Kurti: Mustafa s’e menaxhon dot “Facebook”-un e vet, jo më Kosovën

Albin-KurtiDeputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zgjedhur një batutë për ta përshkruar kryeministrin Isa Mustafa.

“Kryeministri Mustafa nuk arrin ta menaxhojë as ‘Facebook’-un e vet, e lëre më ta menaxhojë Kosovën”, deklaroi ish-kreu i Vetëvendosjes në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së nga shtëpia e vet, ku po vuan arrestin.

“Mustafa është shumë qesharak, po të mos ishte kaq i dëmshëm. Prandaj unë mendoj që ne nuk duhet ta marrim Mustafën më seriozisht nga sa ai e merr vetveten. Tash, kur ka vdekur ‘Zajednica’, ai po përpiqet ta ringjallë atë, që edhe vetë të ndihet sa më gjallë. Nuk ka më kurrfarë kuptimi që ai të jetë kryeministër i Republikës së Kosovës”, vijoi Kurti.

Në intervistë ligjvënësi opozitar rrëfeu edhe momentet e arrestimit të tij më 28 nëntor, duke thënë se polica e trajtoi si të ishte një terrorist: “Ishte policia atë ditë që kishte mbushur rrugët me policë me uniforma, civilë dhe nuk dalloheshin. Natyrisht në momentin kur je në protestë e kanë të vështirë të arrestojnë dhe isha i ndërgjegjshëm se mund të kishte ndonjë ndërhyrje të policisë. Por nuk e prisja që do të angazhonin forcat anti-terror. Angazhuan një mijë policë dhe ata ishin në ndjekje të një terroristi që nuk ekzistonte. Mësymja e tyre ndaj nesh ishte hakmarrje ndaj protestave të opozitës brenda dhe jashtë Kuvendit. Prandaj i angazhuan forcat anti-terror, por arsyeja tjetër për këtë është se aq shumë është në panik pushteti aktual, saqë synojnë ta ndajnë dhe ta zhdukin opozitën”. (shekulli)

Investimet më të rëndësishme, në vendin e shtatë gazsjellësi TAP

tapPrej 7 vitesh bota është duke u përballur me krizën më të thellë ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore. Për shumë ekonomistë, rrugët për daljen nga kjo situatë kalojnë nga investimet madhore, në projekte të cilat modernizojnë ekonomitë, rrisin potencialin e tyre për t’u zhvilluar dhe gjenerojnë vlerë të shtuar.

Por cilat do të jenë veprat më të mëdha të vitit 2016?

Gazeta e mirënjohur ekonomike “Il Sole 24 Ore” ka bërë një klasifikim të 10 investimeve më të mëdha botërore që priten për vitin e ardhshëm. Mes tyre, i shtati renditet një projekt që kalon në Shqipëri, gazsjellësi Transadriatik.

Sipas gazetës, në vendin e parë është hekurudha me ngritje magnetike që do të lidhë qytetin e Osakës me Tokion, në Japoni. Kjo vepër nis vitin tjetër dhe do të kushtojë 38.5 miliardë dollarë, duke qenë kështu hekurudha më e kushtueshme e botës.

Në vendin e dytë do të jetë tuneli Agua Negro në Argjentinë, i cili do të ketë një gjatësi 14 kilometra dhe kosto 1.4 miliardë dollarë. Pas tij renditen me radhë aeroporti i ri i Sidnejit, pista e tretë e aeroportit të Hong Kongut dhe metroja e re e Parisit.

Të gjitha këto janë investime të cilat kanë kosto miliarda dollarë. Lista vazhdon me projekte të tjera madhore nga Kenia e deri në Gjeorgji.

Për gazsjellësin Transadriatik, gazeta thekson se do të jetë 870 kilometër i gjatë, i cili nis në Turqi dhe përmes Greqisë e Shqipërisë përfundon në Pulia të Italisë.

Projekti, punimet e të cilit kanë nisur sakaq, por që vitin tjetër do të jenë masive, pritet të kushtojë mbi 2 miliardë dollarë duke i dhënë akses tregjeve europiane në gazin e kaspikut.

