Demarkacioni me Malin e Zi drejt rishikimit

demarkacioniMarrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi po shkon drejt rishikimit, thonë analistët politik. Sipas tyre, nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, ish-lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tani president i Kosovës, dhe kryeministri Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë bazuar vetëm në numrat që kanë në Kuvend, por jo edhe në qëndrimet që do të mbajnë deputetët, përfshir edhe ata nga partitë e tyre.

Analisti Halil Matoshi pret që marrëveshja për demarkacionin, si “një kauzë popullore që është krijuar”, të shkojë drejt Gjykatës së Arbitrazhit.

Jo vetëm te partitë politike, por edhe te opinioni i gjerë, ka nënvizuar Matoshi, është krijuar një dilemë e madhe se ka pasur parregullsi me këtë marrëveshje.

“Edhe Komisioni Shtetëror i Kosovës në fillim ka pasur dilema të mëdha rreth kufirit (kësaj marrëveshjeje), por çfarë ndodhi ndërkohë që u pajtua me këtë demarkacion, këtë mbase mund ta dinë vetëm Hashim Thaçi dhe njerëzit e Komisionit Shtetëror.”

“Besoj që ky version i demarkimit nuk do të kalojë dhe se çështja duhet të rishikohet dhe eventualisht me pajtimin e palëve, çështja të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar”, ka thënë Matoshi për Radion Evropa e Lirë.

Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi fillimisht ishte kundërshtuar nga opozita. Por, kohëve të fundit, edhe deputetë nga radhët e dy partive në pushtet, PDK dhe LDK, janë shprehur të rezervuar, duke kërkuar rishikimin e saj.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se koha është e shkurtër dhe se koalicioniduhet të veprojë shumë shpejt. Pozitive në këtë aspekt, vijon Mushkolaj, megjithatë është gatishmëria e shprehur e palës malaziase që të diskutohen dhe rishikohen lëshimet eventuale. Andaj, ai beson se çështja mund të kalojë edhe pa arbitrazhin ndërkombëtar, nëse palët merren vesh.

“Konsideroj që çështja mund të zgjidhet ndërmjet Prishtinës dhe Podgoricës pa pasur nevojë që të shkojë në arbitrazhin ndërkombëtar. Këtu kam parasysh pikërisht vullnetin e palës malaziase, ku nuk e kemi situatën që Podgorica të insistojë që marrëveshja është nënshkruar dhe ndryshe nuk bën. Pikërisht ky fleksibilitet i Podgoricës më jep shpresë dhe besim se çështja mund të zgjidhet ndërmjet dy shteteve dhe nuk ka arsye që kjo të mos ndodhë”, ka theksuar Mushkolaj.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në fund të muajit gusht të vitit të kaluar në Vjenë. Por, ajo nuk është ratifikuar ende në Kuvendin e Kosovës, qoftë për shkak të protestave të opozitës, apo edhe hezitimeve të partive të koalicionit.

Ratifikimi i kësaj marrëveshje, është vënë si kushti i fundit i Brukselitpër institucionet në Prishtinë, para se të merret vendimi për zbatimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Por, tani mbetet të shihet nëse koalicioni qeverisës do të procedojë tutje me tentativën për ta ratifikuar marrëveshjen në Kuvend.

Përderisa alternativat tjera mbeten që autoritetet në Prishtinë të ftojnë Podgoricën të diskutojnë problemin, të formojnë komision të ri me përfshirjen e opozitës, apo që çështjen ta drejtojnë në Gjykatën e Arbitrazhit. (REL)

Tonet patriotike kamuflazh për kleptokracinë

Eksperti për Evropën Juglindore Norbert Mappes-Niediek mendon se megjithë turbulencat Kroacia do ta kapërcejë krizën pas shpërbërjes së qeverisë.

kroaciaQeveria kroate u rrëzua nga një votë mosbesimi dhe eksperti për Evropën Juglindore, Norbert Mappes-Niediek tha në intervistë me DW-në se kjo nuk e kishte habitur, sepse kur u krijua kjo qeveri, duhet që në fakt kushdo ta kishte të qartë se ajo nuk do të zgjaste gjatë. Partia ose më mirë lista zgjedhore MOST (Ura) partnere koalicioni e partisë konservatore HDZ, ishte krejtësisht e mbingarkuar me detyrën e saj për të qenë një kundërpeshë për HDZ. Sipas Mappes-Niediek MOST-i hyri në qeveri me mosbesim të madh dhe nuk qe në gjendje që ta shndërronte atë në një funksion të arsyeshëm kontrolli ndaj korrupsionit dhe ndaj HDZ-së.

