Tiranë: Kujtohen dëshmorët e luftës

nena shqiperiShqipëria nderoi dëshmorët e saj të Luftës së Dytë Botërore gjatë ceremonive të organizuara sot në përvjetorin e çlirimit të saj nga pushtuesit nazifashistë.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, dhe autoritetet të tjera shtetërore vendosën kurora me lule në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit pranë monumentit Nënë Shqipëri.

Më pas kryeministri Rama dha një pritje me rastin e Ditës së Çlirimit të Atdheut. Ai tha se 29 Nëntori është “një thirrje për të luftuar për paqen dhe qytetërimin, të cilit paraardhësit tanë zgjodhën t’i përkasin kur nisi Lufta e Dytë Botërore dhe ne kemi zgjedhur t’i përkasim sot kur ka nisur një luftë e pangjashme me të dhe me tjetrën përpara saj”.

Zoti Rama përmendi ngjarje si ajo e 7 dhjetorit 1941 mbi flotën amerikane në Pearl Harbor dhe Kartën e Atlantikut si koalicioni më i madh kundër ideologjisë nazifashiste.

“Komunistë, nacionalistë, shumica thjesht patriotë, pjesa dërrmuese të reja e të rinj, me vështrim të kthjellët dhe kurajë të posaçme, e angazhuan kombin tonë në anën e duhur të historisë dhe bënë histori me luftë, gjak, sakrifica dhe mundime të denja për mirënjohjen dhe respektin e gjithë brezave të ardhshëm” – tha zoti Rama.

Ai shtoi se sot njerëzimi kërcënohet haptas nga diçka edhe më e errët se sa nazizmi, se lufta kundër terrorizmit nuk është vetëm lufta e shteteve kundër terroristëve, por dhe lufta e çdo qytetari kundër frikës që terroristët duan të kallin në çdo familje.

“29 Nëntori na përçon ndjenjën e krenarisë dhe respektit, për çka bënë shqiptarët, duke e shpëtuar dhe e nderuar Shqipërinë, por dhe kurajën e forcën e madhe të shembullit që na nevojitet për të përballuar armikun e ri të jetës sonë prej njerëzish të lirë. Armikun e përbetuar të Europës ku ne jetojmë dhe duam të rritemi për t’u bërë anëtarë të denjë të BE” – shtoi kryeministri Rama. (voa)

Kushtet e Gjermanisë për punëtorët nga Ballkani

Shqiptarët nuk kanë shanse për azil politik, por Gjermania do të hapë rrugën për ardhjen legale të fuqisë punëtore nga vendet Ballkanit, thotë Anette Kramme, në bisedë me Deutsche Wellen.

Migracioni dhe refugjatët janë aktualisht ndër temat më të rëndësishme në Gjermani. Deri në tetor të vitit 201 janë paraqitur mbi 130.000 kërkesa për azil nga shtetasit e vendeve të Balkanit Perëndimor. Ndër ta janë rreth 35.000 nga Kosova dhe rreth 45.000 nga Shqipëria. “Por shanset e tyre për azil janë të gati të barabarta me zero”, thotë sekretarja e Shtetit në Minsitrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, Anette Kramme.

Shanset për azil nuk ekzistojnë, por Gjermania do të hapë tregun e punës prej vitit të ardhshëm për shtetasit e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Sipas propozimeve të tanishme, parashikohet që në vit të pranohen rreth 20.000 punëtorë nga këto vende. Parashikohet që ligji i ri të hyjë në fuqi në vitin 2016 dhe do të vlejë deri më 2020 kur do të bëhet evaluimi i tij. “Nga këto rregulla mund të përfitojë Gjermania, por edhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, pohon Kramme.

