Vargje satirike

Vargje: Bejtullah Sadiku

GRINDAVECI

Grindaveci , grindaveci
Ishte ky rrenaveci.
Bisedonte e kuvendonte
Për vendime pa fjalë nënshkronte.

I shiqonte i kontrollonte,
por grindaveci
përherë si rrenaveci:
Te nesërmen i nënshkronte,
por edhe i mashtronte.

Lut njëherë, lut shumë herë,
duke thëne se s´është e para herë…
Ai nënshkruante me dhelpëri,
se s´kishte besim në qëndrim të tij
ku edhe shumë burra i futi n´huti!…

Grindaveci përherë si rrenaveci,
e rrenaveci ishte ai grindaveci.
Vallë medet ç´po na ngjet,
koha… që skifteri t´ia ngjet.1)

Grindaveci, prap pa turp si rrenaveci,
u largu, qe skifteri mos me e sulmu.
Zogj e pula i la gjoja t´lirë,
strofullën që ju prishi, vetë me e dlirë.

E dlirën, por me mundime e pastruan,
kashta bari grumbulluan e plot ofruan,
dhe si deshtën vetë e rregulluan dhe ndertuan.
E lanë grindavecin të grindur e të hutuar,
ne fund hiç pa e konsultuar,
e drejtuan mirë, që atje n´kafez gjatë me qendruar!…

Kështu ishte dje, e kështu mbeti sot,
të shpresojm se e nesërmja të ndryshon o Zot.
Edhe ky milet e njerzim, kërkon liri e barazi,
Mjaft më me të çmendur, në kështu soji udhëheqësi?!…

Krefeld, 30.05.2015

Bushati: Presim financime nga BE. Kufiri me Greqinë? Të gjitha opsionet të hapura

bushatiAjo që ministri i Jashtëm shqiptar e cilëson bekimi i Bashkimit Europian nuk është asgjë tjetër, veç kërkesa për financim të projekteve infrastrukturore në rajon.

Një ditë pas samitit ballkanik në Tiranë, shefi i diplomacisë shqiptare sqaron për Top Channel se vendet e Ballkanit kanë rënë dakord t’i paraqiten Europës projekte konkrete për rrugë lidhëse, jo vetëm mes njëri-tjetrit, por edhe me vetë BE-në përmes Kroacisë.

Tani fjala i mbetet BE-së në Samitin e Vjenës, për të provuar nëse Europa do të pranojë afrimin e Ballkanit përmes infrastrukturës.

Por samitit ballkanik, nuk ishte lajmi i vetëm pozitiv që prodhoi Tirana. Vizita e të parit kryeministër serb në Shqipëri tregoi qartë afrimin mes dy vendeve, duke treguar se, pavarësisht ndarjes së thellë për Kosovën, dy vendet mund të jenë më bashkëpunuese.

“Presim që pala serbe të jetësojë angazhimin e ndërmarrë për njohjen e diplomave. Gjithashtu, kemi rënë dakord me palën serbe të krijojmë mundësinë për një lëvizje të lirë, pra edhe me karta identiteti për qytetarët e dy vendeve”, thotë ministri i Jashtëm, Bushati.

Samiti i Ballkanit në Tirane ishte rasti që pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, të ulte në takim edhe kreret e dy qeverive shqiptare dhe asaj të Shkupit.

“Qëndrimi ynë është i pandryshueshëm në këtë pikë. Kërkojmë një hetim të besueshëm dhe një transparencë të plotë për atë çfarë ka ndodhur në Kumanovë”, thotë Bushati.

Takimet dhe komunikimet me krerët e tjerë të rajonit nxorrën edhe më në pah mungesën e komunikimit të drejtpërdrejtë të Tiranës me Greqinë. Shefi i diplomacisë shqiptare pranon se ka një rënie të intensitetit të komunikimit krahasuar me qeverinë e mëparshme të Athinës. Por ai beson se, ashtu si Shqipëria, edhe Greqia do të duhet të ndajë bindjen se vetëm përmes bisedimeve mund të zgjidhen çështjet mes dy vendeve, dhe jo përmes asaj që quan “megafon-diplomaci”.

Për çështjen që acaroi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, asaj të kufirit detar, Bushati lë të hapura të gjitha mundësitë e zgjidhjes.