Tonet patriotike kamuflazh për kleptokracinë

Kur Evropa e kritikonte Kroacinë se ajo po shndërrohet në një demokraci iliberale sipas modelit të Hungarisë filluan të shfaqen sërish tonet patriotike të HDZ-së dhe shpejt u bë e qartë se një gjë e tillë në Kroaci të paktën “është në fakt vetëm kamuflazh, vetëm zbukurim për një sistem pak a shumë kleptokratik, i cili ka zënë rrënjë në të gjitha nivelet e qarqeve dhe të provincave.” – thotë eksperti i Evropës Juglindore Norbert Mappes-Niediek.

Zgjedhjet mund të sjellin diçka të re

Norbert Mappes-Niediek mendon se HDZ-ja në zgjedhjet e reja nuk do të fitojë të njëjtën përqindje votash si në zgjedhjet e mëparshme, kur sundonin iluzione prej parrullave patriotike. HDZ është demaskuar tani për herë të dytë dhe për këtë pas zgjedhjeve duket se do të ketë një ndryshim në pushtet.

HDZ ka nevojë për një periudhë riorientimi që të bëhet një alternativë e arsyeshme për qeverisje. Sipas Norbert Mappes-Niediek ajo duhet të përballet me problemin e korrupsionit në radhët e saj dhe të përpiqet të ofrojë alternativa të besueshme dhe jo të ndezë ndjenjat e njerëzve. Në qoftë se pas fundit të kryetarit të partisë Karamarko në HDZ do të triumfojnë forcat e arsyeshme, atëhere kjo parti mund të reformohet përsëri dhe të rikthehet në qeveri, thotë Mappes-Niediek, që shton se për këtë HDZ ka nevojë sigurisht edhe për një periudhë legjislature.

Norbert Mappes-Niediek është gazetar, autor dhe ekspert i Evropës Juglindore

Në ndihmë të fëmijëve me diabet

femijet me diabetNë Tiranë u zhvillua sot një tubim në ndihmë të fëmijëve me diabet.

Mjekët dhe veprimtarët pohuan se diabeti po shtohet me shpejtësi në Shqipëri tek moshat e reja, prandaj duhet shtuar edhe kujdesi për ta.

Veprimtarë të shoqatave të shëndetit, familjarë e fëmijë me diabet organizuan veprimtari sot në Tiranë për të tërhequr vëmendjen e shoqerisë dhe institucioneve për vuajtjet dhe mungesat e tyre.

Ata marshuan përgjatë shëtitores së parkut të madh deri tek amfiteatri i liqenit me slloganin “Diabeti nuk është pengesë për ne”.

Në takim morën pjesë anëtarët e organizatës “Fëmijë dhe të rinj me diabet”, prindër dhe pjestarë të tjerë të kësaj bashkësie në rritje.

Ata u bashkuan për të folur mbi të drejtat dhe nevojat, që kanë individët me diabet për të jetuar me dinjitet një jetë gjithëpërfshirëse në shoqëri.

Veprimtaria iu kushtua 1500 fëmijëve dhe të rinjve, që vuajnë dhe që shtohen përditë nga diabeti, për të cilët popullata dhe administrata duhet të shfaqë një mbështetje më të madhe.

Pjesëmarrësit pohuan se përballë realitetit të vështirë ata kanë aspiratat e tyre në jetë, që duan t’i arrijnë dhe se diabeti nuk mund t’i pengojë, por kanë nevojë për një mbështetje më të madhe nga shoqëria dhe institucionet e shëndetësisë. (voa)

Aeroplani me energji diellore Solar Impulse

Aeroplani diellorI pajisur me asgjë tjetër përveç energjisë diellore, avioni Solar Impulse 2, u nis nga aeroporti John F. Kennedy në Nju Jork sot paradite në segmentin e 15 të një udhëtimi përreth botës.

Ky është segmenti më i rrezikshme të këtij udhëtimi, me fluturimin mbi Oqeanin Atlantik.

Avioni po drejtohet nga piloti zvicerian Bertrand Piccard.Ai dhe kolegui tij Andre Borschberg janë ndërruar me rradhë, në pilotimin e avionit me një vend.

