Moisiu: Në Maqedoni, 40 për qind e popullsisë janë shqiptarë

moisiuMaqedoni është një vend që po investon në gurë, skulptura të priftërinjve, kryqa e statuja  të ndryshme. E gjithë kjo po bëhet për faktin se ky shtet nuk ka indentitet.

Kështu u shpreh, ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, në një ligjeratë me studentët e Kolegjit ISPE në Prishtinë, njofton agjencia e lajmeve INA.

Ai theksoi, se indetifikimi i qeverisë maqedonase me Maqedoninë e hershme të antikitetit është një  absurd i llojit të vet.

“Realiteti i sotëm dëshmon se ky shtet është një konglomerat i përbërë nga popuj të ndryshëm, duke filluar nga maqedonët, shqiptarët, bullgarët, serbët, rumunët, vllehët, romët  ejt. Ndërkaq, shqiptarët përbëjnë rreth 40 për qind të popullsisë. Statistikat e shtetërore thonë se jetojnë 25 për qind, mirëpo si duket ato nuk marrin parasysh emigacionin e jashtëm të shqiptarëve’, u shpreh ish-presidenti Moisiu.

Ai ka folur edhe për luftën e vitit 2001, e cila solli dokumentin e paqes, Marrëveshjes e Ohrit, raporton korrespodenti i agjencisë së lajmeve INA në Prishtinë.

Sipas tij, dispozitat e kësaj marrëveshje edhe sot e kësaj dite nuk është zbatuar . “Shqiptarët akoma nuk i posedojnë liritë dhe të drejtat themelore. Për këtë janë fajtorë politikanët maqedonas, por edhe ata shqiptarë. Partitë shqiptare në Shkup nuk merren vesh mes vete, ato vazhdojnë ti ngatërrojnë interesat personale me ato kombëtare, thjeshtë kanë harruar interest kombëtare”, u shpreh Moisiu.

Për sa i përket Kosovës, ish-Presidenti i Shqipërisë ka theksuar se të drejtat që u garantohen serbëve të Kosovës, sidomos atyre në veri, janë të tilla që nuk i ka askush nga minoritetet në Evropë. “Por, shqiptarët në Luginë të Preshevës janë shumë larg këtyre të drejtave. Ky është standardi i dyfishtë dhe është i gabuar. Kjo nuk është mirë për Kosovën, krijon mosmarrëveshje e pasoja dhe mund të krijojë rreziqe,” ka thënë Moisiu, duke shtuar se për këtë fajin nuk e bartë vetëm Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe “përfaqësuesit tanë që duhet të imponojnë këtë çështje”.

Përderisa Kosova sot synon të bëhet pjesë e NATO-së dhe BE-së, Serbia nuk po tregon interes për anëtarësim në NATO dhe, madje, përçon mesazhe për vazhdimin e aleancës më Rusinë, gjë që më së qarti e shpreh Presidenti i Serbisë, TomisllavNikolliq. Duke e shprehur bindjen se Beogradi edhe në të ardhmen do të vazhdoj me një politikë të tillë, Z. Moisiu ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë të thellojnë aleancën e tyre me Perëndimin dhe, veçanërisht, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.(INA)

Shkeljet shkencore të komisionit për demarkacion shkelin interesin shtetëror

harta demarkacioni 1998Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media për ta komentuar vendimin e komisionit ad hic për demarkacionin me Malin e Zi. Deputeti Glauk Konjufca përmendi disa pika se pse rezultatet e këtij komisioni janë të pasakta.

“Më 15 mars kemi thënë që ky komision ad hoc i krijuar nga presidentja nuk do të sjellë rezultate të ndryshme nga Komisioni paraprak i drejtuar nga Murat Mehat. Ne patëm thënë, me të drejtë, që ‘Çdo komision vlerësimi që fillon punën sipas materialeve e metodës së njëjtë, pra përcaktimin e vijës kufitare sipas kadastrit, do të vijë në përfundim të ngjashëm me atë të komisionit qeveritar’ ”, tha Konjufca.

Ky komision i krijuar nga presidentja Jahjaga, është cilësuar si komision ekspertësh kompetentë për fushën, por në fakt nga 3 personat që e kanë përbërë atë, vetëm 1 është ekspert i fushës. Dy të tjerët janë njëri diplomat ish zyrtarë i ICO dhe Zyrës amerikane dhe tjetri Expert i sigurise dhe IBM.

Ky komision nuk ka pasur asnjë studiues e profesionistë shqiptarë, ani pse më mirë se sa shqiptarët askush nuk mund ta dijë çështjen e kufirit të vendit tonë.

Presidentja dhe ky komision nuk kanë marrë parasysh vullnetin e 205 mijë qytetarëve, që e kanë kundërshtuar rezultatin e komisioni qeveritar për demarkacion dhe nuk e kanë mbrojtur interesin e Republikës së Kosovës, në këtë rast..

