102 vjet nga copëtimi i trojeve shqiptare

konferenca-e-londresKonferenca e ambasadorëve në Londër, mbajtur në 1912-1913 dhe njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia).

Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912 si pasojë e sukseseve të ushtrive të Ligës ballkanike kundër Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Ballkanike. Në veçanti konferenca u përpoq të luante rolin e arbitrit ndërmjet fuqive ndërluftuese për çështjen e shpërndarjes së tokave dhe gjithashtu përcaktoi të ardhmen e Shqipërisë, e cila deklaroi pavarësinë gjatë Luftës së Parë Ballkanike.

Konferenca filloi punimet në shtator 1912 në St James’s Palace nën drejtimin e Sir Edward Grey. Sesionet e tjera të konferencës vazhduan më 16 dhjetor 1912, po u ndërprenë pa ndonjë konkluzion më 23 janar 1913, kur në Perandorinë Osmane u zhvillua një grusht shteti.

Më 30 maj 1913, konferenca kishte rimarrë punimet dhe nënshkroi Traktatin e Londrës, një marrëveshje sipas së cilës Perandoria Osmane hiqte dorë nga të gjitha territoret në perëndim të kufirit Enos-Midia. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane, shkruan Portali Albeu.

Si rezultat i presionit nga Greqia dhe Serbia konferenca mori vendimeve që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur, të banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë dhe rreth 30% e shqiptarëve mbetën larg kufijve të shtetit shqiptar të sapokrijuar. 40% e popullsisë shqiptare u la jashtë kufijve të Principatës së Shqipërisë. Në veçanti Vilajeti i Kosovës iu dha Serbisë dhe Çamëria Greqisë.

Më 1912, trojet ku shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë (trungu etnik), rroknin një sipërfaqe prej gati 52 mijë km katrorë, me rreth 1.550.000 banorë, nga të cilët rreth 1.330.000 shqiptarë. Përveç këtyre, në viset e brezit anësor banonin edhe rreth 185 mijë shqiptarë, që nuk përbënin shumicën e popullsisë së vendit në këto vise.

Numri i përgjithshëm i popullsisë shqiptare të trungut etnik dhe të brezit anësor arrinte kështu në 1.515.000.
Mirëpo, kjo gjendje nuk u mor parasysh nga ana e Fuqive të Mëdha. Kufijtë politikë, që u caktuan më 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve të Gjashtë Fuqive të Mëdha në Londër, përfshinë brenda Shqipërisë afërsisht gjysmën e trojeve shqiptare, rreth 28 mijë km katrorë, me një popullsi prej 740 mijë banorësh. Shumicën dërmuese (rreth 95%) e përbënin shqiptarët, kurse pakica përbëhej nga minoritete të vogla greke (2,6%), vllahe (2,1%) dhe maqedonase (0,3%).

Pjesa tjetër e trungut etnik, duke përfshirë edhe viset që u shkëputën nga Kongresi i Berlinit (1878) në vitet 1880, një popullsi prej 802 mijë banorësh (nga të cilët rreth 622 mijë qenë shqiptarë), mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë.

Prej tyre, pjesa më e madhe hyri nën zgjedhën e Serbisë, gati 20.000 km katrorë. Sipas disa studiuesve, nën sundimin serb kanë mbetur 24.000 km2 katrorë territor shqiptar. Në një masë më të vogël, nën atë të Greqisë – rreth 4000 km katrorë dhe të Malit të Zi rreth 2000 km katrorë.

Me këta kufij mbetën jashtë Shqipërisë trojet shqiptare të Kosovës, të Dibrës, të Maqedonisë së sotme perëndimore, të Çamërisë dhe viset e shkëputura më parë (Ulqini me rrethinën e vet, Tivari, Hoti, Gruda, Plava, Gucia, Tuzi me Malësinë). Këto vise përfaqësonin krahinat bujqësore më pjellore dhe zinin sipërfaqen agrare më të madhe të trojeve shqiptare. Me shkëputjen e tyre, brenda kufijve të Shqipërisë mbetën krahinat më të varfra, në pjesën më të madhe vise malore, kurse tokat fushore ishin kryesisht vise moçalore.

Ka studiues që thonë se me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, mbeti jashtë Shqipërisë 2/3 e trojeve etnike shqiptare. (ina)

Thaçi: Ka pajtueshmëri që të miratohet Gjykata Speciale

thaci ksKa përfunduar takimi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, ku këta të fundit kanë diskutuar për votimin pro të Gjykatës Speciale.

Pas takimit, kryetari i PDK-së, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi deklaroi se takimi ka qenë i frytshëm dhe ka pas pajtueshmëri që javën e ardhshme Kuvendi ta ketë para vetes çështjen e Speciales, e cila pritet të miratohet.

“Sa i përket amendamenteve për Gjykatën Speciale dëshiroj të theksoj se ishte rekomandim që gjatë javës së ardhshme të procedohet dhe të votohet. Kjo është në interesin e politikës së Kosovës dhe në interesin e Kuvendit dhe gjithë shoqërisë kosovare, dhe interesit të perspektivës euro atlantike dhe në vazhdimësisë së ndërtimit të partneritetit më BE-në dhe SHBA-në. Them se është në të interesin e të gjithëve që Gjykata Speciale të aprovohet”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, deputetja Ganimete Musliu tha se ende nuk ka ndërruar qëndrim rreth speciales. Ajo tha se në momentin që ndryshon do ta bëjë publike.

