PËRKRENARIA E AT GJERGJ FISHTËS OFM…

Nga Fritz RADOVANI:
Ndoshta, ishte nder rastet e rralla që Populli i Shkodres shihte At Gjergj Fishten, me “përkrenarën” e Françeskanit Shqiptar… Sa kjé gjallë nuk pat nevojë per té!
Askujt nuk i shkonte mendja në Botë se Frati i Gjuhadolit të Shkodres, që pat vue Flamurin e Gjergj Kastriotit në kompanjelin e Kishës me 13 Qershor 1913…Bash me 30 Dhjetor 1940, do të armatosej dhe mbasi vuni edhe “përkrenarën”… do të fillonte atë betejë aq të rrebtë, sa nder pak vende të Botës ka ngja me kenë ndeshja e një Kolosi, që luften e bani me “shpatën” e pakrahasueshme të veten “Hylli i Dritës”… E mbas fitoreve të pasosuna të veta, ulej pranë një blini n’oborr… e këndonte në “Lahutë të Malcis”…
Një Europë “mrrutë”… pat kenë shtangue prej zanit Tij…
E kur e pau me “përkrenare”… nuk iu dha me besue se At Gjergji…u tha: “Paqë”!
Mejtën armët e të gjithë atyne që mateshin me Tarabosh…Ajo “përkrenare” ua nxori kllapinë e sa shekujve perpara, kur nga të kater anët barbarët donin me shue me kenë e mujtun edhe Kështjellat që vazhdonin me i pa nder andrra të hoteleve ma luksoze të kryeqyteteve Europjane…pikrisht, atëherë, kur Gjaku i Shqiptarëve pat ngallnjye!
Dy duer të Shugurueme ngjeshë per parzëm, askujt nuk iu besonte se ishin lidhë per mos me prekë ma me dorë as “heshten” e Tij, me të cilen nuk la anmik pa gjuejtë e rrëzue nder lamije e bregore të lumejve që gjarpnonin nder male e fushat tona!
Heshta e Tij nuk la tradhëtar pa rrëzue perdhé, besa dhe mbasi nuk e perdori ma!
Fëtyra e pashme e gjithmonë e qeshun dukej, sikur ra nder mendime. A thue parandjente doren e hasmit që me thikë i ndej mbas shpine? – Nuk besoj! E cila, nga veprat e Tij nuk ishte kunorë lavdije per Alpet tona e deri poshtë kah Tepelena ynë?
Deri vonë fëmijët e Manastirit, Atij Prijsit Madh mbi kalë, mbasi dielli u zhytej nder strofullat e ujqëve, rrinin tue rravizue mbi dheun e robnuem shkrojlat e Gjergjit…
E bash në Prillin e bukur të Dedë Gjo’ Lulit, Hotnjanët ia thonin Lahutës edhe dy fjalë para se me mbyllë portaret e veta… Edhe pse qejt’ e vazhdonin ulurimen e tyne.
Në pragun e një stuhije të pashoqe që filloi me perkulë edhe kompanjelat, e kur gurtë e tyne filluen me luejtë vendit, një dhimbje ia “këputi Shpirtin”…E Toka, u ça!
Kur të gjithë Shkodranët pritnin me shperthye një ujë i zi si futa që po mbulonte Rozafen, Taraboshin e deri nalt nder Bjeshkët e Nêmuna, veçse, u ndigjue prap një za i mekun që merrte me vete edhe ushtimen e Përkrenarës:

“E n’kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mëni,
Që flijë t’ bahet ndo’i Shqiptar n’ therore,
Qé, mue tèk m’ keni, merrni e m’ bani flij
Për Shqiptari, me shue çdo mëni mizore. –
Oh! Edhe pa mue Shqipnia kjoftë e rrnoftë,
E nami i saj përjetë u trashigoftë!…”
***
Kush ishte Ky flij’ i Meshtarisë ?!..
Ky ishte Frati i Sapës së Shqipnisë…
Ky ishte Frati i Flamurit të Lirisë…
Ky ishte Frati i Shkodres së zharitun…
Ky ishte Frati i Kryqit t’ skalitun…
Ky ishte Frati i Derës plot Dashni…
Ky ishte Frati që bekoi çdo shtëpi…
Ky ishte Frati i pajtimit gjaqeve…
Ky ishte Frati i pafundsisë oxhaqeve…
Ky ishte Frati që s’ njohu kurr frikë…
Ky ishte Frati i “Hyllit” plot Dritë…
Ky ishte Frati që s’ iu tremb as shkaut…
Ky ishte Frati i Bukës së Shna Ndout…
Ky ishte Frati i “Lahutës së Malcis”…
Ky ishte Frati i shpatës ‘e i trimnisë…
Ky ishte Frati që i tregoi Parisit…
Ky ishte Frati që daltoi në trung të lisit…
Ky ishte Frati edhe i pikturës…
Ky ishte Frati i arkitekturës…
Ky ishte Frati i kullave të barotit…
Ky ishte Frati i Burrave të Hotit…
Ky ishte Frati i Plav’s e Gucisë…
Ky ishte Frati edhe i Dardanisë…
Ky ishte Frati i lotëve t’ Çamrisë…
Ky ishte Frati i Vorio Epirit…
Ky ishte Frati edhe i Manastirit…
Ky ishte Frati i shpellave t’ Malsisë…
Ky ishte Frati Flam’rit Pavarsisë…
Ky ishte Frati edhe i kangve t’ motit…
Ky ishte Frati i Trojeve t’ Kastriotit…
Ky ishte Frati i një Abetares…
Ky ishte Frati edhe i Përkrenarës…
(Fragment nga dorshkrimi F.R, “Arkivi i Harresës” 2013).

