Kryeministri serb në maj në Tiranë

Zoti Aleksandar Vucic do të marrë pjesë në takimin e kryeministrave të vendeve anëtare të Seecp-it. Bisedime me kryeministrin shqiptar Edi Rama për projektet e përbashkëta rajonaleKryeministri serb Aleksandër Vucic do të jetë në Tiranë në fund të muajit maj, për të marrë pjesë në takimin e kryeministrave të vendeve anëtare të Procesit të bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore, Seecp, nismë e cila kryesohet nga Shqipëria. Këtë e konfirmuan për Zërin e Ameikës burime diplomatike në Tiranë, ndërsa është pohuar dhe në Beograd edhe nga vetë kryeministri serb. Ai ka deklaruar se ka pranuar ftesën dhe se do të marrë pjesë edhe në një forum ekonomik që do të mbahet po në datat 27-28 maj. Kjo do të jetë vizita e parë e kryeministrit të Serbisë në kryeqytetin shqiptar, ndonëse jo pjesë e marrëdhënieve dy palëshe mes Tiranës dhe Beogradit.

Pavarësisht acarimit që u krijua mes palëve pas incidenteve të rënda në ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë, si dhe tensionit me të cilin u shoqërua vizita e zotit Rama në Beograd, e para pas më shumë se 60 vitesh, raportet duket se morën shpejt një kthesë më pozitive. Të dy kryeministrat shtrënguan duart me njëri-tjetrin, edhe dhjetorin e kaluar sërish në Beograd, gjatë takimit mes Kinës dhe vendeve të Europës qendrore dhe lindore.

Të dy vendet kanë nëshkruar disa marrëveshje këto muajt e fundit. Ndërsa në janar me nismën e Italisë, për të nxitur dialogun mes dy vendeve, të konsideruara nga Roma si boshtet kryesore të politikës në rajonin e Ballkanit, ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Serbisë u takuan në kryeqytetin italian. Ndërkaq, javën e shkuar në Tiranë, ministri shqiptar i Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe zëvendëskryeministrja dhe njëkohësisht ministrja serbe e Transportit Zorana Milajloviç, ranë dakort që t’i paraqesin Bashkimit europian projekte të përbashkëta për zhvillimin e infrastrukturës rajonale. Këto projekte për të cilat do të kërkohet një financim nga BE-ja, pritet të jenë pjesë e bisedimeve që kryeministri Rama pritet të ketë me homologun e tij serb edhe gjatë qëndrimit të këtij të fundit në Tiranë majin e ardhshëm.Ndërkohë që sic deklaroi dje në Beograd, të dy kryeministrat do të kenë mundësi të ndryshme takimi edhe në Bruksel, pikërisht për projektet të cilat të dyja vendet duan të cojnë përpara së bashku. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>