Takohen deputetët e PDK-së

​Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka filluar të mblidhet në Kuvendin e Kosovës.

Edhe pse jo zyrtarisht, mësohet se ky është takimi i fundit para se Qeveria të sjell në Kuvend, ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë Gjykatës Speciale. Një takim i tillë pritet të ndodhë nesër edhe në Grupin Parlamentar të LDK-së.

Takimi ishte paraparë të ndodhte dje, megjithatë në momentin e fundit është shtyrë për sot. Deputetët thotë se është një takim i zakontë para seancës së nesërme.

Megjithatë, burime të KosovaPress-it thonë se ky është takimi i dytë me radhë i kryetarit të partisë, Hashim Thaçi me deputetët për t’u siguruar se ata do të përkrahin Gjykatën Speciale. (rtk)

A ka marrë vërtet fund procesi i paqes në Turqi?

Të gjitha lajmet flasin për dështimin e procesit të paqes mes Turqisë dhe PKK-së. Seda Serdar pyet a është kjo e vërtetë?

xhamia turqiaPara sulmit në Suruç, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Turqisë (AKP) kishte filluar negociatat për koalicion me të gjitha partitë politike. Por Suruç ndryshoi gjithçka. Papritmas të gjithë sytë u përqendruan në Turqi në mënyrë aktive në luftën kundër “Shtetit Islamik” dhe njëkohësisht tek hakmarrja ndaj organizatës terroriste PKK (Partia Punëtore Kurde), e cila gjithashtu kishte filluar sulme brenda vendit.

Partia Popullore Demokratike (HDP), e cila është pro-kurde, është kritikuar me të drejtë për mosdenoncimin e sulmeve të fundit të PKK-së, e cila na kujton konfliktim me të cilin Turqia u përball gjatë viteve 1990. Askush nuk dëshiron të kthehen ato ditë të mbushura me pasiguri dhe viktima. Prandaj një zgjidhje për këtë konflikt të gjatë është vendimtare. Nuk është sekret se procesi i paqes u bllokua edhe para deklaratës së presidentit Erdogan të martën.

Thirrja e tij për përgjegjësi për ata anëtarë të parlamentit, që mbështesin organizatat terroriste gjeti një përgjigje të shpejtë. Bashkëkryetari i HDP-së Selahattin Demirtas tha se të gjithë 80 deputetët do të bëjnë kërkesë në parlamentin turk për heqjen e imunitetit të tyre. Kjo përshkallëzon diskutimin dhe e çon vendin në një rrugë më larg nga arritja e çdo lloj zgjidhjeje.

Çështja e stabilitetit

Nga njëra anë, AKP është duke përfituar nga situata në Turqi me shpresën se rifiton votat që humbi në favo të HDP-së, në qoftë se do të zhvillohen zgjedhje të parakohëshme. Në anën tjetër, edhe pse reagimi impulsiv i Demirtasit mund të duket fillimisht një përgjigje e mirë, ai në fakt nuk kontribuon në asnjë mënyrë për të sjellë stabilitet në këtë situatë trazirash politike. Edhe thirrja e Partisë për Lëvizje Kombëtare (MHP) për mbylljen e HDP-së gjithashtu nuk vjen në ndihmë.

Ndërsa agjenda e përditshme turke është e mbushur me të treguara me gisht, negociatat për një koalicion po zhvillohen në heshtje. Partia Republikane Popullore (CHP) dhe AKP-ja kanë zhvilluar një raund të dytë takimesh dhe nëse do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje, planifikohet që së shpejti të formohet një koalicion. Nëse jo, do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme, sikurse ishte gjatë gjithë kohës plani i AKP-së.

AKP-ja nuk ishte e kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit dhe humbjen e të qenit parti e vetme në pushtet. Tani Turqia është duke diskutuar gjithë dëshpërim se ç’pritet më tej me procesin e paqes. Të gjitha palët duhet të qetësohen dhe të përqëndrohen në atë që me të vërtetë duhet të jetë hapi tjetër. Hapi i ardhshëm duhet të jetë një koalicion i shëndoshë.

Liderët duhet të sjellin në mend atmosferën parazgjedhore dhe resentimentet ndaj AKP-ë që solli shpresën për ndryshim. Me fjalë të tjera ka lindur nevoja që kjo duhet të jetë një nga elementet e rëndësishme që do të diskutohen pasi të jetë krijuar koalicioni i ri. Jo vetëm ata që janë duke mbështetur terrorin, por edhe ata që janë përgjegjës për korrupsion dhe aktivitete të tjera të paligjshme duhet të mbajnë përgjegjësi. (dw)

Doktrina e re detare e Rusisë

Një doktrinë e re detare synon të tregojë forcën ushtarake të Rusisë. Kjo u bën përshtypje mjaft rusëve. Por korrespondenti i DW-së Juri Resheto dyshon tek realizimi i këtij projekti ambicioz.

armia ruse“Po erdhën ushtarët më fshih nën tryezë, mami!” – i lutesha nënës sime kur isha pesë vjeç. Ishin vitet shtatëdhjetë dhe unë jetoja në BRSS, në mes të Luftës së Ftohtë. Frika që një ditë do të më merrnin “ushtar” për një ushtri që do të mbronte vendlindjen time Rusinë kundër Perëndimit të kalbur ishte më keqe se sa frika për t’u sulmuar nga vetë Perëndimi i kalbur. Ajo mund të lidhej me edukimit tim pacifist, por unë nuk isha i vetëm me këtë frikë. Unë nuk njihja askënd që dëshironte të shkonte ushtar. Unë nuk njihja askënd që ishte krenar për ushtrinë.