“Të gjitha mundësitë janë të hapura, si një zgjidhje nga e para, e rinegociuar duke mbajtur parasysh linjat e kuqe që ka vendosur Gjykata Kushtetuese shqiptare, të paktën sa i përket Shqipërisë, por po kaq e hapur si mundësi është adresimi i kësaj çështjeje, tek instrumentët që ofron e drejta ndërkombëtare dhe precedentët, qoftë edhe në rajonin tonë, për adresimin e kësaj çështjeje duke u bazuar në instrumentët e së drejtës ndërkombëtare, që nuk mungojnë”, sqaron ministri Bushati.

Kohët e fundit ka lindur një debat mbi politikën e jashtme të ndjekur nga vendi ynë, e që disa e kanë cilësuar edhe amatore.

“Më vjen mirë që politika e jashtme në këto 25 vite ka ngjallur interesin e shumë njerëzve, qofshin këta edhe komentatorë, të paangazhuar apo njerëz që militojnë në parti të ndryshme politike. Mund të them që politika shqiptare karakterizohet nga qëndrueshmëria, konstruktiviteti, dinamizmi dhe ruajtja e ekuilibrave”, përgjigjet ministri Bushati.

/ Top Channel

Kuvendi “blen” kohë për Gjykatën Speciale

Kuvendi i KosovesMe shumicë votash, Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për kohë të pacaktuar votimin e amandamentit kushtetues për themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Shtyrja e seancës dhe votimit erdhi me kërkesë të shefit të Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.

Ai e ka arsyetuar këtë kërkesë me faktin se ende nuk është përkthyer drafti final i Ligjit për Gjykatën Speciale i cili është negociuar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Draft-ligji duhet të na vijë nga Brukseli. Ai duhet të përkthehet në të gjitha gjuhët dhe t’u shpërndahet deputetëve. Kështu që propozojmë që kjo seancë plenare të shtyhet derisa t’i kemi materialet e nevojshme për t’i analizuar”, ka thënë Grabovci.

Pas propozimit të PDK-së, grupet tjera parlamentare nuk u deklaruan, përveç Lëvizjes Vetëvendosje.

Glauk Konjufca, deputet i Vetëvendosjes tha se shtyrja do të duhej të ishte deri në pafundësi, në mënyrë që kjo gjykatë të mos themelohet fare.

“Lëvizja Vetëvendosje është vetëm për dy alternativa të mundshme – Gjykata Speciale ose nuk duhet të vijë fare në Kuvend ose do të duhej të shtyhej deri në pafundësi. Cilado prej këtyre alternativave për Vetëvendosjen do të ishte e pranueshme”, ka theksuar Konjufca.

Procedura e votimit solli 78 vota për, 2 abstenime dhe 1 votë kundër.

Pas seancës, deputetja Vjosa Osmani nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, subjekt ky politik në koalicion me Partinë Demokratike, ka thënë se Kuvendi duhet të marrë vendim pozitiv në lidhje me Gjykatën Speciale.

Sipas saj, dështimi eventual do të sillte skenarë shumë më të rrezikshëm për vendin.

“Nëpërmjet votimit të Gjykatës Speciale ne jo vetëm që e kryejmë një obligim ndërkombëtar por po ashtu parandalojmë që të ndodh edhe një skenar shumë më të keq, një draft nga Këshilli i Sigurimi i Kombeve të Bashkuara i cili parasheh kushte shumë, shumë më të këqija sesa këto që janë paraqitur në amandamentin kushtetues i cili do të duhej të votohej sot”, është shprehur Osmani.

Edhe, Sllavko Simiq nga Lista Serbe, subjekt që po ashtu bën pjesë në koalicionin qeverisës ka thënë se shtyrja mund të jetë e kuptueshme për shkak të mungesës së materialit.

Por, sipas tij, me rëndësi është se ka vota për themelimin e gjykatës.

“Ajo që tani është me rëndësi, ky Kuvend ka vota të mjaftueshme në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe Gjykata Speciale të themelohet sa më parë”, ka thënë Simiq.

Ndërkohë, partitë opozitare vetëm e kanë rikonfirmuar qëndrimin e tyre kundër gjykatës speciale.

Kryetari dhe deputeti i partisë Nisma, Fatmir Limaj ka vlerësuar se koalicioni qeverisës të premten nuk i kishte numrat, kështu që kishte shpikur problematikën e harmonizimit të ligjit dhe çështjeve teknike në mënyrë që të vazhdojnë propagandën edhe për disa ditë.