Ekipi i ndërkombëtarëve i ftuar nga presidentja në raportin e tij ka thënë edhe skandale të tjera. P.sh. ky ekip e ka përshëndetur demarkimin e kufirit të Kosovës me Maqedoninë (i cili ka qenë skandaloz dhe në dëm të Kosovës) si dhe e ka përshëndetur demarkimin e kufirit të Kosovës me Shqipërinë (i cili nuk ka ndodhur kurrë!). Pra këtu kemi të bëjmë me joseriozitet të lartë të këtij grupi të ftuar nga presidentja.

Pjesa kryesore e raportit flet per përputhjen ligjore të dokumenteve të Komisionit shtetëror. Kjo është po ashtu vërtetë e pashembullt se si tre persona që asnjëri nuk e e njeh me detaje e imtësi legjislacionin e komplikuar sa i takon kësaj çështje për vetëm 15 ditë jep konkluzione.

Ndërsa sa i takon pjesës substanciale pra asaj ku flitet për territorin, duket qartë se me gjithë respektin per këdo që vjen në Kosovë i ftuar nga institucionet tona nuk mund të pretendojë që me 15 ditë të hulumtojë, studiojë dhe nxjerrë konkluzion per qindra faqe studimesh gjeodezike dhe po ashtu dhjetëra harta e mijëra faqe arkiva historike.

Ky komision ka marrë për bazë punën e komisionit të kaluar të drejtuar nga Murat Meha. Mirëpo ne kemi shpalosur para jush një hartë të vitit 1998 me autor Murat Mehën, në të cilën kufiri është në rregull, pra në shpërputhje me vendimet e komisionit që e kishte drejtuar. Ky është një skandal dhe flet për padrejtësinë që po i bëhet Kosovës në rastin me demarkacionin.

Pra, ateherë kur Murat Meha ishte studiues, i bënte hartat objektive dhe kufijtë e saktë, kurse tash që është shërbëtor i kompromiseve të pushtetit, shkel mbi vetë punën e tij shkencore, vetëm e vetëm që t’i justifikojë hektarët që Hashim Thaçi ia fali Malit të Zi.

Pra, kjo përveçse shkelje e interesit shtetëror, është edhe përdhosje e punës shkencore e profesionale, duke qenë që kjo hartë u botua nga Enti Shkollor i Kosovës dhe se breza të tërë nxënësish kanë mësuar dhe janë përgatitur profesionalisht me këto harta, të cilat tash Murat Meha po i shkel për hir të pushtetit.

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Lirimi i Sheshelit, Ymeri: Vendimi më skandaloz, Serbia nxit luftëra në Ballkan

visar-ymeriKreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka cilësuar si më skandalozin, vendimin e Gjykatës së Hagës për lirimin e të akuzuarit për krime lufte, Vojsllav Sheshel.

Përmes një postimi në “Facebook”, Ymeri thekson se mosndëshkimi i shtetit të Serbisë për krimet e luftës në Ballkan po rrënon dinjitetin viktimave të shumta dhe familjeve të tyre.

Ai thekson se mosndëshkimi i kriminelëve të luftës nga Serbia është pranim i krimit të luftës, çka nxit luftëra të reja në Ballkan

Postimi në “Facebook”

“Kriminelin Sheshel e paska shpallur të pafajshëm Tribunali i Hagës. Ky, sipas të gjitha gjasave, është vendimi më skandaloz i këtij Tribunali.

Të shpallet ultra-fashisti Sheshel i pafajshëm për krimet e kryera nga forcat militare e paramilitare të Serbisë në Kosovë, Bosnje e Kroaci, është krim në vete, dhe nuk ka asgjë të bëjë me drejtësinë.

Kështu fashistëve në Serbi, të cilët janë në pushtet, po u dërgohet një sinjal tjetër: jo i domosdoshmërisë për denazifikim e dekriminalizim, por i hapësirës për intensifikim të kërkesave e veprimeve të tyre shoviniste e hegjemone.

Ky mosndëshkim i shtetit të Serbisë po i rrënon dinjitetin për çdo ditë viktimave të shumta dhe familjeve të tyre. Nga Zagrebi, në Sarajevë e Prishtinë sot njerëzit ndihen të dhunuar rishtazi.

Tash nga buzëqeshja kriminale e Sheshelit, dhe nga vendimi i neveritshëm i Tribunalit ndërkombëtar. Është e padrejtë të quhet drejtësi ndërkombëtare.

Mosndëshkimi i kriminelëve të luftës nga Serbia është pranim i krimit të luftës. Ky pranim është nxitje e Serbisë për luftëra të reja në Ballkan.