Fluturimi mbi Atlantik pritet të zgjasë 90 orë.Piloti Piccard do të bëjë bëjë pushime të shkurtëra për të fjetur.Së bashku me kolegun Borschberg ata kanë ndjekur seanca meditimi dhe hipnoze si pjesë e trajnimit për t’i ndihmuar të qëndrojnë zgjuar për një periudhë të gjatë kohe. Borschberg e pilotoi avionin mbi Oqeanin Paqësor në një udhëtim që zgjati 118 orë.

Solar Impulse pritet të ulet në Spanjë, ose ndoshta në Francë, në varësi të kushteve të motit.

Krahët e avionit shtrihen në një gjatësi prej 72-metrash, më të gjata se sa ato tënjë avioni Boeing 747. Ai pështë ndërtuar me fibra karboni, një matrial i lehtë por tejet i fortë dhe peshon vetëm sa një makinë.

Pilotët Piccard dhe Borschberg thonë se synojnë të demonstrojnë atë çfarë mund të arrihet me burinet alternative të energjisë dhe me teknologjitë e reja. Synimi i tyre është të kthehen në Abu Dhabi në Emiratet e Bashkuara Arabe, aty ku filluan udhëtimin e tyre në mars të vitit 2015. (voa)

NASA, programet e udhëtimit në hapësirë

Amija KozmikeQendra Hapësinore Johnson e NASA-s gjendet në Hjuston të shtetit Teksas. Për rreth pesë dekada, kjo qendër ka udhëhequr përpjekjet njerëzore për eksplorimin e hapësirës. Objektivi i kësaj qendre tani është dërgimi i njerëzve në planetinin e kuq, Mars.

Që nga viti 1961, Qendra Hapësinore Johnson, shkurtimisht JSC, është vendi ku NASA kryen dhe kordinon të gjitha aspektet e fluturimeve të njeriut në hapësirë.

Që nga projektet Gemini, Apollo dhe Skylab e deri tek programi i anijeve të hapësirës dhe aktualisht stacioni ndërkombëtar i hapësirës, të gjitha misionet hapësinore të NASA-s janë kontrolluar nga qendra Johnson, Holly Ridings është drejtoreshë e fluturimeve.

Qendra e Kontrollit të Misioneve gjendet këtu që nga vitet 60-të dhe ka mbështetur çdo program hapësinor të njeriut që ka zhvilluar Amerika që nga fillimet. Është po e njëjta ndërtesë. Nga kjo qendër komunikojmë me 6 astronautë dhe kozmonautë në hapësirë. Kemi ekipin këtu që iu jep mbështetje, me një drejtor fluturimi në krye të ekipit.”

Një tjetër funksion i rëndësishëm i qendrës Johnson është edhe përzgjedhja dhe trajnimi i astronautëve. Çdo astronaut i NASA-s kalon përmes një trajnimi rigoroz para se të dërgohet në hapësirë.

“Ndërtesa reflekton gjithçka që ka të bëjë me hapësirën. Kemi pjesë stacionit hapësinor të së njëjtës madhësi, ku mund ta kuptosh se si funksionojnë gjërat. Bëjmë trajnime për emergjencat në këto module, që ekipet të mësojnë si duhet vepruar në rast avarie në stacionin hapësinor”, thotë drejtoresha e fluturimeve Holly Riding.

Laboratori Neutral Buoyancy është një pishinë gjigande që simulon kushtet pa peshë (forcë rëndese) të fluturimeve në hapësirë. Astronautët praktikojnë ecjet në hapësirë në modulet kopje të stacionit ndërkombëtar.

Përveç mbështetjes 24 orëshe të ekipit në stacionin ndërkombëtar, Qendra Hapësinore Johnson është përgjegjëse për ndërtimin e mjetit hapësinor Orion për ekuipazhin, që synon dërgimin e njeriut edhe më larg dhe nxitjen e një faze të re të eksplorimit të hapësirës.

Nëse gjithçka shkon mirë, NASA ka në plan të përdor Orion për dërgimin e njeriut në Mars në vitet 2030. Zonja Riding i nxit të apasionuarit e hapësirës të gjejnë mënyra të reja për të marrë pjesë në eksplorimin e hapësirës nga njeriu.

“Nga një përspektivë botërore, ka hapësirë që ne të gjithë sëbashku të bëjmë mrekullira në hapësirë. Për specien njerëzore është e nevojshme çuarja përpara e këtij objektivi. Edhe nëse një shtet nuk ka program hapësinor, ka mënyra për t’u përfshirë. Qenia pozitivë është e rëndësishme, si dhe gjetja e mënyrave për t’u angazhuar.” (voa)

Kthehet ekuipazhi i Stacionit Hapësinor

kapsula soyuzNjë kapsulë Soyuz me ekuipazhin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës kreu sot një zbritje të suksesshme me parashutë në aerodromin e Kazakhstanit.