Limaj tha se deputetët nuk duhet ta votojnë këtë gjykatë pavarësisht kërcënimeve e shantazheve, që sipas tij po u bëhen.

“Dua të besoj se frymëzimi i vetëm pse deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do të votojnë është kjo: Ne nuk kemi mandat të votojmë kundër sovranitetit të shtetit tonë dhe pikë. Në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim”, ka deklaruar Limaj.

Kundër themelimit dhe ri-procedimit të amadamenteve në Kuvend është shprehur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes deputetes Donika Kadaj Bujupi.

“Jemi shumë të kënaqur që është shtyrë seanca, mirëpo konsiderojmë se ajo nuk duhet vetëm të shtyhet por nuk duhet të vijë fare si çështje në Kuvend”, ka theksuar Kadaj Bujupi.

Sidoqoftë, përveç arsyetimit të dhënë nga PDK-ja në seancën plenare, besohet se deri te shtyrja e votimit erdhi edhe si rrjedhojë e disa mospajtimeve përbrenda Grupit Parlamentar të PDK-së, ku disa deputetë të kësaj partie ishin shprehur kundër.

Pozicionimi kundër speciales në PDK, vlerësohet se është shtresuar pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe dënimit të shqiptuar ndaj të ashtuquajturit, “Grupit të Drenicës”, ku bëjnë pjesë kryesisht ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët aktualisht bartin poste në Partisë Demokratike të Kosovës.

Gjykata Speciale pretendon që të hetojë tutje supozimet në raportin e Këshillit të Evropës lidhur me dyshimet për krime lufte të disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së ndaj disa civilëve serbë gjatë periudhës së viteve 1999 – 2000. (rel)

Taktizimet e Zaevit me rastin “Monstra”

arestimi mostraQë nga nisja në muajin shkurt e publikimit të bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve qeveritar, nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, kreu i opozitës, Zoran Zaev kishte paralajmëruar zbardhjen edhe të rastit “Monstra“, të vrasjes se pesëfishtë në Smillkovcë.

Por, deri më tani, përveç paralajmërimeve, ai nuk ka zbardhur asnjë dëshmi, përkundër pritjeve të shumta në opinion, te i cili ka dyshime se i gjithë rasti është i montuar nga struktura të caktuara për qëllime politike dhe destabilizuese.

Zoran Zaev, disa herë ka thënë se rasti është shumë i ndjeshëm, me paqartësi e dilema të shumta, nëse vërtetë të dënuarit për këtë rast, janë autorët e vërtetë të krimit.

Por, kreu i Lidhjes social-demokrate të opozitës këtë nuk e ka thënë ende publikisht në konferencat e shumta për media që mbanë për “shkeljet e paligjshme të bëra nga zyrtarët“.

Vonesat në publikimin e bisedave të zyrtarëve për këtë rast kanë nxitur debate nëse Zaev taktizon për qëllime tjera, apo për mos nxitje të trazirave të mundshme.

“Ajo që tani përmendet si rast shumë sensitiv për marrëdhëniet ndëretnike, rasti Monstra është me siguri rast nga i cili do të preken dy partitë që tani përbëjnë koalicionin qeveritar, VMRO-në dhe BDI-në dhe duket qartë se ky rast përdoret nga ana e liderit të LSDM-së për të arritur deri te ndonjë pikë e bisedimeve tek e cila ne si opinion nuk kemi qasje”.

“Paralajmërimi se do të publikojë gjithë atë që posedon rreth këtij rasti të mistershëm dhe zbardhjen e tij deri në fund, sikur u hesht pas takimit të fundit të liderëve, andaj ka hapësirë që të dyshojmë se ka ndodhur diçka brenda apo se ky rast është përdorur për të bërë një presion, apo për të shtyrë para procesin negociues në kuadër të takimit të liderëve“, thotë analisti Xhelal Neziri.

Nga ana tjetër, Sonja Stojadinoviq, njohëse e çështjeve politike, beson se taktizimet e kreut të opozitës më tepër kanë të bëjnë me përgatitjen e opinionit shqiptar me atë që mund të publikohet, për të mos u përshkallëzuar situata, ashtu siç ndodhi me rastin e Martin Neshkovskit, kur u zbardhën bisedat lidhur me vrasjen e tij, e që u përshkallëzuan në dhunë mes policisë dhe protestuesve.