E pyetur nga Deutsche Welle, se çfarë do të ndryshojë konkretisht me ligjin e ri, i cili duhet të hyjë në fuqi në vitin 2016, sekertarja e shtetit Anette Kramme përgjigjet: “Deri tani situata është kështu: migrantët mund të vijnë në Gjermani vetëm nëse kanë ndonjë kualifikim të posaçëm. Ata ose kategorizohen si akademikë dhe mund të vijnë përmes Blu Card, që është mundësia e parë. E mundësia tjetër është nëse dikush ka një profesion të posaçëm, për të cilin ka mangësi në Gjermani. Ndonëse tani ne do ta hapim tërësisht tregun e punës për njerëzit nga vendet e Ballkanit, kushti i parë absolut është që të ketë një vend vend vakant. Dhe kushti tjetër është që për këtë të japë pëlqimin edhe Agjencia Federale e Punës, e cila të sigurojë, se për këtë vend pune nuk ka ndonjë kandidat nga Gjermania apo nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Ndërkohë që kushtet e punës duhet të jenë të barabarta.”

Në Gjermani është folur shpesh për mungesën e fuqisë punëtore në shumë fusha. Njerëzit në Kosovë, Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor shpresojnë se do të gjejnë ndonjë vend pune në Gjermani, por në cilat fusha ekziston nevoja më e madhe për fuqi punëtore? E pyetur për këtë nga DW, sekretarja e Shtetit pranë Ministrisë gjermane të Punës dhe Çështjeve Sociale, Anette Kramme, thekson: “Kjo vlen në veçanti për fushat ku nuk kërkohet ndonjë shkollim i posaçëm, si dhe për vendet e punës për të cilat nuk ka kandidatë nga Gjermania apo Bashkimi Evropian. Këto janë mundësitë për migracion pune, por natyrisht që tregu i punës është i hapur edhe për akademikë dhe profesionistë të fushave të ndryshme.

Sa i përket problemit që kanë qytetarët e Kosovës me vizat, si e vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon lirinë e lëvizjes pa viza në BE, Anette Kramme thekson, se: “Ne do të lehtësojmë të gjithë procedurën. Procedura e dhënies së vizave do të jetë më e shpejtë dhe më e thjeshtë.” (dw)

Kundër nënshtrimit qeveritar ndaj Serbisë

albiniNë Kuvendin e Serbisë, përveç dy deputetëve shqiptarë atje, nuk kishte asnjë deputet që ishte për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Po ashtu, asnjë ministër a zëvendës-ministër në Qeverinë e Serbisë nuk ishte për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Në anën tjetër, në Kuvendin e Kosovës shumica e deputetëve, për shkak të koalicionit PDK-LDK-Srpska, janë për ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë. Asnjë ministër a zëvendësministër i Qeverisë së Kosovës nuk doli kundër ‘Zajednicës’ së Serbisë! Pra, në Beograd politikanët serbë janë unikë kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Në Prishtinë, ne politikanët shqiptarë jemi të ndarë rreth Serbisë dhe apetiteve të saj! Skena politike në Kosovë nuk është e ndarë si opozitë-pozitë për pushtet në Kosovë, por është ndarë për e kundër ‘Zajednicës’ nga shteti i Serbisë. Pyka në politikën kosovare është serbe.

 

Fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është e keqja më e vogël që Serbia ia ka bërë Kosovës. Të këqijat e tjera që na i ka bërë e po na i bën Serbia janë më të mëdha e shumë më të mëdha se kaq, por ja që për ato asnjë fjalë asnjëherë nuk e thotë Qeveria. Mustafa e Thaçi heshtën edhe për bllokimin e librave shkollorë shqip në terminalin doganor në Preshevë. Ama bash asnjë fjalë s’e tha asnjëri prej tyre për nxënësit shqiptarë që mbetën pa librat shqip.

Veçse kjo heshtje e përgjithshme e Qeverisë së Kosovës gjithsesi e ka edhe një ambient të përshtatshëm në shoqëri e posaçërisht në medie. Disi edhe elitës kosovare vazhdimisht po duhet t’ua përkujtojë Serbia se kush është ajo. Elita kosovare është bërë porsi një kompjuter me RAM memorie pa hard disk. U kujtuan për Serbinë armike e keqbërëse, u kujtuan për ndërprerje ose ridimensionim të dialogut me Serbinë, vetëm pasi që Kosova nuk u pranua në UNESCO. Për elitën kosovare Serbia është e keqe vetëm nëse është vazhdimisht e keqe.

