shumë hapësirë për manipulime”, tha Nojkiq.

Ai ka shprehur mendimin që përmbajtja e Marrëveshjes për formimin Asociacionit duhet sqaruar për opinionin, ndërkaq që Lista Serbe dhe Qeveria e Kosovës do të duhej të ulen dhe bisedojnë lidhur me vërejtjet që ka dhënë Gjykata Kushtetuese lidhur me formimin e Asociacionit. (rel)

Një studim i ri për gjumin

studimet e gjumitSipas vlerësimeve, rreth 40 milionë njerëz vetëm në Shtetet e Bashkuara vuajnë nga pagjumësia kronike. Por një studim i ri, ndoshta i pari i këtij lloji, hedh dritë mbi zakonet e gjumit tek njerëzit:

Studiuesit kanadezë që merren me studimin e gjumit tek njerëzit, zgjodhën për të ekperimentuar popullsinë Hadza në Tanzani, ngaqë mjedisi ku ata jetojnë është i ngjashëm me atë ku jetonin njerëzit një milion vjet më parë.

“Ata jetojnë në një nga zonat me më pak ndotje të planetit tonë. Në Perëndim, 99 për qind e individëve që jetojnë në kushtet e periudhës pas industrializimit është i ekspozuar ndaj një ndotjeje të lehtë të mjedisit.”- thotë studjuesi.
Studjuesi David Samson thotë gjithashtu se Hadzat e Tanzanisë jetojnë në të njëjtën mënyrë si edhe paraardhësit tanë.

“Ata jetojnë me gjuetinë e kafshëve, me të njëjtën strategji për të gjetur mjetet e jetesës si edhe të parët tanë, në të njëjtin sistem mjedis fizik si 1.8 milionë vjet më parë. Pra, ata janë grupi më i përshtatshëm për t’u studjuar.”

Profesori Samson dhe ekipi i tij zbuluan që Hadzat flejnë në të gjitha orët e ditës, pra jo vetëm natën.

“Ne zbuluam diçka të çuditshme, që ata flinin në mënyrë jo sinkronike. Ishte diçka shumë e rrallë që individë të caktuar të flinin në të njëjton kohë.”- thotë profesori.
Lind pyetja: Përse? Përgjigja mund të jetë se jeta në atë kohë ishte me të vërtetë e rrezikshme, pra njerëzit duhej të ishin gjatë gjithë kohës vigjilentë, pra zgjuar.

Ndryshe nga kjo, njerëzit në shoqëritë e zhvilluara kanë prirjen të qëndrojnë deri vonë zgjuar gjatë natës, ndërsa të moshuarit flenë herët dhe zgjohen herët.

“Me sa duket, kjo ka qenë një sjellje për t’u adaptuar me mjedisin, gjumi në intervale kohe të shkurtëra tek të moshuarit dhe fjetja me gjumë të lehtë disa herë në ditë, mund të ketë sjellë përfitime në procesin e zhvillimit të njerëzve”- thotë studjuesi.

Duket se tek të parët tanë gjumi nuk ka qenë njëlloj për të gjithë.

“Një përfundim i shkëlqyer që del nga ky studim, është variacioni në zakonet e gjumit tek njerëzit. Pra, kjo prirje e natyrshme e gjumit në Perëndim, që kemi sot, mund të quhet një çrregullim.”

Me sa duket, gjumi i shkurtër i pasdites, aq i nevojshëm për shumë njerëz, mund të jetë një zakon i mbetur nga të parët tanë, kur vigjilenca dhe të qënit zgjuar gjatë natës ishin të domosdoshme për të mbijetuar. (voa)

Realiteti virtual pjesë e arsimit

realiteti virtualFalë efekteve speciale të krijuara në Hollywood, tashmë është e mundur krijimi i një bote me superheronj apo galaksi të largëta. Por kjo teknologji dalëngadalë po futet edhe nëpër shkolla dhe po e tjetërson dhënien e lëndëve shkencore. Udhëtimi visual mund t’i çojë nxënësit nga një qelizë e deri tek pjesët më të largëta të sistemit tonë diellor.

Falë këtyre syzeve virtuale, Marjai Flowers dhe Shelbi Buchanan mund të vizitojnë rezervate natyrore.