FMN, Banka Botërore dhe institucionet e tjera financiare më prestigjoze të botës vlerësojnë se do të jetë pikërisht ky projekt që do të mbajë barrën kryesore të rritjes së parashikuar ekonomike të Shqipërisë për vitin e ardhshëm.

Madje, ai cilësohet si një nga faktorët kryesorë që mund të zgjerojë potencialin e ekonomisë për të gjeneruar rritje më të shpejtë gjatë viteve në vijim.

/ Top Channel

Banorë të Pustecit, me letërnjoftime false nga MPB në zgjedhjet maqedonase

Gordana_jankulovskaMinistria e Punëve të Brendshme në Shkup ka zbuluar 424 karta identiteti, që janë falsifikuar nga zyrtarët e policisë dhe janë shfrytëzuar si në zgjedhjet lokale të vitit 2013 edhe në ato parlamentare të vitit 2014.

Skandali u publikua nga ministri i Brendshëm, i emëruar me propozim të opozitës maqedonase, Oliver Spasovski, i cili bëri të ditur se, me këto dokumente janë pajisur banorët e Pustecit të Shqipërisë, të cilët në mënyrë joligjore kanë fituar të drejtën e votës në Maqedoni.

“Të gjithë këta persona me letërnjoftime të falsifikuara ndodhen në listën zgjedhore, që do të thotë se atyre iu është dhënë mundësia që të votojnë në Maqedoni. Në vitin 2011, këta persona nuk kanë ekzistuar në listën zgjedhore, e cila nisi të mbushej në vitin 2013, ndërsa në vitin 2014 është plotësuar dhe është zgjeruar me persona të rinj nga Pusteci. Kulmi i mbushjes i listës zgjedhore me persona nga Pusteci është arritur në vitin 2015”, tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendshme në Maqedoni.

Falsifikimi i këtyre dokumenteve është kryer nga disa të punësuar në sektorin e punëve administrative në Ministrinë e Brendshme, të cilët e kanë pranuar veprën.

Policia do të vazhdojë të hetojë skandalin me letërnjoftimet, pasi ekzistojnë dyshime se, në shumë komuna të vendit janë shfrytëzuar dokumente të falsifikuara gjatë votimit.

Në zgjedhjet e kaluara, opozita maqedonase kishte akuzuar disa herë ish-ministren e Brendshme, Gordana Jankulovska, se kishte pajisur në mënyrë të paligjshme me letërnjoftime banorët e Pustecit të Shqipërisë, për të votuar në Maqedoni për partinë VMRO-DPMNE, që drejtohet nga kryeministri Nikola Gruevski.

/ Top Channel

Arrest shtëpiak për Aida Dërgutin dhe Glauk Konjufcën

Glauk AidaDeputetëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Aida Dërgutit dhe Glauk Konjufcës iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak deri më 14 janar 2016.

Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes sistemit të drejtësisë që e ka kapur, po tenton ta ndalë opozitën duke përndjekur, rrahur, arrestuar e dënuar deputetët dhe aktivistët opozitarë.

Tash edhe Gjykata Kushtetuese ka thënë që janë shkelur 23 nene të Kushtetutës me marrëveshjen për “Zajednicën”. Kjo veçse ia shton legjitimitetin secilit aktivitet të deritashëm opozitar në kundërshtim të marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën. Pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Qeveria shkelëse e Kushtetutës duhet të largohet menjëherë.

Vala e protestave që nis në janar do ta detyrojë Qeverinë të largohet, nëse nuk jep dorëheqje paraprakisht.

30 dhjetor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Mustafa: Nuk jap dorëheqje, opozita të jap dorëheqje nga gazi e dhuna

isa mustafaKryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka përjashtuar çdo mundësi që ai të jap dorëheqje pas presioneve të shtuara të opozitës.

Në një konferencë përmbyllëse të punës së Qeverisë së Kosovës për këtë vit, Mustafa ka deklaruar se qeveria që ai drejton është e ndërtuar mbi bazën e një koalicioni të gjerë që përfaqëson shumicën në Kuvend dhe se opozita, sipas tij, nuk ka të drejtë t’i kërkojë dorëheqjen.