Jo rastësisht në thumb të kësaj elite prej opinionistësh ndodhet ‘dhuna opozitare’. Polarizimi aktual në Kosovë ka nxjerrë në pah diç shumë të rëndësishme: nëpër debatet televizive po demaskohen analistët! Në neutralitetin e tyre po shihet se kanë qenë bukur pranë qeverisë e mjaft larg opozitës. Shumica e këtyre opinionistëve neutralë doli se janë një hap larg qeverisë dhe pesë hapa larg opozitës! I këtillë na paska qenë neutraliteti i tyre. Ata kanë qenë të paanshëm në kuptimin që s’kanë qenë identikë me pozicionin as të qeverisë dhe as të opozitës së bashkuar, mirëpo fare nuk kanë qenë të baraslarguar në këtë ‘paanshmërinë’ e tyre.

Të gjithë opinionistët e paanshëm që flasin një herë për ‘dhunën’ e opozitës së bashkuar apo të Vetëvendosje-s do të duhej të flasin 10 herë për dhunën e plaçkitjes së dhomave të dëshmive në policinë e Kosovës ku u vodhën droga, ari dhe dosjet, apo jo? Por ja që këtë nuk e bëjnë pothuajse asnjëri prej tyre. Dhe, duhet kritikuar 20 herë ‘Zajednica’ e Serbisë dhe ‘Demarkacioni’ me Malin e Zi, 10 herë dhuna policore në rrugët e Prishtinës dhe nëpër stacione të policisë, e vetëm njëherë gazi e spreji lotsjellës në Kuvend si dhe gurët në duart e protestuesve të paarmatosur përballë policëve specialë të armatosur gjer në dhëmbë. Përndryshe, s’ka kuptim ky farë ‘opinioni neutral’.

Qeveria e Kosovës moti ia ka mbyllur me shul derën popullit të Kosovës andaj tash ai ia theu xhamat e dritareve asaj. Prona shtetërore e publike është uzurpuar nga kjo qeveri kuislinge e ‘Zajednicës’. Ne nuk po dëmtojmë diçka që është e popullit por diçka që i është marrur popullit, i është uzurpuar atij. Dëmet materiale nuk janë më dëmtime të pronës së popullit por dëmtime të qeverisë anti-popullore. Dhe, jo vetëm kaq. Të gjithë policët e lënduar në të kaluarën, të gjithë policët që mund të lëndohen në të ardhmen, duhet t’i kërkojnë llogari qeverisë pse nuk po tërhiqet prej pazareve të tyre me Serbinë dhe Malin e Zi ku Kosova shitet më lirë se badihava.

Qeveritarët kosovarë me në krye Isa Mustafën duket se janë të obsesionuar me pronat private dhe indiferentë ndaj territorit të shtetit. Pra, ata sillen si biznesmenë meskinë e jo si përfaqësues dhe dalzotës të popullit. Njëmend ‘Zajednica’ është pasojë e Marrëveshjes së 19 prillit 2013 para se të jetë e asaj të 25 gushtit 2015. Mirëpo, pa këtë marrëveshjen e Isës me Vuçiqin, ajo e Thaçit me Daçiqin nuk do të konkretizohej praktikisht. Sigurisht që strukturat shtetërore të Serbisë në Kosovë kanë mundur ta shpallin ‘Zajednicën’ e komunave me shumicë serbe. Mirëpo, çështja që shtrohet këtu është pse këtë shpallje t’ia bëjë ‘Zajednicës’ vetë shteti i Kosovës përkatësisht qeveria Mustafa?! Kur ta thyejnë këmbën, më mirë është të mos e vësh në gjips fare sesa ta vësh gjipsin e një kallëpi të gabueshëm i cili mandej do të detyrojë ta thyesh sërish këmbën, por asaj radhe t’ia thyesh vetes këmbën!