Melbourne, Dhjetor 2013.

Tragjedi e pa fund

nga Bejtullah Sadiku
Krefeld, 24 Dhjetor 2013

Të vrarë në histori
Të vrarë në ekonomi
Të vrarë në politikë
Të vrarë në kulturë
Të vrarë në gjuhë e fjalë
Të vrarë dje, sot e nesër
Të vrarë e të gjunjëzuar
pa ekzistencën e gjallëruar.
Ne gjithmonë:
– të gjykuar;
– të dënuar:
– të shtypur;
– të persekutuar;
– të shfrytëzuar;
– të kolonizuar;
– të robëruar.
A s´flet kjo më tepër se edhe vrasje?!…
Po pra, përsëri të vrarë???!!!…
– në shkolla,
– në histori,
– në kulturë,
– në 35,
– në abetare,
– në alfabet,
– në libra,
– në enciklopedi,
– në pluralizëm,
– në parlamentarizëm,
– në sistem,
– në Kushtetutë,
– në gjithçka.
Pra, asnjëherë kurrë hiç të pa vrarë…?!
Të vrarë:
– në trup,
– në kokë,
– në shpirt,
– në zemër.
Shqiptarë, a ka shqiptarë?
A ndjen kush me ndjenjat shqiptare për këta shqiptarë???!!!
Ju me kompetenca pushtetari e udhëheqësi
bëni një gjiro vizite ekskursioni e shëtitje,
në lëkurën, zemrën dhe shpirtin e kësaj njerëzie,
se ndryshe do u mallkoj haku i gjithë kësaj shqiptarie.

THIRRJE: FALNI GJAKSORËT!..

AT SHTJEFEN GJEÇOVI
NË VITIN 2014 BAN 85 VJETË, QË E VRANË TRADHËTARËT…

Nga Fritz RADOVANI■Vllazen e Motra Shqiptarë !
Në prag të 85 vjetorit të vrasjes së Martirit dhe dijetarit të madh të trojeve tona Shqiptare, të gjithë Bashkatdhetarëve që kanë humbë njerzit e tyne të dashtun e të shtrenjtë, u drejtoj këte
THIRRJE: FALNI GJAKSORËT!..

■KUVENDONI PRANË ATYNE OXHAKËVE TË NDERUEM DHE RRETH SOFRAVE BUJARE SI VLLAZEN…FALNI GJAQET !

■JU LUTEM, DUENI FLAMURIN E GJERGJ KASTRIOTIT !
NDER ATA MALE JANË ÇERDHET E SHQIPEVE !
JEPNI BESEN E BURRAVE SI ASHT KENË ZAKONI !
MOS U NGUJONI BRE BURRA, TË ATYNE BJESHKËVE…
MOS IA BANI QEJFIN HASMIT TUEJ SHEKULLOR !..

■SHQIPNIA E SHUMVUEJTUN KURRË, KURRË, ASNJËHERË NUK MUND TË RINDERTOHET PA FALJEN DHE PAJTIMIN TUEJ !

JA, ÇKA U THA PARA PUSHKATIMIT AT MATI PRENNUSHI, NJË VLLA I AT SHTJEFEN GJEÇOVIT, VRASËSVE TË VET, SLLAVOKOMUNISTË, NË ZALLIN E KIRIT TË SHKODRES:
“JAM I PAFAJSHEM, PO VDES NË KRYE TË DETYRËS S’EME. RRNOFTË KRISHTI MBRET, RRNOFTË PAPA, RRNOFSHIN KATOLIKËT, RRNOFTË SHQIPNIA. UA BAJ HALLALLË GJYQIT DHE ATA QË DO TË SHTIJNË MBI TRUPAT TONË TË PAFAJSHEM.”(Arkivi M. P. Mbrendshme, Tiranë, Dosja 1302)

■KLERIKË SHQIPTARË TË TË GJITHA BESIMEVE !
U prini, drejtoni dhe ndihmoni edhe Ju, shoqatat e grupet atdhetare, që do të punojnë per faljen dhe pajtimin e gjaqeve në vitin 2014 !

■Ju lutem, Nana, Motra e Vajza me futa të zeza…

Hapni rinisë dyertë e ngujueme nder shula !..
Fëmijët kanë nevojë per me mësue dhe me luejtë …
Banje këte veper Atdhetare e fetare në vitin 2014,
Vitin e 85, të vrasjes së MARTIRIT AT SHTJEFEN GJEÇOVI !

■Kujtoni, ju lutem, nga At Fishta:
Prandej, o Zot, prej qiellet
Ti priri sytë mbi né,
E ban që puna t’ kthjellet,
Si asht mirë për Atme e fé,
E gjaku i këtij meshtarit
T’ kjoftë falë per komb t’ Shqiptarit.
1914, (Mbi vorr të At A. Paliq, OFM.)

Me respekt e shpresë…Autori

Melbourne, 24 dhjetor 2013.

KRISHTLINDJA… PRAP NË SHKODER

Rruga per me shkue në Vorrezat e Rrëmajit në Shkoder, mbas dates 4 Nandor të vitit 1990 nuk merrej vesh ma a asht “pjacë shetitje” apo rrugë vorrezash… Vizitorë nga të gjitha anët e vendit drejtimin e kishin nga vorrezat katolike, ata nuk largoheshin pa u ndalue tek Çinarët e Rrëmajit… Edhe muri kufizues nga Zalli i Kirit ishte rrëzue!