“Më pëlqeu pjesa kur një djalë dhe një vajzë po flisnin për gjarpërinjtë dhe breshkat. Syzet virtuale të çojnë në brendësi të atij mjedisi ku shikon gjithçka dhe të duket sikur vërtet je aty. I shikon dhe dëgjon gjërat që ndodhin aty.”

Ky quhet “Sistemi i Realitetit Virtual ‘Victory’ ”. Drejtuesi Steve Grubbs thotë se futja e realitetit virtual në programet mësimore është një mënyrë për të ndihmuar studentët. Ai foli me Zërin e Amerikës përmes Skype.

“Studentët amerikanë nuk po arrijnë rezultate të mira në shkencë ndaj besojmë se realiteti virtual është një mënyrë për arsimim më të mirë. Kemi vënë re se realiteti virtual i tërheq nxënësit më shumë për të mësuar.”

Ai thotë se studimet tregojnë se kujtesa e studentëve që mësojnë përmes realitetit virtual është më e mirë.

“..kur studentët zhyten në realitetin virtual dhe janë entuziastë për të mësuar, për rrjedhojë ata do të përvetësojnë më shumë nga mësimet dhe ky lloj arsimimi ka më shumë kuptim.”

Zoti Grubbs thotë se realiteti virtual, në disa raste, ofron një mjedis më të sigurtë mësimi.

“Studentët mund të realizojnë prova të ndryshme që edhe po shpërthyen, janë në botë virtuale, dhe askush nuk dëmtohet.”

Nxënës, si Shelbi Buchanan ndihen të kënaqur.

“Mjedisi është me personazhe si në filmat vizatimorë dhe mund të lëvizësh nga një dhomë tek tjetra. Ke shumë alternativa.”

Ky sistem i realitetit virtual është pjesë e arsimit në disa pjesë të Azisë, Kanadasë dhe Karaibeve, ndërsa do të bëhet pjesë e arsimit në disa shkolla amerikane kur të fillojë viti shkollor. (voa)

NASA, bashkëpunim me Rusinë për një “portë hapësinore”

kosmonautAgjencia amerikane e hapësirës NASA thotë se do të bashkëpunojë me agjencinë ruse hapsinore Roscosmos për ndërtimin e asaj që e quajnë një “portë e thellë hapësinore” në afërsi të Hënës.

Stacioni hapësinor hënor, ende në fazën e konceptimit, është pjesë e një projekti afatgjatë që synon dërgimin e njerëzve në Mars.

Administratori në detyrë i NASA-s Robert Lightfoot tha të mërkurën “NASA është e kënaqur të shohë interesin në rritje ndërkombëtar për të lëvizur në hapësirën mes Hënës dhe Tokës si hapi i ardhshëm për avancimin e eksplorimit të hapësirës njerëzore”.

Sipas tij, koncepti i “portës” do të shërbejë si “një mundësi për të përcaktuar llojin e eksplorimit dhe që ai të jetë i përballueshme financiarisht si dhe të garantojë qëndrueshmëri”.

Ideja që qëndron pas projektit të portës është ndërtimi i një objekti hapësinor që orbiton rreth hënës dhe që do të shërbejë si një pikë ndalimi për eksplorime më të thella në hapësirë. (voa)

Lugina e Silikonit, në shënjestër

facebookIndustria e teknologjisë e reklamon veten si një forcë e së mirës, duke e lidhur botën dhe duke ndihmuar rrjedhjen e lirë të informacionit. Por Lugina e Silikonit, siç quhet qendra e teknologjisë së lartë në Kaliforni, është vënë në shënjestër kohët e fundit, pas njoftimeve se disa persona në Rusi i kanë përdorur këto shërbime që ofron teknologjia për të vënë në shënjestër dhe për të ndikuar te opinioni publik në SHBA. Michelle Quinn e Zërit të Amerikës ishte në një konferencë të madhe për teknologjinë të mbajtur në San Francisko, për të parë se si kompanitë e ndryshme e shohin rolin e teknologjive të reja në shoqëri.

Në konferencën e quajtur TechCrunch Disrupt kanë ardhur themelues të kompanive të shumta për të reklamuar idetë e tyre tek investitorët dhe klientët. Debatet në Uashington për gjigandin Facebook dhe për përdorimin nga Rusia të medias sociale për të ndikuar mbi zgjedhjet amerikane duken të largëta.

Megjithatë, këta sipërmarrës shpesh pyesin veten se çfarë mund të kontrollojnë dhe çfarë jo, kur bëhet fjalë për teknologjinë që po krijojnë.