Nuk mund të rrinë në Kosovë edhe Republika jonë edhe ‘Zajednica’ e Serbisë. Prandaj do të bijnë ose Qeveria ose ‘Zajednica’ ose të dyja këto. Mustafa e Thaçi po i konsiderojnë pazaret e tyre me Serbinë e Malin e Zi sikur të ishin libra të shenjtë. Qeveria e Kosovës nuk po e mbron shtetin e Kosovës nga Serbia, por po e demonstron pushtetin e saj mbi opozitën. Këso nënshtrimi ndaj Serbisë moti s’ka pasur kush në Kosovë. ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë mund ta mbrosh ose nga gjendja e mazokistit ose nga pozita e serbofilit ose nga rrethana e të shantazhuarit.

Albin Kurti

29 Nëntor 2015

Ballin lartë e kurrizin drejt

qosjaSllobodan Millosheviqi ka vdekur, e kanë dënuar faktorët ndërkombëtarë dhe e ka dënuar historia ballkanike. Por mënyrat e dhunës dhe terrorit të Sllobës nuk kanë vdekur: ato, ja, po përsëriten në Kosovë! Po i përsërisin ata që i kanë shërbyer regjimit të Millosheviqit, e fati i zi i Kosovës ka bërë që sot ata të sundojnë në Kosovë.

Mënyrat e dhunës e të terrorit psikologjik e policor që përdorte regjimi i Millosheviqit u panë pardje, dje e sot në Prishtinë. Pardje e dje u panë në përpjekjet e qeverisë që ta frikësojë popullin për të dalë në protestën paqësore të 28 Nëtorit kundër dy marrëveshjeve: kundër Marrëveshjes mbi krijimin e Bashkësisë së Komunave serbe – në të vërtetë të shtetit të ri të Serbisë në Kosovë dhe kundër Marrëveshjes për caktimin e kufijve të ri të Kosovës me Malin e Zi në të vërtetë të faljes Malit të Zi një pjese të Kosovës.

Mënyrat e asaj dhune e terrori u panë posaçërisht sot më 28 Nëntor. Mbarimi paqësor i protestës së tri partive opozitare e shqetësoi qeverinë dhe e shqetësoi sepse ajo protestë masive tregoi se do të trashëgohej me protesta të reja kundër të njëjtave shkaqe dhe kundër shkaqeve të reja që e kanë bërë Kosovën plaçkë të zhvatur të klasës sunduese politike dhe vend pa kurrfarë shprese për jetë e ardhmëri të më tepër se gjysmës së popullit shqiptar të Kosovës.
Mënyrat e kësaj dhune e terrori u panë mbas përfundimit të kësaj proteste paqësore dhe u panë e na i përkujtuan terroret e policisë së Millosheviqit gjatë bastisjes së zyrave të selisë së një partie politike të Kosovës dhe të Vetëvendosjes.

U panë duke arrestuar në mënyra të egra aq protestues sa arrestoheshin në kohën e Millosheviqit.
Ato mënyra të dhunës e terrorit u panë në mënyrën e burgosjes së anëtarit më të ri të Vetëvendosjes: të ish avokatit të popullit, Sami Kurteshi.

Në mënyrë të veçantë këto mënyra të dhunës e terrorit u panë kur u arrestua vrazhdë, egër, urrejtshëm ish-kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Të pa setër veshur policia e futi në “maricën” e saj dhe të pa setër veshur policia e qoi në Pallatin e Drejtësisë! Ashtu arrestoheshin dikur ata që konsideroheshin armiq të Kosovës dhe ashtu, siç e thashë, arrestoheshin protestuesit që kërkonin lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Albin Kurti duhet të krenohet pamatshëm për fatin e tij të sotëm, për ballin lartë e kurrizin drejtë. Donika Kada Bujupi duhet të krenohet për fatin e saj të sotëm. Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli duhet të krenohen me fatin e tyre të sotëm. Qeveria e Kosovës, pushteti i Kosovës, duke e bërë fatin e këtyre dy djemve dhe të këtyre dy grave të tillë çfarë e bëri sot – të lavdishëm po tregohet pushtet i dhunës dhe i terrotit ndaj atyre që ia duan të mirën më të madhe Kosovës. Ky pushtet s’ka ardhmëri.