/Shekulli Online/

Hahn: Miratoni reformën përpara pushimeve të verës!

hahn-durres“Reforma në drejtësi duhet miratuar para pushimeve verore dhe duhet të nisë zbatimi sa më shpejt. Në tetor duam rezultate premtuese”.

Këto janë afatet e vëna nga komisioneri Johannes Hahn për mazhorancën dhe opozitën në Shqipëri në lidhje me reformën. Një ditë pas takimit me Ramën e Bashën, Hahn thotë se ishte shumë i qartë.

“Kjo ishte tema kryesore e dialogut të nivelit të lartë, që të bënim një lloj inventari të realizimit të 5 përparësive kryesore të Shqipërisë. Reforma në sistemin e drejtësisë është mu në zemër të përparësive të vendit. Dje isha i qartë dhe dua ta them edhe një herë qartë sot, se reforma në drejtësi është një element kyç dhe mendoj se ne na duhet një vendim përpara pushimit të verës, sepse nuk dua që të merret një pozicion jo vetëm për të bërë ndryshimin e Kushtetutës, por dhe një sërë ligjesh, sepse siç e thashë edhe dje, kjo është një reformë e paparë, e pakrahasueshme”, deklaroi Hahn.

Komisioneri i Zgjerimit në BE thotë se është e rëndësishme të përfshihet Komisioni i Venecias dhe të pyetet për opinionin e vet dhe është e rëndësishme që të bihet dakort dhe të respektohen vendimet apo sugjerimet e Komisionit të Venecias: “Edhe një herë dua t’i bëj thirrje të gjithëve që t’i qëndrojnë dhe respektojnë marrëveshjet në parim dhe të miratojnë reformën në drejtësi, pasi miratimi është hapi i parë, ndërkohë që hapi i dytë po aq sfidues është edhe zbatimi i reformës në drejtësi. Në mënyrë që të jepet një raport pozitiv në vjeshtë, ne na duhet të shohim pikësëpari zbatime premtuese të procesit të vlerësimit dhe për këtë arsye ne na duhet një vendim para shpërndarjes së Parlamentit në verë, në mënyrë që mund të shohim në tetor rezultatet dhe shpresoj që këto rezultate të jenë në drejtimin e duhur. Jam po aq optimist sa kolegia ime, zonja Mogherini”.

/ Top Channel

Komisioni vlerësoi anën teknike e ligjore, por jo atë shkencore

kosova hartaEkspertët e Kosovës të fushave që kanë të bëjnë me demarkacionin e kufijve, vlerësojnë se rezultati që ka dalë nga ekipi ndërkombëtar ad hoc lidhur me aspektin ligjor dhe teknik të demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, ka qenë i pritshëm.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, të mërkurën ka thënë se “nga aspekti ligjor dhe teknik, ekspertët ndërkombëtarë nuk kanë gjetur shkelje, dhe kanë vlerësuar se procesi u është përmbajtur rregullave ligjore”.

Por, profesor – doktor Shpëtim Bulliqi, ligjërues në Departamentin e Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekipi ad hoc, i cili është ftuar nga presidentja e Kosovës Jahjaga, për vlerësimin e procesit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ka pasur për detyrë vlerësimin e ngushtë, teknik dhe ligjor.

“Nuk është pritur rezultat tjetër prej këtij që ka dalë nga ana e këtyre anëtarëve të komisionit ndërkombëtar, për faktin se këta kanë ardhur ta vlerësojnë dokumentacionin që e ka përgatitur Komisioni për demarkacion i Qeverisë së Kosovës. prandaj, nga ai material, rezultat tjetër nuk del, përveç këtij rezultati që realisht ka dalë”, ka thënë profesor Bulliqi.

Ai, së bashku me profesor doktor Florim Isufin, po ashtu ligjërues në Departamnetin e Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, në Universitetin e Prishtinës, në gusht të vitit të kaluar, patën publikuar punimin shkencor me titull “Demarkacioni Kosovë-Mali i Zi (Aspekte ndërkombëtare, gjeografike, politike dhe historike) Gusht 2015”.

Sipas profesor Bulliqit, për përcaktimin e vijave kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është përdorur vetëm në kriterin e të dhënave kadastrale, i cili siç thotë ai, i takon kritereve sekondare apo terciare, në kuptimin e kritereve shkencore.

“Mbështetja vetëm në të dhënat kadastrale është njëri prej gabimeve kryesore, që janë bërë në fillim të të dyja komisioneve, edhe të Malit të Zi edhe të Kosovës. Por, normalisht, kjo ka shkuar në favor të Malit të Zi, për arsye se dihet se për çfarë periudhe është shtet Mali i Zi dhe ai është shtet më i konsoliduar se Kosova. Ai ka arritur që kadastrën ta ketë në nivelin më të mirë se Kosova dhe normalisht, ky proces ka shkuar në favor të Malit të Zi dhe rezultati është ky çfarë është”.