“Mendoj se dorëheqje duhet të jap opozita. Jo dorëheqje nga Kuvendi, por dorëheqje nga dhuna dhe hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend. Duhet të hiqet dorë nga këso veprime, sepse në një vend demokratik askush nuk ka të drejtë të shkel ligjin dhe që të përdorë armët dhe mjetet e dhunës për të imponuar një vullnet politik”.

“Nuk e kemi ndërmend të japim dorëheqje e as të shkojmë në zgjedhje, sepse zgjedhjet do të mbahen në vitin 2018. Kemi një koalicion të fortë e stabil”, ka deklaruar Mustafa.

Kërkesa e opozitës për dorëheqjen e Mustafës mbështetet edhe në aktgjykimin e shpallur të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me parimet e marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe.

Aty thuhet se disa parime të kësaj marrëveshjeje nuk janë në tërësi në harmoni me Kushtetutën.

Por, sipas Mustafës, kjo nuk përbën shkelje, ngase palët në dialog, Prishtina, Beogradi dhe ndërmjetësuesi Bashkimi Evropian, janë pajtuar që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të jetë interpretuese e parimeve.

“Suksesi më i madh i kësaj marrëveshjeje është se ka pranuar si Brukseli ashtu edhe Serbia që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të jetë arbitri dhe interpretuesi i Kushtetutës në këtë marrëveshje. Konsideroj që interpretimet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese janë shumë të mira dhe kontribuojnë që në vazhdim, gjatë hartimit të statutit çdo gjë të përputhet me Kushtetutën. Marrëveshja nuk është akt juridik, por statuti”, ka theksuar Mustafa.

Mustafa ka folur edhe për prioritetet e qeverisjes së tij për vitin e ardhshëm.

Ndër tjera, ai ka premtuar edhe vazhdimin e proceseve integruese, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian si dhe finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave.

“Tani mbetet vetëm çështje e vullnetit politik të Bashkimit Evropian për të dhënë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave. Unë kam besim që këtë do ta bëjë dhe po ashtu jam i bindur që ne gjatë vitit 2016 do të arrijmë që të udhëtojmë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian”, ka thënë Mustafa.

Kosovën gjatë vitit 2015 e njohën vetëm tri shtete të reja.

Por sipas, kryeministrit Mustafa, tani numri i njohjeve është në nivelin ku nuk priten më seri të një pas njëshme njohjesh.

Kurse prioritet, ka nënvizuar ai, po i kushtohet lobimit te pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke veçuar sidomos Greqinë. (rel)

OKB 2015 – “Mjaft më!”

 Më 2015 OKB festoi 70 vjetorin e themelimit. Por pikërisht në këtë vit organiozata botërore ka një bilanc të keq, për shkak të shumë luftrave, refugjatëve…

okb“Mjaft më!” Kjo mund të jetë motoja e shumë zhvillimeve që kanë ndodhur në vitin 2015. Mbi 100 milionë njerëz kanë nevojë për ndihma humanitare. Aktualisht ka kaq shumë refugjatë, sa asnjëherë pas luftës së Dytë Botërore. Dhe kjo pikërisht në vitin 2015, i cili shënon 70-vjetorin e themelimit të OKB.

“Mjaft më!”, thotë Ban Ki Moon, sekretari i përgjtihshëm i OKB. Dhe kjo vlen edhe për sulmet terroriste, luftërat dhe urinë. Kjo fjali është shprehur në gusht të vitit 2015, pas një turpi tjetër. Ka pasur kritika të pandalura për abuzime nga helmetkaltërit – për dhunë seksuale ndaj fëmijëve, të cilat dyshohet se i kanë kryer ata në Republikën e Afrikës Qendrore, e ndoshta edhe në Liberi dhe Haiti. Ndaj Bani për herë të parë në historinë e OKB ka nisur hetime kundër një helmetkaltëri, senegalezit Babacar Gaye. Dhe kjo nuk ishte premiera e vetme në këtë vit katastrofash.