Partia Demokratike e Kosovës duhet sa më parë të shpëtojë nderin e trashëguar prej luftës së saj çlirimtare: duhet sa më parë, sa nuk është bërë vonë, sa nuk është përlyer politikisht e kombëtarisht përgjithmonë, të distancohet prej politikës që Kosovën e ka bërë shtet privat me polici private.

Kosova do ta tejkalojë krizën e madhe në të cilën është sot atë ditë kur kjo qeveri të shkojë ku e ka vendin: në plehun e historisë. 

Rexhep Qosja

28.11.2015

Albin Kurti proklamon idenë për bashkim kombëtar

Albin-Kurti_ne-manifestimin-Per-RepublikenBashkimi Kombëtar i shqiptarëve nuk e cenon BE-në, por e forcon atë. Madje, bashkimi kombëtar është gur i të vërtetës për Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti.

Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili është në kërkim të policisë, në fjalimin e tij para pjesëmarrësve të manifestimit të opozitës, e ka parë të nevojshme të proklamojë idenë për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Në fillim të fjalës së tij, ai ka folur për emocionet që ngjall te shqiptarët muaji nëntor dhe sidomos 28 Nëntori – Dita e Flamurit Kombëtar Shqiptar dhe Dita e Pavarësisë së Shqipërisë.

“Këtu, kudo, ne, të gjithë, gjithnjë, përgjithmonë na bën bashkë 28 nëntori i Ismail Qemajlit dhe Adem Jasharit. Nga Kuvendi i Lezhës tek Lidhja e Prizrenit, nga Kongresi i Flamurit deri tek Epopeja e UÇK-së, bashkë për liri. Ta duash bashkimin kombëtar nuk do të thotë ta urresh tjetrin, por të mos e duash atë do të thotë ta urresh veten”, ka thënë ai.

“28 nëntori sivjet në Prishtinë mund ta festojmë vetëm duke protestuar, sepse në vend qe q ta bashkojë Mitrovicën, ajo po e ndanë Kosovën dhe po i fal troje shteteve tjera. Në vend të bashkimit me Shqipërinë kemi bashkim të komunave serbe brenda Kosovën”, ka thënë ai.

“Nëse pavarësia e Kosovës nuk ka mundësinë për t’iu bashkuar Shqipërisë atëherë lejon mundësinë për t’iu afruar Serbisë. Më 28 nëntor jo vetëm festojmë duke protestuar, por edhe protestojmë duke festuar. Ta festosh 28 nëntorin në Kosovë do të thotë të protestosh”, ka thënë ai.

Kurti ka vënë theksin e fjalimit të tij të ideja për bashkimin kombëtar të shqiptarëve.

“Në vend që të ndodhë bashkimi, po ndodh ndarja, ndërsa ka fajësuar qeverinë që këtë ndarje po e bën përmes asaj që e ka quajtur “Zajednicë”, dhe përmes ndarjes demarkacionit me Malin e Zi”, ka thënë ai.

“Bashkimi Evropian është bashkim ndërkombëtar i shteteve dhe jo bashkim kombëtar i shqiptarëve. Bashkimi Kombëtar i shqiptarëve nuk e cenon BE-në, por e forcon atë. Madje, bashkimi kombëtar është gur i të vërtetës për Bashkimin Evropian”, ka shtuar ai.

“Kur Kosova i afrohet Shqipërisë atëherë dobësohet Serbia brenda Kosovës”, ka shtuar ai.

“Ta duash bashkimin kombëtar nuk do të thotë ta urresh tjetrin, por mos ta duash bashkimin kombëtar do të thotë a urresh veten”, ka thënë Kurti.

“Kundër bashkimit me Shqiprinë është Serbia, e miqtë e saj. Por është edhe elita provincailste politike në pushtet”, ka thënë Kurti.