“Teknologjia i lejon njerëzit të kenë më shumë liri për të krijuar dhe për të komunikuar. Një mesazh keqdashës mund të ketë qenë i pabujshëm në të kaluarën, por sot krijon mjaft zhurmë.”

Kompania e zotit Lachlan Phillips ndihmon bizneset të bëjnë video reklama dhe t’i shpërndajnë ato në mediat sociale. Shqetësimet për përdorimin e Facebookut nga rusët për të përhapur mesazhe përçarëse në shoqërinë amerikane e bëjnë atë të mendohet thellë.

“Integriteti është absolutisht i rëndësishëm për mua dhe për kompaninë time. Unë nuk do të doja të shpërndaja informacione me të cilat personalisht nuk jam dakord në një farë mase. Dhe mendoj se është e rëndësishme që kompanitë ta bëjnë këtë. Sidomos në klimën e ndjeshme që është krijuar.”

Amy Chen krijoi kompaninë 99 Voices për të lejuar njerëzit të vlerësojnë politikanët dhe bizneset. Ajo ende përpiqet të gjejë mënyra teknike për ta bërë sistemin e saj të vlerësimit të padepërtueshëm nga ata që përpiqen ta hakerojnë atë.

“Nuk e di nëse teknologjia mund ta zgjidhë këtë çështje. Do të ishte mirë nëse kjo bëhet një platformë me të cilën të mund të shprehet me vërtetësi opinioni i publikut”.

Disa sipërmarrës thonë se ajo që ka rëndësi është objektivi i një kompanie, e jo mënyrat me të cilat një teknologji mund të përdoret ose të keqpërdoret.

“Mendoj se deri në njëfarë mase duhet të ketë një lloj kontrolli, por kjo mund të thuhet për çdo industri. Nëse shohim teknologjinë me të cilën unë merrem, hapësira e mesazheve të koduar, njerëzit thonë se në këtë fushë ekzistojnë mjaft mangësi, që mund të shfrytëzohen për gjëra negative. Por kjo mund të thuhet edhe për një kompani makinash apo avionësh. Nëse kompania ka qëllime të mira, kjo si fillim është gjë e mirë.”

Facebook njoftoi se do të shtojë masat për një mbikëqyrje njerëzore të procesit të automatizuar të reklamave. Qëllimi: fshirja e reklamave që rezultojnë të jenë kundër racave, etnive, feve apo grupeve të caktuara.

“Ne jemi ende një shoqëri njerëzore dhe kemi nevojë për elementin njerëzor në komunikimin me njëri-tjetrin”.

Edhe në këtë konferencë, ku e ardhmja shihet me mjaft entuziazëm, ekziston njëkohësisht ndjesia se kufijtë dhe fuqia që mund të arrijë teknologjia është herë-herë shqetësuese, gati e frikshme. (voa)

Twitteri do të dyfishojë gjatësinë e komenteve

twitterTwitteri do të dyfishojë gjatësinë e komenteve në këtë rrjet social, nga 140 shkronja që lejohen aktualisht në 280.

Sipas njoftimit të kompanisë vendimi do të prekë vetëm “një grup të vogël” përdoruesish.

Ndërsa u njoftua vendimi, nuk u tha nëse Presidenti Trump, një prej përdoruesve më të bujshëm të tij, do të jetë një prej personave që do të lejohet të postojë twitte më të gjata.

Japonishtja, koreançja dhe kinezçja përjashtohen nga vendimi për tweete të gjata sepse këto gjuhë u mundësojnë njerëzve të thonë shumë më tepër duke përdorur pak shkronja. (voa)

Përdorimi i teknologjisë për të zhdukur analfabetizmin

googleA mund të mësojnë fëmijët që nuk kanë qenë kurrë në shkollë shprehi themelore për lexim, shkrim dhe matematikë duke përdorur vetëm një kompjuter tabletë?

Banka Botërore dhe XPrize po japin 15 milionë dollarë për këtë ide.
“Ka diçka të vërtetë në këtë”, thotë Matt Keller, drejtor i përgjithshëm i XPrize Global Learning, konkurs i financuar nga Fondacioni XPrize, një organizatë jofitimprurëse që nxit shpikësit për të trajtuar problemet globale të tilla si ndryshimi i klimës dhe kujdesi shëndetësor universal.