Megjithë emisionet plio brohorima në televizionin shtetëror me titullin “Unë i shërbej Bashkimit Sovjetik”, megjithë lëndën e detyruar të “edukimit ushtarak”, megjithë paradën vjetore ushtarake të shkollës, propagada e viteve shtatëdhjetë nuk mund ta arrite atë që arrin propaganda e sotme: dashurinë e rusëve për ushtrinë e tyre.

putin86 për qind e njerëzve besojnë sipas hulumtimit të Institutit rus për Demoskopinë VZIOM se ushtria është në gjendje ta mbrojë vendin e tyre në rast emergjence. 40 për qind ndjejnë respekt, 59 krenari dhe shpresë. Shumica dërrmuese e rusëve i konsiderojnë forcat e armatosura si një institucion prestigjioz, që u ofron qytetarëve të rinj potencial zhvillimi.

Ka të ngjarë se këta 86 për qind e të anketuarve nga VZIOM do të jenë lumturuar të dielën (26.07), kur presidenti rus, Vladimir Putin, prezantoi doktrinën e re të trupave të marinës, gjë që marina ruse në Kaliningrad e festoi me një spektakël vërtetë mbresëlënës. Natyrisht, Rusia është një vend i qetë, ky ishte mesazhi. Sigurisht që ajo nuk kërcënon askënd dhe nuk sulmon askënd. Por ajo vetëm se është vazhdimisht në gatishmëri dhe nuk do të kursejë askënd, në qoftë se dikush do të ëndërrojë që të sulmojë vendin më të madh në botë. Në një rast të tillë do të përdoren anije që manovrohen me sisteme precize navigimi dhe raketa të shpejta si rrufeja. Tani ato janë sidomos në Detin Mesdhe dhe në Arktik, që janë prioritetet që lidhen me kërcënimin e zgjerimit të NATO-s drejt lindjes. Deri këtu çdo gjë është logjike dhe përshtatet me doktrinën e përgjithshme të re ushtarake, që paraqiti Rusia vjeshtën e kaluar. Në atë kohë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gerasimov njoftoi , se në vitin 2020 forcat ruse do të marrin më shumë se 11.000 automjete të reja luftarake të blinduara, 30 anije dhe nëndetëse, si dhe 14.000 automjete të tjera ushtarake për të mos folur pastaj edhe për predha të panumërta të reja. Mbresëlënëse. Dhe mund të konkurrojë me ritmin e garës së armëve gjatë Luftës së Ftohtë. Megjithatë, pa garanci. Sepse sanksionet perëndimore dhe kriza ekonomike në rritje mund ta bëjnë të dështojë këtë program shtetëror ambicioz deri në vitin 2020. Sepse atëherë paratë mund të mbarojnë dhe sepse Perëndimi mund t’i ndërpresë eksportet e armëve me precizion të lartë dhe të pjesëve përbërëse të atyre armëve që do të përdoreshin kundër vetë Perëndimit. Nëse “importozameshenie” (zëvendësimi i importeve) për të cilën flitet tani kudo në Rusi si zgjidhja e problemit, mund të funksionojë shpejt dhe në mënyrë efektive edhe në fushën ushtarake, është e dyshimtë.

anije rusePërveç kësaj, plaçkitja shfrenuar e fondeve shtetërore për shpenzime për mbrojtjen mund të përfundojë me një goditje. Vetë Vladimir Putin ka kërcënuar së fundmi kur tha se do t’i jepte fund kësaj fatkeqësie dhe u ankua që çmimet e prodhimit të armëve rriten gjatë prodhimit të këtyre armëve me 11 herë.

Vetëm kur këto probleme të zgjidhen dhe planet e reja të Rusisë të mund të kenë financim të sigurt, qytetari krenar rus mund të jetë vërtet krenar për ushtrinë e tij. Pa pasur nevojë të ketë frikë se një predhë e gjuajtur në mënyrë solemne nga një luftanije, do të shpërthejë menjëherë pas lëshimit dhe do të bjerë pas dy metrash në det, siç ndodhi në spektaklin e marinës në Sevastopol të Krimesë këtë fundjavë. Por, kjo shfaqje u zhvillua pa presidentin. Ai po merrte në atë kohën forcën në paradën detare në Kaliningrad, ku një predhë tjetër mbeti në grykën e topit …

Koment: Mrekulli, çmenduri, apo të dyja?

Pse një program i tretë ndihme për Greqinë, pyet me habi Christoph Hasselbach, dhe shpreh dyshime nëse negociatat do të zhvillohen vërtet.

eu greqiKoha nuk pret, po thuhet. Deri në fund të gushtit, Greqia ka për t’i shlyer Bankës Qendrore Evropiane rreth tre miliardë euro, kurse në muajin shtator 1.5 miliardë euro Fondit Monetar Ndërkombëtar. Prandaj, negociatat duhet të përfundohen më përpara.

Diçka të tillë ne e kemi dëgjuar shpesh. Edhe gjatë samitit të trazuar të BE-së në fund të qershorit u diskutua për kredi për Greqinë që ajo të shlyejë kreditë e tjera. Me fjalë të tjera, që të paguajë borxhin vendi duhet të hyjë edhe më tej në borxh.