Nga Fritz RADOVANI:

Vorrezat vazhdonin deri tek Penda e Kirit, aty ku shenjat e plumbave nder gurë ishin per sa vite mbas 1944, plumba që kishin rrëzue perdhe mija Atdhetarë… Filloi tragjedia e pergjakëshme Shqiptare me 25 Mars 1945, dhe vazhdoi deri në vrasjet mizore të demokratëve Shkodranë me 2 Prillit 1991… E kur, u duheshin shkrepë “gotat” me gjakun e Rinisë Shqiptare, Ramiz Alia i mbushte ato nder piramidat e kufinit…
Me 24 Dhjetor 1990, Naten e Këshndellave drejtë Rrëmajit ishin drejtue prap si me 11 Nandor njerëz nga të kater anët e Shqipnisë. Nuk besoj se mujte kush me tregue se sa mijë vetë mund të ishin atë natë nder Vorre. Vetem ardhja e një Heroi ishte që sillte heshtjen e plotë! Vetem gjurmët e Tij në zhavorin e rrugës mes selvijave ndiheshin kur vinte mes djelmëve trima që e shoqnonin…E kur vazhdonte ecjen burrnore me atë gjoks luani perpara, plasnin duertrokitjet e pershëndetjet pa u kuptue as nga vetë Populli…
Ishte Don Simon Jubani! Kleriku Katolik Shqiptar i Shkodres së Lirë… Bash i asaj Shkoder, që me 11 Nandor 1990, Ai i kishte këputë pergjithmonë vargojt e prangave të robnisë ma të përgjakuna komuniste të anadollakëve terroristë Enver Hoxha e Ramiz Alia, dy nga diktatorët ma barbar që ka provue per 47 vjetë Shkodra e Shqipnia Martire.
Dritat e ndezuna festive nga të kater anët dhe vargjet e tyne të varuna nder të gjitha selvijat, qira e kandila vaji nder të gjitha Vorrezat apo fëtyrat e gzueme dhe të qeshuna të të gjithë të pranishemëve, e banin atë ambjent të bukur, një Natë Feste!
Shumë shumë vite kishte kalue Shkodra pa mujtë me u afrue tek dyertë e Kishës apo, pa ndigjue tingujt e bukur të kumbonëve në mesnatë që lajmonin se ka lé Mesia! Gati ishte harrue kanga tradicionale e Këshndellave: “O e qeta Natë!…” Fëmijët kishte kohë që nuk mendonin me zbukurue Betlemin e vogel që sillte festen në shtëpijat e të gjithë besimtarëve bashkë me buzmin pranë vatres Shkodrane, ku dikur, rreth saj nuk i mungonte as ma fukarasë vargu i fiqëve të thatë, arrat, bukfikja e gota e venës…
Gjithë qyteti i Shkodres dukej si një “Betlem”…dikund, aty brijë Cukalit…
Shkodra e dhunueme në pranga festonte prap Krishtlindjen…
Selvijat e vorreve të zbukurueme me drita ndriçonin rrugen mes tyne, ku grumbuj të rinjshë e pleqësh pothuej kishin harrue se Kryqat perrreth edhe veshtrojnë…e sejcili, pyeste veten: “A thue me të vertetë mori fund terrori komunist edhe në Shqipni?”
O Zot, sa vetë janë nder vorrezat e Shqipnisë, që vdiqën tue pritë këte ditë!
Shikoheshim me sy të perlotun e uronim njenitjetrin… “Per shumë mot!…”
Asht e vertetë që brezi ynë mujti me mbijetue në një nga qendrat ma të egra dhe të pashpresë shpetimi nga kthetrat e diktaturës së mnershme komuniste, po humbjet dhe zhdukjet që nuk mujtën me lanë as gjurmët e veta janë kenë shumë të mëdha.
Humbjen e tregon ma shumë se gjithshka mungesa e theksueme e lirisë fjalës dhe mendimit, dhe kryesisht, tek trashigimtarët e mija e mija të persekutuemëve politik të cilët, nuk kanë mujtë me ruejtë asgja nga kujtimet e paraardhësve të vet. Diktatura tek né ishte e pakrahasueshme me vendet tjera komuniste… Nuk mund të ruhej një foto, një fletore me shenime kujtimesh, dhe as nuk bahet fjalë per dorshkrime librash…
Ajo që e ban Shkodren me mendue ma shumë asht vransina e mbramjes në një kand të largët të malit Taraboshit, që quhet Rumija e Krajës…Aty ku dy rê në darkë, i sjellin Shkoderloces së nesermën shtergaten e rrebeshin që shoqnojnë fortunen…
Qyteti kje i permbytun mbi 47 vjet nen robni e terror…
Janë pikrisht rêtë e zeza shoqnue me rrufé që sivjet u dukën diten e 29 nandorit, nder vorrezat e Deshmorëve të Tiranës,..gati më shkoj goja me thanë Tiranës së “kuqe”!
Fatkeqësi…
***
Don Simon Jubani nuk jeton ma! Kështu, kujtojnë “disa” që nuk perkujtojnë as Veprat e Tija të Mëdha, tue fillue nga Heroizmi e vuejtja në Burgun e Burrelit…
Don Simon Jubani nuk zehet me gojë kur flitet per thyemjen e Perdes së Hekurit në Rrëmaji të Shkodres, me daten 4 e 11 Nandor 1990…
Don Simon Jubani nuk mund të kujtohet vetem se, guxoi me shpreh të Verteten që parashikonte nga larg…se do të ngjasin shumë afer, dhe pikrisht me 29 nandor 2013, diten e vdekjes së Lirisë së Popullit Shqiptar, në vitin fatzi të robnisë sllave të 1944…
Don Simon Jubanit, ashtu si të gjithë Atyne Burra e Gra Shkodrane që dhanë jeten per Liri dhe Demokraci, nuk besoj se i kanë vue as tek dera e Vorrezave të Rrëmajit një pllakë perkujtimore, në shenjë mirnjohje… po, edhe kujtese ndaj vepres së Tij!
Don Simon Jubani solli në Shkoder Lirinë e Fesë!
Kurrë mos harroni, se edhe Gurtë e thëmelit të Asaj Pendë Kirit, janë të zhytun në Gjakun e Martirëve të Shkodres, që dhane jeten per Një Shqipni të Lirë e Demokratike!
E Demokracia, gjithmonë asht fryt i Lirisë dhe i Drejtësisë…
Shkodranë, mos kujtesa sjellë harresen dhe…
Harresa, sjellë edhe “persëritjen” e Historisë…
Jo, Vllazen e Motra Shqiptarë, mbas 47 vjetësh Gjenocid komunist…
Né, nuk e harruem urimin…
Per shumë mot Krishtlindjen!