Profesor Bulliqi, thekson se kriteri bazik dhe kryesore shkencore qe aplikohet në shënimin e vijave kufitare janë: kriteri natyror apo fizik-gjeografik, i cili i ndjek vijat ujëndarëse, qafat malore dhe luginat lumore. Gjithashtu sipas tij, është dashur të merret për bazë edhe kriteri historik, kriteri socio-ekonomik.

Të gjitha këto kritere, siç thotë profesor Bulliqi, nuk janë respektuar dhe si rezultat i kësaj, Kosova ka humbur rreth 8 mijë e 223 hektarë në procesin e demarkacionit me Malin e Zi.

Edhe profesor doktor Florim Isufi, vlerëson se asnjë nga kriteret bazike apo parësore për shënimin e vijës kufitare nuk janë respektuar e as aplikuar.

“Po ua them atë që ua kemi thënë edhe ndërkombëtarëve. Në botë ekzistojnë 23 ekspertët më të mirë botëror që merren me ketë lëmi. Ata kanë publikime jashtëzakonisht të mëdha. Këta 23 ekspertë, asnjëri në ekspertizën e tyre, në punën e tyre shkencore dhe praktike nuk e ka paraparë metodologjinë që e kanë marrë Komisioni shtetëror për demarkacion”.

“Duhet qenë real se, vetëm njëri prej këtyre ekspertëve, thotë se ky kriter (kadastral), mund të jetë sekondar ose terciar. Të gjithë të tjerët bazohen në kriteret, në të cilat po bazohemi unë dhe kolegu im Shpëtimi”.

Profesor Isufi shton se ekipi ndërkombëtarë ad hoc, ka kryer punën për të cilën edhe është ftuar nga presidentja Jahjaga, do të thotë, vetëm vlerësimin e procesit.

“Ata kanë dashur t’i shohin vetëm procedurat, se si ka shkuar puna. Por, jo edhe substancën, jo edhe atë se cila metodologji duhet të zbatohet dhe cila është më e zhvilluar në botë sot për demarkacion ose edhe çka ka materiale tjera”.

“Për shembull, ne u kemi dhënë një mori të madhe materialesh. Unë e mora raportin e tyre zyrtar dhe asnjë material i yni nuk është përfshirë në raportin e tyre. Kjo do të thotë se ne vetëm kemi biseduar, kemi grumbulluar material dhe ua kemi dhënë dhe ata nuk e kanë përfshirë në raport. Madje as nuk e kanë cekur që është material i keq. Këtë kanë mundur ta thonë”, tha Isufi.

Të dy këta ekspertë të fushave që kanë të bëjnë me shënimin e vijave kufitare, thonë se në rast se shteti kërkon ekspertizë shkencore, ata janë të gatshëm ta ofrojnë.

Por, ata nuk japin ndonjë vlerësim nëse rezultati nga komisioni ndërkombëtar ad hoc e përmbyllë problemin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Siç kanë thënë ata, “shkenca nuk mund të vendosë mbi politikën”. (rel)

Shesheli pas lirimit: Tribunali i Hagës anti serb

sheshel 1Tribunali i OKB-së në Hagë e liroi ultranacionalistin serb Vojislav Sheshel të akuzuar për krime lufte.

Akuzat nuk mundën të provohen dhe kësisoj Shesheli është “një njeri i lirë”, tha gjyqtari Jean-Claude Antonetti duke shqiptuar vendimin (31.03) në procesin e Tribunalit të Hagës ndaj ultranacionalistit serb Vojislav Sheshel i akuzuar për krime lufte. Të gjitha pikat e akuzës ndaj tij mbi veprimet gjatë luftrave në ish-Jugosllavi u shfuqizuan.

Ish-shefi “i propagadnistëve të Serbisë së Madhe” akuzohej krahas krimeve të luftës edhe për krime kundër njerëzimit gjatë luftrave ballkanike në vitet 90-të, dëbime të detyrueshme dhe tortura. Shteti i tij i dëshiruar duhej të përfshinte Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe një pjesë të madhe të Kroacisë si dhe të Bosnje-Hercegovinës, thuhej në aktakuzë. Akuza kërkoi 28 vjet heqje lirie.

Gjyqtari Antonetti tha, se prokuroria nuk ka “paraqitur prova të mjaftueshme”, që Shesheli vërtetë i ka kryer krimet për të cilat akuzohet. Prokuroria nga ana e saj deklaroi, se merr dijeni për këtë vendim. “Një sërë viktima dhe komuna do të jenë të zhgënjyer”, thuhet në një deklaratë. Vendimi i Tribunalit të OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi u mor në mungesë të të akuzuarit. Sheshelj në nëntor 2014 u lirua për arsye shëndetësore nga paraburgimi.