Ky sistem shpejt a vonë do të shembet. Kjo do të thotë, kreditorët nuk do të arrijnë t’i marrin të gjitha paratë dhe do të detyrohen të nënshkruajnë dokumentin e heqjes dorë pjesërisht prej borxhit.

Barrë mbytëse

Greqia ende ka edhe pas dy programeve të ndihmave më shumë se 3 miliardë euro borxh, që sipas të dhënave të fundit të Eurostatit përbëjnë rreth 170 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Athina kryeson listën e BE-së në këtë drejtim.

Ndërsa borxhi është në rritje, ekonomia po rrudhet. Ekonomia greke pritet të rritet përsëri vetëm në vitin 2017. FMN-ja beson se pa një falje të mëtejshme të borxheve Greqia do të mbytet prej borxhit të saj, sado të favorshme të jenë rrethanat – kështu mendon edhe qeveria e majtë dhe e djathtë e Athinës.

BE-ja thekson se Greqia duhet të fillojë në shumicën e kredive të saj pagimin e interesave dhe të përqindjeve vetëm nga viti 2023. Por ajo që duhet të theksohet është se barra është mbytëse, popullsia në plakje të fortë dhe se dhe kokat më të mira po largohen nga vendi.

Shenja dhe mrekulli

Do të ishte pothuajse një mrekulli politike nëse negociatat zhvillohen tani. Kjo vlen fillimisht për vetë Greqinë. Qeveria e Tsipras jo vetëm i ka refuzuar deri kohët e fundit pretendimet e kreditorëve, por edhe pyeti popullin duke i rekomanduar të votonte me “jo” – gjë që edhe ndodhi pastaj me rreth 60 për qind .

Pjesa e dytë e mrekullisë politike vihet re në vendet e tjera të eurozonës. Tsipras dhe njerëzit e tij i kanë sharë këto vende, me në krye Gjermaninë, si shantazhiste; ish-ministri i Financave Giani Varoufakis i quajti madje homologët e tij edhe terroristë.

Janë pikërisht këto vende që tani duhet të paguajnë përsëri – dhe me sa duket, kjo është dhe mrekullia, edhe janë gati për këtë. Nëse të gjitha parlamentet do ta pranojnë në fund këtë këtë gjë, kjo është një çështje tjetër. Po për shembull, fakti që parlamentin tejet kritik i Finlandës ka rënë dakord për hapjen e negociatave, bën pjesë në bujarinë e mahnitshme të vendeve të eurozonës, të cilat i kanë nervat e tensionuara.

Besim i shkatërruar

Por ato ende presin për veprime nga ana e qeverisë greke, sepse pas gjithë atyre zvarritjeve, premtimeve boshe dhe marifeteve të qeverisë Cipras, do të jetë një surprizë në qoftë se tani ai e ka vërtetë seriozisht me reformat e nevojshme strukturore. Pastaj është dhe problemi i përballimit të borxhit.

Bazate negociatave aktuale për palën greke është se Athina në fund të fundit nuk ka zgjidhje tjetër. Dhe partnerët evropianë kanë vendosur në fund të fundit politikisht. Kalkulimi i tyre: një thyerje në eurozonë do të kishte pasoja ekonomike dhe politike të pallogaritshme, prandaj është më mirë për ta provuar edhe një herë me partnerin e vështirë. Por në rrugën e përbashkët është shkatërruar mjaft besim. Politikanët evropianë kanë folur në mënyrë inflacionare për një shans të fundit. Por dikur shansi i fundit vërtet që merr fund. (dw)

Stojanoviq: Po Gjykatës Speciale, jo FAK-ut

Stojanovic“Lista Serbe do ta votojë amendamentin kushtetues që hap rrugë për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, por nuk do të votojë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, në formën që ekzistojnë propozimet tash për tash”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, i cili vjen nga radhët e Listës Serbe.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Stojanoviq, Qeveria e Kosovës tashmë ka thënë se do të procedojë përsëri amandamentin kushtetues që do t’i hapë rrugë formimit të Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë. A do të votojë Lista Serbe “për” në qoftë se kjo çështje sërish do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës?

Branimir Stojanoviq: Që nga fillimi ne e kemi përkrahur këtë proces dhe në çdo rast kur na kanë pyetur se e përkrahim apo jo, ne kemi thënë po. Kështu do të jetë edhe tash, sepse këtu nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë asgjë në këtë kuptim. Përkrahja do të jetë si në Qeveri ashtu edhe në Kuvend.

Ne mendojmë se kjo është diçka që duhet të ndodhë dhe se kjo është e rëndësishme jo vetëm për të vërtetën dhe drejtësinë, të cilën e presin njerëzit dhe familjet e atyre që kanë pësuar, që të dinë se kush i ka bërë ato krime, të cilat pa diskutim që kanë ndodhur.

Por, po ashtu është e rëndësishme edhe për të ardhmen, për shkak se me këtë barrë që ekziston tash në shoqëri, është e pamundur që të shkohet në procesin e pajtimit të plotë të serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan, si dhe është e pamundur që edhe situata në shoqëri të ndërtohet deri te pajtimi i plotë dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet popujve.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Stojanoviq, ndryshimet kushtetuese do të nevojiten edhe për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Lista Serbe, deri më tash, nuk është pajtuar për këto ndryshime. Cili do të jetë qëndrimi i Listës Serbe lidhur me këtë çështje?