Melbourne, Dhjetor 2013.

Shërbimi sekret amerikan dhe informacionet nga „cookies”

Nga zbulimet e Snowden-it merret vesh se agjentët e NSA-së interesohen nëse mund të gjejnë diku „thërmija biskotash” virtuale nëpër hard disk.Deri tani kompanitë e shërbimeve online kanë përdorur një program të quajtur „cookies” (biskota) , përmes të cilit vëzhgonin të gjitha klikimet e përdoruesve të tyre në internet. Nga zbulimet e Snowden-it merret vesh se edhe spiunët e NSA-së kanë filluar të interesohen tani nëse mund të gjejnë diku „thërmija biskotash” virtuale nëpër hard disk.
Shërbimi sekret amerikan NSA me sa duket, ndjek hapat e industrisë së reklamave online për të mbledhur sa më shumë të dhëna rreth përdoruesve të internetit. NSA përdor informacionet e „cookies”, të cilat i identifikojnë përdoruesit online, njofton „Washington Post”. Mënyra se si ky shërbim sekret arrin t’i kapë këto të dhënë, mbetet akoma e paqartë në dokumentet e ish-punonjësit të këtij shërbimi Edward Snowden, shkruan gazeta.

NSA përdor metodat e reklamave
„Cookies” përdoren nga shërbimet e internetit, si dhe nga rrjetet e reklamave. Regjistrat e vegjël janë të njëjtë me fletëshënimet e ruajtura në kompjuterin e përdoruesit. Me ndihmën e tyre ndër të tjera, mund të bëhen regjistrimet e të gjitha faqeve të vizituara në internet nga përdoruesit.
Këto lloj informacionesh, vlerësohen shumë nga ndërmarrjet, sepse këto u ndihmojnë ta dinë se cilat reklama janë të përshtatshme për nevojat e përdoruesve të tyre. Megjithëse nuk regjistrohen emra dhe e-mail adresa, „cookies” janë kritikuar, sepse shumë nga përdoruesit nuk e dinë se cilat faqe mbledhin informacionet rreth tyre.
Identifikim i qartë i përdoruesve
NSA i përdor këto të dhëna në mënyrë që të zbulojë më shpejt vendndodhjen e personave të caktuar. Përveç kësaj, këto informacione përdoren për të vëzhguar sjelljen e personave që janë nën vëzhgim për t’i sulmuar ata që cilët shkaktojnë dëme.
Një „cookie” tjetër nga Google i quajtur “PREF” është njëri ndër më praktikët, shkruan gazeta. Mjafton të kërkohet vetëm një informacion nga kjo lloj “biskote” dhe kërkuesi e identifikon qartë përdoruesin.
Google e hodhi poshtë lajmin e publikuar nga gazeta “Washington Post”, mbi përdorimin e „cookies” të Google-it. Koncerni i internetit ka kërkuar në fillim të javës nga gjigandët e industrisë si Facebook, Microsoft dhe Apple, një reformë të re monitorimi në internet. (dw)

VETEM E VERTETA ASHT KULTURË !