“Paralajmërimet e para të zotit Zaev lidhur me rastin ‘Monstra’ ishin se dëshmitë e publikuara për këtë rast do të jenë ‘bombat’ më të fuqishme që do të zgjidhin problemin me diktaturën në Maqedoni, por ku u panë reagimet dhe protestat për rastin e vrasjes së Neshkovskit, atëherë kreu i opozitës bëri një hap pas duke parë se sa mund të jetë i ndjeshëm rasti Monstra”.

“Besoj se kalkulimet e tij kanë të bëjnë me përgatitjen e popullatës shqiptare me atë se çka do të publikohet në opinion, të mos ketë përshkallëzim të gjendjes dhe në anën tjetër të pastrojë dilemat që kanë të bëjnë me këtë rast, në njërën anë t’i njoftojë familjarët e viktimave se kush në të vërtetë janë vrasësit e bijve të tyre dhe në anën tjetër të nxjerr në dritë të vërtetën për atë që po mbahen në burg“, thotë Stojadinoviq.

Ajo shton se kreu i opozitës e ka për obligim që të zbardh gjithçka që posedon për kërë rast që të mos humb besimin dhe pritjet e shumë njerëzve lidhur me këtë rast.

Por, ndryshe vlerëson analisti, Xhelal Neziri. Ai thotë se publikimi i të vërtetës për rastin “Monstra”, jo që nuk do të lëkund raportet ndëretnike apo të shkaktojë trazira, por do të forcojë edhe më shumë besimin ndaj njëri tjetrit, pasi qytetarët, qofshin shqiptar apo maqedonas, siç thotë ai do ta kenë të qartë një herë e përgjithmonë se kush janë nxitësit e vërtetë të tensioneve ndëretnike.

“Zbardhja e së vërtetës sikur edhe të mos jetë në favor të ndonjë bashkësie etnike në Maqedoni nuk do të përkeqësojë raportet ndëretnike, por përkundrazi do të përfocojë besimin mes tyre”.

“Edhe bisedat që janë zbardhur deri më tani nga lideri i opozitës përmbanin fjalor fyes apo përmbajtje të urrejtjes për shqiptarët, por reagim nga ana e shqiptarëve nuk pati, pasi të gjithë ne dëshirojmë të dimë se çfarë në të vërtetë ndodhi ditën kur u vranë pesë personat në Smillkovcë, në atë që njihet si rasti ‘Monstra’ dhe a janë në të vërtetë fajtor njerëzit që po mbahen në burg“, thotë Neziri.

Vrasja e pesë të rinjve maqedonas në afërsi të liqenit të Smillkovcës kishte ndodhur më 11 prill të vitit 2012.

Ky krim, i cilësuar si rasti “Monstra”, pati shkaktuar tensione dhe trazira ndëretnike në Maqedoni, meqë vepra ishte klasifikuar si terroriste nga qeveria. Për këtë vepër, gjashtë shqiptarë janë dënuar me burg të përjetshëm. (rel)

Nasa, fotografia më e madhe

galaksiaPërbëhet nga 1.5 miliardë piksela dhe kërkon një hapësirë prej 4.3 gigabitësh në disk. NASA thotë se kjo është fotografia më e madhe e marrë ndonjëherë ku përfshihen 411 imazhe të veçanta të gjitha të kombinuara së bashku për të treguar pamjen spektakolare  të një seksioni të galaksisë Andromeda, që ndodhet 2 milionë vite dritë larg Tokës.

Teleskopi Hubble i mori imazhet në një rezolucion të tillë që mund të krahasohet sikur të fotografosh kokërrat e rënës individualisht.  Galaksia Andromeda me qindra miliarda yje, është një prej qindra miliardë galaksive në pafundësinë e universit.

Për më shumë hollësi, në se dëshironi, mund të shkoni tek faqja a Nasës, NASA.GOV për të parë nga afër galaksinë fqinje, dhe për të shijuar fotot spektakolare dhuratë e teleskopit Hubble.