Branimir Stojanoviq: Para së gjithash, mendoj se unë i jam qasur mjaft seriozisht kësaj teme dhe nganjëherë më shumë më përngjan në folklor politik se sa në qëllim serioz që kjo të ndodhë. Jo vetëm Lista Serbe, por edhe përfaqësuesit serbë në mandatin e kaluar, nuk i kanë mbështetur ndryshimet kushtetuese, që është dashur të sjellin deri te formimi i Ushtrisë së Kosovës, në formën, për të cilën edhe tash janë propozimet.

Para së gjithash, kërkohet një dialog serioz. Nëse dikush kërkon nga ne që të mbështesim diçka, atëherë duhet që të marrim pjesë në atë proces. Ndërkaq, në propozimin aktual, ka mjaft gjëra, me të cilat ne nuk pajtohemi. Siç thash, kur dikush me ne nuk bën dialog serioz, atëherë është e pakuptimtë që të pres mbështetjen tonë për diçka të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Pra, cilat janë ato gjëra për të cilat nuk pajtoheni dhe cilat janë kushtet e Listës Serbe për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës?

Branimir Stojanoviq: Ne asnjëherë nuk kemi bërë shantazh e as nuk kemi vendosur marrëdhënie me shantazh, ashtu siç kanë bërë disa të tjerë. Ashtu siç kemi dëgjuar që disa bashkësi pakicë kanë kërkuar dhe kanë kushtëzuar formimin e Gjykatës Speciale dhe mbështetjen e tyre për këtë, me formimin e disa komunave apo diçka tjetër.

Ne nuk jemi sjellë kurrë ashtu, pavarësisht që shpeshherë dëshirojnë që në opinion të na shfaqin si dikë që bën shantazh. Ne, në këtë kuptim, nuk kemi marrëdhënie me shantazh. Dëshirojmë që të bisedojmë për këtë dhe të shohim se çfarë është ajo që dikush dëshiron ta bëjë dhe pse dëshiron ta bëjë.

Një nga argumentet që për neve është telash, është fakti se sa do të kushtojë e gjithë kjo, sepse në këtë situatë kur një numër i madh i njerëzve jeton mjaft vështirë, e dimë se më së paku do të nevojitej shuma rreth 50 milionë euro që ajo (Forca e Armatosur e Kosovës) të formohet.

Nga cilat para do të bëhet kjo dhe si do të financohet? Ekzistojnë shumë pyetje të hapura. Ne kemi qenë gjithmonë për dialog, por në formën e tanishme, siç po propozohet, me siguri që nuk do ta mbështesim.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Stojanoviq, çështja e formimit të Asociacionit apo Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe është në paket me çështjet e telekomit, energjisë dhe lëvizjes së lirë. Deri ku është arritur me këto dhe a mund të llogaritet që këto çështje, në paket të zgjidhen së shpejti?

Branimir Stojanoviq: Mendoj se nuk ka nevojë që çështja e formimit të Bashkësisë të vendoset në paket me zgjidhjen e problemeve tjera, sepse këto temat tjera nuk kanë qenë subjekt i marrëveshjes së parë të Brukselit.

Por, konsiderojmë se duhet të zgjidhen të gjitha ato çështje të hapura dhe duhet të bisedojmë më tutje që përmes dialogut të zgjidhen problemet. Unë mendoj se nuk ka alternativë tjetër, përveç bisedimeve dhe arritjes së marrëveshjeve, që asnjëherë nuk kanë qenë të lehta.

Po ashtu edhe zbatimet e atyre marrëveshjeve asnjëherë nuk kanë qenë të thjeshta. Bashkësia e Komunave serbe është çështja më e rëndësishme për serbët në Kosovës dhe ne do të insistojmë në atë që ajo të zbatohet ashtu siç është e paraparë me marrëveshjen e Brukselit, pavarësisht që mjaft njerëz po përpiqen ta frikësojnë, sidomos opinionin shqiptar, duke thënë se kjo do të jetë organizatë që, në njëfarë mënyre, do ta rrezikojë dikë në Kosovë.

Kjo, fare nuk është e saktë. Ne nuk dëshirojmë të krijojmë diçka që do të jetë e drejtuar kundër dikujt tjetër, por një organizatë që do të kapacitete të mjaftueshme t’ju ndihmojë serbëve dhe të tjerëve që të jetojmë më mirë. Është shumë e qartë që populli serb në Kosovë, sot është i rrezikuar dhe jeton në kushte mjaft të vështira, për shkak se edhe situata në Kosovë është përgjithësisht e rëndë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë, pra, po e frenon formimin e kësaj Bashkësie dhe a ekzistojnë kërkesa specifike të Listës Serbe lidhur me Bashkësinë e Komunave serbe?

Branimir Stojanoviq: Siç duket, kjo qartësisht do të jetë një marrëveshje politike. Kur për këtë marrëveshje politike do të arrihet pajtimi në Bruksel, atëherë do të vazhdojë edhe zbatimi.

Ne, në mënyrë absolute e kemi idenë e qartë se çfarë duhet të qëndrojë edhe në statutin e Bashkësisë së Komunave serbe dhe cilat kompetenca të drejtpërdrejta duhet t’i ketë. Por, bisedime serioze, para së gjithash, në nivelin e partnerëve, për këtë Bashkësi nuk ka pasur kurrë.

Tash, ai dialogu serioz, se si duhet të duket Bashkësia, po bëhet në nivelin e dy delegacioneve, të Beogradit dhe të Prishtinës, në Bruksel. Natyrisht, ne i kemi dhënë sugjerimet tona dhe në mënyrë aktive flasim për atë se çfarë duhet të ekzistojë. Por, siç duket, argumentet tona, para së gjithash, po i shpalosë delegacioni i Beogradit.