Nga Fritz RADOVANI:
Shqiptari nuk ka nevojë t’i krijojë vetes një histori për me u afirmue. Bota e Lahutës së Malcis asht shfaqja ma e sigurtë e shpirtit të tij heroik e fisnik.
At Viktor Volaj OFM (1910 – 1995)
“Lahuta e Malcis” asht Historia e vertetë e Popullit Shqiptar!
Shqiptarët janë një nder popujt ma të vjeter të Europës! Sikur Populli Shqiptar të mos kishte kulturen e vet, ai do të ishte asimilue dhe zhdukë me kohë nga të tjerët…
Kushdo që na ka pushtue ka kerkue me na skllavnue per me mërrijtë tek qellimi final: Me na plaçkitë, me na robnue, me na shue dhe me na zhdukë nga faqja e dheut.
Pa shkue larg nder shekujt e mesjetës apo të skllavnisë otomane, kur endè né arrijtëm me shpetue çka mund të shpetohej nga një pushtues barbar e shkatrrues, mbas asaj katastrofe shekullore né provuem vetem qeverisje antikombtare. Kështu u arrijtë që mbas Luftës së Dytë Botnore, nga “krushqia” mes Aleatëve, Shqipnia u la nën sundimin sllavokomunist të Titos e Stalinit, vetem per tu shkombtarizue dhe shue si Shtet i Lirë që i perkiste Europës Perëndimore, dhe vetem Asaj Europë, së ciles, Heroi ynë kombtar, dhe i papersëritëshmi në histori Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, i siguroi qytetnimin!
Nipa e sternipa të Trimit Hotit Dedë Gjo’ Luli, do t’ ishin kurbanet e para që do të vazhdonin me la me Gjakun e paster të Fisit tyne… Token Nanë nga armët sllave.
Ajka e kulturës Shqiptare u pushkatue. U mbyllen shkollat e Shkodres prej ku buronte vetem Atdhetarizmi dhe kultura kombtare! U vranë profesorët që guxuen me tregue të vertetën nder bankat e atyne shkollave. U vodhën edhe bibliotekat e muzeumet e tyne. U fallsifikue historia e vertetë e rujtun nder ata muzeume. U ndalue me urdhën qeveritar “Hymni i Flamurit Kombtar” bashkë me “Lahuten e Malcis”… Nuk u lejue ma shfaqja e melodramëve atdhetare të Don Ndrè Zadejës. U pushkatue pa gjyq ma i madhi publicist atdhetar Don Lazer Shantoja…Filloi haptas lufta antikatolike që ka vazhdue derisa ua shkatrruen edhe vorrezat Atyne Burrave, që pa pikë frike guxuen me thirrë: “Jemi mbasardhës të Kastriotit në të gjitha Trojet Shqiptare, të robnueme persëri!”, dhe në trunin e paster të Rinisë Shqiptare, u rrah me çekanin bolshevik vetem gënjeshtra (ideologjia komuniste)! E “drapni” stalinist, vazhdonte me korrë mendjet e ndrituna!
Vorfnia dhe gjurmët e qytetnimit u strukën edhe njëherë nder vatrat Shqiptare!
Robnimi sllavokomunist pushtoi Shkodren Martire me padijen marksiste!
“Liria e Perparimi” u pranguen nder 26 burgjet e terrorit barbar të Enver Hoxhës.
I vetmi stacion ku shprehej lirisht Shkodrani…ishin stomijet e Zallit të Kirit!
Mbuloj me plehun e gropave të zeza “Fjala e vertetë bashkë me Herojt’ e saj”!
E nuk shkoi gjatë, e gjithë Shqipnia u ba varri i Shkrimtarëve të saj…
Ata që guxojnë me thanë të Verteten, në Shqipni… nuk kanë as varr!

SHKRIMTARË TË “VORROSUN” TË LETERSISË SHQIPE MBAS VITIT 1944.

Vasil ALARUPI (Bendo Shapërdani)
Frano ALKAJ
Pashk BABI
At Pashko BARDHI OFM. (OFM, Urdhni Françeskan)
Don Ndue BITYQI
Martin CAMAJ
Kostë A. ÇEKREZI
Nikoll DAKA
Guljelm DEDA
At Benedikt DEMA OFM.
Mark DEMA
Imzot Preng DOÇI (Ipeshkëv – Abat i Mirditës)
Qemal DRAÇINI
At Gjergj FISHTA OFM.
Filip FISHTA
Kristo FLOQI
Mehdi FRASHËRI
Dedë GAJTANI
Don Nikoll GAZULLI (Don, prift shekullar)
At Athanas GEGAJ OFM.
Karl GURAKUQI
At Daniel GJEÇAJ OFM.
Pashko GJEÇI
At Shtjefen GJEÇOV OFM.
At Anton HARAPI OFM.
At Mark HARAPI SJ. (SJ. Urdhni Jezuit)
Zef M. HARAPI
Et’hem HAXHIADEMI
Imz. Gjon Nikollë KAZAZI
Vangjel KOÇA
Ernest KOLIQI
Faik KONICA
At Fulvio KORDIGNANO SJ.
Muzine KOKOLARI
Mustafa KRUJA – MERLIKA (Pseudonim Shpend BARDHI)
Lame KODRA (Sejfullah MALESHOVA)
Konstantin KOTE
At Donat KURTI OFM.
Anton LOGORECI
Mati LOGORECI
Krist MALOKU
At Ambroz MARLASKAJ OFM.
At Luigj MARLEKAJ OFM.
Don Nikoll MAZRREKU
Branko MERXHANI
At Pjeter MËSHKALLA SJ
Hilë MOSI
Zef NDOKILLIJA
Lef NOSI
At Bernardin PALAJ OFM.
Gaspër PALI
Anton PALUCA
Gjergj PEKMEZI
Arshi PIPA
Don Kolec PRENNUSHI (Pseudonim Mujs POLEMI)
Imzot Vinçenc PRENNUSHI OFM.
Don Engjëll RADOJA
Sami REPISHTI
Namik RESSULI
At Justin RROTA OFM.
Zef SCHIRO Jr. (I riu)
Cuk SIMONI
Gjon SINISHTA
Don Aleksandër SIRDANI
At Marin SIRDANI OFM.
Stavro SKENDI
Lumo SKËNDO (Mit’hat FRASHËRI)
Don Lazër SHANTOJA (Pseudonim Y…)
Gjush SHELDIJA
Simon SHUTERIQI
Kolë THAÇI
Luigj THAÇI
At Zef VALENTINI SJ.
Ndoc VASIJA
Zoj XOXA
Don Ndrè ZADEJA
At Anton ZANONI S.J. (Urdhni Jezuit)
Pjeter ZARISHI
Tajar ZAVALANI
Zef ZORBA

Shenim: Lè të jetë edhe pse jo e plotë kjo listë (nr. 80), një nxitje per plotsimin e sajë.
Me respekt, Fritz Radovani.

Melbourne, Nandor 2013.

Deklaratat e Demaçit janë katastrofike, sepse nuk janë të vërteta!