Koment: FIFA një rast i pashpresë

Shtatë funksionarë të FIFA-s të arrestuar nën dyshimin për korrupsion, përveç kësaj hetime të organeve zvicerane të drejtësisë kundër FIFA-s. Kupa është mbushur, mendon redaktori i sportit i DW, Stefan Nestler.

fifaFIFA është e korruptuar deri në kupolën e saj drejtuese. Këtë tashmë duhet ta kenë kuptuar të gjithë. Shtatë funksionarë drejtues të shoqatës botërore i kanë arrestuar pak para kongresit të FIFA-s në Zyrih. Akuza: në bazë të të dhënave të hetuesve të SHBA për shumë vite është bërë pazar dhe janë shitur të drejtat e transmetimit dhe të tregtimit të turneve futbollistike në Amerikën Veriore, Qendrore dhe Jugore dhe janë futur në xhep nga kjo gjithsej 100 milionë dollarë ryshfet. Midis të arrestuarve janë edhe dy nga tetë zëvendëspresidentët e Komitetit Ekzekutiv, të qeverisë botërore të futbollit. Njëri prej tyre, Jeffrey Webb, President i Shoqatave Futbollistike të Amerikës Veriore dhe Qendrore si dhe të Karibikut konsiderohet si person i besuar i rëndësishëm të Presidentit të FIFA-s, Joseph Blatter. Vetë zvicerani nuk shfaqet në listën e personave të akuzuar.

Mantel i padukshëm mbrojtës

Kjo nuk të çudit shumë. Gati gjithmonë në 17 vitet e fundit nën regjencën në FIFA të Blatterit, kur funksionarët e futbollit kanë marrë ryshfet, shefi ka dalë i paprekur, sikur të kishte pasur një mantel të padukshëm përreth vetes. Vetëm njëherë situata për të u bë e vështirë: kur u bë e ditur se në postin e sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s ai të paktën ishte i informuar për korrupsionin e funksionarëve të lartë nga partneri i marketingut i FIFA-s, ISL. FIFA e Blatterit i quajti paratë e ryshfetit si “paradhënie”, pagoi një shumë milionëshe dhe e mbylli më 2010 procesin gjyqësor. Përndryshe, Blatteri me buzëqeshje i shpëtoi çdo krize. Dhe kriza ka pasur disa, së fundi kriza e dhënies së diskutueshme të dyfishtë të Kampionateve Botërore më 2018 Rusisë dhe 2022 Katarit. Këtu autoritetet zvicerane tani zhvillojnë hetime zyrtare për shkak të dyshimit për korrupsion.

Mungon vetëpastrimi

Me këtë parashije të paqetë duket gati e çuditshme që Blatteri do të zgjidhet sipas të gjitha gjasave të premten në kongresin në Zyrih në mandatin e tij të pestë si shef i FIFA-s. 79 vjecari mund t’u besojë gati në mënyrë të verbër duartrokitësve të tij nga Afrika, Azia, Amerika e Veriut, Amerika Qendrore dhe Amerika e Jugut. Ata do të votojnë për të. Evropianët, të cilët në fakt Blatteri donte t’i hiqte qafe, rezultuan në fakt si tigra pa dhëmbë. Në një sipërmarrje të drejtuar në mënyrë korrekte, Blatterit do t’i qe dashur prej kohësh të ngrinte plaçkat. Po të kishte pak dinjitet, do t’i duhej ta bënte vetë. Por ja që FIFA nuk është organizatë e pastër. Çfarë duhet të ndodhë më akoma, që stalla të pastrohet? Një vetëpastrim nuk po ndodh – megjithë komisionin e etikës të FIFA-s. Mbase dobi do të bëjë vetëm një revolucion. Që të marrë me vete të gjithë sipërmarrjen! (dw)

Shtypi gjerman: Vizita e Vuçiq në Tiranë & Müller në Kosovë

shtypi gjermanVizita e kryeministrit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, vizita e ministrit gjerman për Zhvillimin dhe Bashkëpunimin Ekonomik,Gerd Müller dhe deklaratat e Sheshelit, janë disa nga temat e trajtuara në shtypin gjerman.