Ndërkaq, delegacioni i Prishtinës, deri më tash, nuk ka dëshiruar që argumentet tona t’i pranojë. Besoj se në qoftë se do të zhvillohej një dialog serioz në nivelin ndërmjet nesh, mendoj se edhe për Brukselin do të kishte punë shumë më pak.

Radio Evropa e Lirë: Këtë pyetje po e bëj për shkak se edhe më parë është thënë se Lista Serbe apo edhe pala e Beogradit po kërkon që Bashkësia e Komunave serbe të ketë një lloj të pushtetit të tretë në Kosovë. A është kjo e vërtetë?

Branimir Stojanoviq: Se si do ta formulojmë këtë, kjo para së gjithash është çështje për juristët. Por, mospajtimi themelor për ne është çështja se çfarë kapaciteti do të ketë. Dikush do të dëshironte që Bashkësia të ketë sot kompetenca të organizatës joqeveritare, ashtu siç është sot Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Sikur të bisedonim për këtë, atëherë do të ngrihej pikëpyetja se pse fare kemi biseduar në Bruksel dhe pse është dashur të organizohen bisedimet, përderisa dikush dëshiron të bëjë diçka që ka ekzistuar dhe që ka qenë e paraparë. Do të thotë, është e nevojshme që ai institucion të ketë kapacitet më të madh.Madje shumë më të mëdha nga ajo për të cilën flet delegacioni i Prishtinës.

Ekzistojnë shumë çështje të hapura. Të katër fushat që i definon marrëveshja e Brukselit, që Bashkësia duhet të ketë kompetenca të drejtpërdrejta, janë ato specifikat dhe të veçantat për të cilat ne insistojmë, planifikimi hapësinor, rural dhe zhvillimi ekonomik. Cilat janë formulat dhe definicionet juridike për formësimin e gjithë kësaj, kjo është ajo për të cilën ne jemi të gatshëm të bisedojmë dhe asnjëherë nuk kemi thënë që jemi përjashtues dhe se kërkojmë që diçka të ketë vetëm një formë të caktuar.

Por, nuk dëshirojmë të pranojmë që Bashkësia të jetë një gëzhojë e zbrazët, e cila nuk do ta ketë asnjë kuptim, sepse kjo padyshim do të sjellë deri te zhdukja e plotë e serbëve nga Kosova. Mendoj se kjo nuk është në interesin e askujt dhe mendoj se është me interes që kjo të mbetet një shoqëri multietnike dhe të gjithë ata që jetojnë këtu, mund të kenë prosperitet të barabartë. (rel)

Tiranë, ambasada e SHBA-ve për raportin e DASH

Raporti për Trafikun e personave, ambasada “vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve”. Rasti duket se i përket deputetit socialist Arben Ndoka. Reagime nga PD dhe Ministria e Brendshme

ambasada USA TiranePërfshirja në raportin e departamentit amerikan të shtetit mbi Trafikun e Personave e faktit se një deputet i tanishëm i parlamentit ka qenë dënuar më parë për krime që lidhen me trafikimin, ka rikthyer edhe një herë cështjen e pranisë në politikë të personave me një të kaluar problematike. Ambasada amerikane në Tiranë, e cila përmes ambasadorit Donald Lu ka qenë e angazhuar direkt në përpjekjet për të parandaluar përfshirjen e personave të tillë vecanërisht në listat e kandidatëve për zgjedhjet e pushtetit vendor, u shpreh sot se se e “vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve”.

Deklarata vazhdon më tej duke nënvizuar se “shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarte të larta etike, jo kriminelë”, ndërsa shton se “Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kërkojnë të gjitha partive politike që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë”.

Rasti i përmendur në raportin e departamentit amerikan të shtetit duket se i referohet deputetit socialist Arben Ndoka, i cili rezulton të jetë dënuar në Itali për “shfrytëzim prostitucioni në rrethana të rënduara”. Vitin e kaluar ishte opozita e cila denoncoi këtë rast duke publikuar dhe dokumenta sipas të cilave Ndoka është dënuar ne fund të viteve ’90 me mbi 7 vjet burgim, dhe e ka shlyer një pjesë të dënimit në burgjet shqiptare.

Ndoka, i cili ka folur për një ngjarje aksidentale, rezulton të jetë liruar në vitin 2005 dhe më pas ai është angazhuar dhe në funksione drejtuese në administratën publike, deri dhe në Gardën e Republikës apo policinë e shtetit, sic ka pohuar ai vetë. Ndërsa deri para se të përfshihej në listat e socialistëve në zgjedhjet e 2013, ka qenë në postin e drejtorit në Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, në administratën e drejtuar nga demokratët.

Për raportin e departamentit amerikan të Shtetit reagoi sot dhe drejtuesi I opozitës Lulzim Basha sipas të cilit “Shqipëria është rasti unikal kur trafikantët e qenieve njerëzore, tutorë të vajzave shqiptare të shndërruara në skllave të prostitucionit, emërohen deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë dhe shefa të rëndësishëm në poste kyçe”, ndërsa e ciësoi raportin si një shtysë për procesin e dekriminalizmit.

Nga ana e saj ministria e Brendshme, përmes zëvendës ministres Elona Gjebrea, u shpreh se “gjetjet e raportit janë më të mirat për Shqipërinë, që kur DASH ka filluar të hartojë raporte të tilla”, duke kujtuar se në vitin 2013 Shqipëria gjendej një grup më poshtë mes vendeve në vëzhgim, dhe se që prej vitit të shkuar ka dalë nga kjo listë.