Akad.Krasniqi: Luftë e Demaçit dhe e të majtës, për ta zhdukur rugovizmin
Intervistë ekskluzive me akad.Mark Krasniqin, fletë për fyerjet e Demaçit ndaj presidentit Rugova
Bota sot: Profesor, si i Vlerësoni deklaratat e fundit të Adem Demaçit kundër figurës së presidentit, Ibrahim Rugova?
Akad.Mark Krasniqi: Me keqardhje përgjigjem në këtë pyetjen tuaj ashtu siç është dhe siç duhet të përgjigjem. Kjo është një deklaratë qëllimkeqe e Adem Demaçit, ai e ka urryer Ibrahim Rugovën për së gjalli dhe e urren edhe për së vdekuri. Është punë e tij unë nuk mund t’i them se përse po e urren këtë dhe po e donë atë tjetrin, por fakti është se ky dhe opinioni duhet me dit që ky është qëllimi i tij, por, jo vetëm i tij por edhe i rrethit të tij majtist që e ka pasur gjithmonë. Ai e din se me këtë ia bënë qejfin rrethit të tij dhe atyre që e përkrahin dhe atyre që e përkëdhelin, ia japin mundësinë të jetoj mirë, ta ketë pagën e mirë, pensionin dhe mesa kam dëgjuar sepse vet nuk e di dhe nuk jam interesuar për këtë punë, e ka edhe shoferin, edhe banesën apo Vilen në Sarandë apo s’di çka i kanë dhënë, prandaj ai e shikon interesin e tij dhe jo interesin kombëtar siç thotë ai. Unë po shtoj, se me Adem Demaçin nuk kam kurrfarë konflikti personal dhe i dëshiroj shëndet, jetë të gjatë dhe të gjitha të mirat, por unë nuk pajtohem aspak me këto deklarata të tij të cilat janë katastrofike, sepse nuk janë të vërteta këto që i thotë Adem Demaçi, asnjë gjë të vërtetë nuk e ka thënë, gjithçka negative. Rugova është simbol i atdhetarizmit tonë, arkitekt i pavarësisë së Kosovës, ai është njeri kombëtar, i cili e ka shkrirë jetën e tij për çështjen kombëtare.

RIN MONAJKA (DUKAGJINI)