Takimet mes kryeministrave të Shqipërsië dhe Serbisë, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq, janë shndërruar në një lloj rutine, shkruan gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Por bisedimet shqitparo-serbe nuk mund të jenë rutinë, derisa Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në nëntor të vitit 2014 Rama vizitoi Beogradin, ky ishte takimi i parë i këtij lloji pas shtatë dekadash. Rama dhe Vuçiq e kanë evituar në momentin e fundit një skandal në Beograd, për shkak të qëndrimeve të ndryshme ndaj pavarësisë së Kosovës. Kërkesa e Ramës që Serbia ta njohë realitetin në Kosovë është quajtur si “provokim”. Ndërsa Vuçiq u shpreh se “realiteti është që Kosova është pjesë e Serbisë”. “Vuçiq dhe Rama u dakorduan në Tiranë se nuk janë dakord për çështjen e Kosovës. Ndryshe ekzistojnë shumë mundësi për bashkëpunim. Detyra e një qeverie është që të shikojë interesat e vendit”, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Gazeta “Die Welt” analizon vizitën e ministrit gjerman për Zhvillimin dhe Bashkëpunimin Ekonomik, Gerd Müller në Kosovë. “Zhvillimin dhe Bashkëpunimin Ekonomik, Gerd Müller (CSU) ka ardhur për të hapur “Qendrën Informative për Migtracion, Arsim dhe Karrierë. Në mes të Prishtinës, në Ministrinë e Kosovës për Punë dhe Çështje Sociale do të punojnë katër bashkëpunëtorë, të cilët do të njoftojnë për mundësitë legale të qendrimit në Gjermani. Müller angazhohet për një partneritet. Ndërsa në zyrat e hapura këtë javë gjenden broshura për arsim, studime, mundësinë e punës dhe rregullat në Gjermani. Gjermania vlerësohet lart në Kosovë. Interesimi për kurset e gjermanishtes është i madh. Ndërsa hapja e zyrës Dimak është një reagim i qeverisë gjermane ndaj valës së fundit të ardhjeve ilegale nga Kosova në Gjermani. Me mijëra njerëz ia kthejnë shpinën Kosovës çdo muaj, sepse janë dhënë premtime të gabuara”, thotë Müller, shkruan Die Welt dhe shton: “Müller ka ardhur në Kosovë për të inkurajuar njerëzit që të rrinë në vendlindjen e tyre. Ne duhet të luftojmë shkaqet e largimit në vendet prej nga vijnë azilkërkuesit”, citohet ai dhe apelon tek të rinjtë me fjalët se “ata janë e ardhmja e vendit”.

Ndërsa “Neue Zyrcher Zeitung” shkruan për mundësinë e kthimit të Vojisllav Sheshelit në Hagë, ku akuzohet për krime lufte. “Ultranacionalisti serb Sheshel nuk do të kthehet vullnetarisht në Tribunalin e Hagës, për të vazhduar procesi kundër tij. Ai ka paralajmëruar se do të kërkojë drejtësi para gjykatave ndaj kërkesave për dorëzimin e tij në Hagë”, bën të ditur “Neue Zyrcher Zeitung”. Gazeta kujton se Sheshel akuzohet në Hagë për krime lufte dhe së shpejti duhet të shpallet vendimi në këtë proces. (dw)

Skandali i FIFA-s, shoqata në liqenin e Zyrihut

FIFA konsiderohet si një koncern miliardësh, me përmasat e një prodhuesi të automjeteve. Miliardat FIFA i ka, por koncern nuk është. Ajo është ligjërisht shoqatë, e kjo e ndihmon më shumë t’i bëjë kapul paratë.

fifaFederata Botërore e Futbollit, FIFA, është shoqatë në bazë të nenit 60-të kodit civil zviceran. Pra, për të vlen e drejta e shoqatave në vendin e alpeve – dhe si organizatë jofitimprurëse dhe në shërbim të komunitetit, FIFA është e detyruar t’i investojë fitimet e saj dhe rezervat në futboll. Për shembull në programet për rininë apo zhvillimin. Të ardhurat dhe shpenzimet duhet të jenë të balancuara, dividentët nuk paguhen. Këto mund t’i lexosh në bilancin aktual të FIFA-s.

fifa presidentiModeli i biznesit

Por për shkak se FIFA konsiderohet shoqatë, ajo paguan vetëm 4% tatime për fitimin. Shoqëritë e kapitalit paguajnë dyfishin. E megjithatë Federata Botërore e Futbollit është një koncern milardësh, që i nxjerr fitimet sidomos me kampionatet botërore, që organizohen çdo katër vjet. Por për shkak se FIFA është një shoqatë jofitimprurëse, ajo nuk duhet t’i kushtohet përfitimit ekonomik. Po si i fiton FIFA atëherë qindra milionë euro në vit?