Viti i tmerreve

“Viti 2015 ka shënuar disa suksese por edhe tmerre”, tha Bani. Tmerret megjithatë kanë dominuar. Lufta në Siri. Prej pesë vitesh janë vrarë atje mbi 250.000 njerëz. Katër milionë refugjatë janë larguar nga vendi. Qindra mijëra njerëz vuajnë nga uria. Bani thotë: “Kjo është një tragjedi kolosale për Sirinë dhe një turp për bashkësinë ndërkombëtare. Gjykimi historik do të jetë shumë i hidhur.”

Ban Ki Moon

Ban Ki Moon

Historia – po çfarë u bë me obkektivat e parashtruara në Nju Jork, të cilat duhet të realizohen deri më 2030? “A jemi të gatshëm?”, pyeti kancelarja Merkel në shtator të vitit 2015. 170 presidentë dhe kryeministra kishin ardhur në Nju Jork. Më shumë se kurrë më parë. Ata kanë rënë dakord për 17 objektiva dhe 186 nënpika. Kancelarja asokohe i miratoi ato duke iu drejtuar me një porosi të pranishmëve: “Inkurajoini njerëzit! U thoni atyre që t’u hedhin një sy këtyre 17 objektivave. Shumë syresh do tëthonë: ‘Nuk i kuptoj ato!’ Për njerëzit e thjeshtë ka edhe mënyra të thjeshta shpjegimi, në mënyrë që ato të bëhen të kuptueshme. se çfarë objektivi për çfarë është.”

Refugjatët

E pra njerëzit e thjeshtë, për ta OKB po lufton vazhdimisht, në radhë të parë me problemin e madh të miliona refugjatëve që po vijnë në Evropë. Këta njerëz tani demonizohen për shkak të fesë së tyre, ngjyrës dhe origjinës. Kjo nuk i takon shekullit 21-të, tha Bani.

Viti 2015 ka qenë vërtetë një vit i të këqijave dhe i suskeseve. Samiti i klimës në Paris. Ban Ki Moon tha se nuk ekziston ndonjë plan B, sepse nuk kemi ndonjë planet B. Klima duhet të mbrohet. “Prej ditës së parë në këtë post, para nëntë vitesh, në vitin 2007, kam luftuar. Luftoj edhe tani që premtimet të bëhen realitet”, tha Bani.

Viti 2015 dhe Kombet e Bashkuara: Papa Françesku u takua me presidentin rus Vladimir Putin dhe atë të SHBA-së Barack Obama. Por u takua edhe me Nur Sami, një fëmijë, i cili kërkoi një ardhmëri më të mirë për fëmijët në mbarë botën. “Unë jam vetëm fëmijë. A luaj unë ndonjë rol në këtë botë? A ka vlerë jeta ime? A më dëgjon dikush se çfarë po flas?”

Por vrasjet dhe vdekjet vazhdojnë. Viti 2016 është i fundit në këtë post për Ban Ki Moon. Ndoshta për herë të parë pasusja e tij do të jetë një grua. Bota shpreson për këtë. Por deri atëherë do të jehojnë fjalët e Ban Ki Moon-it: “Mjaft më!” (dw)

Kosovë, raport i Institutit Demokratik

parlamenti ksNë Kosovë, Instituti Demokratik tha se parlamenti ka dështuar të përmbushë punën e tij ndërsa kritikoi qeverinë për ndërhyrje në punën e parlamentit. Në një raport të këtij instituti thuhet se zhvillimet e fundit në parlament ishin të rënda dhe kanë rrezikuar funksionimin e shtetit. Qeveria dhe partitë opozitare vazhdojnë të kritikojnë njëra tjetrën për zhvillimet e fundit në Kosovë, e cila që nga shtatori po përballet me një krizë të rëndë politike. (voa)

Zaev: Në zgjedhje vetëm me garanci nga KSHZ dhe Han

zaevZgjedhje më 24 prill të vitit të ardhshëm do të ketë vetëm nëse ka garanci se ato do të jenë korrekte dhe demokratike, deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Sipas tij, garanci të forta se janë plotësuar kushtet për zgjedhje demokratike duhet të jep edhe KSHZ.