Në 60 vjetorin e lindjes… (11 Qershor 1953 – 1 Maji 1997)
NGA FRITZ RADOVANIMuri i Berlinit ra! Ora e Lirisë nuk ndalej!
Në dhjetorin e 1989, Çaushesku jep shembullin e “ruejtjes së parimëve komuniste”…
Shqipnia vazhdonte udhën e martirizimit komunist.
Me 14 Janar 1990, u thye njëherë e përgjithmonë miti i atij sistemi përbindsh!
Demostrata e heshtun në Sheshin e Dëshmorve të Shkodres, njofton Tiranën endè të kuqe, se komunizmit gjakatar i erdhi fundi!.. Mija vetë të grumbulluem në atë Shesh, presin rrëzimin e bustit të diktatorit gjeorgjianokomunist Stalin. Mija vetë drejtue sytë nga toka, presin kur po shprazën mbi kokat e tyne automatikët nga dritaret e hotel Turizmit, Sahatit Inglizit, hetuesisë apo apartamentit mbi PTT e qytetit, që ishin të mbushun me sampistë kriminel të ardhun nga Tirana, vetëm për gjakderdhje e masakra ndaj Rinisë “rebele” shkodrane.
Angazhimi i Ramiz Alisë: “Edhe bar do të hajmë e parimet nuk i shklasim!..”, asht krimi ma i madh kundër Popullit Shqiptar! Po, a u mjaftue me kaq ?
- Jo, sëpse në mbrendsinë e tij ziente krimi. Këte e vërtetojnë kufomat e djelmëve të rijë, të mashtruem ndër kufinjë, të shporuem nga qindra plumba automatiku dhe të lidhun në hunjë me tela me ferra, tue u shetitë ndër pjacat e qyteteve…të të gjithë Shqipnisë.
Rinia Shkodrane ka vendosë me u vetsakrifikue!
Mungonin disa djelmë të cilët një natë maparë ishin tradhëtue e kapë nga forcat speciale të ardhuna për këte qellim nga Tirana, të kryesueme nga krimineli Zylyftar Ramizi…
Mikrobuzët e bardhë të poliklinikës vazhdonin fotografimet dhe gatishmëninë!
Tek sheshi qendror i Deshmorëve mungonte edhe Rini Monajka, djali trim që kishte njoftue Ambasadën Gjermane për aksionin e organizuem me këte rasë. Rini ishte ndër kryesorët e kësaj vepre heroike, me të cilën do ti tregohej Botës mbarë se, në Shkoder gjaku i Martirve të ramë nën shpatën e diktaturës komuniste, po vlonte në damarët e Rinisë, dhe se, Gjaku i Atyne Martirëve nuk kishte shkue huptë…Mungonin edhe kriminelët Shyqyri Qoku me shokë…
Numri i të arrestuemëve i kalon të 120 të rinjë dhe të reja, që torturohen mizorisht nga organet e Sigurimit. Një pjesë përcillen për Tiranë ndër labirintët e zymta të Ministrisë së terrorit. Shumë familje në ankth nuk dijnë as ku i kanë djelmët e vajzat e tyne.
Diktatura komuniste me buzët e saja të gjakosuna, vazhdonte zgerdhimjen sikur të mos kishte ndodhë asgja në vendet e Europës Lindore! Flamurtarët e diktaturës krenoheshin…
Mbas disa muej tortura e vuejtje një grup u dënue me nenët 57 dhe 55 të Kodit Penal të RPSSH, që ishte në fuqi më këte motivacion: “Për krijimin e një organizate kundër revolucionare me karakter antisocialist. Për krime kundër Shtetit dhe për përmbysje të tij me dhunë…”, pra, siç shihët, rruga e hetimëve të çonte drejtë plumbit. Spaçi e Qafë Bari…ndertonin socializmin!
Rin Monajka ishte nder kryesorët organizatorë me Gjergj Livadhin, Dedë Kasnecin dhe djelmë të tjerë që nuk e “njohën” friken e sigurimit katil të shtetit komunist.
Katilëve nuk i mjaftonte fraktura e kafkës së kokës së Rinit në tortura, por duhej të vuente edhe burg nder kampet e shfarosjes. Qendrimi i Tij burrnor asht një model i qendresës kundrejt diktaturës terroriste ma mizore që ka përjetue Shqipnia për 47 vjet. Ndonse, nga kjo, Rini u torturue me mjetet ma të paligjëshme, endè sot askush nga kriminelët nuk ka mbajtë asnjë përgjegjësi, përveç asaj që terroristët janë të penduem për çka nuk kanë mujtë me ba!..
Kampi i Qafë Barit dhe Burgu i Burrelit ishin e ardhmja e Rinit.
Një çudi ndaj kësaj demostrate në Shkoder ishte qendrimi jo dashamirës i të gjitha shtetëve fqinjë. Jugosllavia sigurisht parandjente diçka, e justifikueshme.
Një stacion i radios greke pak muej para kishte transmetue: “Sikur të hapën kufinjtë e Shqipnisë, nuk kanë me mbetë as breshkat aty, edhe ato do të ikin!…”, edhe kjo një e vërtetë.
Italia si gjithnjë përsëriti qendrimin e saj që ka mbajtë përgjatë gjithë Shekullit XX. Ajo u tregue e gatëshme me ndihmue idealet e “socialistëve” të konvertuem në “demokratë”(I vuna nder thojza, mbasi asnjeni emen nuk ka ekzistue kurrë në drejtimin e shtetit që nga 1944).
Me datën 16 Janar 1990, pra dy ditë mbas Demostratës, demokristjani i njohtun Roco Butiglone, jep një deklaratë për shtypin: “Me datën 14 Dhetor unë isha në Shkoder, po gjendja në atë qytet ishte e qetë. Nuk më ka ra në sy ndonjë demostratë….”. Me plot gojë një turp për atë deputet të “demokristjanës” italiane. Ai me të vërtetë ka kenë në Shkoder, madje edhe në Kafe të Madhe, edhe i ulun tek dritaria e tretë pranë xhamit në krahun e djathtë të Kafes, sëpse, e kam pa unë me sytë e mij në ora 11.15′, pikërisht kur në shesh ishin mbi 4000 vetë në Demostratën e heshtun…dhe zotni “demokristjanit” nuk i kishte ra në sy asgja, tue kenë jo ma larg se 20 ml., nga busti i Stalinit. E çka kishin me pritë shkodranët e masakruem nga këta “demokristjanë”..?
Në vitin 1991 Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shkodres, vetë Kryetari Ferdinand Temali kërkoi me forcë lirimin e të dënuemve për rrëzimin e monumentit të diktatorit Stalin. Me pjestarët e grupit u lirue edhe Rini Monajka, ndonse i gjymtuem nga shndeti. Kur e takova mbas lirimit, ndjeva vërtetë një kënaqësi që Ky djalë i kulturuem ishte i lirë, gjithmonë me shpresë se do të përmirësohej edhe me shëndet, mbasi ngjyra e verdhë e ftyrës vazhdonte me e shoqnue… Ishte mirnjohës dhe nuk dinte sesi me u shpreh per ndihmen e madhe të Ferdinandit dhe BSPSh.
Mbas lirimit nga burgu Rini, ashtusi shumë të tjerë që dhanë kontributin e Tyne tue rrezikue jetën për të ardhmën demokratike të Shqipnisë, u harruene…shumë shpejtë!
Kishe shumë dëshirë që ti jepej mundësia e një kurimi të mirë kur mora vesh se iku në Austri…por ndodhi e kundërta…ndoshta,…autoambulanca që me 14 Janar 1990, qendronte para hotel Turizmit në Shkoder…e kishte ndjekë deri në Austri, deri në Villach, ku me 1 Maji 1997, Rini Monajka mbylli sytë pergjithmonë krejtë i vetmuem…si shumë Demokratë Shqiptarë!
Sa pak janë këto rreshta per mirënjohjen që duhet të tregojmë për ditët e Lirisë që na solli Rini dhe Rinia Shkodrane, ndonse sot, Veprave të Tyne, u kanë dalë perzot shumë prej “atyne” që po kerkojnë me i harrue ose ma keq, me rikthye “disa” foto terroristësh..!
Detyrohem me persëritë edhe njëherë një ide që kam shpreh prej sa kohe:
Dikur, në krahun e majtë të monumentit të Stalinit ishte një gur mermeri i daltuem. Ishte mendue mbi Té me u vendosë një Shqipe me krah të hapun, simbol i së ciles ishte ruejtja nën krahët e saj: “Lavdia e Deshmorëve të Lirisë”. Njëditë guri kaloi nga turizmi…
Do të ishte me vlerë për Qytetin e Shkodres, që në Parkun mbas Monumentit të Luigj Gurakuqit, të vëndoseshin disa Gurë të daltuem (25 X 35 cm.) me emnat e Martirëve dhe të Dëshmorëve të Shkodres… ku, në një prej këtyne Gurëve, duhet daltue edhe emni i nderuem i shkodranit Hero i Demokracisë:
RIN MONAJKA (DUKAGJINI) 1953 – 1997.
Rinit! Në 60 vjetorin e Lindjes së Këtij Ylli, që shndritë në qiellin e Demokracisë!
Autori…

Melbourne, 2013.