Modeli i biznesit të FIFA-s është shumë i thjeshtë: Ajo ia ngarkon shpenzimet e një kampionati botëror vendit mikpritës. Kush do të marrë në vendin e tij kampionatin, duhet t’i sigurojë FIFA-s lirimin nga taksimi. Për shembull gjatë kampionatit botëror rt zhvilluar në Gjermani në 2006-n, shtetit gjerman i ikën nga duart rreth 250 milionë Euro. Po ky model u ndoq pak a shumë edhe në Afrikën e Jugut në vitin 2010 dhe vitin e shkuar në Brazil, vende këto që do të kishin nevojë urgjente për këto të ardhura. Pra në territorin ku zhvillohen ndeshjet krijohet një si zonë e patatueshme. Të gjithë partnerët e FIFA-s janë të çliruar nga detyrimi tatimor lokal dhe tvsh-ja.

Të ardhurat

Por pjesën e luanit në këto të ardhura e kanë ato të shitjes super shtrenjtë të të drejtave për televizionet. Vetëm për kampionatin botëror të vitit 2014 të ardhurat nga këto shitje kapën shifrën e 742 milionë Dollarëve. Po ashtu nga shitja e të drejtave të marketingut u mblodhën edhe 465 milionë Dollarë të tjerë. Kështu raporti i publikuar për vitin e botërorit 2014 tregoi një shumë të ardhurash prej 1,9 miliardë Dollarësh. FIFA-s i kanë mbetur neto 141 milionë Dollarë. Me këtë rezervat vepruese të FIFA-s arrijnë 1,52 miliardë Dollarë.

“Shpikësi”

Kalimi i FIFA-s në një “makineri parash” u krye në vitin 1974, kur Gjermania ishte mikpritëse e Kampionatit Botëror. Braziliani Joao Havelange “u zgjodh” shef i FIFA-s. Për stilin e ri të marketingut u kujdes në Gjermani një emër i njohur, Horst Dassler, djali i themeluesit të firmës Adidas, Adolf Dassler dhe atëherë edhe kreu i koncernit. Ai e pikasi potencialin ekonomik të FIFA-s, dhe mblodhi sponsorët e parë të mëdhenj. Plani i tij: Të tërhiqte firma botërore që ishin të gatshme të paguanin miliona për një prezantim ekskluziv. Si shpërblim dominojnë banderolat e reklamave të tyre, ato marrin kontigjente biletash falas, ftojnë me kushte të mira miq të firmave të tyre, apo mund të përdorin ekskluzivisht logon e kampionatit. Partnerë aktualë të FIFA-s janë Adidas, Coca Cola, koncerni enegjertik rus Gazprom, koncerni i automjeteve Hyundai/Kiam dhe firma e kartës së kreditit,Visa.

Por sipas së drejtës statutore FIFA shpenzon shumë fonde. Për projekte zhvillimi Fifa shpenzon rreth 509 milionë euro. Ekipet e futbollit në Kampionatin Botëror të Brazilit morën gjithsej 358 milionë dollarë, vetëm Gjermania si skuadër fituese mori 35 milionë euro. (dw)

Tiranë: Forumi Ekonomik i Vjenës diskuton projektet rajonale shumëpalëshe

tiranaKryeministat e Ballkanit morën sot pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, ku diskutuan mbi vështirësitë ekonomike të rajonit dhe projektet për bashkëpunim dhe investime rajonale me mbështetjen e Bashkimit Europian.

Kryeministrat e Maqedonisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë u mblodhën në Tiranë për të shkëmbyer mendime mbi të ardhmen europiane të vendeve të tyre, duke bashkëpunuar fillimisht mes tyre.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në kufijtë midis tyre nuk ka tashmë asnjë konflikt, se nuk është koha për të khtyer kokën pas dhe se duhet të hapin një fazë të re dialogu dhe punësh të përbashkëta, sepse edhe sfidat janë të përbashkëta.

“Ne po garojmë në faza të ndryshme për integrimin europian. Nuk mund të ecim vetëm dhe duhet të ecim së bashku, sepse Ballkani dhe Europa janë shtëpia jonë e përbashkët” – tha zoti Rama.

Zoti Rama u përqëndrua më tepër në ndërtimin e infrastrukturës dhe ndërlidhjet mes vendeve ballkanike, duke i quajtur ato si thelbi i angazhimeve të të gjitha palëve. Zoti Rama tha se Ballkani është shumë i vogël për të konkurruar mes vetes.