Konkursi Global Learning XPrize [[https://learning.XPrize.org/]] shpërblen me 10 milionë dollarë atë ekip ose kompani që zhvillon aplikacionin më të mirë edukativ për fëmijët që nuk kanë shkuar kurrë në shkollë. Sipas Institutit të Statistikave të UNESCO-s, rreth 263 milionë fëmijë në mbarë botën nuk shkojnë në shkollë.

“A mund të zhvilloni diçka që është kaq intuitiv, kaq tërheqës, kaq dinamik saqë ia jepni fëmijës që është analfabet në një pjesë shumë të largët të botës – ai/ajo e merr atë, e prek dhe fillon të mësojë si të lexojë? Kjo është sfida që kemi paraqitur,” thotë zoti Keller.

Të paktën 198 ekipe u përfshinë në këtë sfidë. Pesë finalistë u përzgjodhën kohët e fundit dhe secilit iu dha 1 milion dollarë.

Finalistët do të fillojnë testimin e aplikacioneve të tyre arsimore këtë nëntor. Afërsisht 4.000 fëmijë nga 150 fshatra në rajonin Tanga të Tanzanisë do të përdorin tableta të dhuruara nga Google për të hyrë në aplikacionet dhe për të mësuar veten. (dw)

Motoja e Tetorit gjerman 2017: 30 vjet marrëdhënie diplomatike Gjermani – Shqipëri

ambasadorja gjermane ne ALTradita e Tetorit Gjerman, si njihen javët e kulturës gjermane, vijon sivjet me edicionin e saj të 11-të.

Që nga viti 2006, kur kjo traditë filloi, këto javë ndërtuan,vit pas viti, një urë të fuqishme bashkëpunimi kulturor dhe njërëzor mes dy vendeve dhe prezantuan maja të kulturës dhe artit  për dashamirët në rritje që Tetorët gjermanë fitojnë çdo vit.

Bashkëpunim i ndërsjelltë në produktin artistik – shkëmbim përjetimesh dhe përvojash

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, në një konferencë shtypi, në mjediset e Ambasadës Gjermane në Tiranë prezantoi (28.09.2017) synimet e programit të Tetorit gjerman 2017. “Shkëmbimi i mendimeve dhe përvojave mes gjermanëve dhe shqiptarëve do të jetë edhe këtë herë ideja qendrore dhe elementi lidhës i Tetorit Gjerman 2017. Edhe këtë vit dëshirojmë të arrijmë që shqiptarët dhe gjermanët bashkarisht të jenë krijues, aktivë, të përjetojnë së bashku dhe të shkëmbejnë përjetimet e tyre, të punojnë për një produkt, të ngrenë ura ndërlidhjeje e në rastin më të mirë të mësojnë prej njëri-tjetrit”.

Risi artistike kulmore në programin e larmishëm Tetori gjerman 2017

Teatër, Balet, Muzikë, Kinematografi, Letërsi, Arte Figurative dhe workshop-e do të synojnë të plotësojnë kërkesën në rritje të publikut shqiptar për kulturën dhe artin bashkëkhor gjerman. Koncerti  “Rekuiem Gjerman”, vepra madhore për kor dhe orkestër e kompozitorit Johannes Brahms, do të bëjë hapjen festive të aktiviteteve të Tetorit gjerman 2017. Dirigjenti gjerman Ekhart Wycik,profesor në shkollën e lartë të muzikës në Weimar do të drejtojë korin dhe orkestrën. Drama  “Draußen vor der Tür” ( në shqip ‘Jashtë derës’) e autorit Wolfgang Borchert do të jetë premierë dhe vihet në skenë përmes bashkëpunimit gjermano-shqiptar.

E shkruar në vitin 1946 ajo paraqet mungesën e  shpresës së Beckmann, një ushtari gjerman pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe kthimit të tij nga Rusia, kohë kur ai zbulon se ka humbur gruan, shtëpinë dhe gjithçka, ku ai besonte, bashkë me iluzionet. Të gjitha dyert ku ai troket nuk i hapen. Madje edhe lumi Elba i refuzon vetëvrasjen duke e nxjerrë atë në breg.  Drama përfundon me supozimin e vdekjes së Beckmann-it. Drama është vlerësuar si një vepër teatrale përtej kombësisë dhe ideologjisë. Ajo tregon sesi njeriu i zakonshëm, egoist dhe i vetëkënaqur, është përgjegjës për tmerret, vuajtjet dhe dhimbjen që sjellin konflikte të mëdha si Lufta e Dytë Botërore, mesazh që ruan aktualitetin edhe sot e kësaj dite.