Kriza e BE dhe vendet e Ballkanit Perëndimor

Kriza financiare dhe ekonomike në BE ka dëmtuar vendet e Ballkanit Perëndimor. Varësia e fortë nga BE dhe deficitet kombëtare lënë shumë pak hapësirë për përmirësimin e situatës.Para krizës ekonomike në BE bankat greke ishin një faktor i rëndësishëm financiar në Balkan. Në më shumë se 1900 degë punësoheshin rreth 23.000 punonjës dhe angazhoheshin me 70 miliard ë euro. Me 15% të kapitalit të të gjitha bankave në Ballkan krahas institucioneve financiare austriake dhe italiene ata ishin një pikë e rëndësishme e ekonomisë vendase. Në to mund të merrje kredi. Pesë vjet pas krizës financiare dhe ekonomike në Greqi, situata ka ndryshuar, vlerëson Franz-Lothar Altmann, profesor për studimet evropiane në universitetin e Bukureshtit. Bankat greke për shkak të mungesës së mjeteve financiare në Greqi, janë të detyruara të tërheqin gjithnjë kapitalin nga vendet fqinje. „Në këtë mënyrë rritet vështirësia me kreditë në vendet e Ballkanit.”
Ndërlidhje të ngushta BE-Ballkan Perëndimor
Por kjo nuk është e keqja e vetme për rajonin. Me të vërtetë Ballkani perëndimor po e ndjen të gjithë peshën e krizës ekonomike dhe financiare të BE. Shkak për këtë është gërshetimi i ngushtë ekonomik me BE. Dy të tretat e tregtisë së vendeve të Ballkanit perëndimor kryhet me shtetet e BE. Rënia e eksporteve, e investimeve të huaja dhe remitancave të emigrantëve, aq të rëndësishme, kanë çuar në një zhvillim negativ, ose fare të pakët. Pasojat për njerëzit janë katastrofale. Rreth një e treta e popullsisë në Ballkanin Perëndimor jeton në varfëri, papunësia ka arritur standardet greke, emigrimi po shtohet.
Pikërisht këtij fati deshi t’i shpëtonte ky rajon, kur u orientua drejt BE. Tani ai duhet të përjetojë, se është BE, ai që e ka bërë krizën e tij krizë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, vlerëson Milica Delevic, zëvendëssekretare e Përgjithshme e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Bruksel. Kjo deklaratë në një konferencë ndërkombëtare të Shoqatës së Europës Juglindore dhe fondacionit Friedrich-Ebert në Berlin mbeti e padiskutueshme.
Aprovim gjeti edhe përfundimi i zonjës Deleviç, se kriza do të ketë si rrjedhim që BE të fokusohet në përballimin e krizës së tij ekonomike dhe financiare. “Për aq kohë sa je shumë i zënë me një çështje të rëndësishme”, tha zonja Delevic, “ke pak kohë për të çuar përpara diçka tjetër.„ Këtë proces nuk mund ta influencojnë vendet e Ballkanit Perëndimor. Por ata mund të përpiqen, për ta shfrytëzuar situatën si shans për reforma strukturore. Pasojat e krizës së importuar janë shumë të rënda, sepse rajoni vazhdon të vuajë nga deficitet strukturore.

BE duhet të vërë kushte më të rrepta
Rëndësi për zhvillimin ekonomik ka niveli i lartë arsimor. Pikërisht ky është i ulët në vendet e Ballkanit Perëndimor në krahasim me vendet evropianoperëndimore, thotë Gerald Knaus kryetar i Think Tank „European Stability Initiative”. Edhe numri i madh i universiteteve që nga kthesa politike nuk ka sjellë ndonjë dobi. E njëjta gjë mund të thuhet për trajnimin profesional. Shkollat profesionale në vendet e Ballkanit Perëndimor konsiderohen gati kudo si shkolla “të të dështuave”. Knaus konstaton, se arsimi dhe trajnimi profesional duhet të varen nga nevojat e ekonomisë, me qëllim që sipërmarrjet të jenë në gjendje, për të prodhuar produkte, që mund të eksportohen. Kjo presupozon, se elitat politike dhe arsimore të këtyre vendeve duhet ta kenë të qartë, se në cilat fusha do të lëvizë vendi i tyre në 10, 15 vitet e ardhshëm dhe në cilat do të mbetet në vend. Ky vizion mungon.
Në bisedat e tij të shumta në këtë rajon Gerald Knaus ka krijuar përshtypjen se jo vetem në mesin e elitës politike, por edhe në administratë ka një “qëndrim armiqësor ndaj sipërmarrjeve”. Një qëndrim i tillë nuk krijon besim për investorët për t’u angazhuar në Balkanin perëndimor. Kjo vlen të thuhet edhe për sipërmarrësit, që vijnë nga rajoni dhe që janë aktivë jashtë vendi. Ata druhen që t’i hyjnë rrezikut për të investuar në pylltari në Bosnje, në industrinë tekstile në Shqipëri, ose në industrinë ushqimore në Maqedoni. Një rol të rëndësishëm për të ndryshuar këtë koncept mund të luajë BE. Ai mendon Knaus, duhet të përcaktojë shumë më qartë se sa deri tani, se çfarë duhet të bëjë një administratë, që rregullon ekonominë në nivel evropian. Raportet e përvitshme të progresit për kandidatët për anëtarësim në BE duhet të jetë më konkretë dhe më kritikë në këtë drejtim. Kjo do t’i ndihmonte vendet e Ballkanit për të ndërtuar një ekonomi konkurruese të orientuar nga eksporti. (dw)