Në raportin e këtij viti Shqipëria klasifikohet në shkallën e dytë, pa ndryshim nga viti i kaluar, ndërsa theksohet se “Qeveria e Shqipërisë nuk i plotëson krejtësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore, megjithatë po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim”. Në deklaratën e saj të sotme, ambasada amerikane, në vijim të interesimit të mediave vendase lidhur me raportin e Departamentit të Shtetit, thekson se “ne nxisim qeverinë shqiptare t’i vazhdojë ato përpjekje për të luftuar të gjitha format e trafikimit të njerëzve nëpërmjet zbatimit të fortë të ligjit dhe mbrojtjes efikase të viktimave, si dhe me politika për parandalimin e trafikimit. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Shqipërinë për të mbështetur përpjekjet e vazhduara kundër trafikimit të njerëzve”, saktëson deklarata. (voa)

Akuza ndaj Fullanit, “Shpërdorim detyre”

Ish guvernatori i Bankës së Shqipërisë, është konsideruar nga prokurorët si përgjegjës për skandalin e vjedhjes nga Thesari i Bankës i afër 7 milion dollarëve, si dhe për parregullsi në blerjen e ish Hotel Dajtit

FullaniNë Tiranë prokuroria i komunikoi sot pasdite zyrtarisht akuzën ish guvernatorit të Bankës Qëndrore Ardian Fullani. Sipas burimeve nga prokuroria, ai konsiderohet përgjegjës për “shpërdorim detyre” në rastin e skandalit të vjedhjes së afër 7 milion dollarëve nga Thesari i Bankës, e cila u zbulua korrikun e vitit të shkuar. Disa javë më pas, në muajin shtator, prokuroria e arrestoi zotin Fullani. Ish guvernatori më pas u la i lirë nga gjykatat, të cilat vendosën që ai të hetohej pa ndonjë masë të vecantë sigurie. Prokurorët e kishin motivuar vendimin e tyre me një sërë shkeljesh, që nga “mosemërimi i guvernatorit të dytë, te mosushtrimi i kompetencave për propozimin e nismave juridike dhe rregulloreve, apo dhe moszbatimi i atyre ekzistuese”. Të gjitha këto sipas prokurorëve kishin “krijuar kushtet që të cënohej siguria e parave në administrim të Bankës së Shqipërisë”.

Ish guvernatori, është i fundit i një liste të gjatë punonjësish dhe ish drejtuesish të Bankës qëndrore të cilët u hetuan për skandalin e vjedhjes. Për pjesën dërrmuese të tyre, gjykata e shkallës së parë është shprehur tanimë me vendime. Muajin maj autori i vjedhjes Ardian Bitraj u dënua me 20 vjet burgim, ndërsa bashkëpunëtorja e tij Mimoza Bruzia u dënua me 15 vjet. Por që të dy përfituan një ulje me një të tjerat të dënimit.

Ndaj zotit Fullani, hetimet përfshinë edhe rastin e blerjes nga ana e Bankës Qëndrore të ish Hotel Dajtit në vitin 2010, për 32 milion euro nga qeveria e asaj kohe. Edhe për këtë rast akuza është po e njejtë, ajo e shpërdorimit të detyrës. Brenda javës, pritet që dosje e plotë e hetimeve t’i dorëzohet Gjykatës së Tiranës. (voa)

NATO-ja, mbështetje për Turqinë

NatoNATO-ja zhvilloi sot një takim të pazakontë për të mbështetur Turqinë, presidenti i së cilës, Rexhep Tajip Erdogan, tha se forcat e tij vazhdojnë fushatën kundër militantëve të grupit Shteti Islamik dhe rebelëve kurdë në Irak. Takimi u thirr me kërkesën e Turqisë për të diskutuar mbi konfliktin në Siri dhe Irak.

Në një konferencë shtypi në Ankara zoti Erdogan tha se Turqia nuk do të sprapset asnjë hap në luftën e saj kundër terrorizmit.

“Ky është një proces dhe do të vazhdojë me të njëjtën vendosmëri”, tha zoti Erdogan.

Në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se NATO-ja qëndron në solidaritet të fuqishëm me Turqinë:

“Të gjithë aleatët shprehën mbështetjen e fortë për Turqinë. Ne qëndrojmë të gjithë së bashku në solidaritet me Turqinë. Të gjithë aleatët e dënuan terrorizmin në të gjitha format e tij,” tha zoti Stoltenberg.

Takimi i së martës u thirr me kërkesën e Turqisë për të diskutuar mbi konfliktin në Siri dhe Irak. Zoti Erdogan, i cili komentoi në kryeqytetin turk para nisjes për një vizitë të planifikuar në Kinë, shprehu besim se udhëheqësit e NATO-s do të marrin “masat e nevojshme” për t’iu kundërpërgjigjur krizës.

Ankaraja e kërkoi takimin në bazë të nenit 4 të traktatit themelues të NATO-s, i cili i lejon vendet të kërkojnë konsultime kur ata besojnë se integriteti territorial, siguria, apo pavarësia e tyre politike është e kërcënuar. Takimi i sotëm është i pesti i këtij lloji që nga themelimi i aleancës në vitin 1949.

Rregullat e NATO-s parashikojnë mbështetje reciproke nëse ndonjëri prej aleatëve sulmohet, megjithëse Turqia nuk ka kërkuar përdorimin e nenit 5 të Traktatit të Aleancës Veriore, i cili kërkon që vendet aleate të shqyrtojnë veprim ushtarak.