Në ekipin e astronautëve ishin ai amerikan Tim Kopra, britaniku Tim Peake dhe kozmonauti rus Yuri Malenchenko.

Tim Peake është astronauti i parë britanik që shkon në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Zbritja sot e kapsulës u krye rreth tre orë pasi ekuipazhi i anijes u shkëput nga orbita e stacionit hapësinor, duke i dhënë fund eskursionit të tyre 6-mujor në hapësirë. (voa)

Greqia, e shqetësuar për pronat e Kishës në Shqipëri

kotziasokPronat e Kishës Ortodokse Autqefale të Shqipërisë kanë rikthyer tensionet dhe përplasjet në distancë mes Ministrisë së Jashtme greke dhe asaj shqiptare.

Fillimisht ka qenë minsitri grek Nikos Kotzias, i cili gjatë një interpelance të thirrur nga deputetit i Demokracisë së Re, Theodoros Karaoglou për pronat e minoritetit grek në Shqipëri ka theksuar se interesi i Greqisë mbetet të pronat e kishës.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka monitoruar rregullisht zhvillimet që lidhen me procesin e kthimit të pronës që ishte shpronësuar nga regjimi i Hoxhës në Shqipëri. Sigurisht që është e kuptueshme se interesi ynë është fokusuar veçanërisht në diasporën tonë dhe të drejtat e pronës së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë”, ka deklaruar Kotzias.

Por Ministria e Jashtme e Shqipërisë kritikon qëndrimet e herëpashershme të Greqisë, sa herë që flitet për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

“Sa herë që shteti grek mban qëndrime lidhur me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe ortodoksët në territorin e shtetit shqiptar, ai ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Glevin Dervishi.

Më tej, Dervishi thekson se çështjet juridike pronësore ende të pazgjidhura të Kishës janë në trajtim të vazhdueshëm dhe do të shqyrtohen në bazë të ligjit dhe në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

“Çështja e rikthimit të pronave në Shqipëri është një proces që prek shtetasit shqiptarë pa dallim etnie, feje apo kombësie”, ka shtuar Dervishi.

Zërit të Greqisë për çështjen e pronave të minoritetit i janë bashkuar si përherë edhe PBDNJ dhe OMONIA, të cilat me anë të një deklarate për shtyp e kanë cilësuar Rikualifikimin Urban të Himarës si një proces që ka për qëllim dëmtimin dhe çrrënjosjen e komunitetit helen të Himarës dhe ndryshimin demografik të saj.

/ Top Channel

Greqia kundër votimit me postë për shqiptarët

Autokolona me autobusë të paguar nga partitë politike, vërshojnë nga Greqia sa herë që ka zgjedhje në Shqipëri.

Por, Greqia është vënë në alarm për shkak të mundësisë së votimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi përmes postës.

Në një interpelancë të thirrur nga deputeti i “Demokracisë së Re”, Theodoros Karaoglou, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i është përgjigjur interesit lidhur me ligjin e miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë më 18 shkurt 2016 “për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, i cili ne fakt është hapi i parë për votimin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë.

“Pikëpyetje krijon mundësia e ndërlidhjes së procesit të regjistrimit të adresave nga shtetasit që jetojnë jashtë vendit me të drejtën për votimin postar. Ndikimi që do të ketë ky ligj në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe në veçanti në të drejtën e votës krijon shqetësim te qeveria greke, sidomos në dritën e ligjit ekzistues zgjedhor shqiptar, por edhe të Kodit Zgjedhor në reformim e sipër, veçanërisht nga dispozitat e këtij ligji që do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat e minoritetit grek”, deklaroi Kotzias.

Siç lë të kuptohet dhe përgjigjia e kreut të diplomacisë greke, me të drejtën e votimit me poste të shqiptarëve, Athina i druhet humbjes së kontrollit të disa zonave në jug të vendit, të cilat prej vitesh kanë qenë bastione të PBDNJ-së, parti që mbron interesat e minoritetit grek në Shqipëri.

Greqia nuk ua njeh të drejtën e votës shtetasve të saj jashtë vendit, dhe duket se po lëviz për të mos ua lejuar edhe shqiptarëve. Kotzias deklaron se këtë çështje ia ka ngritur si palës shqiptare ashtu dhe institucioneve të BE-së.