Sheshelj ironizon pas vendimit në Hagë

Akuzat nuk mundën të provohen dhe kësisoj Shesheli është “një njeri i lirë”, tha gjyqtari Jean-Claude Antonetti duke shqiptuar vendimin (31.03) në procesin e Tribunalit të Hagës ndaj ultranacionalistit serb Vojislav Sheshel i akuzuar për krime lufte. Të gjitha pikat e akuzës ndaj tij mbi veprimet gjatë luftrave në ish-Jugosllavi u shfuqizuan.

Ish-shefi “i propagadnistëve të Serbisë së Madhe” akuzohej krahas krimeve të luftës edhe për krime kundër njerëzimit gjatë luftrave ballkanike në vitet 90-të, dëbime të detyrueshme dhe tortura. Shteti i tij i dëshiruar duhej të përfshinte Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe një pjesë të madhe të Kroacisë si dhe të Bosnje-Hercegovinës, thuhej në aktakuzë. Akuza kërkoi 28 vjet heqje lirie.

Gjyqtari Antonetti tha, se prokuroria nuk ka “paraqitur prova të mjaftueshme”, që Shesheli vërtetë i ka kryer krimet për të cilat akuzohet. Prokuroria nga ana e saj deklaroi, se merr dijeni për këtë vendim. “Një sërë viktima dhe komuna do të jenë të zhgënjyer”, thuhet në një deklaratë. Vendimi i Tribunalit të OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi u mor në mungesë të të akuzuarit. Sheshelj në nëntor 2014 u lirua për arsye shëndetësore nga paraburgimi.

Ai as sot e kësaj dite nuk e njeh këtë gjykatë. Pas shpalljes së vendimit të enjten (31.03) ai u shpreh, se ky “është një gjyq anti serb në duart e fuqive të mëdha”. 61 vjeçari theksoi, se “gjyqi nuk ka asnjë rëndësi juridike” Për 12 vjet burg hetuesie në Tribunalin e OKB-së ai do të kërkojë zhdëmim në vlerën e 14 milionë Eurove.

Ka qenë qysh në “fillim e qartë, që unë jam i pafajshëm”, deklaroi ekstremisti. Pavarësisht të gjitha proceseve kundër bashkëatdhetarëve të tij serbë në Hagë qendron “ideja e plotfuqishme e Serbisë së Madhe me ose pa mua.”

Shesheli u shpreh me ironi ndaj këtij gjykimi: pas të gjitha proceseve kundër “serbëve të pafajshëm, që kanë marrë dënime drakonike”, tashmë ka një gjykim nga gjyqtarë “të ndershëm e korrekt”, tha Sheshelj në një deklarim para gazetarëve në Beograd.

Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina: vendimi dështim për Tribunalin

Kryeministri kroat Tihomir Oreskovic e quajti “të turpshëm” lirimin e tij. Sipas tij ky do të thotë një dështim për Gjykatën e Hagës dhe prokurorinë, tha ai në Zagreb. Në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë mediet e përshkruan vendimin për lirimin e tij si një shok dhe turp. “Por mua megjithatë nuk më interesojnë aspak këto reagime”, tha Shesheli. Ai akuzoi SHBA-në dhe BE-në, se “mbështesin të gjithë armiqtë serbëe. Përderisa Perëndimi më 1999 bombardoi Serbinë, “nuk mund të pres tani që ne të jemi miqtë e tij”.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare pas tri javësh në Serbi partia e tij radikale (SRS) deri më tani e papërfaqësuar në parlament mund të dalë me 25% si forca e dytë politike në vend. dw

Gjykata e Hagës liron nga akuzat Sheshelin

sheshelGjykata Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, shpalli të pafajshëm dhe e liroi nga të gjitha akuzat, udhëheqësin radikal serb Vojisllav Sheshel. Ai përballej me tri akuza për krime kundër njerëzimit dhe gjashtë akuza për krime lufte lidhur me nxitjen e spastrimit etnik në Bosnjë, Kroaci dhe në krahinën e Vojvodinës. Prokurorët reaguan me kritika dhe thanë se mund ta apelojnë vendimin.

 

Gjykatësi Jean-Claude Antonetti lexoi vendimin për lirimin e Vojisllav Sheshelit nga akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke deklaruar se me këtë vendim ai është tani individ i lirë:

“Me lirimin nga nëntë akuzat në akt-padi, urdhër-arresti i nxjerrë nga gjykata e apelit më 17 qershor, 2015, bëhet i pavlefshëm. Pas këtij vendimi, Vojisllav Sheshel është tani i lirë”.