“Nëse Europa ka një lodhje nga zgjerimi dhe vështirësitë e tjera, ne duhet të përballojmë me durim lodhjen nga pritja, ndaj nuk duhet ta lejojmë këtë lodhje, që të bëhet armiku i rrugës tonë të integrimit” – tha ai.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se në Beograd ka rënë pak popullariteti BE dhe njerëzit janë lodhur nga pritja. Ai theksoi se Ballkani është një treg me 20 milionë banorë dhe duhet të kujdeset për veten, të bashkëpunojë dhe t’i kërkojmë BE-së fondet që i nevojiten. Dhe nëse BE nuk financon projektet e Ballkanit, atëherë ata mund të punojnë me fondet e veta.

Zoti Vuçiç tha se Ballkani ka tregjet e veta dhe nëse nuk del dot në BE, mund të dalë në tregjet e treta, të krahasueshme me veten. Ai theksoi me shqetësim se vendet e Ballkanit janë eksportueset më të mëdha të rinisë, një dukuri që duhet ndalur bashkarisht. Ne nuk duam të jemi pjesa më e varfër e BE-së – tha ai, duam të arrijmë sukses, por nuk mund të bëjmë reforma të vecuara pa një bashkëpunim rajonal.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha se Ballkani është në një fazë, kur mospajtimet duhet t’i kthejë në ura bashkëpunimi. “Secili vend ka specifikat e veta, por tregjet tona nuk përputhen me BE. Ne kemi ndërtuar autostradën që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe duam që ajo të vazhdojë për të na lidhur me Serbinë dhe për të bashkëpunuar më ngushtë” – tha zoti Mustafa, duke shtuar se infrastruktura e përbashkët do të nxitë turizmin, tregtinë ekonominë dhe zhvillimin.

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Đukanoviç, tha se Ballkani duhet të vazhdojë përpjekjet për integrim në BE, por nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa qëndrueshmëri.

“Duhet të shuajmë konfliktet, sepse përndryshe do të mbetemi vulnerabël, ndërkohë që edhe ekonomia globale ende është e brishtë dhe eurozona është në vështirësi. Asnjë nga ne nuk mund të ecë vetë” – tha zoti Đukanoviç. Ai theksoi se vendet e Ballkanit ende nuk janë integruar brenda vetes, ndaj duhen shtuar lidhjet brenda rajonit, pastaj ato drejt BE-së.

Kryeministri i Bosnje-Hercegovinës Denis Zvizdiç, u përqëndrua më shumë në ndërtimin e korridoreve që kalojnë nga vendi i tij. Ai shprehu interes që të vazhdojë ndërtimi i autostradës adriatiko-joniane, që kalon përmes Bosnje-Hercegovinës, po ashtu edhe projekti për t’u lidhur me Serbinë me hekurudhë, ndërkohë që 5 autostrada e lidhin Bosnjen me bregdetin.

Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, tha se të gjithë vendet e rajonit janë orientuar drejt integrimit në BE, edhe pse e dinë që Bashkimi nuk do të zgjerohet deri në fund të kësaj dekade.

“Procesi i integrimit duhet të vazhdojë, por shtyrja pa fund nuk është zgjidhje, krijon probleme në dëm të rajonit” – tha zoti Gruevski. Ai tha se Maqedonia e përqëndruar te reformat, por udhëheqësit politikë të rajonit duhet të jenë të kujdesshëm me mesazhet publike, sepse mesazhet e pasakta mund të sjellin probleme.

Zoti Gruevski tha se Maqedonia duhet të nisë sa më parë negociatat me BE-në, dhe se duhen më shumë përpjekje për të arritur standartet europiane. Maqedonia është e përkushtuar me Korridorin 8 dhe 10 si dhe ka nevojë për investime me rëndësi në energji dhe hekurudha.

Kryeministrat e vendeve të tjera ballkanike kërkuan mbështetje nga fondet e Bashkimit Europian për projektet e përbashkëta infrastrukturore të Ballkanit. Sipas tyre, rajoni ka nevojë si asnjëherë më parë për fondet europiane, që të zhvillohet dhe të bëhet gati për fazat e tjera të integrimit në tregjet dhe jetën e kontinentit. (voa)