“Turqia nuk ka kërkuar ndonjë prani ushtarake shtesë në Turqi. Ajo që ne të gjithë dimë është se Turqia është një aleate e patundur dhe se forcat e saj të armatosura janë shumë të afta,” tha zoti Stoltenberg.

Shtetet e Bashkuara njoftuan dje se po punojnë me Turqinë lidhur me një plan të qartë mësymjeje për të spastruar kryengritësit e Shtetit Islamik nga Siria veriore, një fushatë që do ta shkallëzonte përfshirjen e Ankarasë në luftën kundër militantëve në rajon.

Një zyrtar amerikan u tha agjencive të lajmeve se qëllimi është për të krijuar një zonë pa praninë e Shtetit Islamik, për të “garantuar siguri më të madhe përgjatë kufirit të Turqisë me Sirinë.” Por zyrtari tha se operacioni i përbashkët ushtarak SHBA-Turqi nuk do të përfshijë vendosjen e një zone ndalim-fluturimesh në rajon, kërkesë për të cilën Turqia këmbëngul prej kohe.

SHBA shqetësohen se krijimi i një zone ndalim-fluturimesh për të penguar sulmet ajrore siriane në rajon do t’i tërhiqte forcat amerikane më thellë në luftën katër-vjeçare që po bëjnë disa grupe për të përmbysur presidentin sirian Bashar al-Asad. (voa)

Prodhimi i protezave me teknologjinë 3D

proteza 3dNjerëzit të cilëve u mungon një dorë apo një krah duhet të paguajnë mijëra dollarë dhe të presin disa javë për të marrë një protezë. Por teknologjia tre dimensionale e shtypjes, ofron një alternativë me kosto më të ulët dhe një afat kohor më të shkurtër. Duart e printuara me teknologjinë 3D janë duke u ndryshuar jetën njerëzve në mbarë botën, veçanërisht fëmijëve. Një nga këta fëmijë jeton në një qytet në jug të Los Anxhelesit.​

Kjo dorë mban shumë emra si “dorë e një superheroi” apo “dorë robotike”. Faith Lennox thotë se miqtë e saj në shkollë mendojnë se dora e saj është interesante.

“Edhe ata duan një dorë robotike”.

Faith Lennox e humbi parakrahun kur ishte nëntë muajshe. Ajo tani është gati tetë vjeç.

“Kur ajo lindi, qarkullimi në krahun e saj të majtë u ndëpre duke bërë që ta humbiste këtë pjesë të gjymtyrës.”

Nëpërmjet një grupi mbështetës në internet, nëna e Faith Lennox-it, Nicole dëgjoi për një organizatë të quajtur e-NABLE që përdor tekonologjinë e printimit 3-D  për të krijuar proteza me kosto të ulët për fëmijët në mbarë botën. Ajo u takua edhe me Mark Lengsfeld-in, pronari i kompanisë “Build It Workspace,” që merret me inxhinieri dhe dizajn. Nicole e pyeti zotin Lengsfeld nëse ai mund t’i printonte vajzës së saj një dorë artificiale.

“Ne i hodhëm një shikim dhe thamë pse jo, mund ta printojmë si pjesët e tjera.  Mund të jetë protezë për dorë artificiale ose një mbajtëse, pra është thjeshtë një pjesë”.

Me ndihmën udhëzimeve të faqes së internetit e-NABLE, zoti Lengsfeld e shtypi dhe e montoi pajisjen.

“Ta provojmë këtë dhe të shohim se si mund ta ndihmojmë vajzën e vogël që ajo në fund të arrijë t’i jap biçikletës”.

Mark Suarkeo është specialist i prodhimit të protezave tradicionale.

“Teknologjia e shtypjes 3-D krahasuar me atë tradicionale mund të kursejë shumë kohë dhe krah pune”.  

Prodhimi i një proteze tradicionale si kjo mund të marrë  një deri dy muaj dhe kushton mijëra dollarë. Nga ana tjetër, prodhimi i një pajisje të tillë me teknologjinë 3-D mund të realizohet brenda disa ditëve.

Organizata e-NABLE thotë se prodhimi i protezës mund të kushtojë rreth 30 dollarë. Organizata gjithashtu dërgon pajisje të madhësive të ndryshme jashtë vendit të cilat pastaj shpërndahen nga mjekët vendas.

“Unë besoj se teknologjia e shtypjes 3D do t’u mundësojë këtyre njerëzve pajisjen me proteza dhe do t’u ndryshojë jetën atyre dhe familjeve të tyre”.

Në një intervistë me Skype për Zërin e Amerikës, John Wong nga organizata e-NABLE thotë se ka edhe përfitime psikologjike.

“Unë vetë kam lindur pa disa gishtërinj dhe në shkollë më kanë ngacmuar për këtë, prandaj unë i kuptoj vështirësitë e këtyre fëmijëve”.

Nicole Lennox thotë se ajo ka parë një ndryshim në vajzën e saj pasi ajo filloi të përdorte dorën robotike.

“Kjo i ka hapur shumë mundësi dhe i ka shtuar besimin. Është një përmirësim prekës”.

“Tani unë mund të ngasë biçikletën”.

Në qoftë se krahu i Faith-it rritet ose proteza dëmtohet, ajo thjeshtë mund të printojë një pjesë të dorës së saj robotike. (voa)