Procesi gjyqësor rezultoi i vështirë për Gjykatën e Hagës, me vonesa të shumta, ndërkohë që Shesheli përfaqësoi veten para gjykatësve dhe i bëri sfidë institucionit me çdo formë. Vendimi i sotëm u përcoll me zhgënjim nga prokurorët:

“Jam plotësisht i bindur se komunitetet e viktimave dhe shumë njerëz nuk janë të kënaqur me këtë rezultat. Edhe ne ndjejmë një irritim të ngjashëm me ta. Zyra jonë do të analizojë me kujdes argumentet që i paraqitëm gjykatës për të vendosur nëse do ta apelojmë vendimin. Vendimi për të apeluar apo jo nuk do të merret sot, por në ditët e ardhshme”. “Ka një numër përfundimesh në argumentimin e vendimit, që nuk përputhen me jurisprudencën normale të gjykatës, si për shembull mungesa e sulmeve të gjera apo sistematike kundër popullatës civile, apo lidhur me retorikën e urrejtjes, e cila nga gjykatësit konsiderohej si retorikë inkurajuese, jo nxitëse për të kryer krime,” - tha Prokurori Serge Brammertz.

Prokurorët e kishin akuzuar Vojisllav Sheshelin se kishte ndezur konfliktet e dhunshme etnike me retorikën e zjarrtë në fillim të luftrave të viteve 1990, që lanë pas 130 mijë të vdekur. Prokurorët thanë se përveç retorikës për krijimin e një Serbie të pastër etnike, apo “Serbinë e Madhe”, ai ndihmoi për ngritjen e njësive paraushtarake për ta zbatuar këtë plan. Këto njësi dëbuan dhjetëra mijëra myslimanë e kroatë nga banesat e tyre.

Në Bosnje, pranë Zvornikut ku trupat serbe kryen vrasje masive në 1992, familjet e viktimave shprehën zhgënjim me vendimin, por thanë se janë mësuar me raste të tilla kur drejtësia nuk vihet në vend:

“Është për të ardhur keq që personi që kreu këto krime nuk dënohet. E dimë mirë çfarë ka bërë. Im atë e morën nga shtëpia në 1992. Në atë kohë isha ushtar në ushtrinë jugosllave. Nëna dhe motra shkuan në komandën e ushtrisë me fotografinë time si ushtar dhe kërkuan lirimin e babait. Ata i thanë se nuk kishin çfarë të bënin, pasi babain e kishte marrë njësia “Shqiponjat e Bardha”. Edhe sot e kësaj dite nuk e dimë ku është trupi. Njerëzit e ndershëm për fat të keq nuk i beson njeri. Besohen ata që janë të ligj. Sikur ta kishin dënuar Sheshelin 100 vjet nuk do të kishim gjetur shumë ngushëllim,” thotë Hajrudin Okanoviç, mysliman i Bosnjes.

Shesheli nuk ishte në Hagë në momentin kur u lexua vendimi. Ai u dorëzua vetë në gjykatë në 2003, por u lejua të kthehej në Serbi në nëntor 2014 për mjekim nga kanceri i mëlçisë.

61-vjeçari Sheshel njihet për një numër veprash që ka shkruar, për fjalime të apasionuara, për temperamentin kolerik, për kërcënimet e shfrenuara, kur thoshte se “do u nxjerr sytë armiqve të Serbisë me lugë të ndryshkur”. Ai ka thënë se ka në plan të konkurrojë për deputet i Partisë Radikale serbe në zgjedhjet e ardhshme. (voa)

Shkup: Arrestimi i parë lidhur me aferën e “përgjimeve”

Katica me sherbetoretNë gjykatë në Shkup i caktoi masën e paraburgimit prej tridhjetë ditësh, Goran Grujevskit, shefi i drejtorisë së pestë të ministrisë së Brendshme, i arrestuar një ditë më parë nën dyshimet për shkatërrimin e pajisjeve të përgjimit.

Ai është personi i parë i cili arrestohet në bazë të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme e themeluar pas aferës së përgjimeve në Maqedoni e cila çoi në krizën politike në vend.

Kjo prokurori ngriti të mërkurën hetime në lidhje me dyshimet për shkatërrimin e pajisjeve për përgjim, në kuadër të procesit të njohur si “Kështjella”, ku përfshihen edhe katër persona të tjerë, në mesin e të cilëve edhe ish-ministrja e rendit Gordana Jankullovska, për të cilën është kërkuar “masa paraprake”, përkatësisht marrja e pasaportës.

Sipas prokurorisë, mjetet e shkatërruara i kanë shkaktuar vendit një humbje prej 10 milion eurosh. Të gjithë këta dyshohen për shpërdorim të pozitës zyrtare dhe autoritetit dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Kjo është hera e parë kur një gjykatë themelore pranon kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të paraburgosur një zyrtar të lartë të policisë.