/ Top Channel

Një ide e re për avionët

avioniThe world’s largest airplane, Ukrainian Antonov An-225 Mriya takes off at the airport near Hostomel near Kiev , Ukraine, Tuesday, May 10, 2016.

Një inxhinier aviacioni ukrainas ka projektuar një tip të ri avioni, me synimin për të përmirësuar sigurinë në rastet e emergjencave ndërsa avioni ndodhet në ajër. Aeroplani ka një kabinë, e cila mund të shkëputet nga pjesa tjetër e mjetit fluturues dhe të zbresë në tokë me parashuta.

Mund të duket e pazakontë, por ideja për të përmirësuar sigurinë e avionit i përket një ish inxhinieri të aviacionit, i cili ka marrë edhe patentën e zbulimit të tij.

Ky zbulim është një kabinë e shkëputëshme nga trupi i avionit, në rastet e urgjencave, ndërsa avioni ndodhet në ajër.

Kapsula mund të zbresë në tokë në mënyrë të pavarur nga avioni, me ndihmën e parashutave të ndërtuara enkas për këtë si dhe jastëkëve me ajër, që pakësojnë tronditjet gjatë uljes në tokë.

Në raste emergjente, pasagjerët e avionit të ri do të kenë mundësi të dalin nga të dyja anët e kapsulës.

Kjo ide e re është e ish-inxhinierit të aviacionit dhe hetues i rrëzimit të avionëve, Volodymyr Tatarenko, nga Kievi.

Ai ka vëzhguar shumë incidente që lidheshin me sigurinë në ajër në ish Bashkimin Sovjetik dhe vitet e fundit vendosi të punojë për gjetjen e një zgjidhjeje për të minimizuar rrezikun e pasagjerëve gjatë fluturimit.

Tatarenkos ju deshën tre vjet që të projektonte konceptin e tij të ri ndërsa tani ai realizoi regjistrimin e patentës për zbulimin, si dhe një çertifikantë nga Organizata Civile e Aviavionit, që provon miratimin e planeve të tij.

Tatarenko shpjegon se si funksionon projekti i tij:

“Në raste aksidentesh, pjesa e poshtme e avionit shkëputet dhe zbret e sigurtë me parashuta. Veç të tjerash, ky projekt bën të mundur përmirësimin e logjistikës në aeroporte. Pjesa e poshtme e trupit të avionit mund të ngarkohet mbi një mjet transporti të veçantë. Kështu, pasagjerët mund të shmangin procedurat e kontrollit në çdo terminal.”

Tatarenko thotë se ideja e shkëputjes së kapsulës ishte provuar vite më parë në Bashkimin Sovjetik. Por nuk kishte mundur të realizohej asnjëherë, për shkak të mungesës së materialeve me peshë të lehtë, si lëndët polimere të përforcuara me fibra karboni, dhe titaniumi që përdoren aktualisht në industrinë e avionëve.

Ai thotë se kjo ide krijon më tepër felksibilitet për hyrjen në avion, mundësisht duke shkurtuar disa procedura në aeroporte. Kapsula e pasagjerëve mund të bashkangjitet në avion veçmas dhe mund të dërgohet në pistë me një automjet tjetër.

Por ndërsa ky zbulim mund të përmirësojë sigurinë dhe logjistikën në aeroporte, zbatimi tij mund të rrisë koston e fluturimeve. Disa paragjerë në aeroport nuk janë të bindur për përfitimet e këtij zbulimi.

“Tani ne mund të jemi duke paguar mbi 10 për qind të çmimit të biletës për sigurinë, por me këtë projekt , sigurisht që do të paguajmë edhe më tepër.” - thotë një grua.

Një tjetër pasagjer thotë:

“Si një qytetar me të ardhura masatare, mund të them se çmimi i biletës është përparësia ime. Unë kërkoj biletën më të lirë për kaluar fetstat me familjen. Nuk do të më pëlqejë po të rritet çmimi i biletës.”

Eksperti i aviacionit Aleksander Kava thotë se ideja e Tatarenkos nuk është tërësisht e re, por mund të jetë e mirë:

“Duhet të diskutojmë për të gjitha idetë, edhe kur ato janë të jashtëzakonshme. Disa ide të reja mund të ngjajnë të çuditshme dhe jo reale fillimisht, por një ditë ato mund të vihen në zbatim.”