Ai shton se vetëm ajo ky komision është kompetent që të shpjegon se në këtë periudhë që ngel ka kohë që të përfundohen të gjitha çështjet e dakorduara mes partive politike, nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinos.

“Në gjysmën e parë të janarit në Maqedoni do të vijnë disa euro- deputet si dhe euro- komisari Johanes Han. Atëherë, përfaqësuesit e të gjitha partive do të kemi takim dhe me të do të vendosnim nëse ka mundësi për proces korrekte, se a do të mbahen zgjedhjet apo jo. Megjithatë, për këtë s’mund të vendos vetëm LSDM. Ne jemi vetëm njëra palë në proces. Por, nëse ka garanci të forta se ajo që është arritur si marrëveshje do të respektohet, ne do të marrim pjesë në zgjedhje” deklaroi Zaev për Meta.

Ai mohoi shkrimet e mediumeve pro- qeveritare se në parti është marrë vendimi që mos të dilet në zgjedhje.

“Ne kërkuam dhe luftuam për zgjedhje të parakohshme. Imperativi është që ato të jenë korrekte, ndërsa pa pastrimin e listës zgjedhore, kush e garanton këtë? KSHZ duhet të tregoj se a ka kohë që të krahasohen të dhënat me softuerin e ri që pritet të porositen dhe të bëhet kontroll në terren në mbi 1 milion e 700 mijë votues. Afatet për mediumet janë shkelur. Sipas marrëveshjes, 100 ditë para zgjedhjeve, RTVM, Agjencia për mediume dhe AIM duhet të riformohen. A ka kohë për këtë? Vetëm për afatet ligjore për konkurs duhet të kalojnë më shumë se 30 ditë” tha Zaev.

Kreu i LSDM-së konfirmoi se edhe më tej s’janë ekipuar as ekipet nëpër ministritë që ata i udhëheqin.

“Kabinetet e tyre janë pa njerëz, që do të thotë se s’mund të punojnë. Gjithashtu, nuk funksionon as Komisioni anketues për skandalin me materialet e përgjuar. Prokuroria speciale publike gjithashtu  nuk është konsoliduar. Shumë gjëra s’janë rregulluar. Atëherë, si mund të priten zgjedhje korrekte dhe demokratike? LSDM do të merr pjesë në zgjedhje vetëm nëse palët në këtë proces do të arrijnë marrëveshje” thotë mes tjerash Zaev. (ina)

Shpërblimet e fundvitit, Rama: Kategoritë që përfitojnë

edi-ramaKryeministri Edi Rama ka bërë publike edhe skemën e shpërblimeve për festat e fundvitit. Një kategori e madhe personash përfitojnë shpërblimet që variojnë nga 2 mijë lekë deri në 50 mijë lekë të reja.

Sipas kryeministrit kjo është një fazë e ndërmjetme, pasi pasi operacioni kompleks i reformave vazhdon.

KATEGORITË PËRFITUESE
Shpërblim 2 mijë lekë të reja

84 mijë përfitues të ndihmës ekonomike
68 mijë përfitues të kategorisë PAK
372.932 pensionistë
145.580 persona që marrin pension bujqësor
3595 persona që marrin trajtim të veçantë
Persona që marrin pension të parakohshëm
81 mijë kryefamiljarë që trajtohen me kompensim për energjinë

Shpërblim 40 mijë lekë të reja
Mësuesit e spikatur
300 persona të dalluar në shërbimin spitalor publik, kryesisht infermierë

Shpërblim 50 mijë lekë të reja
Studentët e ekselencës
Nxënësit e shkëlqyer me të gjitha 10-ta në sistemin parauniversitar

“Një mesazh të qartë njerëzve në nevojë, se pavarësisht vështirësive të reformave dhimbjes që shkaktkojnë si çdo operacion e terapi për të rikthyer plotësisht në funksikone vitale një trup të kërcënuar nga një kancer agresiv, dhe po ashtu edhe më të mirëve ndër ne, që janë nxënësit me të gjitha dhjeta në arsimin parauniversitar, studentët e ekselencës që janë një pikë referimi për të gjithë dhe një shembull i shkëlyqer”, tha Rama.

/ Top Channel