Rasti “Kështjella” si dhe rasti tjetër i njohur si “Titanik”, burojnë nga skandali i përgjimeve të publikuara vitin e kaluar nga opozita maqedonase, e cila pretendon se posedon materiale ku mijëra njerëz janë përgjuar nga shërbimi sekret maqedonas, në mesin e tyre edhe bartës funksionesh shtetërore, drejtues politikë, biznesmenë, gazetarë, etj.

Skandali detyroi madje partitë kryesore të vendit që të arrijnë një marrëveshje për reforma në disa fusha për t’i dhënë fund krizës politike që kishte përfshirë vendin.

Së këndejmi dhe u formua Prokuroria e Posaçme Publike që do të merret me rastet e dyshuara nga ky skandal. Si rezultat i krizës edhe kryetari i VMRO-së Nikolla Gruevski u detyrua të japë dorëheqje nga posti i kryeministrit bashkë me disa ministra të tjerë.

Kriza çoi në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për mbajtjen e zgjedhjeve ë parakohshme, data e të cilave ende mbetet e paqartë. (voa)

Ekspertët: nuk ka shkelje ligjore në vijën kufitare Kosovë – Mali i Zi

AtifeteTre ekspertët ndërkombëtar që vlerësuan procesin e demarkacionit Kosovë-Mali i Zi, thanë se në shënimin e kësaj vije kufitare janë zbatuar praktikat ndërkombëtare më të dëshmuara deri më tani në vendet tjera.

Komisioni i ekspertëve ndërkombëtarë për vlerësimin e procesit të demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, tha se procesi i përkufizimit të kësaj vije kufitare është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe se ata nuk kanë gjetur shkelje ligjore gjatë tërë procesit. Partitë politike opozitare thanë se raporti i ekspertëve është i papranueshëm dhe sipas tyre është i domosdoshëm korrigjimi i vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi. Tre ekspertët ndërkombëtarë, nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania, erdhën në Kosovë dy javë më parë si pjesë e një komisioni që u iniciua nga Presidentja Atifete Jahjaga për vlerësimin e procesit të shënimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo u bë pas shqetësimeve të shprehura prej partive opozitare, të cilat kërkonin shfuqizimin e nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi e nënshkruar në gusht të vitit të shkuar.

Pasi pranoi raportin e ekspertëve ndërkombëtar, Presidentja Atifete Jahjaga, tha se “nga aspekti ligjor dhe teknik ekspertët nuk kanë gjetur shkelje në procesin e demarkacionit. Komisioni ka vlerësuar se procesi i shënimit të kufirit është dashur të jetë më transparent përfshirë edhe familjarizimin e publikut me hartat, të dhënat dhe gjetjet gjeodezike”, tha Presidentja Jahjaga.

Eksperti gjerman i Gjeodezisë, Herbert Wilmes, pjesë e komisionit, tha se komisioni ad-hoc ka zbatuar praktikat ndërkombëtare më të dëshmuara deri më tani në vendet tjera. “Dy komisionet shtetërore, ai i Kosovës dhe ai malazez kanë aplikuar teknikat më të mira si GSS ose GPS, të cilat kanë mundësuar që në mënyrë gjeodezike të përcaktohet çdo milimetër i kufirit. Ne na është dashur që t’i kombinojnë koordinatat me hartat gjeografike. Vija kufitare e prezantuar është bazuar në informacione të sakta. Vija më e lartë është vija administrative, e cila është e Krahinës Autonome të Kosovës dhe në nivelin dytë janë përdorur vijat e kufijve komunal në të dy anët e kufirit dhe niveli i tretë janë përdorur informatat kadastrale”, tha Herbert Wilmes.

Në të njetën linjë u shpreh edhe eksperti amerikan Fletcher Burton: “procesi kishte një bazë shumë të fortë ligjore. Kemi gjetur se nga aspekti ligjor procesi dhe puna e Komisionit kosovar shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi ka pasur legjitimitet të plotë”, tha Fletcher Burton.

Eksperti britanik Fred Newton nga ana e tij foli për rëndësinë që kanë proceset e demarkacionit ndërmjet vendeve, që sipas tij, duhet të jenë përcaktuar mirë dhe qartë.

Partitë politike opozitare në Kosovë reaguan ashpër pas publikimit të raportit duke e vlerësuar të papranueshëm raportin e ekspertëve ndërkombëtarë.

“Opozita e Bashkuar vlerëson se gjetjet e këtij ekipi ndërkombëtar për vlerësimin e punës së Komisionit Shtetëror të Kosovës për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi janë vlerësime që janë bërë për nevojat e presidentes dhe si të tilla nuk mund të kenë reflektim në domosdoshmërinë e korrigjimit të kufirit me Malin e Zi”, thuhet në një reagim të përbashkët të partive opozitare.