Tatarenko po kërkon financim për të bërë një model të avionit të tij në

Ukrainë. Deri tani, autoritetet lokale nuk e kanë pranuar një kërkesë të tij për një donacion prej 1 milion dollarësh për realizimin e projektit. (voa)

Kuvendi ratifikon mandatin e EULEX-it deri më 2018

parlamenti ksKuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen me Bashkimin Evropian për vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për dy vite tjera. Vazhdimi i këtij mandati është mundësuar përmes dy projektligjeve, të cilat përcaktojnë edhe përgjegjësitë që do t’i ketë Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, i vendosur në Kosovë që nga qershori i vitit 2008.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se për mandatin dhe përgjegjësitë e EULEX-it është negociuar me autoritetet e Bashkimit Evropian për disa muaj.

Qëllimi i vazhdimit të mandatit të EULEX-it, ka thënë Kuçi, ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve të Kosovës nga fusha e sundimit të ligjit dhe përafrimi me Bashkimin Evropian.

“Kemi pasur qëllim që në kuadër të ruajtjes së sovranitetit të kemi një sistem unik të drejtësisë, dhe besoj që kjo është e garantuar, përfshi gjyqtarët dhe prokurorët vendor dhe ata të EULEX-it, të cilët do të kalojnë përmes procedurave të Këshillit Gjyqësor dhe me emërim nga presidenti i Republikës. Kemi pasur për qëllim që menaxhimi i institucioneve të drejtësisë të bëhet nga institucionet tona”, ka thënë Kuçi.

Më pas, në kuadër të diskutimeve parlamentare, fjalën e ka marrë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Ai ka prezantuar aty edhe qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës në raport me EULEX-in. Sipas tij, ky është një moment i rëndësishëm, kur Kosova do t’i vazhdojë mandatin misionit të Bashkimit Evropian, duke u deklaruar edhe njëherë si një vend pro-perëndimor.

Veseli ka potencuar se në fushën e sundimit të ligjit, Kosova ka treguar më pak rezultate dhe ka nevojë për mbështetje shtesë ndërkombëtare. Kurse i ka mohuar deklarimet se EULEX-i po fokusohet vetëm në luftimin e figurave të dala nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Është qëndrim i yni i përbashkët se duhet të kemi shtet ligjor, perspektivë ekonomike dhe të njëjtën kohë duhet të kemi integrim drejt Bashkimit Evropian. Ky është një vendim i fuqishëm pro-partneritetit me Bashkimin Evropian, pro-orientimit tonë drejt BE-së”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq, kryeministri i Koso vës, Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke i dhënë mbështetje vazhdimit të mandatit të EULEX-it ka thënë se ky mision do të ndihmojë në forcimin e rendit ligjor dhe drejtësisë në Kosovë.

“Ne kemi vlerësuar se EULEX-i duhet të mbetet edhe më tutje në mënyrë që të vazhdojë me lëndët që i ka sipas asaj që është përfshi në këto ligje, në mënyrë që të tejkalojmë një zbrazëti juridike që mund të krijohet. Po ashtu, që të thellojmë bashkëpunim për të forcuar sistemin e drejtësisë në vend, për të forcuar shtetin ligjor, për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka theksuar Mustafa.

Vazhdimit të mandatit të misionit evropian për sundim të ligjit i kanë dhënë përkrahje edhe Lista Serbe dhe përfaqësuesit e pakicave tjera.

Përderisa kundër vazhdimit të mandatit të EULEX-it dhe kompetencave që do t’i ushtrojë ky mision në Kosovë është deklaruar Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti Glauk Konjufca ka thënë se EULEX-i, mes tjerash, i ka kontribuuar ndarjes etnike në Kosovë, si dhe ka ndihmuar në pamundësimin e shtrirjes së sovranitetit në pjesën veriore të vendit. Po ashtu, ka vijuar Konjufca, EULEX-i nuk ka ndihmuar në forcimin e shtetit ligjor, por sipas tij, me këtë mision ka ndodhur e kundërta.

“EULEX-i erdhi për sundimin e ligjit në Kosovë si dhe për luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe tash tetë vite pas, që kur ka filluar të operojë në Kosovë, vendi ynë ndodhet para pengesave serioze në rrafshin e shtetit ligjor, si dhe me një korrupsion endemik, ashtu siç e quan Raporti i fundit i Progresit”, ka thënë Konjufca.

Krahas zgjatjes së mandatit të EULEX-it deri më 15 qershor 2018, autoritetet e Kosovës janë pajtuar edhe për delegimin e autoritetit për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. (REL)