Një tjetër risi u ofron dashamirësve të kulturës gjermane në Shqipëri ekspozita e arteve figurative “Rosemarie Trockel”, nga Instituti për Marrëdhëniet me Jashtë. Autorja është profesore në Akademinë e arteve në Düssseldorf  dhe fituese e çmimit Wolf Prize në pikturë. Rosemarie Trockel është autorja e monumentit ” Engjëlli i Frankfurtit”  i vendosur në Frankfurt. Ajo vlerësohet si artiste shumë dimensionale, e famshme në nivel ndërkombëtar  që nga vizatimet, fotografitë, tablotë e famshme me thurje e deri tek videoinstalacionet.

Letërsia do të sjellë në Shqipëri me ftesë të Ambasadës Gjermane dhe Qendrës Gëte, dy autorë gjermanë, poeten Daniela Danz dhe autorin e vlerësuar me çmime të librave për fëmijë Jürgen Banscherus.

Muzika do të jetë e pranishme përmes këngësh të vjetra popullore shqiptare të paraqitura në një mënyrë të re interpretimi nga këngëtarja me banim në Berlin, Fatime Kosumi dhe grupi i saj ANDRRA. Meloditë tradicionale do të sillen me një interpretim elektronik të përshkruar nga melankolia. Pjesë e Tetorit Gjerman 2017 janë edhe vepra kinematografike të sukseshme të kineastëve gjermanë.

Vepra dhe aktivitetet e larmishme kulturore artistike, të përzgjedhura për Tetorin gjerman 2017 pritet të flasin me gjuhën e artit për përfitimet e mëdha që po gëzojnë dy popujt në 30 vjet marrëdhënie diplomatike Gjermani-Shqipëri. (dw)

Edi Rama: Kosova duhet ta zgjidh sa më parë problemin e Demarkacionit

ramaKryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova duhet ta zgjidh sa më parë problemin e Demarkacionit me Malin Zi, pasi që sipas tij, ky problem, ka kthyer në ngërc marrëdhënien e Kosovës me Bashkësinë ndërkombëtare.

“Interesi i Kosovës është zgjidhja sa më parë e këtij problem i c ili, është kthyer në një ngërc në marrëdhëniet me Bashkësibnë Ndërkombëtare. Natyrisht ka një proces të natyrishëm fiziologjik nga opozita në qeveri, kështu që kryeministri kërkon edhe pak kohë për tu ndarë nga pozicioni opozitarë ndaj këtij problem. Natyrisht nuk do të doja kryeministri Haradinaj të kalonte si opozitarë për një cështje të cilën e ka përkrahur më herët”, ka thënë Rama, transmeton zeri.info.

Më tutje, Rama ka thënë se sa i përket marrëdhënieve me Malin e Zi, nuk ky shtet është një vend mik me të cilin shqiptarët kanë marrëdhënie të shkëlqyera.

”Shqiptarët kanë shpëtuar dy herë Malin e Zi gjatë historisë dhe kanë marrëdhënie të shkëlqyera me këtë shtet”, ka thënë Rama, transmeton zeri.info.

Gjykata Penale përsëri refuzon “bombat” në rastet “Toplik”, “Tenderët” dhe “Tortura”

Gjykata-PenaleGjykata Penale me kërkesë të mbrojtjes refuzoi që bisedat telefonike të përdoren si dëshmi në rastet e PSP-së, “Tenderët”, “Toplik” dhe “Tortura”.

Në arsyetim shkruan se bisedat telfonike nuk pranohen së dëshmi, pasi janë të siguruar në mënyrë jolidjore dhe në kundërshtim me Kushtetutën, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në rastin “Tenderët” e akuzuar është ish-ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska, për manipulime me tenderin për ndërtimet në muzeun e OBRM-PDUKM-së nga projekti “Shkupi 2014”.

Në rastin “Toplik” të dyshuar janë gjasët persona nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për ndërtimin e “Sonçev Grad”, ndërsa rasti “Tortura” ka të bëjë me arrestimin e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Ljube Boshkoski.

Kundër këtyre vendimeve, është e lejuar e drejta e ankesës në afat prej 3 ditësh në Gjykatën e Apelit në Shkup./Telegrafi/

Qendra Informative Shqiptare "Liria"