Sipas tyre kufijtë e Kosovës mund t’i caktojë vetëm një komision i besueshëm shtetëror i Kosovës, i cili mund të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë, që do të shfrytëzojë dokumente të vlefshme, metodologji të përshtatshme të punës dhe të dhëna shkencore, por kurrsesi një grup prej tre personave, prej të cilëve vetëm njëri është ekspert i fushës kurse dy të tjerët janë diplomatë.

“Kufiri i Kosovës me Malin e zi është në Çakorr dhe në Kullë të Zhlepit, dhe pavarësisht vlerësimit të tre ekspertëve ndërkombëtar, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, nuk është i pranueshëm për opozitën dhe qytetarët dhe do të kundërshtohet pa kompromis. Mbi 205 mijë qytetarë kanë nënshkruar kundër këtij demarkacioni dhe vullneti i tyre nuk është marrë parasysh as nga presidentja e as nga ky ekip. Argumentet e paraqitura nga ky ekip ndërkombëtar, se demarkacioni me Malin e Zi është një proces legal e ku nuk ka pasur shpërputhje ndërmjet dy komisioneve shtetërore, nuk qëndrojnë, sepse edhe në një proces legal, e ku nuk ka as shpërputhje, mund të bëhen zgjidhje jolegale, siç ka ndodhur me rastin e Kosovës me Malin e Zi. Kosova nuk ka territore për të falur dhe tërësinë e saj territoriale do ta mbrojmë pavarësisht vendimeve të tilla”, thuhet në reagimin e opozitës së bashkuar.

Marrëveshja e nënshkruar më 26 gusht të vitit të kaluar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, e cila përcaktonte vijën kufitare ndërmjet dy vendeve dhe marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, janë dy çështje, që bënë që partitë opozitare ta bllokojnë punën e parlamentit prej shtatë muajsh. Koalicioni qeveritar kërkon nga partitë opozitare që shqetësimet e tyre t’i paraqesin dhe debatojnë në institucionet e Kosovës, ndërsa opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.

Sidoqoftë, megjithë mospajtimin e partive opozitare për të gjeturat e komisionit ndërkombëtar që shqyrtoi procesin shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, ambasada e SHBA-së, në një deklaratë të saj, mirëpriti konkluzionet e komisionit ndërkombëtar duke thënë se gjetjet “qartazi plotësojnë normat ndërkombëtare”.

“Ne jemi të pajtimit me ftesën e komisionit drejtuar Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi për të ndërmarrë hapa në përmirësimin e menaxhimit të kufirit dhe thellimit të bashkëpunimit. Shpresojmë se palët do t’i rishikojnë me kujdes të gjeturat në raport dhe do t’i kthehen punës së rëndësishme që kanë, për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj drejt institucioneve euro-atlantike”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane në Kosovë. (dw)

Përgjimet në Maqedoni, hetim drejtorëve të Ministrisë së Brendshme

Lence-RistoskaProkuroria Speciale ka nisur hetimet ndaj pesë personave për shkatërrimin e paligjshëm një vit më parë të dy sistemeve të përgjimit në pronësi të Ministrisë së Brendshme në Maqedoni.

I dyshuari kryesor është shefi i një drejtorie të rëndësishme, kreu i Agjencisë së Kundërzbulimit, Goran Grujovski. Prokuroria posedon dëshmi se në këtë rast është e përfshirë edhe ish-ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska.

“Për të mbuluar personat që kanë bërë përgjimet e paligjshme, i dyshuari kryesor ka urdhëruar verbalisht drejtuesit e njësive të tjera që të dorëzojnë një raport për gjendjen e pajisjeve të përgjimit. Ky raport do t’i shërbente më vonë të dyshuairt që të provonte nevojën për shkatërrimin e atyre pajisjeve të përgjimit”, deklaroi prokurorja Lençe Ristoska.

Prokuroria Speciale ka kërkuar që të dyshuarit të parë t’i caktohet masa e paraburgimit, ndërsa për katër të tjerët ka kërkuar t’u merren pasaportat dhe t’u caktohet masa “detyrim paraqitjeje” në gjykatë një herë në javë.

“Procesi hetimor për të zbuluar se kush ka kryer përgjime në Maqedoni po vijon. Ne besojmë se, pavarësisht shkatërrimit të sistemit të përgjimeve do të gjejmë një mekanizëm apo mënyrë për të siguruar prova se kush i ka kryer ato”, nënvizoi prokurorja Ristoska.

Pajisjet e përgjimit janë shkatërruar më 28 mars të vitit të kaluar, pak ditë ditë pasi opozita maqedonase kishte filluar publikimin e bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë qeveritarë.

/ Top Channel