Në pjesën e fundit të fjalimit, Kurti e ka folur me adminrim për flamurin kombëtar shqiptar dhe me përçmim për flamurin e shtetit të Kosovës.

“Vetëm me flamurin kuqezi mund të ecim përpara. Nuk mund të ecim përpara me atë flamurin lara-lara, që e kanë nxjerrë këta tregtarë flamujsh që janë shitur për interesa të veta”, ka thënë Kurti. (r.m.)

VMRO-DPMNE kërkon llogaridhënie për letërnjoftimet e rrejshme nga MPB!

id maqedoniseVMRO-DPMNE kërkon llogari nga ministri i ri i brendshëm Oliver Spasosvki për skandalin e falsifikimit të 30 mijë letërnjoftimeve. Deputeti i VMRO-së Antonio Milloshoski kërkoi nga Spasovski që të mos fshihet por të dalë dhe të shpjegojë skandalin.

“VMRO kërkon nga ju si ministër teknik i punëve të brendshme, pas një jave, të mos fshiheni, të dilni dhe publikisht të tregoni se kush i falsifikoi 30.000 letërnjoftimet? A janë të falsifikuara? Si, dhe ku janë falsifikuar? Kush kujt i ka ndihmuar? Ku janë përdorur këto të ashtuquajturat letërnjoftime? Ku është pjesa tjetër e 29990 letërnjoftimeve të cilat javorja “Fokus” ende nuk ia ka dorëzuar MPB-së? Nuk ka më vend për vonesa dhe manovra politike, edhe pse ju jeni ende sekretar i përgjithshëm i LSDM-së nuk mund të silleni vetëm si një ushtar partiak i LSDM-së, ju duhet të tregoni kapacitet se dini ta drejtoni MPB-në,” u shpreh Antonio Milloshovski, Deputet i VMRO DPMNE-së.

Skandalin e falsifikimit të 30 mijë letërnjoftimeve e publikoi javorja “ Fokus” ndërsa Alsat M vizitoi disa shtëpi që numrat e amzës rezultonin në letërnjoftimet e falsifikuara por personat e njejte tash e sa vjet nuk jetojnë në Maqedoni.

Vjollca Aliti

Liderët e opozitës: Nesër gjithçka do të shkojë mirë

lideret opozitarKa përfunduar takimi i tre liderëve opozitarë që është mbajtur në selinë e Nismës në lagjen Pejton.

Kryetari i Nismës Fatmir Limaj tha se ky takim ka qenë në vazhdën e takimeve, dhe se në të është diskutuar për aktivitetet e opozitës në teren.

Limaj i ka bërë apel zyrtarëve të Qeverisë që të sillen si burrështetas.

Ndërsa kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri tha se nesër do të bashkohen për të kundërshtuar marrëveshjet dhe aspiratat e popullit dhe se Republika e Kosovës është e pacenueshme dhe se territori i Kosovës nuk falet.

Kurse lideri i AAK-së Ramush Haradinaj tha se pas ditës së nesërme do të stabilizohet Kosova.

Ai përsëriti se paralajmërimet për bomba në disa vende të Prishtinës gjatë ditës së sotme se janë “përralla të mbretërve”.

Tre liderët opozitarë deklaruan se manifestimi i nesërm do të shkojë mirë. (rtk)

Eksperti i EURALIUS: Gjyqtarët dhe prokurorët, me status të posaçëm

Në kuadër të procesit të reformës në drejtësi, këtë të premte u zhvillua në Gjirokastër tryeza rajonale për prezantimin dhe konsultimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese me gjyqtarë, prokurorë, avokatë e përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjatë fjalës së tij në këtë takim, eksperti i misionit EURALIUS, Rainer Deville, duke iu referuar diskutimeve të fundit në media lidhur meshkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, u shpreh qartësisht mbi statusin e duhur dhe të merituar për këta funksionarë të shtetit.

Ai vuri në dukje se, “EURALIUS është një projekt tekniko-ligjor” dhe sa i takon sistemit për të vlerësuar gjyqtarët që janë në detyrë theksoi se, “ky proces është një prej sfidave më të vështira që ne kemi”.

“Gjyqtarët dhe prokurorët meritojnë një status të posaçëm, meritojnë një rrogë të përshtatshme, sigurime shoqërore dhe pensione. Kjo është ajo të cilën ne po diskutojmë, jo në kuadrin kushtetues, por në atë ligjzbatues”, tha Deville.

Ai u shpreh i vetëdijshëm se reforma në fjalë është komplekse për një mori arsyesh, përfshirë atë të pagave të funksionarëve dhe tarifave të gjyqësorit.

“Nëse ne diskutojmë për paga më të larta, kjo do të shkonte për t’u vendosur në faqen e parë të një gazete. Por ju e kuptoni se këto paga më të larta duhet të financohen, kërkojnë burime financiare. Na duhen ligje më të mira sa i takon tarifave gjyqësore dhe ndihmës juridike. Pra, çështja është shumë e komplikuar për t’u përmbledhur në një fjali”, vijoi Deville.

/ Top Channel

Opozita: Shfuqizim marrëveshjesh, zgjedhje ose referendum

opozitaPërfaqësues të partive politike opozitare në Kosovë, konsiderojnë se Qeveria e Kosovës, ka disa mundësi për të dalur nga kriza politike në të cilën ndodhet.

Ata thonë se janë tri alternativa për të dalur nga kjo situatë.

E para mundësi sipas tyre, është tërheqja e marrëveshjeve [ajo për Asociacionim e Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacioni me Malin e Zi], e dyta organizimi i një referendumi për këto çështje dhe e treta mbajtja e zgjedhjeve.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje,Glauk Konjufca, deri sa ka mbajtur një konferencë për media bashkë me zyrtarët e tjerë të partive opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, tha se më marrëveshjen për Asociacionin dhe Demarkacionin, Qeveria e Kosovës ka bërë cenim dhe shkelje të patolerueshme të shtetësisë së Republikës së Kosovës.

“Po e zvogëlojnë territorin e Kosovës dhe po copëtojnë brenda përmes “Zajednicës”, atëherë nevojitet një verifikim i këtyre njerëzve nga ana e popullit. Le të dalin edhe një herë në popull me parullën ne do ta formojmë “Zajednicën”, dhe le ta shohim se sa po i përkrahin qytetarët e Kosovës. Unë për vete nuk kam mendim që do ta merrnin votën e qytetarëve në këtë mënyrë. Pra, këta janë ata tre skenarët”, tha Konjufca.

Pa tërheqjen e marrëveshje, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë zotuar se nuk do të ndalen qoftë përmes bllokimit të institucioneve apo edhe protestave në rrugë.

Për këtë qëllim, këto tri subjekte kanë thirrur një manifestim anti-qeveritar më datën 28 nëntor, datë që shënon edhe Ditën e Flamurit të Shqipërisë, festë kjo që e feston edhe Kosova.

Pal Lekaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në selinë kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje aty ku u mbajt konferenca, tha se veprimet të cilat po ndërmerr opozita nuk janë edhe shumë populiste, por siç u shpreh ai, ‘janë në të mirën e vendit’.

“Është e domosdoshme dhe ne jemi të qëndrueshëm bashkë me qytetarët që nesër t’i tregojmë edhe qeverisë edhe faktorëve të tjerë relevant që kanë menduar ndryshe që për ketë vend vendosin qytetarët dhe jo individi apo një komision apo dikush tjetër, por për ketë tokë të vendosin qytetarët”, tha Lakaj.

Kurse, Bilall Sherifi, përfaqësues nga partia Nisma për Kosovën, theksoi se me anë të manifestimit të së shtunës, do të provohet të mbrohet Kosova nga marrëveshjet e dëmshme që Qeveria e Kosovës i ka bërë me Serbinë dhe Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

“Presioni i madh nga Qeveria se ju nuk guxoni të thërrisni qytetarët, se ju nuk keni mbështetjen e qytetarëve, se ju po manipuloni me qytetarët, na shtyri që edhe ketë mjet në fund ta konsiderojmë dhe ta thërrasim jo protestë klasike, jo para ndërtesës së Qeverisë, por e kemi quajtur manifestim”, tha Sherifi.

Përfaqësuesit e partive politike opozitare, kanë ftuar organet e rendit që të bashkëpunojnë me mbikqyrësit e protestës nga opozita, në mënyrë që manifestimi të zhvillohet i qetë dhe pa incidente.

Policia e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, në “pajtim me vlerësimet e realizuara ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të garantuar rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët, edhe për 28 nëntor”.

Që nga 25 gushti, kur në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Prishtina dhe Beogradi nënshkruan marrëveshje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe më pas edhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin, opozita jo vetëm që ka bojkotuar, por edhe ka bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës.

Protesta ndaj këtyre marrëveshjeve kishte jo vetëm në rrugë, por edhe në Kuvend.

Për shkak të këtyre veprimeve dhe përfshirjes së deputetëve në aktivitete, që janë cilësuar të ndaluara, siç ishte përdorimi i gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit, aktualisht në paraburgim po mbahet deputetja e AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi, kurse policia mbetet në kërkim të tre deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli. (rel)

Turqi-Rusi, vazhdon lufta e fjalëve

erdoganLufta e fjalëve mes Rusisë dhe Turqisë për rrëzimin e një avioni luftarak rus vazhdoi edhe të premten. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e paralajmëroi Moskën për të mos “luajtur me zjarrin.”

Gjatë një fjalimi në qytetin verilindor turk Bileçik, zoti Erdogan akuzoi Rusinë se po “luan me zjarrin” duke sulmuar grupe që janë kundër presidentit sirian Bashar al-Asad “nën pretekstin” e luftës kundër Shtetit Islamik, dhe duke vënë në shënjestër në mënyrë “të papërgjegjshme” kamionë që veprojnë brenda Sirisë për “aktivitete biznesi ose ndihma humanitare.”

Agjencia shtetërore turke e lajmeve dhe një organizatë turke ndihmash njoftuan të mërkurën se avionë rusë sulmuan një karvan ndihmash turke brenda Sirisë pranë kufirit me Turqinë, duke vrarë shtatë persona dhe duke plagosur 10.

Rusia ka reaguar me zemërim pas rrëzimit nga avionët luftarakë turq të një avioni rus të martën. Ajo ka kërcënuar marrëdhëniet midis dy vendeve në anët e kundërta të luftën në Siri, duke shkaktuar shqetësim për një konflikt më të gjerë ndërkombëtar.

Në komentet e tij të premten, zoti Erdogan duket se i bëri në përgjigje të presidentit rus Vladimir Putin, i cili një ditë më parë tha se ata që kryejnë “biznes kriminale” me terroristët dhe i përdorin ata “për të arritur qëllimet e tyre politike” janë “duke luajtur me zjarrin.”

Zoti Erdogan akuzoi gjithashtu Rusinë se po e shfrytëzon rrëzimin e avionit si një justifikim për të ngritur “akuza të papranueshme” kundër Turqisë. Ai i quajti “shpifje”akuzat ruse se Turqia ble naftë nga grupi i Shtetit Islamik.

“Ju duhet ta dini se ne nuk jemi aq të pandershëm sa të blejmë naftë nga një organizatë terroriste,” tha presidenti turk. “Turqia ble naftë nga Rusia.”

Megjithatë, Zoti Erdogan tha se ai dëshironte të takohej me zotin Putin “ballë për ballë”, të hënën në periferitë e samitit për klimën në Paris.

Zoti Putin nuk është përgjigjur. Por këshilltari i politikës së jashtme të Kremlinit, Yury Ushakov përmendi të premten “mungesën e gatishmërisë nga ana turke për të ofruar një ndjesë elementare për incidentin me avionin.”

Po të premten, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov njoftoi anulimin e udhëtimeve pa viza ndërmjet dy vendeve, duke u shprehur se qeveria e Turqisë e kishte “kaluar cakun e asaj që është e pranueshme.” (voa)